HIRET SUBLIME TË SANSKRITISHTES

Turbo-albanologë ka pasur, ka e do të ketë, madje disa pionierë i kanë paraprirë edhe vetë dijes albanologjike moderne; por duket sikur kjo new wave turbologjike e tanishme i ka rrënjët dhe e gjen frymëzimin te vepra Shqipja dhe sanskritishtja e Petro Zhejit, e cila u pat përmendur në muhabete për shumë kohë, para se t’i jepej publikut; madje jo rrallë duke u cilësuar si viktimë e censurës së regjimit totalitar, që botimin nuk ia kish lejuar.

Ndryshe nga ç’e premton titulli, vepra – në dy vëllime[1] – është një përmbledhje studimesh me temë analizën simbologjike dhe mistike të leksikut të shqipes, në të cilën sanskritishtja nuk zë vend kryesor. Ka aty kapituj që merren hollësisht me të ashtuquajturin “algoritëm simbolik”, me filozofinë dhe logjikën e gjuhës, artikulimin logjik të mendimit mitik dhe çështje të tjera; siç ka edhe inkursione interpretative drejt gjuhësh të tjera, nga rusishtja te turqishtja.

Pse sanskritishtja?

Zheji e ka zgjedhur sanskritishten, madje duke e vendosur në titull të librit, jo se ka qenë ndonjë ekspert i asaj gjuhe, por me gjasë sepse sanskritishtja, gjatë shekullit XIX, mbahej si gjuha që, mes simotrave indoeuropiane, e kish ruajtur më mirë natyrën dhe strukturën e gjuhës “mëmë” të familjes.[2]

Siç e shkruan vetë autori, sanskritishtja është “gjuhë e lashtë, që është vështruar nga linguistika pak a shumë si një matricë, si një gjuhë kyç…”

Dhe gjetiu shpjegon se “një numër shumë [i] madh gllosash të shqipes … gabimisht apo qëllimisht janë nxjerrë me prejardhje latine apo sllave apo greke apo…, ndërsa, siç shihet në këtë studim, ato lidhen drejt për së drejti me trungun e përbashkët të të gjitha gjuhërave indoeuropiane, d.m.th. me sanskritishten.”

Trungu i përbashkët i të gjitha gjuhëve indoeuropiane?

Në fakt, sanskritishtja është një gjuhë e degës indo-ariane të familjes indoeuropiane, që përdorej në Azinë jugore; dhe njëherazi, gjuha e shenjtë e Hinduizmit, teksteve historike të Budizmit dhe të Jainizmit, me efekt dhe përhapje të ngjashme me atë të greqishtes së vjetër dhe veçanërisht latinishtes në lashtësi dhe në Mesjetë, për Europën.

Sanskritishtja është njëherazi edhe gjuha ndoshta e dokumentuar më herët me shkrim, nga gjuhët indoeuropiane; dhe ishte familjarizimi me atë gjuhë gjeografikisht të largët nga kontinenti ynë dhe afrinë e saj të habitshme me gjuhët europiane, që i lejoi filologët dhe pastaj gjuhëtarët në Europë të formulonin dhe të zhvillonin gjuhësinë historike-krahasuese.

Gjatë shekullit XIX, sanskritishtja mendohej si jo vetëm gjuha më konservative mes gjuhëve indoeuropiane, por shpesh edhe si mishërimi i proto-indoeuropianishtes, nga e cila kishin rrjedhur gjuhët e tjera të familjes. Por kjo rezultoi e pasaktë: në disa aspekte, sanskritishtja kish inovuar mjaft nga modeli fillestar, p.sh. duke e thjeshtuar mjaft sistemin e zanoreve.

Që nga fundi i shekullit XIX, sanskritishtja e humbi vendin e privilegjuar që kishte, në familjen indoeuropiane; megjithë një gjallërim të interesit për të, gjatë histerisë rreth “racës ariane”, arianizmit dhe pseudo-okultizmit nazist, në vitet 1930.[3]

Premisa e Zhejit është, pra, anakronike.

Sanskritishtja dhe kultura filologjike që ajo shpreh, bart dhe përcjell, e kanë ndikuar jo pak dijen europiane, duke filluar nga shekulli XIX dhe këtej; dhe nëse iluzionet e hershme, për “gjuhën perfekte” u përgënjeshtruan nga kërkime, zbulime dhe interpretime të mëtejshme, ajo gjuhë e ruajti një vend prestigji të padiskutueshëm në gjuhësinë e përgjithshme falë veprës së Pāṇini-t, filolog, gramatikan dhe dijetar i Indisë së lashtë, që mendohet se ka jetuar mes shekujve VI dhe IV p.e.s. Vepra e tij kryesore Aṣṭādhyāyī nuk është veçse një gramatikë e sanskritishtes të kohës (bhasa), që merr parasysh edhe sanskritishten vedike.

Gramatika e Pāṇini-t u përftua si pjesë e metodave të përpunuara për kodifikimin e sakrificave vedike komplekse; e konceptuar si një tërësi sūtra-sh ose aforizmash, ajo i qaset gjuhës në rrafshin rigorozisht sinkronik.[4] Zbulimi dhe njohja e kësaj vepre, nga tradita akademike europiane dhe amerikane-veriore e ndikoi në shumë anë teorinë gramatikore të Perëndimit, aq sa sot shumë linguistë e konsiderojnë si gramatikën gjenerative më të plotë që është hartuar ndonjëherë, për çdo gjuhë. Gjuhëtari i madh amerikan Bloomfield e pat quajtur “një nga monumentet më të mëdha të inteligjencës njerëzore”; mendohet se edhe Saussure-i është ndikuar nga idetë e gramatikanit indian.

Mes të tjerash, Pāṇini përcakton me rreptësi të madhe rregullat dhe kriteret e analizës morfologjike të fjalës në sanskritishte, të cilat ndiqen edhe nga gramatikat dhe hulumtimet bashkëkohore të asaj gjuhe. Për fat të keq, te Shqipja dhe sanskritishtja nuk gjendet as gjurma më e vogël e metodës së Pāṇini-t – të cilin Zheji nuk do ta ketë njohur, ose ka vendosur ta lërë mënjanë; dhe analizat e indianit të lashtë i ka zëvendësuar me rrokjezimet e veta arbitrare, në fjalë të së dyja gjuhëve.

Kjo mospërfillje tingëllon ironike, sa kohë që gramatika e Pāṇini-t shihet edhe si sistemi i parë formal për konceptimin, ndërtimin dhe përdorimin e gjuhëve abstrakte, si ato të programimit të kompjuterit (softuerit); dhe për shtjellimin e operacioneve të logjikës matematike; metagjuha e krijuar nga Pāṇini, për nevojat e gramatikës së vet, është gjykuar si shumë e afërt me idetë e algjebrës moderne. Sot rregullat dhe teknikat e atij gramatikani po gjejnë zbatim në procesimin e ligjërimit në gjuhë natyrore, nga ana e AI-së.

Atë që Zheji kërkoi për shqipen te sanskritishtja, nëpërmjet manipulimit të logjikës simbolike, mund ta kishte gjetur te gramatika e Pāṇini-t.

A ka lidhje të posaçme shqipja me sanskritishten?

Shqipja dhe sanskritishtja janë dy gjuhë “motra” brenda familjes indoeuropiane; dhe ndajnë mes tyre edhe karakteristika të tjera, p.sh. në mënyrën si i kanë trajtuar disa tinguj. Por këto dy gjuhë nuk duket të kenë ndonjë lidhje historike mes tyre, përveç asaj që kanë trashëguar nga periudha proto-indoeuropiane.[5]

Për Petro Zhejin, sanskritishtja – si gjuhë “e vjetër”, me strukturë leksikore të pasur dhe e dokumentuar herët me shkrim, shërben si provë për lashtësinë edhe më të madhe të shqipes. Ai kërkon të provojë, në libër, se

“Sistemi i gjuhës sanskritishte është një nënbashkësi e bashkësisë së sistemit të gjuhës shqipe.” (I, 32)[6]

Për mua, kjo hipotezë ka mbetur e paprovuar, në mos për arsye tjetër, të paktën ngaqë librit i mungon çdo parashtresë e organizuar e “bashkësisë së sistemit të gjuhës shqipe,” e tillë që të përfshinte fonologjinë, morfologjinë, sintaksën, leksikun, fjalëformimin e saj; dhe se këmbëngulja për të përdorur disa pak rrënjë njërrokëshe të shqipes, për rrokjezime pak a shumë arbitrare të fjalëve sanskrite nuk ndihmon kënd.

Sa e njihte Petro Zheji sanskritishten?

Nga çfarë mund të kuptohet duke lexuar veprën, Petro Zheji kish njohuri relativisht të përcipta për sanskritishten, të tilla që mund të nxirren nga çdo enciklopedi.

Sanskritishtja, te vepra që po komentojmë, sillet jo në trajtën e një sistemi gjuhësor të plotë dhe të pasur, në gramatikën, sintaksën, stilistikën dhe funksionet e veta, por si bashkësi fjalësh ose nomenklaturë.

Si rregull, autori citon fjalë sanskritishte të zgjedhura pa ndonjë kriter të identifikueshëm (të paktën prej atij vetë ose prej meje), dhe pastaj përpiqet t’i “zbërthejë” këto nëpërmjet shqipes. Aq sa, nga një këndvështrim tejet zemërgjerë, libri Shqipja dhe sanskritishtja mund të shihet si një tentativë (bizarre) kontributi në sanskritologji, ku shqipja shërben si vegël për etimologjizimet.

Gjithsesi, fjalët sanskrite Petro Zheji nuk thotë se ku i ka marrë; dhe nuk më rezulton të përmendë ndonjë fjalor dhe aq më pak ndonjë tekst burimor çfarëdo të sanskritishtes në libër dhe në bibliografitë e dy vëllimeve.

Në analizat e tij krahasimtare, ai niset nga fjala sanskrite e transliteruar, me gjasë në bazë të rregullave të Alfabetit Ndërkombëtar të Transliterimit të Sanskritishtes (IAST), të cilat mundësojnë “romanizimin” konsistent të shkrimeve hindike. Sërish me gjasë, këtë alfabet ka ndjekur fjalori i sanskritishtes që ka përdorur autori; në fakt, edhe pse sanskritishtja shfaqet në titull të librit, nuk ka asnjë fjalë, në tekst, që të shfaqet me alfabetin origjinal hindik që përdorte ajo gjuhë.

Si ka cituar fjalën sanskritishte të transliteruar – me sistemin IAST ose ndonjë sistem tjetër – Zheji rreshton pastaj një numër fjalësh frëngjishte që japin kuptimin e fjalës, të ndjekura nga përkthimi shqip i këtyre fjalëve frëngjishte.

Pse frëngjishte? Nuk kam gjetur ndonjë shpjegim për këtë përdorim kaq të gjerë të frëngjishtes, por po i lejoj vetes të besoj se kjo ka të bëjë me fjalorin sanskritisht-frëngjisht që do të ketë pasur në dorë autori.

Në libër nuk jepen asnjëherë shembuj fjalësh sanskritishte në thënie, fraza a fjali; dhe as jepen të dhëna për morfologjinë e sanskritishtes.[7] Siç u tha më lart, sanskritishtja i duhet autorit si një nomenklaturë, ose listë leksemash, të cilat ai i analizon, por pa e sqaruar se me ç’metodë.

Për shembull, fjalën paurastya-a, të shpjeguar si fr. placé devant; oriental (që është vendosur shti para; lindor), Zheji e zbërthen kështu:

pa + ura + stya

Por pa shpjeguar pse pikërisht kështu dhe jo, ta zëmë, si pau + ras + tya; zbërthimi gjithsesi do të duhej të ndiqte një teori të strukturës morfologjike të fjalës në sanskritishte, e cila nuk del as përmendet gjëkundi.

Nga ana tjetër, kjo pa + ura + stya e lejon Zhejin të interpretojë me shqipen ba ar shtij domethënë (citoj): atje ku âsht, ba shtij ari, atje ku ari asht shti, atje ku ari asht vendos, e pra, vendi i arit, e pra Orienti, e pra, Lindja.

Dhe kështu, vazhdon Zheji: ari është i p-ari.

Sërish dua të pyes: a e ka zotëruar sadopak Zheji gramatikën e sanskritishtes? Nga sa shoh në studim, më duhet të arrij në përfundimin se nuk e ka zotëruar.[8]

Natyrisht, një linguist mund të merret me një gjuhë pa e njohur siç e njeh një përkthyes ose kushdo tjetër që e flet; por nuk më duket normale që të analizohet struktura e fjalëve të sanskritishtes, pa i përmendur përdorimet e tyre, togjet ku ato shfaqen, dhe karakteristikat e tyre gramatikore.

Për më tepër, fjalori misterioz sanskritisht-frëngjisht ku është mbështetur Zheji nuk të lë përshtypjen e ndonjë fjalori të mirë dhe të denjë për t’u përdorur si referencë në studime të imta leksiko-semantike; ai jo vetëm që nuk i ilustron fjalët me shembuj nga gjuha përkatëse, por edhe i hedh të gjitha kuptimet së bashku, duke krijuar pirgje kaotike.

Ja si jepet, mes qindra të tjerash, fjala guru:

Kjo fjalë, guru, me strukturë kuptimore të gjerë, me siguri do të zinte një faqe në mos më shumë, në çdo fjalor serioz të sanskritishtes; vetëm një fjalor xhepi do t’i grumbullonte kuptimet kështu, të ndara me presje dhe pikëpresje, dhe pa shembuj ilustrues. Por autorit thjesht i intereson, si në raste të tjera, të dëftojë marrëdhënien rrënjore të kësaj guru me shqipen gur.

Mes gjuhëve indoeuropiane, sanskritishtja është studiuar me themel, në të katër anët e botës. Gjenden fjalorë dhe gramatika të mira të asaj gjuhe, të cilat autori duhej t’i kishte përdorur dhe pastaj rreshtuar në bibliografi, gjë që nuk e ka bërë.

Shpërfillja sistematike, prej Zhejit, e gjithçkaje është thënë deri më sot, nga gjuhësia dhe filologjia, për sanskritishten mund të jetë e qëllimshme, por kjo nuk e çliron autorin nga akuza se i është qasur objektit të deklaruar të hulumtimit në mënyrë amatoriale.

Edhe pse unë sanskritishten e njoh aq përciptazi sa ç’mund ta njohë një student i indoeuropianistikës së përgjithshme, sërish më bën përshtypje indiferenca e autorit ndaj atyre karakteristikave të leksikut të sanskritishtes, që e shquajnë këtë mes simotrave indoeuropiane – dhe pikërisht, aftësia e saj për të krijuar një numër të madh kompozitash (fjalësh të përbëra), që shpesh shërbejnë si urë midis leksikut të kodifikuar dhe atij poetik.

Këto kompozita i kanë edhe gjuhë të tjera indoeuropiane, si greqishtja e vjetër dhe gjuhët gjermanike; por sanskritishtja shkëlqen për larminë e formave dhe kompleksitetin e kuptimeve, aq sa emrat e kompozitave në gramatikat klasike sanskrite janë ruajtur edhe për të emërtuar llojet e kompozitave të indoeuropianishtes.

Ne edhe kompozitat e shqipes, në albanologji, i kemi pasë studiuar sipas kësaj tipologjie klasifikuese – duke i ndarë, mes të tjerash, në tatpurusha dhe bahuvrihi. Pa u futur në hollësi teknike, po shtoj vetëm se tatpurusha janë kompozitat e tipit bukëpjekës, hekurudhë, rrugëkalim (përafërsisht) ndërsa bahuvrihi ato të tipit faqekuq, hundëpërpjetë – të cilat njihen edhe si kompozita pronësore. Këto modele janë të shqipes popullore, por letrarishtja i ka adoptuar dhe zgjeruar, aq sa t’i ketë normalizuar edhe në gjuhën e shkrimit.

Dyshoj fort se, mes qindra në mos mijëra shembujve të fjalëve sanskritishte që ka sjellë Zheji në vepër, ka shumë kompozita të tilla, edhe tatpurusha edhe bahuvrihi, edhe të llojeve të tjera që unë nuk i njoh. Nëse është kështu, atëherë ato nuk mund të analizohen veçse duke i ndarë sipas pjesëve përbërëse – jo në rrokje, ose në mënyrë të tillë, që t’i shkojnë për shtat synimeve interpretative të autorit.

Gjithsesi, nëse ka një tipar specifik, që e afron shqipen me sanskritishten, është pikërisht prania – dhe produktiviteti – e këtij tipi kompozitash. Që këto nuk përmenden në tekst, këtë po dua t’ia atribuoj rigorozitetit metodologjik (sado shterpë) të autorit, jo padijes së tij elementare; mundësia e fundit do të ishte fyese për lexuesin.

Që Zheji u qasej gjuhëve objekt të hulumtimeve të veta i armatosur me një fjalor, këtë supozim duket ta mbështetë edhe ato që thotë, kur rrëfen si i ka zbuluar “konkordancat” mes shqipes dhe hebraishtes (II, f. 484).

Në vija të përgjithshme, shpërfillja prej tij e aspektit formal-gramatikor të gjuhës (cilësdo gjuhe që merr në analizë) dëshmon për anakronizëm të mendimit të tij linguistik, i cili sikur është ndalur në Mesjetë, ose në kohët kur gjuhët nuk shiheshin si më tepër se lista fjalësh – dhe ku shumë studiues dhe filozofë kishin për referencë atë pasazh të Zanafillës 2, ku gjuha përshkruhet e krijuar si nomenklaturë (ose listë emrash):

Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave…

Dija e emrave dhe e aktit emërtues është pjesë legjitime e logjikës, e semiotikës dhe e filozofisë; gjuhësia që merret me fjalët (words) dhe rregullat e përdorimit dhe të kombinimet e tyre është gjithsesi e ndryshme nga ajo që merret me emrat (names) dhe emërtimin (naming). Duket sikur Zheji refuzon ta marrë këtë parasysh.

Çfarë lloj etimologjish janë ato të Petro Zhejit?

Etimologjitë që ndërmerr Zheji në libër nisen zakonisht nga shqipja dhe synojnë të shkoqitin fjalë gjuhësh të tjera – nga sanskritishtja, te hebraishtja, turqishtja, gjermanishtja, rusishtja, italishtja, frëngjishtja dhe gjuhë të tjera. Shqipja, shkruan ai, “duke qenë gjenetikisht e afërt me të dy përfaqësueset më të lashta të të dy degëve (familjeve) më të mëdha gjuhësore, të asaj të gjuhërave indoeuropiane (sanskritishtja) dhe të asaj të gjuhërave semitike (hebraishtja), mund të mendohet se është në gjendje të shërbejë si një trung bashkues mes tyre.” (II, 484).

Por nuk duhet të gabojmë dhe t’i shohim këto etimologji si të llojit gjuhësor-historik tradicional – sepse Zheji as e përfill, as e njeh gjuhësinë historike, dhe atij as që i vete nëpër mend se fjalët dhe në përgjithësi gjuha pësojnë ndryshime në rrjedhë të kohës; dhe se etimologjia shkencore duhet të themelohet pikërisht mbi një teori ose të paktën një model të rregullsive të këtryre ndryshimeve. Njëlloj nuk i vete nëpër mend se shumë nga fjalët sanskrite, që ai kuturiset t’i interpretojë nëpërmjet shqipes, janë etimologjizuar prej kohësh dhe mirë, nga specialistë të asaj gjuhe.

Zhejit para së gjithash i intereson të provojë që shqipja është çelësi i shpjegimit të gjuhëve të tjera, por jo në kuptimin historik; pra, fjalët sanskritishte mund të etimologjizohen vërtet nëpërmjet rrënjëve dhe “operatorëve” të shqipes, por kjo nuk e vendos sanskritishten në raport të njëjtë me shqipen, siç mund të jetë italishtja me latinishten; pra, sanskritishtja vetëm sa “shpjegohet”, por përndryshe nuk rrjedh nga shqipja, siç rrjedhin gjuhët romane nga latinishtja. Ideja e Zhejit – të paktën siç e kuptoj unë – është se shqipja i ruan madje “në gjendje të lirë” rrënjët e shumë fjalëve të gjuhëve të tjera, prandaj mund të shërbejë si çelës universal për “shpjegimin” e tyre. Sidoqë merret me gjëra “të lashta”, parashtresat e tij “gloseologjike” konsistojnë në manipulime formulash abstrakte dhe improvizime logjiko-simbolike, me algoritme dhe operatorë.

Teoria gjuhësore që përvijohet në libër, dhe veçanërisht në analizën e marrëdhënieve të shqipes me sanskritishten, nuk ka pra lidhje me gjuhësinë historike dhe madje as me gjuhësinë, ashtu siç kuptohet dhe praktikohet sot (objekti i studimit nuk vendoset as në sinkroni, as në diakroni, por në a-kroni). Etimologjitë e Zhejit, nëse mund të quhen ende kështu, nuk kanë karakter historik dhe as synojnë të gjurmojnë historinë e fjalëve dhe të gjuhëve që merren në vështrim; ato nuk janë veçse orvatje për t’i interpretuar a ndriçuar fjalët e gjuhëve të tjera, të zgjedhura pa asnjë lloj kriteri të eksplicituar, duke i ndarë ato në pjesë dhe duke gjetur, në këto pjesë, reflekse fjalësh të shkurtra shqipe; por pa asnjë shenjë respekti ndaj rregullsive fonetike dhe gramatikore dhe rrethanave historike të kontakteve gjuhësore.

Jo rastësisht, autori më i cituar në të dy vëllimet e kësaj vepre është një poet, kritik arti dhe simbologjist katalan: Juan Eduardo Cirlot, dhe vepra e tij Diccionario de símbolos, e botuar në 1958; krahas me autorë të tjerë të ngjashëm, nga fusha e simbologjisë, filozofisë dhe fizikës moderne. Te bibliografia e vëllimit të parë i vetmi gjuhëtar që përmendet është Spiro Konda; por nuk mungojnë Einstein-i, Russell-i, Berkeley, Cassirer-i, Fritjof Capra, Karl Jaspers, Mircea Eliade dhe Freud-i. Te vëllimi i dytë këtyre u shtohen Jung-u, Baudelaire-i, Wolfgang Pauli, Bohm-i, Lacan-i, Platoni, Stephen Hawkins-i, dhe Heisenberg-u. I është lënë një vend, jo pa zemërgjerësi, edhe Saussure-it.

Në parathënien e vëllimit I, Lluka Qafoku shkruan:

Kjo vepër paraqitet si një zbulim apo zbulesë e një teknologjie sui generis, për t’i bërë operative në fushën e etimologjisë (dhe jo vetëm aty) zbulimet gjeniale të teorisë së Shenjës dhe Kuptimit të linguistikës moderne, të personaliteteve të tilla si Saussure, Bréal, Carnap, Lacan, nw lidhje tw ngushtw me veprwn e Jung, Husserl, Heidegger, Whitehead, Koestler, etj.

Nga autorët më lart, vërej se Saussure dhe Bréal i përkasin, në thelb, Zeitgeist-it të shekullit XIX (kursi i Saussure-it u mbajt gjatë viteve 1907-1911), ndërsa të tjerët vijnë nga filozofia, psikanaliza dhe logjika, fusha sa të rëndësishme të dijes, aq edhe të ndryshme nga gjuhësia; dhe, veç kësaj, metoda e përdorur në veprën e Zhejit nuk ka gjë të përbashkët me strukturalizmin saussurean; më mbetet të supozoj që ky dijetar –më i rëndësishmi i gjuhësisë moderne – përmendet nga Qafoku në kontekstin e teorisë së tij të shenjës.

Meqë këto shënime të miat ndalen vetëm në atë pjesë të studimit që ka të bëjë me sanskritishten, po theksoj edhe një herë se Zheji nuk përmend gjëkundi ndonjë vepër studimore a referencë për sanskritishten, asnjë fjalor a gramatikë të asaj gjuhe. Aq sa unë e kam të vështirë të përfytyroj marrëdhënien mes sanskritishtes për të cilën flitet gjerë e gjatë në vepër, dhe sanskritishten objekt të dijes gjuhësore-historike: më duken dy madhësi të ndryshme, të pabashkëmatshme.

A kanë vlerë shkencore analizat “etimologjike” e veprës për historinë e shqipes dhe/ose të sanskritishtes?

Nuk besoj se kanë. Meta-gjuha[9] që flet Petro Zheji në libër është e papajtueshme me meta-gjuhën që flet sot gjuhësia bashkëkohore, në format dhe shkollat e saj të ndryshme; pavarësisht nga pretendimi i këtij autori se po synon një “science des profondeurs,” e së cilës karakteristikë themelore do të jetë “interdishiplinariteti” (sic), domethënë një identitet strukture a izomorfizëm me degët e tjera të Dijes.

Analizat prej tij të fjalëve dhe “etimologjitë” e tij për sanskritishten nuk më rezulton që të jenë pranuar nga ndonjë studiues i sotëm i asaj gjuhe (por mund ta kem gabim, sepse nuk e njoh literaturën bashkëkohore të studimeve sanskritologjike); sa i përket shqipes, mënyra si i analizon ai fjalët dhe i ndan në pjesë nuk është më shumë e pranueshme, nga pikëpamja e gjuhësisë sinkronike dhe diakronike, përfshi këtu strukturalizmin, gjenerativizmin dhe metodën historike-krahasuese. Disa turbo-albanologë, përfshi këtu edhe Agron Dalipajn, e kanë zgjedhur veprën e Zhejit si themelin teorik të punës së tyre, por edhe këta e kanë lënë mënjanë thelbin simbologjik-mistik, të analizave të atij autori; dhe aspektet matematike (për mua pseudo-matematike) të qasjes së tij, për t’u fokusuar në “deshifrime” bruto të fjalëve nga gjuhët që (kujtojnë se) njohin, nga italishtja te gjermanishtja e turqishtja.

Përfundime

Shqipja dhe sanskritishtja janë dy gjuhë indoeuropiane mesatarisht të afërta – që mund të analizohen në krahasim mes tyre, por që nuk ka arsye të forta për ta bërë këtë. Petro Zheji nuk duket se e njihte sanskritishten (edhe pse gjetiu ngul paradoksalisht këmbë se “për shqipen mund të flasin me siguri të plotë vetëm shqiptarët”, I, 20), por e përdori lëndën e saj leksikore, të nxjerrë nga fjalorët, për të treguar se shqipja i ka mundësitë dhe fuqinë simbolike për ta shkoqitur strukturën semantike të fjalës sanskrite. Në këtë punë ai me gjasë u nis nga presupozimi – tashmë në thelb i përgënjeshtruar – se sanskritishtja është një formë fosile e indoeuropianishtes mëmë. Vepra e tij Shqipja dhe sanskritishtja, sa i përket krahasimit sistematik mes këtyre dy gjuhëve, nuk sjell gjë të re as në gjuhësinë indoeuropiane, as në gjuhësinë shqipe; dhe kam frikë se do të lërë shumë pak gjurmë edhe në sanskritologji.

 

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht marrja dhe përdorimi i këtij shkrimi nga media të tjera, me shkrim dhe elektronike – shkelësit do të përndiqen në bazë të ligjit për të drejtat e autorit. Shkrimi mund të bëhet “share” në rrjetet sociale.

Shënim: imazhi në kopertinë dhe imazhet në trup të tekstit janë krijuar me AI.


[1] Jam mbështetur, te kjo ese, në dy vëllimet e botuara nga Tertiumdatur, i pari në 2005 dhe i dyti 2006, nga të cilat vëllimi i parë cilësohet si “botim i dytë i përmirësuar”.

[2] Në atë rol dhe mision mistik, sanskritishtja zëvendësoi hebraishten, e cila konsiderohej edhe ajo si gjuha burimore, prej së cilës rridhnin të tjerat, në bazë edhe të informacionit që jepet në Bibël.

[3] Në shekullin XIX, kish dijetarë në Europë që i interpretonin Rigvedat si kronika të përplasjes epike mes imigrantëve arjanë (indoeuropianë) lëkurë-çelët dhe fiseve vendëse lëkurë-errët. Këto interpretime depërtuan në kulturën popullore dhe vende-vende i ndesh edhe sot; edhe pse duket kundërintuitive të identifikosh indianët që flasin sot e kësaj dite një gjuhë vijuese të sanskritishtes, me arjanët superiorë, biondë dhe sykaltër, të antropologëve si De Gobineau dhe Theodor Poesche. Për t’u shënuar se okultizmi i shekullit XX e pati edhe ai një histori dashurie me arianizmin. Vedat dhe alfabeti i tyre u përdorën edhe për Librin e Veles-it, një falsifikim modern që pastaj shërbeu megjithatë si bazë për neo-paganizmin rus dhe, më tej, edhe neo-nazizmin rus.

[4] Sipas zërit në enciklopedinë e lartcituar (hartuar nga Paul Kiparsky), “te rituali e ka ndoshta origjinën edhe një nga parimet e gramatikës, por edhe të disiplinave të tjera, si joga, në Indinë e lashtë: se aktiviteti njerëzor, edhe kur kryhet në mënyrë të pavetëdijshme, mund të analizohet me sisteme rregullash eksplicite dhe se, duke i kryer pastaj ato aktivitete duke e ruajtur vetëdijen e rregullave që i qeverisin, sjell me vete vlerë religjioze.” Të interesuarit mund të lexojnë edhe këtë artikull të gjatë po të Kiparsky-t: On the Architecture of Pāṇini’s Grammar.

[5] Këtu dhe gjetiu, autori nuk merr parasysh se sanskritishtja, ashtu siç e njohim sot, është gjuhë letrare, e kultivuar dhe e pasuruar nëpërmjet lëvrimit me shkrim; krahasimi i sanskritishtes vedike me atë klasike ndihmon për të kuptuar kahun e ecurisë së gjuhës, por gjithsesi jo aq sa të rindërtohet me siguri të plotë sanskritishtja “gjenuine”. Ka madje sanskritologë që e konsiderojnë sanskritishten gjuhë artificiale, diçka si latinishtja mesjetare, të përpunuar për nevojat e kulturës së lartë, por me lidhje të dobëta me modelin origjinal. Sado të ketë dashur Zheji që t’i shpërfillë këto karakteristika të sanskritishtes, ato ngrenë peshë madje edhe për qasjen inerte që ai ka zgjedhur, e cila i sheh fjalët sanskrite si shifra.

[6] Arsyetimi i autorit, se “sistemi i gjuhës shqipe e përfshin atë të gjuhës sanskritishte, e pra, rrjedhimisht, është më i lashtë nga ai” (I, 28) nuk më duket i bazuar; njëlloj mund të “argumentohet” (me metodën e Zhejit) se “sistemi i gjuhës sanskritishte e përfshin atë të gjuhës shqipe”. Në fakt, të dy gjuhët kanë të përbashkëta dhe dallime; sidoqë ta rrotullosh, sanskritishtja – gjuhë e një produksioni letrar, kulturor dhe fetar jashtëzakonisht të pasur – ia detyron larminë e vet mbresëlënëse sa gjërave që ka trashëguar nga trungu indoeuropian aq edhe zhvillimeve të brendshme në rrjedhë të shekujve. Veç kësaj, që sistemi i shqipes e përfshin atë të sanskritishtes, kjo është çfarë Zheji synon të provojë; prandaj e njëjta tezë nuk mund të shërbejë njëherazi si justifikim i objektit të studimit.

[7] Me “morfologji” kam këtu parasysh edhe sistemin e ndajshtesave (si parashtesa dhe prapashtesa). Nuk jam në gjendje të konfirmoj, por as të kundërshtoj, që analizat e fjalëve sanskritishte, nga autori, marin parasysh dhe respektojnë kufijtë e morfemave fjalëformuese të sanskritishtes.

[8] Nga mënyra si e shndërron sintagmën pseudo-shqip ba ar shtij atje ku ari asht shti, kuptohet edhe se ai nuk njeh, ose ka vendosur haptazi të shpërfillë edhe gramatikën e shqipes. Kjo ba ar shtij nuk është shqip dhe as është ndeshur ndonjëherë në ndonjë tekst të shqipes – për fat të keq (të lexuesit), hulumtimi i Zhejit përmban një numër papranueshëm të madh kombinimesh të tilla glosolalike.

[9] Me meta-gjuhë kam parasysh një formë gjuhe përfshi edhe terminologjinë, që përdoret për të përshkruar ose analizuar një gjuhë tjetër. Meta-gjuha mund të përdoret edhe për të përshkruar vetveten, p.sh. te një gramatikë e gjuhës shqipe, e shkruar në shqip. Por te një libër anglisht me titullin Albanian Grammar, anglishtja është meta-gjuha që përdoret për të analizuar shqipen. Mbi këtë premisë, meta-gjuha e Petro Zhejit është shqipja e përdorur prej tij në libër dhe aparati përkatës terminologjik dhe konceptual, që gjen shprehje në këtë gjuhë. Po të përkthehet libri në frëngjishte, kjo do të ishte edhe meta-gjuha, por pa e ndryshuar objektin e studimit, që mbetet shqipja.

10 Komente

  1. Per mua eshte mjaft e qarte. Disa konsiderata te natyres ezoteriste nuk mund te improvizohen ne nje displine qe eshte konsoliduar prej gati dy shekujsh.

  2. Gjuha e shkruar është në një farë mënyre e kapur, e ngrirë në letër dhe qendron e tillë me kohë.
    Kurse një gjuhë e folur ndryshon duke ndjekur veçse veten, evoluimin e saj të brendëshëm. Imagjino shqipen kurrë të shkruar, e Sanskrit-in të shkruar kaq hershëm.

    Një aspekt domethënës është, që bazuar në gjuhësinë krahasuese dhe historike, shqipja në bazë të “cognates” del të jetë e mevonshme në trungun indoeuropian, krahasuar me Sanskrit-in, që rezulton fort e paqartë nëse është transliterim i saktë i oralitetit të shumë fiseve të përziera të Indisë, shumë më parë se shqipja të shkruhej, apo të jepte shenjat minimale të një gjuhe të transliteruar. Pra ka një kontradiktë inerente në renditjen kohore të shfaqes së një gjuhë. Zakonisht gjuhët e shkruara janë të dominuara nga forma gjuhësore orale më të herëshme, që në shumicën e rasteve mbeten të panjohura, kanë humbur në mugëtirën e kohës.

    Tani duke ndryshuar kronologjinë, që është gjëja më e natyrëshme, me shqipen duhet të ketë ndodhur i njëjti fenomen siç ka ndodhur me gjuhën letrare të shkruar latine, krahasuar me “romance languages”, e që varet nga ndryshimet kulturore, sociale të popullsive, që i flasin dhe kontributi i individëve të veçantë në to.

    Shqipja e folur është transferuar, transmetuar në kohë nga njerëz, që letrarisht nuk mund të edukoheshin në shqip, sepse mbeti thjesht e folur. E gjuha e folur një gjë ka të sigurtë, që nuk mbetet statike si gjuha e shkruar, apo gramatika e saj. Në këtë situatë s’mundet të krijojmë idenë më të vogël se si është folur ajo, që është shqipja e sotme.

    Gjuhësia e krahasuar dhe ajo historike funksionon në logjikën e krahasimit të stadeve evolutive të gjuhës. Sanskritishtja tashmë ka mbi njëmijë vjet, që në një farë mënyre ka mbetur e ngrirë në kohë në tekstet, që janë trashëguar në ditët e sotme, e si e tillë s’mund të reflektojë ndryshimet evolutive, të padallueshme të gjuhës së folur, kështu që mbetet një reflektim inferior i gjuhës së folur. E për ne mjafton të kujtojmë që shqipja është shkruar intensivisht vetëm në dy-tre shekujt e fundit.

    Pra linguisti komperativ vëzhgon rezultatet e ndryshimeve dhe jo ndryshimet, proçesin në vetvete. Siç përmënd Ardiani në shkrimin e tij, Zheji nuk merret me aspektet që janë përgjithësisht statike të gjuhës siç janë normat gramatikore, sintaksa, e rregullat e përgjithëshme të saj. Por merret me fjalën, e në mënyrë naive me fjalëformimin duke çnatyralizuar të dy krahët e ekuacionit në të cilin ai ka vënë shenjën e barazimit(sanskritishtja vs shqipja e sotme). E mjafton një shëmbull nga anglishtja koloniale, ku anglishtja e folur që tashmë prej asaj kohë është kthyer “common language” në shumë vënde, ndryshon në mënyrë të dukëshme, siç është rasti i anglishtes së Amerikës, që ka vetëm dy shekuj e gjysëm prej Deklaratës së Indipendencës.
    Më pëlqen kapja kryesore e shkrimit të Ardianit, që leksiku bashkohor i një gjuhe si shqipja, s’mundet kurrësesi të shërbejë si metalanguage, aq më tepër për një gjuhë tjetër, e ndarë në mënyrë të dallueshme në trungun e IEP, mijëra vjet më parë, e nga ana e evoluimit kulturor, fetar e social s’kanë aspak përngjasime.

    Është problematike marrja me librat e Zhejit, sepse ka një grup militant “followers”, deri në fanatizëm, e ka krijuar imazhin e një Savant-i të pacënueshem.

    1. Qe ne fillim te komentit tend thua dicka te pavertete (te pakten nga te dhenat e fundit shkencore): “…bazuar në gjuhësinë krahasuese dhe historike, shqipja në bazë të “cognates” del të jetë e mevonshme në trungun indoeuropian, krahasuar me Sanskrit-in”. Studimi i fundit shkencor i botuar ne revisten “Shkenca” e nxjerr gjuhen Shqipe si gjuhen Indoevropiane me te vjeter akoma te folur, fakt qe perkon me perfundimet e studimit te Petro Zhejit. Per sa i perket vepres se tij, une nuk di te kete ndonje oponence shkencore serioze, pervec shrimeve siperfaqesore si ky ne fjale. Autori i ketij shkrimi, qe pretendon se Zheji nuk e njihte gjuhen sanskrite, i ben kritike vepres se tij, duke mos e njohur as vete kete gjuhe. Pra kontestatoret e Zhejit eshte mire ti bejne nje OPONENCE serioze shencore vepres se tij dhe mos te mjaftohen me disa rrjeshta neper rrjetet sociale.

      1. Studimi i botuar në “Science” është një nga qindra studimet që botohen çdo vit, për zanafillën e gjuhëve indoeuropiane.

        Ka teori të ndryshme, dhe hipoteza të ndryshme.

        Sa për veprën në fjalë, mirë do të ishte që ta shqyrtonte një sanskritolog – por unë nuk njoh asnjë të tillë, në hapësirën ku ka qarkulluar studimi i Petro Zhejit. Ju njihni njeri?

        Pëndryshe kjo do të ishte mbrojtja më qesharake që i është bërë veprës “Shqipja dhe sanskritishtja” ndonjëherë – nëse nuk di sanskritisht, nuk mund t’ia bësh oponencën.

        Më falni për shprehjen, po çfarë lesh argumenti është ky?

        Vini në diskutim kompetencën time për të shkruar rreth librit në fjalë, dhe reth temës në përgjithësi. E quani shkrimin tim “sipërfaqësor”. Atëherë po ju pyes edhe unë: me ç’titull i lëshoni këto gjykime?

        (Në Facebook i vetmi Ergys Balluku që gjej është jurist!)

        Përpiqeni ta minimizoni vlerën dhe peshën e shkrimit tim, duke e quajtur “disa rreshta në rrjetet sociale”. Shpëlajeni gojën, zotëri: Shkrimi im ka dalë në një revistë kulturore – Facebook-u vetëm sa e ka lajmëruar. Mos u nisni të poshtëroni dikë, ngaqë ka thënë diçka që nuk përkon me bindjet tuaja. Mësoni të ndërtoni argumente, para se të argumentoni.

        Unë autori i shkrimit besoj se i kam kredencialet në rregull: kam bërë aq shkollë, në Shqipëri dhe gjetiu (jam gjuhëtar i specializuar), sa të mund të flas, me bindjen se kolegët të paktën do të më lexojnë. Po ju çfarë jeni, që shqiptoheni për mua dhe për gjërat që unë shkruaj?

      2. Pa hyrë në një debat të panevojshëm, Ergys, të këshilloj ta lexosh edhe një herë artikullin në “Science”. Kushtoi vëmendjen që duhet, për të arritur në një kuptim më të saktë të qellimit / metodologjisë / konkluzioneve të studimit.

        Përmëndja e shqipes, në “samples” e gjuhëve të konsideruar në studim, s’ka të bejë shumë me marrëdhëniet e gjuhëve me njera-tjetrin, por në studim konsiderohen një numër të ndryshëm faktorësh shtesë duke marrë shkas nga shkencat bio-antropologjike, e që e spostojnë më thellë në kohë shfaqen e gjuhëve indo-evropiane. As edhe tentohet të ndryshojë, apo të shpjegojë gjë rreth renditjen së shfaqjeve/shkëputjeve të gjuhëve IEP, e cila thjesht për qëllime ilustruese shfaqet si një pemë me degëzime(që në fakt s’është.gjë tjetër veçse një.”flowchart”.

        Edhe një herë, po e theksoj: studimi tenton të bëjë një revizionim të kohës të shfaqjes së gjuhëve indo-evropiane. Shtyn më në thellësi vjetërsinë evolutive të gjuhëve IEP.

        Habitem si Zheji, nuk përgatiti asistentë, disa dishepuj të tij siç bëri Sokrati, që na la Platonin, që të mund ta bënte teorinë e tij më të përtypëshme, të pranueshme për gjuhëtarët e tjerë, e jo vetëm shqiptarë; por nga ana tjetër shumë të kuptueshme, të pranueshme “a priori”, për masën entuziaste të njerëzve, fansave të tij, që fatkeqësisht se kanë haberin nga linguistika.

        E në fund Zheji s’ishte një linguist, por ishte thjesht një përkthyes. Autodiktatësia e tij, nuk e bën medoemos një linguist serioz.

  3. Pra, sipas Zhejit, sanskritishtja shpjegohet me ane te shqipes, por, ndryshe nga italishtja ne raport me latinishten (per shembull), nuk rrjedh historikisht prej saj. Po atehere – se vertet nuk e kuptoj – si mund te shpjegohen ngjashmerite e supozuara mes dy gjuheve, nese jo historikisht! Apo ndoshta shqipja konceptohet si nje lloj modeli jashtekohor platonik dhe sanskritishtja (apo gjuhet e tjera) si derivate te saj ne nje plan ekzistencial me te ulet. Teper mistifikuese dhe ezoterike ngjan e gjitha kjo, pa asnje lidhje me mendimin racional, pale pastaj me metoden e gjuhesise historike.

  4. Tashme besoj se eshte common knowledge se persa i perket origjines se fjaleve shqipja nuk ka shume mistere .Eshte nje gjuhe me rreth 10% te fondit origjinal indoeuropian , te tjerat jane huazime nga gjuhe te ndryshme.Mister megjithate mbetet mekanizmi transformues i shqipes e cila fjale me origjine latine i ka shnderruar ne fjale qe duken si origjinale shqipe.Kot per kuriozitet si ndihen turbo albanologet ndaj baskeve gjuha e te cileve nuk ka lidhje fare me asnje nga gjuhet e tjera europiane e ka gjasa qe te jete gjuha qe kane folur sefte njerezit kur jetonin ne shpella?

      1. Nga studiues te ndryshem qe kam lexuar te cilet by and large bien dakord se shqipja eshte nje gjuhe thellesisht e latinizuar me rreth 10-12% te leksikut te saj origjinal dmth te fondit te lashte indoeuropian sepse edhe ato fjale qe i quajme origjinale gjenden edhe ne gjuhe te tjera por me kuptime te ndryshme, e cila shpetoi prej latinizimit te plote prej dyndjes se sllaveve ne Balkan.Une besoj se shqipja eshte pjesa qe i shpetoi asimilimit e nje gjuhe e cila flitej ne nje territor me te gjere se sa territoret e sotme te banuara nga shqiptaret.

        1. Varet se cilin ke lexuar. Se po te kesh Xylander-in raporti i fjaleve te vendit me te huajat eshte 50% me 50%; po te kesh lexuar Meyer-i vetem 7.77% jane fjale vendi, por sipas Mann-it kjo shifer eshte pesefish me e madhe, pra rreth 40%; per Meyer-Lubke eshte 10%, per Nahtigal 14.2%, etj. Prandaj lexo me mire Cabeun qe, bashke me Demiraj, eshte studjuesi me serioz e me i thelle i shqipes. Sipas tij ne nje kampion te studjuar prej 1424 fjale te shqipes, 667 ose 46.5% jane fjale vendi ndaj 757 ose 54.4% fjale te huazuara. Dhe gjithe kjo pa marre parasysh plotesisht gjithe fondin e lentimeve te reja mbi bazen e gurres popullore gjate periudhes socialiste. Sic e sheh, perkunder absurditetit te akuzave ndaj Cabejt prej Dalipaj e Co , ai , Cabeu pra, i ka kthyer shqipes dhjetra e dhjetra fjale, qe padrejtesisht ishin konsideruar huazime.

          Qe nje fjale e shqipes eshte e ngjashme me nje fjale te nje gjuhe tjeter IE nuk do te thote apriori se eshte huazim, por se jane te ngjashme ngaqe rrjedhin nga i njejti burim, si psh ‘motër’ nuk eshte huazim me qe ngjan me ‘mater, mutter’, etj.

          Eshte shume sempliste te thuash se sllavishtja paska shpetuar shqipen nga asimilimi latin apo qe turqishtja e paska shpetuar nga asimilimi sllav. Psh, si do ta shpjegoje faktin ,qe nga gjithe ai areal stermadh ilir, prej Danubit deri tek helenet, gjuha e tyre mbijetoi vetem perafersisht ne zonen ku sot jetojne shqiptaret? Une mendoj se per hir te faktit historik se vetem ne iliret e jugut ishin krijuar mbreteri ilire para pushtimit romak, qe ndikuan ne ngjizjen e kompaktesimit e elemetit vendas, e qe per pasoje ne nje rezistence shume me te larte ndaj asimilimit teresor latin. Gjerat jane shume me komplekse , te ndikuara nga shume me teper faktore se sa kujton nje amator, qe pas leximit te librit te pare guxon te jape konkluzione.

          Po keshtu, qe shqipja qenka lindur diku ne thellesi te gadishullit meqe paska pak huazime nga greqishtja e vjeter. Po pse duhet te kishte me teper, ose më mire pse duhet te kishin mbijetuar me teper? Pse nuk ka edhe rumanishtja huazime te vjetra greke, shqipja ka nja 30-35 te tilla, po rumanishtja vetem 3 a 4? Nuk gjykohet keshtu me nje te hedhur te syrit, te pakten pa lexuar kunderargumentat e Cabeut ndaj Weigand-it.

          Kur Vehbiu kerkon qe diskutimet te behen ketu ne PTF, jo ne Fb, do te thote se ketu ka seriozitet, jo hidh e prit si ne Fb; ketu dalipologet jane si peshku ne zall, nuk jane si para nje turme paditur, qe manipulohet me patriotizma kallpe. Nuk jemi te gjithe profesioniste si Demiraj i riu apo Vehbiu por ama perpiqemi te arsyetojme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin