LEIBNIZ-I MBI SHQIPEN DHE ORIGJINËN E SAJ (II)

Bardhyl Demiraj
(LMU Mynih)

Leximet e fundit kritike të trashëgimisë albanologjike kanë nxjerrë rishtas në pah dy anë të një problemi, që rëndon prej kohësh shkencën dhe shkollën tonë albanologjike. Duke rishtruar për diskutim shkrimet e filolozofit dhe eruditit të madh gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz (= shq. Lajbnic) mbi gjuhën shqipe, vëmë theksin mbi nevojën e gjithhershme për plotësimin e analeve të historisë së mendimit albanologjik: së pari, me të dhëna të sakta të karakterit filologjik e bibliografik për atë trashëgimi që disponojmë; e së dyti, me shkallën e njohjes, që përshkon debatin albanologjik në fazën e parë të dokumentimit të tij.

Lidhur me trashëgiminë e Leibniz-it, anën e parë të kësaj çështjeje e motivon deri diku shumësia e eseve dhe e veprimtarisë së tij epistolare, botimet e hershme, si edhe mungesa deri sot e ribotimit të prurjeve të tija epistolare në formë të plotë. Sidoqoftë, jo më pak i vështirëson vëzhgimet sintezë edhe mungesa e një antologjie të mendimit albanologjik, që do të mundësonte përditësimin e çdo të interesuari me trashëgiminë albanologjike, të mbledhur deri sot për këtë periudhë. Kjo mangësi ka lejuar edhe raste, kur shkrimet e Leibniz-it dhe përfundimet e arritura në to të vlerësohen, siç ankohej Konica në fund të shek. XIX: “… prej shkrimtarësh që s’i kishin lexuar fare.” (1897 f. 41)[1]. Pa dashur t’u mëshojmë patjetër rasteve të kësaj natyre, mëtojmë se në studimet kritike mbi Leibniz-in kemi pasur shpesh një farë pasigurie, nëse kemi vërtet, apo jo (!?), në tavolinën tonë të punës të gjitha prurjet e tij mbi gjuhën shqipe. Asgjëmangut, si rast tipik i kësaj pasigurie mund të sillet ballafaqimi i numrit të përqasjeve etimologjike në shkrimet e Leibniz-it me ato të shkrimeve kritike dhe bibliografike mbi të.

Dihet që diskursin albanologjik të kësaj periudhe e trashëgojmë të cunguar. Por shkalla e njohjes së rrethanave e sidomos e atij materiali albanologjik me, në dhe mbi të cilin është zhvilluar ky diskurs, lejon gjithsesi interpretime bindëse si të synimeve ashtu edhe të rezultateve të arritura në të e nëpërmjet tij. Mosmbajtja e tyre parasysh gjatë shkrimeve kritike e lëkund lexuesin edhe për ato përsiatje a përfundime që ne, me kutin matës të dijës së sotme, i kundrojmë si të qëlluara. Prashtu, duke iu referuar përsëri shkrimeve të Leibniz-it, vështirë se mund të përcillet pa mëdyshje teza e tij mbi origjinën ilire të shqipes, të cilën ai e formulon në një rresht të vetëm, e që shpesh vetëm sa konstatohet si “intuitë e jashtëzakonshme e gjeniut Leibniz” në historinë e albanologjisë dhe të ilirologjisë[2].

Çështje të kësaj natyre ngërthejnë në vetvete edhe objektin e këtij shkrimi, ku synojmë t’i përcjellim sado thukët lexuesit të Peizazheve vendin e Leibniz-it në historinë e albanologjisë. Pas një sistemimi të etapave të interesimit dhe të pjesëmarrjes së tij në debatin intelektual të kohës, do të ndalemi më gjërë në ato çështje të karakterit gjuhësor-historik e filologjik, të cilat nuk i ishin nënshtruar deri vonë një hulumtimit të mirëfilltë, siç janë: së pari a) mëdyshja e Leibniz-it mbi origjinën sllave, e më pas b) teza e tij mbi origjinën ilire të shqipes; sikurse, ndoshta në një shkrim të radhës, edhe c) do parametra shkencorë së bashku aparatin metodik që Leibniz-i i kumton në funksionin e gjuhëtarit historian lidhur me qasje të natyrës etimologjike ndaj materialit leksikor shqip që dispononte atëbotë.

  1. Letrat e Shqiptarëve

Përcaktimi në kohë i interesimit të Leibniz-it për gjuhën shqipe është i kushtëzuar me trashëgiminë e numrit të shkrimeve të tij që njohim deri sot. Kemi mundur të qëmtojmë gjithsej tetë fragmente shkrimesh e letrash, ku kumtohet për shqipen me emërtimet e barazvlershme: shqipe, shqipja, gjuha shqipe, gjuha e shqiptarëve, gjuha epirote, gjuha e epirotëve, si edhe dy sosh, ku parakuptohet ajo. Duke shqipëruar emërtimin e ballkanologut gjerman Norbert Reiter, këto fragmente mund t’i përmbledhim këtu nën emrin Letrat e Shqiptarëve (gjerm. [Leibniz’ens] Albanerbriefe), të cilat lexuesi mund t’i përcjellë në fund të këtij shkrimi[3].

Ndër to ende i padatuar është një fragment, i marrë nga letra me titull Desiderata circa linguas populorum [Desiderata mbi gjuhët e popujve – nr. 4], në epistolën drejtuar Podesta-s, interpret i Cesarit dhe profesor i gjuhës turke. Bëhet fjalë këtu për një letër qarkore, që Leibniz-i ua adresonte kohë pas kohe dijetarëve të ndryshëm, të cilëve u lutej të mblidhnin të dhëna me karakter gjuhësor-historik dhe leksikologjik për gjuhë pak ose aspak të panjohura për të, përkatësisht në ato rrethet intelektuale ku bënte pjesë[4]. Data e hartimit të kësaj qarkoreje nuk është saktësuar ende, ndërkohë që adresimi më i hershëm i saj, duhet jetë bërë të paktën para datës 14 maj 1695, kur Leibniz-i merr një përgjigje nga Vjena për këtë qarkore prej dijetarit Bodo von Oberg[5].

Ndërsa këtë datë mund ta pranojmë qoftë edhe ad hoc si fillim i interesimit mbi gjuhën shqipe si për Leibniz-in ashtu edhe për rrethet intelektuale, ku ai bënte pjesë, pjesëmarrjen e tij aktive në debatin shkencor e mësojmë 10 vjet më vonë, në letërkëmbimin me orientalistin francez La Croze në gjithsej 5 fragmente letrash të ndryshme[6]. Pavarësisht nga rrethanat ende të pasqaruara, se si është nxitur ky debat, nga përmbajtja e fragmentit së parë, drejtuar la Croze-s më 24 qershor 1705[7], mësojmë, ndër të tjera: a) se korresponduesit nuk kanë shtënë ende në dorë material gjuhësor për shqipen; b) se Leibnici shpreh dyshimin e tij, se mos kemi të bëjmë me një origjinë sllave të gjuhës që flasin shqiptarët, “meqë kjo gjuhë [mbi]zotëroka përgjatë brigjeve të Adriatikut”, pikërisht pranë Raguzës, andaj e quajnë gabimisht lingua illirica. Në këtë letër ai përsiat gjithashtu mundësinë e pranisë së ndonjë gjurme të gjuhës së ilirëve të lashtë në malësitë e Epirit, duke saktësuar kështu emrin e asaj gjuhe, për të cilën kërkon të dhëna në qarkoren e 10 vjetëve më parë.

Pika kulmore të debatit shkencor shënojnë dy letrat vijuese të Leibniz-it drejtuar La Croze-s katër vjet më vonë e që i ndajnë me njëra-tjetrën një diferencë kohore prej jo më larg se 16 ditësh. Prashtu, korresponduesit janë përditësuar ndërkohë me material albanologjik. Në fragmentin e parë (letra nr. 6 më dt. 10.12.1709) Leibniz-i shkruan, ndër të tjera, për një libër (= Doctrina Christiana – si përkthim shqip i Pjetër Budit në ribotimin e vitit 1664 – B.D.) dhe një fjalor (= Dictionarum latino-epiroticum me autor Frang Bardhin – B.D.), nga ku ai mëson se cila ishte gjuha e ilirëve të lashtë, duke vërejtur njëherësh se shqipja paska shumë latinizma.

Në letrën e radhës (nr. 7 më dt. 26.12.1709) Leibniz-i i përkushtohet tërësisht interpretimit filologjik dhe etimologjik të dhjetë emrave, të nxjerrë pas gjase prej fjalorit të Bardhit[8]. Rëndësi të veçantë në leximin kritik të këtyre dy letrave ka edhe një fletë-faksimile (sh. foto) e hartuar enkas për këtë diskurs, të cilën e zbuloi balkanologu gjerman N. Reiter. Ajo përmban Lutjen e së Dielës (= Ati Ynë – B.D.), të pajisur me do shënime mbi burimin e tekstit prej nga është marrë, si edhe për disa veçori të alfabetit të shqipes[9].

Dy letrat e fundit, drejtuar La Croze-s (28.12.1711; 24.03.1714) fitojnë rëndësi kryesisht të karakterit bibliografik dhe historiografik, pasi orientojnë në kohë kërkimet për njohje të mundshme të ndonjë shkrimi ende të panjohur të Leibniz-it mbi gjuhën shqipe. Në to mësojmë, ndër të tjera: a) që Leibniz-i interesohet herë pas here për gjuhën shqipe; b) se ai i mbetet besnik përfundimeve të tij mbi origjinën ilire të shqipes; dhe c) se parapëlqen të emërtojë shqipen si gjuhë epirotike përkatësisht gjuhë të epirotëve.

Interes paraqet së fundi edhe fragmenti i një epistole drejtuar Chamberlayn-it më 13. janar 1714[10]. Këtu Leibniz-i, ndër të tjera: a) kundërshton mendimin e dijetarëve të kohës, sipas të cilëve gjuha (e lashtë) ilire ka qenë e burimit sllav; dhe b) insiston sërishmi në tezën e tij, që do relike të saj ruhen në gjuhën shqipe të asokohe.

Nga kjo paraqitje e përmbledhur e trashëgimisë albanologjike të Leibniz-it arrijmë paraprakisht në përfundimin, se: a) interesi i tij për shqipen datohet përgjatë një periudhe kohore prej të paktën 20 vjetësh (deri një vit para vdekjes së tij); se b) gjatë kësaj periudhe ai jo vetëm nxit debatin shkencor mbi gjuhën shqipe në rrethet intelektuale, ku bën pjesë, por edhe 3) pjesëmerr në mënyrë aktive në të, përkatësisht hyn në diskurs me cilësinë e gjuhëtarit me interesa historike, filologjike dhe etimologjike njëherësh. Duke e përqendruar analizën kritike të Letrave të Shqiptarëve pikërisht në këto cilësi të tij dhe brenda kuadrit të këtyre interesave[11], mbështesim më me siguri edhe do përsiatje që yshtin lehtë në vlerësime kundërthënëse, si vijon:

  1. Teoria ilire e prejardhjes së shqipes

    a. Mëdyshja paraprake: “…kam frikë se mos është e llojit sllav, sepse…”

Në leximet e derisotme kritike, mëdyshja e shprehur në letrën nr. 5 (për nga radha kronologjike) ose është lënë në heshtje ose është vështruar si fakt, që Leibniz-i fillimisht ka hedhur tezën apo përkrahur një të tillë, që mbështeste burimin sllav të shqipes[12], duke u distancuar kështu nga teoria ilire, e cila duhej të ishte sipas studiuesit Norbert Reiter një opinio communis në rrethet intelektuale, ku bënte pjesë[13]. Mosnjohja ende e rrethanave në të cilat u shkrua ajo letër (më saktë letër-përgjigje) lë sigurisht shteg për disa interpretime. Nga vetë përmbajtja e saj mësojmë gjithsesi se është fjala më fort për mëdyshje të letërshkruesit, e cila në mënyrën se si është formuluar vështirë se i kapërcen caqet e një hipoteze.

Prashtu, në këtë letër Leibniz-i pohon se nuk e njeh gjuhën e shqiptarëve, andaj edhe dyshon se mos është gjuhë sllave dhe si të tillë e quajnë gabimisht lingua illirica. Gjithashtu ai beson se gjuha e ilirëve të lashtë duhej të ishte diçka krejt tjetër, d.m.th. josllave, duke insistuar kështu rishtas në kërkesën e të paktën para 10 vjetëve, se në rast se do ketë ende gjurmë të saj, ato duan kërkuar në malësitë e Epirit. Këtë mëdyshjen Leibniz-i e argumenton me dy të dhëna paraprake, që ka marrë ndërkohë për këtë gjuhë, ndër të cilat: a) njëra është (edhe për lexuesin e sotëm kritik) e paplotë, meqë mëton përhapjen shqipes vetëm përgjatë brigjeve të Adriatikut, bash në kufi me Raguzën; ndërsa b) tjetra është për vetë Leibniz-in e pasaktë, që vjen me thënë pikërisht emërtimi lingua illirica, një emërtim ky, që, siç do ta ndeshim disa herë më poshtë, ishte i përhapur në rrethet intelektuale të kohës për të dalluar gjuhët sllave të Ballkanit. Ne duam të vëmë theksin pikërisht tek ky emërtim i shprishur atëbotë e që e shqetëson vazhdimisht Leibniz-in në epistolat e tij. Në një numër syresh ai e kritikon mendimin sundues, sipas të cilit popullsitë sllave të Ballkanit qenkan me origjinë ilire, e më tej që gjuha e tyre u dashka quajtur lingua illirica. Këtë ai e kundërshton me argumentin historik, që këto popullsi janë ngulur vonë në Iliri[14].

Distancimin e Leibniz-it nga kjo tezë e përjetojmë kështu te Letrat e Shqiptarëve në dy mënyra: a) duke ritheksuar argumentin historik: “… sllavët janë ngulur vonë në Iliri, gjithsesi jo para kohës së Justinianit” (letra nr. 9); dhe b) duke i mbetur gjithnjë besnik emërtimeve të asaj popullsie të lashtë ballkanike, të ashtuquajturve ilirë të lashtë (: lat. Illiri veteres, fr. anciens Illiriens) dhe të gjuhës së tyre të veçantë, të cilën Leibniz-i e perifrazon gjithnjë si gjuha e ilirëve të lashtë (fr. la langue des anciens illiriens). Në këtë kuadër, edhe mëdyshja e tij e dikurshme (letra nr. 5) mbi origjinën e mundshme sllave të gjuhës së shqiptarëve është më se e motivuar, e po aq e kushtëzuar nga mosnjohja e saj.

b. Teza: “…nga ku ne mësojmë se cila ishte gjuha e ilirëve të lashtë.”

Prekim kështu çështjen më të vështirë në letrat e Leibniz-it, shi tezën e tij mbi origjinën ilire të shqipes (letra nr. 6). Ndërsa mëdyshjen lidhur me origjinën sllave të shqipes Leibniz-i e motivon bindshëm, bindjen e tij, se shqipja është “gjuha e ilirëve të lashtë” ai duket sikur nuk e mbështet me asnjë argument. Formulimi i kësaj teze në më pak se një rresht jep sigurisht shkas për më shumë se një interpretim. Një të tillë – ndoshta të vetmin deri sot (!!!) – e ndeshim në studimin e Reiter-it, sipas të cilit Leibniz-i i bashkohet një opinio communis të rretheve intelektuale të asaj kohe. Këtij bashkimi i ka dhënë shkas, sipas tij, leximi i faksimiles së Lutjes së të Dielës, në krye të së cilës mbishkruhet: Lingua Epirotica sive Albanesia (gjuha epirote ose shqipe). Emërtimet e barasvlershme gjuhë epirote = gjuhë shqipe kanë nxitur, sipas Reiter-it, Leibniz-in të identifikojë shqipen me ilirishten, të cilën e kërkonte një letër më parë pikërisht në Epir. Kemi të bëjmë pra, shkruan Reiter-i, me një “siç duhet të themi ndoshta sot: pseudo-identifikim të shqipes me ilirishten…” (f. 88).

A kemi të bëjmë këtu vërtet thjesht dhe vetëm me një “një pseudo-identifikim”? Ky përfundim në pamje të parë nuk është i pamotivuar. Mjafton të lexojmë formulimin e thukët të tezës, duke e bashkëlidhur atë me letrën pararendëse si edhe me titujt e materialit shqip, që ka shfrytëzuar Leibniz-i gjatë hartimit të saj. Reiter-i shtron edhe dy argumente, që në vetvete janë gjithsesi kundërthënëse: a) shkrime a mbishkrime ilire Leibniz-i nuk dispononte; ndërkohë që, sipas tij, b) teza ilire e prejardhjes së gjuhës shqipe duhej të ishte sunduese në kohën e tij. Që argumenti i dytë nuk qëndron, këtë e shqyrtuam më lart. Por që argumenti i parë – edhe pse s’mund ta quajmë patjetër bindës – qëndron, këtë e përjetojmë sot e gjithë ditën edhe në shumësinë e studimeve akademike (edhe alternative) të derisotme, ku mëtohet prejardhja ilire e gjuhës shqipe. Sidoqoftë këtë pohim vështirë se lejohemi ta përdorim si argument apo kundërargument, kur lexojmë Leibniz-in. Mendojmë se lexuesi kritik ka më shumë interes të mësojë, se si dhe pse arriti Leibniz-i në këtë përfundim në fillim të shek. XVIII, kur në mendimin albanologjik bashkohor mungonin përkrahës të kësaj teze.

Mënjanimi i dy argumenteve të mësipërme rihap kështu shtegun e leximit kritik të kësaj teze. E për këtë rrethanë i detyrohemi sigurisht Reiter-it si i pari kritik që bashkëlidh tezën e Leibniz-it me materialin gjuhësor, tek i cili ai mbështetet. Këtë bashkëlidhje e ndeshim madje të shprehur qartë në vetë formulimin e Leibniz-it në letrën e tij të gjashtë: sipas të cilit:

“…Ju më dhatë kënaqësi të veçantë, duke ndërmjetuar që të merrja një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, nga ku ne mësojmë, se cila ishte gjuha e ilirëve të lashtë…” (dt. 10 dhjetor 1709)

Është pikërisht folja “mësojmë” që të nxit të zbresësh në tekst, duke e shqyrtuar atë jo thjesht dhe vetëm si burim materiali albanologjik, por edhe si përditësim të Leibniz-it me letërsinë albanologjike të asaj periudhe. Njëri ndër librat që shfrytëzoi Leibniz-i me këtë rast është fjalori i Frang Bardhit, një vepër e mirëfilltë gjuhësore-albanologjike[15].

Para se të kalojmë te ky fjalor, le të hapim një parantezë, duke u ndalur shkurt në letrën faksimile të Lutjes së të Djelës, tek e cila mbështetet edhe Reiter-i, kur interpreton Leibniz-in. Siç u cek edhe pak më sipër, në të janë dhënë dy shënime plotësuese. I pari ka të bëjë me burimin nga është marrë lutja si përkthimi i Pjetër Budit (Doctrina Christana, ribotim i vitit 1664). Në të dytin bëhen sqarime për alfabetin latin të shqipes e sidomos për tri grafemat jolatine të tingujve [z, y, θ] që përdor Budi. Duke ballafaquar këtë shënim me nënkreun hyrës të fjalorit të Bardhit, të titulluar “Vërejtje mbi gjuhën dhe alfabetin e epirotasve përkatësisht të shqiptarëve” (Annotationes de lingua, & litteris Epirotarum, seù Albanesiorum, f. VI/2), vërejmë menjëherë se ai është marrë, madje pjesërisht fjalë për fjalë, pikërisht nga ky nënkrye hyrës i fjalorit të Bardhit[16].

Ky nënkrye hyrës ka qenë pa dyshim ndër të parët që ka lexuar Leibniz-i me këtë rast. Këtu ai ka mësuar fillimisht veçoritë e alfabetit shqip, për t’u përditësuar më pas edhe me lëndën e fjalorit si edhe me disa pjesë shqip nga vepra e Budit, siç është lutja Ati Ynë. Pa dashur të rrudhim sadopak interesimin e Leibniz-it për këto shënime ortografike sqaruese, duam të vëmë theksin, në mënyrën se si ka përcjellë ai fjalinë, që u prin atyre përshkrimi i Frang Bardhit. Këtu lexojmë çiltas (në latinisht), se:

“Idioma e veçantë e popullit epirotas ose gjuha shqipe është në mënyrën e të shprehurit krejt e ndryshme nga greqishtja dhe [nga] ilirishtja ose sllavishtja. Edhe pse shtrihet [= flitet] midis të dyjave; kufijtë [gjeografikë] të popullit ashtu si [edhe] mjedisi paraqiten sikur të jenë përftuar [prej saj]”[17].

Është pikërisht ky fragment-fjali, shkruar 75 vjet më parë, nga ku Leibniz-i mëson atë që kërkonte prej më se 15 vjetësh: një “një linguam singularem që flitet në malësitë e Shqipërisë dhë të Epirit”, e cila edhe në letërsinë albanologjike të asaj kohe nuk u quakësh assesi lingua illirica.

A kemi të bëjmë tash me një pseudo-identifikim, kur Leibniz-i ndërkohë bindet, se cila ishte gjuha e ilirëve të lashtë? Këtë pyetje, siç përmendëm më sipër, nuk na takon ta bëjmë, kur interpretojmë Leibniz-in. Neve na interesojnë më shumë motivet që e shtynë atë në këtë përfundim. Duke lexuar pjesët hyrëse në fjalorin e Frang Bardhit e duke studiuar nëpërmjet tij edhe materialet shqip që dispononte ndërkohë, ai fiton të paktën dy motive, që e lejojnë të përsiasë bashkëlidhjen: gjuhë shqipe/epirote = gjuhë e ilirëve të lashtë. E këto janë: a) hapësira gjeografike, dhe b) veçoritë dalluese të shqipes nga gjuhët e tjera përreth si greqishtja dhe gjuhët sllave jugore, të cilat ai i njeh dhe di t’i dallojë mirë. Këtë bashkëlidhje Leibniz-i e emërton ndryshe: la langue des anciens Illyriens, duke e dalluar qartë prej emërtimit ndërdyzës: gjuhë sllave (e Ballkanit) = lingua illirica, që ishte aq i përhapur në kohën e tij.

Në fazën e fundit të aktivitetit të tij intelektual, ai ndoshta ka evoluar më tej edhe konceptimin e saj, duke e parë atë në boshtin kronologjik. Për të qartësuar këtë konceptim duhet t’i referohemi fragmentit të njërës nga letrat e tij të fundit, ku ai shkruan “… që reliket e saj [= të gjuhës së ilirëve të lashtë] ruhen në gjuhën e sotme, të veçantë të epirotëve …” (letra nr. 9)[18].

(vijon)

(c) 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


  1. Material shoqërues: Fragmente të letrave të Leibniz-t mbi shqipen

Letra nr. 1: Hannover, [20/30] korrik 1692; dërguar në adresë të Landgraf Ernst von Hessen-Rheinfels:

„Je m’estonne que ceux qui publient les voyages qu’ils ont fait, ne songent point asséz à ce point important de la Langue, par le quel on peut connoistre 1’espece de chaque peuple, ou nation. Par exemple on connoit par la langue que les Allemans, Danois, Suedois, Anglois, Hollandois sont d’une même Origine, de même encore les Polonois, Bohemiens, Moscovites, Esclavons, Carnio­liens, Croates, mais les Hongrois et les Epirotes aussi bien que les bas Bretons, ou ceux du Pays de Gales, item les Biscayens, parlent des Langues toutes particulieres. La Langue des Abyssins fait connoistre qu’ils sont venu des Arabes.“ (Leibniz: Sammelwerke, radhoja I, bl. 8, f. 139)

Letra nr. 2: Hannover, 29 korrik (8 gusht) 1692; dërguar në adresë të Wilhelm Ernst Tentzel:

“Diu est quod a doctissimo Paulino nostro nihil vidi praeter brevissimam schedam, quam ego putabam praecursorem longioris Epistolae; distractus ipse nondum interpellavi denuo. Per occasionem rogo, ut interim a me officiose salutes. Kochanskius mihi non ita pridem denuo scripsit, et spem aliquid impetrandi auget. Siculam linguam ego intellexi non Trinacriae sed Siculorum Daciae; eam esse Hungaricam nuper quidam me credere jussit. De lingua Epirotarum quam a ceteris distare ajunt vellem specimina indipisci.” (Leibniz: Sammelwerke, radhoja I, bl. 8, f. 368v.)

Letra nr. 3: Hannover, 27 dhjetor 1693 (6 janar 1694); dërguar në adresë të Eduard Bernard:

“Hibernicam cognatione attingere non puto. An compertum Tibi peculiarem esse linguam in Epiro ut quidam peregrinatores volunt?[19] Nihil vidi perplexius lingua illa quam praefert Tabula Eugubina et Bernardunus Baldus mihi nihil minus videtur quam divinasse.” (Leibniz: Sammelwerke, radhoja I, bl. 10, f. 184.)

Letra nr. 4: Qarkore: Desiderata circa linguas populorum [Wolfenbüttel, në gjysmën e parë të janarit 1695; dërguar në adresë të Bodo von Oberg]:

“10. Quaeritur an non lingua quaedam peculiaris a Slavonica, Hungarica, Graeca et Turcica prorsus diversa reperiatur in Albania et Bulgaria. Nam relatum est talem linguam singularem reperiri in montibus Albaniae vel Epiri.” (Leibniz: Sammelwerke, radhoja I, bl. 11, f. 174. I njëjti tekst në Leibniz: Opera Omnia, bl. VI, drejtuar Dn. Podesta, f. 229)

Letra nr. 5: Hannover, 25 janar 1705; dërguar në adresë të Maturin Veyssiere La Croze:  

“III. …Quant à la langue des Albanois, j’ai peur que ce ne soit une espece d’Esclavon, car cette langue règne le long de la mer Adriatique. On l’appelle par abus Linguam Illiricam. Mais je crois que la langue des anciens Illiriens étoit toute autre chose; s’il y en avoit un reste dans les montagne de l’Epire, cela seront très curieux & très digne de nôtre recherche. J’y pensé plus d’une sois, mais je n’y ai point pensé quand j’étois à Rome, où je connoissois Mr. Pastritio (si je ne me trompe) Professeur au Collége della propaganda, qui étoit lui même de Dalmatie. Je ne sais s’il vit encore. On doit savoir à Raguse ce qui en est, & même à Venise, les terre de la République étant assez proche de l’Albanie.” (Leibniz: Opera Omnia, bl. V, f. 478 – si faksimile edhe te Reiter 1980 94)

Letra nr. 6: Hannover, 10 dhjetor 1709; dërguar në adresë të Maturin Veyssiere La Croze :

“I. Vous m’avez fait beaucoup de plaisir, en me mandant d’avoir reçu un livre & un Dictionnaire de la Langue Albanoise; par là nous apprenons quelle étoit la langue des anciens Illyriens. J’y remarque cependant beaucoup de Latin. Attiγne pour nôtre pére, convient avec les langues Scythiques ; il semble aussi qu’il y a quelques petites traces de mots qui s’accordent avec l’Allemand, comme seet [ξeet – B.D.] terre, Enandeyenée pardonner, ndetekech en tentation.” (Leibniz: Opera Omnia, bl. V, f. 494 – si faksimile edhe te Reiter 1980 95)

Letra nr. 7: Hannover, 26 dhjetor 1709; dërguar në adresë të Maturin Veyssiere La Croze :

“I. Il sera bon de discerner dans l’Albanois ce qui lui est propre de se qui est emprunté, personne ne le peut mieux faire que vous, Monsieur. Cependant je dirai mon opinion sur quelques mots de cette Langue…“ (Leibniz: Opera Omnia, bl. V, f. 495 – si faksimile edhe te Reiter 1980 96).

Letra nr. 8: Hannover, 28 dhjetor 1711; dërguar në adresë të Maturin Veyssiere La Croze:

„II. A cette occasion, je vous supplie, Monsieur, de m’envoyer l’Oraison Dominicale de la Langue Epirotique, avec une version interlineaire; & vous m’obligeriez en y ajoutant le credo, si vôtre commodité la permet; item de me donner les titres de vos deux livres de cette langue, avec leur grandeur, & le temps & lieu de l’impression. Car cette Langue étant si peu connue, mérite qu’on y médite un peu. Je tâcherai d’obtenir ces Livres de Rome. On a déterré des anciens monumens sous les fondemens de Nôtre Dame de Paris.“ (Leibniz: Opera Omnia, bd. V, f. 499)

Letra nr. 9: Hannover, 13 janar 1714; dërguar në adresë të Johann Chamberlayn:

“Alphabeta hodierna Europaea omnia ex Latinis formata sunt demtis duplicibus Sclavonicis, uno Cyrulico, altero (ut parum aptè vocant) Glagolitico, quae ambo magis ad Graecos fontes accedunt. Malè hoc posterius nonnulli Autori S. Hieronymo gente Illyrio tribuunt falsa persuasione linguam veterem Illyricam ex Sclavonicarum genere fuisse: sed Slavi ferò in Illyrium venêre, nec ante Justiniani M., tempora veteres Illyrii erant Celtici generis, linguaque, ut arbitror, Germanicae Gallicaeque nonnihil cognatâ utebantur. Et credibile est, ejus reliquias in peculiari quâdam linguâ Epirotarum hodiernâ superesse, cujus specimina edita vidi. Slavonicam linguam hodie Illyricam vulgo vocant, quòd Slavi in Illyriô consedêre. …….” (Leibniz: Opera Omnia, bl. VI, f. 197)

Letra nr. 10: Hannover, 24 mars 1715; dërguar në adresë të Maturin Veyssiere La Croze:

„II. Vous m’avez communiqué un jour à Berlin un Livre de la langue particuliére des Epirotes, imprimé à Rome á la propaganda. Il me semble qu’il y avoit l’Oraison Dominicale en cette langue, & que je l’en tirai : Mais je ne la trouve point facilement dans mes papiers. Voudriez vous bien avoir la bonté, Monsieur, de me la communiquer encore une fois.“ (Leibniz: Opera Omnia, bl. V, f. 507).


Shënime:

[1] F. Konica: L’opinion de Leibnitz sur la langue albanaise. Në: “Albania”, nr. 3 [1897] 41-3. Ribotime të pjesshme të këtyre (tre) letrave ose diskutime mbi to i ndeshim te disa autorë, khs.: Engjëll Mashi (Angelo Masci): Discorso sull’origine, costumi, e stato attuale della nazione albanese, Napoli 1807, f. 14, shën. 1; Dh. Shuteriqi: Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Tiranë 1976, f. 101; N. Reiter: Leibniz’ens Albanerbriefe. Në: “Zeitschrift für Balkanologie”, XVI, 1980, f. 82-8; J. Kastrati: Historia e albanologjisë, Tiranë 2000, f. 171-2.

[2] J. Kastrati: vep. cit., f. 171, 172-3 (me një përmbledhje të zgjeruar të literaturës albanologjike mbi Leibniz-in, f. 180-3).

[3] N. Reiter-i përdor në art. cit. këtë emërtim, duke u mbështetetur në tri letra, të cilat ai i radhit me shifrat romake I, II, III. Në studimet tona ato radhiten sipas rendit kronologjik me shifrat 2, 3 dhe 4, khs. B. Demiraj: Si të lexojmë Leibniz-in! Në: “Studime filologjike” [2001] (1-2), f. 163-175; dhe B. Demiraj: Leibniz’ Stellung in der Geschichte der Albanologie. Në: “Festschrift für Wilfried Fiedler”. Hamburg 2005, f. 13-31.

[4] Pas gjase brenda vitit 1695, khs. G.W. Leibniz: Desiderata circa linguas populorum, ad Dn. Podesta, në: Opera omnia VI, Gjenevë 1768, f. 228-30. Në këtë letër kërkesa për gjuhën shqipe është renditur në rubrikën nr. 10: “10. [Po]  hulumtohet, se mos zbulohet in Shqipëri dhe Bullgari një gjuhë e veçantë, krejt e ndryshme prej sllavishtes, hungarishtes, greqishtes dhe turqishtes, sepse thuhet që një e tillë gjuhë unike [= linguam singularem] flitet në malësitë e Shqipërisë dhe të Epirit.)

[5] Datë, në të cilën Bodo von Oberg i kthen përgjigje letrës së mëparshme të Leibniz-it (? në mes të muajit janar të vitit 1895), së cilës i ishte bashkangjitur qarkorja. Në këtë qarkore kërkesa për mbledhjen e të dhënave mbi gjuhën shqipe përfshihet në rubrikën nr. 12.; shih më hollësisht në: G.W. Leibniz: Sammelwerke, vëll. 11 (seria I), Berlin 1982, f. 170-6.

[6] G.W. Leibniz: Opera omnia V, Gjenevë 1768 (ribotim: Hildesheim – Zürich – New York 1989), f. 478, 494, 497, 499, 507. Në studimin tonë këto letra i kemi radhitur sipas rendit kronologjik të trashëgimisë së Leibniz-it me nr. 5, 6, 7, 8, 10.

[7] N. Reiter-i (art. cit., f. 82) shënon gabimisht datën 24 Janar 1705, e pas tij edhe ndonjë gjuhëtar i mëvonshëm që është mbështetur në punimin e tij. Në këtë letër Leibniz-i vëren ndër të tjera: (f. 478) “II …Sa për gjuhën e shqiptarëve, kam frikë se ajo është e një lloji sllav, sepse kjo gjuhë [mbi]zotëron përgjatë detit Adriatik. E quajnë gabimisht gjuhë ilire. Por unë besoj se gjuha e ilirëve të lashtë ishte diçka krejt tjetër; nëse do të kishte [prej saj] ndonjë mbeturinë në malësitë e Epirit , kjo do të ishte shumë interesante dhe e denjë për hulumtimin tonë. Unë kam menduar më shumë se një herë për të, por nuk më ra aspak ndërmend, kur qeshë në Romë, ku njoha, nëse s’gaboj,  z. Pastritio, profesor i Kolegjit të Propagandës [= Propaganda Fidei], që vetë kishte ardhur nga Dalmacia. Nuk e di, nëse ai rron ende. Mund të dihet në Raguzë, ç’bëhet me të, dhe po ashtu në Venecie, meqë trojet e republikës janë [= shtrihen] fare pranë Shqipërisë…”

[8] Ndër to: burrë, çizme, det, gaforre, grua, hundë, ka, krah, i mirë, mish (letra nr. 7: 26.12.1709).

[9] Bëhet fjalë për tekstin e kopjuar shkronje për shkronjë prej Doktrinës së Krishterë të Pjetër Budit (botimi i tretë – 1664) Sipas N. Reiter-it (loc. cit., f. 94-97) duktusi i autorit të faksimiles nuk përkon me atë të Leibniz-it (shih edhe Eric Hamp: On Leibniz’s Third Albanian Letter. Në: “Zeitschrift für Balkanologie” 17 [1981] 35). Ky fakt mund të përcillet edhe si tregues i pjesëmarrjes më të gjerë në diskursin albanologjik të kësaj periudhe.

[10] G.W. Leibniz: Epistola, insigni viro Johanni Chamberlaynio, në: Opera omnia, vëll. VI, Gjenevë 1768 (ribotim: Hildesheim – Zürich – New York 1989), f. 193. Sipas radhës kronologjike, kjo letër renditet e nënta (: 13 janar 1714).

[11] Në studimin e tij kritik N. Reiter-i përqendrohet kryesisht në interesat filozofike-gjuhësore të Leibniz-it dhe në punën e tij me etimologjinë e fjalëve (art. cit., f. 84-93). Khs. edhe N. Çabej, Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, Tiranë 1990, 41vv.; A. Hetzer: Kontributi i Josef fon Ksilanderit për albanologjinë. Në: Kontribute të albanologëve të huaj per studimin e gjuhës shqipe, Shkodër 1996, f. 77 etj.

[12] Dh. Shuteriqi dhe J. Kastrati në vendet e cituara.

[13] N. Reiter: art. cit., f. 83vv.

[14] Shih, ndër të tjera, letrën e Leibniz-it drejtuar Chamberlayn-it (letra nr. 9): “… Slavonicam linguam hodie Illyricam vulgò vocant, quod Slavi in Illyriô consedêre” (Opera Omnia VI, f. 197).

[15] Rëndësinë që ka pasur kjo vepër për Leibniz-in gjatë qëmtimit të etimologjive shqipe a ka saktësuar në detaj E. Hamp-i gjatë leximit kritik të letrës nr. 4; shih E. Hamp art. cit., f. 34-36. e ndoshta edhe Konica (sh. lart shën. 1) është gjithsesi i pari lexues kritik, që ka saktësuar burimin e fjalorit shqip që ka shfrytëzuar Leibniz-i. Sipas tij (art. cit, f. 42) ”Il s’agit sans doute du Dictionarum latino-epiroticum de BLANCHI (in –8°, Rome, 1635)”.

[16] Krahaso në faksimile (shënimi poshtë lutjes): “…Epirotae tres tantum litteras habent sibi peculiares. e, g, x. Prima e pronuntiatur ut z, secunda g, ut u Gallorum, tertia x ut Th.”, me një pjesë të nënkreut hyrës te fjalori i Bardhit: “…..Figurae e, g & [= et] x. …. Prima pronuncianda est, ut Z. Secunda omnino, ut V more Gallorum. Tertia, ut Th.” (Frang Bardhi: Dictionarum …, f. VI/2).

[17] “Proprium Epiroticae gentis idioma, seù Albanesia lingua à Graeca, & Illyrica, seù licèt inter vtriusq; gentis confinia veluti media constituta conspicitur.” (Frang Bardhi loc. cit.)

[18] “… Et credibile est, ejus reliquias in peculiari quâdam linguâ Epirotarum hodiernâ superesse, cujus specimina edita vidi….” (letra nr. 6.).

[19] Nuk kemi mundur të fiksojmë se për cilët <pelegrinë> bëhet fjalë në këtë letër.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin