TË ZGJEDHËSH MES DEBATIT DHE DIALOGUT

E kam cekur në shkrime të tjera me këtë temë, se dija historike alternative, pellazgologjia, turbo-albanologjia me elemente të konspirativizmit dhe të denializmit, po gjejnë shprehje të përsëritur në televizion, veçanërisht në emisione të llojit “talk show”. Tani, veçori e këtyre emisioneve është se kërkojnë të ndërtojnë ballafaqime – ndonjëherë të paraqitura si “debate” – duke i cytur të ftuarit kundër njëri-tjetrit; ose në organizimin e ndeshjeve të boksit intelektual, të cilat mund edhe të jenë dëfryese për një kategori të publikut. Në thelb, modeli që ndiqet në këto raste është ai i debatit politik mes palëve që kërkojnë, secila me argumentet e veta, që të bëjnë për vete publikun, ta bindin, për t’i siguruar mbështetjen dhe votën. Gjithnjë në parim, debati politik parakupton që palët të trajtohen në barazi, me drejtuesin e debatit ose moderatorin në rolin e garantit të kësaj barazie dhe, në vija të trasha, të arbitrit.

Tani, një inxhinier minierash që del në ekran për të argumentuar se Krishti “ka folur shqip”, ose një ekonomist që shpjegon pse fjalët e italishtes mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet shqipes, veç përfiton nga formati talk show, sepse ky format mund ta vërë përballë me një ekspert të fushës dhe pikërisht nëpërmjet kësaj përballjeje të fitojë legjitimimin që kërkon, por që përndryshe i mungon. Madje barazia formale e ballafaqimit në studio shërben kryesisht për të sanksionuar pabarazinë mes një amatori a të fantaksuri, në mos sharlatani, i cili veç fiton nga ky lloj inskenimi; dhe një specialisti a eksperti i cili veç humbet.

Ai që del në ekran për të shpjeguar se gegnishtja është (asht) çelësi i gjuhëve të botës e ka argumentin e vet të dizajnuar për të bindur profanët, duke luajtur me dëshirat më elementare dhe intime të publikut – për origjinën hyjnore të shqiptarëve ose për dokumentet që ende na i fsheh Vatikani ose për fjalorin etimologjik të mbushur me fjalë të huaja ose për vaksinën kundër COVID-it, e cila në fakt do të na shënjojë të gjithëve si bagëtinë; në një kohë që kundërargumentet që mund të sjellë eksperti, i cili përpiqet të shpjegojë, për aq minuta sa i jepen, teorinë e familjes së gjuhëve indoeuropiane, mekanizmat e huazimit të fjalëve ose – ruajna Zot – për mënyrën si funksionojnë vaksinat mRNA.

Në rrethana të tilla, dialogu as mund të nisë, qoftë edhe thjesht ngaqë pjesëmarrësve u mungojnë premisat e përbashkëta, përfshi këtu edhe besimin se e vërteta mund të arrihet nëpërmjet metodës shkencore të kërkimit. Në fakt, pseudon e preferuar nga arbitrat e shijes intelektuale të publikut – ose atë fytyrë që e sheh të ftuar në gjithfarë emisionesh ku tirret lesh – e dallon ngaqë ai i ka gjithnjë gati përgjigjet, ngaqë e mban gati paranojën për ta përdorur në rast nevoje (duke treguar si “po e luftojnë”), sikurse mban gati argumentin e komplotit, aq më mirë nëse antishqiptar; dhe argumentin anti-elitist (të elitave që tradhtojnë). Çuditërisht, pseudoja jo rrallë nuk ngurron të shndërrohet në denialist dhe të kuturiset në fusha të reja, siç mund të jetë ajo e fëmijëve të paligjshëm të Nënë Terezës, të microchip-it që u injektojnë njerëzve nëpërmjet vaksinës dhe të pushtetit të illuminati-ve; dhe, falë “diskreditimit” që u ka bërë institucioneve – p.sh. Akademisë së Shkencave – është gati që ta paraqitë amatorizmin e vet si atout, ose si plus a avantazh në gjakimet e veta televizive.

Nëse dialogu me figura të tilla argëtuese – por njëkohësisht subversive – nuk i shërben veçse legjitimimit të tyre, ka rëndësi që anti-dija e përcjellë në ekrane dhe e nxitur nga disa opinion-makers televizivë të luftohet tërthorazi, duke e mbajtur hapur një kanal dialogu me publikun e pseudove, i cili vjen duke u shtuar. Pseudot dhe denialistët vetë i përçmojnë profesionistët e fushës, sepse i shohin si “të komprometuar” me pushtetin, të shitur ose të paguar nga armiku; jo rrallë kundër tyre përdoret argumenti kombëtarist. Dhe ky argument, për fat të keq, ende e ruan fuqinë, jo vetëm ngaqë publiku është përgjithësisht tejet i ndjeshëm ndaj tij (në kuptimin që përlotet kur i thonë se gegnishtja ndihmon për të “deshifruar” Iliadën), dhe jo vetëm sepse publiku është tashmë i zhgënjyer nga autoriteti; por edhe për shkak të vetë statusit të albanologjisë, që kërkon ta mbajë një dorë në revani dhe një tjetër në tortë – ose që synon ende sintezën mes dijes dhe ideologjisë; dhe ashtu i ekspozohet edhe më fort akuzave se ata – albanologët e Akademisë – nuk po bëjnë asgjë për ta mbrojtur shqipen, shqiptarinë, etj.; akuza që sublimohen në pyetjen “ku është Akademia”.

Nuk ka dyshim që publiku – në Shqipëri dhe në Kosovë – mbetet i interesuar fort për historinë, por ky interes nuk është mirëfilli intelektual, siç mund të jetë ai për Inteligjencën Artificiale a për eksplorimin e satelitëve të Saturnit. Muhabetet televizive për pellazgët, shqipen kozmike dhe origjinat gjithfarësh i shërbejnë një nevoje më shumë identitare, një kulti të vjetërsisë dhe të mbijetesës, në kontekstin e inferioritetit që i shoqërohet hapjes së shqiptarëve ndaj botës gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit. Ndoshta kjo është arsyeja edhe pse tema të tilla përcillen me pasion të madh në diasporë, ku edhe identiteti etnik shqiptar sfidohet drejtpërdrejt dhe pastaj kompensohet me mite të krenarisë. Dhe nëse është kështu, atëherë ligjërimi i pseudo-ve dhe kundër-narrativat historike i shërbejnë më mirë terapisë identitare, se ligjërata gjithnjë kombëtariste, por e mbështjellë në zhargon ekspertësh, e institucioneve akademike. Lajmet për konferencën e radhës, të themi, për arbëreshët dhe virtytin e tyre “ruajtës” të gjuhës shqipe, nuk kanë shans të ndiqen me përparësi, përballë tezës se italishtja sikurse edhe vetë latinishtja rrjedhin prej shqipes dhe etruskët flisnin shqip, siç e dëshmojnë edhe mëlçitë e tyre. Sa kohë që institucionet akademike do ta vënë ideologjinë kombëtariste në themel të programeve dhe të misionit të tyre, ato nuk kanë shans t’i fitojnë betejat – reale dhe imagjinare – me pseudot; sepse këta ta injektojnë kombëtarizmin direkt në venë.

Institucionet publike të dijes – ato që merren me historinë, arkeologjinë, gjuhësinë, antropologjinë dhe në përgjithësi me kulturën kombëtare – ende ndihen të detyruara ta përligjin punën dhe vetë ekzistencën e tyre me motivin kombëtarist. Paçka se specialistët e shumtë që angazhohen në studime dhe vepra e kanë të qartë se vetëm pasioni kombëtarist nuk të shpie gjëkundi; dhe sidomos, se kërkimi shkencor, në këto fusha, nuk mund t’i vërë vetes synime të paracaktuara (“të mbështetim me argumente shkencore autoktoninë e popullit tonë në këto troje”). Ajo çfarë institucionet e dijes ende nuk po arrijnë ta rrokin, të paktën në nivel institucional, është se pa një publik të kultivuar, të tillë që t’ua kuptojë motivet dhe argumentet, vetë statusi i tyre do të vihet herët a vonë në pikëpyetje. Dhe këtë publik të kultivuar e përfton shkolla, por e mban gjallë edhe diskursi publik, veçanërisht në mass mediat, në të njëjtat mass media që janë pushtuar nga pseudot dhe turbot.

Zgjidhja? Nuk e shoh veçse si përpjekje sistematike për të shtuar dhe diversifikuar, në mënyrë proaktive, praninë e dijes në televizion dhe në rrjetet sociale. Historia, arkeologjia dhe gjuhësia historike, etnologjia dhe folklori kanë potencial për rrëfime të mrekullueshme për publikun, me kusht që të gjenden rrëfimtarët e duhur, në nivel popullarizues (divulgativ). Tek e fundit, të dalësh në televizion për të thënë se shqipja ndihmon për të “shpjeguar” gjermanishten, italishten, etruskishten, sanskritishten dhe greqishten e vjetër, do të thotë se je duke bërë historinë e atyre gjuhëve (nëpërmjet shqipes); në një kohë që publikut i duhet aktivizuar dhe nxitur kurioziteti për shqipen, për historinë e saj dhe të shqiptarëve, për historinë e kulturës dhe qytetërimit tonë; dhe kush mund ta bëjë këtë më mirë se institucionet publike të dijes, në bashkëpunim me mass mediat (televizionin)?

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin