LIRIA PËR TË IKUR (III)

Nga vetëvrasjet “e mëdha” gjatë viteve të regjimit totalitar, më e bujshmja ishte pa dyshim ajo e kryeministrit Mehmet Shehu, në 17 dhjetor 1981, në përfundim të një konflikti politik sekret dhe të pamëshirshëm.

Rreth historisë së kësaj vetëvrasjeje është ndërtuar baza leximtare, madje edhe reputacioni, e pothuajse krejt memorialistikës politike post-totalitare në mediat; nuk është vendi këtu për të shkruar rreth motiveve të saj, të shfaqura dhe të supozuara; as për të diskutuar nëse ishte vërtet vetëvrasje apo jo.

Na intereson, përkundrazi, qëndrimi zyrtar i regjimit, i shprehur nëpërmjet fjalës së Enver Hoxhës, ndaj këtij akti.

Në famëkeqen “Tablo sinoptike”, të cilën Enveri e botoi edhe si shtojcë të veprës së vet Titistët, lideri komunist shqiptar u shpjegoi të vetëve dhe më pas krejt shqiptarëve, se Mehmet Shehu deri edhe urdhrin për t’u vetëvrarë e kish marrë nga handler-ët e tij agjenturorë: jugosllavët dhe amerikanët.

Dixit Enver Hoxha:

Pas mbarimit të Kongresit, ndoshta Mehmet Shehu njoftoi jugosllavët se, edhe pas dorëzimit të autokritikës, ai trajtohej njëlloj, se nga sa kishte kuptuar në bisedat tona me të, masa e dënimit do të ishte me karakter të brendshëm partie. Kjo nuk u leverdiste titistëve, serbomëdhenjve dhe UDB-së jugosllave, që prisnin e kërkonin të ngjante me çdo kusht rrëmuja në Shqipëri. Prandaj, Ambasada Jugosllave në Tiranë, në prag të mbledhjes së Byrosë Politike, ku do të diskutohej për gabimin e rëndë politik të Mehmet Shehut, sipas urdhrave që kishte marrë nga Beogradi, ngarkoi agjentin e vet dhe ndërlidhësin Feçorr Shehu të shkonte tek Mehmet Shehu e t‘i transmetonte ultimatumin e UDB-së, që Enver Hoxha të vritej me çdo kusht, edhe në mbledhje, qoftë duke u vrarë edhe ai vetë. Kaq ngushtë kishte rënë UDB-ja, klika titiste serbomadhe, me gjendjen në Kosovë, kaq zi u dukej perspektiva, saqë vendosën të djegin kartën e madhe, super-agjentin e tyre, veç të ndodhte diçka spektakolare, që “të bënte t‘i tronditeshin themelet” Shqipërisë Socialiste dhe Partisë së Punës së Shqipërisë.

Sikurse e dimë, vetëvrasja e kryeministrit të atëhershëm dhe njërit prej figurave kryesore të regjimit, u trajtua jo si fatkeqësi, as si vepër e një njeriu të dëshpëruar, por si akt armiqësor i një poliagjenti, i cili u përpoq të godasë Partinë dhe shtetin deri edhe nëpërmjet vdekjes së vet spektakolare.

Mënyra si u arsyetua, në këtë rast, ishte tipike për regjimin totalitar; Mehmet Shehut, si komunist dhe si burrë shteti, i refuzohej çdo mundësi që të kish vepruar me dëshirën e vet, ose në përgjigje të një situate pa rrugëdalje. Ose më mirë, shpjegimi psikologjik që mund të jepej për aktin e tij (depresioni, ankthi, fyerja e krenarisë, frika para rrokullimës) nuk kishte kurrfarë rëndësie para shpjegimit objektiv, i cili zëvendësonte shkaqet me efektet.

Pavarësisht se ç’e kish shtyrë Mehmet Shehun të vetëvritej, gjesti i tij i jepte një goditje të rëndë regjimit, duke vënë në pikëpyetje soliditetin dhe madje legjitimitetin e tij, pa lënë jashtë edhe marrëdhëniet midis Partisë dhe shtetit, ideologjisë dhe ekzekutivit, të cilat kishin kohë që lëkundeshin (gjatë gjithë viteve 1970). Në këtë hulli arsyetimi, nëpërmjet një kapërcimi dialektik, efekti i aktit u adoptua pastaj edhe si shkak i tij: meqë vetëvrasja e Mehmetit e dëmtoi shtetin, atëherë Mehmeti, duke vrarë veten, synonte dëmtimin e shtetit.

Mbaj mend që, kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë marifet, kam menduar se Enver Hoxha sapo kish thyer një rekord të ri, në kazuistikën e vet prej plaku tashmë të mbërthyer përfundimisht nga paranoja; teksa aktin ekstrem të mikut të tij më të ngushtë, njeriut me të cilin kishte ndarë gjithçka gjatë gati 40 vjetëve në krye të komunizmit shqiptar, ua paraqiti të vetëve si një atentat të drejtuar, në thelb, kundër atij vetë, liderit total të një shteti në buzë të humnerës.

Ideja ishte se, në nivelet ku lëviznin krerët e kupolës komuniste shqiptare, liria individuale, madje vetë individi, nuk ekzistonte më; dhe çdo akt përcaktohej jo nga vullneti i lirë, por në mënyrë retroaktive, nga pasojat që do të përftonte.

Tabloja sinoptike nuk ishte veçse pjesë e vogël e një rileximi gjithëpërfshirës, krejtësisht paranojak, të historisë së totalitarizmit në Shqipëri, në të cilën do t’i hapej vend tashmë edhe armiqësisë po aq totale të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe të tjerëve; ose të gjithë atyre që, në vitet 1970 (madje edhe më herët) kishin qenë zbatuesit më të egër të dhunës totalitare kundër shqiptarëve, përfshi këtu edhe komunistët vetë.

Më pas, kur jam njohur me spastrimet e mëdha në Bashkimin Sovjetik të viteve 1930, gjatë të cilave Stalini praktikisht e asgjësoi fizikisht krejt gardën e vjetër të bolshevikëve leninistë, duke pushkatuar në fund fare edhe vetë pushkatuesit, hetuesit dhe xhelatët e tjerë që ia kishin mundësuar këtë farë masakre; pra, kur kam lexuar për ato spastrime që i kishin rrënjët te lufta kundër opozitës trockiste në fund të viteve 1920, por që shpërthyen në krejt madhështinë e tyre makabre pas vrasjes së Kirovit në 1 dhjetor 1934, kam pikasur menjëherë disa paralelizma strukturore midis spastrimeve sovjetike dhe atyre në Shqipëri; edhe pse ende nuk e kam të qartë nëse ato kanë të bëjnë me vetë rregullsitë e brendshme të spastrimit, apo janë kopjime të njëra-tjetrës nga ana e masakruesve.

Natyrisht, nga të katër klasikët e marksizëm-leninizmit, Enveri kishte përtypur më mirë Stalinin, ngaqë Stalini ishte më i thjeshti, më praktiku dhe më i zbatueshmi në realitetin shqiptar; në një kohë që krerët e aparatit represiv policor, në Shqipëri, u shkolluan pothuajse të gjithë në shkollat sovjetike, në vitet kur destalinizimi ende nuk kishte vepruar. Gjasat janë që konvergjenca, në lidhje me grupet “armiqësore” dhe likuidimin e tyre, të jetë njëkohësisht efekt i ligjësive strukturore të një organizate që nis të kanibalizojë vetveten dhe i dëshirës për t’u sovjetizuar, nëpërmjet imitimit të verbër, ose cargo cult-it, të praktikave sovjetike.

Megjithatë, prapë u kapa në befasi kur lexova, këto ditë, disa komente të udhëheqësve stalinistë të kohës, madje edhe të Stalinit vetë, në lidhje me vetëvrasjen e ish-bolshevikut Mikhail Tomski, tashmë të shndërruar në armik të komunizmit e të klasës punëtore e në agjent të borgjezisë ndërkombëtare.

Bolshevik i gardës së vjetër dhe anëtar i krahut ‘të moderuar’ të komunizmit sovjetik në vitet 1920, Tomski kish rënë nga vakti që herët në vitet 1930, edhe pse ende nuk ishte arrestuar, kur e ktheu armën kundër vetes, në verë të vitit 1936.

Sipas Molotovit,

Vetëvrasja e Tomskit ishte një komplot, një akt i paramenduar. Tomski kishte planifikuar, jo me një person por me disa vetë, që të kryente vetëvrasje dhe, në këtë mënyrë, të godiste edhe një herë kundër Komitetit Qendror.

Ndërsa Stalini të njëjtën vetëvrasje do të komentonte kështu:

Ja, këtu kemi një nga mënyrat më ekstreme dhe më dinake dhe më të lehta, me të cilat mund të pështyhet Partia dhe të mashtrohet edhe një herë të fundit, para vdekjes, para largimit nga kjo botë.

Mohim i plotë i subjektivitetit, e quan këtë lloj arsyetimi Zhizheku, nga i cili i kam nxjerrë këto citate (por Zhizheku i referohet këtij burimi).

Diçka e ngjashme nxjerr krye edhe në fjalimin e fundit të Buharinit, para Komitetit Qendror, më 23 shkurt 1937. Buharini, i cili kish marrë tashmë rrokullimën dhe më pas do të përfundonte edhe ai para skuadrës së pushkatimit, i thotë platesë akuzuese së Plenumit:

Unë nuk do të vras veten, sepse pastaj njerëzit do të thonë se unë e vrava veten për të dëmtuar partinë.

Duke komentuar këto fjalë, Zhizheku shkruan se, nga pikëpamja staliniste, vetëvrasjes i mungonte çdo lloj autenticiteti subjektiv: ajo thjesht do të instrumentalizohej, duke u reduktuar në një nga format më ‘djallëzore’ të komplotit kundërrevolucionar.

Konvergjenca bëhet edhe më e habitshme, po të kemi parasysh se një pjesë e këtyre materialeve të plenumeve të KQ të PKBS kanë qenë sekrete, të panjohura deri në fund të viteve 1980; dhe se Enver Hoxha, me të tijtë, nuk mund ta kenë kopjuar drejtpërdrejt kazuistikën staliniste, por vetëm kanë interpretuar – në mënyrë virtuoze frymën e saj, duke përfshirë edhe temën aq specifike të vetëvrasjes si akt armiqësor kundër pushtetit.

Ironia, nëse mund të përdorim këtë term, është se këta të vetëvrarë – Tomski në Bashkimin Sovjetik, ose Mehmet Shehu në Shqipëri (madje edhe Nako Spiru dikur) mund të përfundonin fare mirë të vrarë nga gjyqi i popullit, ose sipas rregullave të shtetit; prandaj gjesti i tyre armiqësor nuk ishte i tillë në thelb (vrasje për vrasje), por nga pikëpamja formale. Ajo që u thonë kundërshtarëve të tyre, Stalini dhe Enveri, mund të përmblidhet pak a shumë kështu: ju vërtet do të vriteni si qentë, vetëm se jo kur të doni e ta vendosni ju, por kur ta vendosë Partia (populli, ne). Kësisoj edhe likuidimi fizik i kundërshtarit duhet t’i shërbejë, me mënyrën e vet, ‘kauzës’ (ose ruajtjes së pushtetit nga lideri total) dhe nuk mund të lejohet të degradojë në efekt të një gjesti dëshpërimtar, të dikujt dëshiron të fitojë kohë dhe ta zbatojë vetë sentencën fatale.

Prandaj edhe vetëvrasja e kuadrit të lartë komunist është kaq e dëmshme; sepse individi (viktima dhe njëkohësisht armiku) merr përsipër të ekzekutojë vetë një akt vrasjeje, i cili duhet të mbetet prerogativë e pushtetit totalitar, i cili prandaj është edhe pushtet totalitar, ngaqë të vret, për hir të një interesi madhor ose suprem. Është detyrë sublime e liderit të djeshëm tashmë të demaskuar si armik, që t’i shërbejë Partisë duke pranuar, në hollësi dhe plotësi totale, skenarin që është përgatitur për ndëshkimin e tij. Vetëvrasja, përkundrazi, e ndërpret këtë farsë, këtë karneval të veprimit politik, duke hapur një vrimë të keqe në fasadën e historisë; dhe si e tillë është e krahasueshme me absurditetin e një aktori i cili vdes përnjëmend në skenë, së bashku me personazhin e vet.

Nuk ka komente

  1. Une do te thoja qe titulli me i pershtatshem do te ishte “Te Vrare Pas Vdekjes”. Dhe pa pritur te kujtohet jehona e kokave te prera para Portes se Larte, te Ali Pashaut e te tjereve, qe te kriposura ndenjen per kohe te gjate ne tru te njerezise. Mesim terrori mesjetar por qe kishte vlere shekullore. Por vdekja nuk mbaronte aty, qe te ishte me e madhe e me makabre duhet te vritej familja e farefisi, e te denoheshin breza te tere me radhe. Kete bene edhe pashallaret tane te kuq, dhe iken njeri pas tjetrit ne te njejten menyre. S’kishte asnje nje gje heroike, u vrane nga e njejta shpate qe vrane te tjeret. Pastaj vdekja e stermadhe iu preu kokat ne photgraphite, u fshine nga pikturat, nga librat dhe pinjollet i kalben ne burgje. Komunismi anadollak shqiptar perdori metodat e perandorise turke, te asaj ruse dhe asaj kineze, si nje fshat shtet, vrau edhe ai pjesen e tij. Enveri s’ishte Hitler, dhe as Stalin. Asgje te re e specifike nuk solli per te tjeret qe te mesonin nga komunismi shqiptar. Por tragjedia me e madhe ishte se cfare i beri terrori mendjes senje populli, qe e beri bashkefajtor me heshtjen e tij, dhe surviver ne terrorin ku jetonte. Dyjezimi I personalitetit “me ty, por kundra teje ne heshtje”, me pakokecarrjen per fjalimet e librat e pashaut, edhe pse studiohesshin ne cdo qelize. Dhe mbijetesa individuale “larg byth..s sime” lane cikatrica te thella ne mendjen e shqipetareve qe shihen edhe sot ne jeten politike dhe individuale shqiptare. Vetevrasja eshte nje revolte ne heshtje e nje sacrifice supreme, sic eshte eshe deshperim. Eshte tejshem personale e ndoshta e pa ndjeshme per ata qe le pass dhe boshllekun, por prape se prapi eshte nje revolte trime e jo nje dobesi medore. Por edhe ne qofte e tille c’do njeri ka te drejte te beje c’te doje me trupin e tij. Per ne qe ngelemi pas, nuk duhet te rremojme qe te gjejme te verteten dhe shkaqet objective e subjective sic mesonte marksizmi, por te vleresojme jeten e tyre qe u vetevrane ose u arratisen (analogji e gjetur nga autori) cfare sollen per kombin, e ne mos per kombin, per familjet e tyre dhe per njerezit perreth. Nga ana tjeter “komunismi anadollak” do te ngelet pjese e histories sone pamvaresisht nese ne e shajme sot pas pilafit ate kohe the zhdukim te gjithe monumentet. Ka vetem nje mjekim dhe ky eshte ndergjegjesimi i ri kombetar me nje startegji te qarte dhe pa brenga te vjetra. Kirurgji me mendim te kthjellet se cfare duhet te bejme ne te ardhmen e ta bejme ate me te mire se cka qene dhe c’shte bere. Si te mbijetojme ne nje ekonomi tregu ku shtete is Greqia, Spanja e te tjera mund te humbasin fare lehte, ku shtetet humbasin identiteting a behen “proletare” pa atdhe midis pare dhe stock market. Per kete se pari duhen qe mendjet e mencura te bashkepunojne mes tyre e te mos presin nga dikush tjeter, qofte edhe nje fuqi te madhe. Ne jemi e duht te jemi me te interesuarit.

  2. Vetevrasja e Mehmet Shehut ishte goditje ndaj sistemit nese shihet ne hullite e luftes per pushtet, por jo pse me kete ish-kryeministri anuloi ate kredo morale te unitetit te celnikte. Letra qe la Mehmeti eshte dokument unik, nje testament qe i jep Enver Hoxhes liri abosolute per te perdorur edhe nje sakrifice post-mortum te vartesit te tij ne funksion te Kauzes. Kauza eshte vetem nje – pushteti. Por a e dine te gjithe kete?
    “Nuk me mbeti rruge tjeter per te kryer detyren time, vec vetevrasjes”, thote Shehu. Pra ai po thote publikisht se po e ben aktin ne emer te socializmit, per ruajtjen e tij nga Jagua dhe Hrushovi, pra tjetersimi final dhe jo sepse ka frike te pranoje gabimin. “Thoni se Mehmeti u vra nga pakujdesia me armen, apo thoni se jam armik. Perdoreni vdekjen time…e verteta s’vdes kurre”, perfundon Shehu. Po i rikthehem asaj qe thashe ne fillim; vetevrasja ne fjale si goditje ndaj sistemit. Hoxha nder vite se bashku me Shehun, luftoi egersisht kunder revizionizmit titist dhe atij hrushovian. Monoliti politiko-institucional, imagjinar dhe pretendues deri ne surrealizem, Parti-Popull, eshte investim i jetes, pushteti qe ndryn brenda te gjitha vlerat shoqerore pozitive, korrigjues moral, madje i tille sa duket sikur zhvillohet si nje permase hapesire-kohe qe energjitizon gjithcka. Kur Shehu vetevritet per ta ruajtur partine nga Hrushovi, ai ne fakt ndihmon Hoxhen per te ruajtur Sistemin, pse mendon se lideri ka vertet besim tek ideologjia. Por nuk e perjeteson ate. A eshte ky nje gabim qe e zhvendos Hoxhen me syte e vartesit ne nje bote vdekataresh ku edhe ai gabon apo nuk eshte i vemendshem? Ne fakt letra i drejtohet sa nje shoku, aq edhe nje lideri.
    Alia ishte nje Hrushovian i vertete, aq sa nje oportunist dhe realist i politikes mund te quhet reformator. Por nese sistemi ngjizi edukaten e nje dogme te shenjte, Shehu ruan me vetevrasje sistemin dhe Hoxha jo. Hoxha ruan vetem pushtetin, perndryshe me letren ai mundet fare mire te zbuloje komplotin e Jagos dhe te Hrushovit e te riorganizoje goditjen. Ndaj them se ketu Sistemi, ne parim, ai i propaganduar teorikisht mbrohet nga viktimat, ndersa ai praktik, pushteti me mekanizmat e tij, ai qe ka jetegjatesine me te madhe, parashikohet nga Lideri. Ketu ka nje problem edhe me natyre psikologjike; eshte gabim qe nje vartes te behet ne publik, interpreti moral i dogmes zyrtare kundrejt nje lideri qe aspiron pavdekesine. Ka qene me mire ne antikitet, me rolin e paracaktuar te prifterinjve.
    Ndoshta do pranuar se me optiken e kohes dhe te sistemit, Shehu eshte nje martir i komunizmit, apo Enverizmit nese mund te ulim profilin ideologjik. Madje ai eshte i tille edhe sot, po te shohesh se zgjedhja e Hoxhes ishte ose nje gjetje e kalkuluar per ndryshimin e bute, ose nje gabim me pasoja te medha. Ne te dyja rastet, Totalitarizmi i jep te drejte Shehut, i cili pas mendimit tim me vetevrasjen dha per Shqiperine edhe nje kryeveper te misterit politik.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin