SHËNIME PËR DY LIBRA TË ARISTIDH KOLËS

nga Dhori Q. Qirjazi

kyrdoris@lit.auth.gr

Shkas për risjelljen në dritë të këtyre shënimeve u bë sinjalizimi i njërit prej  miqve të mi se në https://arsimi.gov.al/lista-paraprake-e-titujve-rekomandues-per-bibliotekat-e-institucioneve-arsimore-te-arsimit-parauniversitar-2023/, dhe pikërisht në nr. 32 të saj, është përfshirë edhe libri “Arvanitasit” i të ndjerit Aristidh Kola. Mbaj mend se, shumë vite më parë, në bisedë me njërin prej botuesve të njohur shqiptarë dhe në prani të Akademik M. Korkutit patëm rënë dakord që përkthimi shqip i librit “Arvanitasit” të A. Kolës duhej shoqëruar me shënimet dhe sqarimet përkatëse, që do ta ndihmonin lexuesin të ftillohej dhe jo të pështjellohej. Ndërkaq, një tjetër botues u tregua më “i shkathët” dhe libri qarkulloi “bruto”, pa asnjë lloj kujdesi për t’u “tretur” nga stomaku i lexuesit dhe sidomos nga nxënësit e arsimit të mesëm në Shqipëri.

Kam pasur rastin ta njoh në gjallje Aristidh Kolën dhe ruaj prej tij kujtimin e një njeriu buzeqeshur e fisnik, të ndërgjegjshëm se ato që shkruante qenë (s)prova të një amatori e jo të një profesionisti të mirëfilltë. “Unë jam jurist dhe vetëm në atë lëmë mund të flas me kompetencë”, më pati thënë kur ra fjala për librat e tij.

Recensioni i mëposhtëm është marrë nga revista ALBANOHELLENICA II (2000-2001), 173-181.


Α. Π. Κόλλια: Αρβανίτες και η καταγωγή των Ελλήνων (Ιστορική, λαογραφική, πολιτιστική, γλωσσολογική επισκόπηση), Αθήνα 1983, 1999 (9η έκδοση) [Arvanitët dhe prejardhja e grekëve (Vështrim historik, folklorik, kulturor, gjuhësor)], Athinë 1983, 1999 (botimi i 9-të)].

Η γλώσσα των Θεών (Μια προσπάθεια προσέγγισης των απαρχών της αρχαιοελληνικής θρησκείας, με τη βοήθεια της αρβανίτικης γλώσσας), Αθήνα 1989. [Gjuha e Hyjnive: Sprovë për shqyrtimin e fillimeve të fesë së lashtë greke me ndihmën e gjuhës arvanite, Athinë 1989].

Në një shkrim in memoriam për të ndjerin Aristidh Kola (1944-2000) patëm theksuar se te figura dhe vepra e tij «ia vlen të studiohet më tepër ideologu dhe paskëtaj shkencëtari. I shqetësuar për fatet dhe ecurinë e kombit të shqiptarëve, nga ku e ka origjinën, por edhe për ecurinë e kombit grek, në trup të të cilit është shartuar prej shekujsh diaspora arvanitase, ai përpunoi një teori thelbi i së cilës qëndron tek afrimi e jo te largimi, te përbashkësia dhe jo te veçanësia, tek respektimi e jo te përbuzja e njërit komb për tjetrin. Në mënyrë të përsëritur do të hasim në veprën e Kolës idenë se shqiptarë e grekë jemi degë të të njëjtit trung, se në rrjedhë të shekujve u larguam vërtet, por tani është koha t’u rikthehemi rrënjëve»[1].

Vepra e A.Kolës, shkruanim në artikullin e lartpërmendur, përmban padyshim vlera të mëdha dhe mbase ka ardhur koha që së paku një pjesë e saj të përkthehet në shqip, shoqëruar me një hyrje e shënime sqaruese, që do ta ndihmonin lexuesin të mos hapërdahet në hollësi interpretimesh gjuhësore e etimologjike, shpeshherë të diskutueshme, por të kapë thelbin fisnik të veprës së të ndjerit.

Shkrimi në fjalë na dha shkas t’u rikthehemi shënimeve që kishim mbajtur ndër vite nga vepra e A.Kolës dhe, pas një sistemimi të tyre, të shprehim disa mendime për të si studiues, me shpresën se do të jenë të dobishme për ata që merren me studimet arvanite.

Duhet sqaruar qysh në fillim se me këto shënime kritike nuk synojmë të ulim a të denigrojmë figurën e të ndjerit. Personalisht bëj pjesë në njerëzit që besojnë se të vdekurit nuk gjykohen, por, përkundrazi, na gjykojnë.

Më poshtë do të flasim për dy librat kryesorë të A. Kolës, «Arvanitët dhe prejardhja e grekëve» (1983) dhe «Gjuha e hyjnive» (1989), në të cilët përvijohet qartë teoria e tij, por edhe mjetet që përdoren për mbështetjen e saj.

1. ARVANITËT DHE PREJARDHJA E GREKËVE (Vështrim historik, folklorik, kulturor, gjuhësor). Titulli dhe nëntitulli i librit janë premtues dhe gëzohesh kur shikon se si, faqe pas faqeje, përmbushet ky premtim. Libri i ngjan një enciklopedie të vogël arvanite, që, ndonëse ka shpeshherë pasaktësi a «rrëshqitje» romantike të autorit, mbetet prapëseprapë një burim i rëndësishëm njohjeje.

Autori e ndan librin në pesë pjesë. Pjesën e parë ua kushton pellazgëve, të cilët i sheh si paraardhësit e përbashkët të dy popujve më të lashtë të Ballkanit, grekëve dhe shqiptarëve. Ai thotë se shqiptarët dhe grekët janë në thelb i njëjti popull, por kushtet historike çuan në diferencimin e tyre. Djepi i pellazgëve ka qenë sipas autorit Ballkani veriperëndimor, prej nga ata (πελασγός [pelazg΄os] = πελαργός [pelarg΄os] ‘lejlek’, d.m.th. ‘zog shtegtar’) u shpërndanë në brigjet e Mesdheut e më thellë. Grekët e hershëm zbritën në Ballkanin juglindor dhe, pasi erdhën në kontakt me qytetërimet e Lindjes, patën ritme më të larta zhvillimi kulturor e gjuhësor. Në këtë mënyrë ata u diferencuan nga paraardhësit e lashtë të shqiptarëve, të cilët vazhduan të jetojnë në djepin e hershëm të pellazgëve.

A.Kola beson se shqipja ruan «trungun bazë» të gjuhës pellazgjike dhe se shumë rrënjë fjalësh të shqipes shërbejnë për të shpjeguar fjalët e greqishtes. Ai e rimerr shumë herë këtë tezë dhe me anë të saj (krahas dëshmive të autorëve antikë, të mitologjisë dhe të dhënave arkeologjike) mbështet teorinë e vet pellazgjike. Duke u nisur, p.sh., nga interpretimi me anë të shqipes i fjalëve Ελλάς [Hel΄as] dhe Έλληνας [H΄elenas] -në secilën prej tyre autori gjen mbiemrin i (e) la(rtë)– A.Kola arrin në përfundimin se «gjithë fiset greke erdhën prej Ballkanit veriperëndimor». Meqenëse kjo hipotezë qëndron në themel edhe te librit «Gjuha e hyjnive», do t’i rikthehemi asaj më gjerësisht kur të flasim në veçanti për atë libër.

Në pjesën e dytë me titull «Epoka historike» autori shtjellon idenë se «Aty ku studiuesit e rinj grekë e shqiptarë shohin ndryshime në gjuhë [mes dy gjuhëve], unë shoh zhvillimin e natyrshëm të njërës gjuhë nga tjetra dhe lidhjen e tyre të brendshme». Ai pohon se ilirishtja nuk është veçse greqishtja e stërlashtë, d.m.th. pellazgjishtja. Vetë greqishtja homerike dhe klasike është zhvillimi i natyrshëm i pellazgjishtes.

Thelbi i qëndrimit të autorit është se ilirishtja mbeti më afër pellazgjishtes, kurse greqishtja u largua prej saj dhe kjo lidhet me ritmet e ndryshme të zhvillimit të tyre në arealet përkatëse. Por vetëm fakti se autori ka shpjeguar një numër fjalësh të greqishtes me mjete të shqipes – dhe mund të thuhet se këto shpjegime janë shumë herë të diskutueshme – nuk mund të shërbejë për të dalë  në përfundimin që u dha më lart. Eshtë e vërtetë se grekët arritën një nivel të lartë zhvillimi që u pasqyrua edhe në gjuhën e tyre. A mundemi, ndërkaq, që ndryshimet e gjuhëve t’i lidhim vetëm me këtë fakt? Edhe nëse do të pranonim ritme të ndryshme zhvillimi midis pellazgëve të veriut dhe pellazgëve të jugut (kështu i quan autori), e pritshme do te ishte që ato të pasqyroheshin kryesisht në nivelin leksikor. Nevojave të reja gjuhët do t’iu përgjigjeshin me pasurimin e leksikut dhe shumë më pak me ndryshime të strukturës gramatikore. Krahasimi i strukturës së të dy gjuhëve do të na ndihmonte për të dalë në përfundime më të sakta, por ai është pothuaj i pamundur përderisa deri më sot nuk kemi asgjë të shkruar nga ilirishtja. Nëse si pikë krahasimi do të merrnim shqipen (si vazhduese e mundshme e ilirishtes), do të hasnim në faktin se «shqipja mund të karakterizohet si një gjuhë indoeuropiane, që ka ndjekur një rrugë evolucioni të vetën edhe në ato raste kur ajo shfaq bashkëpërkime me këto apo ato gjuhë të tjera simotra»[2].

Në këtë pjesë, si edhe në të tjerat, vihet re se libri – meqenëse i drejtohet lexuesit relativisht të painformuar- ka shpesh karakter informativ, pa e humbur aspak linjën themelore të tij. Autori kundërshton tezën e prejardhjes joilire të shqiptarëve dhe ndalet gjerësisht në periudhat e «shkëputjeve» historike (p.sh. gjatë dyndjeve sllave), që u shoqëruan edhe me ndryshimin e emrit etnik ilirë-arbër-shqiptarë.

Pjesa e tretë mban titullin «Zbritja e arvanitëve në Greqi». Mendimi i autorit është se qysh në lashtësi ka ekzistuar «një korridor i hapur» midis Ilirisë dhe Greqisë, nëpër të cilin kanë lëvizur vazhdimisht drejt jugut grupe ilirësh / shqiptarësh. Këto lëvizje, thotë autori, u shpeshtuan në vitet 150 para Krishtit – 600 pas Krishtit, kur të dy popujt bënin pjesë në të njëjtën perandori. Arvanitët që erdhën në Greqi në shekullin XIV ai i sheh si valën e fundit dhe më të madhe zbritëse.

Në këtë pjesë jepen të dhëna për arvanitët e Thesalisë, Moresë, Beotisë, Lokridës, Atikës, Eubesë, etj. dhe për arsyet e zbritjes së tyre. A.Kola e quan të pabazë mendimin se një pjesë e këtyre arvanitëve ishin grekë të shqiptarizuar.

Pjesa e katërt e librit i kushtohet «Krahasimit gjuhësor të greqishtes me shqipen». Autori përpiqet të hedhë poshtë tezën e Jacob Fallmerayer-it, të formuluar aty nga mesi i shekullit XIX, se «gjuha shqipe, për sa u përket trajtave dhe rrënjëve të fjalëve, nuk ka as më të voglën ngjashmëri me greqishten»[3]. Kjo tezë iu desh Fallmerayer-it për të treguar se Greqia e re banohej prej arvanitësh, të cilët kishin dëbuar nga këto troje ngulimet e mëparshme sllave. (Fallmerayer-i formuloi teorinë, sipas së cilës asgjë nuk i lidhte më banorët e Greqisë së re me ata të Greqisë së lashtë dhe se fara e grekëve ishte zhdukur prej dyndjeve të popujve të tjerë. Kjo teori shkaktoi një reagim të fuqishëm në Greqinë e gjysmës së dytë të shek. XIX, që u shpreh, veç të tjerash, në faktin se gjithë shkencat shoqërore greke – historia, gjuhësia, folkloristika- u orientuan për një kohë të gjatë kundër tezës bazë të Fallmerayer-it. U krijua një klimë që, e favorizuar nga pikëpamjet romantike të kohës, në çdo gjë, në çdo pamje të jetës materiale e shpirtërore të popullit grek, qëmtonte lidhjet me Greqinë e lashtë. Një orientim i tillë, kuptohet, u linte pak ose aspak hapësirë zhvillimi sytheve që çelnin prej shartesave që historia kish bërë në trupin e këtij kombi të moçëm, edhe pse ato ishin aty dhe e ushqenin me lëngje jetësore, sikurse është rasti i arvanitëve).

A. Kola, pasi përmend Hahn-in dhe idetë e tij për lidhjet e ngushta midis shqiptarëve dhe grekëve të lashtë, thotë se teza e Fallmerayer-it mund të tregohet me lehtësi si e pabazë duke marrë për krahasim qoftë edhe një listë të shkurtër fjalësh të shqipes, të greqishtes së re dhe të greqishtes homerike. Nga ky krahasim dilet në përfundimin se «fjalët shqipe janë identike me fjalët homerike, gjë që nuk ndodh me fjalët e greqishtes së re. Pra, vërtetohet, vazhdon autori, një lidhje më e ngushtë e shqipes sesa e greqishtes së re me dialektin homerik, edhe pse kjo duket e pabesueshme».

Nuk është aspak për t’u çuditur  që shqipja ka ruajtur një numër rrënjësh që i gjejmë edhe në fjalët homerike. Kjo gjë mund të shpjegohet qoftë me fondin e përbashkët qoftë me kontaktet e hershme te të dy gjuhëve. Eshtë e natyrshme që çdo gjuhë të bjerrë një numër fjalësh e rrënjësh dhe të pasurohet me shumë të tjera në rrjedhë të shekujve. Me logjikën e save u thanë më lart mund të pritej që të gjendeshin paralele leksikore midis greqishtes së re dhe ilirishtes, nëse do të kishim në dorë dëshmi të shkruara të kësaj, bashkëmoshatare të eposit homerik. Madje mund të ndodhte që një pjesë e tyre të mos gjendeshin në shqipen e sotme.

Pa qenë nevoja të ndalemi analitikisht në listën e fjalëve që jep autori, po përmendim disa prej tyre. Ai përqas, p.sh., fjalët anë, rri, më duket, mend, erret me përkatëset e tyre  ανύω, έρεισμα, μοι δοκέει, μέδομαι, έρεβος të greqishtes homerike, dhe άκρη, κάθομαι, μου φαίνεται, μυαλό, σκοτεινιάζει të greqishtes se re. Në shikim të parë, një pjesë e mirë e barazimeve të dhëna qëndrojnë, por ato kanë nevojë për shqyrtime etimologjike të mëtejshme. Këtu mund të ndihmonin shumë studimet etimologjike të E.Çabejt për shqipen si dhe të Andriotis-it (N.Aνδριώτης), Frisk-ut (H.Frisk), Shantren-it (P.Chantraine) e të ndonjë tjetri për greqishten.

A.Kola shtron me të drejtë nevojën e njohjes së shqipes prej gjuhëtarëve dhe e quan atë mjet  të domosdoshëm për të depërtuar në lashtësinë e popujve dhe të gjuhëve të Ballkanit. Në faqet 148-149 do të japë përsëri një listë prej 35 fjalësh, që i ka ruajtur greqishtja  e re nga e vjetra, dhe paralelet e tyre në gjuhën shqipe. Ai beson se këto fjalë (e të tjera si këto) nuk janë huazime të ndërsjella të gjuhëve por tregojnë identitetin e stërlashtë të të dy popujve dhe të gjuhëve të tyre. Mendojmë se këto paralele, si dhe ato që u dhanë më lart, nuk mund të na çojnë në përfundimin se «shqipja është mëma e greqishtes» (f. 153). Në mbështetje të kësaj A. Kola përmend faktin se gjuhët e lashta, e sidomos pellazgjishtja, kanë qenë silabike dhe si të tillë sheh dhe shqipen. «Shqipja ka ruajtur shqiptimin e kryehershëm me theksimin e bashkëtingëlloreve» dhe prej saj «mund të shohim mënyrën e zhvillimit të gjuhës greke». Për ilustrim merr fjalën παλάμη [pall΄ami] ‘pëllëmbë’, të cilën e sheh si zhvillim të fjalës shqipe-pellazgjike pllm. Ai jep edhe disa shembuj të tjerë të ngjashëm.

Në vazhdim të kësaj logjike (shqipja = pellazgjishtja, shqipja – nënë e greqishtes) autori kalon në kreun e fundit të pjesës së katërt ku bëhen përpjekje për «Shpjegimin etimologjik të [emrave të] hyjnive dhe të riteve [greke] nëpërmjet shqipes (pellazgjishtes)». Nuk do të ndalemi në këtë krye sepse autori i ka rimarrë dhe shtjelluar më tej idetë e tij në librin «Gjuha e hyjnive», për të cilin do të flitet pak më poshtë.

Pjesa e pestë dhe e fundit e librit i kushtohet periudhës nga rënia e Bizantit deri në shpërthimin e Revolucionit të 1821-it dhe në formimin e shtetit të ri grek. Kjo pjesë, e cila zë rreth 2/3 e faqeve të librit, i ngjan një meditimi të pandërprerë të autorit per vendin dhe rolin e arvanitëve në historinë pasbizantine të Greqisë. Gjejmë aty të dhëna për historinë e ngulimeve më të reja arvanite, për jetën dhe organizimin shoqëror, për vendin e gruas në familjen arvanite, për veshjet karakteristike, zakonet dhe jetën shpirtërore të arvanitëve. Përshkrimet e tij mbështeten në të dhëna të shumta dokumentare. A.Kola e përdor fjalën αρβανίτης [arvan΄itis] në një kuptim më të gjerë duke përfshirë në të edhe shqiptarët e Dheut-mëmë. (Ka raste që përdor edhe fjalën αλβανός [alvan΄os]). Arvanit është edhe Ali Pashë Tepelena, të tillë janë edhe suliotët, arvanitë janë Karaiskaqi, Kolokotroni, Kanari e të tjerë heronj të Revolucionit. Autori vë në dukje disa herë se arvanitët nuk mund të shkëputen nga historia e Greqisë moderne, se ata i dhanë dhe vazhdojnë t’i japin shumë popullit grek, duke qenë një nga pjesët më energjike të tij. Karakterizimi që i bëmë këtij libri si një enciklopedi e vogël arvanite, vlen sidomos për pjesën në fjalë. Lexuesi do të gjejë aty të dhëna për figurat më të shquara të botës arvanite.

2. GJUHA E HYJNIVE. Tashmë e kemi vënë në dukje se ky libër është shtjellim i mëtejshëm i ideve që parashtron autori në faqet 155-176 të librit të mëparshëm. Qëllimi i tij është që, nëpërmjet shqipes / pellazgjishtes, të bëjë etimologjinë e emrave të hyjnive e të riteve greke. Ai beson se ishin pellazgët ata që i emërtuan të parët hyjnitë dhe ritet kushtuar atyre, prandaj vetëm me anë të pellazgjishtes / shqipes mund të gjendet fillesa e këtyre emrave. Në këtë kuptim, pellazgjishtja është «Gjuha e hyjnive» – titull që autori e ka huazuar prej Dh. Kamardës. Po t’i hedhim një sy përmbajtjes së librit, do të shohim se ai i hyn një pune bukur të madhe. Ka marrë përsipër të gjejë etimon-in e një numri të madh emrash të mitologjisë greke dhe të panteonit olimpik. Vetëm në krerët III dhe IV do të gjejmë emrat e Zeusit, Dodonit, Olimpit, Prometeut, Demetrës, Persefonitetj. Të 17 krerët e librit ngjajnë me pjesë të një fjalori etimologjik mitologjik, i cili të jep përshtypjen se sapo ka filluar të shkruhet e se ka nevojë për shumë tëharrje e saktësime për të qenë vërtet i tillë. Për këtë libër, në dallim nga i mëparshmi, nuk do të ndalemi krye pas kreu sepse kjo do të kërkonte shumë vend dhe kohë. Qëllimi i këtyre shënimeve nuk është, sigurisht, të bëjë analizën e të gjitha interpretimeve të autorit. Ato synojnë të vënë në dukje metodën dhe mjetet e tij interpretuese. Autori na thotë se i ka interpretuar këta emra «jo vetëm nga ana gjuhësore, por edhe nga ana kuptimore dhe alegorike». Në këtë mënyrë, ky punim «nuk është – dhe nuk mund të ishte – vetëm gjuhësor» (f. 11). Për të kuptuar më mirë mënyrën si vepron autori, po marrim si shembull etimologjinë e fjalës Αφροδίτη që përbën edhe objektin e kreut XI të këtij libri. Ndryshe nga shumë studiues të tjerë, A.Kola beson se kjo perëndi ka origjinë pellazgjike dhe nuk mbërriti në Ballkan e huazuar nga popujt e Lindjes. Ajo ishte për grekët e lashtë perëndesha e bukurisë dhe e dashurisë. Përpara se të kalojë në etimologjinë e fjalës, autori ndalet në besimet e lashta për këtë perëndeshë. Fakti që ajo është e bija e Uranosit dhe gruaja e Hefestit, hyut të zjarrit, që kulti i saj lidhet me pika të larta të relievit, që njëra prej dhuratave të saj është vesa e mëngjesit (dhrosos) etj. si këto, bënë që kjo perëndeshë të konsiderohet prej shumë studiuesve si personifikim i agut. Përveç kësaj, simbol i Afërditës është një gjysmëhënë e vendosur pranë një ylli. Për këto e të tjera arsye A.Kola është i një mendjeje me mitologët që panë tek Afërdita perëndeshën e cila me yllin e mëngjesit njoftonte ardhjen e ditës së re. Tani autori e ka më të lehtë të kalojë në analizën gjuhësore të fjalës: Afr (Afër), Afron dhe dita na çojnë në trajtat Afërdita dhe Afrondita. Nisur nga parimi se nga një varg zgjidhjesh të propozuara do të parapëlqehet ajo më bindësja, do të thonim se shpjegimi që A.Kola i ka bërë kësaj fjale duket i kënaqshëm. Por duhet shtuar se për shumicën e rasteve argumentimi gjuhësor mbetet i sipërfaqshëm. Fjalën Όλυμπος autori do ta zbërthejë në ul u bë, d.m.th. «u bë ulët, u ul dheu», Λάρισα është Lartëza, fjala Άρχων zbërthehet në arë + kam, Κέρβερος < Κέρβαρ < Κένβαρ < Qen + varr, fjalën θέμα, derivat i foljes së gr. vjetër τίθημι, do ta lidhë me shqipen them, për zërë -a (zanë -a < lat. Diana) thotë se ka lidhje me χάρις, χαρά, Asklepi (Ασκληπιός) është perëndia që shkel + ep, d.m.th. që jep shkëlqim, forcë, shëndet. Sipas autorit, Ares-i (Άρης) grek dhe Mars-i i latinëve zënë fill tek rrënja mar që ka kuptimin ‘i çmendur’ dhe që gjendet në gjuhën shqipe me të njëjtën trajtë e të njëjtin kuptim. Shembuj të tillë mund të jepeshin me dhjetëra…

Cilido që e njeh letërsinë e Rilindjes kombëtare shqiptare gjen në këtë libër të A.Kolës jehonën e pikëpamjeve të rilindësve për lidhjet e shqipes e të shqiptarëve me pellazgët e gjuhën e tyre (në bibliografinë e «Gjuhës së hyjnive» hasen emrat e J.Vretos, Dh.Kamardës dhe E.Mitkos). Pashko Vasa, p.sh., shpjegonte «numrin më të madh të emrave të mitologjisë greke vetëm me gjuhën shqipe». Në veprën «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët», botuar në vitin 1879, ai pohon se «disa emra të mitologjisë greke kanë kuptimin e tyre vetëm në gjuhën shqipe, prej së cilës duhet të kenë dalë; kështu, për shembull, fjalën Haos e shpjegon me kuptimin e saj në shqipet kaos; Erebe me errëmi, vend i errët; Gea me dhé, Uranos me i vranët; Chronos me kohë; Zeus me , Zot; Athina me e thëna; Nemes me Nëma, mallkimi; Musë me mësoj; Aphrodite me Afërdita e të tjera e të tjera»[4]. Një pjesë e mirë e këtyre barazimeve, si dhe të tjera të ngjashme me to, hasen në «Gjuha e Hyjnive». Le të kujtojmë me këtë rast se edhe Naim Frashëri, në vjershën e tij «Shqipëria», i quante shqiptarët pasardhës të pellazgëve dhe gjuhën e tyre gjuhë të perëndive.

Shohim, pra, se, që në imtësitë (barazimet leksikore) e deri në idetë kryesore të tij, libri i A.Kolës i rikthehet kultit pellazgjik që, siç shkruan prof. R.Qosja, «si një pe i kuq … përshkon gati gjithë letërsinë e Rilindjes Kombëtare». Nëse «këtë kult në letërsinë e Rilindjes e kanë kushtëzuar situata politike dhe historike e popullit shqiptar në shekullin XIX, e veçanërisht në gjysmën e dytë të këtij shekulli»[5], ringjalljen e tij një shekull më pas nga një përfaqësues i diasporës shqiptare e kushtëzojnë përsëri rrethanat në të cilat ajo ndodhet. Prandaj edhe çdo kërkesë që libri në shqyrtim të ishte më shkencor duhet të mbajë parasysh lidhjet e tij me kultin pellazgjik dhe frymëzimin e tij po nga ky kult.

Në mbyllje të këtyre shënimeve për librat do të donim të ritheksojmë se ato rreken të hedhin dritë mbi një problem të vështirë e të rëndësishëm siç është ai i prejardhjes dhe i vijimësisë së shqipes / ilirishtes / pellazgjishtes. Janë bërë edhe herë të tjera përpjekje për të depërtuar në mugëtirat e kohëve të stërlashta pellazgjike dhe, ndonëse pak gjëra janë arritur, bindja për lashtësinë e shqipes dhe të bartësve të saj i nxit studiuesit të hedhin hapa të tjerë ose të rimarrin kohë pas kohe udhën për te pellazgët. Një i tillë ishte edhe Aristidh Kola.

Dëshira për të ndihmuar sadopak në këto përpjekje na shtyn të vëmë në dukje disa mangësi që hasen në të dy librat e që menduam t’i japim këtu në mënyrë të përmbledhur.

a) Me tezën e vet pellazgjike A.Kola hedh poshtë përfundimet e gjuhësisë indoevropiane dhe familjen e gjuhëve i.e. e zëvendëson me familjen pellazgjike, duke vënë në fillesë të kësaj të fundit gjuhën shqipe. «Teoria i.e., thotë autori, është pjellë e fantazisë shkencore që u bazua pikërisht në përbashkësinë e rrënjëve të gjuhëve nga Evropa e deri në Indi. Por kjo përbashkësi shpjegohet shumë mirë me teorinë pellazgjike»[6]. Diku tjetër, autori e konsideron «krejtësisht të gabuar nxjerrjen e përfundimeve nga hipotezat i.e.».

Mendojmë se emërtimi i teorisë në fjalë mbetet dytësor kundrejt thelbit të saj, që është origjina e përbashkët e gjuhëve të quajtura konvencionalisht indoevropiane. Edhe vetë A. Kola e pranon ekzistencën e afrive në mes të këtyre gjuhëve. Për sa i përket atdheut të kryehershëm të indoevropianëve, kjo çështje ende nuk ka gjetur zgjidhje përfundimtare. Nga ky këndvështrim, idetë e autorit për atdheun pellazgjik të indoevropianëve do të merren në konsideratë, ashtu si edhe hipotezat e tjera për këtë problem.

Është gjë e njohur që mendimi shkencor nuk mund të ecë përpara pa formulimin e hipotezave. Edhe teoria i.e. nisi si një hipotezë, por në rrjedhë të kohës ajo përpunoi një metodë rreptësisht shkencore të kalimit nga e njohura tek më pak e njohura e tek e panjohura si dhe të krahasimit të gjuhëve, e cila dha rezultate të shkëlqyera. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur është vërtetuar më pas ekzistenca e trajtave të paravenduara (supozuara) në bazë pikërisht të kësaj teorie. Dhe është e natyrshme që gjuha bazë i.e. të mos kërkohet në asnjë nga gjuhët e sotme, por në një të shkuar shumë të largët, me anë të rindërtimit të trajtave hipotetike. Në këtë kuptim, s’mund të hidhet poshtë lehtë një teori si kjo – fryt i punës së brezave të tërë gjuhëtarësh. Të mbahet parasysh edhe kjo, që «ndryshimet që pësojnë gjuhët si dhe shkallët e ndryshme të marrëdhënieve në mes gjuhëve janë shpjeguar me anë hipotezash, të cilat, si çdo hipotezë tjetër shkencore, i nënshtrohen rishikimit (revision), që vjen si rezultat i zbulimit të dëshmive të reja ose i adoptimit të një mënyre të re të vështrimit dhe të renditjes së atyre dëshmive. Hipoteza ‘indoevropiane’ ka qenë në ndryshim të vazhdueshëm për shkak të këtyre dy arsyeve … Megjithatë, asnjë nga këto ndryshime të pjesshme (modifications) nuk është i mjaftueshëm për t’i bërë krejt të pavlefshme si metodat ashtu edhe konkluzionet e hershme të gjuhësisë krahasuese»[7].

b) Do të ishte më e saktë që ndryshimet midis dy gjuhëve të shpjegoheshin me rrugën e veçantë që ndoqi secila prej tyre sesa me ritmet e ndryshme të zhvillimit te popujve që i flasin ato.

c) Punimet në shqyrtim do të kishin përfituar shumë nëse do të ishin përditësuar me rezultatet e studimeve gjuhësore të kryera këto vitet e fundit në Shqipëri (të më lejohet të them se kjo është një e metë e përgjithshme e punimeve për arvanitët), të cilat kanë ndriçuar çështje deri dje të errëta ose kanë rishqyrtuar një sërë zgjidhjesh të mëparshme.

Mendojmë gjithashtu se krahasimet etimologjike nuk mund të mbështeten në barazime të rastësishme. Vërtet kemi fjalën homerike κέλης ‘kal’, por është vërtetuar bindshëm se kalë < lat. caballus[8], etj. Fjala λεβέντης zbërthehet si lë + vend, por ajo hyri në greqisht (dhe në shqip) nëpërmjet turqishtes dhe te kjo e fundit nga italishtja[9].

Do mbajtur mirë parasysh edhe mosha e fjalëve që krahasohen. Fjala ιερός e greqishtes së vjetër, p.sh., nxirret nga një bazë arvanite hierós (<hi(j)e + -ros), kur dihet që shqipja nuk formon mbiemra më -ros dhe se kjo fjalë është me sa duket një gjysmëkalk i formuar nga arvanitët sipas modelit σκιερός (σκιά ‘hije’).

Fakti që tanimë vetë studiuesit arvanitas po bëjnë më shumë për njohjen e botës arvanite është kuptimplotë dhe ogurmirë. Ka lindur nevoja që punimet e tyre të thellojnë karakterin shkencor për t’u bërë më të pranueshme në rrethet shkencore, por edhe më të dobishme për lexuesin e interesuar për këtë fushë. Gjithnjë e më shumë po ndihet edhe nevoja e hartimit të një bibliografie sa më të plotë të studimeve për arvanitët[10].

 

© 2023 Dhori Q. Qirjazi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Dh. Q. Qirjazi, «Aristidh Kola – romantiku, rilindësi, ideologu», Universi Shqiptar i Librit, 3 (14) 2000, 51-52. Shih gjithashtu edhe shkrimin «Αριστείδης Π. Κόλλιας – o ιστορικός των Αρβανιτών» të Tasos Karadis-it, Ρυθμοί της Σαλαμίνας, 4, 2001, 33-38.

[2] Sh. Demiraj, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë 1988, 54.

[3] Në mënyrë më të plotë e në kuadër më të gjerë përkatësia indoevropiane e shqipes u formulua nga F. Bopp-i më 1854. Ai arriti në përfundimin se shqipja «me të vërtetë i përket në mënyrë të sigurt familjes indoevropiane, por në elementet e saj themelore nuk ka ndonjë lidhje më të ngushtë, ose, aq më pak, ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjërën nga motrat sanskrite (=indoevropiane) të kontinentit tonë». (Cituar sipas Demiraj, Gjuha Shqipe…, 25).

[4] Sipas R. Qosja, «Kulti i së shkuarës në letërsinë e Rilindjes», Studime Filologjike, 1979, 1, 104.

[5] Citimet nga R. Qosja, vep. cit., 101.

[6] Α. Κόλλια, Η Γλώσσα των Θεών, 11.

[7] J. Lyons, Introduction to Theoretical Linguistics, Cambridge, 1968, 33.

[8] G. Meyer, Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strassburg, 1891, 170.

[9] Ν. Π. Ανδριώτη, Ετυμολογικό Λεξικό της Κοινής Νεοελληνικής, Θεσσαλονίκη, 1983³.

[10] Shih për këtë edhe Δ. Κυριαζής, «Αρβανίτες–Αρβανίτικα», Ελληνική Διαλεκτολογία, 5 (1996-1998), 7-36, ku jepet një bibliografi e zgjeruar me tituj në greqisht dhe në gjuhë të tjera.

Rreth Autorit

Dhori Q. Qirjazi (Δώρης Κ. Κυριαζής) u lind në Delvinë dhe vitet e fëmijërisë e të rinisë i kaloi në Sarandë. Pas përfundimit të studimeve për filologji greke dhe gjuhësi në Universitetin Aristotelian të Selanikut (1986), punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë (1987-1991) dhe më pas u vendos në Selanik, ku doktoroi me temë “Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe” (2001) dhe punoi si ndihmës dhe hartues i Fjalorit shumëvëllimësh të Greqishtes Popullore Mesjetare, nën drejtimin e prof. Emanuil Kriaras (1992-1999). Ka qenë lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin e Studimeve Ballkanologjike të Selanikut (1991-1999) dhe prej vitit 2000 në Universitetin ku punon edhe sot. Më 2006 filloi punën si lektor e më pas si assoc. prof. i gjuhësisë historike në Fakultetin Filozofik të Universitetit Aristotelian të Selanikut, me objekt studimi marrëdhëniet e greqishtes me gjuhët e tjera ballkanike.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin