LEIBNIZ-I MBI SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT (I)

nga Bardhyl Demiraj
(LMU/München)

Jemi mësuar ta lexojmë dhe citojmë shpesh si filozofin gjeni apo gjeniun filozof, i cili me intuitën e vet të pazakonshme përsiati prejardhjen ilire të gjuhës shqipe; më tej si nxitësin e hulumtimit diakronik të shqipes; dhe po në cilësinë e gjuhëtarit historian edhe si debutuesin e suksesshëm në studimin etimologjik të kësaj gjuhe. Sigurisht që për gjithë këto vlerësime lexuesi shqiptar i detyrohet së pari Faik Konicës, i cili atëbotë (1897[1]) nuk u mjaftua vetëm të përcjellë në shqip vjeljet e mëhershme të albanologëve të huaj, por me ambicien dhe përkushtimin e tij të zakonshëm qëmtoi dhe plotësoi analet e historisë së albanologjisë me aktivitetin epistolar të enciklopedistit. Kjo trashëgimi i ka zgjeruar ndërkohë përmasat e saj, thjesht dhe vetëm sepse përkon me rrethanën fatlume që fondi i shkrimeve të tij sa vjen e plotësohet gjithnjë e më shterueshëm[2], duke u bërë në kohën tonë pronë e rretheve intelektuale e shkencore. Është pikërisht kjo rrethanë që na lejon tash të njohim lexuesin e Peizazheve me një fushë ende të panjohur në qerthullin e interesave të shumanshme të filozofit, të gjuhëtarit e njëherësh të enciklopedistit gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz, bash me syzimet e tij lidhur me çështjen shqiptare në fund të shek. 17-të.[3]

Njohjet e para të Leibniz-it me botën shqiptare   

Të dhëna sporadike mbi Shqipërinë dhe shqiptarët i hasim qysh në shkrimet e para të Leibniz-it (mars 1672), e këto lidhen kryekëput me interesin e tij enciklopedik. Këto informacione i përcjellim të shpërndara në studimin me titull “Consilium Aegyptianum”, sidomos në kreun e 15-të të pjesës II të “Justa dissertatio” në rubrikën „De christianis in Turcico Imperio agentibus“, ku autori, duke bërë një përqasje të përmbledhur mbi popujt e krishterë në perandorinë osmane[4], nuk ngurron të vërë theksin mbi popullsinë katolike shqiptare në zonat malore të Epirit dhe të Ilirisë, e cila mund dhe duhej të fokusohej në luftën ballore kundër Portës së Lartë[5]. Sipas tij, kjo popullsi – falë konfiguracionit të ashpër të terrenit e jo më pak në sajë të karakterit të saj gjysmë të egër – nuk i ishte nënshtruar ende sa e siç duhej atëbotë sundimit osman, madje priste vetëm një sinjal prej Perëndimit për të ngritur krye ndaj pushtuesit turk.

Të dhënat mbi popullsinë shqiptare Leibniz-i i paska fituar gjatë leximit të një traktati mbi Beglerbegun e dikurshëm të Rumelisë që e paskësh hartuar dikur Gjon Bruni (= Johannes Brunius). Sipas Leibniz-it, ky autor de natione albanus[6] i cilëson bashkatdhetarët e tij si të regjur tashmë në punë armësh, por edhe me një shpirt gjithherë luftarak e kryengritës, aq sa vetë turqit iu frikuakan atyre për më të keqen. Kjo sepse ata nuk lënë rast pa dalë kundër, madje nuk mungojnë të sajojnë vetë shkase spontane për të ngritur krye, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe ndërmarrjet plaçkitëse me armë. Gjithsesi Bruni nuk heziton të shtojë në traktatin e vet se do të gaboheshin rëndë të gjithë ata që do të besonin se kjo popullsi do të mund t’ia dilte mbanë vetë asaj lufte, pa pasur mbështetjen e duhur prej perëndimit. Sipas Leibniz-it, kjo premisë vlen përgjithësisht për gjithë popujt e nënshtruar prej turqve, të cilët janë zhveshur prej çdo lloj pasurie, por që do të mund të mobilizohen menjëherë, sapo të vërejnë se si shkëlqejnë armët e Perëndimit të krishterë në logun e perandorisë[7].

çështja shqiptare, pjesë e planit për mënjanimin e rrezikut turk prej Evropës

Ndërmarrje intensive dhe të drejtpërdrejta me çështjen shqiptare arrijmë t’i izolojmë rreth 16 vjet më pas, pikërisht në periudhën e qëndrimit në Vjenë, kur Leibniz-i ynë rreket të zgjojë vëmendjen dhe interesin e oborrit perandorak të Habsburgut, bash sipas motos: “…bey einem grossen Potentaten sich weit andere Gelegenheiten zu nützlichen Verrichtungen finden.” “…te një i plotfuqishëm gjenden mundësi tejet të ndryshme për ndërmarrje të dobishme.”[8]

Prashtu rënia e Beogradit (6 shtator 1688) në duart e ushtrisë perandorake i jep atij shkas t’i drejtohet personalisht perandorit Leopold I me një memorial: “Leopoldus Primus Austriacus Imperator turcas Europa divulsos opprimet armis” (Perandori austriak Leopoldi i dëbon me forcën e armëve turqit prej Europës[9]), në të cilin ai krahas këshillës për të vijuar ofensivën ushtarake deri në zbythjen përfundimtare të osmanëve prej Ballkanit, shtjellon me argumente mbushamendëse si pozitën e favorshme strategjike ashtu edhe përparësitë politike-ekonomike që do të mundësonte marrja në zotërim e pjesës perëndimore të gadishullit prej perandorisë së Habsburgut. Është kjo arsyeja që edhe botuesi i atij vëllimi e cilëson këtë memorial – në versionin e dytë të tij[10] – me  nëntitullin: „De Albania occupanda“ (Për pushtimin e Shqipërisë), meqë në të bëhet fjalë pikërisht për çështjen shqiptare, përkatësisht për trevat shqiptare, të cilat duhej të rrokeshin herët a vonë brenda kufijve të perandorisë.

Pas një operacioni të qëlluar gjuhësor lidhur me etimologjinë e toponimit <Beograd> (= Bello|grad *“qytet i bardhë”) Leibniz-i përqendrohet që në fillim me paraqitjen e historisë së larmishme të zonës së ashtuquajtur <Albania>, duke bërë një digresion kronologjik që ngërthen gjithë periudhën e antikitetit e vijon deri në mesjetë, kur gjëllinte atëbotë në trojet shqiptare heroi legjendar Skënderbeu. Vetëm pas vdekjes së tij, në gjysmën e dytë të shek. të 15-të, ky vend nuk ia doli më mbanë t’u bënte ballë hordhive turke, duke rënë kështu përfundimisht nën sundimin osman. Tashmë – përsiat Leibniz-i – Habsburgu duhet ta shfrytëzojë rastin fatlum të thyerjes së ushtrisë turke në portat e Beogradit për të ngërthyer në trevat e perandorisë edhe këtë “vend të mrekullueshëm” përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit. Një ndërmarrje të tillë e motivon, sipas tij, ndër të tjera:

  • Pushtimi i shërben jo thjesht dhe vetëm interesave të Habsburgut, por edhe fateve të krishtërimit në përgjithësi.
  • Në ridimensionimin që pritej të përjetonte gjeografia politike e Europës ngadhënjimi i trojeve shqiptare do t’i mundësonte superfuqisë austriake të kohës një pozitë të përshtatshme strategjike, meqë ky vend jo rastësisht shtrihej përballë Italisë, përkatësisht shumë më në jug se sa trevat e republikës detare të Venedikut. Shqipëria mundësonte kështu kushte optimale për përftimin e një fuqie të re detare, e cila do të vinte nën kontroll qarkullimin e flotës perandorake nga Gadishulli i Istries deri në jug të bregdetit dalmat.
  • Bregdeti shqiptar ofronte gjithashtu hapjen e rrugëve të reja detare në shkëmbimet tregtare, veprime që atëbotë kufizoheshin në portin të Triestes, i cili për vetë pozitën e tij, të fshehur në skajin më verior të gjirit të Adriatikut, e pengonte atë liri të nevojshme komunikimi tregtar që do ta mundësonin portet në bregdetin shqiptar. Për më tepër, brigjet shqiptare të Adriatikut do të mund të shfrytëzoheshin edhe nga zona të tjera të perandorisë, si p.sh. Hungaria, duke bërë kështu të mundur intensifikimin e lidhjeve të brendshme tregtare me Danubin.
  • Zhvillimi i tregtisë e sidomos popullimi i gjithë rajonit me kolonë të huaj do ta shndërronte këtë zonë në një ndër rajonet më të bukura e të pëlleshme në të gjithë perandorinë.
  • Leshi i bagëtive në Shqipëri si lëndë e parë e shumëkërkuar në tregjet e Evropës nuk mbetej prapa në cilësi ndaj atij spanjoll, andaj duhej shfrytëzuar edhe kjo rrethanë që të normalizohej tregtia i këtij malli me vlerë në tregjet evropiane.
  • Shqiptarët ishin ndërkohë të mirënjohur si luftëtarë besnikë dhe të zotë. Mercenarët që do të mund të rekrutoheshin aty – pasi të kishin mësuar artin dhe disiplinën ushtarake perëndimore – do të bëheshin një faktor vendimtar në ndërmarrjet e ushtrisë perandorake.

Gjithë këto përsiatje, të cilat shumëkush sot do t’i perceptonte në mënyrë spontane si pjellë e politikës kolonialiste evropiane të kohës, kërkojnë padyshim një hulumtim shterues në rrafshin social-historik, sepse i paraprijnë në kohë zhvillimeve politike-ushtarake që përjetoi Ballkani Qendror dhe Perëndimor në fund të shek. të 17-të përgjatë Luftës së Madhe Austro-Turke, luftë së cilës iu bashkua edhe popullsia katolike shqiptare e Veriut e që nxiti të ashtuquajturin “ekzod tragjik” të popullsive të krishtera të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit[11]. Në pamundësi të shtjellojmë më tej këtë rrethanë, çka parakupton edhe punën e autoritetin e specialistëve të fushës, lejohemi që në vijim të studimit tonë të përqendrohemi kryesisht në pamjen kulturore-historike të këtij memoriali, gjë të cilën Leibniz-i e parashtron përmbledhtas bash në hyrje të memorialit të tij[12]. Kështu:

  • Leibniz-i shkruan se <Albania> (= Shqipëria) me kryeqendrën e saj urbane Albanopolis-in përmendet si e tillë qysh në kohën gjeografëve të vjetër[13], por atëbotë ky toponim emërtonte një krahinë të vogël malore. Duke iu referuar historianit bizantin Johannes Cantacuzenus, Leibniz-i shton më tej se populli luftarak i shqiptarëve gjatë periudhës së sundimit bizantin i zgjeroi kufijtë e vet, duke e përhapur këtë emër sa me forcën e armëve aq edhe me famën e tij luftarake edhe mbi popujt fqinjë. Ky emër ngërthente atëbotë pjesën e Maqedonisë antike që shtrihet deri në Adriatik, gjithashtu edhe në një pjesë të Epirit, e sidomos në atë zonë që romakët e emërtuan dikur Epirus Nova, pasi ua kishin shkëputur më parë ilirëve, duke e shpallur atë patëkeq si provincë romake. Ndër qendrat kryesore urbane që ngërthejnë ndërkohë këto troje, Leibniz-i numëron ndër të tjera: Durrësin (Dyrrachium), Shkodrën (Scodra), Krujën (Croja – selia e Skënderbeut), Vlorën (Valona) etj.
  • Sipas Leibniz-it është fjala këtu për ata popuj që u dalluan në shekuj për famën e tyre luftarake. Këtu gjëllinin pikërisht ata popuj që nën Aleksandrin e Madh ngadhënjyen ushtrinë perse, duke i shtyrë kufijtë e perandorisë deri në Indi. Në këtë krahinë sundoi për do kohë edhe mbreti i Epirit, Pirro, i cili imitoi pararendësin e tij, Aleksandrin e Madh, duke luftuar me sukses kundër romakëve. Por më vonë, kur e gjithë kjo zonë u bë pjesë e perandorisë romake, ra heshtja e rëndë për popujt e saj të nënshtruar, aq sa edhe emrat e tyre nuk u përmendën më. Emri i shqiptarëve erdhi e u rishfaq në historinë europiane sidomos kur në Ballkan ia behën turqit, kundër të cilëve u dallua Gjergj Kastrioti, që turqit e njohën si <Scanderbeg>, sipas emrit të Aleksandrit të Madh.

Pjesa hyrëse e këtij memoriali përmbyllet me informacione deri diku të hollësishme mbi: a) historinë e lavdishme të Gjergj Kastriotit, të cilën Leibniz-i e kish lexuar në “veprën e jashtëzakonshme” të humanistit shqiptar Marin Barleti; b) karrierën e shkëlqyer ushtarake të dy shqiptarëve: Mehmet Qyprilliu (kryevezir i perandorisë më 1656) dhe djali i tij Ahmeti, i cili në vitet 1663-1664 pushtoi Hungarinë; si edhe c) famën e mercenarëve shqiptarë që shërbenin si kalorës në gardën perandorake osmane (jeniçerët), ose në ushtrinë e Republikës së Venedikut (it. capeletti).

Facit: Një rast i parë i ndërlikës së shkencës me politikën

Njohja e lexuesit të Peizazheve me këto prurje “të panjohura“ të eruditit gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz mundëson  rivlerësimin e vendit të tij në historinë e albanologjisë. Asgjëmangut ato hapin një dritare të re në hulumtimin historik dhe interpretimin e disa dukurive politike e sociale që përjetoi Shqipëria dhe Ballkani Qendror e Perëndimor në fund të shek. XVII. Gjithsesi. ajo çka na intereson njëlloj është edhe një dimension i ri që ndërmjetëson njëherazi tipare të karakterit njerëzor të Leibniz-it – pra jashtë qenësisë së tij si enciklopedisti i fundit në mendimin intelektual botëror (!!!) –, bash ashtu siç është tash rasti me synimin e tij  me ngadhënjyer një pikë kulmore në karrierën e vet personale si këshilltar i sunduesit të plotfuqishëm të asaj kohe, e në bashkëlidhje me këtë me plotësuar dëshirat dhe planet e veta afatgjata në aktivitetin shkencor-intelektual, meqë – ja ashtu!!! – siç mëton edhe vetë “…tek të plotfuqishmit [= sponsorët !?!? – B.D.] e mëdhenj gjenden mundësi nga më të ndryshmet për ndërmarrje [= projekte – BD] të dobishme.”

Prekim në këtë rast, si pikë të fundit të këtij shkrimi, një temë, e cila po fiton gjithnjë e më shumë terren në debatin shkencor të kohës sonë, pikërisht atë ndërvarësi të supozuar në marrëdhëniet midis kërkimit shkencor (albanologjik) dhe politikës, përkatësisht të asaj pakete ideologjike të një vendi që ka mbështetur ase mbështet me rrugë institucionale këtë kërkim. Fokusin e këtij diskursi shkencor-historik e përjetojmë ndërkohë të lëvruar bindshëm sidomos në disa analiza të studiuesve austriakë lidhur me marrëdhëniet ndërmjet albanologjisë austro-hungareze dhe një lloj planifikimi të mundshëm për hegjemoni dhe ekspansion politik, ekonomik e kulturor të Derës së Habsburgut në Shqipëri në gjysmën e dytë të shek. XIX e deri në fund të Luftës së Parë Botërore, një periudhë kjo që u shoqërua me mbështetjen dhe mbarëvajtjen në vazhdimësi të kërkimit shkencor albanologjik në disa universitete në Vjenë, Grac, Budapest e Pragë, apo me themelimin Komisionit Ballkanik në Vjenë (Balkan-Kommission – 1897) dhe të Institutit Ballkanik në Sarajevë (Balkan-Institut – 1908)[14]. Bëhet fjalë gjithashtu për një periudhë, kur sidomos Shqipëria e Veriut me bashkësinë katolike shqiptare u ngërthye në suazën e të ashtuquajturit Protektorat Kulturor të Monarkisë së Dyfishtë; pra në një periudhë, kur u formësua në kuptimin e mirëfilltë të fjalës albanologjia (austro-hungareze) si shkencë komplekse në thuajse të gjitha disiplinat e saj (: gjuhësi, histori, gjeografi, e drejtë zakonore, kulturë popullore, arkeologji, antropologji etj.), e për më tepër në një periudhë, kur studiuesit e mirëfilltë, përpos kërkimit shkencor mendohet se mund dhe duhet t’i kenë shërbyer në një mënyrë a një tjetër edhe interesit politik, ushtarak, ekonomik dhe kulturor të të ashtuquajturit ’imperializëm (in)formal’ në kuadrin e të po-sëashtuquajturës ’dhunë strukturore (në periferi)’ që ka gjasë të ketë ushtruar ai sistem shtetëror, në të cilin dhe për të cilin shërbenin. Bëhet fjalë pra për një strategji politike-ushtarake dhe ekonomike apo një ndikim të programuar kulturor afatgjatë të Austro-Hungarisë në trevat shqiptare, të cilët u shoqëruan më pas me pushtimin e pjesës më të madhe të trevave shqiptare prej Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore (1916-1918).[15]

Në fokusin e kësaj perspektive studimi janë përfshirë ndërkohë prurjet e studiuesve të mirënjohur në albanologji si: Johann G. v. Hahn (konsull në Janinë), Theodor A. Ippen (konsull në Shkodër), Milan Šufflay, Josef Konstandin Jireček, Ludwig v. Thallóczy, Franz Baron Nopcsa, Karl Patsch, Franz Seiner etj., madje duke mos kursyer këtu as gjuhëtarë albanologë sa të mirënjohur aq edhe të pamëkat si Gustav Meyer, Norbert Jokl, Maximilian Lamberz, Gjergj Pekmezi, Rajko Nahtigal etj. Sa kanë qenë këta studiues të vetëdijshëm për këtë ndërlikë të shkencës me politikën, përkatësisht në ç’masë i ka shërbyer njëri apo tjetri me ose pa vetëdije asaj politike hegjemoniste të një superfuqie të kohës (?), janë këto çështje që i kapërcejnë caqet e debatit të mirëfilltë albanologjik, sa kohë që angazhimi social dhe aktiviteti intelektual i njërit apo tjetrit studiues ruan parametrat e kodit moral dhe etik të kërkimit shkencor për kohën, në të cilën dhe për të cilën kanë vepruar. Parë nga kjo perspektivë edhe aktiviteti shkencor-intelektual dhe angazhimi politik i Leibniz-it për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjuhën e tyre fiton edhe me shumë kuptim, edhe pse  memorandumin e tij e përcjellim sot me titullin e pagëzuar për herë të dytë “De Albania occupanda”.

(vijon)

(c) 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Faik Konica : L’opinion de Leibniz sur la langue albanaise, në: “Albania” 3 [1897] 41-3.

[2] Ndër burimet dokumentare ku jemi mbështetur në këtë shkrim dallojmë: Leibniz, G. W.: Sammelschriften und Briefe (= Sammelwerke) Seria IV:  Politische Schriften, bl. 1. (1667 –1676). Preußische Akademie der Wissenschaften, Otto Reichl Verlag, Darmstadt 1931; bl. 3. (1677 –1689). Zentralinstitut für Philosophie an der Akademie der Wissenschaften der DDR, Akademie Verlag, Berlin 1986.

[3] Ky shkrim rrok përmbledhtas pjesë të dy punime të mëparshme të autorit mbi rolin e Leibniz-it në historinë e Albanologjisë si shkencë komplekse rajonale, khs.: B. Demiraj: Leibniz’ Stellung in der Geschichte der Albanologie. Në: Festschrift für Wilfried Fiedler, Hamburg 2005, f. 13-31 dhe Shqipëria dhe shqiptarët në oborrin e Habsburg-ut – një rast i parë i ndërlikjes së shkencës me politikën. Në: „Seminari XXXIV ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Prishtinë më 17-28 gusht 2015“, Bd. 1. Prishtinë 2015, S. 15-26.

[4] Leibniz, Sammelwerke, seria IV, bl. 1, f. 331-7.

[5] Po në këtë shkrim, në rubrikën „De primo Visiro“ (f. 324-6), Leibniz-i bën një paraqitje të gardës së jeniçerëve, që drejtohej atëbotë nga kryeveziri Qyprilliu „me kombësi shqiptare ose bosnjake“ dhe që kish në përbërjen e saj kryesisht mercenarë shqiptarë.

[6] Enigmën e këtij traktati sikurse personalitetin e autorit të tij e ka zgjidhur ndërkohë mjeshtërisht Noel Malcolm: An Unknown Description of Ottoman Albania… RÉSEE (53) 1-4 [2015] 71-95.

[7] Shih shën. 2 (f. 337).

[8] Për një bashkëlidhje të këtyre shkrimeve me interesat private të Leibniz-it shih së fundi Hirsch 2000 221vv.

[9] Leibniz, Sammelwerke, seria IV, bl. 3, f. 27 – 38.

[10] Ky memorial ruhet sot në dy versione, të cilat përcjellin në instancë të fundit një qëllim të përbashkët, veçse në strukturë dhe përmbajtje nuk përkojnë thuajse aspak me njëri-tjetrin.

[11] Shih së fundi Noel Malcolm (: Kosovo. A Short History, London – New York 1998 30vv.), i cili vë në dukje rolin e Pjetër Bogdanit, atëbotë arqipeshkv i dioqezës së Shkupit, në mobilizimin e fiseve katolike shqiptare (= klementinase) të Veriut.

[12] Leibniz, Sammelwerke, seria IV, bl. 3, f. 35-37.

[13] Bëhet fjalë këtu padyshim për gjeografin aleksandrin Ptolemeus në veprën e tij „Geographia“, T. I, Lib. III, Kap. 13, § 23.

[14] Paraqitje e detajuar e këtij debati prej Kurt Gostentschnigg në disa studime: Die Verflechtung von Wissenschaft und Politik am Beispiel der österreichisch-ungarischen Albanologie. Në: “Südost-Forschungen” 58 [1999] 221-245.; Albanerkonvikt und Albanienkomitee. Instrumente der Handels- und Verkehrspolitik -Österreich-Ungarns gegenüber Albanien im Dienste des informellen Imperialismus. Në: “Südost-Forschungen” 65/66 [2006/7] 313-337; Johann Georg von Hahn dhe albanologjia austro-hungareze midis shkencës dhe politikës. Në: Johann Georg von Hahn. Akten der Internationalen Konferenz “Nga Gjermanistika në Albanologji: Johann Georg von Hahn, themeluesi i albanologjisë me rastin e 200-vjetorit të lindjes”; seria “Albanische Universitätsstudien (vormals Elbasaner Universitätsstudien)” Sonderband 1; Oberhausen; sidomos së fundi: Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS 2018. 828 f. (print-on-demand and e-book: ISBN 978-3-658-18910-5; ISBN 978-3-658-18911-2 (eBook) https://doi.org/10.1007/978-3-658-18911-2); për këtë reçensioni i shkruesit të këtyre radhëve në: “Shêjzat – Le Pleiadi” (Series nova) 1-2 [2018] 147-151, Tiranë.

[15] Lidhur me studime të kësaj natyre për nga perspektiva e orientimit të studimeve albanologjike gjatë periudhës së Italisë fashiste, në hapësirën përgjithësisht gjermanishtfolëse, sikurse edhe në Shqipërinë e regjimit komunist, shih së fundi një shkrim të autorit të këtyre radheve në PTF: <https://peizazhe.com/2020/09/07/ceshtje-shqiptare/>.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin