PUNË SHQIPTARËSH

Kur vij në Tiranë, rri në shtëpinë time të fëminisë, ku përjetoj dyzimin mes kujtimeve dhe trishtimit për kohët që nuk vijnë më.

Shtëpia është po ajo; madje edhe krevati ku fle tani gjendet në të njëjtin kënd të dhomës ku e kisha edhe gjatë viteve të studentllëkut. Megjithatë, të tjera gjëra kanë ndryshuar.

Gjatë këtyre vizitave të fundit gjithnjë më ka tërhequr vëmendjen, në dhomën e ndenjjes, një objekt i madh zbukurimi: figura e gdhendur e një shqiponje të ulur mbi një degë, me krahët ngritur gati për fluturim; që ia patën dhënë tim eti dhuratë nuk di për ç’sebep.

Natyrisht, figura e shqiponjës vetë i përket një kulture materiale kitsch, edhe pse është punuar hollë; por të tilla zbukurime i gjen në të gjitha shtëpitë tona: shpendi i flamurit, gdhendur në gur dhe në dru, ose e pirografuar në dërrasë, ose e shtypur në bakër, ose e thurur në qilim…

Shqiponjës s’i shpëton dot në Tiranë, dhe jo vetëm kur afrohet 28 nëntori.

Gjithsesi, për t’u kthyer te historia që po tregoj, çfarë më tërhiqte gjithnjë vëmendjen te shpendi i gdhendur, ishte një varëse rruzare që i rrinte e hedhur sipër.

Meqë në shtëpinë time nuk para beson kush; dhe, për më tepër, jemi edhe myslimanë bektashinj nga prejardhja, ky kryq më kish intriguar që në krye, dhe pata pyetur time më për arsyen e tij.

Dhe arsyeja paskësh qenë e denjë për t’u rrëfyer veç.

Herët në vitin 1991, motra ime (e vetmja) i hipën avionit të linjës Tiranë-Romë, së bashku me vajzën e saj njëvjeçe, për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria. Vendin në avion e ka afër një murgeshe me kostum karakteristik bardheblu; dhe kur e sheh fqinjën e vet më me kujdes, e kupton se ka përbri Nënë Terezën.

Çfarë mund të bëjë njeriu, kur i rastis të ulet ngjitur, në avion, me një njeri të tillë kaq të famshëm? Çfarë bisede mund të bëjë? Vështirë ta thuash – aq më tepër që Nënë Tereza në atë kohë nuk është se njihej aq mirë, të paktën në Shqipëri. Hi, I saw you on TV… ose How is it going, in India?

Nënë Tereza, nga ana e vet, nuk pati dilema të tilla. I foli me përkëdheli mbesës sime dhe, kur kjo nisi të grindej gjatë rrugës, e mori në prehër për ta qetësuar. Më pas, kur avioni filloi të ulej, i tha motrës sime që t’ia mbyllte bebes veshët, që të mos i dhimbnin.

Ja kështu fare thjesht: gruaja e moshuar, që i jep këshillë një nëne të re.

Pastaj avioni ulet në Fiumicino, njerëzit ngrihen që të dalin, dhe Nënë Tereza, para se të largohet, i jep motrës sime një souvenir, një keepsake: rruzaren e saj.

Tani që e pyes motrën se çfarë mban mend nga udhëtimi, ajo më thotë se i vijnë para sysh duart e ashpra të Gonxhes, si prej gruaje që e kish kaluar jetën me punë krahu. Më shumë nuk mban mend – largimi nga Tirana do të ketë qenë traumatik për të, dhe njëlloj i ankthshëm plani për t’u zhvendosur në Kanada.

Kujtimi më konkret, më i prekshëm mbetet, kështu, rruzarja; e cila udhëton edhe ajo me familjen e sime motre: nga Roma në Toronto, dhe pastaj, 2-3 vjet më pas, nga Torontoja në New York.

Kjo është një rruzare me histori; dhe historia gjithnjë e ka shoqëruar. Ime më, që ka pasur gjithnjë admirim për Nënë Terezën, kur e dëgjoi historinë i kërkoi motrës që t’ia falte dhuratën prej Gonxhes – dhe kështu rruzarja e kapërceu edhe një herë oqeanin, për t’u kthyer në Tiranë.

Nuk di ç’e ka shtyrë nënën time t’ia hedhë rruzaren shqiponjës rreth e qark qafës; por me siguri nuk ka qenë dëshira për të simbolizuar, në heshtje, atdhetarizmin e katolikëve shqiptarë, ose të Nënë Terezës vetë.

E pyes – më thotë, sikurse e prisja, se rruzarja është send i mirë, jo aq ngaqë paraqet Krishtin të kryqëzuar, sesa ngaqë vjen prej një njeriu të mirë. Kjo lloj feje interpersonale i përshtatet më mirë natyrës së saj, sesa përkushtimi fetar, i cili gjithnjë i ka munguar.

Një parantezë. Mbaj mend si në verë të vitit 2010, kur ndërroi jetë im atë në New York, shkuam te shtëpia funerale ku do t’ia bënim kësollin, dhe atje na treguan sallën ku do të vendosej trupi. Ime më aty kërkoi nëse mund të largohej, nga kreu i sallës, një kryq i madh prej druri, i cili përndryshe do të rëndonte mu mbi arkivol; meqë im atë edhe ai nuk kish qenë ndonjëherë besimtar, dhe aq më pak i krishterë. Dhe ashtu u bë.

Pastaj zbritëm poshtë, në bodrum, që të zgjidhnim arkivolin – sikurse është edhe rutinë në raste të tilla. Sime mëje i pëlqeu veçanërisht njëri prej arkivoleve të ekspozuara, të cilin në fund vendosi që ta blejë. “Por zonjë,” i tha nëpunësi, “edhe arkivoli është i rrethuar me skena fetare,” duke treguar me dorë nga barelievet në muret anësore prej druri. “Ato s’ka gjë,” tha ime më. “Le të rrinë, nuk ka problem.”

Dhe kështu e nderuam tim atë, ateistin, në një arkivol “të krishterë” dhe askush nuk u shqetësua për këtë, me përjashtim të dy grave hispanike, komshije të sime motre, të cilat pyetën se pse nuk po ia bënin ritet e duhura të vdekurit.

Punë të ngatërruara. Të dy prindërit e mi janë rritur në Gjirokastër, qytet që në fëmini të tyre ka pasur edhe kisha edhe xhami. Më pas, në vitet 1950-1960 në Tiranë, ime më ka pasë shkuar shpesh në kishë – por vetëm njëlloj sikur shkojmë ne sot në kafe ose në një ekspozitë: për t’u socializuar. Shumë shoqe të saj kanë qenë të krishtera.

Kjo ndoshta shpjegon mendjehapjen e saj ndaj kryqit, por jo nderimin – nderimi, siç e thashë, rrjedh horizontalisht, nga gruaja në grua, pa ndërmjetësim hyjnor.

Mbetet, pastaj, objekti vetë – ose rruzarja, nëpërmjet së cilës mirësia kalon nga Nënë Tereza te hapësira e dhomës. Racionalisti do të dallonte këtu menjëherë bestytninë – dhe nuk do ta kundërshtonim dot lehtë.

Por ne i duam të gjithë objektet e mira – të cilat i kalojmë dorë më dorë, ndonjëherë brez pas brezi, të thuash se janë akumulatorë jetësh, ndjesish, mbresash, përvojash të vyera.

Edhe mua më kanë falur, dikur në Zaragoza, një figurinë të Nuestra Señora del Pilar; dhe plaka që ma dha, duke e ditur se unë nuk isha i krishterë, më tha që ta mbaja megjithatë, sepse ajo figurina ishte e mirë. Dhe unë e ruajta, dhe e kam sot e kësaj dite, në tavolinën e kompjuterit…

Dua të them se pa një çikëz supersticion nuk mund të jetohet; meqë supersticioni na ndihmon të besojmë jo aq në të përtejmen, as në magjinë, sesa në faktin që kemi ende pak kontroll, në luftën tonë të humbur kundër rastësisë, kaosit dhe ligjit të dytë të termodinamikës.

Dhe, gjithsesi, po të pyesësh sime më, ajo do të shpjegojë se nuk e mban rruzaren e Nënë Terezës për fat, por vetëm për mirësi; dhe se mirësia është, pa dyshim, më e rëndësishme se fati.

Enigma e fundit për t’u shpjeguar është shqiponja: ç’lidhje mund të gjesh, mes kësaj figure të gdhendur dhe Nënë Terezës, përveç shqiptarisë vetë?

Feja e shqyptarit, do të më thonë; sidomos kur bëhet fjalë për kryqin në një shtëpi jo të krishterë.

Në fakt, për shumë prej nesh, përfshi edhe familjen time, Nënë Tereza nuk risolli aq Krishterimin në Shqipëri, sesa riçoi shqiptarinë në Krishterim.

Në sytë e nënës sime, virtyti i murgeshës së Kalkutës i kapërcen barrierat mes feve, ose kufijtë mes qiellit dhe dheut; dhe kjo e bën atë të pranueshme në të gjitha vatrat. Kur njeriu merret vesh me njeriun, Perëndia mbetet pa punë.

Thashë më lart se në familjen time nuk besojmë – me një përjashtim të vetëm: mbesa ime, ajo e prehrit të Nënë Terezës, tani vajzë e rritur, është pagëzuar dhe e quan veten katolike, e vetmja mes nesh.

Shqiponja me rruzare të varur në qafë, në një shtëpi agnostikësh me prejardhje myslimane: ku tjetër, përveçse në Shqipëri?

Nuk ka komente

  1. Xha xha,
    ajo “varesja” e nene Terezes qe i ke varur shqiponjes ne qafe, nuk eshte varese, por rruzare. Eshte mekat t’ia lesh shqiponjes ne qafe. Te isha ne vendin tend, do t’ia kisha falur mbeses, sepse keshtu do te merrte kuptim dhe do te kryente funksionin e vet.

    1. Le vie del Signore sono infinite 🙂

      Falemnderit për ndreqjen; duke pranuar gabimin tim në identifikim, po ia lejoj vetes ta ndryshoj tekstin në disa vende.

      Shtesë: Tani po mendoja – pse vallë t’ia falë murgesha katolike rruzaren një gruaje e cila duket qartë se nuk është e krishterë? Jo se vë në dyshim saktësimin më lart, por vetëm dua të kuptoj më mirë gjestin. Çfarë mund t’i duhet rruzarja një jo të krishteri, përveçse si send zbukurimi?

      1. Çfarë mund t’i duhet rruzarja një jo të krishteri, përveçse si send zbukurimi?

        Eshte strategji marketingu. Objekti si rruzarja terheq vemendjen, dhe idea qe perfaqson rruzarja mbillet si fare ne tru. Shume ‘dalite’ indiane p.sh jane teper te gatshem te perqafojne nje fe qe nuk i konsideron si ‘te ndyre’ vetem se u linden, por ndonjehere edhe harrojne keshtu qe rruzarja sherben si objekt kujtese.

        Ka raste qe dikush mund ta kujtoje si ‘hajmali’ (ose objekt ‘i mire’ sic e quan ti). Une mbaj mend qe shume nga shoket e mi qe paten mundesine te takojne nene Terezen, mbanin ne qafe nje shembelltyre te Shen Marise, packa se nuk ishin katolike hic. Thjesht ai objekt ishte ‘i mire’ dhe ndoshta kunder syrit te keq (si patkoi ne parafangon e makines)

      2. Në vendin tënd unë do të kisha mbajtur figurinën e Nuestra Señora del Pilar, pasi gjesti i atij dhurimi më duket i sinqertë dhe si i tillë edhe me kuptim. Përkundrazi, atë rruzaren e Nënë Terezës do ta kisha shitur menjëherë tek ebay, pasi në atë veprim të asaj gruaje nuk shikoj dot tjetër gjë, veçse tentativën për të misionuar në çdo moment. Kështu  çdo gjë shkon edhe në vendin e vet.

        1. E mendoj edhe këtë – por vërej pastaj si ky zell për të misionuar nuk ka asnjë efekt te disa prej nesh (nuk po përgjithësoj), sepse ne e qark-shkurtojmë krejt përmasën fetare dhe i përdorim objektet si të ishin magjike. Mua kjo edhe më intrigoi – sepse nuk di nëse është pasojë e të qenit të shqiptarëve gjithnjë të dyzuar mes feve, apo e paraqet supersticionin si alternativë (kombëtare?) ndaj fetarisë.

          1. Kjo ideja e gjese se mire, vendit te mire ( gjyshja ime e quante “vakef”) me duket se perputhet apo ka te beje me natyren animiste te besimit te shqiptareve, cilado qofte feja denomitive e tyre.
            Kurioze do te ishte te shihesh e kerkohesh nese ky animizem eshte shenje e mos zhvillimit shpirteror te shqiptareve, apo eshte nje “ngjyre” e zbehur e dickaje te vjeter, qe prej koheve pre-kristiane.

            Animizmi shihet edhe ne fe bashkekohore, plotesisht te zhvilluara, si puna e shintoizmit, hinduizmit, budizmit.

          2. Faleminderit xha xha që ndave me ne hijet e kujtimet që ngjall kthimi në shtëpinë e fëmijërisë. Doja të vëreja, sidoqoftë, se ky tipizim i shqiptarit në qasje me fenë, kontribuon në mbulimin e laboratorit politik dhe socioligjik që krijoi këtë ‘punë shqiptarësh,’ një laborator që përfshin jo vetëm mungesën e priftërinjve e hoxhallarëve nga bota ku jetuam, burgjet, filmat e Kinostudios Shqipëria e Re, skeceve të humorit natën e vitit të ri, testeve të cigareve në muajin e Ramazanit, politikat e shpërndarjes së mishit etj, etj, etj., por edhe – përpara komunizmit – krijimin e një bote mes dyzimit në “alla turka” dhe “alla frënga” që zinte në gojë M. Nano e politika represive nga regjimi i Zogut.

            Besoj se rasti që përmend – i mbesës tënde – të vetmes besimtare në familje, është tregues se, në të kundërt nga sa predikohet rëndomë këto ditë, nuk ka asgjë në ‘ADN sociologjike’ të shqiptarëve që krijon këtë tipologji, por është produkt i një historie shpesh represive.

          3. Xhaxha,

            Nuk besoj se vlen teoria e te dyzuarit mes dy feve ne rastin tend. Kjo eshte teori orientaliste, e cila, i shihte shqiptaret si hic muslimane, – sic tha edhe Moisiu vite me pare – si muslimane ne aparence – qe po ti germosh pak dalin kaure.

            Problemi me shqiptaret eshte se ata jane nje nga shembujt me te dhimbshem te eksperimentit te modernizimit. Pasi u ndane nga Kalifati Islam, u vodhen e rropen, u kooperativizuan e ca u zbriten ne qytet, qe aty, rrenuan me themel te gjithe fete, e ne vecanti islamin. e ne boten qe ata u zgjuan pas 80 vjetesh nuk gjeten me as fe, as identitet, as dije mbi fene, e as kalifatin e Stambollit, qe ata te vjetrit ishin te lidhur me pare. Por Kalifi i Romes me motrat e tija jane e ishin akoma verdalle. Ne u rritem duke degjuar Radio Vatikanin, ndersa Islami e Turqia u bene gjera te te shkuares se keqe – sic na trembin filmat e Kinostudios Shqiperia Sot.

            E me nje popull postmodernist, pa identitet fetar, i rritur me pabesimin e darvinizmit shkencor, rruzarja, tani qe ai milet eshte lodhur nga gjithe ai eksperiment i cmendur modernist, shihet si gje e mire, pasi ai milet nuk i jep dot me dum kuptimit te saj. Tamam, sic kur nuk i jepte dot sens shijes se koka koles ne kohe te PPSH-se. Ai popull, pasi harroi Allahun vite me pare, ate edhe Allahu duket se e ka harruar. Ai nuk e ka idene e librave te shenjte, por edhe kur i lexon ato, ata pak qe bejne kete, i lexojne nepermjet filtrave te misionareve fanatike. Ndersa shumica e madhe e te tjereve, rriten e vdesin, pa lexuar ndonjehere mesazhet qe Zoti ia ka derguar njerezise, me ata njerez qe quhen profete.

            Me pak fjale, shqiptaret nuk jane popull jo i dyzuar, por popull xhuxh-maxhuxhesh – si ata qe permenden ne Kuran – qe njehere e nje kohe deshen te vrasin e Zotin, e nisen te gjuanin nga qielli me shigjeta – e si denim Zoti i mbylli qe te jetojne si te eger mes malesh.

            1. Në fakt unë nuk e besoj teorinë e dyzimit të feve. Madje, kur e kam parë me këtë sy Ciklin e Kreshnikëve, kam vënë re se aty ka një mbishtresë të hollë Islami, por mungojnë pothuajse krejt elementet e kulturës së krishterë – që për mua do të thotë se bartësit e atij cikli u islamizuan drejtpërdrejt nga paganizmi, pa kaluar nëpër periudhën e krishterë; ose, nëse kishin qënë ndonjëherë të krishterë, e kishin humbur atë fe prej kohësh, para se të islamizoheshin.

          4. Jo çdo akt mirësie ose dhurimi mund të interpretohet si misionim.
            Xhesti i Nënë Terezës nuk mund të paragjykohet. Përkundrazi, mua më duket i pastër dhe i sinqertë, si një bashkëudhëtar që të fal diçka në vend të urimit, si një gjyshe që i dhuron diçka mbesës (imagjinare), si një i panjohur që të nderon me një send të vyer për të, si një murgeshë e varfër që të jep si shenjë/kujtim të vetmen gjë që ka: një rruzare.
            Nuk besoj se mbesa e Xha Xhait është pagëzuar prej rruzares, edhe pse vetes nuk ia mohoj dot një farë lidhje, sado magjike t’ju duket ajo.
            Mirësia shpeshherë shikohet si naivitet, kur nuk përshoqërohet me koncepte negative, por ndonjëherë duhet marrë si e tillë, pa asnjë cilësor. Akt mirësie, xhest i mirë.
            Si të thuash, unë do të shkoja përtej objektit në vetvete, do të shikoja domethënien që qëndron pas aktit të dhurimit.
            Personalisht mendoj se në Shqipëri mirësia ka forcën e subversionit. Por këtu dalim jashtë teme…

            1. Edhe mua me ka qelluar, ne tren elektrik, me nje murgeshe perbri, ne fund te nje bisede te shkurter, dhe i thashe se isha shqiptare, me fal nje rrethore si tip byzylyku, te cilen e pranova me kenaqesi, si dhurate, pra si dhurate dhe e kam ende.

              Gjithmone marrim e japim sende te ndryshme si dhurata, dhe i ruajme si te tilla pasi dicka na kujtojne nga monopatet e jetes, pale kur na i bejne njerez te shquar e te nderruar…

              Te tille doja ta vleresoja dhe rruzaren e mbeses se Xha Xhait, pasi sikur te mos kishte qene Nene Tereza po nje i panjohur i rastesishem ose ta gjente ne rruge, cfare interpretimi do t’i jepnim ?

              Nuk dua aspak t’a besoj se, shkak i pagezimit si katolike te mbeses se autorit (kur te gjithe jane ateist), te kete ndikuar ai kryq ne rruzare.

              Kur nobelisti Elitis me fali nje liber te tijin, une nuk u bera poete…

  2. Enigma e fundit për t’u shpjeguar është shqiponja: ç’lidhje mund të gjesh, mes kësaj figure të gdhendur dhe Nënë Terezës, përveç shqiptarisë vetë?

    Shpjegim alternativ:

    Ai ‘design’ i Shqiponjes eshte ne fakt fashist. Dmth e gjeje rendom ne Perandorine ‘Fashiste’ (Romake) te Italise te mesit te shek XX. Meqe rruzarja i perket pak a shume riteve te kishes te Romes, atehere qafa e shqiponjes romake eshte vend ideal per ate rruzare.

  3. xhaxha, nuk me duket pune me mend qe del keshtu hapur dhe thua se ne shtepi ke gjera te tilla me vlere.

    kush e di se kush te lexon, ndonje simpatizant i fishtes, ndonje kalores i gegnishtes dhe i katolicizmit, jozefina dora vete, muzeu kombetar, shoqata e miqve te nene terezes, ambasada e indise, te gjithe keta qe bejne be e rrufe per nene terezen plus ata qe donin gjysmat e eshtrave ne shqiperi dhe gjysmat e tjera ne kosove.

    te gjithe keta jane te gatshem te vijne qe neser (une ve bast se kane filluar qe pas publikimit te shkrimit) dhe te ta kerkojne rruazen e cila do ekspozohet me pas ne ambjentet e ndonje kishe si objekt kulti apo cudiberes.

    pa permendur ketu gjithe ata dashakeqesit qe do te ta vidhin per ta shitur pastaj ne ebay, ne christie’s auctions apo akoma me keq, tek arkivat (sekrete) te vatikanit!!!

  4. “…Kam vene re se aty ka nje mbishtrese te holle islami,por mungojne pothuajse krejt elementet e kultures se krishtere – qe per mua do te thote se bartesit e atij cikli u islamizuan drejtperdrejt nga paganizmi,pa kaluar ne periudhen e krishtere;”,

    por mund te jete edhe kjo tjetra(qe per mua eshte) : Cikli i Kreshnikeve te jete me i vjeter se periudha e krishtere dhe, mbishtreses se holle (te mundshme) te krishtere t’ia kete zene vendin me pas kjo islame.

    Ne epiken shqiptare te veriut (vetem ne epiken) , kjo ‘mbishtrese e holle islame’ ka te beje me emrat dhe vetem me emrat. Bile, per mua, ky “ndikim”, nuk mund te konsiderohet as si shtrese e holle sepse qe te ishte i tille duhej te kishte reflektim ne mendesi, qe nuk e ka.

    Ka nje keqkuptim me kristianizimin e hershem te shqiptareve.Shqiptaret,ne pjesen e madhe te tyre, asnjehere nuk u kristianizuan ashtu sic gabimisht mendohet.Prandaj, nuk mund ta kene humbur dicka qe nuk e kane patur ne te vertete .

    1. Shkruan:

      Ne epiken shqiptare te veriut (vetem ne epiken) , kjo ‘mbishtrese e holle islame’ ka te beje me emrat dhe vetem me emrat.

      Më fal që po ta them kaq prerë, por e ke absolutisht gabim. Nuk kam kohë tani të të sjell shembuj, por mund ta verifikosh vetë. E mban mend këngën e famshme “Ajkuna qan Omerin?” Shko dhe kërko, në Cikël, se ku, si dhe pse e vranë Omerin…

    2. Me lejoni te shpreh nje “hipoteze pune” qe mund te tingelloje nje herezi antipatriotike. A ju ka shkuar ndonjehere nder qe elementet islamike ne epos mund t’i detyrohen prejardhjes boshnjake te tij?

  5. XhaXhai,
    ju jeni studiues profesionist nder me te miret qe kemi; dua te them se nuk e pata si synim , bile do te ishte qesharake, qe t’ju ‘kundershtoja’ ne kete pike.

    Gjithsesi, opinioni im modest niset nga disa perceptime te miat:

    ndikimi kulturor islam , pergjithesisht dhe kryesisht , eshte ne qytetet.

    Cikli i Kreshnikeve ka hapesiren e vet ku eshte zhvilluar dhe ruajtur, madje zonat ku eshte ruajtur me mire jane edhe me te thellat.

    Ah po , vetem nese shqiptaret e kane huazuar nga boshnjaket, por kjo me pare duhet vertetuar…(ndikimet e ndersjella nuk e vertetojne ).

    Ne fakt une fola per epiken veriore ne pergjithesi, e cila, ne menyren e vet, vazhdon edhe sot e kesaj dite ne veri.
    Ne te gjitha kenget e “burrnise”, pavaresisht nese rapsodet jane katolike apo myslimane, permenden pafund emra njerezish, vendesh e fenomenesh qe lidhen me perandorine osmane por, perkunder kesaj ( aspak cuditerisht) nuk gjej asnje lidhje, as me te voglen, me kulturen ose me mire me mendesine islame.

    1. Jo, nuk ishte fjala për të më kundërshtuar mua, sepse unë nuk është se jam ndonjë ekspert i kësaj fushe, as kam shkruar më parë për këtë dukuri (Islamin në epos). Unë thjesht do të të ftoja që ta lexoje vetë Eposin, jo të mbështeteshe në komentet dhe analizat e të tjerëve – dhe të shihje, po vetë, se Islami është mjaft i pranishëm atje; dhe jo vetëm tek emrat (sa herë Muji e quan veten “turk”; sa herë merr avdes; sa herë konflikti me “shkijet” paraqitet si konflikt fetar… ndërkohë që gjurmë të Krishterimit nuk ka pothuajse fare). Natyrisht, Islami në Cikël është një mbishtresë, por kur flasim për mbishtresë, do të flasim edhe për nënshtresë; dhe nënshtresa e Ciklit është pagane.

      1. Xha Xhai permendi origjinen bektashije. Jugu ne pergjithesi kishte perqafuar bektashizmin. Ne veri bektashizmi nuk u shtri, megjithate pati raste te rralla, sic ishte bektashizmi i familjes sime(gjysmes).

        Kruja bente perjashtim nga veriu. E permend kete se desha te kujtoj nje nga te shenjtet e bektashinjve, Sari Salltikun, qe ishte personazhi kryesor i folklorit krutanas pavarsisht se vet nuk kam asnje lidhje me kete krahine.

        Perse e permenda Sari Salltikun? Sepse nga komentet u permend Eposi dhe ka nje lidhje integrale midis ketij personazhi turk dhe legjendes se Gjergj Elez Alise, Mujit e Halilit, etj. Narrativa e Sari Salltikut eshte nje superpozim ne kohe i kulteve lokale me te hereshme te Ballkanit. Eshte nje koleksion folklorik i adaptuar nga kohet qe s’mbahen mend per t’i sherbyer riteve dhe filozofise bektashije.

        Eshte nje vazhdimesi e kulteve pagane ne zonat malore perqark Krujes. Kucedra e historise pagane gjate periudhes kristiane jetonte gjate dites ne shpelle e gjate nates ne kishe. E Sari Salltiku bektashi nuk eshte gje tjeter vecse Shen Gjergji i periudhes kristiane, qe ne vend te shpates se hekurt i keputi shtate kokat kucedres me nje shpate te drunjte. Historia e Sari Salltikut eshte nje kopje e legjendes se hereshme kur flitet per luften e dragoit me kucedren.

        Varianti boshnjak, qe ka pothuajse te njejtin emer me Gjergj Elez Aline eshte i mevoshmen, te pakten dy shekuj prej adaptimit te shqiptareve bektashi duke futur ne loje personazhin me te ri Sari Salltikut(alias Gjergj Elez Alia, apo Shen Gjergji).

  6. “Une thjeshte do te te ftoja qe ta lexoje vete Eposin, jo te mbeshteteshe ne komentet dhe analizat e te tjereve…”

    Nuk e kam lexuar ne menyre integrale Eposin. Por kam lexuar shume pjese te tije. I vetmi qe ka ndikuar, ne kete pike, eshte Kadareja.
    Jam i prirur ta besoj Kadarene, sepse, per mua, eshte i vetmi intelektual i ketyre permasave qe e njeh si rralle kush mendesine e shqiptarit te veriut. Ai ka dy avantazhe nga intelektualet veriore: eshte gjeni, shkrimtar psikolog (jo me kot ka qe e krahasojne me Balzakun) dhe, ka ate distancen e nevojshme qe nuk e kane verioret, per t’i pare ca gjera me qarte.

    Pjesa tjeter eshte krejt nje perceptim i imi.Edhe po te paraqiten ‘fakte’ per lidhje mes epikes se veriut ne pergjithesi dhe mendesise islame( kujdes: vetem mendesise), mua prapeseprape do te me dukej bizarre, sepse jane dy gjera krejt krejt te ndryshme.
    E kam vene re shpejt kontrastin mes jetes se perditshme rituale islamike te nje rapsodi dhe vete ‘krijimit’ apo ‘performances’ se tij krejt te huaj per kete bote!

    Sidoqofte eshte thjeshte nje perceptim.

    1. Kadareja ka thënë gjëra intuitive dhe shumë interesante, por e tija është vetëm një ese letrare, për më tepër e mbështetur në studimet asokohe të pabotuara të antropologut Veiz Sejko (që citohet disa herë në ese). Por Kadareja nuk mund të merret si autoritet për Eposin shqiptar, sidomos sa kohë që për këtë epos ka studime të mira profesionale të Lambertz-it, të Stavro Skëndit, të Albert Lord-it, dhe tani vonë të Shaban Sinanit, për të përmendur vetëm ato që i kam lexuar edhe unë…

  7. Une do t’i shtoja listes se Xhaxhait edhe nje analize ( rreth 30fq.)shume profesionale te A. Desnickaja, qe gjendet si pasthenie e librit te S.Skendit “Poezia epike gojore e shqiptareve dhe sllaveve te jugut”.
    Kadareja eshte interesant, lexohet me kenaqesi por ai thjesht hedh ide ,nuk argumenton ne kuptimin e mirefillte.

  8. Po shtoj nje detaj kurioz nga Ivo Andricit. Tregimi, botimi i pare i tij ka per teme Alija Djerzelez “Rrugetimi i Alija Djerzelez” (varianti shqiptar Gjergj Elez Alia).

    Historia e tij eshte alegorike, cmitizuese, duke e zbritur nga kali i legjendes, e si te thuash diminutive karshi ketij personazhi teper te njohur balladash shqiptare e boshnjake. Njihet se ai(Andric) nuk ishte fort simpatik karshi shqiptareve.

    Ka nje pasazh te shkurter, nje fjali ne fillim te rrefimit te tij ku ai shkruan:
    ” Ai(Alija Djerzelez) futej ne bisede me deshire, ne dukje sikur te ishte nje arnaut(shqiptar) nga qe per shume vite ishte sjellur perreth Pejes e Shkupit….”

    Kurioze eshte edhe fakti i emrit: Alija Djerzelez(Gjergjelez) ne variantin boshnjak dhe Gjergj Elez Alia ne ate shqiptar. Emrat shqiptare kane nje renditje te tille, ku perzihet, alternohet kristianizmi me islamizmin, nje praktike e njohur nga shqiptaret, por jo nga boshnjaket, qe u konvertuan ne fene islame shume heret. Po ashtu dihet se emri Gjergj tingellon krejt shqip.

  9. Kush nga te pranishmit do i dallonte dot pagano-islamiket e Ciklit nga katoliket e Malcise ? Ose me mire, kush nga te pranishmit nuk i ka perqasur ne perfytyrim me malsoret katolike dhe zakonet e Ciklit me te Kanunit ?

    Meqe ra llafi cilat zakone e aspekte te jetes e vdekjes jane myslymane ne Cikel, sa perqind zene ? Jo per gje, po nese Cikli eshte cikel myslymanesh do e gjejme mbushur tej e pertej me ngjyra myslymane, ne jeten e perditshme, ne menyrat e luftimit, politike etj.

    1. Hyllin, ka shenja të Islamit sa të duash – të një Islami sipërfaqësor, më tepër si identitet sesa si fe e mirëfilltë. Po ashtu, kundërshtari sllav shpesh identifikohet si i krishterë. Kundërvënia fetare është një aks paralel me kundërvënien etnike, dhe të dyja energjizojnë konfliktin në Cikël. Sikurse e thashë, mjafton ta lexosh Eposin – nuk ka nevojë për shumë llaka-llaka. Kush dëshiron t’i futet punës më thellë, mund të krahasojë etosin e ciklit shqiptar dhe atij boshnjak me etosin e ciklit serb: dallimet flasin vetë.

      Tani, të ftoj të bësh pak përpjekje dhe ta ngresh nivelin e debatit, ose të mos flasësh si adoleshentët para një birre. Këtu nuk po diskutojmë nëse Cikli është mysliman apo jo; por nëse ka elemente të krishtera atje, poshtë superstratit mysliman – dhe këto janë gjëra të ndryshme, apo jo? E kam fjalën, mos e trash muhabetin, të lutem – sa kohë që natyra pagane e ciklit është premisë e këtij diskutimi (jashtë teme) jo përfundim.

      1. Cilit paganizem xha xha, ilir,shqiptar, sllav ?
        Se jo per gje po natyra pagane si premise do te thote qe se pari duhet sqaruar premisa, pastaj te merremi me luften te krishtere-myslimane, e cila nuk eshte aspak aks paralel me kundervenien etnike ne Bosnje persa kohe qe atje feja percakton etnine.
        Tek versioni yne ka ardhur jehona e konfliktit etniko-fetar te Bosnjes apo eshte pasqyrim autentik i islamizimit te vendit ?

        Pse shqete nuk jane te krishtere kur shqiptaret kufitare jane myslymane, dmth c’e pengoi kalimin e konfliktit etnik ne konflikt fetaro-etnik si ne Bosnje ?
        Per t’u rikthyer tek premisa pagane, e cila eshte kyçi, pse e njejta premise dha ne Bosnje konflikt fetar e ne Shqiperi konflikt mirefilli etnik ?

        .

        1. Hyllin, ke filluar të bësh shumë pyetje.

          Unë besoj se mbishtresa myslimane e Ciklit lidhet e tëra me konfliktin fetar në Bosnjë. Kur të kthehem në NYC, mund të të citoj një autor (serb) i cili, gjen në ciklin (boshnjak) edhe mbeturina të bogomilizmit – sidomos te dinamika e raportit, të rëndësishëm, midis vëllazërisë së gjakut dhe vëllamërisë.

          Unë gjithashtu besoj se Eposin e ka sjellë me vete malësorët që kanë zbritur në Shqipërinë e veriut nga Bosnja.

          Përndryshe, shqetë e Ciklit tonë janë të krishterë po aq sa Muji dhe të vetët muhamedanë.

          1. Vellazeria e gjakut eshte e hereshme si tradite. E gjejme ashtu veriore(malesore) prej Bjeshkeve te Namuna deri ne Peloponez. Cfare me kuriozon mua Xhaxha eshte fakti se pasi ke lexuar Lord, Lambertz, Skendin dhe se fundi Shabanin, perseri beson se Eposi eshte sjelle ne malsine shqiptare nga Bosnja.

            Argumentet e tyre sic duket nuk te bindin per dhenie-marrjen dhe transformimin e Eposit nen ndikimin e ketij mekanizmi.

            Edhe Elsie, pa qene folklorist i orales mendon se pas shekujsh evoluimi, megjithese mund te jete ngjizur si epike ne territorin mysliman nen ndikimin e te folures e folkut sllav, nuk e perjashton mundesine qe thjesht mund te jete kthyer tek origjina nga bartet bilinguale qe kendonin edhe shqip edhe bosniakshe.

            Pastaj, pavarsisht epika shqiptare e malsise eshte dicka qe dallon nga forma poetike/artistike krejt prej asaj sllave.

            Nga koleksioni i Perry-Lord: “…the “bilingual singers” – who can sing the heroic songs of one culture in Albanian poetic language and the heroic songs of the antithetical “Bosnian” culture in Serbo-Croatian.”

            Perkthimi: kengetaret bilinguale qe mund te kendojne kenget heroike te nje kulture ne shqipen poetike dhe kenget heroike te nje natyre krejt te ndryshme(qe kontrastojne dukshem) te kultures “boshnjake” ne serbokroatisht.

            Kur flitet per gjenialitet, a mendon se ata bartet bilinguale ishin boshnjake myslimane, apo ishin shqiptare te aklimuar edhe me kulturen sllave?

            Po te shohesh fizionomine e me te famshit te tyre, s’ke se si te mos ta shohesh si nje shqiptar me qeleshen malesore dhe instrumentin muzikor kaq karakteristik. Jane shenja qe nuk te genjejne.

            1. Unë besoj, për aq sa vlen, se diferencat mes eposit shqiptar dhe atij boshnjak janë të vjetra – kur them që eposi shqip duhet të jetë mbrujtur në Bosnjë, gjithnjë kam parasysh një bërthamë iliro-shqiptare që mund të ketë (mbi)jetuar atje në Mesjetë dhe që ka zbritur më pas në Malësitë tona të Veriut.

              Vërej se për shkak të herezisë bogomile, shumë dokumente për atë periudhë do të jenë shkatërruar nga Vatikani, nga shteti Bullgar dhe nga Kisha e Lindjes dhe autoritetet e Bizantit; prandaj edhe nuk dimë shumë për strukturën etnike të popullsisë së atjeshme në ato shekuj (deri edhe konvertimi i boshnjakëve në Islam është shpjeguar me përndjekjen e bogomilëve prej kishave të mëdha, të Lindjes dhe të Perëndimit).

  10. Kjo eshte krejt e kuptueshme. Duke i pare gjerat keshtu, nuk jemi larg te mundeshmes te ndodhur, ku mbetjet etnike iliro-shqiptare nen presionin e te ardhurve te rinj te jene ngjitur ne malesi, duke sjelle me vete variantet e eposit. Toponimia e asaj kohe, kur vala migratore ndryshoi kah shekuj me vone ndryshoi ne “bosnje”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin