Kronika pedagogjike e Sotir Paparistos, e titulluar “Rrëfimet e mia”, ofron përgjatë një shekulli marrëdhënie të ndryshme me zhvillimin e arsimit shqiptar, duke iu qasur atij si nxënës, si mësues, si inspektor arsimi, si hartues dhe redaktues tekstesh, si autor artikujsh shkencorë, si përkthyes dhe si mësues i gjuhës së huaj. Ky “udhëtim” nëpër qindvjeçar përfshin fillesat e arsimit shqiptar me veprimtarinë patriotike pararendëse të klubeve patriotike, konsolidimin, kombëtarizimin dhe reformimin e tij (reforma Mosi-Ivanaj), qëndresën kundër italianizimit të shkollës shqipe, veçanërisht pas pushtimit italian të Shqipërisë si edhe masivizimin dhe ideologjizimin e arsimit shqiptar pas vendosjes së pushtetit komunist.
Arsimimi i Paparistos në qytetin e lindjes zë fill me shkollimin një vit privatisht në shtëpi nga babai i tij Dhimitër Paparisto, atë në Shkollën Plotore dhe më pas në Normale. Shkollimit të tij në qytetin e lindjes i paraprijnë një aktivitet i rëndësishëm patriotik që ka të bëjë me zanafillën e shkollës shqipe, ai i klubeve patriotike[1] Bashkimi dhe Vllaznia, i shoqatave Dielli dhe Afërdita, si dhe ngjarjet madhore të Kongresit të Elbasanit dhe hapjes së Normales. Personalitete të tilla si Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Ismail Haxhihyseni, Vasil Andoni, Veniamin Dashi, për të përmendur vetëm disa nga mësuesit e tij në Normale, të cilët vunë bazat e arsimit shqiptar, do të lënë gjurmë në formimin e tij intelektual, pedagogjik dhe patriotik. Pa harruar këtu edhe babain e tij Dhimitër Papariston, një ndër përfaqësuesit e Elbasanit në Kongresin e Elbasanit, mësues me kontribut shumë të gjerë dhe autor tekstesh shkollore.[2] Veprimtaria pararendëse e klubeve patriotike solli një gjallërim të dukshëm në jetën arsimore dhe kulturore të rinisë elbasanase. Në këtë shtjellë duhen parë kujtimet e Paparistos për bashkëmoshatarët e tij në lagjen Kala të Elbasanit, të cilët sipas modeleve të mësipërme krijojnë një shoqëri rinore me emrin Agimi. Aktiviteti i saj përmbledh një kinema fëmijërore, një gramafon dhe lodra apo shfaqje për fëmijët e lagjes, duke pasqyruar kësisoj frymën përparimtare dhe ndikimin e mjedisit intelektual e arsimdashës të familjeve elbasanase në fillim të shekullit të 20-të, mjedis në të cilin lindi dhe u formua Paparisto. Shumica e shokëve të tij të fëmijërisë qenë normalistë (Sofokli Paparisto, Kov Bibaja, Kolë Popa, Nos Ndria) dhe vijuan arsimin e lartë jashtë Shqipërisë, një pjesë e tyre edhe kontribuuan si mësues në Normale për njëfarë kohe. Në një plan më të gjerë, ky brez, i cili vijoi studimet e larta jashtë Shqipërisë, ushtroi një ndikim të rëndësishëm në formësimin dhe zhvillimin e mendimit intelektual shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të 20-të.
Periudha 1930-1935, gjatë së cilës Paparisto punon si mësues në Ersekë dhe Tiranë, përfshin reformën Mosi-Ivanaj, reformë e cila solli ndryshime thelbësore në arsimin shqiptar, qoftë për nga ligjshmëria, qoftë për nga përmbajtja.[3] Në qendër vendoset edukimi moral, patriotik dhe shoqëror i nxënësit, duke e parë shkollën si institucion pedagogjik, psikologjik dhe shoqëror. Fryma e reformës ndjehet fare qartë në kronikën pedagogjike të Paparistos përmes futjes së germave lëvizore, lojërave të futbollit, basketbollit, volejbollit, organizimit të ndeshjeve mes shkollave, ushtrimeve gjimnastikore në një palestër të blerë enkas, orkestrinës së mandolinave, korit, shfaqjeve të vogla teatrore, organizimit të mbledhjeve të prindërve dhe konferencave pedagogjike si dhe përpjekjeve për krijimin e revistave përkatëse për mësuesit dhe nxënësit.
Rubrika që përshkruan periudhën e studimeve në Institutin Zhan-Zhak Ruso (Institut Jean-Jacques Rousseau) në vitet 1935-1937 nxjerr në pah punën e vazhdueshme të Paparistos me frëngjishten, mësimi i së cilës e kishte zanafillën në Normale. Në listën e mësuesve të Normales ai rendit dhe emrin e një francezi që jepte frëngjisht, kur ishte nxënës në këtë institucion. Është koha kur në shkollat e mesme gjuha e huaj nuk është më vetëm mjet për të mësuar lëndët e tjera, por “konsiderohet si lëndë kryesore krahas gjuhës shqipe, matematikës, filozofisë etj.”[4] Instituti Zhan-Zhak Ruso, i themeluar në vitin 1912 nga Klapared (Édouard Claparède), u bë qendra e reformës moderne pedagogjike dhe e Shkollës së Gjenevës. Piazhé (Jean Piaget) dhe Bové (Pierre Bovet), të dy profesorë të Paparistos gjatë kohës së studimeve, lëvruan në këtë institut qasjet e tyre teorike në lidhje me zhvillimin e fëmijës, i pari në aspektin konjitiv dhe i dyti në atë moral dhe etik. Gjatë viteve 1927-1938 lindi dhe u intensifikua bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit në Shqipëri me Byronë Ndërkombëtare të Edukimit (Bureau international d’éducation) në Gjenevë, drejtor i së cilës ishte pikërisht Piazhéja.[5] Tepër interesante janë kujtimet personale të Paparistos lidhur me të tre profesorët e mësipërm. Pikërisht në këtë periudhë (1936) ai boton një broshurë për Dekrolin (Ovide Decroly) me titull: “Dr. Dekrol, jeta dhe vepra e tij pedagogjike”. Fill pas mbarimit të studimeve në vitin 1938 Paparisto shkruan parathënien e një përkthimi të pjesshëm të “Emilit” nga Gani Daiu[6] (i cili është në të vërtetë përkthimi i parë i Rusoit në shqip). Është mbase shtysa e parë për përkthimin që do të ndërmarrë vetë më pas. I kësaj kohe është dhe artikulli i gjatë “Ç’është sugjestioni”, botuar në dy numra në revistën “Përpjekja shqiptare” të Branko Merxhanit.
Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, në vitin 1938, Paparisto fillon punën si inspektor arsimi në Korçë. Përpjekjet për italianizimin e shkollës shqipe[7] dhe në vijim intensifikimi i tyre për nënshtrimin e saj ndaj ideologjisë fashiste si pasojë e këtij pushtimi, hasën në kundërshtimin e një pjese të madhe të mësuesve dhe nxënësve. Postin si inspektor në Korçë dhe atë si drejtor i Shkollës Ushtrimore pranë Normales në Elbasan në vitin shkollor 1940-1941 Paparisto i humbet, sepse nuk pranon të veshë këmishën e zezë dhe të përshëndesë sipas ritualit fashist. Mjedisi i punës në Korçë, përmes organizimit të konferencave pedagogjike, krijimit të një biblioteke për mësues me materiale psiko-pedagogjike në shqip dhe kryesisht në frëngjisht (sepse shumica e mësuesve lexonin në këtë gjuhë), ravijëzojnë një fazë konsolidimi në të cilën kishte hyrë tashmë arsimi shqiptar, me gjithë problemet e shumta që kishte. Po mbruhej një mendim pedagogjik modern dhe po ndjehej ndikimi intelektual i atyre që pas studimeve jashtë kishin sjellë në Shqipëri dijen dhe përvojën e vendeve të përparuara ku kishin studiuar. Propozimet konkrete për përmirësime, që duke u nisur nga puna e tij si inspektor Paparisto i bën Ministrisë së Arsimit, paçka se mbesin pa përgjigje, dhe vizitat konkrete në fund të vitit shkollor 1939 në disa shkolla perëndimore (Francë, Zvicër, Belgjikë, Itali) për të parë konkretisht si zbatohej metoda Montesori, dëshmojnë në mënyrë përfaqësuese një mendësi moderne dhe një angazhim intelektual. E njëjta gjë vihet re edhe në mjedisin e punës në Shkollën Ushtrimore të Normales në Elbasan. Normalja ishte bërë qysh në vitin 1928 anëtare e Byrosë Ndërkombëtare të Edukimit.[8] Në kohën kur Paparisto u emërua drejtor i Shkollës Ushtrimore, i tërë personeli i kësaj shkolle ishte i shkolluar në Francë apo Zvicër dhe zbatonte metoda të mbështetura në psikologjinë e fëmijës, duke u bërë qendër e përpunimit të mendimit didaktik bashkëkohor.
Trazirat dhe pështjellimet politike deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore janë një sfidë për shumicën e intelektualëve të kohës në përpjekjet e tyre për t’u orientuar. Në orientimin e tij patriotik për çlirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, Paparisto hyn për disa muaj në organizatën Balli Kombëtar, largohet pasi fillon bashkëpunimi i Ballit me okupatorin, shikon me simpati Luftën Nacional-Çlirimtare, punon për hapjen e shkollave të reja në zonën e çliruar (në Priskë të Tiranës) dhe emërohet si inspektor arsimi në Tiranë deri në vitin 1946. Reformat arsimore të viteve 1946 dhe 1963, të ndërmarra nga regjimi komunist vendosin bazat e arsimit socialist, me kontroll të plotë shtetëror dhe me orientim ideologjik marksist-leninist.[9] Në rrjedhën e këtyre reformave, mësuesit e paraluftës, shumica e të cilëve bënin pjesë në elitën e vogël të atyre që kishin studiuar jashtë (pra edhe Paparisto), do të trajtoheshin në përgjithësi me dyshim dhe do të viheshin nën një mbikëqyrje të rreptë politike,[10] duke kaluar nëpër “një filtër të parë, të dytë e kështu me radhë, sa herë që forcohej lufta e klasave.”[11] Gjatë kësaj kohe (1946-1958) Paparisto punon si mësues i pedagogjisë dhe psikologjisë në Shkollat Pedagogjike në Tiranë, Elbasan, Berat dhe si mësues në një shkollë tetëvjeçare.
Përkthimet e bëra para vendosjes së regjimit komunist mbeten të pabotuara (John Dewey: Shkolla dhe fëmija; Claparède: Psikologji e fëmijës dhe metodologji eksperimentale; Bovet: Instikti i luftës; Piaget: Përfytyrimi i botës nga fëmija). Në shumë shkrime me problematikë psiko-pedagogjike dhe arsimore, gjithashtu të pabotuara, Paparisto thekson se është udhëhequr nga parimi i madh psiko-pedagogjik, që fëmija nuk është një i rritur në miniaturë dhe kjo gjë duhet marrë parasysh në edukimin e tij. Si në rastin e përkthimeve, ashtu dhe në atë të shkrimeve, kemi të bëjmë me një informacion apo një qasje teorike, që për arsye politike u penguan të integrohen në rrjedhën e kohës. Një dëm që iu shkaktua pa dyshim autorit, por dhe mendimit pedagogjik shqiptar, më gjerë shoqërisë shqiptare, e cila nuk pati mundësi ta përtypë këtë informacion dhe këtë qasje teorike në kohën e duhur. Lënda e pedagogjisë dhe psikologjisë që Paparisto jep gjatë kohës që është mësues në shkollat pedagogjike të Tiranës, Beratit dhe Elbasanit i përshtatet krejtësisht një drejtimi të caktuar të detyruar politikisht, “frymës sovjetike.”[12] Botimi i përkthimit të Rusoit përjeton natyrisht zigzaget e mbikëqyrjes politike dhe hiqet nga qarkullimi. Enver Hoxha personalisht shprehet se përkthyesi dhe ata që e kanë botuar “kanë lakra në kokë.”[13]
Në vitin 2015, studiuesja Eriona Tartari[14] boton një analizë krahasuese ndërmjet përkthimit të “Emilit” në shqip dhe italisht me origjinalin. Analiza është e pashoqe në thellësinë e saj dhe ngërthen elemente të ritmit, retorikës dhe poetikës së tekstit, duke parashtruar me shumë profesionalizëm disa shmangie të gjuhës dhe përmes saj të mendimit filozofik të Rusoit në përkthim. Studiuesja vëren se lexuesi shqiptar njëgjuhësh, pa qasje në tekstin frëngjisht, nuk vëren asgjë, duke përfunduar që suksesi i përkthimit të rrjedhshëm të Paparistos qëndron në faktin se ai ka shkurtuar disa fragmente, mungesë të cilën lexuesi shqiptar nuk e vë re fare.[15] Kujtimet e Paparistos në kronikën e tij pedagogjike lidhur me botimin e “Emilit” ndihmojnë për ta vënë në kontekstin e kohës këtë vërejtje, sepse përkthyesi qe i detyruar “të shkurtonte” dhe të bënte një përmbledhje të pjesëve të hequra për të ruajtur deri diku rrjedhën e natyrshme të tekstit.
Tre vjet pasi Paparisto del në pension, në vitin 1971, botohet vëllimi “Elbasani në luftën për Çlirim”[16], i cili risjell në vëmendje angazhimin e tij me Ballin Kombëtar, fakt ky që edhe pse në pamje të parë nuk mund të ndikonte më direkt në jetën e një njeriu që nuk ishte në marrëdhënie pune, pati pasoja negative në arsimimin e fëmijëve. Kronika pedagogjike e Paparistos përmbyllet me dy ngjarje vlerësuese, dhënien e titullit “mësues i merituar” dhe organizimin e një aktiviteti festiv nga shoqata Normalisti për nder të tij.
Kronika botohet për herë të parë. Pjesët e hequra të saj janë vënë në dukje nga pikëpamja editoriale me kllapa katrore. Shënimet e Paparistos janë vendosur direkt poshtë pasazhit që i referohen. Lidhur me ortografinë, është vendosur në të mirë të formës së koduar drejtshkrimore në rastin e luhatjeve të përdorura në tekst (p.sh.: burs/bursë, jasht/jashtë). Pikësimi është përmirësuar vetëm në raste moskuptimi dhe paqartësie. Një falënderim shumë i përzemërt i takon familjarëve për vënien në dispozicion të saj dhe redaksisë së Pejzazheve, gjithmonë e hapur për prurje të tilla.
Fëminia/Rinia[17]
Kam lindur më 6 gusht 1913, ditën e Shën Sotirit, prandaj m’a kanë vënë emrin Sotir. Si fëmijë kam qenë i dobët e i hollë. Jo me shëndet të mirë, shpesh më zinte malaria, e cila ishte e përhapur atëherë. […]Klasën e parë të fillores e kam bërë në shtëpi me mësues tim at, i cili më mësonte lexim, shkrim, aritmetikë dhe vizatim. Kur shkova në shkollë isha 7 vjeç. Përsëri nuk dilja në rrugë për të luajtur me shokë, veçse rrallë. Shkollën fillore e bëra në “Shkollën Plotore”, ndërtesa e së cilës ishte kundrejt “Lulishtes së Portokallave” e që më vonë u quajt “Shkolla Naim Frashëri”. Kjo kishte 6 klasa (1-6), shërbente edhe si shkollë 7 vjeçare dhe quhej plotore sepse kishte 6 klasa, pra e plotë, ndërsa andej nga Namazgjaja kishte edhe një tjetër shkollë fillore, “Shkolla Agimi”, por me 4 klasa (1-4). Këto ishin për djem, ndërsa për vajzat ishte një shkollë plotore me 6 klasa (kundrejt lapidarit Dyli-Haxhire). […] Në shkollë kam qenë nxënës mesatar, i urtë, i sjellshëm. Më i fortë kam qenë në gjuhën shqipe. Si mbarova filloren shkova në “Shkollën Normale”, e cila kishte pesë klasa, një përgatitore dhe 4 klasa (1-4). Mësuesit e kësaj shkolle ishin: Aleksandër Xhuvani (gjuhë shqipe dhe pedagogji-psikologji), Simon Shuteriqi (gjuhë shqipe), Anton Deda (matematikë), Ahmet Gashi (gjeografi e muzikë) Veniamin Dashi (histori), Ismail Haxhihyseni (histori natyre dhe bujqësi), Andrea Kushi (vizatim), Vasil Qiriaku (frëngjisht), pastaj Vasil Andoni (frëngjisht e pedagogji), pastaj Lëblan (francez, frëngjisht), Peter Andoni (gjimnastikë). Drejtor i Shkollës Normale ka qenë Aleksandër Xhuvani dhe më vonë Ahmet Gashi.
Më kujtohet se aty rreth moshës 10-14 vjeç me disa djem të lagjes Kala kishim formuar një shoqëri të quajtur “Shoqëria Agimi”. Mblidheshim një herë në muaj dhe bisedonim mbi çka kishte ndodhur në qytetin tonë, mbi mbarëvajtjen e secilit anëtar në mësime etj. Në këshillin e shoqërisë kishte një kryetar, një sekretar-llogaritar dhe tre anëtarë. Paguanim nga 2 korona në muaj dhe me paret e mbledhura bënim mbrëmje dëfrimi (rufane) dy herë në vit: një herë në mbrëmjen e Vitit të Ri dhe një herë në qershor në mbarimin shkollor. Mblidheshin në dhomën e shtëpisë së ndonjërit prej shokëve dhe atje hanim (kur u rritëm pinim edhe pak birrë), këndonim e vallëzonim deri në të gdhirë. Kjo mbrëmje dëfrimi quhej rufane. Me paret e mbledhura patëm blerë një aparat kinemaje të vogël, të cilin na e pat porositur në Francë Fot Papajani. Këtë kinema fëminore e kishim instaluar në një dhomë të pashtruar poshtë në shtëpinë e Jorgj Paparistos, dy bijt e të cilit Sofokliu dhe Kola ishin anëtarë të shoqërisë. Dy herë në javë bënim shfaqje filmi për fëmijët e lagjes në dhomën ku ishte instaluar aparati, i cili punonte me karburant (atëherë s’kishte elektrik në Elbasan). Dhoma ishte e mbushur me stola të gjatë. Hyrja ishte me pagesë dhe me bileta që i bënim vetë me dorë dhe me një vulë të kinemasë së qytetit, që na e jepte Jorgj Paparisto, pronar i kinemasë së qytetit. Me paret që mblidhnim kështu porosisnim filma të tjerë. Këta sigurisht ishin filma pa zë. Pastaj patëm blerë një gramafon me disa pllaka me muzikë (gramafoni ishte i rrallë atëherë në Elbasan). Shumë herë mblidheshin në çardhakun e shtëpisë së Sofokliut dhe dëgjonim muzikë. Më vonë blemë (gjithnjë me porosinë e Fot Papajanit) një automobil të vogël fëminor, i cili ecte me një mekanizëm duke tërhequr timonin me ritme. Këtë e çonim te Fusha e Kazazit (kundrejt shtëpisë së Grigor Nosit, atëherë Shkolla Normale) dhe i hipnim e vinim rrotull fushës, nganjëherë i hipnin edhe dy-tri vetë, derisa e prishëm. Anëtarët e kësaj shoqërie ishin të gjithë të lagjes Kala. […] Nga këto që thashë del se kemi qenë fëmijë përparimtarë dhe kjo, besoj, vinte nga që prindërit tanë në pjesën më të madhe ishin intelektualë përparimtarë.
Nëpunës (Nëpunësia e parë)
Kur vdiq im atë (2 nëntor 1930) isha 17 vjeç. Nuk desha të hyja mësues, por dëshiroja me të madhe të vijoja studimet e larta jashtë shtetit. Gjendja ekonomike e familjes nuk ishte e mirë, prandaj kërkova bursë nga Ministria e Arsimit për jashtë shtetit.[…] Mbasi prita deri në tetor, simbas këshillës së shumë miqve bëra kërkesë për të hyrë mësues. Në nëntor më emëruan mësues në Konviktin Kolonja (në shkollën fillore) në Ersekë. Nga fundi i nëntorit shkova atje, ku m’u dha klasa e parë e fillores. Atje kisha të siguruar fjetjen dhe ushqimin pa pagesë. I hyra punës me zell duke u përgatitur mirë për çdo mësim. Rrallë dilja në treg ose shëtitje. Me të hollat që kurseheshin nga kuota e konviktorëve në disa ditë pushimi, kur shkonin në shtëpitë e tyre, blemë germat lëvizore (në Korçë), gjë e re për klasën e parë deri atëherë si dhe një tavolinë të shkallëzuar për mbajtjen e tyre.
Formova skuadra futbolli me nxënësit e klasës së katërt e të pestë. Ua mësova këtë lojë nxënësve duke ua dhënë të daktilografuar rregulloren e kësaj loje. Mbas një kohe filluam edhe ndeshje me shkolla të Korçës e të Leskovikut. U mësova dhe lojërat e basketbollit e të volejbollit. Po ashtu me kursimet e konviktit nga mungesa e konviktorëve në ditët e festave (për Bajram e Pashkë) blemë 17 mandolina, ua mësova notat nxënësve të klasës së katërt e të pestë dhe formuam një orkestrinë me mandolina. Këtë punë e bëmë me mësuesin Shyqyri Hoxha. Një herë në muaj bënim mbledhje me të gjithë mësuesit e nënprefekturës së Kolonjës, zhvillonim konferenca pedagogjike dhe bënim ndarjen e lëndës për çdo klasë. Edhe kjo ishte një gjë e re për mësuesit e asaj krahine dhe i ndihmonte shumë. Një herë në dy muaj bënim mbrëmje për prindërit, ku zhvillonim biseda pedagogjike lidhur me bashkëpunimin e shkollës me familjen, mbi detyrat e prindërve në edukimin e fëmijëve, një shfaqje teatrale (ndonjë skeç të vogël) si dhe pjesë me kor e orkestër me mandolina. Këto mbrëmje u pëlqenin shumë prindërve dhe vinin me shumë dëshirë. Në hyrjen e shkollës kishim një kuti me një vrimë lart, ku prindërit fusnin para simbas dëshirës. Me paratë e mbledhura blinim mjete mësimore.
Prindërit e Kolonjës ishin arsimdashës dhe u bënë miq të mirë të shkollës, i donin mësuesit dhe disa herë na thërrisnin për darkë, si ata të qytetit ashtu edhe ata të fshatrave. Kështu kaloi viti i parë si mësues. Një gjë e mirë që përfitova gjatë kohës në Ersekë qe stabilizimi i shëndetit. Kur shkova atje isha i hollë e i dobët, kur u ktheva në pushimet verore isha plot shëndet dhe shtova 17 kile. Në verën mbas vitit të parë të mësuesisë kërkova përsëri bursë, por pa rezultat. Vitin tjetër shkova përsëri në Ersekë me qejf, pse kisha kaluar mirë vitin e parë. Mora përsëri klasën e parë dhe metodat mësimore i përforcova edhe më mirë. Këtë vit si gjë të re futëm ushtrimet gjimnastikore në një palestër moderne, që e porositëm nga Italia dhe e instaluam në një sallë të madhe të shkollës. […]
Vitin e tretë shkollor pra e fillova në Tiranë në shkollën fillore “Hoxha Tasim”, ku mora klasën e dytë. Edhe këtu punova me zell e dëshirë. Me nxënësit e klasës së katërt e të pestë formova një kor të mirë. Këtu mbledhjet e prindërve i bënim me rregull një herë në dy javë. Drejtor kishim një Naun Avrami, burrë i mirë, i urtë, por pa iniciativë. Mbas një viti në këtë shkollë më transferuan në shkollën fillore “Jani Vreto”, ku drejtor kishim Rifat Dervishin. Edhe këtu ndenja dy vjet, duke punuar mirë sikurse edhe më parë. Bashkë me disa mësues të tjerë morëm iniciativën të nxirrnim një revistë pedagogjike për mësuesit e një për nxënësit. Bëmë disa mbledhje dhe u caktua edhe redaksia, ku bëja pjesë edhe unë. U caktuan titujt e revistave: ajo e mësuesve do të quhej “Shkolla laike”, ajo e nxënësve “Shoku”. Kështu u bë kërkesa për lejen e revistave në Ministrinë e Brendshme, por kjo kërkesë u refuzua. Gjatë pesë vjetëve si mësues, në kohën e lirë iu vura punës për të mësuar mirë frëngjishten, të cilën e kishim filluar në “Shkollën Normale”. Sa isha në Ersekë e mësoja vetë me një metodë të disa autorëve shkodranë. Kur erdha në Tiranë e fillova edhe me profesor privat. Kështu arrita ta përvetësoja deri diku mirë frëngjishten. Dëshira për të vijuar studimet e larta nuk më ishte shuar, mbasi edhe çdo vit e kisha përsëritur kërkesën për bursë, por pa rezultat. Më në fund vendosa të shkoja me shpenzimet e mia, mbasi gjatë qëndrimit në Ersekë dhe pastaj në Tiranë, ku shpenzoja pak, sepse banoja pranë vëllezërve, pata mbledhë një sasi të hollash me të cilën shpresoja të përballoja jetesën jashtë shtetit. Në vitin 1935 doli një ligj simbas të cilit mësuesit që kishin shërbyer 5 vjet e lart kishin të drejtë të merrnin 3 muaj leje me të drejtë rroge për të vizituar shkolla të tjera jashtë shtetit. Kështu, meqë përpjekjet për bursë gjatë pesë vjetëve nuk dhanë rezultat, vendosa të shkoj e të studioj jashtë shtetit me shpenzimet e mia, duke përfituar të paktën rrogën e tre muajve si për vizitë jashtë shtetit, në bazë të ligjit të ri.
Student jashtë shtetit
Vendosa të shkoj në Francë (në Lion), ku kishin studiuar për pedagogji disa shokë të mi, por mendova të kaloja nga Zvicra, nga Gjeneva, për të parë e për t’u informuar mbi Institutin Zhan Zhak Ruso, për të cilin kisha dëgjuar se ishte me famë botërore. […] Kështu u regjistrova në atë institut, ku vijoja rregullisht leksionet dhe në mbrëmje rrija deri vonë e studioja për të pasuruar (perfeksionuar) edhe gjuhën frënge. Nuk bëja një jetë qejfi të shthurur, pse kisha shkuar për studime dhe me djersën time, vetëm dy herë në javë: të mërkurave mbrëma dhe të shtunave mbrëma shkoja në dancing. Në atë Institut kishte studentë nga shumë vende të botës. […] Në fundin e vitit shkollor 1935-36 dhashë provimet dhe dola mirë.
Shënimi 1: Në vitin 1936, i frymëzuar nga idetë e reja pedagogjike dhe nga librat që lexova, hartova e botova një broshurë me titullin “Dr. Dekrol, jeta dhe vepra e tij pedagogjike”, ku përmblidheshin parimet dhe zbatimet e tij pedagogjike. Broshura përmbante disa ide të reja pedagogjike, një pjesë e të cilave mund të zbatoheshin edhe në mësim.
Vitin e dytë, mbas një pushimi prej 3 muajsh në Shqipëri, shkova përsëri në Gjenevë, ku bëra vitin e dytë me më pak vështirësi se vitin e parë, mbasi edhe gjuhën tani e zotëroja më mirë. Në mbarim të vitit shkollor dhashë provimet dhe paraqita një punim psikologjik të përgatitur gjatë atij viti, simbas disa studimeve të bëra me nxënësit e një shkolle fillore në Gjenevë (École du Mail) dhe eksperimenteve psikologjike tek disa studentë të Institutit. Tema ishte: “Ndryshimi psikologjik ndërmjet një pune të bërë mendërisht dhe një pune të bërë konkretisht”.
Shënimi 2: Në Institutin Zhan Zhak Ruso na jepnin mësim (leksione) tre profesorë psikologë e pedagogë me famë botërore: Eduard Klapared, Pierre Bové dhe Zhan Piazhé. Këta jo vetëm që kishin bërë studime shkencore me vlerë, por edhe si njerëz ishin shumë të mirë e humanitarë. Në festa, sidomos natën e Vitit të Ri, na thërrisnin në shtëpitë e tyre. Më kujtohet që në një kësi mbrëmjeje Klaparedi erdhi pranë meje, kur po ngrohesha afër oxhakut, dhe filloi të më pyeste për Shqipërinë, për arsimin tonë e të tjera, sepse nuk dinin gjë mbi vendin tonë dhe unë isha i pari student shqiptar në atë Institut. Erdhi fjala për shkollat, për fetë. Më pyeti a janë shkollat dy faresh, për të krishterët dhe për myslimanët. “Jo”, i thashë, “në një shkollë shkojnë fëmijët e dy besimeve.” “Si”, më tha, “në të njëjtën shkollë?” “Po”, i thashë, “në të njëjtën shkollë, në të njëjtën klasë, bile shumë herë edhe në të njëjtën bankë.” “Për shembull unë shumë kohë kam ndenjur me një shok mysliman (Besim Qorrin) në të njëjtën bankë.” U çudit. Po ashtu u çudit kur i thashë se edukimin e përbashkët djem e vajza e kemi zbatuar që prej shumë kohësh, ndërsa në Zvicër kishte pak kohë që ishte zbatuar. Nga Piazhé më kujtohet një gjest interesant. Një ditë, tek po shkoja në rrugën që të çonte në Institut, dëgjova prapa meje një zë: “Mësjë Paparisto!” Ktheva kokën dhe pashë një automobil. Një burrë nxori kokën nga xhami dhe më tha: “Mësjë Paparisto, punimin tuaj (të diplomës) e shqyrtuam dhe e aprovuam, mund të shkosh ta marrësh diplomën që sot.” E falënderova dhe makina u nis. Ky burrë qe Zhan Piazhe! Gjesti i tij më bëri përshtypje, prandaj e përmenda.
Në korrik 1937, mbasi i kisha dhënë të gjitha provimet dhe mbas aprovimit të punimit tim psikologjik, mora diplomën dhe u ktheva në Shqipëri. Nuk doja të hyja në punë menjëherë pa bërë shërbimin ushtarak, për të mos e ndërprerë pastaj nëpunësinë. Prandaj kërkova me një lutje që të bëja shërbimin ushtarak. Lutja u pranua dhe fillova në “Shkollën e Plotsimit” (të oficerëve), të cilën e vijova gjatë vitit shkollor 1937-1938. […]
Inspektor arsimi në Korçë e pastaj në Tiranë
Në shtator 1938 më emëruar inspektor arsimi në Korçë. Atje e fillova punën bashkë me Kolë Gurashin, i cili merrej më shumë me korrespondencën, mbasi inspektoria ishte si seksion i arsimit dhe bënte punën që më vonë e bënte ky seksion. Ne kishim në juridiksionin tonë edhe katër nënprefektura: atë të Pogradecit, të Bilishtit, të Kolonjës dhe të Leskovikut. Pjesën më të madhe të kohës e kaloja jashtë qytetit, nëpër fshatra, duke inspektuar mësuesit e fshatrave, disa nga të cilët kishin disa vjet pa u kontrolluar dhe kishin mungesa të mëdha. U interesova dhe u hapën edhe shkolla të reja (fillore), mbasi banorët e shumë fshatrave ishin arsimdashës, kishin ndërtuar ndërtesa shkollore dhe kërkonin mësues. Në Korçë bënim një herë në muaj mbledhje me mësuesit e fshatrave e të qytetit për ndarjen e lëndës për çdo klasë, ato që më vonë u quajtën “rrethe metodike”. Një herë në dy muaj bënim konferencë pedagogjike, ku zhvillohej një temë pedagogjike ose psikologjike, dy të parat nga unë dhe pastaj nga mësues të aftë që e njihnin një gjuhë të huaj; kishte mjaft që dinin frëngjisht, mbasi kishin mbaruar “Liceun e Korçës.” Kështu mësuesit në masë të gjerë filluan të njihen edhe me metodat e reja pedagogjike, duke përfituar në punën e tyre mësimore. Në këto konferenca mësuesit vinin me kënaqësi.
Për zgjerimin e horizontit kulturor dhe pedagogjik formuan pranë inspektorisë së arsimit një bibliotekë pedagogjike me libra e revista psiko-pedagogjike në gjuhë shqipe dhe të huaj, sidomos frëngjisht, që i porositëm në Francë e në Zvicër; shumë nga mësuesit e atij rrethi dinin frëngjisht. Shpejt kjo bibliotekë filloi të bëhej një qendër e mirë kulturore në ndihmë të mësuesve. Në fund të dy vjetëve që shërbeva si inspektor në Korçë e njoha mirë arsimin e kësaj prefekture dhe i bëra një raport prej 20 faqesh Ministrisë së Arsimit, duke i paraqitur një plan të hollësishëm për zhvillimin e arsimit të kësaj prefekture si dhe për përmirësimin e arsimtarëve. Për fat të keq ky raport mbeti pa përgjigje e pa realizim, sepse mbas vitit të dytë atje më transferuan që andej, sikurse do ta them më poshtë.
Pushtimi italian i prillit 1939 më gjeti në Korçë. Natyrisht këtë e prita me keqardhje dhe urrejtje ndaj armikut pushtues. Këtë urrejtje e shfaqja si në bisedat me mësuesit ashtu edhe në ato me njerëz të tjerë. Këmishën e zezë nuk e vesha asnjëherë, përshëndetjet qoftë me mësuesit, qoftë me njerëzit e tjerë apo me nxënësit i bëja me kokë ose me fjalë dhe jo fashistikisht, sikurse ishte orientimi. Ky qëndrim imi, që ishte në kundërshtim me atë të kolegut tim Kolë Gurashit, i cili ishte një fashist i tërbuar, ra në sy të okupatorit italian dhe të fashistëve vendas dhe si pasojë më raportuan në Ministrinë e Arsimit, nga e cila më erdhi transferimi (me degradim) si drejtor i “Shkollës Ushtrimore” në Elbasan. […]
Shënimi 3: Në qershor dhe korrik 1939 shkova dhe vizitova disa shkolla të reja në Francë, në Zvicër, në Belgjikë dhe në Itali, ku zbatohej metoda Montesori.[18]
Drejtor i Shkollës Ushtrimore në Elbasan
Kështu vitin shkollor 1940-41 e kalova në atë shkollë, ku klasën e parë e kishte Kahreman Ylli, të dytën Mehmet Daiu, të tretën Shaban Arra, të katërtën Gani Daiu dhe të pestën unë. Meqë shumica ishin me arsim të lartë (nga Franca dhe Zvicra), këtu nuk zbatonim më metodat herbartiane (shkollat formale etj.), të cilat ishin futur në këtë shkollë që kur u krijua nga mësues që kishin bërë “Normalen” e Austrisë. Filluam të zbatonim metoda të bazuara në psikologjinë e fëmijës. Atje fillova të zbatoja teste në mësimin e aritmetikës, të cilat mendoja që më vonë t’i zbatoja në lëndën e gjuhës dhe në lëndët e tjera. Edhe këtu, sikurse në Korçë, qëndrimi patriotik e antifashist nuk i pëlqeu aspak drejtorit (italian) të “Shkollës Normale”, nga e cila varej “Shkolla Ushtrimore”, dhe në fund të vitit shkollor më pushuan. Më thirri në zyrë drejtori i Normales (Karlo Parri) dhe më komunikoi pushimin, duke më thënë se po të përmirësoja qëndrimin (politik) do të më merrnin përsëri. “Nuk më vjen keq që pushohem”, iu përgjigja unë, “pse nuk është as për paaftësi, as për çështje morale, por për qëndrim patriotik.” Me kaq mbaroi përkohësisht puna ime si nëpunës mbas studimeve të larta. […][19]
Në vitin 1943-44 qëndrova pa punë në Tiranë pranë vëllezërve të mi. Në këtë kohë u mora me përkthime: përktheva nga frëngjishtja Xhon Djiu[20]: “Shkolla dhe fëmija”; Klapared: “Psikologji e fëmijës dhe metodologji eksperimentale”; Bové “Instikti i luftës”; Piazhé: “Përfytyrimi i botës nga fëmija”. Të gjitha këto i kam dorëshkrime, mbasi nuk ka qenë koha e përshtatshme për t’i botuar.
Nga fillimi i vitit 1944 hyra në organizatën “Balli Kombëtar”, me qëllim që të merrja pjesë në përpjekjet për çlirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, mbasi dekalogu i “Ballit” më pëlqeu. Disa muaj (2-3 muaj) dola në krahinën e Shpatit dhe propagandoja për një Shqipëri të lirë e demokratike. Me nxitjen time u formua edhe një çetë që do të luftonte kundër armikut okupator. Në gusht 1944 u largova nga “Balli”, mbasi veprimtaria e tij u shmang nga programi i bukur i fillimit, filloi bashkëpunimin me gjermanin okupator. Po fillonte një luftë midis shqiptarëve të rrymave të ndryshme. Mora vesh se në atë organizatë kishte hyrë e bënte pjesë dhe feudali i Elbasanit Shefqet Vërlaci. Kështu dhashë dorëheqjen me shkrim. Më thirri kryetari i “Ballit” Mit’hat Frashëri në Tiranë, në një shtëpi në ilegalitet, dhe mbasi më foli për këtë organizatë, më ftoi ta marr prapë dorëheqjen time. Iu përgjigja se nuk mund të bëj pjesë në një organizatë bashkë me feudalë bejlerë. “Po ç’keni me bejlerët”, ma ktheu ai, “kur të çlirohet Shqipëria eleminojini bejlerët.” Iu përgjigja se ndoshta mund të na eliminojnë ata ne dhe nuk pranova të kthehem. Luftën Nacional-Çlirimtare po e shikoja me simpati dhe luftimet kundër armikut okupator më pëlqenin. Duke u ndikuar edhe nga disa shokë të mi, anëtarë të kësaj lëvizjeje, në gusht 1944 dola në Priskë, e cila atëherë ishte e çliruar, dhe punova si teknik i arsimit (kështu i thonin atëherë), duke u marrë me hapjen dhe organizimin e shkollave të reja në zonat e çliruara rreth e qark Tiranës. Me çlirimin e Tiranës u emërova inspektor i arsimit në qarkun e Tiranës, ku u mora me organizimin e shkollave të këtij qarku. Këtu u mora me një organizim më të mirë të shkollave të qarkut të Tiranës, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Me anën e konferencave pedagogjike predikoja një pedagogji të re, duke u larguar nga pedagogjia herbartiane dhe duke u bazuar në psikologjinë e re. […]
Mësues i psikologjisë e pedagogjisë në Tiranë – Elbasan – Tiranë – Berat – Elbasan
Mbas dy vjetësh si inspektor arsimi (Tiranë) më transferuan në “Shkollën Pedagogjike” të Tiranës si mësues i psikologjisë dhe pedagogjisë. Aty këtë lëndë e jepte edhe Vasil Vinjau. Ishte hera e parë që në Shqipëri zbatohej pedagogjia sovjetike, teksti pedagogjik ishte i përkthyer nga rusishtja prej Mihal Sherkos dhe i redaktuar (korrigjuar) nga unë. […] Unë isha mësues edhe i pedagogjisë praktike në “Shkollën Ushtrimore”, edhe kjo simbas shkollës sovjetike. Këtu pata rastin të ndërmjetësoj, që në “Shkollën Ushtrimore” ku ishin vjetruar bankat e duheshin bërë të reja, të mos bëheshin më banka, por tavolina dhe karrige. […]. Pra “Shkolla Ushtrimore” e “Shkollës Pedagogjike” të Tiranës qe e para në Shqipëri që futi sistemin e tavolinave në shkollat shqiptare, sistem që sot është bërë i zakonshëm në shumicën e shkollave tona. […] Në periudhën 1948-1950 u transferova përsëri në Elbasan në “Shkollën Pedagogjike” si mësues i pedagogjisë e psikologjisë, ku gjithnjë mësohej psikologjia dhe pedagogjia sovjetike, duke iu larguar rrymave perëndimore. Në periudhën 1950-1953 transferohem përsëri në Tiranë.
Shënimi 4: Në Tiranë, por këtë herë si mësues i gjuhës shqipe në një shkollë tetëvjeçare. Ky degradim për arsye biografie.
Në periudhën 1953-58 transferohem nga Tirana në Berat, në “Shkollën Pedagogjike”, e cila porsa u hap në vitin 1953, ku shërbeva si mësues i psikologjisë dhe pedagogjisë teorike dhe praktike. Atje i zbatova këto lëndë simbas frymës sovjetike që përmbanin. […]
Në vitin 1951 u fejova me Ermini Cinxon. […] Më 24 shkurt 1952 u martuam me një ceremoni të thjeshtë. […] Më 13 mars 1953 lindi (ishim në Tiranë) djali, të cilit ia vumë emrin Emil, për të simbolizuar kujdesin e prindërve për të rritur një fëmijë simbas parimeve të reja pedagogjike, me atë kujdes që paraqet Rusoi në rritjen e Emilit në librin “Emili ose mbi edukatën”, libër që e simpatizoja shumë dhe e përktheva dhe botova edhe shqip. Kur ishim në Berat, më 5 tetor 1957 lindi fëmija i dytë Aurora (lindja në Tiranë), emër ndërkombëtar.
Fati i fëmijëve
[…] kështu të dy fëmijët mbetën pa arsim të lartë.
Shkrimet dhe botimet
Kam botuar shumë artikuj me karakter shkencor psikologjik, pedagogjik e edukativ nëpër revista të këtij lloji si në revistat “Përpjekja shqiptare”, “Arsimi popullor”, “Shkolla e re”, “Revista pedagogjike”, “Gruaja shqiptare” etj.[21] Një nga artikujt është ai me titull “Ç’është sugjestioni”, artikull i gjatë në dy numra, botuar në revistën “Përpjekja shqiptare” në vitin 1938, ku trajtohej shkencërisht natyra psikologjike e sugjestionit dhe autosugjestionit, format dhe karakteristikat e tij në jetën e njeriut e veçanërisht të fëmijës si dhe këshilla edukative në lidhje me këtë dukuri psikologjike. Drejtorit të revistës Branko Merxhanit i pëlqeu shumë ky artikull dhe në fillim të artikullit më prezantonte me këto fjalë: “Një nga të rinjtë që zë qysh sot një vend të merituar në rrethin e zgjedhur të redaksisë sonë është dhe zoti S. Paparisto. Artikulli që botohet këtu poshtë është pjesa e parë e një studimi psikologjik, i shkruar me një shqipe të kulluar dhe me një kuptim të qartë. Bashkautorit të ri i urojmë të merret si shembull nga të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të bëjnë një karrierë shkencore dhe serioze.” Kam pasur shumë artikuj me karakter shkencor, psikologjik, pedagogjik, edukativ e metodik, si mbi individualitetin e fëmijës, mësimin e individualizuar, shpirtin e fëmijës në dritën e psikologjisë së re, inspektimin në shkollë etj.
Në vitin 1966 paraqita në Institutin e Studimeve Pedagogjike përkthimin shqip të romanit pedagogjik të Zhan Zhak Rusoit me titull “Emili ose mbi edukatën”. Përgjigjja qe se e kishin pëlqyer për ta botuar, por të shkurtuar. Kështu e shkurtova, zgjodha pjesët më të rëndësishme të dy vëllimeve, duke marrë parimet themelore të edukatës, që sipas Rusoit duhen pasur parasysh nga edukatorët në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Është për t’u shënuar që diktatorit Enver Hoxha nuk i pëlqeu. Në një shkrim për përdorim të brendshëm shkroi se përkthyesi i Emilit “ka lakra në kokë”, po ashtu “kanë lakra” dhe ata që e kanë botuar. […]
Shënimi 5: Ky libër që nuk u prit mirë nga diktatori u prit mirë nga populli. Këtë e tregon fakti që u shit shumë shpejt dhe mbas tre javësh u mbarua e nuk kishte më nëpër librari.
Nga botimet e mia duhet përmendur dhe broshura mbi Dekrolin, të cilën e kam cituar edhe më lart. Në shkrimet e mia psikologjike zotëronte parimi i madh psiko-pedagogjik se fëmija nuk është një burrë i zvogëluar, i marrë në zvogëlim, por një qenie njerëzore me karakteristikat e tij të veçanta, të cilat duhen studiuar e duhen pasur parasysh në edukimin e fëmijëve. Këtë parim të madh të psikologjisë e të pedagogjisë moderne e kam shtjelluar në shkrimet e mia. Këtu shtoj se shumë shkrime dhe përkthime të miat psiko-pedagogjike arsimore i kam dorëshkrime.
Nëpunësia e fundit
Gjatë kohës që isha në Berat pata bërë disa herë kërkesë për transferim në Tiranë pranë vëllezërve të mi dhe më në fund më transferuan, jo në Tiranë, por në Elbasan, në “Shkollën Pedagogjike” si mësues i psikologjisë dhe pedagogjisë, ku vijova punën nga viti 1958 deri në vitin 1968, kur dola në pension. […] Si mësues i psiko-pedagogjisë në Normalen e Elbasanit punova duke zbatuar gjithmonë psiko-pedagogjinë sovjetike, simbas teksteve zyrtare të përkthyera nga rusishtja. Në Konferencën Pedagogjike Kombëtare që u mbajt në Tiranë më … mora pjesë si delegat i Elbasanit, ku midis të tjerash diskutohej edhe mënyra e përgatitjes së mësuesve. Disa propozuan që mësuesit e fillores të përgatiten me 7-vjeçare plus 4 vjet Normale (pse tetëvjeçarja e sotme atëherë ishte shtatëvjeçare). Unë në diskutimin tim shfaqa mendimin që mësuesit e fillores të përgatiten me gjimnaz plus dy vjet universitet, për të marrë më parë një kulturë të përgjithshme shkencore dhe pastaj specializimin pedagogjik. Ky mendim nuk u pranua, por u vendos që shtatëvjeçarja të bëhej tetëvjeçare dhe mësuesit të përgatiteshin me Normale 4 vjeçare. Është për t’u shënuar se përgatitja e mësuesve të fillores me gjimnaz plus tre vjet universitet u realizua shumë vite më vonë.
Dalja në pension[22]
Më 17 dhjetor 1997 “Shoqata Normalisti” organizoi në Pallatin e Kulturës një mbledhje për të festuar jubilarin tim, ku morën pjesë arsimtarë dhe intelektualë të ndryshëm të Elbasanit si dhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe nga Ambasada Franceze e Tiranës (atasheu kulturor dhe zëvendësja e ambasadorit). […] Dr. Reshit Koburja mbajti referatin kryesor. […] Që në fillim të referatit të tij a tha: “Për arsye të cilat tashmë njihen, në kushtet e një sistemi diktatorial që synonte më shumë antivlera se sa vlera, Sotir Paparisto mbeti në kapërcyellin e njohjes dhe të mosnjohjes, sigurisht më shumë në këtë të dytën.” Pastaj foli atasheu kulturor i Ambasadës Franceze Mishel Torrâ, i cili vuri në dukje ndihmesën time në përhapjen e kulturës dhe civilizimit francez nëpërmjet gjuhës frënge në Elbasan. Mbas tij e morën fjalën disa ish-nxënës të mi të frëngjishtes si dhe prindër të tyre. […]
Më 05.08.1995 me dekret presidencial m’u dha titulli “Mësues i merituar”. […]
© 2026 Jonida Xhyra Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Sota, Jani (2012) Roli i Lef Nosit në përhapjen e kulturës dhe të arsimit shqip (1908-1912). Në: Studime historike 2012/3-4, f. 71-97.
[2] Abetare për shkollat fillore meshkujsh e femrash (1911), Këndime për shkolla çunash e cucash-viti i parë shkolluer (1919), Këndime për shkolla çunash e cucash, viti i dytë shkolluer (1919), Këndime për vitin e tretë shkolluer (1921), Këndime për rendin e pestë të shkollavet fillore (1927, me bashkautor Sulë Harrin). Të dhënat janë marrë nga Arkivi Digjital Elbasan.
[3] Gjedia, Robert (2015) Reformimi i arsimit nën drejtimin e ministrit Mirash Ivanaj. Në: Studime historike 2015/3-4, f. 212.
[4] Gjedia, Robert (2013) Praktika mësimore europiane në arsimin shqiptar gjatë viteve 1925-1939. Në: Studime historike 2013/1-2 , f. 129. Gjatë punës si mësues në Ersekë Paparisto vijon të mësojë frëngjisht me një metodë të disa autorëve shkodranë. Për fat të keq nuk gjenden të dhëna konkrete lidhur me këtë metodë për mësimin e frëngjishtes.
[5] Gjedia (2013), f. 115-120.
[6] Rousseau, Jean-Jacques (1938) Emili ose mbi edukatën. Studim e përmbledhje prej Gani Daiut me nji paarathanje të Sotir Paparistos. Shtëpia Botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë.
[7] Gogaj, Iljaz (1980) Ndërhyrja arsimore italiane në Shqipëri dhe qëndresa kundër saj. 8 Nëntori, Tiranë.
[8] Gjedia (2013), f. 116.
[9] Kongresi i 5-të në vitin 1966 me moton për thellimin e revolucionit socialist në të gjitha fushat shënon intensifikimin e përpjekjeve për edukimin socialist të mësuesve, ndërsa fjalimi i Enver Hoxhës “Për revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës” në vitin 1968 përbën një moment kulmor të dhjetëvjeçarit 1960-1970.
[10] Kambo, Enriketa (2005) Arsimi në Shqipëri (1945-1960). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i historisë. Tiranë, f. 113.
[11] Kambo, Enriketa (2014) Shkolla shqiptare në vitet 1960-1970. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë. Tiranë, f. 125.
[12] Trandafili, Genc (2009) Shkolla Normale e Elbasanit në 100 vjetorin e themelimit. Album historiko-pedagogjik: 1909-2009. Reklama, Elbasan, f. 98.
[13] Gjatë kohës që Paparisto ishte inspektor në Korçë (1938-1939), Enver Hoxha punonte si mësues në Liceun e Korçës (1937-1939). Sipas kujtimeve të familjarëve, gjatë një vizite të diktatorit në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit (1961), ai e njohu menjëherë dhe iu drejtua me fjalët: “Ah, këtu qenke ti!”
[14] Tartari, Eriona (2015) Traductions de Rousseau en albanais: quelques réflexions théoriques, au-delà de l’histoire de la réception d’un texte. Studia Albanica 2015/1, f. 105-121.
[15] Po aty, f. 120.
[16] Kito, Petro & Shuteriqi, Jorgji, ndër të tjerë (1971) Elbasani në luftën për Çlirim. Lufta nacional-Çlirimtare në garkun e Elbasanit. Tiranë.
[17] Në rubrikën e parë Prejardhja, Paparisto përshkruan gjenealogjinë e familjes së tij.
[18] Emrat e shkollave nuk janë të kuptueshëm mirë.
[19] Këtu Paparisto përshkruan aktivitete të ndryshme private (jo në arsim) për të siguruar jetesën.
[20] John Dewey (1859-1952), filozof dhe pedagog amerikan, i njohur për learning by doing në pedagogji.
[21] – Përpjekja shqiptare (1936-1939), revistë kulturore, shoqërore, ekonomike dhe letrare, themeluar nga Branko Merxhani dhe Petro Marko.
– Revista pedagogjike është botuar me tituj të ndryshëm ndër vite: Shkolla e re (1945), Arsimi popullor (1947-1953) dhe Revista Pedagogjike (nga viti 1972).
– Ekzistojnë dy revista me emërtimin Gruaja Shqiptare. E para është organ i organizatës kombëtare femërore me të njëjtin emër, themeluar në tetor 1928. Ajo botohet në periudhën 1928-1939 nën patronazhin e familjes mbretërore. E dyta botohet në periudhën 1943-1944 gjatë Luftës Nacionalçlirimtare si organ i Organizatës Antifashiste të Grave. Pas një verifikimi të artikujve të botuar në këtë të fundit (shih më gjerë: Konda, Mihallaq (2024) Revista “Gruaja shqiptare”: 1943-1944. Gent Grafik, Tiranë), rezulton që Paparisto të ketë botuar në revistën e parë.
[22] Teksti për veprimtarinë si mësues i frëngjishtes është botuar në pjesën e parë të punimit.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
Shkrimi ka vlerë dokumentare të padiskutueshme. Sjell një kronikë të pasur të jetës së Sotir Paparistos, të zhvillimit të arsimit shqiptar, të ndikimit të pedagogjisë perëndimore dhe të ndërprerjes së saj nga ideologjia komuniste. Vetë artikulli tregon se Paparisto studioi në Institutin Zhan-Zhak Ruso, pati profesorë si Claparède, Bovet e Piaget, përktheu autorë të rëndësishëm pedagogjikë dhe u përpoq të sillte në Shqipëri metoda moderne të edukimit.
Por kufizimi i tij kryesor është tamam tipik për shkrimet shqiptare. Materiali është i pasur, ndërsa mendimi mbetet kryesisht brenda kronikës. Mësojmë çfarë bëri Paparisto, ku punoi, çfarë përktheu, cilat reforma përjetoi dhe si u pengua nga regjimi. Por mungon pyetja vendimtare se çfarë ideje për njeriun dhe fëmijën përfaqësonte Sotir Paparisto.
Shkrimi afrohet te kjo pyetje kur përmend parimin se fëmija nuk është një i rritur në miniaturë, por nuk e zhvillon më tej. Nuk tregon se si kjo ide ndryshon marrëdhënien midis mësuesit dhe nxënësit, autoritetit dhe lirisë, shtetit dhe edukimit.
Kjo është një dukuri e zakonshme në kulturën shqiptare. Figura historike rikthehet nëpërmjet dokumenteve, datave dhe veprimtarisë, por rrallë ngrihet në nivelin e historisë së ideve. Thuhet se ishte modern, patriot, pedagog dhe intelektual, por nuk zbulohet plotësisht çfarë kuptimi të ri solli për njeriun shqiptar, nën dritën e ideve perëndimore, që ndryshuan vetë Perëndimin.
Vetë titulli në frëngjisht premton një udhëtim me Papariston, por pjesa më e madhe e tekstit shndërrohet në një renditje të zgjeruar kronologjike. Materiali burimor zë aq shumë hapësirë, sa figura rrezikon të mbulohet nga dokumenti që duhej të zbulonte idetë.
Shkrimi shpëton kujtesën e Paparistos, por nuk e çliron plotësisht mendimin e tij.
Ky është edhe kufiri më i zakonshëm i studimeve shqiptare: dokumenti konsiderohet përfundim, ndërsa duhet të ishte vetëm porta për të hyrë te kuptimi.
Robert Martiko