ETIMOLOGJITË E ÇABEJT – NJË FOTOGRAFI

Qëmtime në “Studime etimologjike në fushë të shqipes” të Eqrem Çabejt

nga Mimoza Karagjozi Kore

Abstrakt

Studime Etimologjike në fushë të shqipes” prej shtatë vëllimesh e E. Çabejt zë kryet e vendit në studimet tona albanologjike duke qenë një vepër e gjerë që ngërthen një studim të thelluar diakronik të leksikut të shqipes. Në këtë punim do të qëmtohen mesazhet shkencore që vinë deri në ditët tona, duke i dhënë vlerën e bashkëkohësisë kësaj vepre. Është vërejtur veçantia e një gjuhe e metode vetjake koherente në të gjithë veprën duke e bërë atë origjinale, të dalluar edhe për maturinë dhe lirinë e kombinimit, të paraqitura me objektivitet shkencor. Duke mos e studiuar leksikun e shqipes vetëm si qëllim në vetvete, por duke parë trajtat e fjalës, jetën dhe shtrirjen e saj, kjo vepër mbetet një kontribut i vyer edhe për studimet e historisë së gjuhës shqipe. Më në detaj është përzgjedhur në mënyrë të rastësishme Bleu III për të cilin jepet edhe një raport midis lemave të huazuara dhe atyre me burim vendas.

 

Vërejtje të përgjithshme

Studimet tona albanistike kanë njohur arritje të shënueshme në dekadat e fundit, por kreun e vendit në to e zë, pa dyshim, vepra madhore e emërtuar thjesht nga Eqrem Çabej, “Studime Etimologjike në fushë të shqipes”. Kjo vepër në 7 vëllime e pa dritën e botimit dorajdorës, derisa në vitin 2014 u realizua edhe botimi i vëllimit V, botim që plotësoi gjithë këtë korpus të punës prej katër dekadash të Eqrem Çabejt, që u prit me ngazëllim nga gjuhëtarët e veçanërisht ata të fushës, çka gjen shprehjen më të mirë në kumtin e B. Demirajt: “Consummatum est ~ u kompletua!”

Puna për studimin etimologjik të leksikut të shqipes filloi në trajtë artikujsh prej tij të cilët u botuan fillimisht në “Buletinin e Universitetit Shtetëror të Tiranës” prej vitit 1960 deri më 1963 dhe në revistën “Studime Etimologjike” prej 1964 deri më 1968. Në vitet që pasuan E. Çabej i plotësoi më tej ato derisa në fundin e viteve ’70 filloi puna për botimin e veprës “Studime Etimologjike në fushë të shqipes”.

Për nevoja të momentit i ishim drejtuar kësaj vepre për të konsultuar etimologjinë e ndonjë fjale të veçantë, jetën e saj, por përpara 2 vitesh, së bashku me dy kolege, u përkujdesëm për redaktimin e të gjithë veprës për ta përgatitur edhe një herë për një botim të ri. Të rrokurit me punë dhe vështrim të kujdeshëm të gjithë kësaj ngrehine madhore që mund të quhet enciklopedi e shqipes, na bëri të kuptojmë më mirë filozofinë e punës, metodën dhe parimet e ndjekura, zgjidhjet racionale e të mbështetura shkencërisht, mesazhet shkencore që arrijnë deri në ditët tona, të cilat i japin ende kësaj vepre vlerën e bashkëkohësisë.

Së pari, qysh në krye të herës E. Çabej përcakton qartë se ky punim ka një karakter të dyfishtë, ai është njëkohësisht kritik e ndërtimtar. Ky është një mesazh për këdo që nis një punë shkencore.[1]. Dokumentimi kritik, mbajtja qëndrim, paraqitja e gjendjes së studimit etimologjik të shqipes, vlerësimi objektiv i punës së mëparshme, kjo përbën njërën anë të dukshme të karakterit të përgjithshëm të kësaj vepre. Për këtë me skrupulozitet shkencor, me objektivitet dhe i mbështetur mbi parimet e avancuara të kohës ai shqyrtoi etimologji të dhëna më parë nga studiues të huaj si: G. Meyer, N. Jokl, Stieri, F. Miklosichi, H. Schuchardti, K. Brugmanni, A. Thumbi, W. Meyer‑Lübke, H. Helbigu, G. Weigandi, M. Lambertzi, C. Treimeri, M. Vasmeri, M. Bartoli, A. M. Seliščevi, P. Skoku, H. Barići, S. Puşcariu, O. Densusianu, A. Philippide, A. Rosetti, V. Pisani, V. Georgievi, V. Popovići, C. Tagliavini, S. Manni, W. Cimochowski, H. M. Ölbergu etj. Edhe pse përballë kishte gjuhëtarë të mëdhenj, ai shqyrtoi me kujdes shpjegimet e tyre etimologjike shumë prej të cilave konstatoi se ishin të sakta e të pranueshme, shumë të tjera të diskutueshme e deri të dyshimta e të tjera të shpjeguara pa kujdes ose në mënyrë spekulative. Për shembull, lema pështýj, pështymë ishte shpjeguar nga G. Meyer, Meyer-Lübke prej lat. *sputire për sputare. Po kështu sipas tyre kishin shkuar edhe Weigandi, Puşcariu, Tagliavini. E. Çabej e shpjegon si fjalë e mbarë gjuhës, e cila del qysh te Buzuku dhe bazën e ka te një onomatope. Po kështu fjala rend II. “vrapoj, eci me vrap”, të cilën G. Meyer e sillte prej greqishtes e kjo pas sllavishtes. Me këtë pajtohej edhe G. Weigandi. E. Çabej vlerëson shpjegimin e N. Jokl që shihte një fjalë vendi. Për fjalën kaçe “në shpinë, kaliqafë, kaliboç” fjalë e toskërishtes jugore (Gjirokastër) shënuar së pari te Hahni (210). Jo nga turq. kiç “pjesë e mbrapme, vithe” (G. Meyer 182 te kaç), po nga kal-çe, prej kalë + turq. çe. Edhe sinonimet e kësaj: kaliqafë kalaqafë, kaliboç, kalapiç, kalikaç, përmbajnë fjalën kalë, gjithashtu optikalas; sh. kaliqafë, optikalas. Për sufiksin turk -çe në shqipen sh. A. Xhuvani – E. Çabej. (29v.)[2] E mund të vazhdojmë me çerdhe f. të cilën G. Meyeri (446) e mendonte për një huazim të vjetër prej sll. *čerda= sll. e vj. kishtare črĕda, kurse E. Çabej e shënon si fjalë vendi.

Përveç shqyrtimit të punës së të tjerëve, E. Çabej ndërtoi të gjitha format e fjalës brenda shqipes e nga ana tjetër siç shprehet dhe vete, në rastet kur etimologjia e një fjale, e dhënë prej të tjerëve, paraqitet e drejtë, ai përsëri e përforcoi atë me të dhëna të reja. Në këtë mënyrë ai vlerësoi dhe trashëgiminë e studiuesve shqiptarë edhe pse nuk mund të flitej deri atëherë për studime të mirëfillta etimologjike mbështetur në parime të rrepta shkencore, si: P. Mazreku, N. Keta, E. Mashi, V. Dorsa, J. De Rada, Th. Mitko, N. Gazulli dhe sidomos Dh. Kamarda, K. Kristoforidhi, M. Camaj, A. Xhuvani. Zgjidhjet që kishin dhënë shpesh ishin arbitrare, intuitive, megjithatë ai i vlerësoi dhe shumë prej tyre i pranoi.

Koha në të cilën punoi, kishte dhe kufizimet e veta, por ai me guximin dhe paanshmërinë e shkencëtarit mori në shqyrtim dhe citoi deri në detaj edhe punën e atyre që sistemi i konsideroi të padëshirueshëm, madje i kishte dënuar. Edhe pse nuk u pasqyruan në botimin e kësaj vepre, duke u censuruar, në skedat vetjake të E. Çabejt (për të cilat falenderojmë të bijën që na i vuri në dispozicion) gjejmë emrat: B. Palajt, B. Dema, V. Volaj, Sh. Bardhi, M. Camaj[3], veprën « Lahuta e Malcis » e shumë zgjidhje të paraqitura në to i ka pranuar si të drejta. Sigurisht, siç e shpjegon dhe vetë, parimisht ka kaluar në heshtje sprovat e kota të diletantëve pa kompetencë.

Mbështetjen më të madhe në nxjerrjen e konkluzioneve të tilla E. Çabej e gjeti te njohja e mirë e gjuhës amtare, e dialekteve e të folmeve shqipe në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarë, të dhëna për të cilat vit pas viti që ai punonte, po shtoheshin e për këtë kanë meritë gjithë gjuhëtarët e kësaj periudhe. Mbështetej, gjithashtu në materialin e trashëgimisë shkrimore të shqipes prej të cilave vinin fjalë të vjetra e të pavëna re në studimet e mëparshme.

Çabej nuk kishte qëllim që në këtë punim madhor të studionte shqipen si qëllim në vetvete e për vetveten, por synimi ishte më i gjerë se kaq, të përcaktohej nga ana e leksikut karakteri specifik i shqipes dhe vendi i saj në rrethin e gjuhëve të tjera indoeuropiane me një formulim më të prerë nga ç’është bërë gjer më sot, thotë ai. Një punë e tillë duhet të kryhet dhe për sistemin fonetik e sistemin morfologjik të saj, për të arritur në një gjykim më përfundues në këtë çështje[4]. Kjo bëri që në këtë vepër shqipja të gjente një ridimension së brendshmi, të shqyrtoheshin fjalë e trajta të tyre në të gjitha të folmet, dialektet, tekstet e hershme. Kështu për fjalën Çup “kënd, qoshe” ai jep të gjitha variantet në të folmet e shqipes: çep “sqep; kënd, çip, qoshe”, cep “skanj; qoshe, kënd i dalë; sup; sqep”, qep, sqep, thep, çip “kënd, qoshe”, s-qup, sup. Sigurisht që këto okurrenca albanologët e huaj nuk mund t’i jepnin dot.

Duke njohur mirë gjuhën amtare, jetën që kishte bërë fjala, rrudhjen e përdorimit të saj, variantet parake e ato të vonshme, shtrirjen brenda e jashtë trevave politike aktuale, të gjitha këto bënë që gjuhëtari ynë të dilte në përfundime të rëndësishme për historinë e gjuhës shqipe, për trevat ku ishin shtrirë shqiptarët e të parët e tyre.

Objektiviteti shkencor e përshkon gjithë këtë vepër. E. Çabej nuk mori në shqyrtim vetëm fjalë të cilat mund t’i analizonte, krahasonte e në fund të jepte një përfundim bindës. Ai nuk iu shmang edhe atyre që mbeten ende të pazgjidhura, duke lënë një derë të hapur për ata që do të vijonin të merreshin me etimologji. Nga ana tjetër nuk i vuri vetes detyrë të shtonte me çdo kusht përqindjen e elementit të trashëguar të leksikut prandaj edhe për disa fjalë të shpjeguara si vendase E. Çabej tregoi burimin e huaj, p.sh. edhe pse Meyer, Helbig e Bariç fjalën foshnjë e shpjegojnë si të shqipes E. Çabej e lë të diskutuar, megjithese pranon që shtrihet në të gjitha të folmet. Po kështu gjegjem për të cilën pranon se është fjalë e gjuhës mbarë, sot e vjetruar, por pranon se etimologjitë e gjertanishme janë të gjitha për të hedhur poshtë. U mungon ose mbështesa formale ose kuptimore, disa krejt fantastike.[5]

 

Pasqyrë dhe analizë e vëllimit III

Për të parë më konkretisht e shqyrtuar më në detaj, morëm në shqyrtim Bleun III (C , Ç, D) të gjithë kësaj vepre, përzgjedhur në mënyrë të rastësishme prej nesh, ku mund të jepet dhe një pasqyrë e etimologjisë së lemave të përzgjedhura prej tij. Këtij vëllimi për fat të mirë, E. Çabej arriti t’i jepte dorën e fundit, ndryshe nga vëllimet e tjera qe mbetën në dorën e parë.

Duke pasur parasysh që ai nuk është një fjalor etimologjik në kuptimin klasik (si p.sh.Fjalori etimologjik i K. Topallit) në të gjenden lema që E. Çabej e gjeti të arsyeshme t’i shqyrtojë duke diskutuar punën e paraardhësve, po kështu gjenden të tjera që nuk kanë përdorim në gjuhën shqipe, por mund të kenë dalë në veprën e dikujt dhe janë bërë objekt analize nga etimologë të mëparshëm, madje dhe ndonjëra e kuptuar gabim prej të huajve, p.sh. dëtónj “i kam një borxh dikuj”. Kjo fjalë-shpjegon E. Çabej- nga sa dimë, nuk ekziston në Shqipëri. G. Meyeri pas gjithë gjasësh e ka marrë prej Zef Kamardës, ose dëshýll m. “humbje në luftë, thyemje” fjalë e përdorur nga Fan Nolit, dëshyllii Beratit,Historia e Skënderbeut” (1921) formim pas frgj. désastre, it. disastro: nuk ka hyrë në përdorim të gjuhës.

Me këtë duam të theksojmë se një pasqyrë e tillë paraqet pjesërisht gjendjen reale të shqipes kur është shkruar vepra. Kështu do të pritej që pas lemës foljore di të vinin diabet, diademë, diafragmë, diagnozë, diagonale, dialekt, dialog etj. Përkundrazi vinë lema të tilla që sot nuk përdoren dhe shumicës nuk iu dihet kuptimi, ndihen të vjetruara e shumë prëj tyre vinë prej turqishtes : dibá f. “lloj kumashi i mëndafshtë”, dibét m. “cipë e zezë e ndritshme, dibël mb. “i ligshtë etj. Kjo u realizua prej tij me qëllim për të parë karakterin historik të fjalëve.

Në këtë vëllim janë parë 849 njësi leksikore (= C 174, Ç 263, D 412), duke përjashtuar variantet dialektore të lemës kryesore, të cilat shpjegohen te shkronja përkatëse e lemës bazë, p.sh. cacpuríq m., mb. lihet pa sqaruar, sepse eshte variant i Spurdhíq ; cagë f.: sh. cak, caherë ndf.: sh. ca ; çeshtíj: sh. teshtíj ; dyzllúk m.; sh. Tozllúk etj.

Po i paraqesim të klasifikuara më poshtë lemat e këtij vëllimi :

 

C Ç D
fjalë shqipe 119 92 149 =360
greqizma (gjithë etapat) 13 5 16 =34
latinizma 2 2 24 =28
sllavizma 17 35 44 =96
turqizma 5 107 122 =234
veneciane 7 ……. 4 =11
italianizma 4 7 21 =32
arab ..….. ..….. 1 = 1
anglisht ..….. ..….. 1 = 1
arumune 3 ……. ……  = 3
spanjisht 1 ……. ……. = 1
etimologji të diskut. 3 12 23 = 38
etimologji dyfishe ..….. 3 7 =10
849

 

 

Kjo pasqyrë na krijon një ide të raportit të fjalës vendase me fjalët e huaja, e cila nga vëllimi në vëllim pa dyshim është e ndryshme (shih për vëllimin V B. Demiraj) [6] përveç këtij përpjestimi, kjo pasqyrë është shprehje e historisë së popullit tonë, e kontakteve me kultura e popuj të tjerë, ku dallohet ndikimi më i madh nga gjuhët e pushtuesve historikë, si sllavishtja, turqishtja. Kjo i jep kësaj vepre jo vetëm karakterin e një fjalori thjesht etimologjik, por dhe atij historik e tregon qartë se nuk kemi qenë një popull i izoluar, por jemi përballur me kontakte intesive e të gjata. Këtë e bën më të qartë dallimi prej autorit edhe të fazave nëpër të cilat ka kaluar fjala. Ai bën një shtresëzim kohor të leksikut, kështu e njëjta fjalë ka hyrë fillimisht nga latinishtja e më vonë përsëri nga italishtja duke i dhënë etimologji të dyfishtë fjalës latin, desperare, dhe it. disperare .

Në klasifikimin që kemi bërë kemi përdorur vetëm termin sllavizma, por shumë prej tyre janë periferike e të serbishtes, kurse në Jug mbizotërojnë ato prej bullgarishtes, duke nënkuptuar përsëri një faktor historik: Fjala cep m. II. “vile rrushi e vogël ”, Çabej e cilëson : Huazim krahinor prej sllavishtes. Në Veri prej serbokroatishtes, në geg. jugore prej maq. Cepka.

Kur sqarimi i etimologjisë të ndonjë zëri të veçantë si në rastin e fjalës druaj druej “kam frikë ” qëllimisht futet në tjetër hulli nga studiues të huaj E. Çabej mban qëndrim, madje me tone të ashpra, që nuk është në natyrën e gjuhës së tij, e thotë është një dështim pseudoshkencor, pjellë e një përpjekjeje sistematike shovene për të mohuar me çdo kusht ndikime të shqipes në rumanishten [7]

Ka zëra në këtë vepër që nga përmasat e trajtimit, argumentet e shumta, shembujt nga të gjitha arealet e shqipe, krahasimet me indoevropianishten e gjuhët e tjera mund të përbënin një artikull shkencor siç ka ndodhur me lemën e porsapërmendur sqarimi i së cilës shtrihet nga f. 413-f. 416.

Në këtë vëllim sikurse në të gjithë veprën e tij janë trajtuar përveç leksikut të përgjithshëm edhe një varg etnonimesh, antroponimesh e toponimesh që shërbejnë si argumente për probleme themelore siç janë çështja e autoktonisë së shqiptarëve dhe e vendit të formimit të gjuhës shqipe, fjalë e terma të besimeve fetare që hedhin dritë për kohën dhe rrugët e depërtimit të krishterimit: Drin m., emër lumi (shq), Drisht m. emër qyteti (shq), Dorsa familje arbëreshe (shq), Dodë emër personal (lat), Dedë m., emër personal (shq) etj. E. Çabej në studimet e tij e kishte shpallur si një parim themelor idenë se “Gjuhët nuk janë madhësi që ekzistojnë në vetvete; ato janë të lidhura ngushtë me njerëzit që i flasin, me popujt si bartësit e atyre gjuhëve, prandaj historia e gjuhëve në thelb është pasqyrë e historisë së popujve e të kulturave”[8].

Në këtë Ble për shumë zëra janë treguar jo vetëm lëvizjet e fjalëve brenda gjuhës shqipe, por edhe shtegtimi i tyre në gjuhët fqinje: cark m. “vend i thurur me thupra ” fjale e shqipes që ka hyre dhe në arumanisht, rumanisht e greqishte nga njw “thark ”[9]; cilidó ciladó e shqipes ka hyre dhe në arumanishte etj; cerma, ka shkuar prej shqipes dhe në greq. e re, τσέρμα; cime, lloj peshku i vogel ka shkuar dhe në gr. e re veriore, τσίµα; shqip dosë ka shkuar dhe në disa gjuhë fqinje; skr. Dasanče; dashur ka shkuar dhe tek aromunët, dašur, debe f. “enë druri në formë të një gjymi” të vogël  ka shkuar dhe në serbokroatishten; degë ka shkuar dhe në aromunishten, deagă; dorëzanë ka shkuar dhe në dialektet e serbishtes, dromsa sh. “thërrime”, me s si në çamërishten, forma që ka hyrë prej shqipes në greqishten e Moresë, vτρóµιζες “groshë të holla”.

I gjithë studimi ngërthen punën e palodhur e të përkushtuar të këtij dijetari në të gjitha fushat e studimit historik të gjuhës: fonetikë dhe gramatikë historike të saj, leksikologji dhe dialektologji historike si dhe histori e kulturës shqiptare. Njohja shumë e mirë e tyre bëri që materiali të trjatohet midis maturisë dhe lirisë së kombinimit, duke i dhënë gjithë punës së tij karakteristika unike, vetjake, prandaj i gjejmë me vend fjalët e gjuhëtari austriak H. Ölberg “Është për të ardhur keq që Çabej nuk formoi një shkollë gjuhësore indoeuropiane të tijën”.

Do ta përmbyllnim këtë kumtesë me vlerësimin domethënës të I. Ajetit: “Vepra e rëndësishme e E. Çabejt shënon një kontribut të pazëvendësueshëm në studimet e historisë së gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Ai i la popullit shqiptar dhe kulturës së tij një vepër, e cila do të mbetet e gjallë si sot, si në motet që do të vijnë.”[10]

© 2024 Mimoza Kore. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Literatura

Ajeti, I. (1982) Studime etimologjike në fushë të shqipes, I, Prishtinë.

Çabej,  E. (1975) Studime gjuhësore, V, Prishtinë

Çabej, E.  (1982) Studime etimologjike në fushë të shqipes, Bleu I, Tiranë.

Çabej, E. (1996) Studime etimologjike në fushë të shqipes Bleu IV, Tiranë.

Demiraj, B. (2014 ) “Eqrem ÇABEJ: Studime etimologjike në fushë të shqipes”, Bleu V (K-M), SHB Çabej, Tiranë.

 


[1] E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, Bleu I, f. 26.

[2] E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, Bleu V, 2014.

[3] pela-t fshm. “dallgët, tallazet”. Këtë fjalë të geg. veriore e dëshmon B. Palaj (HD X 84 shën. 27) si pelat “tallazet e mëdha”, “majet e tallazeve, qi, tânë shkumë rrxohen nëpër valë” për Brebullë të Berishës: s’lanë pelat me dalë kush Drinin; f. 301: kuri “vend i thelluar në dhe” që ka Puka (B. Palaj f.282 Bleu VI.

Për kuptimin e parë do pasur parasysh kuri “vend i thelluar në dhe” që ka Puka (B. Palaj),M.Camaj kori “çarranik a thark për bulmet, përpara shtëpisë” në Qerret të Pukës, f.283 B.Vi

[4] E. Çabej, Bleu 1. f.27.

[5] E. Çabej, Bleu IV, f.267

[6] . B Demiraj, Eqrem ÇABEJ: Studime etimologjike në fushë të shqipes, Bleu V (K-M), SHB Çabej, Tiranë 2014, 478 f.; ISBN 978-99956-35-20-6

[7] E. Çabej, Shpjegimi i fjalës rumune prej një *drugia të “substratit”, e afër kinse me irl. drong “çetë”, sll. e vj. kishtare drugъ”shok” etj. te Russu (CL VII 120, Revue de Ling. VIII 2 265, Die Sprache der Thrako-Daker 238v., El. aut. 96v.) është një dështim pseudoshkencor, pjellë e një përpjekjeje sistematike shovene për të mohuar me çdo kusht ndikime të shqipes në rumanishten, Bleu III, f.415.

[8] Çabej, Studime gjuhësore, V, Prishtinë 1975, f. 10.

[9] E. Çabej, “Ndërkaq fjala greke e aromune (e rumune) nga ana e tyre rrjedhin prej një * cark-u të shqipes, trajtë më e vjetër e thark-ut të sotëm”, Bleu III, f. 16.

[10] I. Ajeti, Studime etimologjike në fushë të shqipes, I, 1982, f. 32.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin