CENSURË DHE BOJKOT

Peticioni kundër pseudologëve dhe turbologëve riktheu në vëmendje censurën – meqë pati kolegë që kërkesën ndaj institucioneve publike, për kontroll të hapësirës së ligjërimit publik, e interpretuan si thirrje për censurë.

Këtu m’u kujtua edhe që ne, të redaksisë së “Peizazhe të fjalës”, jemi detyruar të mbyllim seksionin e komenteve përbri lajmërimeve për shkrime të reja, që nxjerrim në Facebook – ngaqë ajo hapësirë po molepsej dita-ditës, nga ndërhyrje llafazanësh, kapadainjsh dhe injorantësh.

Në dukje, edhe këtë lloj censure e zbatuam ne; paçka se në thelb ne e pësuam censurën e atyre që nuk u pëlqen ajo që themi; dhe erdhën të helmojnë një hapësirë që, me kufizimet e veta, u jepte të tretëve mundësinë për të biseduar rreth shkrimeve tona.

Ka njerëz, edhe në temat me të cilat merremi shpesh, që duket se janë specializuar në një lloj dhune verbale të cilën e ushtrojnë “lirisht”: duke sulmuar ad hominem autorët, duke u rrëmuar në biografi, duke i fyer drejtpërdrejt, duke i akuzuar si të shitur dhe tradhtarë, ose edhe thjesht duke komentuar fort dhe shpesh jashtë teme.

Me iluzionin se këtë lloj aktiviteti ua mbron “e drejta e fjalës”, por pa marrë parasysh që asnjë lloj diskutimi publik nuk mund të zhvillohet, pa u imponuar disa rregulla të thjeshta, të cilat e mundësojnë.

Për shembull, fjala e dikujt nuk do të dëgjohet dot, nëse bëhet zhurmë nga të tjerët, ose nëse ia ndërpresin dhe e përqeshin.

Para shumë vjetësh, kisha shkuar të dëgjoj Slavoj Zhizhekun te New School në NYC, kur – mu në mes të bisedës – ra alarmi i zjarrit. Biseda u ndërpre, derisa u sqarua se rrezik zjarri nuk kish pasur; por pas pak alarmi ra sërish. Dikush kish gjetur mënyrën për t’ia sabotuar Zhizhekut të drejtën për të folur dhe ne të tjerëve të drejtën për të dëgjuar.

Sot e kësaj dite, kur dëgjoj si degradohet debati publik, në faqe komentesh dhe në profile të Facebook-ut, gjithnjë më vjen në vesh ulërima e alarmit atë ditë; sepse do të gjendet gjithnjë dikush, që do ta përdorë.

Të lëshosh alarmin e zjarrit, gjatë një takimi në universitet, nuk është tamam ushtrim i lirisë së fjalës – edhe pse ndonjë mund të argumentojë të kundërtën. Në fakt, fjala e lirë, për t’u ushtruar, ka nevojë për një mjedis të rregulluar; madje edhe një mjedis që duhet rregulluar… duke ua refuzuar disave të drejtën për të ndërhyrë.

Në një vend të qytetëruar, liria e fjalës vjen bashkë me rregulla shtrënguese, që e garantojnë.

Çfarë peticionistët mund ta kishin bërë, por që e humbën rastin ta bënin, është të zotoheshin për BOJKOT të të gjitha atyre emisioneve dhe televizioneve, të cilat vazhdojnë të promovojnë, në ekranet, pseudologët dhe antidijen e tyre.

Në thelb, BOJKOTIMI është e kundërta e përjashtimit nga debati, për shkelje të rregullave – sepse personi që bojkoton refuzon të legjitimojë, me praninë e vet, një forum, një sofër a një mexhlis, ku ai beson se kultivohet gënjeshtra dhe manipulimi.

Dhe sërish, BOJKOTIMI është e kundërta e atij skenari që ndonjëherë urojnë “dashnorët” e debatit dhe të lirisë së fjalës: praninë, në emisione turbologjike, të specialistëve akademikë, të cilët të përballen drejtpërdrejt me sfiduesit e tyre.

(A do të ndodhë kjo? Kur shoh emrat e firmëtarëve të peticionit, druaj se shumë prej tyre nuk do t’i bojkotonin televizionet turbologjike; sepse ato televizione u kanë dhënë emër dhe prestigj.)

Masivizimi i dijes ishte objektiv i arsimit totalitar, i cili me dije kish parasysh indoktrinimin. Ajo që ndodh sot, kur me mijëra vetë u dalin përkrah gjepurave dhe përçartjeve të disa amatorëve, është edhe efekt anësor i atij masivizimi, të kombinuar me bindjen se, kur është fjala për çështje të identitetit etnik, ne kemi të vërtetën TONË, që duhet ta mbrojmë dhe ta çojmë përpara.

Edhe turbologët i referohen, si frymëzim sublim të përpjekjeve të tyre, mitologjisë dhe ideologjisë kombëtariste, e cila – për vetë natyrën që ka – e sheh diskutimin, debatin dhe problematizimin si rrezik vdekjeprurës.

Në një atmosferë kur gjithnjë e më shumë njerëz janë të bindur se edhe çështjet delikate të albanologjike mund të vendosen ME VOTË POPULLORE, dhe kur fjala publike po modelohet dita-ditës sipas konfliktit politik (parlamentit), dija akademike kërcënohet sot sa nga ideologët, aq edhe nga turbologjia e ekraneve; prandaj edhe kërkon të ruajë dhe të respektojë – në mjediset e saj – të paktën rregullat elementare të fjalës dhe të ndërhyrjes publike.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

2 Komente

  1. Kishim thënë Demokraci,po për t’a patur atë duhej të kishim Demos!
    Atë nuk e kemi ,prandaj kemi vetëm Kraci,të çdo lloji, Autokraci,Oligokraci,Turbokraci etj.
    Rilindasit, e vërtetë, thanë dikur ” Drita e Diturisë, përpara do na shpjerë”!
    Kush e dëgjoi,e dëgjoi…..

  2. Albanologjia eshte si muzika .Ka kengetare si Pavarotti ka edhe ahengxhinj te cilet kendojne per lagjen e iu thote mendja se jane artiste .Tani keta te fudit si ndalon dot te kendojne por mass mediat duhet te kene nje ndjenje pergjegjesie te mos i promovjne e t’ia shesin miletit per kulture te vertete .Keshilla ime per albanologet profesioniste eshte qe sqarimet e tyre ne media ti thjeshtojne pak ,dumb down ,ne menyre qe Publiku i gjere qe s’eshte profesionist ti kuptoje .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin