Reklama

NJËKOHËSI E SHTIRUR

Gilman Bakalli po boton, në MAPO, një cikël shkrimesh me vëzhgime dhe analiza, për dukuri negative, inflacionare në ligjërimin e mediave.

Është temë që më ka interesuar prej kohësh dhe që e gjej të trajtuar nga këndvështrimi i duhur.

Sot i kish ardhur radha një fjale shpesh parazitare, ndajfoljes ndërkohë, e cila sipas Bakallit po përdoret si makinë e rastit për një time travel mediatik.

Për të kuptuar më mirë për çfarë bëhet fjalë, po citoj një pasazh të këtij lloj diskursi, të cilin e sjell si ilustrim Bakalli:

Sipas policisë bëhet e ditur se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në dyqan dhe pasi kanë grabitur gjithçka, janë larguar me shpejtësi. Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet për të identifikuar autorët e kësaj vjedhjeje. Në momentin e grabitjes është dëgjuar edhe një krismë arme, ndërkohëqë në rrugicat e lagjes policia ka gjetur një arme zjarri të tipit kallashnikov dhe një maskë. Dyshohet se objektet në fjalë janë lënë nga autorët pas vjedhjes. Ndërkohë, mësohet se dy grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër gjatë grabitjes, duke krijuar panik në banorët e zonës. Shuma e mallit të vjedhur mësohet se kap vlerën e rreth 100 milionë lekëve. Ndërkohë, sipas uniformave blu mësohet se kjo është vjedhja më e madhe e regjistruar vitet e fundit në këtë qytet.

Pasazhi është nxjerrë nga një gazetë, edhe pse kam përshtypjen që përdorimi parazitar tipik i fjalëzës ndërkohë është më shumë karakteristikë e lajmeve ashtu siç jepen në TV ose në radio.

Kur e lexova këtë shkrim, më shkoi mendja që të njëjtin shqetësim ka shprehur A. Klosi vite më parë, me një pamflet relativisht të lehtë nga toni; i cili është ribotuar pastaj edhe në përmbledhjen Te kundërcjapi, me titull “Ndërkohë.”

Sipas Klosit, në diskursin e mediave kjo fjalë priret ta humbë çdo lidhje reale me kohën, meqë “përdoret edhe për gjësende që kanë ndodhur shumë vite më parë ose do të ndodhin në të ardhmen.” Për ilustrim, ai sjell shembullin e mëposhtëm, që ai e ka nxjerrë nga TV Klan:

Ndërkohë në Vjenë gjendet në një park një vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare. Lajm i bujshëm, sepse ndërkohë kjo vajzë ishte rrëmbyer në moshën 12-vjeçare dhe kishte jetuar gjithë kohën e mbyllur nga rrëmbyesi i vet në një garazh. Ndërkohë do të bëhet identifikimi i vajzës… etj.

Klosi e lidh këtë përdorim të ndërkohë me inflacionin e fjalës në diskursin mediatik dhe në përgjithësi në diskursin publik; duke përshkruar një koncept të cilin këtu në blog e kemi quajtur me një term të qëlluar të Uwe Poerksen: fjalë plastike (këtu dhe këtu).

Për autorin e Kundërcjapit, përhapja pa fré e këtyre fjalëve në ligjërim ka lidhje me dëshirën e burimeve të ligjërimit për ta paketuar fjalën bukur; e kombinuar me nevojën për të lidhur së bashku lajme të marra kuturu, nga lloj-lloj agjencish, faqesh ueb dhe burimesh të tjera heterogjene.

Ndërkohë vjen e paraqitet kështu si shenja dalluese e palimpsestit të diskursit publik të shqipes.

Shkaqet e këtij inflacioni të ndërkohë i heton edhe Bakalli, duke shënuar se kjo mani për të paraqitur si të njëkohshme ngjarje që shtrihen në hapësira të ndryshme dhe kronologjikisht të papërputhshme ka lidhje me një dëshirë, implicite, për narrativizim; a thua se të gjitha këto ngjarje bashkohen në një diskurs të vetëm për shkak se janë bashkë edhe në botën e reflektuar në diskurs.

Bakalli përmend edhe shkaqe të tjera: nevojën për të ndjellë efekt dramatik te dëgjuesi; përdorimin e ndërkohë si “mjet subtil persuazioni” i cili synon të sugjestionojë dëgjuesin duke e mbajtur në sipërfaqe të ngjarjeve; por edhe si instrument të manipulimit mediatik, i cili eliminon njëpasnjëshmërinë, për ta zëvendësuar me njëkohshmërinë; dhe më në fund, si përftesë që shpreh, artificialisht, përpjekjet e mediave “për të qenë aty ku lajmi ndodh”, ose për informacion të pandërmjetësuar, në real time.

Këto vëzhgime të holla plotësojnë njëra-tjetrën.

Unë do të shtoja, megjithatë, se duke qenë ndërkohë një mjet për shprehjen e njëkohshmërisë, ose të tranzicionit imediat, atëherë inflacioni i kësaj fjalëze në diskursin e mediave krijon, dashur pa dashur, një sinkronicitet – në kuptimin jungian (“një faktor hipotetik i njëvlershëm me kauzalitetin si parim shpjegues”, e quan Jung-u); ku, siç e ka vërejtur edhe Bakalli, lidhjet shkak-pasojë plotësohen nga një ligjësi tjetërlloj.

Megjithatë, funksionimin e kësaj ndërkohë do ta shohim në dy rrafshe: atë diskursiv, ku ndodh edhe paketimi për të cilin flet Klosi; dhe atë narrativ, ku kauzaliteti (shkakësia) i bën vend sinkronicitetit.

Në rrafshin diskursiv, ndërkohë përpiqet t’i japë një funksion, një kuptim, një përligjje pranëvënies së detyruar të lajmeve heterogjene, gjatë një emisioni; ose të shërbejë, sado provizorisht, për të themeluar me mjete rrethanore një sintaksë të këtij diskursi. Brenda kësaj sintakse, ndërkohë shërben edhe për t’i ndarë ngjarjet nga njëra-tjetra, ose për ta segmentuar rrjedhën e informacionit; edhe për t’i lidhur ato së bashku, si pjesë e të njëjtit diskurs, të themi, të njëjtit edicion lajmesh; dhe në këtë funksion të dytë, ndërkohë shndërrohet në një element sinjalizues të vetë burimit a subjektit të rrjedhës së informacionit: kanalit televiziv ose gazetës.

Në rrafshin narrativ, ndërkohë shënjon sistemimin e ngjarjeve të rrëfyera brenda të njëjtit “univers” narrativ; ku lidhjet e shkakësisë riformatohen, në emër të homogjenizimit. Një edicion lajmesh jo vetëm e rrëfen botën, por edhe e zbërthen atë dhe pastaj e rindërton, për publikun, sipas një logjike që nuk i përket botës, por diskursit përkatës. Njëkohshmëria e përcjellë nga ndërkohë kërkon të vendosë një farë polifonie informacioni, të ngjashme me atë që ndodh kur lajmet përcillen në ekran nga disa burime njëherësh: zëri që rrëfen, një ticker që flet për diçka krejt tjetër dhe më në fund një ekran brenda ekranit, i cili transmeton lajme të një kanali tjetër, p.sh. të CNN ose të Euronews.

NderkoheVëreni për një çast ekranin e fotografuar përbri, nga një kanal televiziv lajmesh live: teksa folësja raporton për një konferencë të përbashkët Shqipëri-Itali duke bërë përkthim “të njëkohshëm” të fjalimit në italishte që përcillet live nga ekrani majtas; teksa në box-in djathtas jepet një lajm për një arrestim në Kroaci; dhe nën ekranin kryesor gjendet një shirit me informacion për motin në Elbasan, Bulqizë dhe Ersekë; ora e saktë deri në sekonda; një informacion për vlerën e shkëmbimit të euros në raport me lekun; dhe një reklamë ticker për një kompani të reklamës dixhitale. Paradoksalisht, ky ekran do të ishte ilustrimi dhe justifikimi më elokuent i inflacionit të fjalëzës ndërkohë në diskursin tonë publik.

Ndërkohë funksionon, në këtë rast, ngjashëm me kornizën e ekranit në televizorin e shikuesit, i cili detyrohet t’i përmbajë të gjitha këto njëherësh.

Reklama

Nuk ka komente

  1. E lexova me interes shkrimin siper. Por mbeta pak i paqarte ne lidhje me titullin: Njekohesi e shtirur. A i referohet ne pergjithesi gjithe shkrimit apo vecse pjeses se fundit? Si e kuptoj une, eshte domethenese/parathenese per te ilustruar konceptin e sinkronicitetit sipas perqasjes jungiane(2-3 paragrafet e fundit).

    Pyetja qe me lind vetvetiu mua si lexues dhe perdorues i ndajfoljes “nderkohe”: A vertete kuptimi i saj mbetet vecse ne konceptin e “njekohesise” kohore(per te ilustruar ate), apo ka dicka me shume, me ndryshe, me komplekse se kaq?

    Sipas shkrimit kureshtar te Gilman Bakallit, duke se kjo ndajfolje, si mision kryesor te vetin ka te tregoje njekoheshmeri, pra vecse nje perspektive kohe (kohore).

    Po a e koncepton degjuesi, shikuesi, lexuesi, vecanerisht ai i lajmeve(nen te njejten perspektive si te Bakallit) keto si ngaterrime(ku perzihet e ardhjma, e shkuara dhe e tashmja, nje lloj “back and forth travel in time” brenda lajmit) ne kohe, per ngjarje qe assesi nuk ndodhin njekohesisht? Apo i ngaterron vet autori kohet, duke e menduar “nderkohe-n” ngushtesisht si “njekohesi” evenimentesh?

    1. Le ta themi kështu: lajmet i jepen dëgjuesit si tekst i vijueshëm, me pak ndërprerje – më shumë shenja “pikësimi” dhe reklama (nëse ka të tilla); dhe ngjarjet e përcjella nga ky tekst vijnë të njëpasnjëshme. Nga ana tjetër, këto ngjarje kanë ndodhur në kohë dhe në vende të ndryshme, shpesh nuk kanë lidhje mes tyre – një aksident rrugor në Marikaj me një letër që ka marrë Kryetari i Kuvendit nga homologu i tij mongol. Fjalëza magjike si ndërkohë (por ka edhe të tjera) krijojnë iluzionin se njëkohësia e diskursit të lajmeve shënjon – në mënyrë ikonike – njëkohësinë e ngjarjeve përkatëse. Dhe meqë lidhjet shkak-pasojë do të mungojnë gjithsesi madje edhe për më naivin e dëgjuesve, diskursi i paketuar në këtë mënyrë, ose nga një ndërkohë në tjetrën, do të konotojë sinkronicitetin jungian, si alternativë ndaj kauzalitetit. Ndërkoha nuk është pra, veçse koha që i duhet sinkronicitetit për t’u konfirmuar.

  2. Sqarimi eshte me shume se i mjaftueshem Xha-Xha, qe me konfirmoi perse-ne e nje titulli te tille.

    Nderhyrjen dhe shtesat qe bere ne shkrimin tend i shtojne dimensione te reja shkrimit te Bakallit, per perdorimet inflacioniste te ndajfoljes “nderkohe”.

    Por ku e kam hallin une eshte kuptimi dhe perdorimi i ndajfoljes “nderkohe”, qe duhet te jete nje prurje e voneshme ne shqipe. Me thjeshte: A eshte “njekoheshmeria” ngjyrimi i vetem kuptimor i ndajfoljes ne fjale? Apo ka dicka me shume se kaq?

    Kjo pyetje lidhet me shume me shkrimin e Gilman Bakallit. Ne ndihme mund te na vije parafjala(pjeseza) “ndër” ne kallzore qe mund te qendroje ne perdorim dhe e vetme, kur ne e perdorim per te vecuar ne morine e subjekteve, ato gjera(frymore os jo, ngjarje, etj) per te cilet jemi te interesuar.

    Kur kjo i bashkohet emrit(fjales) “kohë” na jep nje marredhenie tjeter, nje kuptim tjeter, qe une personalisht nuk e konsideroj ngushtesisht te lidhur vecse me nje perspektive ngushtesisht kohore, njekoheshmerine.

    Ndajfolja vete kerkon te beje dallime, krahasime te kontrastoje, duke vene perbri njera-tjetres, aspekte te ndryshme te jetes te perditeshme brenda te njejtes situate, periudhe, qe mund te jene lajmet e dites ta zeme.

    Njekoheshmeria(ne kuptimin strikt te fjales) nuk eshte shume e rendesishme, por kontrastet, krahasimet, dallimet si pluralizem ndodhish ne kornizen ditore po. “Nderkoha”, eshte lidhur jo vetem me njekoheshmerine nen shikimin strikt, por edhe me nje periudhe kohore, qe mund te jete thjesht cikli ditor i lajmeve, qe ndryshojne, shtohen ne inventar, modifikohen, saktesohen gjate edicioneve te ndryshme te lajmeve.

  3. Pa i hequr asgje analizes se Xha Xhait, do te shtoja sa vijon:

    Mendoj se keto perdorime te “nderkohe” nuk kane lidhje me marredheniet kohore ne fjali. Kemi te bejme me nje lloj te posaçem konektori teksti, me sakte me llojin me dembel dhe parazitar, qe ne suazen e gjuhesise se tekstit dhe te analizes se diskursit (discourse analysis) quhet “discourse marker”. Jane elemente qe e humbasin thuajse krejt jo vetem kuptimin leksikor por edhe funksionin sintaksor tradicional ne kuader te fjalise dhe per kete arsye quhen edhe “te pavarura nga pikepamja sintaksore”. Fitojne vetem nje funksion te dobet ne kuader te tekstit si mbushes te boshllekut, jo me kot ne anglisht i quajne edhe “fillers”. Prova gjuhesore eshte kjo:

    nese mund te hiqen pa cenuar kuptimin e fjalise ku bejne pjese, atehere jane “discourse markers”. Nese nuk mund t’i heqim pa cenuar kuptimin e fjalise, atehere kane funksione te mirefillta lidhezore, rrethanore etj. Shembujt e sjelle ne shkrimin e Xha Xhait jane kryesisht “discourse markers”.

  4. Dy këndvështrime me interes këto për këtë “parazit” të shqipes mediatike. Mesa duket, e folura televizive apo të shkruajturit gazetaresk kanë herëpashere nevojë për “risi” gjuhësore për të mbuluar parazitizmin profesional në raportimin e lajmeve. Ka pasur disa të tilla shqipja e këtij lëmi, sidomos ajo televizive, shprehje si “megjithatë”, “sidoqoftë”, tani “ndërkohë” apo edhe një tjetër e re, që qarkullon prej pak vitesh e që gjendet në dy forma: “dhe jo vetëm” ose “por jo vetëm”. Nuk e di në e ka burimin nga “ma non solo” e italishtes apo nga “but not only” e anglishtes – veç mund të vërej “me kënaqësi” se shqipja e ka në vetvete tokën pjellore për t’i dhënë terren lulëzimi edhe parazitizmave. Përdoren njësoj dendur në shtyp e në tv e autorëve u duket sikur diskursit të tyre i japin diapazone e horizonte të reja kur hapin, i lidhin a i mbyllin fjalitë me to. Hiq parazitizmin ideor që përcjellin, mua kjo e fundit, në të dyja format, më duket me interes në rrafshin psikologjik; mund të mësosh për karakterin e hapur (dhe jo vetëm) apo të mbyllur (por jo vetëm) të përdoruesve të tyre nga një fjali e vetme, më tepër nga ç’mund të mësosh nga tre orë muhabet.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: