KUJTESA E RIFORMATUAR

kryeministriaPara pak ditësh, m’u desh të verifikoja një citat, nga një fjalim i paradokohshëm i ish-kryeministrit S. Berisha, të cilin e kisha nxjerrë nga faqja online e Këshillit të Ministrave.

Për habinë time, lidhja që kisha më çoi te një 404 not found. Mendova se mos ishin duke i bërë faqes ndonjë remont kapital dhe thashë të pres nja dy ditë; por sot shoh se Këshilli i ri i Ministrave e paska pastruar të vjetrin nga faqja, njëlloj siç do të pastrohen plehrat dhe kolltuqet e shkatërruara, nga vetë godina gërdallë e kryeministrisë.

keshilli i BerishajveOse, për të qenë më të saktë, faqja e vjetër nuk përmban më asgjë; ndërsa qeveria i ka dhënë vetes një faqe të re; e cila nga emri duket sikur i është kushtuar ndërtesës, jo institucionit. Gjithsesi, emri nuk ka rëndësi; përkundrazi, vijueshmëria institucionale e cenuar ka, madje shumë – sa kohë që asgjë në këtë faqe nuk dëshmon se qeveria e tanishme vjen në vijim të ligjshëm të një qeverie tjetër, e cila funksiononte, me mënyrat, meritat dhe mangësitë e veta, deri në fillim të shtatorit 2013.

Vërtet, seksioni i fjalimeve në sajtin e tanishëm përmban vetëm tre të tilla nga E. Rama; ndërsa seksioni “blog” të çon te http://www.edirama.al, çfarë duhet të jetë blogu i kryetarit të PS-së Rama, jo i kryeministrit, po të gjykosh nga materialet që përmban.

Dhe unë s’e gjeta dot atë që kërkoja –pikërisht një fjalim të Sali Berishës, në dimër të vitit 2011; edhe pse ishte figura që u tregoi qytetarëve Berisha, gjatë atyre muajve, që u bë shkas edhe për humbjen e zgjedhjeve nga PD-ja këtë vit. Duke i hequr nga qarkullimi këto materiale, administratorët e rinj të faqes kanë hequr një copë historie të rëndësishme jo vetëm për qeverinë Berisha, por për të gjithë, përfshi këtu edhe opozitën.

Me sa mbaj mend, faqja e vjetër e Këshillit të Ministrave i ofronte për lexim të gjitha fjalimet e Berishës, në cilësinë e kryeministrit; çfarë duhet konsideruar si shërbim publik, i një faqeje që mbahet me paranë e qytetarit. Nuk mbaj mend të kem kontrolluar, nëse do të gjendeshin atje edhe fjalimet e Metës dhe të Nanos; me çfarë po shoh tani, me siguri nuk do t’i kisha gjetur.

BamiriPër fat të keq, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me faqen e Presidentit të Republikës: www.president.al; lidhjet drejt materialeve më të vjetra, p.sh. fjalimeve të presidentëve të mëparshëm, përfshi këtu e B. Topin, nuk funksionojnë më – në një kohë që faqja përmban material të bollshëm deri edhe për zonjën e parë.

Meqë magazinimi sot nuk kushton pothuajse asgjë, nuk do të kenë qenë arsyet financiare për këtë zerim që u është bërë sajteve të tilla qendrore; dhe këputja e vijueshmërisë tradhton një mendësi revolucionare, prej uzurpatori, që kërkon me ngulm t’i nisë gjërat nga A-ja ose nga zeroja.

Praktika e fshirjes, e çrrënjosjes, e shkuljes me themel, e qilizmit nuk i shërben as pushtetit, as pushtetarëve, as qytetarëve as demokracisë; por është më tepër një refleks, një automatizëm që – për mua – tregon sa shumë na mbetet për të bërë, për ta kuptuar si funksionon shteti që ia kemi dhënë vetes me Kushtetutë, në krahasim edhe me shtetin që do t’ia kishim dhënë vetes, po të mbanim vesh “kushtrimin e të parëve.”

Asgjë nuk do t’u kushtonte, administratorëve të sajteve dhe drejtorëve të informacionit përkatës, që të ruanin, në seksione të veçanta, materialet e administratës paraardhëse, qoftë në Këshillin e Ministrave, qoftë në Presidencë; sepse transparenca, e trumbetuar si virtyt i një pushteti që është i qytetarëve dhe për qytetarët, nuk funksionon vetëm në hapësirë por edhe në kohë.

Tek e fundit, në perspektivën historike të Republikës, vijueshmëria e institucioneve vlen më tepër se rezultati i këtyre apo atyre zgjedhjeve parlamentare; dhe, natyrisht, shumë më tepër edhe se vijueshmëria e selive të këtyre institucioneve.

Nuk ka komente

  1. E vetmja vijueshmeri nga nje qeverisje ne tjetren, eshte mentaliteti i “Vitit 0” si pikenisje. Kjo praktike e fshirje se kujteses institucionale reflektohet edhe ne nivelet me te ulta te administrates shterore. Largohen drejtues apo nenpunes nga puna dhe fshijne nga pc te gjithe dokumentacionin dhe informacionin. Ligji parashikon iventarizimin dhe dorezimin e te gjithe dokumentacionit nga nenpunesi qe largohet por praktikisht largimi merr pamjen e nje debimi.Ka raste kur te larguarit, nga casti njoftimit per nderprejen e marredhenieve te punes , nuk i lejohet te hyje me ne zyre. Logjike pushtetaresh qe sillen si pushtues! Kujtesa institucionale jane burimet njerzore te qendrueshme dhe informacionet e ruajtura jo vetem neper arkiva por edhe ne site, per te qene te aksesueshme per publikun. Sa kohe qe rotacioni do shikohet si rishpikje e rrotes, berja e shtetit do te mbetet perhere nje pune sizifi.

    1. ne ministrine e arsimit p.sh. me thane per nje keshilltar te ri, professor ne fakultetin e shkencave sociale, se sapo erdhi ne zyre pastroi te gjitha dosjet e keshilltarit te vjeter per arsimin parauniversitar, i fluturoi nga dritarja per ne kosh.. nje kujtese institucionale jo vetem dosjet, por edhe personi… nuk ka ky person kureshtje te dije se c’eshte bere? jo, deshiron te pyese larte e poshte per kete gje, te degjoje thashetheme, te mos njihet formalisht, e te thote: e krijova une nga e para.. sikur te ishte ndonje artist i fshehur ne nje shpelle per te mos u infektuar nga memet sorollatese

      Kur themelohen keshillat apo bordet, askujt nuk i shkon ndermend te marri nje ish-minister a ish-anetar per te krijuar vazhdimesi, njohur me problematikat etj…. por jo p.sh. po ky keshilltari (nga artikujt qe ka shkruar neper media deshmon mediokritet, por ceshtja e tij) nuk ka nevoje te pyese askend, e eshte i gjithedijshem.. kjo mendesi pershkon tufat e burokrateve qe mendojne se zoterojne dijen institucionale… zoterojne ne kuptimin e pronesise .. prandaj edhe kur ikin e fshijne PC-ne se mendojne se e kane te tyren, sikur ofiqin qe e ka perdorur si ciflig.. koka e shkrete, nuk ka krijuar dicka ne jeten e tij, dhe e ruan nje udhezim a urdher te firmosur per ta vendosur me kornize gjekundi, si kokat e derrave te eger ne perrallat e gjahtareve

      prandaj edhe kjo nevoje e burokratit per te krijuar gjithcka nga e para… pa pyetur: dale more c’kane bere? perse? kush?

      vura re edhe ate intervisten e kryetarit te akademise, e asaj zhgualles te turpshme te dikur-shkences shqiptare qe nuk ka nje shkencetar ne te, dhe kepuste tjetri brockulla per reformen institucionale ne shkence, pa kurrfare vleresimi te situates, te efekteve te reformes .. po nejse teme per dite tjeter… e ky do te beje prape reforma .. u bene reformat si te ishin prova ne dhomen e veshjes ..

    1. Tani edhe unë arrita të hap http://arkiva.km.gov.al/

      Nuk më duket e plotë, por gjithsesi ekziston. Kushedi, sa vura re unë mbrëmë, ka qenë pasojë e riformatimit të sajtit. Kushedi edhe e kanë lexuar shkrimin tim dhe kanë reflektuar 😉

  2. Une jam vertet e gezuar per sa kuptoj nga komunikimi i peshperitesit dhe xhaxhait. Nese shtypi arrin te ndryshoje shoqerine ne kete model, nje e ardhme me e mire na pret. Vecse duhet te jete edhe nje institucion qe eshte i hapur ndaj ndryshimit pozitiv dhe ndaj korrigjimit te gabimit te vet. Ne nje tradite te qelbur, shume mund te gabojne. Ceshtja eshte te duash te ndryshosh kur te bejne te realizosh gabimin. Shkurt, une jam entuziaste nga cdo krah qe ta shoh kete pune.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: