DRURI DHE XHENETI

Djalin e Ministrit të Brendshëm, Leka Z., që ndiqte klasën e gjashtë në shkollën 8-vjeçare “Fitorja e Kongresit” e qëlloi me shpullë mësuesja e botanikës, Naftali M., pasi e kapi gafil, duke u vështruar shalët shoqeve të veta nëpërmjet një pasqyre të thyer që kishte vendosur strategjikisht në dyshemenë midis bankave.

Leka Z. ishte mësuar që ta trajtonin si princ kudo që shkonte, prandaj më shumë mbeti gojëhapur sesa u tremb nga shpulla, por pastaj i tha mësueses një fjalë të ndyrë, dhe doli me vrap nga klasa e nga shkolla dhe u nis për në Ministri të Brendshme, për të takuar menjëherë të jatin.

Ministri e priti të birin në zyrën e vet autoritare, i rrethuar nga gjithfarë dosjesh të pluhurosura dhe telefonash prej bakeliti, e me një tavëll plot bishta cigaresh përpara, të cilat sikur po gatitej t’i hante për drekë. Leka Z. i raportoi shkurtimisht çfarë kishte ndodhur, duke shtuar se nxënësit ndëshkoheshin fizikisht vetëm në shkollat borgjezo-revizioniste, jo në Shqipërinë tonë.

Në faqe i dukeshin akoma shenjat e gishtave të hollë të Naftali M., shenja të brishta bojërozë, që në rrethana të tjera mund të merreshin edhe si gjurmë të një përkëdhelie pak të vrazhdë. Ministri i Brendshëm tundi kokën i menduar, dhe i tha të birit që të kthehej në shkollë dhe të mos bisedonte me njeri për çka kishte ndodhur, meqë me këtë incident do të merrej ai vetë.

Ndërsa Leka Z., këtë herë me çap të ngadaltë, mori rrugën e kthimit për në shkollë, i përcjellë nga buzëqeshjet servile të kolegëve të të jatit, Ministri u bëri disa telefonata të domosdoshme autoriteteve për t’u informuar, ndër të tjera, për Naftalinë M., lëndën e botanikës dhe orarin mësimor të klasës së gjashtë në shkollën “Fitorja e Kongresit”.

Për dy ditë me radhë nuk ndodhi asgjë. Naftali M. u kthye në klasën e Lekës Z., për një orë tjetër botanike, e trembur se mos i biri i Ministrit do ta gjente mënyrën për t’u hakmarrë për shpullën që kishte ngrënë. Befas u dëgjuan zëra në korridor, trokiti dera me ngulm, pastaj u hap tej e ndanë dhe u shfaq në krye maska dramatike e drejtoreshës Vefi P., e ndjekur nga fytyra prej çeliku e Ministrit të Brendshëm.

Naftali M., kur e tregonte skenën më pas, thoshte se as vetë nuk e dinte si nuk u plas përdhe, pa ndjenja. Ministri i Brendshëm përshëndeti mësuesen dhe nxënësit që nuk pipëtinin, kërkoi të falur për ndërprerjen e mësimit, e thirri të birin të dilte para klasës që ta shihnin të gjithë dhe i kërkoi Naftalisë M., me mirësjellje, që të përshkruante se çfarë kishte ndodhur pikërisht para pak ditësh.

Mësuesja e filloi rrëfimin që nga çasti kur kishte vënë re copën subversive të pasqyrës në dysheme, dhe e përfundoi me shpullën, duke e lënë jashtë të sharën e rëndë që kish ngrënë prej Lekës Z., por duke u kujdesur të shtonte, me zë të dredhur, se kishte bërë gabim të pafalshëm që kish ngritur dorën kundër një fëmije, prandaj dëshironte t’i kërkonte të falur, edhe pse me vonesë.

Ministri u kthye nga i biri, e qëlloi papritur me shpullë, dhe e pyeti Naftalinë M. nëse kjo e kishte goditur më lehtë apo më fort se aq, pyetje së cilës mësuesja iu përgjigj duke sqaruar se shpulla e saj kish qenë në të vërtetë pak më e lehtë. Me të dëgjuar këto fjalë, Ministri i Brendshëm iu vërsul të birit si tigër, e shtriu përdhé me egërsi të madhe, dhe filloi ta goditë me shkelma në brinjë dhe në kurriz, teksa ky ulërinte si i dalë mendsh, ndërsa Naftali M. dhe Vefi P. përpiqeshin t’ia ndalnin hovin atij babai të zemëruar dhe rojet e Ministrit iu hodhën përsipër të gjithëve, ndoshta edhe nga frika se mos u pësonte gjë shefi.

Më pas, Vefi P. do të kujtonte se Ministri i kishte pasur çizmet të lustruara aq mirë, sa kjo kish pandehur, për një moment, se dinjitari i lartë i shtetit kishte veshur këpucë lustrafine.

 

1 Koment

  1. E bukur kjo, por perfundimin e lexova se prapi (anapolla si e perdorin nga Jugu, megjithese eshte fjale greke)

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: