Përkthimi i poezisë si formë dashurie ndaj gjuhës dhe autorit
Të përkthesh poezi nuk do të thotë vetëm të gjesh ekuivalentin e një fjale apo shprehjeje nga një gjuhë në tjetrën. Nëse përkthimi do të reduktohej thjesht në një transaksion gjuhësor, atëherë do të mjaftonte njohja e mirë e dy sistemeve gjuhësore. Por poezia nuk është vetëm radhitje fjalësh. Ajo është frymë, është muzikë, ritëm, është heshtje, kujtesë, dhimbje, ngazëllim, është dritë e brendshme. Poezia është mënyra se si një shpirt e përjeton botën dhe si e kthen atë përjetim në fjalë. Prandaj, përkthimi i poezisë është një nga format më të ndërlikuara dhe fisnike të krijimit letrar: përkthyesi nuk përkthen vetëm atë që thuhet, por edhe mënyrën se si një ndjeshmëri njerëzore ka zgjedhur të shfaqet.
Në këtë dritë, përkthyesi i poezisë nuk mund të jetë tjetër veçse një poet në hije. Ai nuk është poet në kuptimin e zakonshëm të fjalës, sepse nuk niset nga një boshllëk krijues i veti. Ai nuk shpik një botë krejtësisht të re, as nuk flet vetëm me zërin e tij. Por është poet sepse, në çastin e përkthimit, i duhet ta rikrijojë poezinë në një gjuhë tjetër, ta bëjë atë të tingëllojë natyrshëm, të marrë frymë, të ketë ritëm, ngjyrë dhe emocion. Ai është poet i dëgjimit, poet i përulësisë, poet i ndërmjetësimit. Ai krijon duke dëgjuar tjetrin.
Këtu qëndron edhe paradoksi më i bukur i përkthimit poetik: përkthyesi duhet të jetë mjaftueshëm krijues për ta bërë poezinë të jetojë në gjuhën pritëse, por i përmbajtur në atë masë sa për të mos e zëvendësuar autorin me veten. Ai duhet të jetë i pranishëm dhe i padukshëm njëkohësisht. I pranishëm, sepse pa ndjeshmërinë, zgjedhjen dhe veshin e tij poetik, poezia nuk do të mund të rilindte në gjuhën tjetër. I padukshëm, sepse qëllimi i tij nuk është të mbulojë zërin e autorit, por ta bëjë atë të dëgjohet përsëri.
Nëse poeti krijon një jetë të parë të poezisë, përkthyesi i jep asaj një jetë të dytë. Kjo jetë e dytë nuk është kopje. Asnjë përkthim i mirë nuk është thjesht pasqyrim i ftohtë i origjinalit. Ai është një formë e re ekzistence. Poezia, kur kalon në një gjuhë tjetër, ndryshon trupin, por duhet të ruajë shpirtin. Fjalët nuk janë më të njëjtat; tingujt, ritmet, lidhjet kulturore dhe nuancat ndryshojnë. Megjithatë, diçka thelbësore duhet të mbetet: ajo dridhje e parë që ktheu ndjenjen ne vargje.
Pikërisht për këtë arsye, përkthimi i poezisë është një akt dashurie. Dashuri ndaj gjuhës, sepse përkthyesi e vë gjuhën e vet në provë. Ai në heshtje e pyet atë: a mund ta përcjellësh këtë emocion? A mund ta ruash këtë thjeshtësi? A mund ta përcjellësh këtë dhimbje pa e rënduar, këtë dritë pa e tepruar, këtë heshtje pa e prishur? Çdo poezi e përkthyer është një mundësi që gjuha pritëse të zgjerojë kufijtë e saj, të provojë ritme të reja, të pranojë një ndjeshmëri të ardhur nga një tjetër botë letrare.
Por përkthimi është edhe dashuri ndaj autorit. Jo një dashuri sentimentale, por një dashuri e përgjegjshme. Përkthyesi nuk mund t’i afrohet tekstit të një poeti tjetër pa ndjeshmërinë e duhur, pa respektin dhe pa vetëdijen se nuk po merret me një material të zakonshëm gjuhësor. Ai po prek një zë. Dhe zëri i një autori nuk është vetëm kuptimi i fjalëve që ka zgjedhur; është ritmi i mendimit, tempi emocional, masa e shprehjes, mënyra se si hesht aty ku mund të fliste më shumë. Përkthyesi ka detyrimin moral ta ruajë këtë zë sa më të pacenuar.
Përkthyesi poet: mes besnikërisë dhe krijimit
Të flasësh për përkthyesin poet nuk do të thotë t’i japësh përkthyesit një liri të pakufizuar. Përkundrazi, përkthyesi poet është krijues pikërisht sepse krijon brenda kufijve të një besimi. Ai nuk ka lirinë e poetit të parë, por ka një liri tjetër, ndoshta më të vështirë: lirinë për ta bërë një tekst të huaj të jetojë natyrshëm në gjuhën e vet, pa e zhveshur nga identiteti i tij i parë.
Në përkthimin e poezisë, besnikëria ndaj fjalës mund të jetë ndonjëherë pabesi ndaj poezisë. Një përkthim shumë i ngurtë mund ta ruajë kuptimin, por ta humbasë frymën. Nga ana tjetër, një përkthim shumë i lirë mund të krijojë bukuri të re, por të largohet nga zëri i autorit. Prandaj, përkthyesi poet ecën vazhdimisht në një vijë të hollë midis saktësisë dhe lirizmit, midis besnikërisë dhe rikrijimit, midis respektit ndaj origjinalit dhe nevojës që poezia të tingëllojë natyrshëm në gjuhën tjetër.
Kjo e bën përkthimin poetik një punë njëkohësisht intuitive dhe të vetëdijshme. Intuitive, sepse përkthyesi duhet të ketë vesh për ritmin, ndjeshmëri për figurën dhe aftësi për të dalluar tonin. E vetëdijshme, sepse çdo zgjedhje leksikore, çdo zhvendosje sintaksore, çdo ritëm i ri në shqip e ndryshon pak trupin e poezisë. Përkthimi nuk është thjesht frymëzim; është disiplinë gati-gati drobitëse, lexim e rilexim i përsëritur, dyshim, kthim pas, shkurtim, zëvendësim, dëgjim i heshtur i vargut derisa ai fillon të tingëllojë si zëri i poetit origjinal.
Sara Teasdale në shqip: qetësia, melodia, drita
Përvoja ime me përkthimin e Sara Teasdale-it ma ka bërë shumë konkrete këtë ide. Teasdale është një poete e ndjeshmërisë së përmbajtur, e një lirizmi të qetë, të brishtë, ku fjala duket e thjeshtë, por bartëse e një peshe të madhe emocionale. Në poezinë e saj, rreziku i përkthimit nuk është vetëm humbja e kuptimit, por edhe prishja e raportit te masës. Një fjalë më e rëndë nga sa duhet mund ta errësonte vargun; një zbukurim i panevojshëm mund t’i marrë poezisë atë dritë të butë që e karakterizon.
Në poezinë “S’do të dua të di”, zëri poetik flet për vdekjen pa patos të tepruar, me një qetësi gati të akullt, por njëkohësisht thellësisht njerëzore:
Unë do të jem në paqe,
si degët e pemëve që përkulen nga pesha e shiut në qetësi.
Dhe do të jem më e heshtur dhe zemër-akull,
nga ç’je ti tani!
Këtu përkthyesi nuk mund të vepronte vetëm si njohës i gjuhës. Ai duhet të ishte dëgjues i tonit. Duhet të pyesë: çfarë lloj paqeje është kjo? Është paqe e dorëzimit, paqe e çlirimit, e ftohtësisë, e largimit nga dhimbja? Pastaj duhet të gjente në shqip jo vetëm fjalën e duhur, por gjendjen e duhur. Sepse një poezi nuk përkthehet vetëm duke ditur çfarë do të thotë; përkthehet duke ndierë si duhet të tingëllojë.
Te “Shirat e butë do të vijnë”, sfida është e një natyre tjetër. Këtu natyra vazhdon ciklin e saj, ndërsa njerëzimi duket sikur është zhdukur. Këtu bukuria nuk shërben vetëm për të ngushëlluar, por për të theksuar boshllëkun që ka lënë njeriu:
E askush s’do dijë ç’ishte lufta, askush.
As, se si do të përfundojë.
Askush s’do të dijë, asnjë shpend a bimësi,
njerëzimi ku u zhduk ashtu, si për çudi.
Në këto vargje, përkthyesi duhet të ruajë kontrastin e ftohtë midis qetësisë së natyrës dhe katastrofës njerëzore. Fuqia e poezisë qëndron pikërisht te përmbajtja: tmerri nuk thërret me të madhe, por mund të shfaqet përmes qetësisë. Nëse përkthyesi e dramatizon me tepër nga ç’duhet, e prish poezinë; nëse e zbeh, humb dimensionin tragjik. Pra, detyra e tij është të ruajë atë pikë të vështirë ku bukuria dhe zhdukja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës.
Në poezinë “Natën”, përkthyesi përballet me intimitetin. Këtu nuk shohim një deklaratë të fortë dashurie, por një endje e brishtë mendimesh në errësirë:
A ke fjetur shpirt, apo je ende zgjuar?
Të dërgoj mendimet e mia, ti më shih në ëndërr.
Mendimet e mia fluturojnë dritares tënde,
një tufë zogjsh të egër.
Këto vargje kërkojnë butësi, ndonëse jo sentimentalizëm të tepërt. Mendimet nuk “thuhen”; ato dërgohen, fluturojnë, bëhen tufë zogjsh. Përkthyesi duhet të ruajë këtë lehtësi lëvizjeje, këtë ndjenjë se fjala nuk rëndon, por kalon nga një shpirt te tjetri. Këtu shqipja duhet të jetë e përmbajtur, e kthjellët, e ngjashme me ritmin e një pëshpërime.
Ndërsa te poezia “Pluhuri”, përkthimi prek një tjetër përmasë: urtinë që vjen pas thyerjes. Vargjet “Çudi, sa herë duhet të thyhet një zemër, / përpara se vitet ta bëjnë të zgjuar” bartin një mendim që duket i thjeshtë, por është i ngarkuar me përvojë. Në raste të tilla, përkthyesi duhet të shmangë moralizimin. Vargu nuk duhet të tingëllojë si mësim, por si një zbulim i vonë, i fituar me dhimbje.
Te “Kodra e Lartë”, lëvizja fizike bëhet metaforë e jetës. Zbritja pas kreshtës nuk është vetëm ecje në peizazh; është vetëdije e një kalimi të pakthyeshëm:
Të kthehem mbrapa s’mendoj kurrsesi
rruga që ka mbetur, është vetëm zbritje tani…
Këtu përkthimi duhet të ruante tensionin midis krenarisë dhe përulësisë, midis ecjes drejt përpara dhe pranimit të kohës që shkon pa u kthyer. Në shqip, ky lloj vargu kërkon një thjeshtësi të matur: nuk duhet të jetë as shumë filozofik, as shumë rrëfimtar, por i aftë të mbajë brenda vetes ndjesinë e një kadence që nuk është vetëm e trupit, por i vetë jetës.
Përkthimi i Teasdale-it më ka bërë të mendoj edhe për shqipen si gjuhë pritëse. Çdo gjuhë ka ritmet, dritat dhe hijet e veta. Anglishtja e Teasdale-it është shpesh e shkurtër, e qartë, muzikore, me një thjeshtësi që e fsheh thellësinë. Shqipja, nga ana tjetër, ka një pasuri të madhe figurative, një lëvizje të brendshme të tingullit, një aftësi për të mbajtur njëkohësisht butësi dhe solemnitet. Por pikërisht kjo pasuri mund të bëhet rrezik: përkthyesi mund të tundohet ta zbukurojë më shumë se ç’duhet tekstin.
Prandaj, dashuria ndaj gjuhës nuk do të thotë ta mbushësh përkthimin me fjalë të bukura. Do të thotë ta njohësh gjuhën aq mirë, sa të dish edhe ta përmbash. Ka raste kur shqipja duhet të shkëlqejë; ka raste kur duhet të heshtë. Ka vargje që kërkojnë figurë të fortë; ka vargje që kërkojnë vetëm qartësi. Përkthyesi poet duhet ta dallojë këtë masë. Ai duhet ta dojë gjuhën e vet jo duke e vendosur mbi autorin, por duke e bërë mikpritëse të zërit të autorit.
Në këtë kuptim, përkthimi është mikpritje. Gjuha pritëse nuk e fshin gjuhën e parë; ajo i hap një hapësirë të re. Përkthyesi është ai që përgatit këtë hapësirë, që kujdeset që zëri i huaj të mos tingëllojë as i huaj në mënyrë të panevojshme, as tepër i zbutur deri në humbje të identitetit. Detyra e tij është të krijojë një afërsi të ndershme: lexuesi shqiptar ta ndiejë poezinë si të gjallë në shqip, por njëkohësisht të kuptojë se ajo vjen nga një tjetër botë poetike.
Nga kjo buron edhe detyrimi moral i përkthyesit. Të përkthesh poezi do të thotë të marrësh në dorë një zë që nuk është yti dhe ta sjellësh para lexuesit tënd. Kjo kërkon përgjegjësi. Përkthyesi nuk duhet ta përdorë autorin për të shfaqur veten; nuk duhet ta rëndojë vargun me hijen e vet; nuk duhet ta kthejë poezinë në një tekst që i shërben vetëm shijes së tij personale. Ai ka të drejtë të zgjedhë, të interpretojë, të rikrijojë; por këto zgjedhje duhet të mbeten gjithmonë në shërbim të zërit që po përkthen.
Kjo nuk do të thotë se përkthyesi duhet të jetë i padukshëm në kuptimin e një mungese të plotë. Përkthyesi është gjithmonë aty: në ritmin që zgjedh, në fjalën që parapëlqen, në heshtjen që ruan, në figurën që vendos të mos e shpjegojë. Por prania e tij duhet të jetë prani kujdesi, jo prani pushteti. Ai duhet të jetë i dukshëm në përgjegjësi, por jo në vanitet.
Kjo është arsyeja pse e shoh Përkthyesin Poet si një figurë të veçantë artistike. Poeti krijon nga vetja; përkthyesi krijon duke dëgjuar tjetrin. Poeti ka lirinë e plotë të zërit të vet; përkthyesi ka lirinë më të vështirë, atë që lind brenda besnikërisë. Poeti mund të shpikë botën e tij; përkthyesi duhet të rindërtojë një botë ekzistuese, duke e bërë atë të duket sikur ka lindur natyrshëm në një gjuhë tjetër.
Në përfundim, ndoshta përkthimi i poezisë është një formë dashurie ndaj gjuhës dhe ndaj autorit. Është dëshirë për ta ndarë një zë me lexues të rinj. Është përpjekje për t’i dhënë një poezie një jetë të dytë, pa ia humbur fytyrën e parë. Dhe kjo jetë e dytë nuk është më pak artistike se e para; është thjesht një art tjetër, më i heshtur, më i përmbajtur, më i ndërmjetëm.
Përkthyesi i poezisë nuk është vetëm ai që di dy gjuhë. Është ai që di të dëgjojë dy heshtje: heshtjen e origjinalit dhe heshtjen e gjuhës ku poezia do të vijë. Midis këtyre dy heshtjeve, ai ndërton një zë të ri, jo për ta zëvendësuar autorin, por për ta bërë atë të dëgjohet përsëri.
Prandaj, kur them “Përkthyesi Poet”, nuk kam parasysh një rival të autorit, por një dëgjues krijues. Ai nuk e zotëron veprën; ai i shërben veprës. Nuk flet mbi autorin; flet krah tij. Nuk e zhduk veten, por as nuk e kthen tekstin në autobiografinë e vet stilistike. Ai e di se poezia, për të jetuar në një gjuhë tjetër, duhet të ndryshojë trup pa humbur frymën.
Jeta e dytë e poezisë, pra, nuk është kopje e jetës së parë. Është vazhdimi i saj në një medium tjetër gjuhësor, me një zë tjetër artikulimi, por me të njëjtin detyrim ndaj së vërtetës poetike. Pikërisht këtu qëndron bukuria dhe vështirësia e përkthimit: të jesh krijues pa uzurpim, besnik pa ngurtësi, i dukshëm qenë vanitoz. Nëse poeti e lind poezinë, Përkthyesi Poet i jep asaj mundësinë të mos vdesë vetëm në një gjuhë.
Shënim orientues
Eseja është ndërtuar mbi përvojën personale të përkthimit të poezive të Sara Teasdale-it në shqip, veçanërisht mbi ciklin e poezive të përfshira në vëllimin Lule Prilli. Për kontekstin biografik të Teasdale-it janë konsultuar profilet e Poetry Foundation dhe Academy of American Poets. Për aspektin konceptual të përkthimit janë mbajtur parasysh ide të përgjithshme nga teoria e përkthimit, veçanërisht diskutimet mbi jetën e veprës në përkthim, ekuivalencën, zërin e përkthyesit dhe etikën e përkthimit letrar.
(c) 2026 Irena Cani. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.