NUSJA GREKE E PAVARËSISË (II)

 Zosimea. Është një shkollë që ndërtesën e vjetër historike e ka në mes të Janinës, dhe si për ironi të një fati akoma më ironik, gjendet tamam mbi rrugën e stacionit të autobusëve interurbanë, sapo dikush zbret pasi ka hipur në Kakavijë, Gjirokastër apo Tiranë. Nëse dikush kërkon në katalogët e rregjistrimit të asaj shkolle, do të gjente emra shqiptarësh të mëdhenj të asaj kohe, ndër të cilët do të ishin: Ismail Qemali, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ali Asllani, Aleksandër Xhuvani, Elmaz Boçe, Anastas Byku, Abedin Dino, Hasan Dosti, Qazim Koculi, Kostandin Kristoforidhi, Sali Nivica, Hodo Sokoli, dhe akoma të tjerë.

Nuk i ka shkuar kujt ndërmend të meditojë, si ka mundësi në një shkollë të tillë, gjimnaz me standartet e sotme, të kenë dalë kaq njerëz të mëdhenj? Zosimea fillimet e veta i ka në vitin 1828, nga vëllezërit Zosimas. Ata ishin gjashtë, që të gjashtë nga Epiri, të gjithë mërguan nëpër Evropë, vunë pasuri dhe testamentin e njërit prej vëllezërve e vunë në jetë, nëpërmjet një shkolle. Dhe ndërsa rruga e vatjes në mërgim ishte nga Janina në Perëndim, rruga e dijes ishte e kundërta në kthim. Mësues të shkollës Zosimea ishin figura të njohura dhe të ndriçuara të kohës. Dy nga drejtorët më të njohur të asaj shkolle, ishin Anastasios Sakellarios dhe Athanasios Psallidas. Ky i fundit ka qënë këshilltar i Ali Pashës dikur, në oborrin e tij. Dhe këtu duhet thënë se Pashai legjendar i Janinës, e ka dorën e vet në këtë mes.

I rikthehemi Ballkanit, aty ku e lamë herën e fundit, idilik dhe multietnik. Por fatkeqësisht të prapambetur. Dhe sigurisht analfabet në masë të madhe. Me një pasha megjithatë, me origjinë nga Tepelena (deri para vitit 1822), të shëmbëllyer nëpër piktura të kohës si gjysëm shtrirë në shilte duke thithur një çibuk të gjatë. Ky pasha me personalitet të fortë dhe dorë prej hekuri, ia kishte dalë të fitonte një autonomi të madhe prej Portës së Lartë dhe Pashallëkun e vet, sidomos kryeqytetin e tij, ta kthente në një ambjent urban paqësor, kusht i nevojshëm për të mbjellë fara dijesh si shkolla në fjalë. Imagjinoj se si do të ishte Janina e atëhershme, nga pozita gjeografike në periferi të perandorisë, ashtu si gjithë zona e Shqipërisë së ardhshme. Hamendësoj se fat i madh i saj do ketë qenë afërsia me shtatë ishujt e Jonit, deri atëherë në zotërim Venecian. Kush ka pak njohuri nga historia moderne greke, do të gjente në këto ishuj figura të mëdha dhe të ndritura të revolucionit të tyre. Vetë poeti kombëtar Dionisis Solomos është prej aty. Dhe nuk është i vetmi. Këto ishuj atëherë, shërbenin si portal, si ndërfaqe midis dy botësh asaj Otomane dhe Perëndimore. Pikërisht këtu u gjendën epiriotët e atëhershëm, afër portalit që të çonte në Perëndim.

Rëndom, apo më mirë, pothuaj gjithnjë, konfrontimi kulturor shqiptaro-grek në zonën e Epirit të atyre kohëve, është përkthyer në konflikt fetar. Reaksionare prej këndvështrimit kombëtarist shihej gjithnjë  “kisha greke” e prezantuar nga kleri përkatës të cilët “mallkojnë gjuhën shqipe”. Shumë konveniente për propagandën e atëhershme komuniste, kur të gjitha besimet fetare i kishte deklaruar si reaksionare. Po a është vallë thjeshtësisht kështu? Si shpjegohen atëherë përpjekjet madhështore për të hapur shkolla në greqisht, të bamirësve të tillë banorë të Epirit, si: Apostol ArsacheKristakis Zografosvëllezërit RizarisGeorges Sinas, me të birin Simon, i mirënjohuri Evangjelos Zappas, apo dhe vëllezërit Zosimas, të famëmadhes shkollë me të njëjtin emër? Procesi i përftimit të akulturimit, apo i ndërgjegjies për nevojë të akulturimit, domethënë alfabetizimit, njohjes me dijen, ndërgjegjësimit të qenies, ndërgjegjësimit kombëtar dhe të tjera, në rradhë të parë kalon përmes perceptimit personal, dhe nuk mund të likuidohet pikërisht ky proces si anti-kombëtar. Përndryshe, kombëtare përkthehet arroganca dhe injoranca. Apo e kanë përkthyer këtë gjë tashmë?

T’i rikthehemi Zosimeas dhe le të shohim për shembull, se çfarë e bënte atë veçantë. Si fillim, Zosimea ishte një shkollë jashtë arealit të Perandorisë Osmane. Nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të zonës, apo perandorisë vetë.  Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për tu vënë më pas në shërbim të perandorisë. E para gjë, dhe më e rëndësishmja për rolin e vet iluminues, ka qënë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë. E rëndësishme gjithashtu, ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Edhe profili që zgjodhi shkolla të kishte, ishte ai përcjelljes së këtyre ideve. Athanasios Psallidas, mësues i drejtorit të atëhershëm Sakellarios, ka qënë përjashtuar nga marrëdhëniet akademike, kur në fund të jetës së vet shkon në Korfuz, kjo për shkak se idetë e tij ishin… shumë përparimtare. Të kesh drejtor shkolle dikë, që vetëm pak vjet pas Revolucionit Francez, është nxënës, dhe propogandon e të mëson idetë e Volterit në mes të Ballkanit, nuk është diçka që i ndodh gjithkujt e madje përditë.

Tjetër gjë interesante dhe që më bën përshtypje, është se ndër ata nxënës të atëhershëm të së njëjtës shkollë, gjenden personalitete që rrethanat e jetës më pas, i vunë kundër njeri tjetrit. Kush ka lexuar diçka mbi Anastas Bykun, do ta dijë se ky nuk kishte për të shkuar mirë me Kostandin Kristoforidhin, apo vetë Ismail Qemalin më pas. Karolos Papoulias sot president i Greqisë dhe dikur nxënës i Zosimeas, nuk do ishte shoku më i mirë i Ali Asllanit. Si proces i ngjashëm më duket kjo që po ndodh sot, jo si përplasje, konfrontim, por si shpërhapje… Domethënë, imagjinoni fëmijërinë apo shkollën tetëvjeçare, a mendonte kush atëherë, se shoku me të cilin rrije në të njëjtën bankë, sot do ndodhej (siç ndodhet), në anën tjetër të botës? Si proces duket i ngjashëm, por hamendja ime më thotë se është i anasjellti…

Veçantia e fundit, ka të bëjë me larminë e kombësisë, fesë dhe prejardhjes klasore të të gjithë nxënësve të asaj shkolle. Që të gjithëve iu mësua të ishin individë të lirë në të ardhmen. Shumë e shfrytëzuan lirinë e tyre, për tu ofruar liri të tjerëve…

Në mënyrë figurative, nusja greke e pavarësisë nuk e ka emrin Kleoniqi, por Zosimea.

Nuk ka komente

  1. Zosimea ishte një shkollë jashtë arealit të Perandorisë Osmane. Nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të zonës, apo perandorisë vetë. Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për tu vënë më pas në shërbim të perandorisë. E para gjë, dhe më e rëndësishmja për rolin e vet iluminues, ka qënë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë.

    Rol ‘iluminues’ apo ‘helenizues’? Dr Isa Blumi ka bere nje referat mbi arsimin e asaj kohe ne vilajetet e Manastirit dhe Janines, dhe Zosima i rezulton atij si nje shkolle me mandat primar helenezues..

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin