TË JETOSH I SHESHUAR

Vij në Tiranë, më hidhen në qafë telenovelat turke. Më ndjekin, edhe kur i dëboj. Muzika që i shoqëron, si sherbeti bakllavanë, më fton të përtyp edhe unë skena pas skenash me gra që zbukurohen, dhe burra që burrërohen, pleq që plaken dhe të rinj që rinohen; teksa individët ngecin e nuk dalin dot nga pezhishkat e vëllezërve dhe motrave të humbura dhe të rigjetura, prindërve të rremë dhe prindërve të vërtetë, vjehërve të pasur dhe vjehrave intrigante, fëmijëve të mohuar dhe jetimëve, njerkave dhe thjeshtrave dhe trazirave të tjera relacionale; të gjitha këto të thurura në narrativa të ujshme, që pikësohen vetëm nga zilet e telefonave. Personazhet japin e marrin mes tyre, zihen dhe pajtohen (më shumë zihen), qeshin dhe qajnë (më shumë qajnë), humbasin në mendime, humbasin pusullën, përgjojnë dhe përgjohen, ngasin makinën, meditojnë në makinë, flasin në celular, ulen të hanë vakte të bollshme, sapunisen në dush, veshin xhinse të ngushta dhe kostume poliesteri, flenë në krevate të buta, pastaj sëmuren dhe e kalojnë një pjesë të mirë të kohës herë spitaleve herë si pengje (madje edhe si pengje të spitaleve). Nuk i sheh kurrë të hapin librin, të lexojnë gazetën, të dëgjojnë muzikë (qoftë edhe kolonën e tyre zanore), të shkojnë në teatër, në koncert, në kinema a në stadium, të luajnë me njëri-tjetrin (madje as shah), të hapin kompjuterin e të hyjnë në Internet, të merren me sport ose me ndonjë hobby tjetër; jeta e tyre përtej ndërveprimit me njëri-tjetrin është zero. Prapa një maske realiste, telenovelat sendërgjojnë një botë artificialisht të reduktuar, të varfëruar, meskine, mizerabël në mediokritetin e saj, disiplinim në mungesë të çdo shkeljeje a kaosi; në fakt askush nuk jeton kështu, askush nuk mund të jetojë kështu. Edhe të burgosurit në death row përjetojnë më shumë gëzim dhe larmi, gjithë duke pritur momentin fatal. Përmes teknikash faux realiste, jeta na përcillet nga këndvështrimi i një qenieje rrënjësisht inferiore, me ambicien intelektuale të një miu shtëpie ose një pulastreni. Pastaj mendoj për të gjithë ata ndër shikuesit shqiptarë që i ekspozohen këtij universi të gjymtë ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti dhe pyes: a mund të ndodhë që stili i të jetuarit, sado artificial, të rrjedhë nga ekrani në botën këtej dhe të kultivojë – pavarësisht nëse qëllimisht apo jo – farën e çfarë ka meskine te ne? Që të na ngjitet kjo flamë nëpërmjet kontaktit? A ka rrezik që ta bëjmë tonën këtë shëmti të së jetuarit minimal a të një vegjetimi të kripur me konflikt të stisur? A ka rrezik që ta kemi pasur tashmë tonën dhe ta kemi kamufluar me shtirje të përsosur? Do të ishte më keq se varfëria, sa kohë që do të ofrohej si model i atyre që duan të dalin nga varfëria… Dhe këtu i vetmi ngushëllim për mua: këto personazhe telenovelash, aq të varfëruar dhe të thjeshtuar që janë në tru, të paktën nuk shohin ata vetë telenovela.

© 2018, Peizazhe të fjalës™.


SHËNIM 1: Imazhi në kopertinë është thjesht ilustrues. Përmbajtja e shkrimit nuk i referohet gjë telenovelës në fjalë.

SHËNIM 2: Nuk kam arritur dot të ndjek qoftë edhe një episod të vetëm të një soap-i turk nga fillimi në fund. Kjo më skualifikon nga çdo pretendim për të folur për to seriozisht. Mirëpo, duke qenë formati i këtyre produkteve qëllimisht tejet adiktiv, gjithnjë ekziston mundësia që një kritik skrupuloz ta përfundojë shikimin i dashuruar pas tyre. Në kuptimin që, gotë pas gote, edhe vera më uthull fillon të të shijojë si nektari.

10 Komente

  1. Kadare flet diku per “sentimentalizmin ngjites” te letersise ruse. E njejta gje mund te thuhet edhe per telenovelat turke. Nuk eshte e rastit, qe jo vetem ne hapesiren e dikurshme otomane, por edhe ne gjithe vendet ortodokse, ne Ballkan, Rusi, madje edhe ne Ameriken Latine shihen shume telenovelat turke. Te gjithe keto popullsi i bashkon “sentimentalizmi ngjites”. Ne te gjitha vendet ballkanike, paperjashtim, telenovelat turke po mbreterojne. Me ndonje perjashtim te rralle, sic eshte “Stina e Qershive” e cila eshte transmetuar edhe ne Itali, dhe me c’kam pare ne internet, eshte vleresuar shume nga publiku, bota perendimore nuk eshte “molepsur” nga keto telenovela. Arsyeja eshte pikerisht ky lloj sentimentalizmi , i huaj per artin perendimor ne pergjithesi.
    Ajo qe eshte shqetesuese per mua, ka te beje me serialet , ku propagandohet neootomanizmi. Nje nder keto seriale, meqe edhe nickun e kam marre nga nje personazh i tij, eshte “Lugina e Ujqerve”; seriali me i gjate turk. Heroi ketij seriali, njelloj Chuck Norris musliman, ka nen urdherat e tij nje skuader speciale te perbere nga djem e vajza nga te gjitha vendet e ish-Perendorise Otomane; komandanti i saj eshte nje shqiptar (Akifi) me origjine nga Kosova; eshte shume besnik, me te gjitha tiparet e shqiptarit, qe mesa duket turqit i njohin shume mire, dhe nder te rrallet nga heronjte e shumte te serialit, qe vdes duke dhene deshmine e besimit ne zot…! Kjo gje ka ekzaltuar shume shqiptare, sidomos ne Kosove dhe Maqedoni. Heroi i serialit (Polati), eshte pritur ne menyre madheshtore nga shqiptaret, ne nje vizite te tij ne Tetove; eshte dhene edhe ne Opinion te Fevziut videoja. As kur ka shkuar Sali Berisha nuk ka patur nje turme te tille te stermadhe, qe vinte vale-vale!
    Nderkohe, ne Shqiperi po bejne kerdine serialet me sulltanet; mbi te gjitha “Ertugruli”. I transmeton nje televizion , pronari i te cilit eshte nje katolik Mirdite.
    Vetem duke pare shikueshmerine e madhe te ketyre serialeve ne boten shqiptare, sidomos, dhe kete e theksoj, ne Kosove dhe Maqedoni, une mendoj qe shqiptaret po e humbin perballjen me Neootomanizmin. Mund te duket e tepert kjo, ndokujt edhe qesharake, por neootomanizmi po fiton shume shpirtra nder shqiptare.

    1. “Me ndonje perjashtim te rralle, sic eshte “Stina e Qershive”……. bota perendimore nuk eshte “molepsur” nga keto telenovela”. Më duket pak e tepruar kjo. Në mos me telenovela turke, bota perëndimore është e molepsur me telenovelat amerikanolatine e indiane, të cilat sup më sup me turket, nanurisin deri në trans vetëdijen kolektive të qytetërimit modern.

      Gjithesesi Imdat, jam dakord me ty kur flet për rrezikun që tinëz i kanoset Ballkanit nga glorifikimi I të kaluarës otomane. Jam e bindur që nuk është rastësi që heronjtë e telenovelave me tema otomane janë ballkanas…vetëm ashtu mbillen në (nën)vetëdijet e popujve kujtime të rreme, ndërtohen nostalgji mbi të kaluara të paqena, formohen identitete kolektive mbi baza po aq të rreme e përflaken kështu kokat e nxehta të Ballkanit.

      1. Sa i perket telenovelave, per mua, bota amerikano-latine,eshte me prane botes ortodokso-myslimane, sesa asaj perendimore te mirefillte. Eshte kjo arsyeja se pse telenovelat turke pelqehen kaq shume ne vendet latinoamerikane; cka nuk ndodh me ato te Europes perendimore.
        Nese ka qe transmetohen ne perendimin e mirefilllte (anglosakson, protestant, dhe katolik kur nuk eshte latinoamerikan), kjo mund te jete per shkak te emigranteve, ose, sic e permenda me lart , kur jane aq te hareshme sa c’eshte “Stina e Qershive” ( kenga kryesore e kolones zanore, me te vertete qe eshte shume e bukur).
        Muzika qe i shoqeron – thote zoti Ardian – eshte si sherbeti per bakllavane… qe (ky eshte shenimi im) mund te jete ngjites, i vjelshem, i rende . Eshte e vertete. Megjithate, ka shume pjese muzikore te bukura tek telenovelat turke. Sidomos tek ato te dashurise; edhe po i perbuze per shkak te pretendimevene shije, te squllin zemren gjithsesi.
        Bile edhe “Lugina e Ujqerve” te cilin e solla si shembull te propagandes neootomane, ka nje pjese nga kolona zanore, qe me pelqen jashtezakonisht shume; eshte ajo e romances Leyla & Polat; poashtu, “Kara Sevda” ka shume pjese te mrekullueshme muzikore (Nihan&Kemal). Jane te tilla te bukura qe, pervecse ngjitese ne ate embelsine e tyre te forte , sic thote zoti Ardian, kane edhe ato fragrancat e kendshme.

  2. Hahaha, me kenaqe me kete koment Adrian. Me kujtove kur doli per here te pare “Dinastia” dhe shikohej ne Tirane. Ne ishim nje dore shokesh qe nuk e ndoqem dhe bile refuzuam ta shihnim thjesht per tangarllik. Nje Zot e di sa dashnore te mundshme kemi humbur ngaqe “rrezoheshim” qe me pyetjen e pare “e ke pa Dinastine”, po ne prape i rezistuam.

  3. nuk ke pare ato indiane. Duam te takojme njerez, por na shpifet nga sfondi. I shohin gjyshet dhe nuset. O Zot cfare tmerri! Kam idene se ne ferr nje prej torturave do te jete edhe shikimi i nje telenovele indiane, ne loop per ata qe e kane mohuar ferrin.

  4. Ne vend qe te merreni vetem me kritike, edhe pse e drejte nga nje pikpamje, shihni te kuptoni persene e fenomenit.

    Gjithashtu mundohuni te kuptoni perse fenomeni eshte kryesisht ne vende orientale.

    Ne esence telenovele eshte çdo lloj letersie, edhe letersia perendimore telenovelon nje grua dhe nje grua, çfare ben tjeter? Çfare ben zonja Bovari me teper se Haxhireja? Me teper Zonja Bovari ben qe lexon tere diten telenovela (lexon libra), dhe frymzuar prej tyre, imiton heroinat e telenovelave, duke lojtur per vete nje telenovele me fund gelltitjen e arsenikut. Kulmi i banalitetit! Te njejten gje ben Ana Karenina me the end shinat e trenit. Don Kishoti, qe mbahet (dhe ne fakt eshte) fillese e romanit modern, telenovelohet me Dylqinjen e Tobozes. Vallaj mu me duken me interesante kenget e jevgjeve “Haxhireja ne karrike me kapele republike”, jane me direkte dhe te te thella se gjthe keto psheretima fallco.

    Ajo qe tani quhet letersi perendimore eshte kerkese per t’i shpetuar telenoveles. Nga kjo pikpamjen rrugetimi i romanit modern freng eshte intervali nga Flober tek Houellebecq, i cili i shpeton telenoveles nepermjet telehandikapatit.

    Ne fund te fundit jeta eshte nje telenovele, nje burre dhe nje grua qe dashuronen, ç’te jete tjeter? Jete e kampionit individualist Houellebecq qe ka mbetur pa dhembe, pa grua, pa tru e pa zemer, skizofren qe gelltit tonelata me ilaçe psikiatrike?

    1. Paskam bere nje lapsus kur kam thene qe: “… edhe letersia perendimore telenovelon nje grua dhe nje grua, çfare ben tjeter?”
      Por menduar me mire nuk eshte lapsus, eshte plotsim i komentit tim te pa plote.

  5. “Nuk i sheh kurre te hapin librin… jeta e tyre pertej nderveprimit me njeritjetrin eshte zero”. Kjo eshte esenca e mediokritetit te telenovelave turke. Duke bere krahasimin me telenovelat latine, gjithe duke vleresuar disa nga telenovelat turke si me te mira se shume nga to qe kam pare, megjithate, kishte dicka qe me bente dyshues , nese eshte me te vertete keshtu. Kjo dicka eshte permbledhur sakte ne pershkrimin e mesiperm qe ben autori i shkrimit. Dhe, per mendimin tim , kjo ka te beje me dallimin e mprehte mes dy kulturave te ndryshme. Megjithese “sentimentalizmi ngjites” eshte tipar i perbashket per boten latino-amerikane, per boten ortodokse dhe per ate myslimane – dy te parat nuk jane te privuara ( ne mediokritetin e tyre gjithsesi) nga ato kenaqesi te jetes, prej te cilave eshte e privuar bota myslimane. Edhe kur ndodh, me kete te fundit, duket qarte se eshte e sforcuar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin