TË ZHGËNJYERIT

Një kritikues i qeverisë mbi politikat e arsimit të lartë u emërua zv/ministër i arsimit (Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve) dhe një sërë shkrimesh e statusesh në Facebook vërshuan kundër. Një pjesë e quajtën të kompromentuar, pasi ky, Taulant Muka, kishte ndikuar në largimin e kolegut të tij të mëparshëm duke i publikuar plagjiaturat. Disa të tjerë, më të ashpër, e cilësuan të korruptuar dhe e kërdisën me të shara. Një pjesë shumë e vogël i uroi punë të mbarë. Unë ndër ta.

Kam qenë vetë para disa vitesh një nëpunës i lartë i shtetit. Po aq përgjegjës për atë që nuk arrita të kryej, sa edhe për çfarë rezultoi gabim. Shpresoj të kem qenë aq besnik atij që më emëroi, pa njohje apo përkatësi partiake, sa edhe detyrës sime. Por nuk i jam përvjedhur kundërshtarëve e kritikave. Veç kërcënimeve e lajkave të lloj e soj njerëzve, jam përballur dikur me brezin e parë të Organizatës Politike, më shumë dogmatik se i dyti, dhe më pak aktiv. Përpara unë kisha një mur, ata një burokrat, tullë nga një tjetër mur. Nuk besoj se e kuptuan qëndrimin tim në lidhje me liberalizimin e qasjes në arsimin e lartë, rrjedhojë e së cilës ishte edhe çelja e institucioneve private. Atëhere mendonin se universiteti ishte institucion elitar, jo në gatitjen e elitave (kjo ishte kundër dogmës), por në krijimin e dijes (edhe pse konsumi i saj kërkon të njëjtën elitë).

Po të njëjtët persona, nga i njëjti organizim, qortuan me forcë zgjedhjen e Mukës për postin e zv/ministrit të arsimit. Ndërkohë që disa nga brezi i parë i Organizatës Politike gjenden sot në ca zyra anonime të kësaj qeverie, e akuzuar nga brezi i dytë i saj për korrupsion dhe mbi të gjitha kufizimin e mundësive për arsim të lartë për shkak të kostove etj. Duket sikur muzika vazhdon akoma edhe pse karriget janë zënë të gjitha, por nuk është kjo çështja.

Problemi është mosbesimi. Jo thjesht cinizmi, së cilës zor se i shpëton i mençuri në Shqipëri. Por mungesa e bindjes se ka njerëz që ja duan vërtetë të mirën Shqipërisë. Këta të paktë zgjedhin të bëjnë diçka kudo ku janë: pedagogë, tregtarë, zejtarë, edhe zv/ministra. Kështu besoj edhe ky i riu zv/ministër. Nëse do t’i jepnim pak kohë të tregojë veten – ata që janë po na e vjedhin gjithsesi- mund të realizohet zotimi i tij: shqyrtimi i të gjithë titujve akademikë, të dhënë me apo pa plotësimin e kritereve ligjore.

Andaj unë them se më mirë se kritika, zv/ministrit të ri i vlejnë këshillat, veç asaj që nuk duhet të marrë pjesë në komisione prokurimesh:

  1. Grupi që të ka përkrahur në fillim është forca jote. Kush të vendosi për të ndarë nga tufa e kritizerëve, do të zhgënjehet nga pamundësia për të kontrolluar një masë të madhe njerëzish.
  2. Identifiko personat e duhur në ministri e që do të hyjnë në punë: ata që kanë pushtetin burokratik të lëvizin gjërat (nuk përputhet gjithmonë me ofiqin); ata që kanë vullnetin e mirë të ndihmojnë në planet e tua pasi janë bindur se je njeri i drejtë; dhe ata bashkëpunëtorë që mund të angazhohen nga joshjet apo premtimet për këmbime favoresh.
  3. Qëndroju larg vampirëve: këta vjedhin kohën e përkushtimin tënd pa dhënë asgjë, dallohen ngase vijnë vërdallë nëpër zyra e nuk bëjnë asgjë veç llogjeve. Këta janë të padukshëm në punë, por të zëshëm në organizmat e partisë e në kafene.
  4. Ji i balancuar në raport me subjektet private. Një Bricoleur, në kuptimin e B. Latour e atij që gjen ekuilibrin ndërmjet ethosit të ofiqit/burokracisë dhe të qenit i hapur e i gatshëm ndaj tjetrit. Krijo aleanca me ta, por pa u kompromentuar. Ka pronarë universitetesh, shtëpi botuese, sipëmarrje në ndërtime etj. që u leverdis miqësia me ty. Këta kanë ose janë vetë sekserë profesionistë, që dinë më së miri të sajdisin nëpunësit e shtetit me dreka e darka. Ata nuk janë të poshtër, por u duhet të mbijetojnë. Disa kanë muhabet të këndshëm e mund të mësosh shumë. Janë njohës të mirë të karaktereve dhe burim informacioni. Jo pak herë këta e dinë më mirë se ç’ngjet nëpër ministri. Kufizo drekat e darkat me ta, por priti gjithmonë e mos i refuzo, veç atyre që u lexohet në ballë poshtërsia. Nëse këta të fundit i mban larg, edhe ata nuk duan të takohen me ty. Sidomos me OJQ-të duhet të kesh lidhje të mira. Jo vetëm se një pjesë vertet punojnë, apo avacojnë karrierat e disave, por edhe pse të rritin reputacionin e mund të të hyjnë në punë tani apo më vonë.

(c) 2018, autori

15 Komente

  1. Reagimet negative ndaj emerimit te Z. Muka me habiten shume, per sasine dhe furine e tyre.
    Ne fillim i shpjegova me zhgenjimin e pergjithshem ndaj sistemit politik shqiptar. Nuk m’u duken racionale sidoqofte, pasi po ta çojme ne ekstrem arsyetimin e kesaj mase njerezish, i bie qe e vetmja sjellje politike e pranueshme te jete bojkoti teresor dhe protesta e panderprere. Dhe nuk shoh askend, ne rradhet e te indinjuarve, qe te mbaje qendrime te tilla. Megjithate i kuptova duke e interpretuar reagimin si emocional.
    Por me pas, nje tjeter ide me erdhi vetetimthi: disa prej ketyre njerezve jane xheloze, megjithese me siguri nuk e kane kuptuar, pa le pranuar vetvetes.
    Jane xheloze pasi ne nje menyre a nje tjeter edhe ata kane protestuar per kete apo ate çeshtje dhe askush nuk i ka shperblyer perpjekjet e tyre me poste ministrore. Per me teper qe Z. Muka eshte vertet i ri, i ri fare. E keshtu, keta individe ndihen humbes, edhe kur s’ka asgje per te humbur. Ky emerim eshte baraz ose me i madh se zero, ne lidhje me te mirat per Shqiperine.
    Nese zoterise nuk i jepet pushtet i mirefillte, ai s’do arrije te ndryshoje asgje. Zero.
    Po zero do te ishte rezultati, po te vazhdonte jeten e tij private dhe te hidhte here pas here ndonje shashke skandali qe ne Shqiperi zgjasin 3 dite. Pra asgje s’do ndryshonte: zero.
    Ama mund te kete edhe ndikim pozitiv. Une mendoj se nje “vetting” i mirefillte ne sistemin akademik shqiptar mund te behet vetem nga dikush qe nuk ka lidhje me te. Ne te kundert, “miqte” do gelojne nga te kater anet, po ashtu si “nderet”, “borxhet” e te tjera si keto. Krejt i jashtem dhe pa lidhje duket te jete Z. Muka. Para nja gjashte muajsh, kur u shfaq ne tv per te bere denoncimin e tij, permendi dhe tregoi emra pa fund, duke treguar nje fare trimerie, por edhe naiviteti te rralle. Te ftuarit e tjere ishin te gjithe ne siklet, per cfare thoshte ai. Disa here iu kerkua te mos permende emra… situata ishte qesharake.
    Nderkohe, qeveria ka interesa te pakte ne kete valle, pasi impakti financiar eshte i paperfillshem, ne mos pozitiv (ca rroga profesoresh me pak). Dhe nese behet, reklama per pushtetin qe lufton eliten e korruptuar dhe pa merita, eshte e garantuar.
    Keshtu qe une e kuptoj qendrimin e kryeministrit, siç kuptoj pse Z. Muka e pranoi postin. Kjo nuk do te thote qe do ta kete te lehte. Por te tjere, shume te tjere, pavaresisht nga aftesite e tyre, do ta kishin te pamundur.

    1. i ri fare nuk eshte. Ky ka marre pjese ne protestat kunder Ministrise se Arsimit dhe fakultetit te mjekesise atehere. Ka qene nje eksponent i rendesishem atehere. Rama besoj ka nje lloj garancie nga zv-ministri, se nuk i punon kunder, duke qene se nuk eshte i asociuar me PD. Por ky vete duhet te kete kujdes se Rama te blen shtrenjte, por te shet lire.

  2. Ne teori nuk shkon qe te besh protesta e kritika e te pranosh post ne qeveri me motivin se tani ke mundesi te besh realitet idete e tua. Ne fakt kush te blen, nuk te blen per idete, sepse idete e tua i vendos vete ne jete duke perdorur njerezit e tij.
    Cdo qeveri mund te marre lirisht idete dhe kritikat opozitare dhe t’i jetesoje, pa marre eksponentet, sepse idete dhe kritikat politike nuk kane nga pas ndonje formule shkencore qe e njeh vetem eksponenti, i cili nuk e leshon patenten e formules, keshtu qe po deshe formulen do marresh edhe shkencetarin.

    Pra te rrime shtrember e te flasim drejt, jane gjera qe nuk shkojne. Mund te levizesh me arsye pragmatike neper koalicionet parazgjedhore, por kush leviz gjate qeverisjes pa u testuar ne vote popullore, nuk eshte i legjitimuar askund e per asnje arsye ne bote. E vetmja ”arsye” eshte qe do haje buke dhe ketu s’para thua dot gje ne Shqiperi, se alternativa eshte emigrimi.

    Nga ana tjeter, Rama e ka mbushur qeverine me ministra e zv. ministra qe s’kane lidhje me punen e madhe te socialisteve per te fituar zgjedhjet dhe me sakrificat qe po socialistet kane bere kur kane qene ne opozite. As kjo s’ka bythe ku te rrije, po kjo eshte pune e socialisteve, te kenaqur ata, te kenaqur te gjithe.

    Per te tjeret ngelet vetem precedenti qe mund te arrish poste te larta pa bere asgje ne politike, pa punuar per votat e zgjedhjet, me pak fjale struktura demokratike nuk ekziston, nuk votohen njerezit e idete, por kryetari i partise dhe vetem kaq.

    1. Nuk besoj se eshte blere per idete, te cilat nuk eshte se jane shkence e avancuar, por per faktin qe eshte nga te paktet qe ka vullnetin per t’i vene ato ne jete. Interesat e rrenjosur ne shoqerine shqiptare jane gjithmone aq te thelle e te mpleksur sa kur kerkohen ndryshime rrenjesore keto veshtire se mund te lindin nga vete sistemi. Dhe kur flas per sistem, kam parasysh mikro-sistemin, akademiket. Megjithese ky arsyetim mund te aplikohet dhe de facto, keshtu ka ndodhur, edhe ne sistema tejet me te medha e komplekse: p.sh. Sistemi i drejtesise ky vettingu u kerkua dhe u shty nga nderkombetaret. Eshte krejt tjeter çeshtje nese do jete “reforma” te suksesshme apo jo. Siç eshte krejt tjeter çeshtje legjitimiteti i ketyre zgjidhjeve.
      Mendoj se, te rrime shtrembet e te flasim drejt, asnje pedagog qe punon ne Shqiperi do te kishte vertet mundesi te pastronte sistemin pjese e te cilit eshte vete. Do kerkoheshin perjashtime plot, dhe ketu nuk kam parasysh nderhyrjet nga lart, po ato nga poshte. Nderhyrjet nga lart jane gjithmone te mundshme, por siç argumentoj me siper, mendoj se kryeministri ka pak interes te mbroje filanin apo fistekun ne nje valle ku nuk preken interesa financiare.

      1. Jam dakort me ty qe sistemi nuk vetepatrohet apo vetekorrigjohet dot. Norma kerkon qe sistemi te permbyset, jo thjesht e vetem ne kuptimin revolucionar, (si psh revolucioni komunist apo revolucioni demokratik dhjetorist) por edhe ne kuptimin freng te Republikave. Ndryshime te rendesishme kushtetuese, kane mundesuar ne France edhe ndryshim sistemi, psh Republiken aktuale e themeloi De Goli, pa bere ndonje revolucion ne kuptimin klasik. Ose sistemi italian jep versione edhe me soft, psh me Tangjentopolin ne fillim te viteve ’90, ku Kushtetuta nuk u prek, por pati ndryshim radikal te politikes, apo edhe sot, kur ne Itali po ndodh nje ndryshim i paradigmes,
        Kuptohet qe keto versionet me soft te Italise nuk jane aq rezultative, sa ato frenge, ku kane ndodhur edhe ndryshime kushtetuese.

        Nqs ti thua se integrimi i opozitareve vullnetmire e vullnetplote dhe te paparti do te sjelle ndonje permiresim, meqenese integrimi i intelektualeve ne qeveri sjell vetem te mira, kjo ka problemin e pare te demokracise, dmth zevendesohet demokracia me specialisto-kracine apo teknokracine, gje qe ka irrituar pa mase italianet keto 6 vitet e fundit, sepse ne 6 vjet, teknokrate dhe filoteknokrate e mbajten pushtetin pa legjitimitet popullor, por vetem ate te Brukselit.

        Problemi i dyte eshte se nje sistem nuk sherohet apo vetekorrigjohet nga pilulat intelektuale dhe teknokratike, dmth nga individe te tille, sado te jene 1, 10, 100 apo 1000, sepse sistemet nqs jane te sherueshme, atehere sherohen nga reformat e thella, te cilat per nga vete natyra jane pastertisht politike. Po te ishte ndryshe do te kishim teknokracine, intelektualo-kracine ose Republiken e Platonit me filozofet me krye, se ata dine te qeverisin me mire.
        Mua edhe pse me intrigon Republika e Platonit per shkak te racionalitetit qe permban, me duhet te kthehem me kembet ne toke dhe te pranoj se eshte utopike dhe utopite nuk sjellin asnjehere ndonje gje te mire.

        Por çfare ndodh ne realitet nga integrimi i ketyre intelektualeve vullnetmire e vullnetplote ? Ndodh qe korruptohen te gjithe, nga i pari tek i fundit dhe nqs ndonjeri ka integritet atehere jep doreheqjen, biles me shpejtesine e drites (ngrenia e bukes menjane).

        Individet opozitare te paparti qe mendojne se kane ndonje gje per te dhene apo thjesht duan qe gjendja te ndryshoje, nuk mund ta japin kurrsesi duke sheruar sistemin nga brenda, por bashkohen politikisht ose mbeshtesin ndonje perpjekje te re politike dhe shkojne e testohen ne voten popullore.
        Vota popullore eshte A dhe Zh-ja, alfa dhe omega, eshte Zoti i misheruar politikisht.

  3. Une mendoj qe fjala me e pershtatshme per kete rast eshte : amorale!
    I leme menjane te gjitha pandehmat dhe akuzat, si skuth dhe si i korruptuar. Kam parasysh rastin me te mire; ate te nje qytetari te ndershem ( dhe dua te besoj qe, keshtu edhe eshte personi ne fjale). Pikerisht ne kete rast, pranimi i ofertes (gjithmone nese kemi te bejme me nje oferte) qeveritare per te zene vendin e atij qe ka denoncuar, eshte i pahijshem, i pabukur. Eshte amoral.

    1. Shiko se nje veprim i pahijshem, i pabukur quhet imoral. Amoral eshte veprimi ku mungon gjykimi moral, kurse po i the dikujt je sjelle ne menyre te pahijshme je duke e gjykuar moralisht. Ti doje te thoje lehtesisht imoral, po pa dashje ngaterrove koncept.

  4. hyllin, edhe mund te jete keshtu si thua ti por, edhe ashtu si thashe une. Me vetedije te plote i zgjodha fjalet. Po te kisha ne mendje ta quaja “imoral”, nuk do te thosha “i pabukur” apo “i pahijshem” por, “i shemtuar”. Ka nje dallim te mprehte kuptimor mes ketyre fjaleve. Amoralit edhe mund t’i thuash i pabukur por, nuk mund ta quash te shemtuar, pa shkelur ne menyre flagrante normat minimale te etikes. Kurse, ne rastin e imoralit, te pakten sic e mendoj une, t’i thuash i pabukur apo i shemtuar, do te ishte nje qesharakezim i etiketes; me e pershtatshme per te eshte etiketimi i shemtuar.

    1. Mundet edhe ky interpretim, formalisht jokorrekt, por qe ka kuptim ne kushtet shqiptare kur imoralja duhet te jete radikalisht e tille, per t’u quajtur imorale.
      Besoj se po t’i zesh vendin atij qe kritikon ne nje sistem meritokratik ku funksionon me konkurs, ky eshte veprim moral e i levdueshem, ne kushtet kur posti nuk eshte meritokratik, por politik, pra me emerim, me e pakta qe mund te thuhet eshte ajo qe the ti.

  5. Në thelb bëhet fjalë për raportin e intelektualit me pushtetin dhe për kalimin e tij nga jashtë politikës, në brenda saj. Mendoj se një intelektual që spikat në profesionin e tij, për më tepër kur merr pjesë aktive në debatin publik dhe/ose në veprimtaritë e shoqërisë civile, nuk duhet të refuzoj automatikisht kërkesën nga politika për t’u bërë pjesë në zgjidhjen e problemeve dhe në mbarëvajtjen e punëve, natyrisht vetëm atëherë kur ky angazhim me pushtetin përputhet me bindjet e tij personale dhe kur pranimi është etikisht dhe politikisht i moralshëm.

    Por rasti në fjalë është i vështirë për ta futur në këtë kategori; TM nuk ka spikatur (ende) si intelektual, por më tepër si aktivist undër politikave qeveritare për arsimin dhe përfaqësuesve të këtyre politikave, që denoncoi si plagjiator zv/ministrin e mëparshëm, të cilit tani ai i zuri vendin me propozimin e Ramës. E gjitha të lë përshtypjen sikur qëllimi i kritikës ishte sigurimi me rrugë të pamoralshme i një vendi të mirë pune në qeveri dhe se qëllimi i denoncimit të ishte ulja e atij vetë në karrigen ministrore. Kjo, besoj, është përshtypje e gabuar dhe se qëllimi i TM është dëshira për të ndryshuar diçka për mirë duke qenë në përgjegjësi qeveritare, por mosrezistimi ndaj tundimit për një post ministror, në një qeveri që e ke sulmuar vazhdimisht dhe ashpër – aq më tepër duke u ulur në vendin e atij që kishte denoncuar më parë – nuk e bën këtë pranim të ofertës më pak të pamoralshëm.

    Sidoqoftë mbetet për t’u parë se si dhe sa ndryshe do e bëj punën dhe çfarë rezultatesh do të ketë aktivisti-i-kthyer-zv/ministër në të ardhmen. Në këtë pikë e kuptoj autorin e shkrimit kur kërkon që të mos paragjykohet TM, por t’i jipet shansi që të tregoj aftësitë e tij në punë si zyrtar i qeverisë.

    Çfarë më duken problematike në shkrimin më lart janë analogjia që bën autori me punën e tij të mëparshme si nëpunës i lartë në po atë ministri dhe po ashtu këshillat që i jep “pasardhësit” se si të orientohet dhe të bëj punën në ministri. Me sa kuptoj nga shkrimi, kritika e OP ndaj autorit nuk lidhej me angazhimin e tij si intelektual apo aktivist në qeverinë e mëparshme, siç është rasti tani me TM, por me punën dhe rezultatet e tij si nëpunës i shtetit. Gjëra krejt të ndryshme, për mendimin tim.

    Ndërsa këshillat që jipen, ato vërtetë mund të pasqyrojnë realitetin se si funksionon aparati burokratik në ministritë e shtetit shqiptar, por nuk e di nëse ia vlejnë vërtet që të ndiqen, ose më mirë, ku është ndryshimi që pritet nga një intelektual i angazhuar në qeveri, nëse ai bëhet pjesë e lojës bizantine me grupe, klane, “vampirë”, me ata që “angazhohen nga joshjet apo premtimet për këmbime favoresh” apo me “sekserë profesionistë” të subjekteve private? Nuk e di se si mund ta ndihmojnë këto këshilla TM për të bërë një punë ndryshe

    Nëse ka një këshillë për TM tani që ai e hodhi këtë hap, kjo do të ishte që ai ose t’ua provoj kritikëve se e kanë gabim, me punën dhe rezultatet e tij ndryshe si nëpunës i shtetit, ose të dorëhiqet në rast konstatimi që realiteti dhe rezultatet e punës nuk përputhen me pritshmëritë dhe bindjet personale (dhe të pranoj dështimin).

    Shkurtimisht dhe disa pika të tjera për shkrimin (theksimet e mia):

    Kam qenë vetë para disa vitesh një nëpunës i lartë i shtetit. Po aq përgjegjës për atë që nuk arrita të kryej, sa edhe për çfarë rezultoi gabim. Shpresoj të kem qenë aq besnik atij që më emëroi, pa njohje apo përkatësi partiake, sa edhe detyrës sime.

    Besnikëria e nëpunësve të lartë shtetit – prej të cilëve pritet që të jenë edhe shembull për të tjerët, aq më tepër kur vijnë si intelektualë të paparti apo nga shoqëria civile – duhet të jetë vetëm ndaj ligjit, detyrës së ngarkuar dhe bindjeve personale. Besnikëria ndaj atij “që më emëroi” është e kundërta e misionit dhe rolit të intelektualit të pavarur të thirrur nga qeveria për të ndihmuar në politikat e drejtimit dhe qeverisjes së vendit. (Të jesh mirënjohës ndaj dikujt është diçka tjetër, për të mos u ngatërruar me të qënurit besnik).

    Problemi është mosbesimi. Jo thjeshtë cinizmi, së cilës zor se i shpëton i mençuri në Shqipëri. Por mungesa e bindjes se ka njerëz që ja duan vërtetë të mirën Shqipërisë. Këta të paktë zgjedhin të bëjnë diçka kudo që janë: pedagogë, tregtarë, zejtarë, edhe zv/ministra.

    Mosbesimi vjen, për mendimin tim, edhe nga mosbesueshmëria e krijuar nga intelektualë apo përfaqësues të shoqërisë civile që “kapërcyen ylberin” për të përfunduar vetëm si ushtarë të kryeministrit të radhës.

    1. Çfarë më duken problematike në shkrimin më lart janë analogjia që bën autori me punën e tij të mëparshme si nëpunës i lartë në po atë ministri dhe po ashtu këshillat që i jep “pasardhësit” se si të orientohet dhe të bëj punën në ministri. Me sa kuptoj nga shkrimi, kritika e OP ndaj autorit nuk lidhej me angazhimin e tij si intelektual apo aktivist në qeverinë e mëparshme, siç është rasti tani me TM, por me punën dhe rezultatet e tij si nëpunës i shtetit. Gjëra krejt të ndryshme, për mendimin tim.

      kritika, dhe ne rreshtat e metejshme, shume e drejte. Por une paraqita pespektiven time si nje perpjekje per te kuptuar vendimin e TM-es. Nuk jane njesoj ne fusha veprimi, por besoj fillojne nga te njejtat motive. Gjithmone duke i atribuar TM-ese qellime te mira. Sa i perket kritikave nga OP-ja, pa dashur ketu te merremi me OP (ishte me shume nje shembull konkret i kritizereve), kritikat ne parim nuk i sherbejne praktikes, e aq me pak asaj burokratike. OP-ja kritikonte qendrimin politik te qeverise Berisha, sikur edhe tani, ndaj Rames. Une them se keto nuk jane pune qendrimesh, por pune e aktivizmi brenda qeverise.

      Pastaj, sa i perket zhgenjimit nga elemente te shoqerise civile, kjo mund te cenoje pritshmerite, por jo besimin se ka njerez te hajrit.

  6. E kuptoj që në sytë e publikut, ky ishte një “i pabesë”, ose siç i themi ne shqiptarët, “ia nguli thikën mbas shpine për t’i zënë vëndin atij që kritikoj”.

    Por le ta pranojmë që ky është veç një interpretim bizantin i situatës, që i quan gjithë kritikët “të pa besë”. Kjo lloj mënyre të menduari nuk e lejon shoqërinë të ecë përpara në kushtet e një administrate moderne. Sepse përndryshe do përfundojmë t’i quajmë gjithë “whistle-blowers” si “të pabesë” a.k.a. “backstabbers”. Një administaratë moderne nuk funksionon dot pa inkurajuar misionin e “whistle-blowers”.

    Ndërkohë, në rrafshin e ideve, kritika ndaj pushtetit nuk mund të jetë utopike, dhe ka gjithmon përbrenda supozimin se ai që kritikon e njeh problematikën. Për shembull kritika ndaj pushtetit konsumon (ose duhet të konsumojë) pjesëm më të madhe të kohës së opozitës, e cila në fund të fundit ka për synim pushtetin. Ndaj si qenka që akti i marrjes së frenave të pushtetit prej një kritiku çfarëdo të pushtetit (individ) kur i ofrohet mundësia për të provuar se kritika e vet në realitet nuk është flluskë sapuni, qenka akt amoral?

    Sigurisht është gjithëmon rreziku që një individ të bjerë preh e makinacioneve të pushtetit, por kjo nuk është apriori, dhe askush nuk është imun ndaj këtyre makinacioneve. Mbaj mend që dikur edhe Fatos Lubonja u bë drejtor i RTVSH-së, në mos gaboj, dhe dha dorëheqjen shumë shpejt kur e pa se makinacionet nuk e lejonin të realizonte idetë e veta për një television të pavarur. Edhe dorëheqja është në vëtvete një shënjë proteste, equivalente me një whistleblower.

    1. Ky qe thoni ju eshte rasti me i keq. Ne rastin me te mire, qe dua te besoj se eshte rasti i zoterise ne fjale, prapeseprape ka dicka te pabukur ne kete histori.
      Nje intelektual, vertete i tille, nuk do ta pranonte postin e lene bosh nga ai, te cilin e ka denoncuar. Degjova nje interviste te zoterise ne fjale, te them te drejten, nuk e teproj po te them, se mburrej ( thoshte se ishte shkencetar, duke e perseritur kete disa here).

      1. Imdat,
        E kuptoj se çfarë po thoni. Lexova më pas edhe shkrimin e Gresës, që më pëlqeu sepse e konkretizoi qëndrimin. Vetë nuk e njoh rastin, as personin, dhe po rezervohem të komentoj më tej, thjeshtë duke thënë që kritika e Gresës mu duk e drejtë.

        Gjithësesi jam i mendimit se kritikët e pushtetit duhen inkurajuar që të bëhen pjesë e sistemit për ta ndryshuar atë pse jo edhe nga brenda.

  7. Taulant Muka dha sot doreheqjen. Mendimi im eshte se ky akt tregon se ai mund te kete qene naiv ne pranimin e postit por kurrsesi i korruptuar. Ne ndryshim nga pranimi i postit, ky akt e nderon.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin