DON KISHOTI = (A) DON KISH’ O TI (MIK?)

(Për peticionin drejtuar AMA-s dhe veprën “linguistike” të Petro Zhejit)

 

nga Ilir Mborja

Në shkrimin e tij “Mos qofsha një patriot si ju!”, botuar në gazetën Dita më 1 tetor 2023 autori, prof. Fatos Tarifa, një ndër firmëtarët e peticionit të iniciuar së fundi nga akademikët drejtuar AMA-s për mbajtjen larg ekraneve televizive “sharlatanët e etimologjisë”, ndër të tjera thotë:

Për ta mbyllur këtë shkrim (por jo debatin tim publik mbi këtë subjekt) dëshiroj të them sa më poshtë. 

Së pari, ju lutem atyre që besojnë me fanatizëm në përjetësinë dhe rëndësinë globale të shqipes, kushdo që jeni, që të mos e keqpërdorni e të mos fshiheni pas emrit dhe pas hijes së të ndjerit Petro Zheji. Mos e përzieni Zhejin në qerthullën e përsiatjeve tuaja haluçinante dhe mos u krahasoni me të. Petro Zheji ishte një përkthyes i jashtëzakonshëm, një mendje e hapur dhe një intelektual i shquar. Unë kam pasur fatin të mësoj frëngjishten me të. Ju nuk jeni sëra e tij; përkundrazi, as i afroheni dhe aq më pak i ngjani atij.

Një pjesë e juaja krejt pa kulturë dhe ndoshta nuk njihni asnjë gjuhë tjetër veç pellazgjishtes suaj të sotme, të cilën nuk besoj se di ta flasë ndonjëri prej jush. Të besosh se ato ç’ka thoni ju janë të vërteta ngaqë edhe Zheji, ky intelektual i shquar dhe njohës i kaq shumë gjuhëve, kishte një besim të sinqertë dhe shumë më mirë të informuar në lashtësinë e gjuhës shqipe, është njëlloj si të thuash se të gjithë shkencëtarët natyrorë besojnë se shkenca dhe feja janë të pajtueshme ngaqë Blaise Pascal besonte në ekzistencën e Zotit.”…

Po të mos ishte risjellë dhe ripërdorur emri i të ndjerit Petro Zheji nga kundërshtarët e peticionit më të fundit drejtuar AMA-s, nuk do të ndërhyja për të thënë mendimin tim, lidhur me atë se ç’përfaqëson për mua vepra “linguistike” e përkthyesit të shquar të pjesës së dytë të “Don Kishotit” të Servantesit…  Në konsideratën e tij që kam sjellë më sipër për veprën e “shkencëtarit natyror”, prof. Tarifa druaj se ka harruar thënien e Platonit:  “E kam mik Sokratin, por më shumë të vërtetën”…

Pellazgologët nuk munden të kuptojnë se silogjizmat janë argumente logjike që, bazuar në premisa të vërteta, përdoren për të arritur në një përfundim të caktuar dhe, të synosh që nëpërmjet tyre të kridhesh në “moçalin e nacionalizmave”, nuk është aspak shkencore.

Aq më tepër, kur këto silogjizma ndërtohen duke përdorur arsyetime që nisen nga koncepte fetare. Përdorimi i argumente të marra nga doktrina ose besimet fetare, pranohen vetëm në kontekstin e diskutimeve teologjike dhe janë të papranueshme në një debat mirëfilli shkencor.

Gjithashtu, është e rëndësishme t’u bëhet e qartë pellazgologëve se silogjizmat fetare mund të jenë të vlefshme vetëm për besimtarët dhe nuk janë të pranueshme si arsyetime bindëse për ata që nuk besojnë. Arsyetimi i një “shkencëtari natyror” që mbështetet te doktrinat fetare mund të jetë subjektiv sepse ndikohet nga besimi tij personal… Sigurisht, për çështje të ndryshme, shkencëtarët mund të kenë bindje personale të ndryshme, madje edhe të kundërta… Por, për të arritur në përfundime të vërteta dhe të drejta, është e rëndësishme që ata të mbeten të pavarur dhe të bazohen vetëm në metoda shkencore.

Mbase, përzierja e filozofisë fetare me ndonjë disiplinë të shkencës është e mundur në ndonjë rast (edhe kjo është një temë e diskutueshme), por assesi në linguistikë. Në ndonjë rast, këto dy fusha (feja dhe shkenca) duket sikur mund të shkojnë edhe bashkë për të shpjeguar botën dhe ekzistencën por, ndërsa shkencat fokusohen në studimin dhe zbulimin e ligjshmërive natyrore, filozofia fetare mund t’u japë ndonjë përgjigje vetëm pyetjeve që kanë të bëjnë me moralitetin dhe trashendencën…

Transhendenca është një koncept filozofik dhe metafizik që i tejkalon kufijtë e perceptimit të zakonshëm dhe kjo mund të konsiderohet si një nivel shumë i lartë i diturisë, por s’ka të bëjë aspak me disiplinën e etimologjisë.

Si çdokush, edhe Petro Zheji, ka të drejtë të fantazojë për “Rolin mesianik të shqipes…” e të bëjë lidhjen e kozmosit me thelbin hyjnor të semantikës së fjalëve, të përshkruajë ndjenjat e shenjta ose përvoja të cilat shkojnë përtej natyrës njerëzore, por kjo, siç thotë gjuhëtari Aristotel Spiro, “është shumë larg me etimologjinë. Ndoshta edhe më larg, sa ç’janë, fjala vjen, astronomia me astrologjinë.”

Ndryshe nga Petro Zheji që duke i nakatosur konceptet fetare me ato shkencore, në përpjekje të gjejë një sintezë midis tyre…, bashkëkohësit e tij Eqrem Çabej dhe korifenj të tjerë të albanologjisë si Domi apo Demiraj, ashtu si Jokli, Pederseni etj., nuk e pranonin kategorikisht aplikimin e kësaj metode në etimologji.

Ndërkohë, “zbulimi” më i fundit për “origjinën mbi 6500-vjeçare të shqipes”, rihapi temën dhe u dha të drejtë të krekosen edhe më shumë ca pellazgologëve që, duke “provuar” me karagjozllëqe që i quajnë “embriomorfema”, kanë vite që u ngulin gozhda në tru shqiptarëve se “shqipja është mëma e të gjitha gjuhëve” … Dhe nëse guxon t’u përballësh ndonjë argument të  thjeshtë, përgjigjja e tyre e atypëratyshme është: “Ti patjetër e ke gruan serbe, siç e kishte edhe Çabej”, ose: “Je i shitur te greku”…

Nejse, me pellazgologët e sotëm nuk ia vlen të merresh, se, po re në gojë të tyre, është vështirë të mos dalësh si “antishqiptar që bën punën e fqinjëve shovinistë”… Për mua është një turp për mediat që u japin hapësirë. Edhe unë, për kaq sa u mora, e konsideroj të tepërt.

Me të tilla idiotizma merren turboalbanologët e pellazgjishtes, sepse mendojnë që etimologjia është një truall mistik fallxhorësh. Truri i tyre lodhet shumë po të lexojë Joklin, Pedersenin, Çabejn, Hampin, etj. Për pellazgët ka shkruar edhe gjuhëtari i famshëm shqiptar Shaban Demiraj (“Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”, Tiranë, Infbotues, 2008), por veprën e tij asnjë nuk e lexon. Askund nuk gjen një citim për veprën e tij. Shkenca e vërtetë e gjuhësisë u duket pellazgologëve e pakuptueshme. Bagazhi i tyre gjuhësor është në nivelin zero. Këtë mundohen ta zëvendësojnë me halucinacione teorike dhe pallavra gaztorësh donkishoteskë.

Edhe përfshirja e profesorit të filozofisë Përparim Kabo në këto çështje, në një rast më është dukur problematike.

Opinioni i tij “Mori fund konspiracioni i madh kundër gjuhës shqipe, adhurim për Petro Zhejin” mund të sjellë një ngazëllim të paarsyeshëm e një pështjellim të panevojshëm tek shumë shqiptarë që, me të drejtë, u pëlqen që shqipja jonë të jetë aq e lashtë sa thoshte i ndjeri Petro Zheji.

Të diskutosh se kombinimi i shpjegimeve transhendentale me ato shkencore në fushën e linguistikës, të çon gjithnjë në përfundime të sakta, është një gjë që u takon të shqyrtohet nga filozofë dhe shkencëtarë… Dhe Prof. Përparim Kabo është një i tillë. Për këtë na duket problematik, kur për rastin e Petro Zhejit thotë:

Botëkuptimet e para njerëzore, në të gjithë popujt dhe racat, kanë qenë kozmologjike, si shpjegime mitologjike ose fetare, pra, në atë agim, ato fjalë që përdoreshin, i takonin atij lloj mendimi dhe niveli arsyetimi.

Gjuha si mendim, komunikim, reflektim dhe kujtesë, si kulturë e filozofi spontane por, edhe si psikologji primitive e të menduarit, si inteligjencë primitive…, është përpara gjuhës si shkencë, me fonetikë, sintaksë dhe morfologji, apo me rregulla drejtshkrimore.

Nëse duam të zbulojmë origjinën, duhet të shkojmë në ato kohëra, në ato nivele dhe në atë shkallë të menduari.

Format arkaike të konservuara, janë fosilet e gjalla, që duhen studiuar…

Ky opinion i Prof. Kabos thekson rëndësinë e kuptimit kozmologjik dhe mitologjik të botëkuptimeve të para njerëzore. Ai sugjeron se:

për të kuptuar origjinën dhe zhvillimin e gjuhës e të mendimit, duhet të shkojmë në kohërat e hershme dhe nivelet e arsyetimit të asaj kohe. Vetëm ashtu do të kuptojmë gjenezën dhe evoluimin e kulturave dhe inteligjencës njerëzore.”

Dakord. Po, kush thotë se janë shpërfillur nivelet e arsyetimit të kohërave të hershme në etimologjinë e akademikëve tanë të njohur ndërkombëtarisht? Pellazgologët, nuk mund të kuptojnë se mund të ketë edhe rrugë e metoda të tjera veç asaj të përdorur nga Çabej, por ata s’mund të përjashtojnë metodologjinë e hulumtimeve përkatëse dhe se në debatet dhe diskutimet shkencore është e rëndësishme mbështetja në argumente, prova dhe logjikën e bazuar në fakte të verifikuara nga hulumtimi shkencor. Ata nuk mund e nuk duan të kuptojnë se, silogjizmat me bazë argumente të ndërtuara mbi bindje të paqarta dhe të pamundësuara për t’u provuar (si ato që sjell Petro Zheji në “ROLI MESIANIK I SHQIPES”), nuk mund të përdoren për të kundërshtuar informacionin e bazuar në shkencë, që është larg, shumë larg kuptimit kozmologjik dhe mitologjik të botëkuptimeve të para njerëzore. Diskutimi dhe kritika e mendimeve shkencore janë të mirëpritura, por ato duhet të bëhen me përdorimin e logjikës dhe bazuar në të dhëna të sigurta dhe të verifikuara nga burimet shkencore, përndryshe… Përndryshe furnizon me  oksigjen pseudoshkencor pellazgologët, që të thuash të vërtetën, me karremin e gjirizeve nacionalistë, kanë aftësi të jashtëzakonshme të yshtin turmat e pafajshme drejt dishepujve tanë si Çabej me shokë, atyre, që me veprën e tyre monumentale, i dhanë certifikatën e autoktonisë kombit tonë. Po turmat u besojnë më shumë “nuskave” të tipit “Mitilini = Mut i lënë” të pellazgologëve . Turmat, përsëri këto ditë, pas peticionit të akademikëve për AMA-n, jo vetëm e (keq)përdorën emrin e Petro Zhejit, por duke u fshehur pas erudicionit dhe famës që përcjell emri i tij në letërsinë artistike, e rreshtojnë në krah të tyre…

Druaj se Don Kishoti,  personazhi i famshëm i Servantesit që përktheu mjeshtërisht Petro Zheji, atë që la mangut Noli, ka ndikuar edhe në personalitetin e tij. Guxoj dhe e them këtë, se si për çdo lexues edhe për mua, “Don Kishoti” përfaqëson një idealist të çmendur që ëndërron për të bërë gjëra të mëdha, megjithëse realiteti shpesh ia shkatërron atë vizion. Don Kishoti, ndryshe nga  shpjegimi i pellazgologëve (Don Kishoti = [1]A) don kish’ o ti (mik? përfaqëson në çdo rast luftën midis idealizmit dhe realitetit dhe, bash për këtë, të etiketosh dikë “Don Kishot”, nuk është në thelb sharje, por krejt e kundërta.

Ndërsa për pellazgologët që shigjeton peticioni i akademikëve, kur përmendin Petro Zhejin, do t’u rekomandoja që për vete të ndiqnin modelin e ordinancës së Don Kishotit, Sanço Pançës. Ai kishte bash atë që u mungon atyre, racionalitetin, realitetin dhe pragmatizmin. Në kontrast me idealizmin e Don Kishotit, Sanço Pança paraqitet si një personazh realist dhe tokësor, d.m.th., aspak ashtu, si pellazgologët, krahasuar me idealistin e pasionuar të etimologjisë Petro Zheji.

Por, po të sillen si Sanço Panço, pellazgologët do të humbin admirimin e turmave, aleatëve të tyre më të mëdhenj.

Turmat edhe unë i kam frikë, saqë po çoj nëpër mënd që, poshtë këtyre radhëve të mos e nënshkruaj emrin tim.

Ju lutem më mirëkuptoni, të nderuar profesorë! Turmat  kryqëzuan edhe Krishtin dhe këtë, më mirë se Don Kishoti i Servantesit, e dinte shërbëtori i tij Sanço Panço.

© 2024 Ilir Mborja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: kopertina është krijuar me AI (Midjourney).

References

References
1 A) don kish’ o ti (mik?

1 Koment

  1. Mendoj se obsesioni qe kemi ne si komb me lashtesine tone eshte oksigjeni qe mban turbo albanologet gjalle .Ne shek XIX ne na duhej te provonim te drejten historike per justifikuar ekzistencen tone si komb me nje shtet te pavarur ,por tani qe kemi jo nje por dy shtete ajo situate eshte tejkaluar .Vertet qe kemi ruajtur gjuhen tone por edhe sikur ta kishim humbur mos do ishim njerez te pavlere?Cfare i ka gjetur amerikano latinet psh qe humben gjuhen e tyre kundrejt spanjishtes?Edhe nese fjala vjen nuk kemi 6 mije vjet me trojet tona por vetem 200 vjet e pastaj ?Te gjitha qeniet humane pavaresisht nga vjetersia e kulturave te tyre jane njesoj te vjetra ,me te njejten origjine ,200 mije vjecare qekurse Homo Habili zbriti sefte nga pema .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin