Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kritikë / Kulturë

NGA NJË SHESH NË TJETRIN

Unë vij nga një vend për të cilin do doja të ishte folur në shesh, sepse edhe ai vend meriton të jetë pjesë e zemërimit dhe të drejtave që kërkoni dhe ju sjellin këtu çdo natë: ai vend është Patos-Marinza me fushat e naftës ku kanë punuar breza gjyshërish, prindërish, vëllezërish e motrash. Pasuritë natyrore janë në kontrast me gjendjen e njerëzve, me papunësinë, pensionimin e parakohshëm, pasojë e administrimit të keq të pronës shtetërore. Më të rinjtë pranojnë kushtet e një mesjete moderne nga kompanitë e huaja dhe drejtësia bën sikur heton evazionin fiskal shumëvjeçar të Bankers Petrolium.

Por, jam sot këtu për një tjetër vend, që m’u bë po aq i dashur sa vendlindja: Teatri.

Nuk do merrem me kujtimet, por me pas-teatrin.

Pas Teatrit njerëzit u ndanë në ata që u zgjuan dhe ata që thanë: teatri? e ç’është kjo gjë? Nuk është halli ynë.

Pas Teatrit, në zonat e mbrojtura si qendra historike në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë morën hov përbindësha betoni për ta nxitur një pakicë të pasurohet më tej dhe turistëve t’u thuhet se bëhet jetë mëse normale në këtë vend, paçka se 80% e popullsisë jeton për mbijetesë, nuk ia del të sigurojë një strehë me kursimet e jetës dhe sa për t’u zbavitur i mjafton një kafe-ujë në ditë.

Pas teatrit u dogjën hektarë pyjesh në Darëzezë dhe Pishë-Poro për t’i bërë gati për resorte për Kushnerët albanezë, ndoshta jo aq luksozë sa projekti i Zvërnecit, por prapë askush e nuk e di çfarë do bëhet me detin, rërën, pishat dhe erën që s’ka kush t’i mbrojë në plazhin tim të fëmijërisë. Kanë shkatërruar pyjet njëlloj si bibliotekat që s’kanë ç’iu duhen më, sepse fëmijët po ikin, do ikin, bashkitë do të shkrihen. Kështu që as varrezave nuk iu dihet. Po për të vdekurit tanë kush do kujdeset?

Pas teatrit, Kinostudioja iu fal mediave që regjimi i ka bërë investitorë strategjik me hektarë tokash në jugun e bukur, mediat që thoni se duhen bojkotuar, por nuk ua zini emrat me gojë atyre klaneve, top kanaleve, neokolonialistëve barezë e të tjerë. Goditini me bojkotin tuaj aty ku i kanë pikat të dobëta: tek plehërat e propagandës që s’ka incenerator t’i djegë; bojkotojuani bigbradherat dhe fermavipët që i duan për vdekjen tuaj mendore, sepse ata besojnë se është injoranca juaj dhe dembelizmi juaj historik që ua xhiron lekun, biznesin, spektaklin, madhështinë, që pastaj të bëjnë biografinë tuaj, të shpifin për ju dhe të thonë se ju nuk meritoni më shumë se një kafe në ditë dhe një ekran telefoni për të vrarë kohën.

Kanë vite që e besojnë këtë dhe ia kanë parë hajrin.

Që ju të mos kërkoni më shumë se një qebaptore në shesh, u krijua Nata e Bardhë (ju kujtohet?), festivali i Dritave, industria e koncerteve që Rama-Veliaj e bënë pjesë të programit politik për kapjen e qytetit dhe mbajtjen e pushtetit. Kanye Ëest ishte thjesht zbavitja e radhës e ofruar më me arrogancë se të tjerat.

Pas teatrit janë artistët që i kishim quajtur ajka e kombit dhe që për një kohë të gjatë do t’i kujtojmë si turpi që duhet t’i mbetet në ballë shoqërisë, sepse besuam se edhe ata ishin shoqëria dhe do ishin në krahun e saj kur politika t’i godiste, korruptonte, zhvishte nga profesioni dhe bënte të papërfillshëm sa për një pjatë supë a një kredi të butë.

Pas teatrit Akademia e Shkencave iu dorëzua ministrit të Ramiz Alisë, Skënder Gjinushit. Në këmbim ai i shiti partinë Tom Doshit që ky të hynte në Parlament dhe historia dihet: e kundërta e elitës ka zënë vend në shkencë, Kuvend, biznes; zaptim tokash me të fortë ka ndodhur; Velipoja ka ndodhur, Baks-Rrjolli ka ndodhur, pasi kishin ndodhur njëherë Kakomeja, Palasa, Porto Palermoja.

Një shoqëri e traumatizuar gjithmonë e zbulon me vonesë lirinë e vërtetë dhe ky shesh po i jep kuptim kësaj lirie që çmimin e ka të lartë dhe joshjen të fortë e të magjishme.

Në mes jush duhet të ketë nga ata që ju flasin për lirinë që një ditë të kërkojnë pushtet mbi ju, por ju tani keni për t’i dalluar, sepse e keni identifikuar më në fund me gjithçka modelin e tridhjetë e pesë viteve. Po e zhvishni gjuhën e demagogut që ka folur pa pushim për lirinë, emancipimin dhe të ardhmen duke i vrarë përditë nga pak të gjitha këto, sepse e ka menduar veten të paprekshëm.

Keni dëgjuar edhe zonjën e tij t’u shpëlajë trutë fëmijëve përmes ekranit kur thotë: Edin, edhe kur të mos jetë më, do ta kujtojnë pensionistët e ardhshëm, turistët që nuk kanë lindur ende, do ta kujtojnë kur të shëtisin lungomares apo nën velierë.

Zero negociim me këtë njeri që nuk njeh respekt për popullin që drejton, zero tolerancë për gjuhën e tij të dhunës dhe moralin e tij që fyen edhe shtazët.  

Pas Teatrit vuajtja e shqiptarëve nuk duhet lënë vetëm në dorë të spitaleve, se aty dihet si shkon. Tek ajo që po kërkoni dhe i keni vënë emrin “Shqipëri e re”, duhet hapur vend në radhë të parë në mendimet dhe dëshirat tuaja për bibliotekat, libraritë, skenat, kinematë, galeritë e artit që janë shkatërruar apo që u premtuan dhe nuk u ndërtuan kurrë, sepse udhëhiqemi nga një njeri që merr kënaqësi kur poshtëron tjetrin, nga një njeri që me shpurën e të ngjashmëve si ai, qeveris duke mashtruar, përçmuar kulturën shqiptare, i kapur pas kultit për artistin dhe turistin e huaj. Ringritja e këtyre vendeve që janë edhe shpirtërore mund ta përpunojnë dhimbjen që u është shkaktuar shqiptarëve, si atyre që e kanë ndjerë syhapur këtë dhimbje edhe atyre që nuk e kanë akoma mundësinë të zgjohen. Revolta juaj do t’i zgjojë ata një ditë, zemërimi juaj i drejtë po se po, aq edhe dashuria juaj. 

Fjalë e mbajtur në protestën në bulevard, natën kur u përkujtua okupimi kulturor i Teatrit Kombëtar

© 2026 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading