TEKSTE DHE DIALEKTE

Ja një ide që mund të duket kundërintuitive: shqipja e “Mesharit” të Buzukut jep shumë më tepër të dhëna për dialektin (të folmen) e autorit se ç’mund të japë një ide analoge, për dialektin (të folmen) e autorit, një vepër analoge e letërsisë frënge ose greke. Kjo, ngaqë Buzukut në parim iu desh “ta krijojë” vetë shqipen e shkruar dhe – megjithë ndonjë hipotezë që është hedhur – ai nuk kishte pararendës që t’u referohej, siç e lë të kuptohet te Pasthënia e librit (një shpjegim shterues te ky artikull i Anton Nikë Berishës). Burimet e tij filologjike – përtej skripturës – janë italishtja kishtare, latinishtja dhe shqipja që fliste ai vetë dhe mbase komuniteti intelektual i të cilit ndihej pjesë.

Në po atë vit që u botua Meshari, Edmund Bonner, peshkop i Londrës, botoi një vepër të ngjashme, me titull Homelies to be read within his diocese of London of all Parsons, vycars and curates, por anglishtja e kësaj vepre është e integruar mirë në anglishten e shkruar të shekullit XVI dhe vështirë të ketë lidhje me të folmen e Worcestershire-s nga e kish origjinën autori. Kjo pasi, brenda një tradite letrare të konsoliduar, ligjërimi i shkruar, pasi stabilizohet, evoluon gjuhësisht ndryshe nga ligjërimi i folur dhe i bindet, para së gjithash, diktatit intertekstual.

Filologët e letërsive me histori shumëshekullore, si ajo greke ose latine, pikasin herë pas here forma dialektore që depërtojnë në tekstet e shkruara dhe që mund të lidhen me prejardhjen e autorit ose të shkollës përkatëse; diçka të ngjashme bëjnë epigrafistët, kur gjejnë forma vernakulare në tekstet e mbishkrimeve publike ose dokumenteve private. Megjithatë, këto depërtime nuk janë të mjaftueshme, për të krijuar një ide të mirë për dialektet e kohës kur janë hartuar veprat.

Si degë e gjuhësisë sinkronike, dialektologjia i ka fillimet relativisht të vona, në shekullin XIX, kur filloi mbledhja dhe sistematizimi i të dhënave për dialektet në Gjermani, në Francë dhe në Angli. Kjo e bën edhe më domethënëse ndonjë arritje si ajo e Dantes, që i përshkroi dialektet e Italisë te De Vulgari Eloquentia, të viteve 1304-1305 – gjithsesi, Dantja i përshkroi dialektet në vija të trasha, pa u orvatur t’i regjistrojë dhe t’i dokumentojë, në kuptimin modern të termit.

Veprat e hershme të letërsisë shqipe, si ato të Buzukut, Budit e Bogdanit, por edhe të Matrëngës në Itali, janë gjithnjë dëshmi të përpjekjeve të autorëve për të përftuar një shqipe të shkruar; por pikënisja e tyre materiale nuk mund të ishte veçse shqipja e folur. Nga ana tjetër, siç e kanë vënë në dukje mes të tjerësh edhe Çabej, edhe Sh. Demiraj, këta autorë që janë ulur të shkruajnë shqip nuk është se kanë transkriptuar besnikërisht të folmen e tyre; në atë masë që i drejtohet një lexuesi të pacaktuar dhe jashtë kontekstit imediat të komunikimit, ligjërimi i shkruar gjithnjë përgjithëson, duke i lëmuar format dhe duke përzgjedhur mes alternativave.

Megjithatë, kemi një paradoks: gjuhët e dëshmuara vonë me shkrim, si shqipja, i dhurojnë gjuhëtarit të dhëna dialektologjike më të hershme, se gjuhët me traditë shkrimore të konsoliduar prej shekujsh.

Duke analizuar shqipen e Mesharit të Buzukut, Çabej vëren se “përkatësi dialektore e gjuhës së veprës dhe proveniencë krahinore e autorit të saj nuk janë medoemos e njëjta gjë, me gjithë se në praktikë ndërliksen në mes tyre”; dhe më tej, se “megjithëse dialekti përbën bazën nga e cila është nisur autori ynë, ashtu si edhe pasardhësit e tij [ai] nuk ka shkruar në dialekt.” Një “gegërishte të shekullit XVI” e quan Çabej gjuhën e Buzukut, duke shtuar pastaj se ai “i përket pas gjase një krahine periferike e si e tillë gjuhësisht konservatore të Veriut,” edhe pse me elemente që e afrojnë me toskërishten dhe me arbërishten e kolonive. Analiza të mëtejshme, tek të cilat nuk po ndalemi, e bëjnë pastaj Çabejn të përsiatë “një përzierje dialektesh në të folmet e vendlindjes së [Buzukut]”, mbase të shpjegueshme “me një dyndje popullsie të trevave verilindore në ato të malësisë së Krajës, Ljarjes e Shestanit.”[1]

Në vernakular shtjellohet edhe folklori oral – por, të paktën deri vonë, tekstet folklorike janë fiksuar dhe përcjellë të transkriptuara nga specialistët, të cilët pa dashje, dhe më shpesh me dashje, i kanë modifikuar këto tekste për t’i bërë “më të bukura”.

Kështu do të jenë prekur “Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del napoletano…”, këngët arbëreshe për Skënderbeun që u botuan për herë të parë nga De Rada, në vitin 1866. Vëren studiuesi arbëresh Francesco Altimari se i pari që e vuri në dyshim origjinën popullore të rapsodive të De Radës ishte Gustav Meyer-i, në 1883, i cili gjithashtu hoqi i pari një paralele me këngët e Ossianit. Edhe August Dozoni, shton Altimari, ka shprehur dyshime të ngjashme.[2] Dhimitër S. Shuteriqi gjykon se këto këngë nuk janë “autentike,” por këngë të rëndomta dashurie të përhapura në gjithë Ballkanin bizantin dhe ku Skënderbeu është futur gati si një afterthought.[3]

Disa këngë të tjera, përkundrazi, tregojnë se kush i ka krijuar, ka njohur Barletin dhe Biemmi-n (p.sh., në njërën prej këngëve, gruaja e Skënderbeut del me emrin Marina, siç e quan Biemmi); çka konfirmon se këngët nuk mund të jenë “popullore”. Po ashtu, te “Skënderbeu dhe Ballabani”, poeti anonim përsërit disa motive të marra nga Barleti, të cilat Barleti vetë dihet se i kishte marrë madje kopjuar nga Tit Livi.

Disa prej këngëve kanë paralele të forta me epikën mesjetare greke, veçanërisht me atë akritike. Aty përmenden edhe emra vendesh të Moresë, prej nga mërguan drejt Italisë një pjesë e madhe e arbëreshëve. Shuteriqi beson se këngët arbëreshe për Skënderbeun pjesërisht janë këngë popullore standard, të retushuara nga autorë të lëçitur, të cilët kanë shtuar aty Skënderbeun; dhe pjesërisht janë shkruar prej këtyre autorëve, sidomos De Radës.

Po të jetë kështu, atëherë – dhe ironikisht – shenja dhe dëshmi të së folmeve arbëreshe të shekullit XIX do të gjejmë më fort në tekstin e Milosaos, se në vargjet e këngëve me gjasë “të mbledhura” në popull.

Një pjesë e madhe e folklorit të mbledhur dhe të botuar nga veprimtarë të Rilindjes Kombëtare gjatë shekullit XIX dhe fillimeve të shekullit XX nuk është trajtuar me kritere rigoroze dhe nuk mund të shihet sot dhe aq më pak të përdoret si dokumentim i të folmeve (dhe dialekteve) shqipe të kohës.

Për folklorin, do të vërejmë pra të kundërtën: tekstet e mbledhura dhe të botuara me synime patriotike i ruajnë të forta gjurmët e atyre që i kanë hedhur në letër (intentio auctoris), po aq sa ç’i ruajnë të forta gjurmët e të folmeve dialektore të autorëve tekstet e para letrare të shqipes.

Një folklorist që e merr në sy ta “pastrojë” këngën popullore nga turqizmat, qoftë edhe me bindjen se ashtu po e sjell në autenticitet, po lë në fakt aty nënshkrimin e vet si autor i transkriptimit, gjithë edhe duke iu bindur një diktati ideologjik ose pedagogjik të kohës. Tek e fundit, në kohën e De Radës dhe të Mitkos – të themi – skrupuloziteti në transkriptim nuk kishte ndonjë përparësi; dhe ndërhyrjet në tekste folklorike bëheshin edhe ato pjesë e pasurisë folklorike.[4]

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

kopertina: Photo by Jas Min on Unsplash


[1] Eqrem Çabej, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), Botim Kritik, Tiranë 1968, Hyrje.

[2] Francesco Altimari, Mbi figurën e Skënderbeut në letërsinë gojore arbëreshe, Studime Filologjike 1980, 2.

[3] “Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve të Italisë”, artikull i vitit 1949, i botuar në vëllimin Nëpër shekujt letrarë, 8 nëntori, Tiranë 1973.

[4] Lexoni edhe esenë time Efekte të fabrikimit në kulturë, botuar në këtë revistë.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin