Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antikitet

“ODISEJA” SI METAFORË



Odiseu si ai që kalon ferrin e jetës për të njohur vetveten.

1. Odiseja si parabolë e jetës.

Të flasësh për Odisenë është si të flasësh për vetë shtegtimin njerëzor mbi tokë. Udhëtimi i tij është edhe udhëtimi ynë në jetë. Asnjë vepër tjetër letrare qё njohim, nuk e ka shprehur aq bukur, aq lart, aq thellë parabolën njerëzore të shtegtimit tonë në jetë sa “Odiseja” e Homerit. Për nga mençuria, për nga pjekuria, për nga pasuria e figurave letrare dhe për nga eleganca e shprehjeve, duket sikur kjo vepër – më e larta e gjenisë krijuese njerëzore – të jetë një aglomerat përvoje rapsodësh, shtuar dhe përmirësuar ndёr shekuj, sesa produkt i një të verbëri të vetëm. Përndryshe duhej të thuhej me zё tё lartё: shumë dritë për një të verbër!

Pak rëndësi ka. Kemi veprën, dhe kjo mjafton.

2 Itaka. Kthimi nё vetvete.

“Odiseja” është metafora e njeriut që, pasi kalon ferrin e jetës, përpiqet të rifitojë shtëpinë, dinjitetin dhe paqen e brendshme. Ka shumë çelësa leximi kjo kryevepër e njerëzimit, e cila jo vetëm nuk shter sё mahnituri, sё intriguari, por gjithashtu ajo është gjithmonë aktuale. Në radhë të parë ajo i flet njeriut dhe shtegtimit të tij në jetë. Kur Eskili shprehet se ne jemi veç thërrime në sofrën e madhe homerike, ai ka parasysh jo vetëm stilin e lartë hyjnor, botën e madhe dhe komplekse të rapsodit të verbër, sidomos gjithёpërfshirjen e shtresave shoqërore të Homerit, por sidomos poeti i verbër këndon nga lartësitë e papara tё Hyjnores. Askush si ai nuk ka kënduar aq lart, aq fort, aq madhërisht! Nëse kryevepra tjetër, “Iliada”, është shkruar në rininë e Homerit, “Odiseja” është pjekuria e tij. Pёrvoja e jetёs. Historia e “Odisesë” mund të interpretohet në dy mënyra kryesore:

Si udhëtim fizik – pra jeta si udhëtim kthimi në shtëpi.

Si udhëtim shpirtëror – Ne të gjithë nisemi nga Troja jonë: një luftë, një traumë, një moment që na ndryshon – dhe duam të kthehemi në “Itakën” tonë.

Itaka, e cila është: shtëpia, paqja, vetja jote e vërtetë, familja. Kush është, ose më mirë, kush mund të jetë “Odiseja” mes nesh? Ose ndryshe: A mund ta gjejmë ne Odisenё brenda vetes tonë?

Duke lënë mënjanë mendjemadhësinë e tij, mosbindjen, kuriozitetin e tij pa fund, etjen për dije, Odiseu është të gjithë ne. Ai është personifikimi i udhëtimit dhe i njohjes së njeriut mbi tokë. Gjithë ç’ka vuajti ai gjatë 10 vjetëve të kthimit, shtojmë edhe 10 vjetët e luftës në Trojë, është edhe vuajtja jonë, në detet e trazuara të jetës.

3. Fajet dhe ndёshkimi. Kur njeriu thyen ligjet e Zeusit.

Gaboi Odiseja? Bëri ai zgjedhje të papjekura? Dhunoi ai ligjet e Zeusit? Verboi Ciklopin, mori Trojën me mashtrim, grabiti statujën e shenjtë, Palladion në Trojë, kaloi Shilën dhe Karibën, hëngri Lopët e Diellit?

Të gjitha shkeljet e ligjeve hyjnore, ai i pagoi me dhimbje, vuajtje shpirtërore dhe fizike. Odiseja është përgjegjës, jo vetëm i rebelimit personal, por sidomos ai është vetë personifikim i shkeljeve në mitologjinë greke. Njëlloj si Prometeu qё i grabiti zjarrin hyjnive.  Çfarë del nga kjo përrallë?

Sa herë që njeriu thyen ligjet hyjnore, aq herë ai është përgjegjës i vetë-shkatërrimit të tij! Metafora e Odisesë është metafora e gjithkujt prej nesh, e thamë më sipër. Ky hero ka shumë çelësa leximi, sidomos duke i bërë një analizë nënndërgjegjes tonë. Duke e parë Odisenë si një metaforë personale. Ngjarjet te “Odiseja”, qё nga momenti kur Kalipsoja ia lejon kthimin, deri te hakmarrja e tij; zhvillohen të gjitha brenda 40 ditësh. Por regresionet e tij, kthimet në kohë, shkojnë deri 20 vjet më parë, përtej luftës së Trojës. Nisin me ndarjen e tij tё dhimbshme nga bashkëshortja, pastaj me luftёn dhe me kthimin e tij tё penguar nga hyjtё.

Nëse ngjarjet e “Iliadës” zgjasnin 52 ditë, dhe kanë si pikë qendrore: “Mërinë e Akilit”, dhe “Iliada” është një vepër heroike dhe epike, te “Uliksi” poeti zbret mirё me këmbët mbi tokë. Ai ka vendosur tё merret me njeriun. Me thelbin e tij. Me vuajtjet, zhgёnjimet, gabimet, mёritё, mallin dhe brengat e tij. Na flet për gjëra më të prekshme, më të afërta. Na flet për gjithkënd nga ne. Pra “Odiseja” ёshtё unё, ti, gjithkush.  Nëse te “Iliada” fjala fluturonte tepër lart, plot aliteracione, epitete, personifikime e krahasime, te “Odiseja”, fjala vazhdon tё fluturojё akoma lart, por lexuesi e prek mё konkretisht njeriun; me të gjitha vuajtjet, vetminë, lotët, dobësitë dhe ngadhnjimin e tij njerëzore.

Me Odisenë, Homeri ka vendosur të na tregojë njeriun me të gjithë mjerimin dhe madhështinë e mençurisë së tij.

Vepra e dytë është e pakrahasueshme. Ajo qёndron nё piedestal tё piramidёs letrare ndёrkombёtare. Ndoshta sё bashku me Komedinё Hyjnore dhe Don Kishotin. Nё ngjarje kemi: një kthim në atdhe, një oxhak qё pret mbretin e munguar dhe njё të penguar nga hyjnitё. Kemi gjithashtu një grua bashkëshorte që sajon gjithçka pёr tё fituar kohё. Ajo e ndjen që i shoqi është ende gjallë dhe do kthehet. Kemi pretendentët që bëjnë presion. Kemi një princ 18-vjeçar që mundohet të vendosë gjërat në vendin e duhur. Kemi gjithashtu edhe një Odise në vitin e njëzetë të mërgimit, i cili pret me padurim të shkelë rishtas dheun e tij. Dёshiron me mall tё pёrqafojё babën, djalin, bashkëshorten.

A ka gabuar Odiseja gjatë kthimit, apo Hyjnitë janё argëtuar me tё duke i shkaktuar atij dhimbje pa fund. Ёshtё kjo e hyjnive njё kapriçio, njё ndëshkim mbi një kategori inferiore ndaj tyre: Njeriun! 

Çdo dhunim i ligjeve të Olimpit, paguhet me ndëshkim. Njeriu ka edhe ligjet e veta. “Mos e tepro,” shkurhej tek Orakulli i Delfit. “Njih vetveten!” Por gjithashtu, çdo fazë, çdo ndalesë, çdo hap i gabuar i Uliksit gjatë kthimit, është gjithashtu ekuivalenti i një momenti rritje shpirtërore dhe njohje të vetvetes.

4 Arketipet. Pёrbindёshat dhe gratё e jetёs.

Po metafora e Kalipsos ç’është? Ndoshta kënaqësia e vetvetes me eros, me dashuri? Është ajo ndoshta dashuria që të paralizon krejt dhe ti i vetёkёnaqur nuk don tё ndryshosh asgjё nga jeta jote?

Po Ciklopi? Është përbindëshi brenda nesh? Po Troja: është lufta, trauma në një moment që na ndryshon? Po dy përbindëshat? Janë ndoshta sprovat e jetës? Po Sirenat? Janë ato iluzionet që na mundojnë, premtimet fallco, rrugët e gabuara që marrim në jetë? Po Circja? Është ajo joshja jonë pa fund, tundimet dhe relacionet toksike?

Po Penelopa? Është ajo esenca e familjes. Pika më e hekurt e lidhjeve të shenjta familjare. Homeri merret me arketipe figurash femërore.

Nëse Penelopa është gruaja besnike, mbrojtësja e shenjtë, e papërkulur e vatrës familjare – thelbi, qeliza më e rëndësishme e shoqërisë – Helena qëndron në skajin tjetër. Dhunuese e ligjit të Zeusit dhe e shtratit bashkëshortor. Dy ekstreme. Njëra: besnike dhe e adhurueshme, e cila beson tek vlerat morale të familjes. E dyta: aventuriere, bishtdredhur, me njё bukuri magjepsёse, e cila braktis shtratin mbretёror për njё kapriçio dashurie.

Pastaj me radhë: Kalipsoja: dashnorja e fshehtë. Sirenat: tundimet njerëzore. Zërat e iluzioneve që na pëshpëritin nga të gjitha anët: “Pse nuk ika? Pse nuk e bëra? Pse nuk e rrëmbeva? Pse nuk e ndoqa nga pas?” Zëra mashtrues, që na çojnë drejt shtegut të humbjes.

Nuk jemi akoma tek morali i krishterë. Kjo është edhe arsyeja që askund te “Odiseja” Uliksi nuk e ka të zhvilluar ndjenjën e fajit. Për grekët, dinakëria, mashtrimi, hakmarrja, nuk shiheshin si mёkate. Ato shiheshin si cilёsi, pse jo edhe tё nevojshme, vlera tё njeriut, me tё cilat heronjtё mbijetonin. Ato, nё mendёsinё e atёhershme greke nuk gjykoheshin keq. Veçse 2000 vjet fe e kanë ndryshuar dhe modifikuar formën e gjykimit dhe konceptin e mëkatit.

5. Askushi. Asgjësimi pёr tё rindёrtuar veten.

Pse Odiseja vendosi ta quajë veten: Askushi? Ndoshta duhet të shndërrohemi në Askush, për të shpëtuar nga vetvetja? Apo për të njohur vetveten na duhet të asgjësohemi, të anulohemi krejt? Çdo kthim prapa është gjithmonë një rifillim nga e para? Pa dyshim. Udhëtimi i Uliksit është udhëtimi i njeriut mbi këtë rrafsh ekzistence. Është shtegtimi i tij plot gabime, plot sirena, plot përbindësha, plot tundime, plot sakrifica dhe zgjedhje të dhimbshme – Shilla dhe Karibi – plot pakte me Hyjin dhe me djallin, plot me shpresë, durim, nostalgji dhe mall.

Shtegtimi i njeriut është edhe mallkimi i tij më i madh. Por në këtë mallkim hyjnor, njeriu, gabim pas gabimi, mëson, rritet, njeh vetveten, njeh të tjerët, njeh më mirë botën ku jeton. Sidomos ai miqësohet me vetminë e tij.

Sa herë që ai gabon, sa herë që ai thyen rregullat e Zeusit, aq herë ai ndëshkon në radhë të parë vetveten. Integritetin e tij si njeri.

6  Malli pёr shtёpinё. Itaka e Shqiptarёve.

Pse është aq themelor për Uliksin kthimi në shtëpi?

Atij po i ofrohet rinia e përjetshme – Kalipsoja. Ai ka erosin, ka dashurinë, jeton si mbret. A e meriton ai, – do të pyesnin moralistët -, akoma dashurinë e Penelopës, mbas aq e aq shumë tradhtish bashkëshortore?

 Pse Odiseja, duke pasur gjithçka, (premtimet e Kalipsos) e gërryen malli, qan në breg të detit dhe kërkon me çdo kusht të kthehet në Itakën e tij? Ç’është Itaka? Mos ndoshta është qëllimi më i lartë i njeriut? E gjen ai Itakën të shfytyruar? A është ndoshta shfytyrimi i Itakës, shfytyrimi i jonë, mbasi kemi ndryshuar dhe nuk e njohim më vetveten? Ndoshta kur arrin qëllimin, ti nuk je më i njëjti person? Mos është ndoshta Odiseja, kthimi në vetvete? Dhe Itaka, qendra jonë. Identiteti jonë. Homeri te “Odiseja” merret me njeriun në thelbin e tij.

Psikologu Morelli na sugjeron:

“Odiseja na thotë që nuk mund të ikësh nga vetvetja. Mund të udhëtosh për 20 vjet nëpër botë, por më në fund duhet të kthehesh në shtëpi dhe të përballesh me ata që të kanë pritur: me veten tënde.” Në pak fjalë: Uliksi është secili prej nesh. Niset për të ndjekur të jashtmen, lufton me demonët e tij të brendshëm të veshur si përbindësha, dhe nëse ka fat arrin të kthehet në “shtëpi” – në një jetë të thjeshtë, të vërtetë, pa maska. Me Penelopën – me pjesën më autentike të vetes.

A ka njeriu gjë më të shtrenjtë se sa kthimi në shtëpi? Asgjë nuk e ngopte Uliksin. As erosi, as dashuria, as rinia e përjetshme. Donte të shtrëngonte birin, babën, gruan e tij. Ndoshta gjëja më e shtrenjtë për njeriun është kthimi në tokën e të parëve? Në origjinë? Në identitet?

E njohin mirë këtë ndjesi të një milion shqiptarët të cilët që prej 35 vjetësh janë detyruar të bredhin mbarë botën në mërgim.

Libri ka njё strukturё dhe ngjarje tё cilat zhvillohen nё paralel me ngjarjen nёnё: kthimin e heroit. Nga ngjarjet e mrekullueshme dhe pёr t’u analizuar dhe pёrmendur spikat historia e qenit Argo. Veç historia e Argos plak, ёshtё njё kryevepёr letrare. Forma se si kafshёs nuk i del shpirti, (qeni zakonisht nuk jeton 21 vjet) pa pёrjetuar kthimin e padronit tё tij. Tek Odiseja, besnikёria e qenit shndёrrohet nё diçka mitike, tё pabesueshme, gati legjendare. Veç pёr episodin e qenit Argo, mund tё shkruhen mbi 20 faqe studim…

7.  Hakmarrja dhe drejtёsia.

Pse “Odiseja” është ende kaq shumë popullore? Ndoshta veç për vlerat e tij morale? Pse ndjejmë kënaqësi kur ai hakmerret? Shprehet aty etja e njeriut për drejtësi? Si te “Konti i Monte-Kristos”? 

Te kthimi i Odisesë dhe veshja e tij si lypës, kemi teatrin brenda teatrit. A ndoshta Shekspiri tek Hamleti e ka huazuar nga Homeri njё gjetje tё tillё?  Kur shkel Itakёn, Odiseja nuk shkon drejt e te pallati i tij mbretёror. Ai edhe njё herё pёrdor dinakёrinё e tij. Shtiret si lypёs para pretendentëve, të cilët natyrisht nuk e njohin. Erёrёndё, veshur me zhele, pis dhe gjithmonё ulur pёr tokё, ai kёrkon njё kothere bukё a njё asht pёr t’u ushqyer. Pretendentët e përbuzin keq lypësin duke dhunuar njё nga ligjet e shenjta vendosur nga Zeusi. “Shtёpia ёshtё e Zotit dhe e Mikut!”

Kjo sjellje arrogante e shton mllefin tek lexuesi dhe ia rrit atij pritshmërinë për një kasaphanë të ligjëruar nga vetë Zeusi. Hakmarrja e të dhunuarit, brenda mureve të shtëpisë së tij.

Është kjo një gjetje gjeniale e Homerit.

A ka dhunim më të madh se sa të përbuzesh, të tallesh, të poshtërohesh nga miku brenda mureve tё shtëpisë tënde? Lexuesit e pretendojnë hakmarrjen e Odisesë. Kjo hakmarrje ёshtё tashmё e ligjёruar nga vetё Hyjnitё.

Drejtësia është një prerogativë e të shtypurve.

Në këtë kontekst, krimi i Odisesë justifikohet nga qëllimi i tij i lartë për t’i kthyer nderin e humbur oxhakut të vet. 

“Odiseja”, para se gjithash është një mit bashkëkohor dhe udhëtimi i tij është edhe udhëtim në nënndërgjegjen tonë. Në zonën e errët të nënndërgjegjes, ku mbizotërojnë hyjni të panjohur. Gjysmë-hyjni mëkatarë. Pulsione, dëshira, fantazi të ndaluara, perversione, djaj dhe tundime nga më të frikshmet. Janë pikërisht këta përbindësha të panjohur, që nuk njohin fre dhe rregull, të cilët shpesh na nxisin në çmendurinë tonë të përgjithshme.

Ata i shkelin rregullat e Zeusit. Rregullat e vendosura nga vetë njeriu, si cak final për të jetuar në paqe. Janë rregullat e Moisiut, të Jezusit, të Muhamedit e të Krishnës.

Me kaq po e mbyll këtë vështrim të përgjithshëm mbi mitin pa muzg të Odisesë.

(c) 2026 Artur Spanjolli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading