KUR TË EMANCIPON TJETRI (IX)

Gazeta shqiptare po boton një cikël shkrimesh të Fatos Veliut, të cilat rrëfejnë historinë e trishtuar të një të riu shqiptar, Ernest Tushes, që guxoi të lidhej me të bijën e ambasadorit italian në Tiranë, në fund të viteve 1970. Dy pjesët e para gjenden këtu dhe këtu, përkatësisht.

Historia lexohet si një Rromeo & Zhuljetë totalitare – të paktën në aspektin narrativ; ose si një përpjekje private, sentimentale, për të mbajtur kontaktin njerëzor mes dy botëve të ndara nga paranoja politike, Lufta e Ftohtë dhe ideologjia.

Kështu, në vështrim të parë, mua ngjarja më duket e pabesueshme, të paktën ashtu siç është rrëfyer. Në atë kohë të rinjtë në Tiranë druheshin deri edhe t’ua ngulnin sytë veturave të ambasadave, e jo më të ngryseshin e të gdhiheshin në hotel “Dajti”, me një të dashur që ishte edhe e bija e ambasadorit italian, siç tregon se ka bërë heroi dhe njëkohësisht viktima e kësaj melodrame, Ernest Tushja.

Me logjikë, do të thoja se lidhja e këtij tiranasi me të bijën e ambasadorit Giuseppe Sferlazzo do të ketë qenë produkt i një operacioni të Sigurimit të Shtetit, të miratuar deri në instancat më të larta të pushtetit (për ta lejuar kontaktin fillestar pas gjase spontan mes dy të rinjve të nyjëtohej në marrëdhënie të rregullt dhe për të parë edhe si do të vepronin italianët, të cilët gjithashtu do ta kenë përdorur dritaren e hapur për interesat e tyre), që më pas doli nga kontrolli, u braktis ose dështoi, për çka Tushja vetë edhe përfundoi në qeli të burgut.

Megjithatë, nuk kam të drejtë të spekuloj shumë; dhe po e marr për të mirëqenë rrëfimin për këtë tango absurde italo-shqiptare buzë greminës.

Duke lënë mënjanë dramën njerëzore të Tushes dhe të së dashurës së tij, të cilët u ndanë me përdhunë nga një regjim që nga ndarje të tilla ushqehej e merrte forcë, dua vetëm të ndalem në mënyrën si e përjetoi djali shqiptar lidhjen me një vajzë të huaj e për më tepër fëmijë diplomati, në kontekstin social të kryeqytetit shqiptar të atyre viteve.

Student i vitit të parë në Fakultetin Ekonomik të UT, Ernest Tushja u njoh me Carla-n, të bijën e ambasadorit italian, ndërsa stërvitej, si basketbollist, me ekipin e “Studentit”; ndërsa ajo luante tenis, me një shoqe, tek fusha përbri.

Pas takimeve të para, të dy të rinjtë bëhen të vetëdijshëm për hendekun që kanë në mes. Rrëfen Tushja [theksimet këtu e më poshtë janë gjithnjë të miat]:

Ndodhi dhe diçka e çuditshme mes nesh para se t’i shprehja dashurinë. Në një prej ditëve kur po bisedonim në anë të fushës, aq sa mund të na lejonte koha, momenti dhe situata, vura re që ajo po më shikonte me vëmendje atletet. Ishin ato atletet me rrobë të gomuar që prodhonte në atë kohë Durrësi. Unë, kur e pashë që më kishte ngulur sytë te këmbët, e pyeta i çuditur se çfarë po shikonte ashtu. Ia bëra këtë pyetje, pasi me mendjen time mendoja se isha në rregull dhe i kompletuar me uniformën për stërvitje. Ajo më tha se po më shikonte atletet dhe se nuk e përfytyronte dot se çfarë atletesh ishin.

Edhe në ato vite, harmonia ose të paktën bashkërenditja vestimentare ka qenë kusht i afrimit dhe i bashkëjetesës mes çdo çifti të respektueshëm; por një harmoni e tillë çiftit tonë i mungonte, sa kohë që:

[edhe ajo ishte e veshur me uniformë sportive] Por jo me uniformë tutash trikotazhi si ato me të cilat mburreshim neve, por me firmato dhe me atlete ADIDAS. Po ku merrnim neve vesh nga llojet e firmave. Sigurisht, gjërat e mira, sidomos ato të jashtmet, i pëlqenin shumë rinisë së asaj kohe, por dinim vetëm se ishin të jashtme dhe nuk kishim informacion për firmat.

Pas këtyre takimeve të para, Carla shkon ca javë në Itali dhe kur kthehet që andej, me ta parë mikun e vet shqiptar, i afrohet duke mbajtur në dorë një çantë sporti me dhurata:

Ishte një komplet sportiv i ekipit të famshëm të Antoninit të Peruxhias. Ishin që nga atletet, tutat, bluza, getat e deri te të mbathurat. Pra ishte çdo gjë në çantë. U mrekullova sa s’bëhej. Ku ishte parë dhe ëndërruar që të të vinte në dorë, i blerë direkt në Itali, kompleti i një skuadre të njohur italiane. Unë i thashë një herë se çfarë ishin ato dhe Karla ma ktheu se ishin blerë posaçërisht për mua, pasi nuk mund të më shikonte me atlete si ato që kisha unë, që ne i mbanim më të mirat. Nuk durova më, por i vesha menjëherë dhe shkova në fushë për të luajtur. Të gjithë shtangën. Nuk ishte e thjeshtë të të shikonin me atë uniformë të ardhur nga jashtë. Isha bërë i tëri i kuq. Një e kuqe e bukur dhe material ekstra. U habitën të gjithë dhe më shikonin me shumë admirim.

Komunikimi mes të dyve kristalizohet tani në nivelin e shkëmbimit të dhuratave, edhe pse a senso unico (për ta thënë me gjuhën e Carla-s); vajza italiane fillon ta “zbutë” shqiptarin, për ta afruar me botën e vet, ku djemtë veshin tuta, bluza, geta, atlete dhe deri edhe të mbathura të një standardi të caktuar.

Më pas, kur dy të rinjtë afrohen edhe më mes tyre, ata kalojnë më shumë kohë së bashku, duke tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Ja si e ka përjetuar këtë Tushja:

[P]as kësaj daljet tona u bënë normale, aq sa dilnim në shëtitje në bulevard, ku na shikonin të gjithë, madje shumë shokë e shoqe të mitë ndalonin hapin, duke i thënë njëri-tjetrit që, “po kalon Nesti, shiko”. Jo vetëm kaq, por dalja jonë në bulevard kur unë isha i veshur me xhinse dhe atlete ADIDAS, apo me bluzë të jashtme bënte shumë figurë, aq sa të gjithë ata që shkëmbenim në bulevard ndalonin hapat dhe na vërenin me shumë kujdes dhe jo pak të çuditur, ashtu si brezi im që më shikonte me shumë simpati.

Pa e kuptuar as vetë, Tushja e pikturon veten si njëkohësisht pionier dhe ekzibicionist, eksplorator dhe kalorës të vanitetit; ose një njeri që është shndërruar, në thelb, edhe ai në ambasador të mënyrës Perëndimore të jetesës, e cila manifestohet si një lloj daljeje në skenë me kostum, ose i veshur “si ata”; ndërmjetës midis kësaj bote dhe asaj tjetrës; homo sacer, njëkohësisht i admiruar dhe i përbuzur, mishërim i dëshirës kolektive dhe objekt i zilisë shkatërruese, njëlloj kolektive. Veshjet e huaja, bluzat e jashtme dhe atletet Adidas; por edhe e sidomos e dashura e tij italiane, që është edhe ajo një lloj veshjeje simbolike ose të paktën status symbol në sytë e turmës në bulevard, e shndërrojnë atë në një lloj leprozi – të mallkuar dhe të privilegjiuar njëherazi. Marrëdhënia njeh kështu realizimin e saj, por edhe ndoshta krizën e saj perspektive, në rrafshin e vështrimit, ose të syrit të publikut.

Tushja:

Nuk e kam për zakon të mburrem, por jam duke të thënë një të vërtetë, se, ndërsa ecnim në bulevardin kryesor ku ishte kthyer në traditë ajo xhiroja karakteristike e mbrëmjes, i ndjenim sytë e kureshtarëve të shumtë teksa na pikasnin, na shikonin me vëmendje. Madje shokët dhe shoqet që më njihnin ndalnin hapin dhe vërenin, pa guxuar të flisnin. (Pse nuk ju flisnin?) Sepse dihej se ishte një veprim i guximshëm dhe nuk kishte kurrfarë dyshimi për survejimin e rreptë që bënte Sigurimi i Shtetit. Por sigurisht, shikonin me vëmendje veshjen time, pantallona apo bluzë firmato, apo të jashtme siç i quanim atëherë, se nuk e kishim shumë idenë e firmave, por një gjë e dinte gjithë rinia e asaj kohe, se rrobat e jashtme ishin një luks i paarritshëm për askënd. Kështu që, teksa më shikonin me një vajzë të huaj përkrahu dhe me veshje të jashtme, ngjallej një farë simpatie, nga distanca si të thuash. Por më e bukura është se, ndërsa kthehesha natën në shtëpi, pas përcjelljes që i bëja Karlës në ambasadë, më prisnin poshtë pallatit kalamaj apo moshatarë të mitë, për të siguruar ndonjë çamçakëz, që ishte shumë i preferuar dhe i ëndërruar nga rinia e kohës.

Këtë status përjashtimor, sa të lakmuar aq dhe të rrezikshëm të djaloshit Tushe, e konfirmojnë edhe hyrje-daljet e tij lirshëm në Ambasadën Italiane në Tiranë; ose edhe koha që kalonte me Carla-n në barin e Hotel Dajtit, që ishte përndryshe zonë rreptësisht e ndaluar, për vdekëtarët kryeqytetas. Thotë Tushja:

Rrinim gjatë, natë dhe ditë. Rrinim kryesisht në hotel “Dajti”. Unë shkoja shpesh në ambasadë dhe isha bërë si i brendshëm aty.

Pasi Carla njihet me prindët e Tushes dhe u shkon në shtëpi, ndodh një mrekulli tjetër, të cilën djali e rrëfen kështu:

Por këtu ka një tjetër histori brilante, pasi ajo do të hutohej për mënyrën si gatuanim dhe mjetet me të cilat gatuanim, apo kur pa që s’kishim lavatriçe apo frigorifer, të cilat erdhën nga ambasada me kamionçinën karakteristike të saj. Ardhja e pajisjeve elektronike në shtëpi bëri një zhurmë akoma më të madhe në Tiranë, saqë kur po shkarkoheshin nga kamionçina e ambasadës, u grumbulluan shumë njerëz tek hyrja e pallatit, të cilët shikonin me zili. Jo vetëm kaq, por më mbrapa do të fillonin të na vizitonin komshinj dhe të njohur që të shikonin pak pultin, se nuk kishin parë ndonjëherë televizor me ngjyra, aq më shumë me pult.

Tani nuk është vetëm Nest Tushja, por krejt familja e tij, që janë zhvendosur në zonën kapërcyell midis dy botëve; nëpërmjet një shndërrimi ose përshtatjeje të cilat na paraqiten si tërësisht të sferës së objekteve (choses), të cilat më shumë shihen dhe konsumohen me sy, se në vlerat e tyre të përdorimit: që nga veshjet, getat dhe këpucët, deri tek pajisjet elektro-shtëpiake. I gjithë ky operacion, me ngarkesë të madhe magjike, kurorëzohet me momentin e adhurimit të pultit – ose të telekomandës së televizorit – këtij sendi të rënë nga yjet, që arrin të ndërveprojë me botën përreth në mënyrë të padukshme, ose me forcën “e mendimit” vetëm. Vizitorët e shumtë, njëlloj si pelegrinët në Mesjetë, vijnë për të parë dhe për të prekur këtë relike nga Perëndimi; duke e përjetuar mahnitjen përballë teknologjisë moderne si provë ose mbështetje për normalitetin e dëshirës së tyre. I doli syri, thotë shqipja, për dikë që plas prej zilie.

Familja e ambasadorit italian në Tiranë, nga ana e vet, investoi në familjen Tushe për t’i krijuar një kontekst jetësor të përshtatshëm personit me të cilin i shoqërohej e bija.

Hollësitë e këtij operacioni i rrëfen vetë Tushja:

Kur unë e çova për herë të parë në shtëpi [Carla-n], ajo pa që ne gatuanim në banjë me kamineto vajguri me fitila. Pa që nuk kishim frigorifer dhe lavatriçe. Kishim një televizor të markës “Iliria” të prodhuar në Durrës. Ajo thoshte çfarë ishte ai televizor dhe si mund të quhej televizor, ku ishte prodhuar, dhe rrinte si e përhumbur. Nuk u besonte syve, se si kishte mundësi të ndodhte diçka e tillë në një familje në qendër të kryeqytetit.

Mbaj mend se, kur i shkoi lavatriçja mamasë sime, ajo u gëzua më shumë se kushdo dhe thoshte se “kjo është nusja e tim biri”. Këtë e bënte se kishte qenë e dëshiruar për diçka të tillë, pasi s’e shkonte as në ëndërr ta kishte. Kishte larë gjithë jetën me dorë në magje. Madje edhe plaçkat që më erdhën, një familje normale shqiptare nuk kishte shans t’i kishte ndonjëherë. Kam parasysh faktin tjetër, se vinin njerëz posaçërisht për të parë pultin e televizorit me sy, se nuk e kishin të qartë se si mund të kishte televizor me pult.

Ishin momente historike këto, kur dëshira kolektive ballafaqohej me realitetin dhe verifikohej përballë këtij realiteti, edhe pse pa u realizuar dot si e tillë. Nuk kam arsye të dyshoj për komponenten mirëfilli shpirtërore, në marrëdhëniet mes Nest Tushes dhe Carla-s; por nga rrëfimi që lexoj tani në Gazetën Shqiptare, shoh edhe si kësaj komponenteje i zihet fryma nën peshën e “plaçkës” – të thuash se kjo marrëdhënie u themelua, që në krye, si një mënyrë e improvizuar, e sforcuar, e dëshpëruar, për të kapërcyer disesi gropën, hendekun, humnerën midis një shqiptari dhe një italianeje; ose më mirë për ta mbushur këtë farë grope të zezë duke hedhur atje gjithfarë mallrash, plaçkurinash dhe çikërrimash, që nga këpucët atlete Adidas e deri te çamçakëzi, që u shpërndahej admiruesve, për t’i ftuar në mos lejuar t’i bashkoheshin ritualit të (ri)përtypjes. Përçudnimi rezulton më i fortë se lidhjet personale mes dy të rinjve; aq sa zotërimi dhe përdorimi i plaçkës vjen e shndërrohet në atribut të përbashkët të kësaj dashurie që përndryshe mund të ketë qenë edhe sublime, por gjithsesi të dënuar të ngecë në nivelin e ekonomisë politike.

Nga rrëfimi që i bën protagonisti vetë, marrëdhënia përvijohet si e njëanshme; ngaqë nuk merret vesh se çfarë ofronte Tushja aty, në përgjigje të ortekut të dhuratave prej Italie; në rrafshin mirëfilli material, ose për ta kundërpeshuar disi asimetrinë e frikshme që po përvijohej. Dhurata e ka gjithnjë një logjikë të vetën, që duhet respektuar, që nga momenti që pranohet; përndryshe ajo do të funksionojë si lëmoshë, edhe kur nuk funksionon si kapar. Nga ana tjetër, dëshira për t’i pasur ato sende, ose për ta përjetuar të realizuar çfarë të tjerët (dhe deri dje edhe ti vetë) e përjetonin si dëshirë të mbetur në stadin e parealizueshmërisë, ka qenë aq e fortë sa t’i zëvendësohet natyrshmërisë së marrëdhënies; aq sa të shpjegojë edhe pse nëna shqiptare flet për “nusen e tim biri” në momentin që i hyn në shtëpi lavatriçja.

Mund të pyesim, dhe do të pyesim këtu nëse ruhet dot moraliteti i një gjesti çfarëdo, gjatë shkëmbimit midis dy botëve kaq të ndryshme, kaq të ndara, kaq të pabashkëmatshme, sa Perëndimi dhe Shqipëria e atyre viteve. Në kontekstin jo aq të varfërisë së skajshme, sesa të urisë së skajshme për sende konsumi, që kish pllakosur ndër shqiptarët, edhe një dhuratë e thjeshtë, e shtyrë nga mirësia, ose nga vullneti për t’i shprehur simpatinë tjetrit, do të mbërrinte në destinacion e zhveshur nga atributet morale të nisjes, por e ngarkuar me gjithfarë domethëniesh dhe efektesh magjike.

Jo rastësisht, shqiptarët që kishin kontakte të çfarëdoshme me të huajt, gjatë atyre viteve (ngaqë ua kërkonte puna, apo edhe kontakte farefisnore) gati-gati prisnin që këta të huaj t’i mbulonin me dhurata të vogla, por domethënëse: stilolapsa, çamçakëza, shapka, kanatiere, çakmakë, syze dielli; i huaji ishte ai që jepte (dhuronte), dhe jo për të bërë mirë, por për të shlyer fajin simbolik të varfërisë sonë; thuase dhurata të tilla ishin edhe premisa e nevojshme për ta mbajtur kontaktin në gjendje të mirë. Që këtej u kalua pastaj, dhe nuk mund të mos kalohej, në bindjen e përgjithshme se “ata kanë”; ose për Perëndimin si një vend gjeometrik të bollëkut të destinuar për ne (në rrethana të tjera, kjo premisë do të çonte në lindjen dhe konsolidimin e kultit të kargove, ose cargo cult-it, në ishujt e Paqësorit).

Me naivitetin e vet ndonjëherë të pabesueshëm, Tushja i sotëm nuk gabon, kur e përqendron rrëfimin në aspektet e shkëmbimeve materiale, ose të përroit të sendeve që rrjedh nga Perëndimi drejt familjes së tij, falë marrëdhënies së re që ka krijuar; edhe sikur këto të kenë luajtur rol dytësor në lidhjen e tyre dhe në mirëmbajtjen e kësaj lidhjeje, prapë, nga pikëpamja thjesht objektive, lidhja nuk do ta shmangte dot identifikimin përfundimtar me këtë shkëmbim sendesh, aq të nevojshëm për të normalizuar trysninë në kufirin ose “portën” midis dy botëve – nga të cilat njëra, Shqipëria, ishte krejt e depresurizuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin