PROTOKOLLE LEXIMI NË LETËRSINË SHQIPE

nga Gazmend Krasniqi

Si paraqitet situata me protokollet e leximit të letërsisë shqipe? Në kaq vite që Shqipëria është një vend me pluralizëm estetik dhe mendimi, a jemi aty ku kemi ëndërruar të jemi në momentet më të vështira të historisë së saj?

Çdo kohë ka nevojë për këto pyetje.

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, ndër të tjera, me letërsinë shqipe në një moment kyç të saj, shohim se:

  1. Nga viti 1945 ndërpritet arbitrarisht një traditë e zhvilluar në lirinë e vet: hiqet nga qarkullimi një pjesë thelbësore e kësaj letërsie
  2. Nga viti 1973 imponohen dhunshëm modelet ideologjike

Rastin e dytë na e bën të qartë një shkrim i kohës (gaz. “Drita”, 11.III.1973), kur po projektohej kryetari i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, i cili deri në atë kohë qe një poet ndër të tjerët. Në këtë shkrim, kryetari i ri nuk pranon që dikush të shprehet “… hëpërhë këto janë të metat e pashmangshme të kërkimit në art, prandaj s’ka asgjë shqetësuese”. Ai ka ardhur për të ligjëruar një platformë të qartë, prej njeriu që po vishet me pushtet politik e ideologjik. Sigurisht, ajo që parashtron shkon përtej individit X. Sipas tij

Arti është ideologji, në të ka luftë ideologjike, ka mohim të asaj që nuk i shërben shoqërisë sonë dhe pohim të asaj që i shërben. Poetët tanë të mirë, si bij të revolucionit, gjithnjë kanë pasur frymë të lartë revolucionare dhe militante. Poezinë e tyre ata e kanë vënë në shërbim të revolucionit dhe socializmit, duke ruajtur gjithnjë shpirtin kombëtar, duke shprehur psikologjinë kombëtare.

Modelet që e dëshmojnë kërkesën e tij janë: poema të tilla si “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Sh. Musarajt, “Prishtina” dhe “Pranvera e madhe” të Ll. Siliqit, “Përse mendohen këto male» dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” të I. Kadaresë, “Drashovicë” dhe “Alarme të përgjakura” të F. Arapit, “Ashtu Myzeqe” e A. Çaçit, “Proletarët” e L. Qafëzezit, “Heronjtë e Vigut” e K. Jakovës etj.

Janë artikuluar kështu protokollet e leximit[1], deri më 1990, me rënien e Murit të Berlinit.

Më vonë, në mbyllje të këtyre viteve, Kadareja do të thoshte se brezi që hyri në këtë kohë në letërsi, kishte më shumë lidhje me brezin që hyri në letërsi në vitin 1945-1960, një brez që doli nga Lufta, sesa me brezin 1960-1975, një brez i shkolluar jashtë vendit, edhe pse në Lindjen komuniste.

Është e tepërt të thuhet se asnjëra nga veprat që përmenden – vepra tipike të RS – nuk e ka kapërcyer kohën[2]. Që ai nuk ishte një shkrim i rastit, por një platformë, e tregon edhe fakti që ai nuk mbetet në gazetë, por përmblidhet në një libër me titullin “Arti dhe koha”, në vitin 1980.[3] Agolli, kryetari i ri, qe shumë aktiv me shkrime në këtë periudhë. Shkrimet e tij të mëparshme kishin qenë në të njëjtën linjë, por tani ato bëheshin programatike, duke pasur parasysh që ai do të jetë kryetari i ri i LSHA, si produkt i drejtpërdrejtë i shkollës sovjetike në letërsi, vendi ku ishte shkolluar, ndryshe nga paraardhësi (Dhimitër Shuteriqi – i shkollës franceze, por me anime më se të qarta sociologjike), i cili e kishte pasur një këmbë në letërsinë e traditës para-realizëm socialist.[4] Ky i fundit, që ekzekutuesi i pikës 1.

Krahasimi me fjalët që kishte thënë Asdreni që më 1912, se vjen koha që letërsia të ndahet nga politika, nuk do asnjë koment. Ky regres në kurrikulat e letërsisë nuk ishte i pari, pasi kishte ndodhur në disa momente të historisë, si në kohë lirie, ashtu edhe në kohë shtrëngese politike. Është e rëndësishme të kujtohet prej nesh, sepse lidhet me trashëgiminë që kemi sot. Dihet se njeriu formohet në mënyrë të pashmangshme nga konteksti kulturor. Mendojeni pak targetin e kësaj platforme – brezin që në këtë kohë qe në ciklin e ulët shkollor. Mendoni librat e shkollës, libraritë, bibliotekat – botimet shqipe, të traditës dhe bashkëkohore, si dhe përkthimet. Për atë brez qe përgatitur shpëlarja e trurit.

Në vitet ‘90, mendimit letrar shqiptar i duhej të përballej me këtë traditë mbisunduese. Pastaj, studentët e djeshëm qenë akademikët aktualë.

A është platforma e Agollit një ngërç momenti apo ai është ndjerë pjesë e saj? Krijimtaria e tij tregon se anon nga kjo platformë.

Janë bërë përpjekje për të paraqitur prej tij një poezi më të butë, me një gjuhë më të përpunuar. Në antologjinë “Poezi” (2003),[5] ai është prezantuar me poezitë “Zogu i kaltër”,[6] ku dominante është fjala e zgjedhur me kujdes, pa ideologji, edhe pse jo me ndonjë përshkënditje të veçantë dhe ndërtimi i një strofe 5 vargëshe, si dhe me një përshtatje nga poezia e R.Burns, “Findlej”,[7] ku përsëri është dominante gjuha e zgjedhur, pa ideologji, dhe ritmi virtuoz. Me këtë përzgjedhje ndihej prirja që tregonte se me çfarë mund të mbetej ai në poezinë shqipe.

Meqë dukej sikur i qe ngrënë haku para dishepujve të tij, më vonë u shtua poezia “Mos ma kujto”,[8] shumë e përhapur dhe e popullarizuar në rrjetet sociale. Por edhe në këtë poezi, me gjithë përdorimin e disa mjeteve stilistike të përsëritjes, ligjërimi është deklarativ dhe i drejtpërdrejtë. Fjalët janë me kuptimin e tyre si në fjalor. Autori shpalos artin e shprehjes dhe jo të shpikjes. Agolli nuk e ngarkon poezinë me ambiguitet (me vagullësi kuptimi), që i kërkon lexuesit angazhim të madh për ta “zbërthyer”. Fjalët nuk godasin me përzgjedhjen e tyre, por janë në shërbim të një mesazhi konkret. Pra na duhet të lexojmë poezinë hap pas hapi për të arritur në mesazhin që ajo përcjell.

2.

Ia vlen të kujtoj se zgjedhja për diskutim e asaj që ndodhi në vitin 1973 nuk është krejt e rastit. Desha të thosha se – duke e parë tashmë në planin personal – atëherë kur u thanë ato fjalë, përkonin me kohën kur brezi im fillonte leximet e para. Qe paracaktuar: ai brez nuk mund të shihte përtej kornizës që qe përgatitur për të. Ishte si puna e mbretit lakuriq: pritej fëmija që sheh realitetin. Po a ekzistonte ky fëmijë?

Se sa qe ngulitur në nënndërgjegje tmerri nga ajo kohë, duket nga një histori që ndodhi në një bar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve në fillim të viteve 90. Po pinim kafe me njërin nga përkthyesit e rinj të asaj kohe, premtues dhe pa të kaluar socrealiste, që sapo kishte filluar punë në gazetën Drita, kur na erdhi në tavolinë poeti Fatos Arapi, i cili ishte konfident me bashkëbiseduesin tim, por jo me mua.

Figura e tij më kishte mbetur në mendje, në ambientet e LSHA, duke i thënë Rreshpjes, që nuk e di se me kë bënte ca lëvizje peripatetike në atë pjesën si ballkon të klubit, sa herë ai afrohej: O Frederik, shkruaj ndonjë vjershë! O Frederik! Rreshpja, megjithëse shihej i mikluar, brenda natyrës së tij, prej këtyre fjalëve, nuk i kthente përgjigje, por vazhdonte peripatetizmin e tij. Vazhdoj ta kem të fotografuar në kujtesë këtë skenë.

Arapi ka pasur një të shkuar debatuese me Kadarenë. Ka shkruar një libër që i kundërvihej letërsisë së tij. Foli rreth një orë për këtë marrëdhënie, por mbaj mend vetëm fjalët kongres, plenum, që përsëriteshin herë pas here. Pra biseda e tij qe e mbytur nga ideologjia. E mbaj mend shumë mirë këtë moment: edhe pa vënë duart në veshë, ia dola, në mënyrë instinktive që fjalët të hynin nga njëri e të dilnin te tjetri. Vitet ‘90 nuk kanë qenë aq të qeta.

E pyes veten nganjëherë nëse ia ka vlejtur ta dëgjoja, por përgjigjja mbetet “jo”. Edhe pse u bëmë miq ca kohë më vonë. Çmimi “Kurora e Strugës” kishte kaluar pa jehonë. Kjo qe arsyeja, pra që kishte kaluar ai çmim pa jehonë, që e takova dhe e urova, kur u pamë në rrugë. Dukej qartë se iu bë qejfi. Ai e dinte se në atë rrugë mund të më shihte dhe u takuam shpesh.

Kur takimet tona u ndërprenë, pyeta për të dhe më thanë se qe i sëmurë. Kërkova të ma tregonin shtëpinë e tij, por më thanë se qe e kotë: familjarët e tij nuk ishin dashamirës me të huajt. Nuk mund ta besoja se do të më pengonin, kur ai ta merrte vesh se isha unë, megjithatë e humba iniciativën pak nga pak.

Sidoqoftë, e mora vesh më vonë se familjarët e tij qenë të vendosur në idetë e tyre. Ata refuzonin vendosjen e poezive në një antologji me karakter shkollor, me arsyetimin se kishin botuar veprën e tij të plotë dhe njerëzit mund ta gjenin aty. Sigurisht, ishte një argument jo në shërbim të veprës së Arapit: cili gjimnazist hap veprën e plotë? Unë mendoj se asnjë antologji e poezisë shqipe nuk mund të jetë e mundshme pa dy-tri lirika të këtij poeti. Por këtë e mendoj nga krijimtaria e pas viteve ‘90. Pjesa tjetër është muzeale. Shkroi shumë në këtë kohë: donte ta kapte kohën e humbur, që ia kishte kushtuar atyre poemave me metafora të ashpra, por edhe momente lirike. Donte të sillte në vëmendje se dikur kishte lexuar me zell Kuazimodo-n.

Arapi mbetet i rëndësishëm në momentin e hapjes së formës së poezisë shqipe. Ato lirikat e shkurtra më të hershme, të cilat bënin përshtypje me vizionin e pastër, e kanë të vështirë ta marrin klasën, për një antologji që shtrihet në të gjithë gjerësinë e poezisë shqipe, që nga fillimet e deri më sot.

Emërtimet “i madhi”, “patriarku i letrave shqipe” për Agollin, vijnë nga koha kur bënte politikat e poezisë e të letërsisë në përgjithësi. Sot mund të shihet se atë e përfaqëson më mirë një letërsi fabuleske, që mund të përdoret në ciklet shkollore parauniversitare. Gjuha e tij prej ligjërimi klasik, sipas konceptit barthesian, nuk i përgjigjet analizave universitare, sipas teorive letrare moderne. Kështu, në përgjithësi, vjen si poet “minor”. Pra, më minori ndër të mëdhenjtë dhe më i madhi ndër minorët. Qoftë edhe me ato pak lirikat që janë bërë këngë dhe janë popullarizuar. Megjithëse atë përshtatjen e “Findlej” do të doja ta kisha bërë unë. Së bashku me Ali Podrimjen janë poetët më të fryrë, që nuk i bëjnë shërbime të mira poezisë si poezi. I dyti dëmtohet nga ideologjia kombëtariste, e cila duket sikur e mbulon për një moment mungesën e mjeshtërisë. I mbeten disa eksperimente. Aspekti i jashtëm i diskutimit, i llojit “po e vrava arbëreshin, kush do ta vrasë ujkun”, nuk shpëton nga mbiinterpretimet, për të mos thënë banalizimi, si shumë poezi të Agollit.

Nga kjo treshe poetësh, Kadare mbahej gjithmonë si më intelektuali. E lexoja, duke kërkuar te poezitë e para, që nuk qarkullonin shumë, sikur do të zbuloja ndonjë sekret, por pa fituar ndonjëherë ndonjë entuziazëm. Kështu që, një herë, kur më erdhi në shtëpi njëri nga miqtë në shijet e të cilit besoja, i thashë: Ja ku e ke librin. Hape ku të duash dhe më thuaj nëse nuk është kështu siç them unë.

Nuk mund ta mbronte idenë e parë. Kujtesa ma sjell të freskët këtë moment. Sigurisht, është naive ta mendosh se nëse e shmange një model, e gjete rrugën që të duhet. Të paktën në Shqipërinë e asaj kohe. Ishte një proces i gjatë.

Në vitet 90 Arshi Pipa qe i pari që tha për poezitë e librit “Ftesë në studio”: Nuk janë poezi. E shkroi te gazeta “Dielli”, por ky shkrim doli në Tiranë te një gazetë që shumkush e ka harruar, ose nuk e ka ditur se ekzistonte. Quhej “Sindikalisti”. Është i njëjti shkrim ku ai çmonte tepër lart portretin që Kadareja i bën Poradecit.

Ashtu si në rastin e Arapit, asnjë antologji e poezisë shqipe nuk mund të jetë e mundshme pa dy-tri lirika të këtij poeti, por këtë herë nga krijimtaria që lidhet me fillimet e krijimtarisë: me qëndrimin e tij në Moskë, ku, në shembullin e Majakovskit, po jepte ndihmesë për hapjen e formës në poezinë shqipe. Shto: përdorimin e lirë të një leksiku tjetër. Siç e kam bërë tashmë këtë në tri antologjitë e poezisë shqipe të hartuara prej meje. Pjesa tjetër është muzeale.

Përmbledhja më e mirë është ajo që ka bërë vetë: Ca pika shiu ranë mbi qelq. Aty ndjehet mënyra se si e ka kërkuar hapjen e formës. Parathënia e Ali Podrimjes është sforcuar dhe nuk paraqet interes.

Një herë, në një bisedë mes nesh, Azem Shkreli më tha: Ai do ta bënte edhe poezinë, por iu kushtua prozës. Kjo më kujton atë që themi shpesh: Si do të kishte shkruar Migjeni pas vitit 1945? Pra, në rastin e Kadaresë, a do të kishim një Jevtushenko?

Shumë e vështirë të merresh me këtë çështje hipotetike.

Në gjykimin tim, nuk ishte aspak refuzues, siç njihet rëndom. E kam takuar vetëm një herë, në rrugë, dhe kishte dëshirë të fliste pa fund. Aty dëgjova prej gojës së tij për befasinë që kishte shkaktuar tregimi “Para banjës” në Hungari. Nuk e di a mburrej me këtë tregim, por bash ai na ka lidhur dhe na mban të lidhur, sepse në të kam parë modelet e postmodernizmit shqiptar dhe e kam përcjellë te studentët. A ndjehej postmodernist? Nuk besoj. Megjithatë, duhet pyetur. Sidoqoftë, kuptohet që është ndikim leximeh.

Historia e lidhjes qe kjo: një studiuese shqiptare po merrej me botimin francez të ngritur mbi disa tregime – model dhe remikseve të bëra mbi to nga disa shkrimtarë më të rinj. Para banjës qe njëri nga tregimet model. Kadareja kishte kërkuar që punimi i studiuesit shqiptar të shoqërohej me një shënimin tim, të cilin e kam realizuar, çka justifikonte takimin tonë.

Pas atij takimi, kam ëndërruar të bëj një bisedë të gjatë me të, për të “zbuluar” mendimin e tij letrar, tashmë në kohë lirie, pasi para viteve ‘90 nuk mund të shfaqej hapur, por kjo bisedë nuk u bë kurrë, ca për pengesa objektive, ca për pengesa subjektive të ndokujt. Mbaj mend të jetë prononcuar dikur për botimin “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), ku kërkonte më shumë vend për autorët e vjetër, si dhe për tekstet shkollore për fëmijët, ku duhej të futeshin klasikët dhe jo thjesht shkrimtarët që “shkruajnë” për fëmijë. Si dhe shkrimi i lartpërmendur për tri fazat. Gjithmonë kam menduar se eseja për Migjenin nuk i sillte gjë mendimit letrar: ishte gjithmonë përtej tekstit.

Nuk duhet harruar se në vitin e ekzilit (1990), ai artikulohej për epërsinë e letërsisë së realizmit socialist. Pas ekzilit të tij nuk pat ndonjë vendim zyrtar që të ndalonte veprën e tij si publikime të ndryshme apo tekste shkollore, siç kishte ndodhur me të tjerët kur shpalleshin “tradhtarë”. Si ta kuptosh?

Por Kadareja më vonë ka dhënë vështrimin më stigmatizues për poezinë e RS.

Poezia – këto fjalë i përkasin një interviste të dhënë në një organ letrar parisien – në të kundërt me atë që thonë shkrimtarët e ish-bllokut të Lindjes, që e prezantojnë si avangardë të letërsisë, ishte turpi i letërsisë. Pjesa më e turpshme, më deklarativja, më entuziastja, më socialistja, më komunistja, më idiotja. Të gjitha vendet komuniste mundohen të mbrojnë poezinë, të tërheqin antologji poemash nga qindra-mijëra ekzemplarë dhe… por nuk dua të flas, kjo ma pështiros të gjithën. Në fakt, mendoj se poezia është më fajtorja mes zhanreve letrare në bllokun e vjetër komunist. Ishte më agresivja, më pozitivja për sistemin. (Sipas Le Magazine littéraire – Gazeta Shqiptare, 9 mars 2009).

Është e qartë se ky reagim është plotësisht kundër platformës së lartpërmendur agolliane. Por këtë mendim e shprehte jashtë Shqipërisë, edhe pse ai u përkthye në një gazetë shqiptare. Sidoqoftë, këto qenë sinjale se mendimi letrar kadarean përcjell paradokse. Vlen të përmendet qëndrimi stigmatizues që Kadare shfaqi ndaj shkrimtarit amerikan John Updike në disa shkrime të viteve 60-70, ndërkohë që ky i fundit do i bënte një recension të shkëlqyer romanit “Kronikë në gur”, në kohën kur libri u publikua në SHBA. John Updike u pozicionua si një dashamirës i madh i këtij libri dhe u shpreh për vlerën e tij artistike.

I pëlqente të bënte ikonoklastin. Në kah të kundërt me Kunderën që shprehej se me Kafkën fillonte modernizmi – përzierja e reales me ëndrrën – në një revistë prestigjioze ndërkombëtare e quante atë realist. Ose shprehej se teoricienët nuk duheshin lexuar, megjithëse bëhej fjalë për Jakobsonin, që rëndom quhej Aristoteli i kohës sonë. Vetëm te “Bisedat me Alain Boskenë” shpreh një intuitë për t’u marrë në konsideratë të veçantë: Një harmoni sipërane bën që jo vepra e krijuesit të burojë prej jetës së tij, por, përkundrazi[9].

3.

Kjo qe treshja e famshme e poetëve me të cilën duhej të rritej e të ushqehej brezi im.

Rezervat ndaj saj nuk ishte e lehtë t’i shfaqje as atë herë, por as edhe sot, pasi kanë mbetur shumë “tifozë” të tyre, të cilët nuk besojnë tek ai postulati “kur të kërkohen vlerat”. Në botën akademike dhe atë amatore.

Por le të rikthehemi në kohën kur në Shqipëri filluan të hyjnë antologji të poezive të huaja, gjë që në pamje të parë dukej si shpëtim për ata që aspironin artin e poezisë.

Por nuk doli ashtu: Zgjedhja dhe përkthimi qenë punë e vështirë. I thashë një herë Azem Shkrelit se më pëlqente poeti boshnjak Sarajliç dhe u befasova kur ma ktheu se është fjalëshumë, si poetët rusë, pasi kisha parasysh të kundërtën: përkthimet ma kishin dhënë si konciz. Kujtoj se dikur u mërzita aq shumë nga “Antologjia e poezisë franceze”, sa ia dhashë dikujt që aspironte të shkruante, duke i thënë të mos ma sillte më. Mezi prisja të shpëtoja prej antologjisë që e kisha menduar si shpëtim.

Në të vërtetë, ia kërkova kohë më vonë: kishte ecur mendimi im për poezinë. Atëherë e pashë se sa shumë i shijoja dy përkthimet e Lasgush Poradecit, edhe pse e dija se nuk do të shkruaja ashtu. Ishin të vetmet që më sillnin idenë e poezisë. Nuk kishin fjalë false, siç shprehej Lasgushi. Qenë poezitë “Mesditë” e Leconte de Lisle (parnasian) dhe “Mulliri i vjetër” e Emile Verhaeren (simbolisti belg). Si shpjegohen vlerat e tyre? Lasgushi u kap te poezia që shihte pranë vetes dhe i shqipëroi ato, duke i rikrijuar. Pra, poezia duhej të tingëllonte e shkruar shqip, sepse i ofronte të vetmen mënyrë të artit që dinte të bënte.

Vetëm për to e ktheva librin në bibliotekën time. Vazhdoj ta kem.

Antologjia e poezisë turke, e cila në fillim ngjallte interes, u vjetrua shumë shpejt. Nuk më kujtohet asgjë. Dhe nuk e kam më. Por besoj se qe përkthyer përgjithësisht nga gjuhë të tjera.

Kanë poetë të mirë, i thashë një herë Rreshpjes, duke pasur parasysh antologjinë e poezisë greke. Nëse do të përktheheshin mirë, ma ktheu. Më vonë u bënë libra më të mirë me poezitë e Kavafit, Seferisit dhe Elitisit, poetë që më interesonin dhe vazhdojnë të më interesojnë. U përkthyen më mirë. Siç thotë Elitisi në fjalimin që mban me rastin e marrjes së çmimit Nobel: na njihni ose ju njohim rreth 10 apo 30 përqindëshit që mbetet nga përkthimi.

4.

Edhe pse duket e kundërta, kam mësuar më shumë nga poezia shqipe e traditës, sesa ajo botërore. Duhet t’i afrohemi gjithnjë e më shumë idesë së sistemit letrar. Asgjë nuk e përcakton më shumë një poet sesa tradita e gjuhës në të cilën ai shkruan. Edhe për të qenë ndryshe, është tradita ajo që të përcakton. Po të mos e kuptojmë këtë, nuk kemi marrë vesh asgjë nga poezia.

Dukej sikur në Shqipëri nuk do të vinte asnjëherë koha kur poezia të mos ishte në shërbim të diçkaje, por të qëndronte mbi bazën e poezisë si të tillë. Presioni i librave të shkollës, i mekanizmit të vlerësimeve letrare e shtynin më tej këtë horizont. Në vitet 90 erdhi një brez refuzues, por ishte si thotë populli, pas pilafit. Për mua refuzimi nuk e bënte poezinë dhe këtë e kam ilustruar shpesh me rastin e piktorit Sezanne, që thoshte se donte ta bënte pikturën artin e muzeve.

Ishte krijuar më kot ideja se poezia shqipe nuk ofronte modele për t’u ndjekur. Kam dëgjuar njerëz duke ulëritur kundër poezisë së Migjenit dhe nuk pranonin asnjë argument tjetër. E pra, ata nuk e dinin se po lexonin Migjenin e Shuteriqit, dhe jo Migjenin Migjen. Modele mbeteshin për t’u zbuluar vetë. Kush e kishte çuar ndërmend se më shumë të mësonte poezia e Jul Varibobës se sa ajo e një antologjie të tërë të huaj!

Në një intervistë të hershme (revista letrare Ars), në listën time të vlerësimeve mungonte Camaj, i cili sapo i ishte prezantuar publikut shqiptar. Atëkohë isha nën presionin e mendimin lasgushian: pak poezi. I cili qe shprehur (nga libri “Lasgushi më ka thënë”):

Arti nuk është për të gjithë njerëzit. Është për ata që e ndiejnë. Ose: Ja të marrim poezinë, atë më të mirën. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e di as që ajo ekziston. Një pjesë e ka dëgjuar, por nuk e ka lexuar. Një pjesë e do, e lexon, por nuk e ndien, nuk e kupton dhe e harron. Ose: Po artisti për ne krijon? Jo. Krijon për vete. Tjetër punë, pastaj, nëse krijimi i tij na kënaq edhe ne. Ose: Mos e bëri Danteja poezinë e Beatriçes, që të kënaqte Beatriçen? Beatriçja, edhe në ka ekzistuar, as e ka lexuar, se mos do të ketë ditur shkrim… Ose: Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi. Mos ki frikë, se ke shkruar gjithë jetës sate vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkruar njëqind poezi. Ose: Sot, këtu dhe në tërë botën shkrimtarët shkruajnë shumë, se me ato shkrime fitojnë para, sigurojnë jetesë të mirë, blejnë nga katër palë pantallona.

Kështu, Lasgushi inicionte poezinë e zërit të parë: poeti që i drejtohet vetes ose askujt. Apo poezinë për lexuesin model, sipas konceptit të njohur të Eco-s.

Kur janë angazhuar, Lasgushi dhe Rreshpja kanë shkruar poezitë e tyre më të dobëta. Rreshpja që duket sot si poet popullor, shpesh paraqitet me poezitë që ai i hiqte nga botimet e veta.

Lasgushi bënte variante pa fund, duke besuar se ekziston përsosja. Rreshpja mohonte vazhdimisht të shkuarën, duke besuar, po ashtu. se ekziston përsosja. Ai jetonte panikun që i jepte liria e fituar në moshën 50 vjeçare. Por edhe pasigurinë ekonomike, që i ndjek poetët si ai.

Camaj ishte ndryshe: paniku i tij ishte se çfarë po ndodhte me letërsinë shqipe në përgjithësi, në një moment të vrasjes së lirisë së saj. Poezia e tij shtrihej në tri faza. – Nga tradicionalja, te modernizmi dhe postmodernizmi.

Martin Camaj është shkrimtari që të jep dorë më shumë kur flasim për lëvizjet letrare të shek. XX. Arshi Pipa thotë: Fillimet e tij letrare i përkasin një letërsie tradicionale. Legjendat janë një prozë e vjershëruar, nxitur nga vargu i lirë, çka ushqen edhe poezitë e përdorura te romani Diella.

Antiheroizmi dhe vargu i lirë, karakteristika të modernizmit, shqiptohen në vëllimin Njeriu më vete e me tjerë. Për të treguar vështirësinë e interpretimit të kësaj poezie, Arshi Pipa shprehet: Ato janë të shkurtra, duke hequr mënjanë zhavorrin narrativ që karakterizonte Legjendat. Stili merr një eptim të brendshëm, gjuha është guximshëm më figurative. I ndikuar nga poezia moderniste, poeti e gjen rrugën me të prekur përreth, duke u përpjekur të sajojë një gjuhë pa shembull në letërsinë shqipe.

Vepra Dranja, madrigale, e Martin Camajt, do të na jepte ngacmimin për një diskutim të saj si vepër postmoderniste. Postmodernizmi e pranon synimin e njeriut për të krijuar sistem, ndonëse tregon se ato janë konstruksione të njeriut, jo të dhëna një herë e përgjithmonë. Është rishqyrtim, nën dritën e vlerave të reja. Postmodernistët kënaqen duke ripunuar stile dhe forma të vjetra letrare dhe artistike, duke mos dashur të shkëputen plotësisht nga tradita, siç ndodhte me autorët e modernizmit. Fakti se vepra e “tradhton” zhanrin e vet, nuk do të thotë se zhanri nuk ekziston. Kjo bëhet gati të thotë “krejt të kundërtën”, dhe këtë për dy arsye. Së pari, që të ekzistojë si e tillë, kjo shkelje (thyerje) kërkon një ligj – pikërisht atë që duhet të shkelet. Së dyti, shohim se norma e re bëhet e dukshme, duke iu falur shkeljeve (thyerjeve) të saj.

5.

Është koha (në mos ka kaluar) për të folur për një letërsi postideologji, me markën e postmodernizmit, që ka një peshore tjetër nga pikëpamja e poetikës, e parë shpesh edhe si një metapoezi, apo desakralizim i gjinisë, ku:

– Kërkesa nga ana intelektuale përcakton një stil letrar përfshirës (duke thithur edhe lexuesin e prozës, siç pat teorizuar E. Pound-i), siç pat kthyer Eliot-i historinë e nxjerrë jashtë nga simbolistët;

– Dekanunizimi i standardeve kulturore, veprave dhe autoriteteve të mëparshme përcakton mohimin e autoritetit të autorit, zhvlerësimit të qëllimeve dhe synimeve të tij;

– Shmangia e seriozitetit dhe e përgjegjësisë, duke nxitur arbitraritetin dhe lojën, argumenton që kuptimi është i papërcaktuar, duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer, përzien zhanret, zhvesh kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë;

– Kundërshtimi i së pritshmes, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin, përcakton shkatërrimin e burimet e veta me parodi, ironi, pastiche, si dhe fragmentimin e teksteve, duke i kthyer në kolazhe e montazhe; apo: Meqë poezia është një art intertekstual, ndërtimi i një teksti të ri mbi shtresat e teksteve të vjetra, përcakton funksionimin si një realitet i ri artistik, pra si një tekst i ri poetik, që të kujtonte parimin e përmendur të poetikës së “kaleidoskopit”, përshkuar nga “ironia intertekstuale”.

© 2023 Gazmend Krasniqi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Kopertina: <a href=”https://www.freepik.com/free-photo/tables-romantic-window-shop-decoration_1044169.htm#page=2&query=burned%20chair&position=4&from_view=keyword&track=ais”>Image by mrsiraphol</a> on Freepik

 


[1] E përdorim këtë term sipas mënyrës që e ka përdorur teoricieni Wayne C. Booth te libri “Protocols of reading”.

[2] Brenda këtyre modeleve kishte disnivele. Në poemat e Kadaresë dhe Arapit kishte nota të reja në formën e vargut dhe leksikun e përdorur, parë në raport me traditën

[3] Pastaj, shkrimi vazhdonte me gjuhën e drunjtë të kohës: Prandaj tradita e vjetër dhe e re e poezisë sonë dhe ideologjia jonë ngadhënjimtare, që shprehet në përmjet mësimeve të Partisë dhe të shokut Enver, janë një forcë e pashtershme që e shtyjnë përpara krijimtarinë tonë poetike dhe u vënë një postbllok të pathyeshëm gjithë ndikimeve të artit të degjeneruar borgjez dhe revizionist. (Arti dhe koha, SHB Naim Frashëri 1980, fq. 182-183).

[4] Megjithëse kontribuoi në ndalimin e shumë prej shkrimtarëve të traditës, në bazë të kallëpeve politike, ai nuk shpëtoi asnjëherë nga mendimi letrar i traditës, as kur drejtoi botimin Historia e letërsisë shqipe, as kur hartoi një antologji poetike të quajtur “Poezia shqipe” (1966?). në të dy rastet, ai i detyrohet shumë asaj. Por një kryetar i tillë nuk duhej më. Realizmi socialist donte të mbretëronte i vetëm. Gjithsesi, ndërkohë, Shuteriqi qe ai që ndërtoi mendimin letrar të realizmit socialist, sidomos nga puna që bëri me krijimtarinë e Migjenit, i cili u lexua për disa dekada siç e kishte dhënë ai. Vetë një shkrimtar me ambicie, duket se nga realizmi socialist, ai pranonte vetëm Kadarenë. Njihet punimi i tij entuziast në gazetën Drita për poemën “Përse mendohen këto male”.

[5] Krasniqi, Gazmend. Poezi (Sprovë antologjike). Sh. B. Naim Frashëri, Tiranë 2003

[6] Në fshatin e vogël me mollë/ Më vinte një zog në dritare/ I kaltër si fletë e sqephollë/ Nën cipën e qiellit të larë/ Me vesë e me shi e me llohë.

[7] – Po kush me shkop në xham troket?/ “S’do mend që jam Findlej!”/ – Shtëpia fle dhe s’ka lezet!/ “Nuk fle!” – i tha Findlej.

[8] Osja, Vjollca & Krasniqi, Gazmend. Antologji e poezisë shqipe. Elve. Tiranë 2014; Krasniqi, Gazmend & Osja, Vjollca. Arti i poezisë. Albas. Tiranë 2021

[9] Dialog me Alen Boskenë. Onufri. Tiranë 2002, fq. 198

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin