nga A.A.B.
Lajm i papritur i para pak ditësh: Këshilli Bashkiak i Urës Vajgurore ka ndryshuar emrin e bashkisë në Dimal, për nder të ngulimit ilir aty pranë. Ideja, na thuhet, vjen nga «një grup nismëtar i përbërë nga gazetarë, intelektualë, studiues dhe biznesmenë». Ka për qëllim zgjimin e «interesit të vizitorëve që i drejtohen Beratit» për të vizituar Urën Vajgurore, duke u përpjekur që, njëkohësisht me ndërrimin e emrit, të «rijetëzojë» sitin arkeologjik e ta kthejë në destinacion turistik.[1]
Në vetvete, nuk duket as lajm e as ide e keqe. Ura Vajgurore, thellësisht provinciale dhe ish-industriale, ngecur në krah Beratit shumë herë më të vizitueshëm, mundohet që të krijojë një identitet të vetin të ri, më bashkëkohor e më tërheqës për turistët që vijnë në Shqipëri. Por, duke qenë se shteti ynë ka një histori të pasur të ndërrimit dhe tentative për ndërrimin e emrave, zakonisht me arsyetime kombëtariste apo thjesht politike, lipset që ta shqyrtojmë më imtësisht këtë histori, e të përpiqemi të kuptojmë se ç’po ndodh në të vërtetë.
Pak kontekst historik: në vitin 1916, C. Praschniker, i Institutit Arkeologjik Austriak, vëren rrënojat e një qendre banimi të lashtë në kalanë e fshatit Krotinë të Mallakastrës.[2] Gërmime të mirëfillta arkeologjike ndërmerren vetëm në vitet 1963-74 nga B. Dautaj[3] dhe nxjerrin në dritë një qytet të shek. IV p.e.s. Midis të tjerash, zbulohen katër vula të fragmentuara, mbi tjegulla, që kanë mbishkrimin DIMALITAN e që vërtetojnë epigrafikisht emrin e qytetit.[4] Gërmime të mëtejshme dëshmojnë për një qytet që merr karakter urban pas pushtimit romak, gjatë shek. II-I p.e.s., dhe braktiset dikur në shek. I e.s.[5]
Qartazi, ky Dimal historik, për t’i dhënë emërtesën e shqipëruar, nuk ka kurrfarë lidhjeje me Urën Vajgurore moderne dhe përpjekjen e saj për t’u rishpikur si qytezë turistike, përveç një afërsie rastësore gjeografike. Kjo këmbëngulje për të bërë bashkë dy gjëra kaq të ndara merr një tis misteri.
Me mjaft shkathtësi, bashkia e Urës Vajgurore ka bërë një fushatë të konsiderueshme për popullarizimin e «Djaloshit të Dimalit». Konkretisht, kanë përururar një shtatore të madhe të tij dhe kanë porositur një pikturë akoma më të madhe murale, street art, po prapë të tijën, në qytet. Diku, kryebashkiakja e Urës Vajgurore madje e përmendte «Djaloshin e Dimalit» si «simbol të qytetit».[6] Po ç’do të thotë kjo?
Zgjedhja nuk është e rastësishme. «Djaloshi» me nam, që, në të vërtetë, është thjesht kokë e një statuje atleti, pa ndonjë vlerë të veçantë historike, prej kohësh mbetur në Muzeun Etnografik të Beratit(!), ka pikërisht të mirën e mungesës së valencës. Një figurë gati krejt e panjohur, që nuk i thotë gjë njeriu, e që, prandaj, mund të plazmohet lehtësisht e pa ndonjë lodhje të madhe, me përjashtim të nevojës për ta propaguar në publik.
Në këtë mënyrë, anashkalohet me elegancë çështja e rëndësisë, vlerës apo lidhjes që banorët e Urës Vajgurore (nuk) kanë me sitin e Dimalit dhe, në vend të kësaj, përftojmë figurën dydimensionale të «Djaloshit të Dimalit». I rrejshëm dhe në thelb i kotë, ky kitsch lavdie të supozuar sportive i jep qytetarëve, sipas autoriteteve të etur për identitet, një lidhje të menjëhershme– nëpërmjet empatizimit sportdashës – me lashtësinë.
Arsyeja për këtë nevojë drastike të një identiteti të ri për Urën Vajgurore nuk duket të jetë veçanërisht i mirëmenduar. Sigurisht, në një çast të dytë, qeveria mund të ketë bujarinë e pazakontë që t’i japë Dimalit të ri ato pak fonde sa për të sajuar një gjysmë parku arkeologjik në Dimalin e vjetër. Por sa rëndësi ka për të pasur kjo lëmoshë buxhetore në kthimin e Dimalit në një destinacion turistik viable? Fare pak, pasi një qytet pa asnjë traditë të mëparshme turistike nuk mund t’i fitojë kapacitetet e nevojshme brenda natës, vetëm nëpërmjet çeljes së një parku të vogël arkeologjik.
Zhveshur nga skelaria e kthimit të Dimalit në «atraksion», ky vendim realizon vetëm ndryshimin e një emri vendi. Ura Vajgurore, sado kaba si emër, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së qytezës dhe banorëve të saj. Në njëfarë mënyrë, vendosja e atij emri në 1948-n përcaktoi fatin, estetikën dhe ethos-in e saj prej qendre industriale provinciale. Pavarësisht dëmit real të dyzetë vjetëve jetë si Urë Vajgurore, kjo përvojë kolektive ishte pronë e gjithë banorëve të atij vendi dhe, sikur vetëm për këtë arsye, e paçmueshme.
Vjedhja e saj, pa patur shkak të mirëfilltë, në kuadër të një plani fantastik, është emblematike e prirjes së përgjithshme grabitqare të pushtetit dhe politikave të tij kulturore fundërruese. Lehtësia dhe metodat aq të vrazhda me të cilat u realizua ky operacion – një fushatë ulërisht injorante, drejtuar një publiku materialisht e kulturalisht të vobektë dhe pa zgjedhje – janë alarmuese.
Nëse rasti i Urës Vajgurore ka për të qenë prototip dhe shpronësimi e shkatërrimi fizik i pasurisë kulturore që kemi dëshmuar këto vite, veçanërisht në Tiranë, ka për t’u shtrirë drejt sferës shoqërore, në një përpjekje për të rikrijuar identitetin tonë, atëherë fenomeni i dimalizimit përbën një tentativë të rrezikshme për zhdukjen e pluralizmit tonë kulturor dhe duhet kundërshtuar sa herë jepet rasti.
© 2020, A.A.B. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: rrënoja të sajuara, nga video-loja The Talos Principle.
[1] Erjola Azizolli, «Dimal apo Ura Vajgurore; a duhet të zëvendësohet emri i bashkisë?», Reporter.al, 28 shkurt 2020.
[2] Camillo Praschniker. Muzakhia und Malakastra; archäologische Untersuchungen in Mittelalbanien. (Vjenë: Alfred Hödler, 1920), f. 103.
[3] Belisa Muka dhe Michael Heinzelmann, «Rezultate të reja në Dimal», Iliria 38 (2014), f. 112.
[4] Burhan Dautaj, «Zbulimi i qytetit ilir Dimal», Iliria 2 (1972), ff. 136-7.
[5] Muka dhe Heinzelman, ff. 112-3.
[6] Pa autor, «Përurohet djaloshi i Dimalit; zbulimi i bujshëm i Urës Vajgurore», Panorama, 6 qershor 2017.
Zona në fjalë ka pasur edhe dy emra të tjerë: Ura e Hasan Beut, dhe Mesi i Urave. Këto dy toponime janë më të vona se Dimal, por më të hershme se Ura Vajgurore. Imagjino sikur “grupi nismëtar” të kishte pasur pak më shumë fantazi e ta kishte quajtur “Mesopotam”! Shpërthimi turistik do të kishte qenë i garantuar!
Matanë shakasë, dukuritë e huazimit të toponimeve dhe imazheve me rrënjë në lashtësi bartin me vete edhe higjienizim të historisë, fatkeqësisht. Janë të njohura ndryshimet dritëshkurtra që u bënë në një hark kohor 25 vjeçar nga Zogu, pushtimi italian, regjimi hoxhist. Duket se në çdo periudhë historike njerëzit priren të përshtasin vendin me gjithë ç’nënkupton ai, e shkuar – e tashme – e ardhme sipas përmasës së tyre vetjake, në vend që t’i përshtaten ata vendit.
I dashur Sokol,
keni të drejtë. Pata menduar të përfshija diçka nga historia toponimike e Urës Vajgurore, por pastaj e lashë, për arsye ekonomie verbale.
Diku, në një histori lokale të zonës, del një emërtesë akoma më të hershëm: lagjja Qelbësirë e fshatit të Konesbaltit/Kondesbaltit (nuk arrij të gjej formën zyrtare asgjëkund), që banohej nga arumunë dhe quhej kështu për shkak ose të burimeve squfurore të atjeshme, ose të një peme të madhe, të quajtur gjithashtu Qelbësirë, e cila thuhet që të jetë prerë prej italianëve. Pa e njohur mirë gjeografinë e atjeshme, mendoj se gjeografikisht nuk duhet t’i përgjigjet tamam Urës Vajgurore, nisur nga ajo që pas L2B, autoritetet partiake vendosën ta eleminonin rrezikun e dyfishtë të Qelbësirës si (1) të papërshtatshme estetikisht dhe (2) emër të huaj – “fjalë arumune që në shqip do të thotë i papastër” – duke e pagëzuar Gur i Bardhë, përkundër propozimit të vendasve, që kishte qenë Goricë.
Interesante gjithashtu kjo ruajtje e lidhjes së toponimit me aspektin funksional të vetë vendit. Fjala bie, Ura e Hasan Beut dhe Mesi i Urave i përkasin kohës kur atje u ndërtua një bujtinë udhëtarësh dhe fshati/qyteteza ishte ndalesë rrugore; me Urën Vajgurore kemi tashmë një ravijëzim të industrializimit të pritshëm të tij, e kështu me rradhë. Vetëm me Dimalin kemi një shkëputje të pastër referenciale të emrit nga qyteti, viktimë e historicizmit të theksuar të qeverisjes së sotme vendore.
Gjithe ky shkrim dhe nuk kuptohet ku eshte problemi. Vendbanimit nuk i ndryshohet emri, i ngelet Ura Vajgurore, ndersa Bashkia ne kuptimin e rrethit ( apo krahines ) ndryshon emrin ne Dimal. Njesoj si rrethi Skrapar, Bashkia Skrapar. Me emrin Ura Vajgurore nuk ka as shume kuptim te quhet nje krahine,rreth, sepse eshte shume specifik ne domethenie dhe sepse si vendbanim e ka emrin te ri, sipas gjasave banoret e fshatrave te bashkise, i quajne me dinjitoze fshatrat e tyre, sepse jane me te vjeter. Nga ana tjeter, turistet qe drejtohen ne Berat apo Skrapar meqe e kane rruges, mund te bejne nje vizite te shkurter dhe te lene ndonje lek ne zone, si i thone dicka do pikoje nga c’rrjedh ne Berat e Skrapar. Kemi te bejme me reklame te mire dhe mund te kete gisht Lali Eri me specialistet e tij te PR, meqe para ca vitesh u perfol per sherr me Erjon Bracen per zonen ( Bracja e humbi sherrin dhe u leviz ne Lushnje/Divjake).
Unë sigurisht që nuk mund të marr përsipër të flas për raportet e dinjitetit toponimik të Urës Vajgurore me fshatrat rrethepërqark. Vështirë të jetë kjo arsyeja për ndërrimin e emrit në Dimal, aq më tepër që siti vetë ka pasur disa shtresa arkeologjike, duke qenë i banuar në kohëra të ndryshme dhe, për vendin ku u zbulua Dimali, emërtimi vendas ka qenë (dhe, besoj, është) kalaja e Krotinës.
Pastaj, nëse vërtet ndryshimi i emrit mjafton për ta shtuar Dimalin në itinerarin e turistëve që shkojnë në Berat e Skrapar, fjala juaj në vesh të Perëndisë! Vështirë, duke patur parasysh që rruga e re që lidh Lushnjën me Beratin, kam dëgjuar, e lë menjëanë Urën Vajgurore. Për vete mendoj që ishte thjesht një justifikim apo përligjje pak e trashë për diçka që kishin vendosur ta bënin që paraprakisht, ndoshta për hir të një patriotizmi pak të mefshtë, ndoshta prej një ndjenje inferioriteti të lidhur me emrin e qytetit.
Nuk e di pse kembengulni tek ndryshimi i emrit te qytetit. Tek faqja e bashkise konfirmohet qe ndryshimi i takon emrit te bashkise, por jo qytetit. Pra, thuhet shkoj ne Uren Vajgurore te bashkise Dimal, si thuhet shkoj ne Corovode te bashkise Skrapar.
Gjithsesi, reforma e deshtuar administrative, solli krijimin e 67 bashkive, si me qene 67 rrethe, pra u rrit ndjeshem numri i rretheve, qe tashme quhen bashki.
Reforma nuk zgjidhi asnje problem, por krijoi plot te tjere, nje prej te cileve eshte identifikimi i banoreve me bashkine, meqenese ne mendesine shqiptare rrethi,/tashme bashkia perfaqeson nje krahine.
Nuk e di se ku kalon rruga e re, Lushnje-Berat, por edhe nese kalon me afer Kucoves dhe le Uren larg, prape jemi duke folur per 5-10 km, dmth cdokush me veture apo grup me autobus qe ka kuriozitet per arkeologjine mund ta beje nje ndalese per ne Dimal ( nqs ka rruge te asfaltuar deri atje kuptohet).
Nga ana tjeter, Dimali antik i detyronte ekzistencen e vet, tregtise qe behej nga Apolonia drejt liqeneve duke i rene nga krahina e Beratit ( ishte me e preferuar sesa udha nga Shkumbini).
Pak a shume edhe Ura Vajgurore i detyron ekzistencen e vet lidhjeve Fier-Berat e Lushnje-Berat. Pra nqs sot per sot nje vendbanim do te kerkonte trashegimine e Dimalit ne tregti e transport, asnje nuk do te ishte me legjitim sesa Ura Vajgurore .
Bashkia Dimal shtrihet ne skajin verior te Shpiragut, i cili zbret ne kodra te buta, ku kalon prej antikitetit rruga nga bregdeti per ne Berat dhe jo shume larg prej aty rruga nga Elbasani apo veriu per ne Berat.
Dimali mesa duket u ringjall prej damareve te tokes. Ti urojme jete me te gjate kesaj radhe dhe hyji e ruajte nga syri i keq.
Ndryshimi i emertimit behet me ligj dhe i paraqitet kuvendit te Shqiperise. Nuk vendos Keshilli Bashkiak. Keshilli sipas ligjit duhet te jap mendimin e tij. Ne media eshte bere fushata ndergjegjesuse nga ana e Bashkise, dhe mendimi i popullates i cili eshte gjithashtu detyrim ligjor. Nuk e kuptoj nga i gjeni keto historira te kota dhe kete tymnaj per nje emertim. Kalaja e Krotines ndodhent ne njesine Cukalat pjese perberese e Bashkise aktuale dhe jo ne Mallakaster. Qendra e Bashkise do te ngelet Qyteti i Ures Vajgurore. Shpresoj te kem qene i qarte dhe mos abuzoni kot me hamendesime dhe informacione jozyrtare.
Paska autoritet ligjor bashkia e Ures Vajgurore te ndryshoje emrin?
Jo qeveria e Republikes?
Po hartat, librat, dokumentat, kadastrat kush do i ndryshoje apo do financohen nga parate qe do sjellin turistet ne Dimal?
Mqrfl, pa dashur te hyj ne gjera personale, a ju kujtohet nje liker apo dicka e ngjashme me emrin Dimal?
Ka pasur nje te dehur te keqe ky Dimali, sidomos kur je i papervoje ne te pire… LOL
“Kjo këmbëngulje për të bërë bashkë dy gjëra kaq të ndara merr një tis misteri.“
Mister i madh. Vec per keto xhevahire duhen lexuar ca shkrime. A ka pasur Dimal? Poooooooo. A eshte e njejta zone? Pooooooooo.
C’te keqe paska ky emer qe na duhet nje shkrim pa koke dhe pa kembe si ky me siper. Ku eshte tisi i famshem i misterit ketu? Autori mund te na tregoje se c’ngjyre eshte ky tisi i famshem. I bardhe si ne poezine e Kadarese apo ngjyre tjeter.
Kurioze ta mesoj.
Amantia, është shumë e thjeshtë: toponimi Dimal u saktësua dhe u lidh me vendin vetëm pas gërmimeve arkeologjike dhe gjetjes së objekteve që vërtetonin lidhjen. Në kujtesën e banorëve, qofshin vendas “autochthonous”, siç është e modës, qofshin ardhacakë, nuk është ruajtur lidhja mes Dimalit të shkuar dhe Urës së sotshme. Kur kjo lidhje nuk ekziston në formën tradicionale, do të thotë se nuk është organike, është e induktuar ideologjikisht, jo e bartur natyrshëm. Kurrë s’ka humbur emërtimi i Durrësit / Dyrrahut / Draçit, sepse s’ka mbetur kurrë pa u banuar, dhe meqenëse ky toponim është organik, nuk propozon njeri të riemërtohet Durrësi Epidamnus, se ashtu ka qenë një toponim tjetër më herët. Kur lidhjet s’ekzistojnë në jetën reale, do të thotë se lidhjet e tjera janë teknike, me sfond ideologjik, dhe pikërisht ideologjitë çrregullojnë rrjedhën e normales. Të paktën sot, kush dëshiron të kuptojë, ka mundësi t’ia sqarojë vetes këto gjëra. Përndryshe, hajde t’i ndryshojmë emrat e prefekturave të Shqipërisë sipas atyre Mesjetare, sipas llagapeve të zotërve vendas mes shek. XII-XV, apo sipas vilajeteve të periudhës osmane.
Duhet pranuar se emri i Urës Vajgurore është një rast i vëçantë. Vetë emri ka konotacionin dhe dnotacionin të ngarkuar. Ndryshe nga emra të tjerë që në përditshmëri nuk kanë ndonjë kuptim përveçse indexial, pra të identifikojnë ose shënojnë qytete pa ndonjë konotacion specifik, përtej identitetit të tnatyrshën historik, emri Urë Vajgurore është shumë përshkrues, deri edhe tek tipologjia e qytetit, duke e identifikuar atë përfundimisht me qytetin industrial dhe një të kaluar distopike do thosha unë. Nuk e njoh historinë e qytetit aq shumë sa të komentoj me sensibilitet, por duke qënë një histori e vonë, ndryshimi i emrit, nëse bien dakort banorët, nuk më duket ndonjë hata. Kam përshtypjen se po u biem më qafë kot, sepse nuk duket se ka ndonjë zgjidhje optimale në këtë rast.
Kjo histori më kujton një këngë nga Johnny Cash, kountautory amerikan i muzikës ‘country’: A Boy Named Sue.
Asgje te re nuk thua Sokol. Te gjitha dihen. Vec nje gje nuk kupton apo s’do te kuptosh. Dimal u zbulua nga arkeologet ashtu sic duhet te zbulohen dhe shume “Dimal” te tjere. Kjo nuk i heq te drejten banoreve per te kerkuar rikthimin e emrit. Dimal ishte aty , ekzistonte. Dimal eshte aty, ekziston, po ajo toke, po ai peizazh. Eshte si nje mbiemer i families qe dikur ra, por ti ke te drejte ta ndryshosh dhe te kthehesh tek i pari. Stema eshte simbol i ekzistrnces, emrit. Skulpturat po ashtu. Prandaj behen zbulumet arkeologjike, te kuptojme nga vime. Me gje ti fakte qe kemi ardhur nga diku tjeter, dhe une terhiqem. Asnje fakt, asnje deshmi qe shqiptaret kane ardhur nga diku tjeter. Pra Dimal eshte i joni, me emer dhe histori. S’ka vend as per irritim, as per mister, as per fjale te shumta.