DUHANXHIU DHE UNË

Një koment i Sophieshqip më ngacmoi për këto shënime – meqë pata përmendur pasojat psikologjike të lënies së duhanit.

Nuk di sa janë studiuar këto, më vete; ose veçan nga pasojat fiziologjike, të cilat dihen. Në përgjithësi, kam lexuar për nervozizëm, ankth, depresion, marrje mendsh, dhimbje koke, pagjumësi dhe çrregullime të tjera të përkohshme – të cilat janë simptoma të tërheqjes nga një substancë e cila krijon varësi, si nikotina.

Mirëpo unë e kisha fjalën për diçka tjetër – ose në ndryshime të tjera, më të thella, që ndodhin tek personi që lë duhanin, pasi e ka pirë për një kohë të gjatë; ose pasi është nikotinizuar. Njëlloj legjitime do të ishte, besoj, të flisje edhe për ndryshimet që ndodhin te personi që e nis seriozisht duhanin.

Tani, pa u futur në hollësi nga të cilat nuk marr vesh shumë, po mjaftohem të përmend se nikotina luan rol në çlirimin e shumë lajmëtarëve kimikë ose “neuro-transmetuesve”, si acetilkolina, epinefrina, vazopresina, serotonina, dopamina dhe të tjera.

Kjo do të thotë, në vija të trasha dhe për mua profanin, se truri i një personi që ka krijuar vartësi ndaj nikotinës funksionon disi ndryshe jo vetëm nga truri i atij që s’ka pirë kurrë duhan, por edhe nga truri i atij tjetrit, që e ka lënë duhanin.

Në rastin tim, çfarë më ka bërë përshtypje veçanërisht ka qenë ndikimi i nikotinës në gjallërinë e kujtimeve.

E kam lënë duhanin dy herë; një herë për tre vjet (1987-1990) dhe pastaj përfundimisht në 2003.

Kur e rifillova, në një periudhë stresi të veçantë në vjeshtë të vitit 1990, vura re diçka të çuditshme: filluan të më kthehen, me gjallëri tronditëse, kujtime të viteve kur kisha pirë duhan – ose të periudhës së studimeve në universitet dhe më pas. Dhe këto kujtime i shoqëronte një thrill i pazakonshëm; pra nuk ishte vetëm kujtimi, si “gjurmë” në kujtesë, por edhe konteksti përkatës. Dhe ishte fjala, natyrisht, për kujtime që, gjatë tre viteve që kisha ndenjur pa pirë duhan, më ishin topitur më shumë se ç’kujtoja.

Përkundrazi, kur e lashë cigaren dikur në vitin 2003, më ndodhi e kundërta: vitet që kisha kaluar nën sundimin e nikotinës filluan të më zbehen – jo se nuk i kujtoj dot, por më vijnë në mend vetëm bardhezi, jo me ngjyra. Mungon emocioni, mungon relievi ose përmasa e tretë; të thuash sikur ato kujtime nuk janë ekzaktësisht të miat, por të nikotinës; dhe mua më ka humbur aftësia për t’i thirrur të plota.

Dhe nëse është kështu, atëherë jam i ndarë më dysh: midis personit që dikur pinte duhan dhe që tani është tërhequr në terr; dhe këtij tjetrit, që duhan nuk pi. Janë dy “personalitete” që i ruajnë lidhjet mes tyre, por që nuk komunikojnë shumë.

Përndryshe, më ka qëlluar të flas me miq e të afërm që kalojnë periudha depresive, ankthi ose çrregullime të tjera dhe mjeku u këshillon ndonjë SSRI, si fluoxetinë ose paroxetinë ose citalopram; dhe që i kanë provuar dhe nuk e kanë pëlqyer efektin e tyre; ose i ka trembur çfarë thonë të tjerët për këto barna. Një koleg dikur më pat thënë: Don’t want them to mess up with my head.

Tani, efekti kryesor i këtyre SSRI-ve është se modifikojnë edhe ato neurotransmetuesit – të dyshuarit e zakonshëm, si serotonina e dopamina.

Mirëpo a nuk bën edhe nikotina diçka të ngjashme?

Natyrisht, mua ky efekt anësor i lënies së duhanit nuk është se më shqetëson shumë dhe as do ta konsideroja si “patologjik”; dhe nuk është se përjetimi i diferencuar i kujtimeve lidhet vetëm me tërheqjen prej një droge. Nuk ka nevojë të jesh psikolog për ta kuptuar se mendja mund të kërkojë t’i shtyjë mënjanë kujtimet që lidhen me periudha të vështira të jetës: dhe nga ana tjetër, a nuk është duhani një mënyrë për të luftuar stresin?

E megjithatë, jam pothuaj i sigurt se sikur të filloja tani të tymosja sërish, do të më trokisnin në derë, me valixhet me vete, ditët e vjetra të duhanit, bashkë me gjithë stresin dhe vështirësitë përkatëse.

Ka edhe një faktor tjetër për t’u mbajtur parasysh: që vendimi për ta lënë duhanin merret në momente kyçe të jetës – p.sh. kur dikush ka një problem shëndeti ose vendos “ta nisë nga e para”, ose dëshiron t’i bashkohet një “trendi,” ose humb punën dhe s’ka më buxhet për të blerë cigare. Vetë lufta me adiksionin ndaj nikotinës sjell stres të madh, aq sa do të ishte argument i mjaftueshëm për të nisur cigaren…

Shto pastaj edhe rolin lubrifikues që luan nikotina në komunikimin me të tjerët. Mbaj mend që, në Napoli, më pat thënë një herë një mik imi, psikanalist (Gennaro Imperatore, kushedi ç’bëhet): “ç’e pi këtë duhan xhanëm?” Dhe unë: “Më ndihmon të socializohem.” Por ai nuk e hëngri këtë: “Cazzate!”

E megjithatë: kujt i kujtohet një histori që tregonin për një teatër të provincës, që kish vënë në skenë një dramë për Skënderbeun, dhe ku heroi ulet në lëndinë, nxjerr kutinë e duhanit dhe u thotë bashkëluftëtarëve: “hajde ta dredhim një herë, o burra!” Aktorët ia dinin vlerën, të paktën për të luftuar stage fright.

Edhe pse është ves i vetmisë, duhani i katalizon muhabetet; dhe jo vetëm si ftesë rituale për pak pushim, por – ma do mendja – edhe për shkak të një gjendjeje të caktuar neurohormonale që krijon nikotina; e cila edhe sinkronizohet, sa kohë që e ndezin të gjithë njëherësh.

Mbaj mend që atëherë e kam pasë përfytyruar cigaren si shenjë pikësimi të së përditshmes; ose një mënyrë për ta ndarë dhe organizuar rrymën e eksperiencës. Kam vënë re që edhe shumë të tjerë që pinë duhan e kanë të vështirë të përfshihen në një eksperiencë, pa e ndezur. Madje, në ca situata kolektive si në stërvitje ushtarake ose natën buzë detit, majat e ndezura të cigareve luajnë të njëjtin rol për grupin si edhe vezullimet e barqeve të xixëllonjave (ironikisht, edhe disa lloj xixëllonjash i sinkronizojnë pulsimet e dritës).

Pa u zgjatur në këtë temë kaq intriguese të sinkronizimit biokimik brenda grupeve të njerëzve, të kthehem për një çast te muhabeti i cili sinkronizon mendjet nëpërmjet imponimit të një teme ose gjendjeje shpirtërore të përbashkët (shared); meqë muhabeti “nën nikotinë” është edhe një mënyrë për të ricikluar eksperiencën; çka vjen edhe i ngjan mënyrës si depozitohet kujtesa, ose të paktën kalimit nga kujtesa afatshkurtër nga ajo tjetra, më afatgjatë. Kjo do të thotë edhe që, kur ta kujtojmë pastaj një ngjarje të caktuar, të gjithë ne që e kemi përjetuar drejtpërdrejt ose në mënyrë diskursive do ta përjetojmë ngjashëm; dhe aq më shumë kështu, po të kemi qenë duke pirë cigare.

Prandaj, besoj, edhe shkrimtarët dhe në përgjithësi krijuesit janë aq të varur nga nikotina; meqë i ndihmon që të nxjerrin nga kujtesa jo vetëm mbresa të përgjumura e të narkotizuara, por edhe i shpluhuros dhe ua amplifikon efektin emocional.

Prandaj edhe, nëse nikotina luan vërtet rol ndërmjetësues në përpunimin (processing) e eksperiencës, qoftë edhe kur kjo rimerret nëpërmjet muhabetit ose përcillet nga muhabeti, atëherë kujtimet kështu të depozituara do të mbajnë erë duhan; ose do të mbeten përjetë të “shënjuara”; si ndonjë kartolinë që gjejmë në fund të një sirtari dhe që e ka ruajtur çuditërisht parfumin e vjetër, qëllimisht për ta përdorur – si Proust-i madeleine-n – që të na shkundë nga topitja, duke na i hapur dritaret tejendanë.

Nuk ka komente

  1. Po mendoja se ky shkrim ka efekte të ndryshme, në mos të kundërta, po të lexohet nga një duhanxhi ose nga një që nuk e ka vënë kurrë duhanin në buzë. Unë jam një nga këta të kategorisë së dytë, çka nuk do të thotë se nuk e kam pirë duhanin, madje jam kërdisur, por e kam bërë në mënyrë pasive. Këtu më shtohet pyetja nëse duhapirja pasive mund të quhet vartësi apo jo? Ndoshta jo, se nuk mendoj të kem vuajtur kur të tjerët e kanë lënë, ose kur jam larguar nga shtëpia ku duhani pihej pa e përdorur shkrepësen (se ndizej cigarja njëra pas tjetrës).
    Por tymi i duhanit edhe mua më sjell kujtime të dikurshme, por nuk besoj për efekt të nikotinës, porse të përshoqërimit.
    Jam munduar t’ia kuptoj vuajtjet e lënies duhanxhinjve që kam njohur në jetën time, por nuk ia kam arritur qëllimit. Nuk e kuptoja pse donin ta tymosnin atë objekt me erë të keqe. Më ka bërë gjithnjë përshtypje se si këshillat e mia racionale, për ta lënë duhanin, nuk merreshin fare në konsideratë. Deri sa vjen një moment kyç, siç thotë Xhaxhai, dhe ai e lë menjëherë. Në këto momente duhet të fusim edhe martesën, se duhani u jep një erë të keqe perdeve dhe nusja e re mund ta ketë zët…
    A e ndihmon socializimin duhanpirja? Në perceptimin e duhanxhiut me siguri që po. Por tek adoleshentët vë re që ndihmon në krijimin e grupit e të ndjesisë së rritjes, një lloj riti për të kaluar në brezin e të rriturve. Sa për mua, nuk më ka ndihmuar kurrë të shoqërizohem me të tjerët, se e ndjeja veten të përjashtuar nga grupi, madje edhe nga disa shkëmbime paketash nga të cilat e ndjeja veten si të huaj.
    Kam përshtypjen se cigarja i jep duhanxhiut ritmin e jetës, njëlloj siç bën kafja me mua. Por më vjen për të qeshur kur duhanxhinjtë, kur pinë kafe, nuk rrinë dot pa e ndezur një cigare. I duan të dyja, çka për mua mbetet mister që kur kafja pihej turke.
    Ajo që më intereson më shumë është ritualiteti që shoqëron duhanpirjen, ritualitet që është cunguar nga ardhja e cigares, ngaqë ajo me dredhje më duket më e pasur. Nxjerr kutinë e duhanin, ia ofron mikut, ai vë dorën në zemër duke falënderuar, pastaj fillon dredhja e përbashkët, më pas ndezja shoqi shoqit, e më tej muhabeti nën tymin me shtëllunga.
    Tani, po përsëris çka u them zakonisht duhanxhinjve që pinë në grup. Me shaka natyrisht. Po ne që nuk e pimë, mos ju japim gjë bezdi?

  2. Xha Xha, me duket se po i mbush mendjen vetes qe ta fillosh prape duhanin. Nese eshte keshtu, pra nese qellimi i kesaj apologjie te lavdise se dikurshme tymore eshte qe te justifikoje rifillimin e duhanit, kujto fjalet e atij mikut: Cazzate!

    1. Jo, jo – këtu ku jam unë edhe të duash nuk e pi dot! Deri edhe në park nuk të lënë. Por ju përgjigja Sophie-s që më pyeti dhe pastaj kjo lidhje e duhanit me kujtesën ka kohë që më mundon; sepse ndryshe e kujtoja veten kur pija cigare dhe ndryshe e kujtoj tani. Për shembull, vitet e gjimnazit – kur nuk pija – i kam shumë më të freskëta se vitet e universitetit – kur tymosja si “turku”. Dhe shumë gjëra të tjera më personale.

      1. Në fakt duhani përveç se adiksion kimik është edhe një shtampë biheiviorale e cila është po aq e vështirë të çrrënjoset sa edhe vetë adiksioni. Nxjerrja nga kutia dhe ndezja e cigares, vërtitja e kësaj nëpër gishta, picërrimi i syve teksa përpiqesh të modelosh shtëllungat e tymit, flakja në kosh e mbështjellëses plastike të paketës… janë të gjitha rituale që përsëriten e përsëriten, e që ndaj na krijojnë siguri e qetësi sa kohë që janë të parashikueshme e kështu të menaxhueshme. Shprehja “u bëmë për cigare” besoj se nuk lidhet vetëm me sindromën e zvjerdhjes, por edhe me qetësinë që premton rituali i cili të transporton në një hapësirë tjetër mendore, aty ku je ti që vendos (psh të ndezësh cigaren) dhe jo rrethanat (psh të la autobusi).

        Ironia është se teksa ritualet pra të ofrojnë iluzionin e të pasurit të situatës nën kontroll, adiksioni kimik të heq mundësinë të kontrollosh prej vërteti sa dhe si e konsumon duhanin (dhe çdo substancë tjetër adiktive, gjithsesi).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin