LIRI E SHPREHJES APO KËRCËNIM I PËRBINDËSHAVE IDEOLOGJIKË?

nga Aristotel Spiro

Në shtypin e printuar dhe atë elektronik u botua para disa ditësh një peticion i disa gjuhëtarëve, studiuesve, intelektualëve, studentëve dhe qytetarëve të tjerë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Agjencisë për Media dhe Informim, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Në këtë peticion kërkohet reflektim i menjëhershëm i medias në mënyrë që ajo të mos bëhet tribunë e shpërndarjes së informacionit joshkencor për probleme të gjuhës shqipe. Shkruesi i këtyre radhëve është një nga nënshkruesit e këtij peticioni. Reagimi i «peticionistëve» ka ardhur pas shfaqjes nëpër stacionet televizive të disa personave që flasin për gjuhën shqipe duke u shtirur si etimologë, se gjuha shqipe qenka gjuha më e vjetër në botë dhe se gjithë gjuhët e tjera të botës shpjegohen nëpërmjet gjuhës shqipe (!). Është e qartë se këto formulime nuk janë veçse idiotizma vulgare, të cilat i shkojnë një tavoline pijanecësh që flasin të dehur në pijetoren e lagjes. Mirëpo, kur këto nivele të ulëta komunikimi zënë minutazh nëpër panelet televizive çështja bëhet shumë serioze.

Këto «teori», përveçse joshkencore, nuk kanë të bëjnë aspak me gjuhësinë, sepse janë shprehje ideologjish të sëmura, që nxisin urrejtjen. Mbuloja mashtruese gjuhësore përdoret për të krijuar psikoza të sëmura, ndërsa autorët e tyre vetëshpallen si shpëtimtarë të kombit.

Hapi tjetër i «pellazgologëve» është të sulmojnë me fjalor rrugësh shkencëtarët e gjuhës, ata që kanë punuar gjithë jetën e tyre për të lartësuar gjuhën shqipe në nivelin e kërkesave të një kulture bashkëkohore. Edhe pse Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka qenë rrezikuar mjaft herë për t’u mbyllur nga politikat dritëshkurtra të qeverive të mëparshme, gjuhëtarët në përbërje të saj e kanë gjetur përherë kurajon për të vazhduar punën e tyre studimore, pavarësisht kushteve të vështira. Tani që reforma akademike është në zhvillim e sipër, Akademia e Shkencave po rimerr rolin aktiv që ka pasur historikisht.

Peticioni u përkrah nga pjesa më e madhe opinionit publik shqiptar. Një pjesë e medias ka filluar të reflektojë. Por ka pasur edhe reagime negative. Kryesisht nga «pellazgologët», por edhe nga ndonjë prezantues televiziv.

«Pellazgologët» kanë marrë përsipër rolin e shpëtimtarëve të kombit, të cilin po e kthejnë në një profesion të mbyllur. Nëse atyre u kundërvë logjikën dhe argumentet shkencore, ata e braktisin menjëherë etimologjinë vulgare dhe e vijojnë vulgaritetin me terma denigrues për tradhti a antishqiptarizëm. Ekranet e televizioneve tronditen nga akuzat e rënda të «pellazgologëve», të cilët i shpallin gjuhëtarët shqiptarë «tradhtarë të kombit» dhe «antishqiptarë». Masa e teleshikuesve, që e sheh televizionin si burim informacioni, në pamundësi për të filtruar të vërtetën nga gënjeshtra, mbushet gjithë zemërim për akademikët «tradhtarë» dhe brohoret së brendshmi për sharlatanët «pellazgologë», për të vetëshpallurit shpëtimtarë të kombit.

Një kategori tjetër përbëhet prej ndonjë individi halucinant, i cili nuk ka kurrfarë lidhjeje me gjuhësinë, por vetëkrekoset si studiues i ndonjë shkence tjetër, f.v. i mjekësisë, edhe pse ditë për ditë ia beh nga një stacion televiziv në tjetrin dhe një zot e di se kur merret me kërkimin shkencor. Duke i besuar «fesë» së numrave, tregon që brenda kafkës së tij paska një tru, por aspak mendje. I frymëzuar nga vrulli «pellazgolog», ai merr përsipër t’i kërkojë llogari Akademisë së Shkencave dhe studiuesve gjuhëtarë pse nuk po zbatojnë porositë e «pellazgologëve». I është mbushur mendja top se mund të ketë opinion për çështje të gjuhës dhe, i fshehur në lagjen e Scopusit, nxjerr nga xhepi dhe qëllon me gurë cilindo gjuhëtar që e bën të kalojë andej. Si ngelës në edukatën morale, përdor fjalor ofendues ndaj studiuesve që kanë mbajtur e mbajnë në këmbë shkencën e gjuhësisë shqiptare. Dhe të gjitha këto i bën kryesisht nëpërmjet  moderatorëve televizivë.

Më në fund, paska edhe disa miq të nderuar, të cilët në emër të lirisë së shprehjes e quajnë të gabuar thirrjen drejtuar shoqërisë dhe sidomos shtypit që pellazgologëve t’u mbyllet dera e televizioneve. Në fakt është shumë e gabuar që t’i diktojmë medias nëse duhet të pranojë ose jo filan person për të folur në studio.

Veç bash në këtë pikë kam përshtypjen se këta miq dhe një pjesë e opinionit publik shqetësohen pa të drejtë për frikën e imponimit të ndonjë censurimi idesh.

Thelbi i asaj që po ndodh nuk është se disa persona dalin nëpër televizione dhe po shprehin mendime mbi gjuhën, që janë joshkencore dhe si të tilla duhen kundërshtuar me argumente bindëse shkencore.

Thelbi i asaj që po ndodh është se ligjërata e «pellazgologëve» – me ose pa vetëdije – është thjesht fashiste dhe helmon ndërgjegjen e lexuesve, dëgjuesve dhe teleshikuesve. Ligjërata e tyre, nëse nuk ndalohet, e shtyn gjithnjë e më tepër shoqërinë drejt moçalit të mendësisë fashiste.

Për ta bërë ligjëratën e tyre sa më të tingëllueshme, «turboalbanologët» «pellazgologë» vjedhin fjalë e shprehje nga shkenca e gjuhësisë, së cilës as që ia kanë idenë.

Nëse i kundërshtojmë ata me argumente gjuhësore, nuk kemi për të arritur asnjë rezultat, sepse ata nuk e njohin shkencën e gjuhësisë.

Nëse hyjmë në debat me ta duke argumentuar se nuk e kanë mirë, atëherë do t’u kemi bërë nderin më të madh, sepse do t’i konsiderojmë sikur janë gjuhëtarë, që në fakt nuk janë.

Mund të përdornim argumente të tilla, për shembull:

Teoritë për gjuhën e «lashtë» dhe «nënë» nuk kanë asnjë provë shkencore dhe vijnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë të dhënat e gjuhësisë. Thelbi i tyre nuk prek çështjet gjuhësore, por lidhet me spekulime politike.

Fjalori i rremë gjuhësor shërben si maskë për të promovuar ideologji dhe politikë. Gjithsesi, idetë e tyre politike dhe ideologjike komprometohen shumë lehtë, pra janë të padobishme.

Përpjekjes për t’u paraqitur si «shpëtimtarë» kombit përmes këtyre teorive i mungon baza morale dhe është shfrytëzim i ndjenjave kombëtare. 

Glorifikimi i pakuptimtë i gjuhës shqipe dëmton zhvillimin e gjuhësisë në Shqipëri, pasi e largon vëmendjen nga kërkimet përmbajtësore. Gjuhësi, si shkencë, duhet t’i shërbehet me sinqeritet dhe ndershmëri, larg dobive politike dhe agjendave ideologjike.

Meqenëse krijohet përshtypja e gabuar se sharlatanët merren me gjuhësi, përshtypje që krijohet ngaqë media televizive dhe moderatorët e saj i përballojnë këta sikur të ishin me gjithë mend studiues seriozë, preket në këtë mënyrë dinjiteti shkencor i gjuhëtarëve dhe i institucioneve ku ata punojnë dhe studiojnë.

Nga ana tjetër, shoqërisë shqiptare i shkaktohet një dëm kolosal nga idetë fashiste.

Në këtë kuptim, reagimi i ashpër kritik ndaj emisioneve të tilla ku shpaloset fashizmi i veshur me pilula të falsifikuara «shkencore» është jo vetëm i justifikueshëm, por edhe i domosdoshëm. Peticioni nuk është një përpjekje për të mbytur lirinë e fjalës, por një ndërhyrje e përgjegjshme për të ruajtur cilësinë e dialogut publik.

Liria e fjalës është një e drejtë themelore dhe ne duhet ta mbrojmë atë. Megjithatë, kjo liri nuk nënkupton shthurje. Nuk legjitimon promovimin e teorive false, as shfrytëzimin e çështjeve të ndjeshme për qëllime ideologjike.

Thirrja e zbrazët për lirinë e fjalës injoron përgjegjësinë morale: Promovimi i teorive të rreme ka pasoja dhe askush nuk mund të fshihet pas së drejtës së shprehjes. Fashizmi dhe ideologjitë ekstreme kanë lulëzuar nga birësimi jokritik i ideve pa baza. Nga ana tjetër, dëmi që i shkaktohet shoqërisë shqiptare është kolosal. Prej kthimit në fanatizëm dhe mohimit të realitetit askush nuk ka dobi.

Snobizimi intelektualist i peticionit në emër të shprehjes demokratike tingëllon shumë naiv përballë përgjegjësisë qytetare për të parandaluar rrezikun e përbindëshit të urrejtjes që i kanoset shoqërisë. Është njësoj si ta justifikojmë ujkun që shqyen prenë me pretendimin se është i uritur dhe ta nderojmë si kontribut për zhdukjen e urisë në botë.

Është për këto arsye që këtë peticion e kemi nënshkruar duke e konsideruar si një ndërhyrje të shëndetshme në debatin publik, meqenëse përbën një thirrje për mendim kritik, përgjegjësi morale, mbrojtje të shkencës dhe dinjitetit të studiuesve.

© 2024 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

Rreth Autorit

Aristotel Spiro është gjuhëtar, përkthyes dhe krijues letrar. Autor i disa monografive gjuhësore, ndër të cilat "Nyjat në gjuhën shqipe". Botues i revistës së studimeve filologjike "Albanohellenica".

Author Archive Page

10 Komente

  1. Z. Spiro, ju falenderoj ju dhe nenshkruesit e tjere te peticionit!

    Do te jete nje beteje e veshtire me turmat e njerezve te pa arsimuar qe ndekin me endje sharlatanet pseudo-linguiste e pseudo-atdhetare.

    Sharlatanet e kane kthyer kete dukuri ne nje profesion fitim-prures nderkohe qe i bejne nje dem shume te madh kombit.

    Por kini parasysh ju lutem se shume te tjere qe e kuptojne problemin po ju ndjekin dhe kane shprese ne perpjekjen tuaj.

    Pershendetje
    Admiri

  2. Eshte nje gje t’u besh thirrje moderatoreve e drejtuesve qe te mos i ftojne sharlatanet e etimologjise ne programet e tyre, dhe nje gje krejt tjeter t’i kerkosh nje organi shteteror si AMA qe tipave te tille t’ua mbylle dyert e televizioneve me ligj. Ky varianti i dyte me ngjan parimisht i padrejte dhe praktikisht i pamundur per t’u zbatuar. I padrejte sepse nuk i takon AMA-s e asnje organi tjeter ekzekutiv te diferencoje shkencen nga pseudoshkenca dhe i pazbatueshem sepse vertet nuk e kuptoj se si mund te veproje nje organ si AMA ne rastin kur Guri a Dalipaj “etimologjizojne” fjale te gjuheve te tjera duke i nxjerre nga shqipja. Do t’i gjobise mediet me argumentin se etimologjite ne fjale jane joshkencore! (Per cka burokratet e AMA-s duhet te konsultojne rast pas rasti Fjalorin e K. Topallit.) Apo do te nxjerre ndonje urdherese me adresim nominal qe aksh e aksh personave u ndalohet dalja ne ekran! Une kam te njejtin mendim si ju per vleren e ketyre “teorive”, por mendoj qe rruga per t’i kundershtuar e per t’i nxjerre nga tregu mediatik eshte shume me e veshtire dhe komplekse (lidhet me edukimin e krejt shoqerise) sesa kjo e censures se drejtperdrejte qe kerkon peticioni.

  3. Çdo vend i qytetëruar e mbron gjuhën me kushtetutë dhe ka politika për mirëmbajtjen e selitjen e saj.
    Gjuha është themeli i një kombi pra edhe i shtetit të tij.
    Mjerisht disa emisione TV që kam arritur ta detyroj veten t’i shoh për të kuptuar se ç’po ndodh, sillen hapur në mënyrë fort përtallëse ndaj shqipes e rrjedhimisht ndaj shqiptarëve, a thua se qenkëshim të gjithë idiotë. Justifikimi se “bëjnë gallatë” nuk pi ujë, përkundrazi e rëndon edhe më problemin.
    I takon pra shtetit, i cili i ka mekanizmat për zbatimin e kushtetës, të ndërhyjë për zbatimin e kushtetutës. E ka detyrë e detyrim.

    1. Unë do t’i bojkotoja emisione të tilla; ftoj edhe firmëtarët e peticionit – të gjithë bashkë – që t’i bojkotojnë emisionet dhe gazetarët, që kanë promovuar turbologjinë në publik.

        1. Në parim nuk jam, por duhen parë edhe kuadri ligjor ekzistues i AMA-s dhe të institucioneve të tjera mbikëqyrëse. Një jurist mbase mund t’i jepte dum punës. Sërish, unë nuk e nënshkrova peticionin dhe nesër (ndoshta) do të botoj një përmbledhje të përgjigjes që dhashë në ADN-në e Ilir Yzeirit. Kam shkruar për herë të parë për turbologët dhe pseudologët që në vitin 2003, në gazetën “Shekulli” dhe te “Bota shqiptare” në Romë. Bëhen 20 vjet që jam angazhuar seriozisht, dhe me kosto ndonjëherë edhe personale; por nuk më ka shkuar mendja që t’i drejtohem shtetit për t’ua mbyllur gojën këtyre. Shteti duhet të kujdeset për tekstet shkollore në arsimin publik dhe në përgjithësi t’i japë përparësi edukimit të nxënësve dhe studentëve me të menduarit kritik (critical thinking) – në mënyrë që emisione të tilla televizive dhe botime të ngjashme të gjejnë vendin që natyrshëm u takon, brenda pluralitetit; besoj se turbologët përbëjnë shqetësim jo në vetvete, por ngaqë roli i tyre kulturor po rritet në mënyrë të shpërpjesëtuar, duke krijuar një publik specifik, i cili pastaj kërkon të ushqehet edhe më tej, me gjëra edhe më ekstreme, dhe ndoshta nesër që edhe të përfaqësohet politikisht. Aristoteli e ka shpjeguar rrezikun në shkrimin e vet të fundit; dhe është njeri që di se ç’flet. Më tej akoma, shteti mbase mund të ndihmonte duke i siguruar një financim të qëndrueshëm revistës sonë, në mënyrë që ta përpunojmë edhe më mirë diskursin albanologjik publik… Jemi të vetmit, besoj, që e kemi artikuluar kritikën prej kohësh; askush nuk e ka përvojën tonë.

  4. Me te njejten logjike, pse te mos i kerkojme AMA-s te censuroje edhe “horoskopin”! Astrologjia eshte qartazi pseudoshkence dhe besimi se pozicioni dhe levizjet e planeteve percaktojne kotesite e jetes sone eshte edhe me deluziv e ushqen nje magalomani edhe me te skajshme (“kozmike” ne kuptimin konkret te fjales) se te gjitha teorite e turboalbanologeve. E kam fjalen qe loja e censures ndaj pseudoshkences po u hap mund te perfshije shumecka, pse jo edhe narrativat fetare (kreacionizmin p.sh.), e te na ktheje shume pas ne kohe.

  5. E kemi thene edhe me pare se moralisht ketyre turbo etimologeve nuk iu duhet dhene hapesire por ligjerisht televizionet jane stacione private e s’i ndalon dot te flasin c’te duan sidomos kur kane per audience nje popull te nje vendi te etur per sukses e qe s’ka shume me cfare te mburret nga e kaluara dhe e tashmja .Vijme nga nje tradite 250 vjecare ku historia,gjuhesia etj jane perdorur si mjete per te ngjallur e forcuar krenarine kombetare e jo si shkenca per te mesuar te verteten .

  6. Pavarësisht se pajtohem dhe ndaj të njëjtin shqetësim me nënshkruesit e peticionit, më duket jashtëzakonisht problematike thirrja për censurë. Në fund të fundit censura është gati e pamundur në kushtet kur veç me një blog, llogari në një rrjet social, gjithkush mund të shpreh çdo lloj opinioni të mundshëm e të mbledhë rreth vetes një grup njerëzish që do ta ndjekin. Media elektronike dhe rrjetet sociale sot janë më të fuqishme se ajo e shkruar apo TV. Po aq problematike, në mos e më shumë, më duket përdorimi e fjalëve “sharlatanë”, “përbindësha ideologjik” apo më keq “fashist”. Më duket krejtësisht e gabuar dhe e rrezikshme përdorimi i tepruar i epitete të tilla që nuk bën gjë tjetër veç se çon ujë në mullirin e palës tjetër dhe e rrit akoma e më shumë mosbesimin ndaj profesionistëve të fushës.

  7. Një shkrim shumë i mirë i z. Spiro, si edhe komentet, që e shoqërojnë. Por këto të fundit(disa prej tyre), nuk kanë pse largohen nga problemi kryesor, ai i dëmit( në emër gjoja të patriotizmit fals)që sjellin këta pseudogjuhëtarë/historianë. Ata mbështeten pa asnjë dyshim, nga pjesa më e paditur jona, dhe për këtë fakt, e mbushur edhe me urrejtje ndaj shkencëtarëve e gjuhëtarëve. Në këto kushte, peticioni ka vlerë dhe nuk përbën jo rrezik censure, po asnjë shqetësim për këtë. Nuk ndodh më, për shumë arsye, edhe se nuk ka më hapa pas në këtë drejtim. Pra është një frikë e kotë, që vjen si frymë kompromisi me ndonjë personazh publik, që edhe se i mungon emri në listë( është e hapur e mund të shtohet, duke shkruar minimalisht diçka për thelbin e problemit)është refuzues dhe mbyll sytë e veshët, kundrejt sulmit agresiv të “etimologëve” të vetshpallur e të mirëpritur nga moderatorë, që e politizojnë debatin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin