Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Nostalgji / Udhëtime / Urbanistikë

CRUISE NË METRO

Muzeu i transportit publik i NYC (NY Transit Museum) kish organizuar dje (të shtunën, 4 tetor) një udhëtim nostalgjie, nga Old South Ferry Station – në cepin jugor të Manhattan-it, në varrezën historike Woodlawn në Bronx, me vagona treni të modelit të vjetër IRT Lo-V.

Vendosëm të shkojmë, “zyrtarisht” për t’i ofruar një shëtitje speciale nipit tonë Ian për datëlindjen dhe që e shijon udhëtimin me metro në mënyra ai që nuk arrin dot as të fillojë t’i përshkruajë; por edhe në homazh relativisht të heshtur të romanit tim Bolero, të botuar në 2015 në Tiranë.

Që prej vitit 2007, nuk e përdor më metronë rregullisht; i kam ndrequr me të marrëdhëniet dhe shpesh e shoh nëpër filtrin e fiction-it tim. Por edhe nuk jam aq i lashtë, sa të kem nostalgji për vagonët e dikurshëm; prandaj një udhëtim përmes Manhattan-it dhe pastaj Bronx-it më tërhoqi edhe si ri-përjetim i viteve të mia të hershme në metropol. Por me të hipur në tren, vura re dy gjëra – që isha pjesë e një grupi special, që ish përftuar rreth pasionit të përbashkët për metronë, si eksperiencë kolektive; që po udhëtoja me metro jo për të shkuar nga pika A në pikën B, por thjesht për hir të udhëtimit në vetvete.

Emrat e stacioneve, që më shfaqeshin dora-dorës që treni zhvendosej drejt veriut, sillnin me vete histori – jo të New York-ut, por timen. Nga Union Square që më lidhet gjithnjë me partneren time dhe librarinë e madhe Barnes & Noble, e sipër, stacionet e metrosë kanë qenë për qytetin tim shenja pikësimi. Deri te Yankee Stadium në South Bronx, nostalgjia rrodhi në tunelet e nëndheshme, për të dalë pastaj në linjën e mbidheshme. Pashë Bronx-in, që nuk e kisha parë prej vitesh – aq të freskuar, aq të shpalosur nën qiell. Pashë Tracey Towers, që dikur më shërbenin si orientues; pashë spitalin Montefiore, ku ka vdekur im atë. Kjo m’u lidh njëfarësoj me stacionin e fundit të kësaj aventure në nostalgji – varrezën në Woodlawn.

Te romani Bolero i jam qasur metrosë si ndonjë hidre të ngathët, por të përbindshme, që kërcënon thjesht me vëllimin dhe kompleksitetin e tentakulave të saj; diçka si ato këpurdhat supergjigante, që shtrihen me milje duke i bashkuar rrënjët në një rrjet të vetëm nën dhé. Prandaj edhe m’u duk kaq abstrakt ky udhëtim i sotëm, që e reduktoi topologjinë aq të hatashme të metrosë në një vijë të drejtë – duke më kujtuar, si të isha naiv, se për të  gjithë ne udhëtimi individual në metro bëhet në vijë të drejtë, në një dimension, si të ishim milingona brenda një fijeje spaghetti.

Një metro si kjo e New York-ut e bën qytetin, duke ia ushqyer gjymtyrët e shumta mbi tokë; madje ia jep qytetit formën e vet, sa kohë që lagjet dhe mëhallat priren të rriten përreth stacioneve. Kush udhëton nga njëra pikë në tjetrën në tunelet, e kupton që po zhvendoset, por nuk e përjeton gjeografinë, sepse sheh nga dritaret e vagonit vetëm muret e errëta të galerive. Sot, meqë ishte ditë speciale, i ndoqëm pjesë të udhëtimit edhe nga dritarja në ballë të trenit – me errësirën dhe dritat e sinjaletikës në një lojë psikedelike, të ndërprerë periodikisht nga oazat e stacioneve. Do ta kisha shijuar më mirë, po të kisha gjetur një mënyrë për të hequr qafe krahasimin me videolojërat.

U kujtova që këtë përjetim të zhvendosjes abstrakte isha munduar ta përshkruaj te Bolero-ja, roman që ndoshta ka nevojë për metronë, që të funksionojë siç dua unë; por që ia dhashë lexuesit shqip, duke iu lutur për zemërgjerësi. Mbaj mend mirë si, para se të shkoja në Tiranë për prezantimin e romanit, patëm bredhur në disa stacione të Manhattan-it me artistin (dhe mikun) Irgin Sena, për të xhiruar një video, që do ta përdornim si “trailer” të romanit. Irgini bëri një punë të bukur atëherë, dhe videoja mund të ndiqet sot e kësaj dite këtu (Bolero Trailer). Pavarësisht nga struktura prej mozaiku, romani rrëfehej nga perspektiva e dikujt që e pret trenin në stacion, që është e kundërta nga çfarë përjetova unë sot; dhe jo sepse nuk i kam parë herë tjetër stacionet nga një tren që lëviz, por sepse ky udhëtim i sotmi m’u duk si një shëtitje e butë, kabotazh nga një ishull dritash në tjetrin; gati-gati, si të ishte treni ynë IRT Lo-V një lloj anijeje dëfrimi, një cruise ship, që rrëshqiste përmes oqeanit sekret nën metropol.

Pjesa e dytë e kësaj aventure u luajt në Bronx – Amerika ime e orëve të para. Me pak mundim, do të kisha arritur të shquaj edhe ndonjë nga pallatet ku pata jetuar atëherë, sa pa u bartur në Brooklyn. Bronx-i ende e ruan emrin e keq, por gjithnjë është gati t’i tregojë vizitorit shumë fytyra; fytyra që më shfaqi mua sot ishte e gjelbërimit dhe e mallit.

Si për çdo imigrant, edhe për mua jeta në SHBA sikur filloi nga e para, më erdhi e paketuar me fëmijërinë dhe rininë e vet; prandaj Bronx-in gjithnjë do ta lidh me fëmijën brenda vetes, ndoshta edhe ngaqë atëherë më pritën të dy prindërit kur erdha, dhe i pata rrotull siç nuk kisha pasur prej vjetësh. Me dy fëmijëri, e quaj jetë dyfish të fituar periudhën e atëhershme, aq të ndryshme nga e tanishmja; të kaluar mes parqeve, librarive, CD-ve dhe zbulimeve mahnitëse në çdo cep të New York-ut, atëbotë gjithnjë me cigaren ndezur.

Emblematik, në llojin e vet, ishte edhe destinacioni i këtij udhëtimi – varreza në Woodlawn. E vizituam këtë si të ishte më shumë park, se varrezë; admiruam qetësinë dhe hijeshinë e mjedisit – një fisnikëri tejkaluese e respektit që zakonisht kemi për të vdekurit. E përmenda më lart që im atë ka vdekur te një spital aty fare afër; dhe për këtë arsye, më duket sikur edhe ai është varrosur në Woodlawn, me siluetën e spitalit përtej kodrës si të ishte një Ersatz për kokën e varrit. Duke ecur kuturu, këmbët na çuan në parcelat me varre monumentale. Për shkak të mauzoleve të shpërndarë në peizazh (ka mbi 1300 të tilla), varrezat i ngjanin një lloji qyteti të bardhë, periferik për metropolin; me pak imagjinatë, edhe varrin e varrimin mund ta bashkëlidhë njeriu me metronë dhe tunelet e nëndheshme; dhe ashtu m’u duk, për një moment, sikur edhe varrezat kanë metronë e tyre, me shumë kimike se të ndonjë natyre tjetër, ku të vdekurit lëvizin me ritmet dhe synimet e tyre të pazbërthyeshme. Si ta shpjegosh ndryshe, që ky udhëtim nostalgjie me metro do ta bënte ndalesën e fundit te një qytet të vdekurish?

Po aq domethënëse m’u duk edhe reklama, brenda në vagonin e trenit e nostalgjisë, e një seriali televiziv – Six Feet Under – që u ndoq me sukses të madh, në HBO, në vitet 2001-2005; dhe ku rrëfehet jeta e një familjeje në Los Angeles, që janë pronarë të një ndërmarrjeje funerale. Kur rastësia kërkon ndonjëherë të të kumtojë diçka, nuk e ka problem që ta teprojë.

Për ndalesën-vizitë dyorëshe në varrezat, nuk do të mungonte as tezga për shitje suburbane librash të përdorur me relevancë tematike për eventin tonë; nuk mund të mos ndodhte që Ian-i të zgjidhte për të blerë dy tituj absolutisht seriozë për Titanikun – një obsesion i vjetër i tiji, por fatlumësisht i përditësueshëm. Titaniku në Woodlawn, edhe ai një varr monumental në llojin e vet në fund të oqeanit, ndonëse me fare pak vizitorë; por nuk do të çuditesha sikur, mes mijëra të varrosurve këtu, të gjeja ndonjë prej të mbijetuarve; ose, fundja, edhe një cenotaf kushtuar ndonjërit prej të mbyturve. Pa folur pastaj për të përbashkëtën që kanë transoqeaniku i dikurshëm me trenin tonë të nostalgjisë – si mjete transporti, që vetëm një mendje fëmije mund ta shquajë mes filtrave të logjikës (fut këtu edhe South Ferry-n, porti ku mbërrijnë në Manhattan tragetet nga Staten Island, por nuk po e ngas më tutje lojën e asociacioneve). Po të kisha pasur kohë, mbase ia vlente që t’i krahasoja edhe titujt e librave të tjerë me vendin ku i kishin nxjerrë për shitje; të gjithë me kapak të fortë, me çmime të ulura dhe që dukej sikur kishin kaluar më shumë kohë në arka, se në rafte bibliotekash; aq sa edhe tezgën vetë fillova ta shoh si model në miniaturë të varrezës.

Çfarë nisi si një joyride, me një tren si prej lojërash dhe në shoqëri të gëzueshme amatorësh të pandreqshëm të transportit publik – dhe nuk ka pak të tillë në New York – erdhi e u shndërrua në një zbritje ndonjëherë tejet të pjerrët, në biografi dhe në histori, qytetin të reduktuar në një ekran ku projektuam kujtimet tona dhe përshtypjet e shpluhurosura. Menduam se ky metropol, në fund të fundit, është treguar kaq i hapur dhe mikpritës me ne të ardhurit, duke na lejuar në çdo moment që ta ndanim jetën tonë dhe dashurinë për njëri-tjetrin me nëndheun e vet dhe kujtimet e të panjohurve. Edhe një herë, metroja na u imponua si një gjysmë-perëndi e ashpër dhe pagane, por e dhembshur në enigmën e vet; si rikujtesë se një vend nuk e bëjmë dot tamam tonin, pa i zbritur në Hades.

(c) 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin