Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

FIJE NGA JETA (VII)

(Adashë)

Lexova që në Kinë ka rreth njëqind e dy milion njerëz me mbiemrin Wang (王) – mbiemri në Kinë vihet përpara emrit – njëqind e një milion Li (李) dhe rreth nëntëdhjetë e gjashtë milion që mbajnë mbiemrin Zhang (张). Pra, treqind milion banorë të Kinës në vetëm tre mbiemra. Duke pasur parasysh natyrën njërrokëshe të fjalëve kineze, sikur edhe vetëm matematikisht ta marrim, mund të imagjinojmë që, pa frikë, numri i adashëve aty duhet të jetë tmerrësisht i lartë. Po në Shqipëri? Ja përvoja ime.

1991. Me rrëzimin e përmendores së Hoxhës ra edhe sistemi komunist: bashkë me të – frika e njerëzve. Sapo isha kthyer nga Dibra, ku pata punuar si mjek; jetoja me prindërit. Filluam të marrim telefonata të çuditshme. Kryeherazi ishin thjesht heshtje të gjata, me një si ndjenjë kanosjeje mbetur pezull anës tjetër e telit, derisa linja binte. Më vonë zëra burrash filluan të hedhin sharje, edhe të rënda, si nëpër dhëmbë; pastaj personi ulte receptorin. Kur përgjigjej ime ëmë ose ime motër e mbyllnin; shanim mua ose tim atë, por pa përmendur emër, ndaj nuk kuptohej kë shanin vërtet (unë dhe im atë e kishim praktikisht zërin njëlloj). Vramendje… Derisa, me kalimin e javëve, telefonatat u bënë më të eleboruara dhe, pak e nga pak, e vërteta buthtoi. Thoshin: “Siç hoqëm zvarrë shefin tënd, ashtu do të tërheqim edhe ty, o shkërdhatë!” Ose: “Qen! Ia shkrove veprat Enverit? Në burg e ke vendin!”

Nuk ishin, pra, për tim atë, që quhej Spiro Dedja, sharjet dhe kërcënimet, por për gazetarin Spiro Dede, redaktori i librave me kujtime të Hoxhës. Ai ndryshimi i vogël tosk-geg i shquarjes së mbiemrave (Spiro Dede ishte nga Bregu, kurse im atë nga Elbasani; sikurse kemi Igli Tare – me origjinë nga Gjirokastra/Tepelena, dhe Xhek Tarja, komandanti “i lavdishëm” i zboreve të Fakultetit të Mjekësisë në Mamurras, që ishte nga Kruja), ngjante një detaj tepër i hollë për njerëz që, me gjasë, kishin bërë burg. Puna ishte se im atë, mjek, e kishte numrin e telefonit të shpallur gjithandej, kurse Spiro Dede, ish-sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, asgjëkundi.

Nga ai moment, një bashkëbisedim herë i shtruar e herë ngjyrandezur ia nisi me sharësit, ku i bënim me dije për praninë e adashëve. Telefonatat mbaruan.

Kaluan dhjetë vite. Kisha filluar punë në Itali, por hyja e dilja shpesh në Tiranë. Duhet të dyshoja: në Rinas polici më peshoi me sy e më pyeti më gjatë se të tjerët, me qysh e me tek. Ama, mbas një jave, në dalje; më bllokuan.

“Ti nuk do të lëvizësh që këtu, sonte, çuno. Kemi shpallur në kërkim një Arben Dedja, që ka kryer krime të rënda.”

“Shiko, se këtu ka një gabim,” i them, “po më ikën avioni.”

“Harroje avionin. Emri i babës?”

“Spiro,” i them.

“Hm! E vërteton dot?”

“E si ta vërtetoj?” i them. “Pasaporta…”

“Lëre pasaportën,” më thanë. “Këto pasaporta janë bërë me bythë; emri i prindërve nuk figuron në sistem.”

Dhoma u mbush me policë. E pashë pisk, por, ama, më vetëtiu në mend diçka që mund të ish shpëtimi im. Kisha mik Fatos Klosin, asikohe Kryetar i SHIK-ut dhe, për fat, zotëroja një numër telefoni privat të tij. U kërkova policëve të bëj një telefonatë.

“Po, mor!” tha njëri syresh dhe tregoi me gisht aparatin (se mos kishim celularë atëherë).

Formova numrin duke thirrur me mend në ndihmë zotat e të gjitha feve, monoteiste a panteise qofshin. Dhe… Fatosi m’u përgjigj.

“Fatos, më shpëto,” i thashë. “Kështu, kështu!”

“Më kalo shefin,” tha Fatosi.

Tensioni ra. Mjedisi u bë miqësor.

“Po si quhet ky i kërkuar kaq i rrezikshëm?” u thashë.

“Arben Dedja, pra.”

“Datëlindja?”

“1964.”

“Hm! Edhe unë 1964 jam. Po çfarë muaji?”

“Mars.”

“Unë jam i janarit. Po emri i babait?”

“Aty ndryshon puna,” tha shefi. “Nuk e ka Spiro.”

Kur po dilja nga dhoma, më i ulëti në gradë i policëve (rrinte afër derës), një burrë i vjetër në prag pensioni, më dha këshillën më të çmuar:

“E di ç’ke ti, çuno? Nxirr një certifikatë lindjeje, se ajo i ka emrat e prindërve, dhe mos e hiq nga xhepi.”

Ashtu bëra. Për vite, policia më bllokonte. Vijonin pyetje të shkurtra, rutinë; derisa shqiptohej ajo, fatalja:

“Emri i babait?”

Fap, nxirrja certifikatën, palosur katërsh, holluar e tripsur, por që nuk u gris kurrë deri fare. Pastaj erdhi një moment që s’më ngacmuan më. Sikur u mërizita pak: ç’i ndodhi adashit tim, vallë?

Si është ajo shprehja e Marksit (që e rimerr nga Hegel-i) e ngjarjeve dhe personazheve të historisë që përsëriten dy herë: të parën si tragjedi, të dytën si farsë. Ok, herën e parë ngatërresa e emrit nuk se kulmoi deri te tragjedia, por që herën e dytë ishte farsë, ja ku po jua rrëfej.

Korrik 2017, Borsh, pushime. Ç’më shohin sytë: Agron Tufa me familjen (i vogli, Agzoti ishte i sapolindur) kishin ardhur me pushime. Banonim njëqind metra larg. Njihesha mirë me Agronin, por nuk më kish rastisur të rri me të, kur i thonë, shtruar, dhe ja ku më erdhi zogu në dorë në do takime vërtet mbresëlënëse. Një çikë vështirë të flisje për letërsinë në kushtet e një korriku pa re, me zheg dhe fëmijë rrotull, por, njëfarësoj, ia dolëm. Sidomos një mbrëmje, kur Goni dhe Elvana na ftuan në apartamentin e tyre dhe na gatuan peshk. Edhe Martin Camaj, siç ka rrëfyer e shoqja, Erika, në një intervistë, miqve të ngushtë u gatuante gjithnjë peshk (peshku i Martinit ishte krapi), ndaj më duhet të besoj që është një si punë huqi i poetëve shqiptarë kjo gostitja e miqve të letrave me peshk. Dhe në muhabet e sipër më tregon Goni:

“Ben, shiko ç’më ndodhi vjet.” Dhe nga buzëqeshja e Gonit (buzëqeshje që shpresoj dhe besoj ta ketë ruajtur edhe në ekzil) e kuptova që do të tregonte diçka komike:

“Më vjen një e-mail nga një Arben Dedja, që më shkruante, pak a shumë: ‘Profesor Agroni, ju lutem, të m’i lexoni pak poezitë që po ju nis dhe të më jepni një mendim. Etj. Etj.’ Ngela,” tha Goni. Iu përgjigja: ‘Do t’i shoh me gjithë qejf, Ben, por nuk po e kuptoj, pse kjo lustër, se ne njihemi aq bashkë…” Përgjigja do t’ia sqaronte gjërat: një adashi im (tjetër?) i kish shkruar.

Edhe mua kjo histori më sqaroi që nuk jam i vetmi poet me emrin Arben Dedja në këtë botë, ndaj s’ka pse të mbahem me të madh.

(Modo educato per dire “sedere”?)

Ngaqë im bir dhe ime bijë (janë aq të rritur tashmë, sa më vjen pak zor t’i quaj “fëmijë”) nuk kanë bërë asnjë ditë shkollë në Shqipëri, e nxëna e shqipes për ta mbetet kryekëput e lidhur me mjedisin familjar. Edhe kanë lexuar ndonjë libër shqip, xhanëm (me listën e fjalëve të panjohura që hap pas hapi ua zvjerdhte kënaqësinë e të lexuarit); mbaj mend tim bir që ngeci në baltën e thellë të ‘Koncertit…’ (“po nga vajte e gjete pikërisht këtë roman të Ismailit,” i thashë, “edhe për ne mbetet i vështirë për t’u shtyrë[1].”) dhe nuk e di qysh doli prej aty.

Mua – adoleshent (por, besoj, shumëve nga brezi im) na pëlqente ajo që në retorikë quhet “metatezë”, ndërkëmbimi i tingujve, sidomos në togfjalësha apo emra. Për shembull, Pandi Raidhi bëhej Randi Paidhi ose luhej (ne të gjimnazit “Sami Frashëri”, sidomos) me emrat e Frashërllinjve. Thoshim: “Naimi dhe Saimi; ops: Namiu dhe Samiu; më fal, më shkau gau!” Tash së fundi mësova që kjo mënyrë të shprehuri, lojë, por që mund të përbëjë edhe vështirësi më vete për dislektikët, quhet: “spoonerizëm”, nga William Archibald Spooner, një prift anglikan që e kish fort për zemër të shprehej kësisoj. Një nga spoonerizmat e mia të preferuara, që e mbarta deri këtu në Itali ishte: “dyqani i ushqimeve”, që bëhej “ushqani i dyqimeve” – ose, po të doni (më bukur): “…i dy qimeve”.

“Duhet blerë aksh gjë në supermarket,” më thosh ime shoqe.

“Ëë, në ushqanin e dyqimeve,” i thosha unë.

Si rrjedhojë ime bijë ishte e bindur që “supermarketit” shqip i thoshin “ushqan dyqimesh” dhe, kur e vërteta doli në shesh, mëria mbajti gjatë.

Nga ky incident, ndërgjegjësimi im për t’u folur shqip të mijve është rritur shumë dhe mesazhet që u dërgoj në whattsapp janë një ushtrim i lartë stili. Asnjë “ë” nuk mungon.

Ndodhi, s’ka pak ditë, që më vjen nga ime bijë një mesazh pikërisht në whattsapp, tejet kriptik: Modo educato per dire “sedere”? Unë isha në punë; ajo në fakultet, në qytete të largëta. I nisa një pikëpyetje (“?”), se vërtet s’po e merrja vesh. Një shprehje pa kontekst. Kontekstin ma rrëfeu në darkë, në telefon: praktikë në lëndën e urologjisë, ekzaminonin një pacient shqiptar të moshuar, Ai nuk dinte italisht dhe ime bijë kish dalë vullnetare të përkthente.

Digli di avvicinarsi un po’ con il sedere,” i kish thënë mjeku italian. Dhe Sarës, si person i edukuar që është, i vetëtiu menjëherë në mend një tmerr: “Si mund t’i drejtohej një burri të moshuar me të vetmen fjalë që dinte shqip për “sedere”? Pati kohë sa për një mesazh lutës, të dëshpëruar, estetit të familjes… dhe kaq. Pastaj u detyrua të përkthente. Tani Sara, me të drejtë, e merrte me mend që shqipja për “sedere duhet të kish disa fjalë, jo vetëm atë që përdorej rëndom në familje… e kuptoni vetë ju (fjalë e fondit autokton, rrënjë indoeuropiane). Asëll-asëll përdorej nëpër togfjalësha, për t’i dhënë gjallëri ligjërimit. “Shtroje b*thën”, për shembull, i thuhej vazhdimisht djalit, që të ulej e të studionte njëherë, të paktën. Për mua ishin rezervuar: “lëvize b*thën” që ta lija leximin dhe të merresha me ndonjë punë shtëpie herë pas here, por edhe “tall b*thën” (e përdorur shpesh si nga Gjirokastra, me “i” në vend të ipsilonit), kur, si ai ilaçi që shkon drejt helmit, doza ime e shakasë shkonte ndonjëherë kah përqeshja.

Në njëfarë mënyre Sara kish dalë nga situata (duke i rënë muhabetit rrotull); tani, ama, kërkonte shpjegim, gjë që nuk ngurrova ta bëj.

Fjala më formale në shqip për “b*thë” është “të ndenjurat”, emër foljor, që ka vetëm formën shumës.

“Kështu që xhajës duhet t’i drejtoheshe me fjalën ‘të ndenjura’,” i thashë (këtu pati një intermexo, për të shpjeguar fjalën “xhajë”).

Një tjetër term formal është “prapanicë”, por sikur ka përdorim më të kufizuar; më duket se përdoret si me shaka ose për të përshkruar veshjet që e mbulojnë këtë pjesë të trupit. Fjala tjetër është ‘vithe’. Kjo mbart tërë një ngjyresë sensuale, do të thosha seksuale.

Mirëpo pasi e mbyllëm telefonatën dhe vajta, për siguri, të kontrolloj Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, u zhgënjeva që aty fjalës “vithe” nuk i vihej aspak për sinonim “b*thë”. Ama, Von Hahn-i, themeluesi i albanologjisë, na e jep toponimin “Vithkuq” si “Büthakukye” ose, diku tjetër, në trajtën “Beitha Kukju”. S’na prish punë ky mospërkim i vogël termash prej gjermanshkruesi: thelbi mbetet.

(c) 2026 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


[1] Kjo s’do të thotë që nuk është i bukur.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin