PSIKOLOGJIA NË GJEOGRAFI

Që ka pështjellim të madh për emrat e vendeve në trojet e sotme shqiptare, kjo lidhet edhe me psikologjinë kolektive të momentit – meqë njëfarësoj njerëzit janë bindur se u lejohet jo vetëm të kenë opinione në këtë fushë, por edhe t’i shprehin ato pa teklif.

Ky është edhe një interpretim shumë liberal, në mos fare dembel, i demokracisë; të cilin ka njerëz që e kuptojnë si “do të bëhet kështu siç duam ne,” dhe, ndonjëherë, jo vetëm e kuptojnë ashtu, por edhe e realizojnë këtë dëshirë – pa çka se kjo nuk ka fare të bëjë me demokracinë, madje edhe kur gëzon mbështetjen e shumicës.

Gjithsesi, për këtë nuk kanë faj njerëzit, por ata që duhej të kishin ndërhyrë: historianët, gjuhëtarët, antropologët, folkloristët, etnologët, gjeografët – për t’i dhënë tonin debatit, dhe për ta shpëtuar nga kënetat populiste dhe tundimet ksenofobike. Se pse nuk flasin këta, unë nuk e di; ndoshta janë me pushime.

Tani, sa për emrat e vendeve, duhet ta përsërit, derisa të bëhem i mërzitshëm, që këto nuk kanë të njëjtin status gjuhësor me emrat e përgjithshëm të gjuhës; dhe ky dallim statusi u pasqyrohet në përdorim. Ndryshe nga emri i një sendi, p.sh. tenxhere, i cili funksion duke ndërmjetësuar midis sendit, folësit, dhe një klase kuptimore njëfarësoj të bashkëlidhur me ato që në logjikë i quajnë intension dhe ekstension të konceptit, ndryshe nga emri i sendit, pra, emri i përveçëm i një vendi e shunton (bypass) lidhjen konceptuale. Dy tenxhere kanë të përbashkët funksionin si enë për të gatuar; dy vende që quhen Shushicë (një në Vlorë, një në Elbasan) kanë të përbashkët vetëm faktin që quhen Shushicë – edhe pse, në diakroni, bashkohen edhe ngaqë si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, sllavët janë përfshirë njëfarësoj në emërtimin e tyre.

Për ta kthjelluar më tepër këtë nocion të emrit të vendit, duhet marrë parasysh një mekanizëm gjuhësor i njohur si motivim – ose lidhja e një fjale me fjalë të tjera, e tillë që të ndihmojë kuptimin e saj, ose vendosjen e saj në sistem. Për shembull, fjala guralec është e motivuar, meqë i referohet vetvetiu fjalës gur. Ky referim funksionon në planin morfologjik dhe në planin kuptimor; përndryshe, fjala bollgur nuk është e motivuar, pse aty tema ose rrënja ose morfema gur nuk i referohet dot fjalës gur, sa kohë që bollguri nuk ka ndonjë lidhje me gurët. Gjithsesi, motivimi është i rëndësishëm në gjuhë, edhe kur ndihmon për të kuptuar fjalë përndryshe të vështira, edhe kur pengon qarkullimin e fjalëve, për shkak të një tabuje që lind nëpërmjet asocimit.

Kështu, përkthyesit nga rusishtja, e kanë pasur gjithnjë të vështirë si ta japin në shqip emrin e përveçëm Shura, për shkak të shoqërimit fonetik me një fjalë tabu.

Tani, kur vjen puna për emrat e përveçëm të vendeve, motivimi funksionon si thikë me dy presa: edhe ndihmon, edhe pengon. Për shembull, në Mokër ka dy fshatra që quhen Çezmë e madhe dhe Çezmë e vogël; të dy emrat janë të motivuar; udhëtari që gjendet, bie fjala, në Çezmë të madhe, do të kërkojë të dijë ku ka qenë kjo çezmë kaq e madhe, sa ia ka dhënë emrin fshatit; edhe pse, pas gjase, aty ka pasur më parë vetëm një fshat, Çezmë, që pastaj është ndarë më dysh ose në dy lagje, dhe njëra lagje, më e madhja është quajtur Çezmë e madhe, ndërsa tjetra Çezmë e vogël. Këtu duhet të vërejmë se edhe emri Çezmë, për një fshat, është i motivuar; do të ketë pasur, me siguri, një çezmë – informacion i rëndësishëm për udhëtarin – e cila ia ka dhënë emrin fshatit. Sot çezma ndoshta nuk ekziston më; ose, rrëfenja eponimike, i atribuohet ndonjë çezme tjetër të rastit.

Pyetja që dua t’i kthehem, është nëse motivimi i ndihmon apo jo emrat e vendeve, në funksionet e tyre në gjuhë. Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje.

Natyrisht, në krye të herës, kur vendit i vihet një emër, ky është gjithnjë i motivuar – p.sh. një fshat do të quhet Lumas, sepse ndodhet afër lumit; ose një fshat tjetër Shënepremte, sipas një kishe kushtuar kësaj shënjtoreje, etj. Të paktën, është i motivuar për emërtuesin: p.sh. emri Bistricë nuk do të thotë gjë në shqip, po për sllavin që e ka quajtur ashtu, motivimi është i qartë sa s’ka më.

Megjithatë, emri i vendit nuk funksionon si emrat e përgjithshëm në gjuhë; përkundrazi, mbetet i lidhur me vendin. Nëse Çezma e vogël nesër shndërrohet në metropol, njerëzit gjithnjë do të përfytyrojnë një çezmë të vogël dhe kjo do të interferojë, pa dyshim, me funksionimin normal të emrit në komunikim. Po ashtu, Ura Vajgurore sot nuk është më urë, por qytet; dhe Vau i Dejës nuk është më va, por seli e një hidrocentrali, ndër të tjera. Po ashtu, një majë mali mund të quhet Çukë, por kjo krijon probleme, për ta dalluar nga çukat e tjera. Nga ana tjetër, emri i fshatit Llakatund shpjegohet me arumanishten la katund, që do të thotë pak a shumë “te katundi, në katund” (të krahasohet me emrin e Stambollit që vjen nga greqishtja mesjetare εἰς τὰν Πόλιν, literalisht “në qytet”). Një katund që quhet thjesht katund herët a vonë do ta ndërrojë emrin; sikurse edhe emri “qytet” nuk do të kishte zgjatur shumë për Stambollin, sikur të interpretohej literalisht nga folësit.

Se si funksionon motivimi i emrave të vendeve, ma ilustron një shembull kurioz, nga korriku i vitit 1990. Pas krizës së ambasadave, në Tiranë, u përhap fjala se kishte pasur të vrarë, dhe se regjimi i Alisë i kishte mbledhur këta natën dhe i kishte çuar “në Malin me Gropa.” Tani, Mali me Gropa është emri i një vendi afër Tiranës, diku prapa Dajtit; nuk e kam të qartë pse quhet kështu, ndoshta nga morfologjia e truallit; por asociacioni mes të vrarëve dhe “gropave” të atij mali funksionoi për bukuri në rrafshin imagjinar, pse nuk kish vend më të përshtatshëm, ku mund të groposeshin të vrarët.

Në përgjithësi motivimi i emrit të vendit e pengon komunikimin, sepse me kohë hendeku midis arsyes së emërtimit dhe realitetit vjen duke u thelluar. Një vend mund jetë quajtur dikur Varri i Bamit për shkak të një varri që mund të ketë pasur aty; por kur aty ndërtohet një kompleks rezidencial modern, emri krijon asociacione të padëshiruara. Për të njëjtën arsye, Bjeshkët e Namuna nuk do të tërhiqnin shumë turistë gjatë sezonit dimëror. Prandaj, nga kjo pikëpamje që mund ta quajmë funksionale ose logjike, emrat e huaj funksionojnë më mirë, sepse janë të pamotivueshëm. Çorovodë nuk do të thotë asgjë për shqiptarin e sotëm; Ujë i zi do t’i bënte njerëzit të mendojnë pa arsye.

Thashë më lart “logjike”, dhe jo më kot; sepse gjuha nuk është se i bindet gjithnjë logjikës. Me logjikë, do të prisnim që emrat e vendeve të demotivoheshin, me kalimin e viteve. Çfarë ndodh rëndom, megjithatë, është e kundërta: njerëzit i vihen punës për t’i motivuar toponimet e pamotivuara sepse të pamotivueshme, nëpërmjet një procesi në thelb të njëjtë me etimologjinë popullore.

Zakonisht, ky proces mishërohet si në trajtat e një rrëfimi ose miti etiologjik: p.sh. për Dumrenë të tregojnë se një herë banorët e zonës, të sfilitur nga një thatësirë e gjatë, iu drejtuan Zotit me lutjen “dum ré”, etj. Nuk ka fshat e qytet që të mos e ketë një legjendë të tillë – e cila është zakonisht apokrife. Kështu, një histori e ngjashme për Elbasanin do të përfshijë fjalën “elb” në një mënyrë ose në një tjetër; ndërsa për Tiranën kam dëgjuar një të tillë, me një plakë që, kur e pyeti një udhëtar se çfarë po bënte, tha “po tjerr anë”, etj.

Gjithsesi, mua s’më interesojnë mitet etiologjike këtu, por procesi motivues; sepse roli i mitit është pikërisht që t’i japë domethënie një emri që, përndryshe, mbetet pa histori dhe pa solemnitet. Megjithatë, ka një dallim të madh midis emrit vërtet të motivuar, p.sh. Mali i Vetëtimës, ose Peshkopia, ose Fushë-Kruja, dhe emrit që është motivuar nëpërmjet mitit etiologjik; ky i dyti nuk rrezikohet fare nga motivimi ad hoc, meqë motivimi e vendos në lidhje jo aq me fjalë të tjera, sesa me një narrativë.

Meqë trojet e Shqipërisë kanë një numër pambarimisht të madh toponimesh të pamotivueshme, është për t’u pritur që legjendat dhe mitet që “shpjegojnë” origjinën e këtyre emrave të jenë po aq pambarimisht të shumta – dhe ashtu është vërtet. Vetëm se funksioni i këtyre legjendave është psikologjik, sa kohë që ato e bëjnë emrin e huaj të pranueshëm për folësin, duke e integruar në kulturën shqipfolëse, ose duke ia veshur, si të thuash, një kostum popullor; por përndryshe ato nuk luajnë absolutisht asnjë rol në komunikim. Përkundrazi, emrat e motivueshëm – përnjimend të motivueshëm, si Çezma e madhe, që përmenda më lart – interferojnë me komunikimin.

Për ta kuptuar edhe më mirë pse, në një nivel logjik ose funksional të ligjërimit, toponimi i pamotivueshëm është më i efektshëm, mund të shërbejë edhe analogjia me mënyrën si i trajton nomenklaturat burokracia. Për shembull, në ShBA, individi identifikohet gjithnjë e më shpesh nëpërmjet kodit fiskal – një numër unik prej nëntë shifrash. Kjo ka përparësi të padiskutueshme. Në ShBA, bie fjala, ka sot 45,095 persona të quajtur John Smith, por këtyre u janë bashkëlidhur 45,095 kode fiskale të ndryshme. Natyrisht, një kod fiskal çfarëdo, p.sh. 104-22-6544 nuk do të thotë asgjë në vetvete – edhe pse është krejtësisht joredondant shifër për shifër; ndërsa një emër si Jack Nicholson vjen me bagazh të madh kulturor (ka 102 të tillë në ShBA, 101 prej të cilëve e përjetojnë në mënyra të ndryshme marrëdhënien me aktorin e mirënjohur). Megjithatë, askush prej nesh nuk do të pranonte ta zëvendësonte emrin e vet me një numër çfarëdo – meqë emri përmban informacion social, ndërsa numri jo. Një mekanizëm i ngjashëm është adoptuar edhe për identifikimin e librave në treg (ISBN), i cili mënjanon ngatërresat që mund të vijnë nga format e ndryshme gjuhësore të titujve dhe të autorëve.

Tani, duke pasur këtë parasysh, mund të nxjerrim një përfundim paraprak, dhe të themi se një emër vendi i pamotivueshëm, ose i huaj, funksionon mirë nga pikëpamja logjike; ndërsa në rrafshin ku motivimi ndihmon – p.sh. kulturor ose antropologjik – këtij mund t’i bashkëlidhet një mit etiologjik. Kjo është situata me toponimet në Shqipëri; një situatë që e bën të shpjegueshme edhe mbijetesën e toponimeve të huaja, shumë shekuj pas largimit ose asimilimit të atyre që i përdorën të parët.

Ndonjëherë, ndërhyjnë edhe faktorë të tjerë. Për shembull, emri i gadishullit që mbyll gjirin e Vlorës – Karaburun – vjen nga turqishtja, “hundë e zezë”. Nuk ka dyshim se e kanë përdorur turqit të parët dhe për ta ka qenë krejt i motivueshëm. Çështja është të kuptojmë pse është adoptuar edhe prej popullsisë shqiptare të zonës. Një shpjegim do të ishte se banorët e sotëm shqiptarë të zonës së Gjirit të Vlorës, kanë mbërritur aty pasi Karaburuni kish marrë këtë emër dhe nuk kanë pasur arsye pse ta ndërronin – siç thashë, një emër i pamotivueshëm funksionon për bukuri (me siguri do të ketë edhe ndonjë mit etiologjik për të).

Kjo hipotezë nuk duhet hedhur poshtë në mënyrë instinktive – dihet se osmanët e morën Vlorën herët dhe do t’i kenë dëbuar popullsitë e krishtera të zonës; ose këto do të jenë larguar drejt viseve më të mbrojtura, p.sh. në Greqinë venedikase ose në Itali.

Përndryshe, krejt zona e Vlorës ka një toponimi nga më të larmishmet: emra të lashtë, si Vlorë, Sazan dhe Orikum; të përzier me një mizëri sllavizmash si Drashovicë, Selenicë, Babicë, Shushicë, Vodicë, Gumenicë; por edhe me elemente arumune tek-tuk (Llakatund), dhe natyrisht turqizma, si Kusbaba (edhe emri Sazan, sado që i përgjigjet emrit të ishullit në lashtësi  Σάσων, më duket si i përcjellë nëpërmjet turqishtes). Habitesh kur ndesh në ndonjë toponim si Novoselë, “fshat i ri” – po ç’ishin këta sllavë që ngrinin një fshat të ri? Nga vinin? Kur e kanë bërë këtë? Të mos harrojmë edhe se në Vlorë ka pasur një despotat serb në Mesjetë; Ducellier nuk ka gjetur dot shqiptarë në banorët e qytetit në shekujt XIII-XIV – por vetëm një aristokraci serbe dhe një klasë të mesme tregtare kryesisht greke me tek-tuk ndonjë italian ose hebré – përfundime që nuk duan marrë pa vërtetim, por që të bëjnë të mendosh. Gjithsesi, toponimia e sotme sllave e zonës, veçanërisht e Labërisë, nuk është aq serbe sesa bullgare.

Por le të kthehemi te Karaburuni. Shpjegimi që e lidh emrin turqisht me ardhjen e vonë të shqiptarëve të tanishëm në Gjirin e Vlorës – them ardhjen e vonë, sepse nuk kjo nuk përjashton fare që në atë zonë mund të ketë pasur gjithnjë shqiptarë, por që janë larguar pastaj që andej, për arsye të ndryshme – pra, ky shpjegim nuk është i vetmi.

Le të supozojmë se shqiptarë në Gjirin e Vlorës ka pasur, pa ndërprerje ose brez pas brezi, që para se të shfaqeshin aty turqit, pra që të paktën prej shekullit XIV; në këto rrethana, si do të shpjegohet që toponimi Karaburun, i vënë prej turqve, u pranua edhe prej këtyre shqiptarëve?

Ky shpjegim i dytë ka natyrë psikologjike. Të vihemi për një çast në pozitat e një shqiptari që jeton pak a shumë në Gjirin e Vlorës dhe e sheh Karaburunin; por që nuk është peshkatar, as detar, as lundërtar – hipotezë që nuk është dhe aq teorike. Që këtej, mund të imagjinohet se ky shqiptar hipotetik, edhe pse e shihte Karaburunin çdo ditë, nuk e dinte që po shihte një gadishull, ose një “hundë” që zgjatet në det. Që ta dish këtë, duhet t’i vish rrotull me anije ose me lundër; madje, më mirë akoma, ta kartografosh – çka në atë kohë ishte art i të paktëve.

Me fjalë të tjera, shqiptari e shihte Karaburunin nga bregu, por nuk ishte në gjendje ta shquante si entitet gjeografik të mëvetësishëm – për të objekti në horizont shfaqej thjesht si vazhdim anonim i bregut të gjirit, pa interes praktik. Përkundrazi, për detarin, një kep ose hundë si Karaburuni kishte rëndësi kritike, që këtej edhe nevoja për ta emërtuar.

Në veprën e vet Names on the Globe, (New York, Oxford University Press, 1975), të cilën e kam cituar në një shkrim të mëparshëm, George Rippey Stewart vëren se emrat e ishujve të Egjeut janë përgjithësisht jogrekë; çka supozon se grekët e lashtë, kur mbërritën në ato troje, i gjetën të banuara dhe “të emërtuara” nga një popull tjetër. Megjithatë, grekët ishin lundërtarë të zotët dhe, duke i rënë detit kryq e tërthor, vërejtën diçka që paraprirësve të tyre ndoshta u kish shpëtuar: që ishujt e Egjeut, të paktën një pjesë e mirë e tyre, ishin të organizuara në bashkësi ose konfiguracione më të mëdha, ose arkipelagë; dhe, çuditërisht, emrat e këtyre arkipelagëve janë greqisht (fjala arkipelag vetë nuk ndeshet gjëkundi në greqishten e vjetër as në atë mesjetare; por vetëm në italishte, ku bazohet në një rietimologjizim, ose etimologji popullore të Aigaion pelagos “Deti Egje”; vetë greqishtja moderne e ka huazuar fjalën nga italishtja arcipelago).

Për ta mbyllur këtë parashtrim jo shumë koherent, po mjaftohem të vërej se toponimia e trojeve shqiptare është studiuar keq dhe gjithnjë në funksion të historisë – së popullit dhe të gjuhës; por jo në raport me mënyrën si është jetuar në këto troje, e cila ka mbetur tabu. Problemi është metodologjik dhe lidhet drejtpërdrejt me romantizmin që përshkon fund e krye dijet tona historike, i cili mplekset pastaj edhe me kombëtarizmin dhe skrupujt ideologjikë, të cilët më shumë prishin punë sesa ngatërrojnë.

Meqë dëmi është bërë këtu në histori, atëherë vetëm duke filluar nga historia mund të ndreqet; dhe ndreqja do të fillojë që nga momenti kur marrëdhëniet e shqiptarëve me popujt e tjerë, në përmasën e kohës, të mos shihen më reduktivisht, si marrëdhënie përleshjesh të armatosura, por si forma komunikimi të cilat, tek e fundit, kanë luajtur rol po aq vendimtar në krijimin e shqiptarëve si popull, sa edhe instinkti i ruajtjes dhe i qëndresës.

Nuk ka komente

  1. Nuk do ishte cudi qe shekuj me pas dikush te argumentonte te njejten gje per toponimet qe mund te jene ndryshuar (apo te jene duke u ndryshuar) gjate kohes se sotme; e sotmja do jete historia legjitimuese e se nesermes per argumenta te tilla, por dhe te ndryshme fundja.

    Normal nuk jam i fushes se gjuhes apo historise, po as ata qe i vune emra sllave toponimeve nuk besoj se ishin, megjithate here we are, duke deligjitimuar cdo gje te tashme ne emer te vepres se tyre, por ama per princip profesional?

    Te gjitha i kuptoj, pervec irritimet e skajshme.

    A thua dhe historianet irritohen kaq shume me histori-beresit?

  2. Me përjashtim të nja dy paragrafëve në hyrje dhe në mbyllje, shkrimi më lart nuk është polemik, por ilustrativ dhe përsiatës. E kam menduar si një përpjekje për ta ndihmuar lexuesin jospecialist të PTF që t’i shmanget cektësisë së habitshme me të cilën po diskutohen këto çështje në mediat. Mirë është që, të gjithë ata që duan ta bëjnë ndërrimin e toponimeve flamur betejash politike, t’i kenë parasysh vërejtje si ato të mësipërmet. Pastaj le të mendojnë ç’të duan – e drejta e tyre. E vetmja e drejtë që nuk besoj se mund t’u njihet, është ajo për të mbetur gdhe.

  3. Xhaxha

    Sot ne shkrimin e botuar ne gazeten Shqip, Endrit Shabani jep nje fjali shume shpejguese per te treguar se cfare motivon AKZ-ne qe te ndryshoj emrat e hasmit ne Shqiperi http://gazeta-shqip.com/index#/opinion/7078623512131d99ba1127642920d3f6.html.
    Pasi mbron misionin e AKZ-se ai shkruan:

    “Personalisht mendoj se çështja e toponimeve duhet të nxisë debat të studiuesve, historianëve, etnografëve e etimologëve, të cilët të sqarojnë arsyet e mbivendosjes së toponimeve sllave mbi toponimet ilire.”

    Mendoj se kjo fjali i jep pergjigje yryshit gjeografi ndryshues qe AKZ-istet tane duan te bejne. Eshte nje ceshtje inati kombetarist. Pse toponimet tona ilirie te sundohen nga ato sllave (lexo armike). Fjalia ne fjale eshte madheshtore pse shpjegon perse behet yxhymi kunder sllavizmave e helenizmave e turqizmave ne Shqiperi sot, (e njejta gje behej edhe ne te kaluaren nga brezi i gjuhetareve e historianeve tane, Cabeu e deri te Buda e Pollo ne fushen e gjuhesise dhe historise – pse shkencat sociale per kombetaristet jane fushe e minuar betejash nacionale).

    Ndjenja e autoktonise, pra, e neve qe jemi me te vjeter, me te pare, me te mire, me te zgjuar, me perendimore sesa sllavet e greket e turqit, e cila nis qe nga Naimi e vazhdon deri te Kadareja nxit kete yrysh toponomist, ku kombetaristet kuq e zi duan qe te permiresojne me dore ate mynxyre greko-sllavo-turke qe u la historia. Shikoni sesa bukur e konkludonin shkrimin Shabani i Ndritur (nese do ishte lindur para vitit 1920 Endriti do e kishte emrin Enver Shabani).

    “Brezat e ardhshëm pak do t’ju interesojë kush ka qenë Endrit Shabani, Kreshnik Spahiu, Vangjel Dule apo Genc Pollo. Atyre do t’u duhet të përballen me pasojat e çorbës që po gatuhet sot. Një shprehje e urtë thotë se “një brez mbjell pemën dhe një tjetër qëndron në hijen e saj”. Pasardhësit tanë do të jenë të interesuar që në vend të një druri të shtrembër, ne t’ju trashëgojmë një pemë të shëndetshme e jetëgjatë. Sa për emrat tanë, do t’ju kujtohen vetëm për të na mallkuar nëse kemi vendosur t’i zhurisim nën diellin përvëlues të grekut e /a të serbit.”

    Pra mendoj se pas yryshit toponomi shqiptarizues, qendron nje shqetesim i paster, madheshtor dhe kombetarist te cilin edhe rilindasi modern i Berishes, Kadareja do e kishte zili. Eshte njefare lufte riclirimtare nga epoka e erret greko-sllavo-turke. e per kete duhen therritur ne ndihme historianet, gjuhetaret, etnografet e etimologet, te cilet pa pushke, por me pene, kane per detyre qe te shpetojne memedhene. Tamam sic beme me alfabetin e sic e tregon kenga e rilindjes

    Sot është dita Shqipëtarë
    Të përpiqemi
    Alfabetin tonë ta mbrojmë
    Shpejt o burrani.
    I: Shkronjat tona janë të arta
    Këto duamë. :I
    Ref.
    I: Shqipëri, atdhe i dashur
    Ne s’të lëmë ty të varfër. :I
    Armiqtë o shqipëtar
    Po përpiqenë
    Shkronjat turqe dhe greqishte
    Të na japinë.
    Le t’i mbajnë ata për vehte
    Kemi tonatë.
    Ref.
    Shqipëri…
    Ata duan Shqipëtarë
    Ndarjen tonë
    Këto punë shumë kthjelltë
    E treguanë.
    Ngrihuni shpejt t’u tregojmë
    Se ne s’durojmë.
    Ref.
    Shqipëri…

  4. Turku prej artikullit te cituar: Një shprehje e urtë thotë se “një brez mbjell pemën dhe një tjetër qëndron në hijen e saj”. Eshte po ashtu nje shprehje tjeter qe thote se “frutat e pemeve kur piqen, nuk bien larg trungut te pemes”. Domethenia: Dihet(e nuk do te jene shume ndryshe nga sa pritet) se cfare frutash do te nxjerre pema ne fjale.

    Me poshte prej vet Turkut: “kane per detyre qe te shpetojne memedhene. Tamam sic beme me alfabetin e sic e tregon kenga e rilindjes.”

    E thene, pavarsisht efektit te kundert qe ka dashur autori te percjelle tek lexuesi, eshte nje e vertete historike e madhe: nxjerrja ne drite e alfabetit te gjuhes se shkruar shqipe ishte akti me heroik qe bene baballaret e kombit shqiptar. Duke qene heroik eshte edhe akti shpetimtar i nje kombi te tere. Si akt nuk eshte origjinal, se e kane bere te tjere kombe para nesh, sic jane miqte tane sllave, apo greket qe e nxorren nga pluhuri i vjetersise.

  5. ”’Për ta kuptuar edhe më mirë pse, në një nivel logjik ose funksional të ligjërimit, toponimi i pamotivueshëm është më i efektshëm, ””

    Ne fakt edhe ta zeme sikur Pogradeci te quhej Enkel(e/j)ana, perseri nuk kemi ndonje toponim te motivueshem, ne termat e shpjegimit tend kuptohet.

    Eshte e kote qe i bie ‘demokracise’ ne emer te teorise se funksionalitetit, ligji shqiptar, sikunder i çdo vendi besoj, ua le ne dore banoreve, me shumice votash.
    Kjo do te thote qe mund edhe te politizohet fare mire, te perjashtohet edhe gjithe shtresa e studiuesve dhe te ngelet ne dore te populizmit.

    Ceshtja ‘psikologjike’ eshte kjo, persa kohe qe sundonte padituria mbi prejardhjen e emrit, ky nuk e demtonte bindjen e autoktonise se banorit, ndersa tani mund te kete ndikim psikologjik negativ, prandaj jane per tu zevendesuar mundesisht me emra ilire.

    Kemi te bejme me detyren e mbrojtjes se psikologjise kolektive, ashtu sikunder kete mbrojtje te psikologjise kolektive e kane bere fqinjet para nesh.

    Per funksionalitetin nuk ka pyetur asnje nga fqinjet dhe jane si kokrra e molles, asgje si ka gjetur, nuk ma ha mendja se qahet ndonje sternipçe i atyre te kohes se nderrimit te emrit, se perse stergjysherit u lane kete barre te rende te funksionalitetit te demtuar te ligjerimit.

    Jane arsye me madhore se funksionaliteti i diskutueshem i ligjerimit ato qe shtyjne drejt ripervetesimit te emrave, perpos mbrojtjes se psikologjise kolektive kemi edhe vendosjen e nje te drejte historike ne vend, sepse keto emra perfaqesojne per shqiptaret nje padrejtesi historike.

    Po ashtu shqiptaret jane mbi toke per te shprehur e zhvilluar individualitetin e tyre shqiptar, ashtu sikunder çdo njeri duhet te kete mundesi te shprehe e zhvilloje individualitetin e tij.
    Eshte vete rruga e te vertetes se shqiptareve qe u imponon kete hap, i cili eshte per tu kryer heret a vone, varet nga ndergjegjesimi i shqiptareve per te verteten e tyre mes etnive te botes.

    Nese pastaj gjetja e te vertetes se shqiptareve mes kombeve nuk perben ndonje problem se u pelqen genjeshtra, mos-shprehja e moszhvillimi i individualitetit te tyre, le ti gezojne keto, sikunder i kane gezuar deri me sot.

    Nese s’duan te emancipohen, le te mos emancipohen, s’do jene as te paret e as te fundit.

  6. Ne kemi nje precedent ne kete aspekt. Leket, monedhen e perditshme e perdorim ne dy forma, leke te reja dhe leke te vjetra. As edhe diktatura e E.Hoxhes nuk arrit t’i bente dum ketij muhabeti ndonese ishte shkaktarja e krijimit te kesaj gjyrrulldie. Ndoshta s’e veme re por per te marre vesh çmimin e nje malli bejme mesatarisht dy pyetje: sa kushton? Me leke te reja apo te vjetra? Tani ndonese ne arrijme ne nje fare forme te merremi vesh por per nje te huaj e gjithe kjo eshte çmenduri. Nuk ka nje arsye llogjike qe te kuptoje pse e njejta monedhe ka dy vlera te ndryshme.
    Le te leme aspektin grotesk dhe medioker te arsyeve pse do ndodhin ndryshimet. E zeme se ‘per assurdo’ (siç thote italiani) do te kishte nje ndryshim toponimesh. Njerezit e perditshem do perdornin ende emrat e rinj, emrat e vjeter apo here njerin dhe here tjetrin. Imagjino çfare çorbe do te behej ne nje vend qe s’ka ende sistem adresash, nje mish mash i vertete.

  7. Ne fakt konservatoret e perdorin gjithnje teorine e kaosit apo rritjes tejmase te entropise shoqerore si argument kunder ndryshimeve.

    Historia ka treguar qe ne aspektin kohor afatgjate, shoqeria i perbrendeson ndryshimet.
    Ne rastin e lekut, kemi pikerisht i vjeter e i ri, qe sjell kaosin, mirepo askush nuk po thote qe Zhapokika te quhet e re, si kundervenie e Zhapokikes se vjeter. Po flitet per shderrim, pra sikur lekun ta quaje euro.
    A mund te ngaterrohet kush, nese monedha e vendit quhet euro ?

    Paradoksale ne kete mes eshte qe nderrimi i lekut me euron behet me qejf te madh, kurse nderrimi i nje ‘abominio storico’ si do thoshte italiani, sjellka probleme ekzistenciale.

    1. Ndryshimi nga lek i ri ne lek te vjeter nuk ka sjell gje tjeter veçse kaos dhe kjo jo sepse nga i vjeter u be i ri por sepse nuk pati nje ndryshim rrenjesor, permiresues, progresiv; jam i bindur se edhe po te ndryshohej nga lek ne enver prap nje çorbe do ishim bere. Ndersa ndryshimi i lekut ne euro sjell te mira thelbesore ne vete, si stabilitet ekonomik, qendrushmeri financiare, mbrojtje nga spekullimet etj etj. Qe te mos hapemi si vaji ne uthull une nuk shoh gje tjeter ketu vetem nje makiazh politik per te ndryshuar debatin mediatik te vendit nga problemet reale (varferia, kriza politike etj etj) ne argumente populiste bajate te dale kohe (qe vetem ne balkan jane evergreen). Sa do t’i ndryshoje realisht qytetarit te Mallakastres jeta e perditeshme nese ia vene emrin Trendeline qytetit.

  8. Nja dy gjëra që duhen mbajtur parasysh për toponimet sllave në trojet shqiptare.

    Së pari, duhet të mbajmë veç faktet nga hipotezat. Që ka toponime sllave në Shqipëri, madje të tilla që ta mbizotërojnë toponiminë e mesme (emra fshatrash, emra entitetesh gjeografike si male, gryka, përrenj), ky është fakt.

    Gjithashtu është fakt që këto toponime i përkasin Mesjetës para-osmane dhe janë të përhapura në mënyrë pak a shumë homogjene – në kuptimin që i njëjti toponim del në zona ndonjëherë shumë të largëta nga njëra-tjetra në hapësirë. Duam apo nuk duam ne sot, toponimet sllave i japin një unitet Toskërisë fshatare, që nga Mokra deri në Labëri.

    Një fakt tjetër me rëndësi: toponimet sllave i gjejmë me shumicë të madhe në zona që sot nuk kanë ndonjë kontakt as gjeografik as njerëzor me trojet e banuara prej sllavëve – për shembull në Mallakastër, në Skrapar, në Kurvelesh dhe në Labëri. Statusi i toponimeve sllave në këto krahina (në raport me banorët e tyre) nuk është i njëjtë me statusin e toponimeve të ngjashme, bie fjala, në Kosovë.

    Edhe një fakt tjetër: banorët e këtyre viseve janë shqiptarë denbabaden, dhe nuk e kanë idenë se emrat e fshatrave dhe të maleve dhe të krahinave të tyre janë me origjinë sllave. Për më tepër, këto emra, si njësi leksikore, janë integruar mirë në gjuhë dhe funksionojnë ekzaktësisht si çdo fjalë tjetër shqipe – në kuptimin që nuk krijojnë ndonjë vështirësi funksionale, as ndonjë thyerje të sistemit.

    Tani, sa për atë se si ka ndodhur që janë vënë këto toponime dhe, aq më tepër, si ka ndodhur që janë ruajtur kaq gjatë, këtë veç mund ta diskutojmë dhe ta përsiatim me hipoteza, sepse fakte nuk kemi. Mund të themi me siguri se ato lidhen njëfarësoj me dyndjen e sllavëve në Ballkan, por vetëm kaq – të tjerat janë konstruksione.

    Propozimi për t’i ndërruar këto toponime është i motivuar politikisht; madje edhe nga pikëpamja politike ta marrësh, është qesharak. Përndryshe, nuk ka asnjë arsye funksionale që të zëvendësohen këto toponime – ato nuk pengojnë njeri, as na i imponon kush; as ka ndonjë rrezik që të vijnë sllavët dhe të na marrin Hormovën, Babicën dhe Vidohovën, me arsyen se ua kanë vënë ata emrat.

  9. Për tu përgëzuar kjo përçapje e Xhaxhait si “përpjekje për ta ndihmuar lexuesin jospecialist të PTF që t’i shmanget cektësisë së habitshme me të cilën po diskutohen këto çështje”., por është e pamundur që të diskutohet hapur dhe me ndershmëri intelektuale kur ndokush prej atyre “di gjithçka unë” fillojnë të flasin e s’dinë që të pushojnë.

    Do ishte e bukur që të mblidheshin bashkë dhe të shpalosnin pikpamjet e tyre ca tipa të çuditshëm… ca tipa si turku, theollogosi, P.Tedeskini e ndonjë tjetër, që çuditërisht janë guximtarë kur flasin vetëm ata dhe s’kanë “kundërshtarë” të tjerë përveç ateistëve (ose së shumti të ndonjë laiku), ku këta të fundit, deri më tani, janë treguar gjithmonë më gjakftohtë në eliminimin që në lindje të debateve me këta lloj njerëzish.

    Përse fus “në valle” këta lloj njerëzish? I fus në valle sepse edhe pas 50vjet shtet ateist shqiptar, në një kohë kur alfabetizimi dhe njohuritë e shqiptarëve s’janë më ato të 100vjetëve më parë, janë po këta njerëz që janë gati t’i hidhen në fyt horrave/maskarenjve të patriotizmit/nacionalizmit/kombtarizmit dhe asnjëherë nuk ngrenë zërin kur është për t’u ngritur.

    Po si mund të habitemi se përse sllavët kanë ngulur toponimet e tyre para mijëra vjetësh, kur edhe sot pas 50vjet shtet ateist shqiptar, në një kohë kur alfabetizimi dhe njohuritë e shqiptarëve s’janë më ato të 100vjetëve më parë kemi ndërhyrje absurde të klerit në kërkim të ndryshimit të historisë apo gjeografisë (besoj se mjafton fjala zhvarrosje, për të kuptuar se përse e kam fjalën) dhe akoma shqiptarët kanë një udhëheqës shpirtëror që ua këndon liturgjinë në gjuhë të huaj?!

    Po kur edhe sot një copë Janullatosi bën ligjin në mes të Tiranës, nuk arrini të imagjinoni se ç’pushtet ka patur feja (më saktë; kleri)mbi popullin (injorant) të nijëlvjeçarëve të shkuar?!

    1. O Rusi, po ngrihu ti eja ne Shqiperi kontribuo. Se po e thua dhe vete qe ne mes te Tiranes ben ligjin NJE COPE Janullatosi. Si nuk te ngrihen leshrat perpjete xhanem? Ngrihu dhe eja, apo je ngrohte aty ku je? Ngrihu edhe me arme po deshe, ketu eshte Shqiperia edhe Kreshnikun e gjetet. Une po sugjeroj se Janullatosi eshte mire; po iku ai dhe u caktua ndonje shqiptar, prite kur te fillojne; himarjotet Kishen e tyre, Prespa po ashtu, po edhe vllehet me minoritetin. Fundja, Kisha nuk ka te beje me konceptin e territorit. Nejse Ruso, mos te vazhdojme me se kam Kreshnikun ketu, njesoj eshte. Nuk besoj se te mbetet qejfi qe te krahasoj me te?

  10. Unë do i merrja më seriozisht partizanët e ndërrimit të emrave, në rast se këta (të paktën) do e shkruanin shqipen saktë, me gjithë shkronjat e alfabetit.

    (e kam seriozisht)

    1. Ue këta, tre njësha… hë re shpjegohuni, ju cuksi?

      Çorovoda psh, është më shqip se ju. E keni parë ndonjëherë Çorovodën të shkruar “corovode”. Jo. Çorovoda ka respekt për veten, shkruhet edhe shqiptohet gjithnjë saktë.

      Çfarë shqiptarësh jeni ju, që nuk përdorni dot një tastierë shqip? Që nuk i shkruani fjalët saktë?

        1. tregojnë një herë, se ishte një athinas e kishte vajtur në Spartë. Aty do u fliste spartanëve, për punë diplomacie, mirëpo vunë re se kishte lyer flokët athinasi. E dëgjuan një herë, pastaj i thanë: Si mund të besojmë dikë, që e ka gënjeshtrën në kokë?

          Këta kanë kaq kohë që shkruajnë shqisht… toponimet duan t’i ndërrojnë, po saktë nuk shkruajnë dot. Vetëm unë e shoh hipokrizinë këtu?

  11. Nuk e marr vesh pse del kunder te drejtes se banoreve per te riemertuar vendbanimet e tyre.

    Mire qe per emancipimin nga ndikimet e huaja s’do t’ja dish, po nuk kuptoj pse del kunder ligjit. Sipas teje ato jane e s’ka burre nene qe duhet ti levize.
    Ne fakt ligji thote pikerisht qe ato nuk jane aspak absolute, por jane aq relative sa mjafton vullneti i 51% te banoreve.

    Ketu ka diçka qe nuk shkon nga pikepamja logjike, me ngjan si puna e teorise, per inat te sime vjehrre….qofsha i gabuar.

    1. Hyllin, nuk e kuptoj nëse e ke me mua këtu. Gjithsesi, unë ushtroj të drejtën e fjalës; dhe nëse ligji është gabim, asgjë nuk më pengon që të them se është gabim. Gjithsesi, ligji parakupton – besoj unë – që ata që duan të votojnë për të ndërruar një emër vendi, duhet të jenë të informuar për çështjen. Roli im nuk është as që t’i nxjerr njerëzit të votojnë, as t’u them që mos votoni se kjo është idiotizëm, por të ndihmoj duke i informuar të interesuarit. Dhe sa për emrat e vendeve, unë nuk pres që të më iluminojë ligji se çfarë janë, dhe si funksionojnë, dhe çfarë ndodh kur ndërrohen. Ai ligj është mund të jetë i arsyeshëm, por situata me toponimet në Shqipëri nuk është e arsyeshme, përkundrazi, për faj të ndërhyrjes së demagogëve dhe të injorantëve të paparë, është bërë shumë toksike. Në këtë situatë kaq toksike, edhe një ligj i arsyeshëm mund të japë rezultate katastrofike. AKZ-ja është duke kërkuar një kalë lufte; dështoi me çështjen e regjistrimit, tani ka hapur këtë punën e toponimisë. janë tema tërheqëse për masat, por nga pikëpamja edhe politike, edhe kulturore, janë junk.

  12. Ndoshta vërtet gabohem që Janullatusi është grek… pas gjithë atij komenti të ndjerë, po më bën të dyshoj në bindjet e mija.
    NUK ISHTE KY THELBI i komentit tim… Këtu po diskutohen hipoteza se përse disa toponime kanë ngelur “jetime” dhe doja të vija në pah INFLUENCËN që kanë disa qarqe në momente të caktuara (kisha ortodokse sllave apo greke).
    P.s: Kot për kuriozitet: ku e pe demagogjinë në komentet e mija?! Provo dhe lexoji edhe një herë komentet e mija dhe do shikosh që nuk jam pronuncuar as pro dhe as kontra ndryshimit të emrave dhe as pro e as kundra miqësisë apo armiqësisë me grekërit, bullgarët apo serbët

  13. Tani, unë s’jam as gjuhëtar dhe as historian, por mjafton të shikosh në wikipedia http://sq.wikipedia.org/wiki/Kisha_Ortodokse_Autoqefale_e_Shqip%C3%ABris%C3%AB dhe gjen:

    1- Nga vitet apostolike deri në vitin 731 –gjenden në Kishën vetadministruese të Ilirikut lindor, nën Vikariatin roman të Selanikut.
    2- Nga viti 731 deri në fillim të shek. XI –nën Patriarkanën e Konstandinopojës.
    3- Nga fillimi i shek. XI deri në vitin 1767 –shumica e episkopatave gjenden nën Kryepiskopatën Autoqefale të Ohrit.
    4- Nga viti 1767 deri në vitin 1937 –nën Patriarkanën e Konstandinopojës.
    5- Nga viti 1937 deri në ditët tona –Autoqefale.

    Ku peridha 2 dhe 3 korrespondojnë me kishën sllave/bullgare (besoj)

    P.s: diçka tjetër që më bëri të mendohesha pasi pashë këtë faqe…pas pothuajse 20shekujsh udhëheqje shpirtërore të krishterë, të bësh fajtor për prapambetjen vetëm 500 vjet anadollizëm, më duket hipokrizi, në rastin më të mirë

  14. Per bibliofilet:
    The Early Medieval Balkans: A Critical Survey from the Sixth to the Late Twelfth Century
    John V. A. Fine Jr.

    350 faqe qe merren, nder te tjera, me ato qe diskutohen ketu.

    1. ..vetem kini parasysh se ka lexuar vetem V.Georgievin dhe asnje oponent te tij, .; dhe eshte dhender Jugosllavie

      Megjithate ja vlen te lexohet.

    2. E kam këtë libër – autori duket se është specialist për çështje të historisë së hershme të sllavëve në Ballkan, sidomos aspekteve politike të saj. Megjithatë, nuk thotë pothuajse asgjë për fatin e qytetërimit latin në Ballkan në Mesjetën e Hershme – përfshi këtu edhe Latinitetin Perëndimor (Dalmat) edhe atë Lindor (Dako-Rumun). Natyrisht, as arbrit s’përmenden gjëkundi, po për këtë s’e bëj dot me faj. Gjithsesi, unë u besoj atyre që thonë se sllavët janë mish i huaj në Ballkan, sidomos në krahasim me popujt e tjerë aty dhe veçanërisht sa i përket periudhës që mbulon libri. Ndoshta titull më i përshtatshëm për librin do të ishte: Adventures of the Early Slavs in the Balkans. Edhe trajtimi është shumë tradicional – ka pak të dhëna gjuhësore, pak të dhëna arkeologjike, dhe shumë referime dhe komente ndaj historisë politike. Me interes për sllavistët vetëm, besoj.

  15. Ne SHBA edhe emrat e qyteteve me te medha jane perseritje te qyteteve ekzistuese ne te kater anet e botes, kjo nuk perben teme per qytetaret amerikane e as per administraten.
    Nderrimi i toponimeve ne Shqiperi nuk ka aresye te behet, madje eshte prove e luhatjeve te ngjarjeve historike e nuk cenon aspak integritetin e nje vendi. Pse quhet Starove, Drenove apo Saranda (40), nuk do te thote qe u perkasin sllaveve apo grekut sikurse as edhe shteti Albany ne SHBA nuk i perket e nuk do ti perkase Shqiperise vetem pse ka ate emer. Kush mendon se emrat duhen nderruar, motivohet nga kompleksi se emri perben baze per pretendime territoriale, pra e konsideron kete te mjaftueshme per pretendim dhe keshtu e quan baze qe edhe ai vete te pretendoje te njejten vetem duke u bazuar tek emertimi.
    Jam plotesisht dakord me ate qe thote, qe ky aksion eshte zhvendosje e vemendjes nga problemet me aktuale te politikes e shoqerise shqiptare.
    Meqe u permend diku ketu emri Ure Vajgurore, desha te sjell tregimin e gjyshit tim lidhur me kete.
    Me pare ura quhej Ura e Hasan beut, ndoshta ky e kishte ndertuar per here te pare. Kur erdhi regjimi popullor (komunist), kishte alergji nga bejleret e u desh ndryshuar emri. Pyeten tim gjysh qe ishte mesues ne ate kohe, cfare emri ti veme. Gjyshi u tha qe ajo e ka emrin, Vajgurore se neper te kalon vajguri i Kucoves, e keshtu i mbeti emri qe mbart ende sot.

  16. ”’Në këtë situatë kaq toksike, edhe një ligj i arsyeshëm mund të japë rezultate katastrofike.”’

    E ke te zhvilluar sensin tragjik, xha xha, ku ka katastrofe, fqinjet qe e kane bere vetem hajer kane pare.

    Toponimet hyjne tek kultura spirituale, sikunder vete e ke pahnxjerre, njerezia ka qejf te ndertoje rrefenja mbi emrat, do te thote qe toponimet nxisin fantazine popullore, deshirat e tyre, pra hyjne me te drejta te plota tek kultura spirituale, sadoqofshin ne fillesa akte administrative apo nevoje pervetesimi te territorit.

    Nuk shoh asgje te keqe, dmth hiq teorine e funksionalitetit, (qe eshte shume e dyshimte, biles ndonje tjeter mund te dale me teorine qe nderrimi ndihmon funksionalitetin duke sjelle shembull popujt e tjere qe e kane kryer) nuk shoh se ku mund te ndikoje negativisht nderrimi i ta zeme emrit Novosele.

    Persa i perket AKZ-se, fakti qe Sala nderroi projektligjin e pare( se fundmi dolen vete greket, duke kerkuar projektligjin e pare) dhe te dytin e ktheu ne ligj me votim antikushtetues, si dhe fakti qe Kushtetuta duket se pengon nje shoqate te çoje ne GJK nje ligj i cili eshte kontestuar me firme nga 40 a 50 mije njerez, keto pra jane shkaqet e humbjes se AKZ-se.

    Ketu eshte per tu menduar per nje modifikim te Kushtetutes, qe 50 000 firma te jene te mjaftueshme per te çuar para GJK, çdo lloj çeshtje, sepse klasa politike i ka zaptuar te gjitha rruget e ankimit ne GJK dhe populli ka nevoje te shprehet edhe jashte klases politike.

    Gjithsesi fakti qe Sala nderroi projektligj dhe beri nje votim antikushtetues, tregon qe te humbur jane shqiptaret dhe sistemi demokratik, jo AKZ-ja qe ne fund te fundit eshte shoqate civile, pa force politike.
    Meqe ra llafi, edhe shoqeria civile humb prape.

    Nderkaq AKZ-ja vetem sa eshte fuqizuar gjate ketyre muajve, beri gjithçka mundi.

    Sa per toponimet si kale beteje, ne fakt eshte diçka normale per nje shoqate e cila vepron ne nje rrafsh te kufizuar, ka nevoja urgjente si çeshtja e regjistrimit ashtu sikunder edhe nevoja strategjike, keto te fundit diskutohen sot, mbillen sot qe te korren mot.
    Jane shqiptaret te cilet nuk e kane fare vizionin strategjik, te cilet nuk shkojne tek ekuacioni, jo AKZ-ja. Kjo ka gjithsesi meriten qe solli ne debatin publik çeshtje te natyres kombetare, si te thuash ndihmoi ne pluralizimin e debatit publik, sensibilizoi nje pjese te opinionit publik mbi problemet e natyres kombetare te cilat ekzistojne, jane reale por thjesht gjenden te lena menjane.

    Toponimet jane problem, vetem ne kemi ngelur pa i nderruar, fqinjet tane e kane bere, ne jemi te fundit e klases, sikunder ne probleme te tjera te natyres kombetare.

  17. Ju sikur nuk jetoni hiç ne Shqiperi. Ketu emrat i nderrojne kur te duan e si te duan dhe nuk pyesin njeri fare. Vetem para ca muajsh p.sh. na nderruan emrin e rruges dhe asnjeri nuk beri gek apo mek. I vetmi shqetesim ishte se mos per ters na qellonte pikerisht neve ndonje nga ato emrat me kar brenda, si puna e Karaburunit apo Karavastase. Me falni, nuk po dua te ofendoj ndonje, por ja qe ky ishte shqetesimi i plakave te pallatit.

    Sinqerisht nuk arrij ta kuptoj se cfare problemi ka nese banoret e fshatit Sllobodan (ta zeme) duan t`ia ndryshojne emrin fshatit te tyre. Per mua e vetmja gje e rendesishme eshte qe te zgjedhin per fshatin e tyre nje emer te bukur dhe te mos ia vene p.sh. emrin Sali; se c`u kuptua pastaj – hiq nje vrases dhe vij nje vrases.

    Pra i vetmi kriter qe ka rendesi eshte ai estetik dhe meqe kjo eshte subjektive, atehere emeruesi i perbashket do gjendej ne nje emer shqiptar. Kjo eshte shume e thjeshte.

    Por nese e pranon nje llogjike te tille me emrin Sllobodan, atehere perse te mos e pranosh edhe per emrat e tjere.

    Une personalisht nuk do kisha asnje problem edhe sikur qyteteve t’u ndryshohej emri. S`me prish asnje pune nese i ndryshohet emri Pogradecit p.sh. dhe i behet Enkelana – po ngeci si emer le te qendroje, c`pune prish? (ama s`do isha per t`i nderruar emrin Himares se me duket shume emer i bukur)

    Thuhet pastaj qe njerezit jane te lidhur me emrat e pervecem; qe emrat kane histori dhe eshte e pamundur t`i nderrosh. Po sikur c`emra kemi ne. Ja merr p.sh. kete te Zogut te Zi. Te bukrin emer dhe te bukuren histori, me qe ra fjala, por qe gjithsesi duket si e pamundur ideja se mund te ndryshohet ndonjehere ai emer. Dhe ne fakt keshtu eshte nese ia le ne dore Jozefina Topallit; ajo ta quan Sheshi Demokracia dhe normal qe s`ngjit kurre nje emeri i tille; por provo p.sh. t`i thuash Kadarese, qe eshte nje gjeni, dhe ta gjen ai ne cast nje emer tjeter, ku e ku me te bukur, dhe qe ka per borxh te ta zevendesoj emrin e vjeter… brenda dites.

    Morpo sikur qofte edhe per eksperiment te kishte qene: per te pare se sa te lidhur jane shqiptaret me emrat e vendbanimeve – do duhej ta perkrahnit nje gje te tille. Sikur cfare ju kushtoi juve. E shumta nje tentative e deshtuar do ishte.

    P.s. xhaxhai duhet pergezuar vertet se beri gjithe kete artikull, por une prape nuk e kuptova se perse u nderruan fjalet tenxhere e penxhere? Pse u ndermor gjithe kjo pune? Nuk do doja qe arsyetimi i perdorur ne kete rast te permbante ndonje tundim ksenofobik apo kritere estetike sipas te cilave fjala shqipe do tingellonte me e bukur se ajo e huaj. Kjo do perbente nje skandal te vertet dhe nuk do na mbetej tjeter vecse t`i kthehemi edhe nje here gjuhes se para pastrimit nga turqizmat.

    Le njehere qe si mund te flitet keshtu? Jane ne vete keta njerez? Si mund te thuash qe u pastrua gjuha nga turqizmat. Ky eshte nje fjalor nazistesh; ata donin te pastronin boten nga cifutet. Kush ishin pastaj ata qe e pastruan gjuhen nga turqizmat? Emrat e kam fjalen, a percmohen sa duhet? Apo mos valle diskriminimi i tyre ndaj te huajes, vetem mire i beri gjuhes? Por ne qofte keshtu, perse atehere diskriminimi i sotem ndaj te huajes hidhet poshte qe me te paren – pa pare edhe se cfare do te sjelli konkretisht ne praktike nje gje e tille. Ketu nuk eshte se arsyetohet. Ketu eshte kthyer ne zakon per disa njerez qe te pozicionohen kunder sido qe te jete, sa here qe hapen keto debate. Jeni bere dogmatike dhe e keni kthyer cdo gje ne nje teoreme. Kush p.sh. ka ndonje dyshim se cdo te thote Lubonja. Do vrej edhe ai Teoremen… Streha e fundit e horrav… sesi eshte…. dicka e tille.

  18. Ana estetike natyrisht qe ka perparesi, Enkelana per Pogradec, s’do mend qe tingellon bukur, ndersa t’ia vije Vidhas, kjo do tingellonte keq.
    Emrat ilire jane estetikisht te bukur per shqipen, sidomos ato me -ona, si Salona, Emona, Aulona,Narona,Promona, Albona, Aenona etj.

    Ne Kosove per emrin e shemtuar Suhareke vune emrin terheqes Theranda.

    Ne wiki jepen nderrime ne zonen e Therandes, nga te cilat perzgjodha shumicen:

    Arrishta (Vraniqi),
    Bungaja (Dvorani),
    Dardha (Sllapuzhani),
    Dardhishta (Krushica),
    Dushkaja (Dubrava),
    Grykosi (Grejkoci),
    Gurdielli (Delloci),
    Gurkuçi (Maçiteva),
    Gurra (Studençani),
    Ilironi (Dobërdelani),
    Kastra (Kasterci),
    Lumari (Reçani),
    Lumbardhi (Sallagrazhda),
    Lushta (Luzhnica),
    Malasi (Muhlani),
    Qershiza (Sravoçina),
    Ujmiri (Savrova),
    Vneshtari (Samadraxha),
    Vrrioni (Vërsheci)

    Qe me te paren te bie menjehere ne sy, qe emrat ne kllapa nuk jane tonat, ka ca qe jane edhe te shemtuar si dreqi, si Sllapuzhani, Doberdelani, Sallagrazhda,Sravoçina,Samadraxha.

    Lumbardhi per Sallagrazhda, po ku ka ketu teori funksionaliteti a ku di une qe nese do isha banor i Sallagrazhdes do me mbushte mendjen per mbajtjen e kesaj shemtie….ose Iliron per Doberdelan.

    Kosoves bravo i qofte, qe hoqi ato shemtirat, pastaj te jep edhe nje ndjesi çlirimi, sikur po merr fryme lirshem.

    1. E kam të pamundur të besoj një banor i Sallagrazhdës mund të merret me simbolizëm fonetik ose të shijojë intertekstualitetin e fjalës precioze lumbardhë… Përkundrazi, e kam më të lehtë të besoj se ky banor hipotetik, në vend që të ndërrojë emrin e vendbanimit, synon të ndërrojë vendbanimin vetë; qofsha i gabuar.

  19. Ai mund te kerkoje te nderroje vendbanim fare mire, biles qyteterimi ate kerkon zhdukjen e shumices derrmuese te fshatrave per ti perqendruar banoret ne qytete, mirepo ai qe do rrije se s’ka ça ben ne qytet, normalisht do gjeje kohe te sodise e perkedhele emrin.

    Nje emer i bukur vendbanimi sikur i jep dinjitet edhe vete banorit, psh Tirana edhe pse i huaj eshte i bukur, pavaresisht dinjitetit te kryeqytetit, po nese Tirana do quhej Sllapuzhan, gjithe shqiptaret do talleshin me sllapuzhanasit, vete kryeqytetasit do ndiheshin ne siklet perballe shemtise.

  20. Që ka pështjellim të madh për emrat e vendeve në trojet e sotme shqiptare.

    Nuk eshte ceshtje opinionesh sesa psikologjie. Mua me rezulton qe sipas censusit te pare te besueshem te bere nga pushtuesit Austriake ne vitin 1914 shume fshatra e qytete kishin deri ne 3 emra ne gjuhe te ndryshme, e shume nga ata 700,000 vete qe u numeruan nuk kishin mbiemra. Emrat e qyteteve dhe mbiemrat u vendosen me vendim ekzekutiv nga administrata austriake ne Shkoder dhe mandarinet e tyre Shqiptare. I bie qe emri Corovode psh te jete vetem njeri prej emrave mundshem te atij lokaliteti (ndonese duhet thene qe Skrapari mbeti jashte numerimit per arsye se u dogj materiali). Kutite me ato materiale i keni ne Akademine e Shkencave te Austrise diku ne nje bodrum (po te mos i kete ngrene miu)

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: