ÇFARË TAMAM PO KREMTOJNË?

Entuziazëm të madh ka ngjallur, mes turbo-albanologëve, artikulli i paradokohshëm i revistës “Science” (Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages), ku parashtrohej një model “hibrid” i prejardhjes së gjuhëve indo-europiane.

Autorët e artikullit mbrojnë hipotezën se shqipja, së bashku me greqishten dhe ndonjë gjuhë tjetër, janë shkëputur nga trungu bazë i pemës indo-europiane diçka si 6000 vjet më parë, për të udhëtuar drejtpërdrejt, përmes Anadollit, drejt Europës jugore, ndryshe nga dega “veriore” që ndoqi një rrugë tjetër shtegtimi.

Këtë datim prej 6000 vjetësh më parë, të shkëputjes së shqipes dhe pak gjuhëve të tjera indoeuropiane, nga trungu bazë i familjes, disa prej tanëve e kanë përkthyer si “shqipja qenka 6000-vjeçare”; dhe kjo i vërtetoka gjithfarë konstruktesh dhe fantazish të lagjes së tyre, për primatin e gjuhës sonë, si gjuhë hyjnore ose kozmike, dhe kështu me radhë. Një nga shpërfillësit më të spikatur të metodës historike-krahasuese në albanologji shpalli, me këtë rast, edhe se datimi i jepte të drejtë Petro Zhejit.

Në përgjithësi, turbo-albanologët nuk e pranojnë albanologjinë klasike, ashtu siç mishërohet kjo në vepra të shkollës së përfaqësuar nga G. Meyeri, H. Pederseni, N. Jokli, E. Çabej, Sh. Demiraj, B. Demiraj, K. Topalli dhe të tjerë; dhe rezultatet i saj i injorojnë, duke ofruar hipoteza dhe shpjegime rrënjësisht alternative. Po aq në përgjithësi, turbo-albanologët nuk i njohin studimet albanologjike të këtyre autorëve që përmenda dhe nuk janë në gjendje t’i njohin as t’i vlerësojnë, sepse u mungon përgatitja e specializuar.

Ata trashin zërin kundër Çabejt dhe Topallit, që paskan identifikuar “mijëra huazime” në leksikun e shqipes, por nuk duan të kuptojnë – dhe zakonisht as munden të kuptojnë – teknikat e gjuhësisë historike-krahasuese dhe ligjësitë e ndryshimit të gjuhës në shekuj. Përveçse e mbushur me pasaktësi, keqinterpretime dhe sajime brutale, kritika e tyre ndaj shkollës së Çabejt në albanologjinë shqipe tingëllon absurde edhe për nga vetë mënyra naive si formulohet.

Njëlloj nuk kanë kuptuar, turbo-albanologët, se studimi i revistës “Science”, dhe modelet e inferencës filogjenetike bayesiane që kanë përdorur autorët, për datimet e tyre, mbështeten tërësisht në rezultatet e analizave historike-krahasuese të leksikut të gjuhëve indoeuropiane; në thelb, në fjalorët etimologjikë të këtyre gjuhëve, përfshi edhe ata të shqipes. Dhe kjo sepse modelimi statistikor dhe matja e shpejtësisë së ndryshimit gjuhësor varen nga të ashtuquajturat datasete, ose lista fjalësh të gjykuara si “themelore” (core) për gjuhët përkatëse.

Të gjitha këto i keni në artikull, të zezë mbi të bardhë.

Lista e fjalëve të shqipes, e cila ka shërbyer për përafrimin e datës kur dega e shqipes u nda nga trungu bazë indoeuropian, është hartuar në bazë të etimologjive që u janë dhënë fjalëve shqipe nga studiues të ndryshëm këto 150 vjetët e fundit; autorë që ndiqnin, në analizat e tyre, metodën historike-krahasuese të analizës së historisë së fjalëve. Është e njëjta metodë që ka përdorur edhe Çabej edhe Topalli – për të përmendur dy nga studiuesit më të anatemuar prej turbologëve – për fjalorët e tyre.

Ajo çfarë pretendojnë të sjellin të re, në studimet historike-gjuhësore, autorët e artikullit në “Science”, është ta shtyjnë analizën – dhe datimin – e dukurive gjuhësore më herët se ç’e lejon indoeuropianistika klasike. Por, dhe kjo ka rëndësi, asnjë fazë e atij studimi nuk do të ishte ndërmarrë dot, po të mos ishin në dispozicion të studiuesve datasetet leksikore, të hartuara në bazë të etimologjive të fjalëve individuale, nga specialistë që ndjekin disiplinën e metodës historike-krahasuese.

Prandaj më duket dyfish absurde, që turbo-albanologët që janë hedhur tani të festojnë rezultatet e artikullit të “Science” dhe t’i paraqitin këto rezultate si rivendikime të teorive të tyre përndryshe të nëpërkëmbura dhe si rehabilitime, sado të vonuara, të martirëve si Petro Zheji, janë të njëjtët që e refuzojnë en bloc albanologjinë klasike, veprën e Çabejt dhe statusin e kësaj brenda dijes albanologjike dhe metodën historike-krahasuese.

E përsërit: artikulli i “Science”, dhe në përgjithësi modelet e inferencës filogjenetike bayesiane që janë përdorur nga autorët ngrihen mbi themelet e dataseteve leksikore, të hartuara sipas kritereve dhe metodave klasike të indoeuropianistikës. Siç edhe mund të pritej, meqë dija – kur është dije mirëfilli – nuk përparon dot pa u mbështetur në atë çfarë është arritur; nga zeroja, përkundrazi, krijojnë vetëm prestidigjatorët në cirk.

Nëse hipotezat e artikullit të “Science”, përfshi këtu edhe atë për datimin e shkëputjes së shqipes nga trungu indoeuropian, do të gjenin mbështetje nga analiza të mëtejshme dhe do të pranoheshin gjerësisht nga dija, kjo thjesht do të konfirmonte edhe besueshmërinë shkencore të metodës historike-krahasuese të indoeuropianistëve dhe albanologëve, përfshi këtu edhe Çabejn dhe Topallin.

Duke festuar shqipen 6-mijë vjeçe, turbo-albanologët – të cilët nuk e kanë kuptuar artikullin e “Science” dhe as marrëdhëniet e atij studimi me gjuhësinë historike-krahasuese konvencionale dhe etimologjitë e gjuhëve të marra në shqyrtim – nuk bëjnë tjetër veçse tërthorazi përshëndetin arritjet e Çabejt dhe të së tjerëve, përfshi Eric Hamp-in, Vladimir Orelin, K. Topallin, B. Demirajn, Martin E. Huld-in, Hans Holm-in, Stefan Schumacher-in dhe Joachim Matzinger-in, të cilët kanë ndjekur të gjithë, në vija të përgjithshme, të njëjtën metodologji të analizës në etimologjizimet e tyre; puna e të gjithë këtyre dhe të tjerëve e ka ngulitur shqipen në hartën komplekse të studimeve paleolinguistike bashkëkohore.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

6 Komente

  1. Tërë kjo ndjeshmëri për Shqipen! Sa gjë e bukur! Rrallë gjen të tilla sensibilitet. Veç ta kërkosh në projekte rrënojash të varura për trarësh, në ndonje mauxeum.

  2. Turbo albanologjia po merr permasa te frikshme , nuk eshte me dicka per tu gajasur sepse debilizimi i miletit eshte dicka serioze.

    1. Wow. me la pa goje. Lum si ne kush qenkemi dhe nuk e paskemi ditur. Kjo bote ka vend per te gjithe, per te mençur e budallenj, per realiste dhe halucinante. Zoti i ndihte ata qe e kane kafken bosh.

      1. Ne fillim nuk po e kuptoja shqetesimin e z. Vehbiu per kete dukuri ,duke shkruajtur artikull pas artikulli ,derisa rastesisht ne Youtube ndesha me qindra emisone te mesiperme dhe mejtova se ky lloj hashashi shpirteror nuk eshte me dicka per tu gajasur.Pohime pa u skuqur surrati ,te tipit :”shqiptaret themelues te kultures europiane” , nashi se si e themeluam kulturen europiane ne qe deri perpara 100 vjetesh nuk kishim as alfabet eshte dicka qe rradakja ime e vobekte nuk mundet ta kuptoje.Burra e gra gjysher per nga mosha qe thone teper seriozisht: “ne kemi histori te lashte por bota nuk na e njeh se na e kane vjedhur greket apo serbet”. Me kujton euforine e kohes se merhumit kur ishim lidere te revolucionit proletar boteror e ndriconim boten si fanar me idete tona fort te ndritura.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin