FLUTURIMET E ZEKTHIT

Një libër në bibliotekën e shtëpisë sime, një kujtim nga fëmijëria: Zekthi, roman nga Ethel Voynich (emri i autores në kopertinë, Etel Vojniç). Ende pa e lexuar, ende i palejuar që ta lexoja, mbaj mend që e kisha klasifikuar mjegullisht si letërsi ruse, për shkak të tingëllimit sllav të mbiemrit Vojniç. Më herët akoma, do ta kem menduar si ndonjë përrallë tejet të gjatë, për gjallesën në titull.

Më pas, vite më pas, gjatë dhe pas leximit – roman i mirë, romantik, ku Zekthi i titullit nuk i referohej insektit, por një revolucionari profesionist, të vendosur në Itali dhe të bazuar – siç thonë – në figurën e Giuseppe Mazzini-t.

“Zekthi” i titullit të romanit do ta ketë origjinën nga një thënie që Platoni ia vë në gojë Sokratit, tek Apologjia: “Unë jam zekthi i qytetarëve të Athinës, që u është dhënë këtyre nga Perënditë, por që nuk do të kenë kurrë një tjetër, po të më vrasin mua.” Sokrati e përfytyronte shtetin si një kalë fisnik, që duhej kujtuar për detyrat e veta, dhe se ai – si një zekth – e luante këtë rol duke e thumbuar kalin gjithë ditën dhe në çdo pjesë të trupit.

Ethel Voynich u pat lindur në Irlandë, në Lichfield Cottage, Blackrock, Ballintemple, Cork; vajza më e vogël e matematikanit anglez George Boole, dhe e matematikanes dhe arsimtares Mary Everest, mbesa e George Everest-it, emri i të cilit iu dha Malit Everest.

Natyrisht, ky George Boole nuk është veçse babai i “algjebrës së Boole-it”, një degë e algjebrës dhe e logjikës matematike që u aplikua pastaj në teorinë e informacionit dhe në zhvillimin e logjikës binare, që përdoret sot nga kompjuterët anembanë botës.

Ethel Boole e njohu burrin e vet të ardhshëm Michal Habdant-Wojnicz kur ky, aso kohe revolucionar polak, sapo ish arratisur nga Siberia. Para martesës, polaku e ndërroi emrin në Wilfrid Michael Voynich, dhe me këtë emër filloi një biznes të shitblerjes së librave antikuarë. Ashtu edhe u bë i njohur, nëpërmjet të mistershmit Dorëshkrimi Voynich, një dokument mesjetar që ka mbetur sot e kësaj dite i padeshifruar.

Ethel Voynich e botoi romanin e vet të parë, dhe më të suksesshëm – Zekthin (The Gadfly) në 1897 në SHBA. Thuhet se personazhi kryesor i romanit është modeluar sipas një Sidney Reilly, agjent sekret i anglezëve dhe i fuqive të tjera, i përzier edhe në një grusht shteti të dështuar, kundër qeverisë bolshevike në 1918. Sipas një dosjeje të policisë sekrete sovjetike, Reilly ish lindur si Zigmund Markovich Rozenblum në Odessa, në 1874, dhe ishte me origjinë hebreje. Biografët e Voynich-it thonë se ajo u lidh sentimentalisht me Rozenblum-Reilly-n dhe udhëtuan së bashku në Itali – kujtimet e këtij udhëtimi dhe bisedat me të dashurin e vet shërbyen pastaj si bazë për personazhin kryesor të Zekthit. Përndryshe, është thënë se Rozenblum-Reilly i shërbeu shkrimtarit Ian Fleming si model për personazhin e James Bond-it.

Romani Zekthi u përkthye menjëherë në rusishte – në 1898 – për t’u shndërruar në lexim të detyruar për revolucionarët e kohës; është thënë se pat ndikuar deri edhe Maksim Gorkin, për romanin e tij Nëna (1906). Vetëm në Bashkimin Sovjetik, romanit iu shitën 2,500,000 kopje. Nën ndikimin sovjetik, u përkthye në gjuhë të tjera të Lindjes, përfshi edhe shqipen (ku u botua në 1957, nuk po e gjej dot përkthyesin) – në Kinë u shtypën mbi 2,000,000 kopje.

Përveç një drame që pat shkruar herët George Bernard Show, mik i autores, me titullin The Gadfly or The Son of the Cardinal (1897-1898), por që nuk u vu kurrë në skenë, romani u përshtat për skenën teatrale disa herë në BRSS dhe gjetiu; një film sovjetik i vitit 1955, mbahet mend për kolonën zanore, që ia kompozoi Dmitri Shostakoviç.

Në 1974 edhe Esat Oktrova shkroi një version për skenën, Zekthi, që u shfaq në Teatrin Migjeni, Shkodër, dhe pastaj u përshtat si teledramë për t’u shfaqur në TVSH.

Ethel Voynich, George Boole, George Everest, Giuseppe Mazzini, Vilfrid Woynich, George Bernard Show, Dmitri Shostakovich, Ian Fleming, James Bond… janë emra që evokojnë, në mënyra të ndryshme, historinë e shekullit XX, mes luftërash dhe revolucionesh dhe shërbimesh sekrete dhe gjeografish globale; por edhe artin e shekullit XX, të tendosur mes ambicies krijuese dhe angazhimit politik.

Nga pikëpamja mirëfilli letrare (nëse kjo shprehje ka ende kuptim), romani Zekthi ndoshta nuk e ka merituar këtë ekspozim dhe famë: aventura e tij, nga një letërsi në tjetrën dhe nga një skaj i planetit në tjetrën, i ngjan disi gjeografisë së revolucionarit profesionist – këtij produkti të Europës romantike, që pastaj e përfundoi trajektoren e vet, çuditërisht, para skuadrave të pushkatimit të Stalinit.

E megjithatë, në rrugë e sipër, kjo trajektore sado kaotike ia doli të lërë gjurmë të pashlyeshme, në fizionominë e historisë së një shekulli, i cili ende mbetet yni, edhe pse sot kaq i largët nga realiteti i përditshëm.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin