LIRIA PËR TË IKUR (II)

Arratisjen regjimi totalitar e dënonte me ashpërsi të madhe, madje të pazakonshme edhe sipas standardeve të kohës: 15 vjet ose me vdekje, nëse e mbaj mend mirë. Nuk di si mund të ketë qenë përligjur kjo ashpërsi, nga pikëpamja juridike – tek e fundit, kush arratiset, nuk bën asgjë drejtpërdrejt kundër regjimit (shtetit, popullit, etj.), përveçse ta refuzojë në rrafshin individual, t’i thotë që nuk dëshiron të ketë më punë me të.

Njëlloj si arratisja, ndëshkohej edhe vetëvrasja – edhe pse jo me vdekje (deri në 8 vjet heqje lirie, gjithnjë nëse e mbaj mend mirë). Ndryshe nga feja e krishterë, e cila e dënonte vetëvrasjen me argumente, si të thuash, teologjike – jetën ta ka dhënë Zoti dhe vetëm Zoti mund të ta marrë, etj. – për regjimin totalitar vetëvrasja përfaqësonte, para së gjithash, një akt antisocial, si refuzim për të qenë pjesë e totalitetit.

Çuditërisht, edhe për të krishterët, dënimi i vetëvrasjes erdhi relativisht vonë; meqë për të krishterët e hershëm heqja dorë nga jeta, nëpërmjet martirizimit, ishte një nga mënyrat më të rëndomta për të ushtruar fenë. Alvarez, nga i cili i kam nxjerrë këto kuriozitete (The Savage God: A Study of Suicide) tregon si banda të krishterësh kapnin udhëtarë, në pyll, dhe u kërkonin që t’i martirizonin, duke i kërcënuar me jetë: më vrit se të vrava. Nga etërit e Kishës së hershme, Tertuliani duket të ketë qenë partizani më i flaktë i largimit të vullnetshëm nga kjo botë, në emër shpëtimit të shpirtit. Vetëm me Shën Agustinin filloi kisha të distancohej nga vetëvrasja dhe të përpunonte tezën se kjo përfaqësonte mëkat të rëndë; madje sipas disa historianëve, ky zhvillim doktrinar pas gjase ndodhi ngaqë kishës tashmë nuk i duheshin më martirë, por besimtarë.

Pa u zgjatur në hollësi të mëtejshme, duket se ekziston një marrëdhënie midis dënimit të vetëvrasjes dhe konsolidimit të sistemeve tejindividuale, si kisha (ose shteti) të cilat lirinë negative të fillimeve revolucionare e shndërrojnë në liri pozitive, ose në njohje të domosdoshmërisë, siç do të shpreheshin ca gjermanë më pas.

Natyrisht, në botën pagane vetëvrasja tolerohej dhe, sipas rastit, nderohej si virtyt; dhe kjo vlen jo vetëm për grekët e lashtë dhe latinët, por edhe për kultura të tjera, zakonisht luftarake, të cilat burrat e kishin për turp t’i gjente pleqëria të gjallë – meqë vdekja burrit duhej t’i vinte në fushë të betejës. Sa për kulturën klasike, greke dhe romake, Alvarez vëren se, edhe për shoqëri të mësuar me burra dhe gra të shquara, që largoheshin nga kjo botë me dëshirën e tyre, për t’i shpëtuar turpit dhe poshtërimit publik, vetëvrasja e skllavit dënohej, sepse jeta e skllavit i përkiste pronarit; ndryshe nga jeta e njeriut të lirë, që i përkiste atij vetë. E përmend këtë meqë, siç e shoh unë, që në atë kohë kishte një lidhje të ngushtë midis dënimit të vetëvrasjes dhe përkatësisë: jeta ime nuk më përket mua, por që gjente zbatim vetëm te skllevërit.

Që këtej, duke ekstrapoluar, mund të supozojmë se shteti totalitar e dënonte aq rëndë arratisjen, ngaqë e konsideronte praninë e shtetasit në sistem si pronë të vetën (njeriu: kapitali më i çmuar); dhe qytetari që kërkonte të largohej, pavarësisht nga motivet, vinte në diskutim legjitimitetin e regjimit si të tillë.

Njerëzit arratiseshin për arsye të ndryshme – herë politike, herë ekonomike, ndonjëherë edhe fare të dobëta; disa ngaqë ndiheshin të shtypur dhe nuk e duronin dot çizmen e sistemit, të tjerë ngaqë ishin tashmë të përndjekur; kishte nga ata që besonin se do të pasuroheshin; të tjerë mendonin t’u bashkoheshin kushërinjve përtej detit. Duke folur për vetëvrasjen, Camus-ja thoshte se po ato arsye për të cilat jetojmë, vlejnë edhe për të vrarë veten; kështu, jo vetëm i vetëvrari, por edhe i arratisuri kish të drejtë të linte një pusullë, një shënim mbrapa, dhe të thosh se e bëri për fëmijët e vet, ose nga dashuria për atdheun.

Ofelia © Klodiana Alia

Nga pikëpamja filozofike, regjimi totalitar kish të drejtë t’i konsideronte, edhe arratisjen edhe vetëvrasjen, si akte rebelimi ndaj thelbit të vet politik – duke i dhënë një kuptim të ri thënies së vjetër të Terencit: nihil humanum mihi alienum est (e cila, meqë ra fjala, i pëlqente edhe Marksit). Çuditërisht, arratisja nga vendi ndëshkohej po aq rreptë, në mos më tepër, se edhe arratisja nga burgu; çka më konfirmon se, nga të gjitha metaforat me të cilat e kanë krahasuar Shqipërinë e atyre kohëve, ajo e burgut – e konsumuar deri në klishe – mbetet më e sakta.

Historianët dhe sociologët kanë vënë re, empirikisht, se në rrethana të heqjes ekstreme të lirisë, për shembull në një kamp përqendrimi, numri i vetëvrasjeve ulet; për shembull, në kampet naziste të vdekjes, ku vetëvrasjet ishin shumë të rralla. Gjithnjë sipas Alvarez-it, ka autorë që këtë paradoks e shpjegojnë me faktin e thjeshtë që viktimat në kampe nuk kishin fuqi ta vrisnin veten – dhe kush dëshironte të vdiste, mjaftonte që të hiqte dorë nga lufta sfilitëse për të mbijetuar.

Ky nuk është shpjegimi i vetëm, as më bindësi. Edhe pse nuk kam asnjë të dhënë për vetëvrasjet në Shqipëri, gjatë viteve 1945-1990, ma merr mendja se do të kenë qenë të rralla dhe, gjithsesi, shumë më të ulëta se mesatarja në Europë, madje edhe në Ballkan (nëse është kështu, atëherë çfarë perceptohet nga mediat dhe opinioni publik si epidemi vetëvrasjesh, është në fakt një kthim i trishtueshëm në normalitet).

Çfarë regjimi totalitar nuk e kishte parashikuar dot, ose nuk i kishte dhënë rëndësi, ishte se mbyllja e kufijve, ndalimi i lëvizjes së lirë, shndërrimi i hapësirës gjeografike të shtetit në burg, ndarja absolute midis Këndej dhe Andej, sidomos pas izolimit të plotë të Shqipërisë në Europë që nga viti 1961 e këtej, do të shoqërohej me një kult të së përtejmes, i cili dalëndadalë mori trajtat e kultit të Perëndimit. Në fakt, sa më i rreptë të jetë izolimi dhe kontrolli i kufirit, sa më drastik filtrimi i kontakteve me jashtë, aq më vlerë të ekzagjeruar marrin ato pak elemente që arrijnë të depërtojnë në brendësi të hapësirës së kontrolluar. Të burgosurit vendosin marrëdhënie të jashtëzakonshme me zogun që vjen të çukitë thërrimet, miun që u viziton rastësisht qelinë, macen endacake, që shndërrohet në objekt miklimesh dhe përgjërimesh.

Perëndimi vjen dhe merr trajtat e Parajsës, siç u dukej të krishterëve të hershëm – dhe me këtë kam parasysh edhe mënyrën si mendonin këta që të shkonin atje: nëpërmjet martirizimit (arratisjes).

Me Zhizhekun, do të pranoj se ky kult i Perëndimit, edhe pse i mbështetur në elemente reale – sidomos të kulturës – ishte nënprodukt i universit totalitar, njëlloj si edhe disidenca; çka do të shpjegonte, dhe në të vërtetë shpjegon, zhgënjimin e madh të këtyre njëzet vjetëve të fundit: nga Perëndimi, nga vetvetja, nga për ku u nisëm dhe ku u bitisëm, dhe kështu me radhë.

Nëse shqiptarët e kanë vrarë veten më pak në totalitarizëm, kjo ndoshta ka ndodhur edhe ngaqë Perëndimi imagjinar, sado i idealizuar dhe i diellzuar dhe hiperreal që mund të ketë qenë, e kishte një bazë reale; njëlloj sikurse dashuria, sado idealizuese dhe e verbër, e ka një bazë në realitet (edhe ajo e Pigmalionit e kishte). Njerëzit nuk vetëvriteshin, sepse e keqja ekzistenciale u zinte rrugën përditë, duke u kujtuar se asgjë nga çfarë bënin dhe nuk bënin, nga çfarë ishin dhe nuk ishin, nuk u përkiste atyre (juaji jam, i shtetit jam, thotë një fëmijë, në një film të Xhamfise Kekos, në përgjigje të një qortimi që i bëjnë prindërit). Edhe një paradoks tjetër – që ta ndieje këtë jetërsim, këtë shpronësim të vetvetes, këtë heqje lirie kaq totale, duhej ta kishe dëshirën për të qenë i lirë, të mirëfilltë, ose ashtu siç mund ta ketë individi.

(Meqë ky individ, me përkufizim, nuk duhej të përftohej në rrethanat e jetës totalitare, atëherë problemi vetë zgjidhej që pa u shtruar; që shteti totalitar nuk arriti, megjithatë, t’i shndërronte shtetasit e vet në fëmijë, kjo ndoshta erdhi ngaqë nuk funksionoi mirë, ose – le të besojmë – ngaqë individin nuk e skllavëron dot përgjithmonë).

Sot, ngaqë nuk arratisemi dot më, arratisja nuk dënohet; faza e parë e utopisë është realizuar. Sa për fazën e dytë, ndoshta duhet pritur viti 41042 – po t’i besojmë një romani fantashkencor të rumunit Sergiu Fărcăşan, popullor në Shqipërinë e viteve 1970, ku një prej personazheve nuk arrin dot të vrasë veten, megjithë përpjekjet e gjithfarshme që bën: totalitarizmi teknologjik e ka bërë botën tepër të sigurt.

Nuk ka komente

  1. XhaXhai:
    Natyrisht, në botën pagane vetëvrasja tolerohej dhe, sipas rastit, nderohej si virtyt; dhe kjo vlen jo vetëm për grekët e lashtë dhe latinët, por edhe për kultura të tjera

    Në Greqinë e lashtë në përgjithësi vetëvrasja është akt i dënueshëm, me qytetet t’i varrosnin njerëzit që kishin kryer vetëvrasje në varreza të veçanta ku nuk u lejohej të kishin shenjë (=mbishkrim, emër). Platoni e quan vetëvrasjen, largim nga bashkësia e njerëzve, nga shoqëria dhe e dënon. Vetëm pas përhapjes së ideve të cinikëve dhe stoikëve fillon e legjitimizohet vetvrasja si akt.

    Çuditërisht, edhe për të krishterët, dënimi i vetëvrasjes erdhi relativisht vonë; meqë për të krishterët e hershëm heqja dorë nga jeta, nëpërmjet martirizimit, ishte një nga mënyrat më të rëndomta për të ushtruar fenë.

    Nuk është e saktë. Martirizimi në rradhë të parë është një akt pasiv ku i krishteri përbënte viktimën në rrethana të caktuara, ku flijohej në emër të besimit të tij. Një akt i shkaktuar nga ndjekësit e tij. Nuk ishte se e kërkonte vetë.Tani, mund të ketë patur edhe ndonjë rast ekstrem si ato që përmend Alvarez, por gjithsesi epoka e martirëve është epoka e ndjekjeve të mëdha romake (në perjudhën osmane raste shenjtorësh të tillë u quajtën neomartirë).

    Por dënimi del qartë tek Dhjata e Re nga koncepti që i jepet jetës së Krishterit:

    7 Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij, 8 sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi. (Romakëve, 14:7-8).

    dhe

    16 A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? 17 Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë. (I e Korinthasve, 3:16-17)

    Në Bibël nuk përmenden më shumë se katër raste ku ka patur vetëvrasje, që të katër kanë qenë personazhe negative, me të fundin Judën.

    1. Natyrisht unë nuk shqiptohem dot për çështjen sepse nuk e njoh veçse përciptaz, por po sjell disa shembuj të tjerë që i nxora nga eseja e Alvarez-it:

      Ndër grekët e vjetër, edhe para Platonit, vetëvrasja tolerohej; dhe tabutë kundër saj ishin, në thelb, të njëjta me tabutë kundër vrasjes së dikujt të gjakut tënd. Homeri i përmend vetëvrasjet pa kurrfarë komenti, si diçka të natyrshme dhe zakonisht heroike. Edhe në mitet, Egjeu vrau veten duke u hedhur në det, kur kujtoi gabimisht se të birin, Teseun, ia kish vrarë Minotauri – por ai nuk dënohet gjëkundi për këtë. Shembulli i Jokastës është gjithashtu i mirënjohur. Edhe Likurgu i Spartës, pasi i mori besën popullit të vet se këta do t’ia respektonin ligjet derisa të kthehej nga Delfi, shkoi në Delfi, mori përgjigje pozitive nga orakulli për kodin, ua dërgoi spartanëve përgjigjen me shkrim dhe pastaj vrau veten duke mos futur gjë në gojë derisa vdiq, në mënyrë që beja të mbetej përgjithnjë në fuqi. Shumica e vetëvrasjeve në Greqinë e vjetër, që janë mbajtur mend, kanë të përbashkët fisnikërinë e motivit: grekët e lashtë e kryenin aktin vetëm për arsyet më të forta: hidhërim, patriotizëm ose për të shmangur çnderimin.

      Sa për krishterimin e hershëm, Alvarez përmend gatishmërinë me të cilën të krishterët u dilnin përpara bishave, në arenat e stadiumeve. “Lermëni t’i shijoj ato bisha,” thoshte Ignatius-i, “të cilave u uroj të jenë shumë më mizore se ç’janë; meqë, nëse nuk do të më vërsulen, unë do t’i provokoj dhe do t’i ndjell ndaj vetes me forcë.” [Sa dallon kjo, në efektet, nga gjesti i dëshpëruar i kujt i del autobusit përpara?] Gjithnjë për atë periudhë, Donne ka shkruar: “shumë pagëzoheshin vetëm që pastaj të digjeshin në stiva, ndërsa fëmijëve të tyre u mësonin si të ngacmonin dhe të provokonin xhelatët, në mënyrë që edhe ata t’i hidhnin në zjarr.” Tipike, në këtë drejtim, ishte sjellja e donatistëve (e përshkruar nga Gibbon), të cilët u shpallën më pas heretikë. Shkruan Gibbon: “këta prishnin brutalisht festivalet dhe përdhosnin tempujt paganë, me qëllim që të eksitonin më të zellshmit mes idhujtarëve… ndonjëherë futeshin me forcë në gjyqet dhe u kërkonin gjykatësve të trembur që të jepnin urdhër për ekzekutimin e tyre… në raste të tjera, ata lajmëronin miqtë dhe të afërmit, që të vinin t’i shihnin kur vrisnin veten duke u hedhur në humnerë.”

      1. Nga Homeri nuk më kujtohet ndonjë rast vetëvrasjeje, dhe më bën përshtypje të ketë të tillë pikërisht sepse epoka e tij është ajo heroike, ku nuk gjenden nga ana morale elemente degjeneruese. Homeri psh, injoron krejtësisht marrdhëniet homoseksuale, prostitucionin etj. Nëse e ka fjalën Alvarez-i për Ajaksin, nuk thuhet as në Iliadë, as në Odise se si vdiq. Që vrau veten duke rënë në shpatën e tij del nga Sofokliu. Gjithsesi, po qe se ke ndonjë referencë gati nga Alvarze na e sill.

        Për Egjeun nuk është e qartë nëse ishte vetëvrasje apo jo. Në një variant tjetër të mitit Egjeu humb ndjenjat kur pa anijen, u rrëzua dhe u mbyt në det. Gjithsesi, edhe në rastin e Egjeut, edhe në rastin e Jokastës (apo nga i njejti cikël, rasti i Krisippos që vrau veten kur u përdhunua nga Laios-i, i jati i Edipit), çështja është e ndërlikuar, sepse në këto mite kemi përballjen e botës greke dhe asaj jogreke (fenike në këtë rast; cikli Tebaik) me elementet greke të mbizoterojnë (ashtu si grekët nënshtruan popullsitë jogreke). Kështu pra kemi Jokastën të vetëvritet nga turpi, Krisippos po ashtu apo edhe ndonjë rast tjetër. Ajaksi po ashtu sipas Sofokliut vetëvritet nga turpi, jo për ndonjë akt fisnik natyrisht.

        Këto që kemi trajtuar si raste nga mitologjia nuk mund të flasin për tolerim nga ana e grekëve ndaj vetëvrasjes, sidomos besoj kur shumica e rasteve figurojnë si akte për të dalë nga një situatë dëshpërimi/ turpi. Si raste nga historia, duke marrë parasysh se shumë qytete kishin ligje kundër vetëvrasjes (psh Militos pas një rasti ekstrem, ku vajza të reja kishin filluar të vetëvriteshin duke u varur, nxorri një ligj ku trupat e pajeta qarkulloheshin të zhveshura në rrugët e qytetit duke e ndaluar fenomenin), mund të themi se vetëvrasja si fenomen ishte në mos i dënueshëm, të paktën jopozitiv.

        E them prapë se vetëm pas përhapjes së ideve të cinikëve dhe stoiczmit, pra jo më herët se shekulli i tretë p.K, vetëvrasja si akt edhe u legjitimizua por edhe morri edhe një nje aspekt teorik. Nga filozofët cinikë dëshmohet se vranë veten Speusippos, Kleitomahos, Kleomvrotos, Menippos, Dimonaktos, Peregrini etj, kurse nga stoikët Zinoni, Kleanthi, Igisias (i cili u quajt peisithanatos ngaqë i shtynte njerëzit të vrisnin veten) etj.

        Në të njëjtën mënyrë mund të them se u trajtua vetëvrasja edhe nga romakët, duke arritur edhe atje pas përhapjes se ideve të stoikëve të konsiderohet si një akt i lart, madje i klasës së fisnikërisë.

        Tani, për krishterimin, gadishmëria për të vdekur e martirëve nuk më duket se lidhet me vetëvrasjen. Këta martirë kur hidheshin në arenë si mish për luanët apo digjeshin për të ndriçuar rrugët e Romës, dhe e prisnin vdekjen me durim, gadishmëri apo të qetë pa ju dridhur qerpiku, e bënin sepse e dinin se vdisnin duke dëshmuar (ky është edhe kuptimi i martirizimit) për Krishtin. E bënin sepse si të krishterë e dinin se vdekja e tyre nuk ishte fundi.

        Kjo, pra se me martirizimin për Krishtin, do sillte edhe Parajsën, prodhoi edhe akte si ato që përmend Alvarez-i, pra kemi një nënprodukt të Krishterimit, jo lidhje të drejtpërdrejtë me të, ashtu siç është dhe çdo shfaqje heretike.

        1. Në fakt, Alvarez-i thotë vetëm që Homeri nuk mban ndonjë qëndrim ndaj vetëvrasjes, as e lëvdon as e dënon; por vetëm e përmend; vetëm se nuk sjell shembuj konkretë.

          Sipas këtij burimi, i vetmi rast kur përmendet vetëvrasja në Iliadë është në një pasazh të këngës XVIII ku thuhet se Antiloku kish frikë mos Akili, që sapo kish marrë vesh për vdekjen e Patroklit, do të therte veten me thikë; ka edhe një pasazh tjetër që mund të interpretohet si referues ndaj vetëvrasjes, kur Akili i thotë së jëmës që ta lërë të vdesë menjëherë (në XIII, 98).

          Sipas këtij burimi tjetër, në këngën X të Odisesë, ka një moment kur Uliksi nuk di nëse duhet të vrasë veten duke u hedhur në det apo jo, pasi shokët e tij hapin thesin që u pat dhënë Eoli.

          Më në fund, në disa përkthime të këngës XI të Odisesë thuhet se nëna e tij, Antiklea, vrau veten, pasi i thanë se orakulli kish profetizuar që ajo do ta shihte të birin e vet në Hades; meqë kujtoi se Uliksi kish vdekur ndërkohë – në një kohë që Uliksi zbriti në Hades për së gjalli.

          Në fakt, shumë vajza dhe gra greke, mitologjike dhe historike, kanë vrarë veten nga hidhërimi për humbjen e një të afërmi (burimi këtu); aq më e rëndë është kjo për nënat që humbin fëmijët e tyre (Niobe).

          E njëjta gjë ndodh me kafshët: Maera, langoi i Erigonës, vrau veten duke u hedhur në humnerë, pasi e vranë babanë e Erigonës, Ikariusin (dhe vetë Erigona vari veten). Këtë qen besnik Dionisi e vendosi pastaj në qiell, në yllësinë e Qenit të vogël, afër Orionit (si ylli Procion).

          [Si edhe kali i Skënderbeut më pas…]

  2. Po prapësëprapi, nga Homeri nuk kemi dëshmi konkrete për vetvrasje. Unë nuk diskutoj nëse Homeri kishte dijeni për vetëvrasjen si akt, unë diskutoj nëse përshkruan ndonjë akt të të tillë në veprat e tij. Dhe besoj se nuk ka, pikërisht sepse fryma e eposve është ajo heroike. Në rastin e parë me Akilin, kemi frikën e Antilokut se Akili to vriste veten, nuk kemi ndonjë veprim nga ana e Akilit. Në rastin e dytë (duhet të jetë gabim referenca, është XXIII, 98) kemi Akilin i cili thotë në një moment hidhërimi të madh, le ta marri vdekja pasi dështoi të mbronte shokun e vet. Edhe sikur ta marrim si dëshirë të Akilit për të vdekur (i cili në fakt e di se do vdesi po vrau Hektorin, dhe prapë e bën) kjo nuk ndodh. Dëshira për t’u hakmarrur është me e madhe.

    Në lidhje me Odisenë, Uliksi në atë episod të këngës X thotë “Atëhere unë u zgjova bafasisht. Edhe pse nuk më mungon trimëria, për pak u hutova. Të braktis anijen duke u hedhur në det me rrezik të mbytem apo të rri pa fjalë dhe të bëj durim se base shpëtoj vdekjen?” (X, 49-53). Nuk më del se është ndonjë mendim prë vetëvrasje veçse një zgjidhje për të shpëtuar. Homeri nuk thotë as tek rasti i Antikleas se si vdiq, veçse thotë se vdiq nga hidhërimi. Se mund të ketë vrarë veten del nga variante të mëvonshme të mitit, por jo nga Homeri.

    Për niovin unë di se Zeusi e shndërroi në shkëmb, nuk di të ketë vrarë veten, por gjithsesi nuk e mohoj se ka patur raste në mitologji ku të kemi vetvrasje, as raste historike, ajo që kundërshtoj është nëse janë toleruar ato apo janë nderuar si virtyt.

    Dhe meqë u përmend edhe rasti i kafshëve, dua të rrëfej dhe unë një histori. Kur ishim të vegjël kapnim cfurqe të cilët i futnim në rathë të formuar me benzinë dhe i shikonim sesi vetëhelmoheshin duke goditur trupin me bishtin e tyre, kur i vinim flakën rrethit dhe nuk kishin mundësi të shpëtonin (don’t try this at home, tha).

  3. Miti i Narcisit , e deri diku ai i Jehones (Echo-s) …

    Historia e Greqise klasike eshte plot me emrat e grave te ve qe braktisin jeten mbas humbjes te te dasurve te tyre.. etj etj etj.

  4. Në monografinë Histoire du suicide: La société occidentale face à la mort volontaire, të cilën unë e kam në duar në përkthimin anglisht, autori Georges Minois i kushton vëmendje të posaçme Krishterimit të hershëm.

    Pyetja më skandaloze, që mund të bëhet në lidhje me atë periudhë, është nëse vdekja e Krishtit ishte vetëvrasje apo jo.

    Te Gjoni (10:14, 10:15) Krishti thotë:

    Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
    ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.

    Dhe më poshtë (10:17, 10:18):

    Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

    Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im.

    Për shkak të këtyre fjalëve, Judenjtë kujtuan se Jezuit i kish hyrë një demon dhe nuk ishte më në vete.

    Duke iu referuar këtij pasazhi, Origjeni (një nga Etërit e kishës) deklaron: “Po të mos kemi frikë nga fjalët dhe t’u kushtojmë vëmendje sendeve, mund të themi, pa gjetur dot ndonjë shprehje tjetër që t’u përshtatet fakteve, se në mënyrë hyjnore (nëse mund të shprehemi kështu), Jezui vrau veten.”

    Këtë frikë, se mos Jezui kërkonte të vriste veten, e shprehin edhe Judenjtë, të paktën në Ungjillin e Gjonit (8:21-22):

    Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: ‘Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.’

    Prandaj Judenjtë thoshnin: ‘Mos don të vrasë veten, sepse thotë: Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini?

    Pavarësisht nga interpretimi i saktë i vdekjes së Krishtit (nëse ai mund ta kish shmangur apo jo; dhe nëse ai nuk bëri asgjë për ta shmangur, atëherë a mund të quhet vetëvrasje?), Minois përsiat se në Ungjijtë të krishterëve u kërkohet të sakrifikojnë jetën: “Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.” (Mateu 16:25). “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.” (Gjoni 15:13); “Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.” (Gjoni 12:25).

    Nuk është për t’u habitur që, të frymëzuar nga ky këndvështrim ndaj jetës, të krishterët e hershëm kërkuan në masë martirizimin. Edhe Shën Justini, në veprën e vet Apologjia, shkruar në shekullin e 2-të, nuk shkruante veçse lëvdata për të krishterët që kërkonin vdekjen.

    Vetëvrasjes (së sublimuar) të Krishtit i kundërvihet, në mënyrë simbolike, vetëvrasja e Judës – të cilën e përmend vetëm Mateu; ndryshe nga vdekja e hareshme e martirit, ajo e Judës ishte arketip i vdekjes së turpshme, të mëkatarit të dëshpëruar. Këto dy vetëvrasje, sado të diskutueshme dhe të debatuara, shënojnë kështu aksin sipas të cilit do të orientohet qëndrimi social ndaj vetëvrasjes tash e tutje: heroike ose mëkatare, e lartë ose e ulët, e lavdishme ose e turpshme.

    Një nga preokupimet e etërve të Kishës ishte ta zhvendosnin vetëvrasjen, si akt, nga themelet e besës së krishterë, çka e arritën me Shën Agustinin. Para këtij, në të vërtetë, shumë autorë lëkundeshin midis dënimit për aktin dhe admirimin për guximin e disa të vetëvrarëve.

    Disa prej tyre kishin veç fjalë të mira, për gratë që e vrisnin veten në mbrojtje të virtytit, ose për të gjithë ata, burra dhe gra, që pranonin vdekjen përkundrejt robërisë. Shën Ambrozi, duke iu referuar gjestit të Samsonit, shkruante: “Kur të vjen rasti për një vdekje të lëvdueshme, mos e lërë të ikë, por shfrytëzoje menjëherë” dhe më tej: “Mos iu arratisni vdekjes: Biri i Zotit nuk iu shmang asaj.”

    Cili ishte shkaku i mirëfilltë i ndryshimit në qëndrimin e Kishës ndaj vetëvrasjes?

    Minois i bën një analizë të hollësishme situatës sociale në shekujt 4 dhe 5 pas Krishtit, dhe vëren se një nga shqetësimet madhore të institucioneve në atë kohë ishte kriza demografike; që këtej, Kisha filloi të promovonte jetën (familjen, fëmijët) dhe t’i dënonte të gjithë ata që e shihnin abstinencën seksuale si detyrim për të gjithë të krishterët.

    Ndërkohë, pasi Perandoria Romake ishte konvertuar tashmë në Krishterim, nuk kish më asnjë arsye fetare që ta përligjte vetëvrasjen (ose martirizimin nëpërmjet vetëvrasjes).

    Ideja është kjo: Krishterimi i hershëm ishte revolucionar dhe drejtohej kundër institucioneve, ndërsa pas shekujve 4-5 Kisha e krishterë u bë vetë pjesë e këtyre institucioneve. Vetëvrasja, që në krye shënjonte aktin suprem rebelues të njeriut ndaj botës materiale, tashmë do të shihej si mëkat i rëndë, meqë jeta e të gjithëve ishte në duart e Zotërve (çka do të përkthehej kështu, në ligjëratën fetare: “ishte në duart e Zotit”).

    Në vitin 452, Koncili i Arles-it e dënoi vetëvrasjen e çdo famulus-i: skllevërve dhe shërbëtorëve shtëpiakë. Shërbëtori që vret veten, grabit padronin dhe pronarin e vet: vetëvrasja e tij është akt revolte dhe ai vetë është ‘i mbushur me furi djallëzore.’

    Brenda një shekulli, u arrit kështu që vetëvrasja të dënohej më rëndë sesa vetë vrasja; meqë kjo e fundit ndëshkohej me gjobë vetëm.

    Ka edhe më. Kisha filloi t’i jepte rëndësi të madhe rolit të vet për faljen e mëkateve dhe, në këtë kontekst, vetëvrasja nga dëshpërimi shndërrohej në llojin më të fajshëm të këtij akti. Ai që vriste veten, nga dëshpërimi, mëkatonte ngaqë, sikurse Juda, besonte se mëkatet e veta nuk mund të shlyheshin kurrë; duke mëkatuar edhe ndaj Zotit, sa kohë që nuk kish besim në mëshirën e tij; por duke mëkatuar edhe ndaj Kishës, sa kohë që nuk ia merrte në sy pushtetin e saj për të ndërmjetësuar midis kësaj bote dhe asaj tjetrës.

    Vetëvrasja shihej kështu si akt i drejtuar kundër Kishës dhe rolit të saj suprem, në shoqërinë që sapo kish dalë nga rrënojat e antikitetit klasik.

    Ka një lidhje funksionale, pra, midis dënimit të prerë të vetëvrasjes dhe forcimit të Kishës si institucion social madhor.

    Duke predikuar se kura më e mirë për dëshpërimin, ose humbjen e shpresave, është rrëfimi i mëkateve (dhe falja e tyre nga Kisha) dhe duke e përsosur këtë predikim në trajtat e një teologjie të pendesës, Kisha arriti që edhe dëshpërimin e atyre kohëve, pavarësisht nga shkaqet, ta vinte në shërbim të konsolidimit të pushtetit të saj.

    Në parashtresën më lart i jam përmbajtur tekstit të Minois, por që mua më duket bindës në tërësi. Natyrisht, të interesuarve do t’u lutesha të konsultonin tekstin drejtpërdrejt, jo përmbledhjen që i kam bërë unë.

    1. Atëhere, duke iu referuar këtij autori dhe veprës në fjalë (unë kam në dorë përkthimin greqisht, Polytropon, Athinë 2006) dua të bëj dhe unë disa vërejtje në lidhjet me inerpretimet dhe përfundimet e autorit të cilat mua nuk më duken bindëse.

      Nëse është skandaloze pyetja për vetëvrasjen e Krishtit atëhere mund të duket skandaloz interpretimi se të krishterët janë kanibalë, apo se Krishti i shtyn dishepujt e tij në kanibalizëm kur thotë “Merrni, hani; ky është trupi im”. Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.” (Mat. 26: 26-28)? Këtë nuk e them unë për të provokuar, e them që të tregoj se në çfarë qorrsokaku mund të çojë një interpretim i tillë “i lirë” i Biblës, siç vepron Minois.

      Dhe në fakt, që në lashtësi, të krishterët janë përballur me akuza të tilla që ishin burime keqinterpretimesh. Shkruan Athinagora, një nga apologjetët e epokës protokristjane “Tre ishin akuzat kryesore që na ngjitnin; ateizmi, vaktet tiestiane, dhe marrdhëniet edipiane” (Athinagoras, Presveia peri Christianon, 3). Me ateizmin, paganët nënkuptonin mohimin nga ana e të krishterëve të fesë zyrtare të Perandorisë, dhe kryesisht mohimin ndaj hyjësisë të vet Perandorit, e cila interpretohej si revoltim ndaj institucioneve. Kësaj çështje do i kthehem pak më poshtë. “Vaktet tiestiane” (= kanibalizmi) ishte keqinterpretimi i kungimit të krishterë, pra i pranimit të trupit dhe gjakut të Krishtit (për “vaktet tiestiane”, nga historia e personazhit mitologjik Tiestis shih Euripides, Ifigenia en Taurois, vargu 812, nga i njëjti Oresteia vargu 1008 si dhe Pausanias, 2, 18, 1), kurse “mardhëniet edipiane” është incesti ngaqë të krishterët e hershëm i thërisnin gratë “motra” duke krijuar kështu keqinterpretime mes paganëve.

      Ky keqinterpretim i Minois në lidhje me sakrificën e Krishtit, apo me paraqitjen e martirizimit si dëshirë të krishterëve të vdesin, në vetvete nuk përbën ndonjë risi. Në të njejtat përfundime kishte arritur edhe filozofi stoik i antikitetit Epictetus. Ky është i pari që i përmend të krishterët me emrin përbuzës galilejtë (emër që e përsërit më vonë perandori Julian) dhe në një kapitull të librit të katërt nga Dissertationes të tij të cilin e quan “Rreth pafrikësisë”, shënon plot përbuzje dhe mospërfillje se të krishterët kërkonin të vriteshin nga zakoni dhe nga injoranca pa përdorur llogjikën, si fëmijët që nuk kanë vetëdije të rrezikut (Arriani, Epicteti Dissertationes 4, 7, 1-6). Një komentues anonim i krishter, i cili i konsideron Spartanët si njerëz që kërkonin vdekjen dhe i kritikon vërren me mprehtësi mbi pasazhin e fundit se koncepti që ka Epicteti për të krishterët është pikërisht i tillë.

      Me përbuzje e përshkruan martirizimin e krishterë edhe autori satirik Luciani, i cili tek vepra De monte Peregrini, personazhin kryesor Peregrinin e bën të dashuruar pas lavdisë dhe që si përfundim u hodh vetë në zjarr. Ky personazh, Peregrin Protea është sajesë fiktive e Lucianit, dhe jo personazh historik siç mbahet. Në fakt, ahtu siç ndodh rëndom në satirat e Lucianit, personazhi i cili satirizohet është një shkrirje e personazheve historikë (këtu Polikarpit i cili ka qenë martir dhe Shën Pavlit) dhe vepra një satirë e Martyrion Polykarpou (Martirizimi i Polykarpit, vepër që përshkruan vdekjen e martirit e botuar nja dhjetë vjetë para De monte Peregrinit. Polikarpi u hodh në zjarr nga romakët por ngaqë nuk digjej xhelati e vrau me shpatë dhe e hodhi trupin e tij prapë në zjarr) dhe librit të Dhjatës së Re Aktet e Apostujve.

      Nga ana teologjike tani (detyrimisht do i futem kësaj çështjeje që të sqarohen disa gjëra prandaj i kërkoj ndjesë lexuesit të “pastërvitur” nëse e mërzis), të cilën Minois e anashkalon krejt, nuk mund të interpretohet sakrifica e Krishtit pa marrë parasysh se çfarë është vdekja në parim. Vdekja ekziston pas rrënies së njeriut të parë (Adamit dhe Evës), ajo vjen si rezultat i largimit të njeriut nga Perëndia dhe sakrifica e Krishtit nuk është gjë tjetër veçse çmimi që duhet të pagojë Perëndia për ta çliruar njeriun nga ajo (vdekja) dhe ta tërheqi njeriun në shpërim. Kjo është Ekonomia Hyjnore, plani për shpëtimin e njeriut. Prandaj me ringjallen e Krishtit, vdekja është “shkelur” (I e Pjetrit, 1:18-19).

      Shkruan Shën Athanasi “Prandaj Fjala e Perëndisë u mishërua, për të rikrijuar njeriun ‘shëmbëlltyrë’, Ai i cili ishte ‘shëmbëlltyrë’ e Atit. Dhe nuk mund të bëhej ndryshe nëse nuk zhdukej vdekja. Prandaj mori një trup të vdekshëm, që të ketë mundësi edhe vdekja të zhduket në Të dhe njerëzit – shëmbëlltyra të rikrijohen përsëri” (Shën Athanasi, Fjala rreth mishërimit II, 44). Mbi këtë kemi në Dhjatën e Re “Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.” (Hebrejve, 2:14-15) si dhe “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.” (Marku 10:45). Në këtë mënyrë pra nuk mund të kemi shmangje prej Zotit të vdekjes.

      Nga leximi i Minois del se ky i jep vetëvrasjes një përkufizim shumë të gjerë duke përmbledhur në të akte luftarake ku kalorës preferojnë të luftojnë e të vdesin sesa të dorëzohen, duke përmendur kalorësit e Urdhrit të Yllit (edhe të Tempullit do shtoja unë), apo raste të tjera ku njerëz anonimë apo eponimë zgjedhin vdekjen (kujdes jo me dëshirën e tyre) në vend të çnderimit, përuljes, etj. Në këtë mënyrë nuk është habitës fakti që i quan vetëvrasës martirët të cilët preferonin të vdisnin sesa të mohonin Krishtin. Sepse “Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.” (Mateu 10:33).

      Dhe për këtë kemi dëshmi flagrante nga vetë romakët: “I pyeta nëse janë të krishterë. Ata që u përgjigjën pozitivisht, i pyeta për së dyti e për së treti duke i kërcënuar se do i ndëshkoj. Ata që insistonin urdhërova t’i burgosnin sepse nuk dyshoja më, por çfarëdoqoftë ka qenë ajo që rrëfenin, duhet të ndëshkohej këmbëngulja e tyre. […] Të gjithë ata që deklaronin se nuk ishin të Krishterë i çoja, duke shkuar unë i pari, të betoheshin dhe të adhuronin pamjen tënde (shënim im, të Perandorit) dhe pamjen e perëndive të tjera, dhe së fundmi të shanin Krishtin. Pastaj gjykova se duket t’i lëshoj sepse thonë se të krishterët e vërtetë nuk mund t’i detyrosh të bëjnë asgjë nga këto (…quorum nihil cogi posse dicuntur qui sunt re vera Christiani, dimittentos putavi, Plinius Secundus, Epistulae, 10,96, drejtuar perandor Trajanit). Apo nga vetë perandori Aurelian “Mësoj se të quajturit në vitet tona të Krishterë po shkelin ligjet, prandaj t’i arrestoni dhe nëse nuk bëjnë kurbane në perënditë tona, t’i ndëshkoni me ndëshkime të ndryshme. Të konsiderohet e drejtë dhe tortura e vazhdueshme, kurse si ndëshkim për aktet për të cilat akuzohen, të përfundohet me dënimin kapital.” (Aureliani leges, Haenel, Corpus legum, 170). Po ashtu nga Maksimiani: “Prandaj porosis, se kudo që të gjenden të Krishterë të adhurojnë bestytninë e tyre (superstitionem), ose të detyrohen të sakrifikojnë perëndive (pagane) ose të dënohen me vdekje. Dhe pasi të zhvishen nga pasuria e tyre, ajo të shpërndahet në arkën publike dhe atë perandorake.” (Maximiani leges, Haenel, Corpus legum, 182).

      Shihet pra qartë se cilat ishin opsionet e të krishterëve. Ose do mohonin Krishtin dhe besimin e tyre ose do vdisnin. Natyrisht, ata që ishin të krishterë zgjodhën Krishtin, për lavdinë e tyre dhe tonën. Kjo besoj nuk mund të kuptohet lehtë nga njerëz jobesimtarë dhe këtu jokrishterë. Sepse krishterimin e kujtojnë si ndonjë fe, për të shkuar në kishë të dielën, për të festuar Krishtlindjet, të ngjyer vezët etj. Pra, nga një anë thjesht materialiste apo darviniste, doemos do jetë vetëvrasje zgjidhja e Krishtit. Por, për analogji duke ndjekur logjikën e Moinois, a mund të quhen ata njerëz që kërkojnë profesionin e ushtarakut, policit, pilotit apo pirësit e duhanit, alkoolit si vetëvrasës potencialë?

      Në lidhje me levolucionin e supozuar të krishterimit tani. Të krishterët, apo Kisha në përgjithësi nuk kanë qenë revoltues kundër institucioneve kurrë, përkundrazi e shohim shprehimisht në Bibël që këta duhet t’u binden institucioneve dhe shtetit vetë. Ky keqkuptim ka lindur nga dy arsye kryesore. E para ishte se gjatë viteve të parë të përhapjes së krishterimit nuk bëhej dallimi nga ana e romakëve ndaj krishterimit dhe të judaizmit. Dhe kjo sepse Judea ishte një nga krahinat më të padëshiruara të perandorisë, me revolta të njëpasnjëshme dhe mosbindje ndaj autoriteteve dhe natyrisht të krishterët që identifikoheshin me hebrejtë trajtoheshin në mënyrë të tillë. Shkruan Suetoni: “Ndoqi (perandori Klaudi) nga Roma Judejtë sepse bënin trazira me iniciator Krishtin” (Iudaeos impulsore Chresto assidue tumultuantis Roma expulit, Suetonius, De vita Caesarum, Claudius (=5), 25,4).

      Arsyeja e dytë ishte fakti se të krishterët siç thashë më lartë u përballën me akuzën e ateizmit, pra mohimit të fesë zyrtare të perandorisë, dhe ngaqë Perandori vetë ishte hyj mosbindja ndaj fesë zyrtare ishte mosbindje ndaj Perandorit. Filozofi epikurjan Celsi, në një vepër të posaçme kundër të krishterëve, të cilën e njohim nga vepra kundërshtuese e Origjenit (Kata Kelsou, Contra Celsum) shkruante se “të krishterët, ngaqë nuk adhurojnë Perandorin si hyj, duhet t’u mohohet çdo e mirë e jetës, sepse këto na i jep Perandori; të mos kenë as beagti, as gra, as fëmijë, as jetë, por të zhduken nga toka” (Origenes, Kata Kelsou, 8, 55-75). Krishterimi shumë shpejt ishte përhapur në administratë, në ushtri, etj dhe nuk kishte sesi të ishte kundër këtyre institucioneve. Në vitet 90 i krishterë ka qenë konsulli romak (kryeministri do thoshnim sotë) Vlav Klementi dhe gruaja e tij, që të dy të afërm me Perandorin Domitian, i cili i ndëshkoi rëndë. Shkruan Dion Kassi : “Të njëjtin vit (v. 95) Domitiani therri shumë midis tyre dhe konsullin Flav Klementin edhe pse ky ishte kushëriri i tij dhe gruaja e tij Flavia Domitila ka qenë e afërme e tij (Perandorit). Që të dy u akuzuan për ateizëm, akuzë me të cilën u akuzuan dhe shumë të tjerë të cilët anonin nga zakonet e Judejve. Disa u ekzekutuan, disave ju konfiskua pasuria e ture kurse Domitilla u internua në Pandateria” (Dion Kassi, Romaikai Istoriai, 67, 14, 1-2).

      Po Krishti vetë? Sa revolucionar ka qenë? Dy herë kemi raste eksplicite nga jeta e Tij ku përballet me institucionet. Në herën e parë nga farisejtë të cilët deshën ta futin në kurth kur e pyetën në mënyrë provokative nëse duhet të paguhet taksa romakëve përgjigjet “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë” (Mat. 22:21). Hera e dytë ishte para Pont Pilatit, i dërguar atje nga hebrejtë pikërisht si revoltues ndaj institucioneve romake. Dhe u pyet Krishti nëse ishte mbret, dhe u përgjigj se mbretëria e Tij nuk ishte e kësaj bote. Dhe vetë Pilati nuk i gjeti ndonjë faj. Sesa revoltues është apo duhet të jetë i krishteri duket dhe nga manifesti i mëposhtëm: “Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia. Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin. Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai, sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen. Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes. Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi. I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim.” (Romakëve, 13:1-7).

      Dy fjalë se fundi në lidhje me literaturën e krishterë, qoftë kjo e Etërve apo shkrimtarëve të tjerë. Kisha nuk mban përgjegjësi për asnjë nga këto shkrime, Kisha mban përgjegjësi vetëm për Biblën. Të gjitha tekstet e tjera të krishtera janë shumë herë të dobishme, sqaruese dhe ndihmesa për kuptimin e Biblës por assesi nuk përbëjnë burim doktrine dhe të gjitha janë objekt diskutimesh e kritike. Nëse një At i Kishës, apo një grup Etërish, apo edhe ndonjë koncil, bie ndesh me Biblën atëhere korrigjojmë të parët, jo Biblën. Siç shkruante Patriarku i Konstandinopjës Foti në një letër drejtuar Gjonit, peshkop i Akuilës “nëse një tekst bie ndesh me Biblën, atëhere e gjykoi vetë fatin e tij”. Kështu pra Origjeni duke keqkuptuar një varg biblik u vetëkastrua (nuk di nëse duhet të shkruaj “u vetëtredh”), Shën Athanasi gjykonte se duhet të mos martohen të krishtertë që kishin ngelur të ve, apo sot kemi ndalimin e martesës së peshkopëve. Që të tre rastet dhe dhjetra të tjerë burojnë pikërisht nga autoritete të krishtera, por jo nga Bibla dhe në këtë mënyrë janë edhe të kritikueshme edhe të dënueshme.

      ps, perkthimi i vargjeve biblike (edhe pse kam shumë rezerva ndaj tekstit) janë nga albkristian.com. Përkthimet e teksteve latine dhe greke janë të miat.

      ps 2, se mos më quash prapë polemizues të keq XhaXha 🙂

  5. po shoh se debatet virtuale tek peisazhet kane arritur nivele akademike dhe kjo eshte e admirueshme. pergezime 2xhait dhe tannhauserit, per kulturen ne rradhe te pare

    1. Në fakt merita është e Tannhäuser-it – unë më tepër e ushqeva debatin duke sjellë materiale nga literatura, meqë vetë jam profan në këtë fushë, edhe pse shumë kurioz.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin