TURBOLOGJI PËR DJELMNINË

Më sollën në vëmendje një videoklip, të shpërndarë nga TV Dukagjini, ku shfaqej aktori Xhevat Limani, i veshur si Skënderbeu (“aktori që ngjason me Skënderbeun” shkruhej në titrat shpjegues), në një monolog, të them pak, të çuditshëm.

Shpërthen ‘Skenderbeu’ në studio: Thonë se gjuha shqipe ka prejardhje nga serbishtja – Dukagjini

Thotë zotëria:

Amerikanët dhe të huajt po thonë që gjuha shqipe është më e vjetër, mbi gjashtë mijë vjet e tutje; vetëm akademikët e Shqipërisë dhe ca akademykë të tjerë rrinë të mbështjellë nga turpi dhe thonë “jo, gjuha shqipe ka prejardhjen prej gjuhës serbishte”, siç është Kolec Topalli. Ky është një turp dhe një mjerim, vetëm mercenarë dhe shpirtshitur mund të deklarojnë diçka të tillë. Nëse të tjerë po të pranojnë ty si gjuhë të vjetër të Zotit, atëherë më mirë hesht, nëse nuk i di gjërat. Kjo nënkupton që shumë njerëz, personalitete tonë, janë të paguar, nga agjentura të huaja; i shërbejnë djallëzisë dhe ligësisë dhe, për fat të keq, mbi ta unë si artist hedh mallkimin e Zotit, për të mirën e Shqipërisë.

Aq koncentrat turbologjik përmban ky monolog, sa në krye – i ngatërruar edhe nga kostumi skënderbejan i folësit – unë kujtova se po dëgjoja një parodi. Por, për fat të keq, parodisë i duhet ende të presë – sepse zoti Xhevat Limani, i mbiquajtur “prometeu që shpërndan në botë flakën e shqiptarizmës”, i paska seriozisht ato që thotë para kamerës.

Duket që ka lexuar jo pak literaturë turbologjike; NGA shkencëtarët “amerikanë” që e kanë nxjerrë shqipen gjashtë-mijëvjeçare, te sulmi ritual kundër akademikëve dhe akademYkëve, që rrinë të mbështjellë nga turpi, teksa e nxjerrin shqipen “nga serbishtja”. Siç paska bërë Kolec Topalli, prej kohësh në shënjestër të turbologëve, si autor i Fjalorit Etimologjik të Shqipes. Natyrisht, përmenden edhe pagesat nga agjenturat e huaja, çfarë e detyron Limanin, si aktor, që t’u hedhë pastaj fajtorëve munxat.

Si ka ndodhur, që ky dizinformacion të jetë përhapur kështu, pa u kundërshtuar nga njeri? Në fakt, asnjë albanolog, madje as albanolog serb, nuk e ka nxjerrë ndonjëherë “shqipen nga serbishtja”; dhe aq më pak Kolec Topalli. Ky nxënës virtual i Çabejt ka ecur në gjurmët e mësuesit dhe ka hartuar një Fjalor që, pavarësisht nga ndonjë mangësi, mund të shihet si përmbledhje e dijes etimologjike të shekullit XX, për gjuhën shqipe. Ai nuk e nxjerr shqipen nga asnjë gjuhë, dhe aq më pak nga serbishtja. Ato që janë thënë poshtë e lart, sidomos në televizion, për përqindjen “e lartë” të fjalëve të huaja në Fjalorin e Topallit, janë në rastin më të mirë pasaktësi të shkaktuara nga inkompetenca, dhe në rastin më të keq shpifje. Asnjë statistikë nuk është sjellë ndonjëherë, për të provuar se ai autor e ka tepruar me etimologjitë e huaja për shqipen. Famëkeqi 93% do të mbetet fantazi, sa kohë që nuk është provuar gjëkundi.

Më kujtohet mirë Kolec Topalli, gjatë viteve 1980. Unë sapo kisha filluar punën në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, dhe e shihja këtë njeri, fisnik nga pamja dhe të veshur me kujdes, që vinte të punonte në bibliotekën e Institutit. Më thanë se ishte Kolec Topalli, një mësues me biografi të keqe, por me pasion të pashterrshëm për gjuhësinë. Herë ia hiqnin lejen e botimit në revistën “Studime filologjike”, herë ia jepnin. Punonte si mësues në një fshat malor të Tiranës; i duhej të udhëtonte nuk di sa orë me autobus për të shkuar atje, ose për të ardhur nga fshati, në Bibliotekën e Institutit.

Më pas, me përmbysjet e 1990-ës, Topalli arriti më në fund t’i mbledhë bashkë e botojë studimet e veta, në lëmin e gramatikës dhe të fonetikës historike të shqipes; Fjalori etimologjik duhej të ishte kurorëzimi i punës së tij dhjetëravjeçare. Ky studiues, që sipas turbologëve “paguhej nga agjenturat e huaja”, nuk arrinte të gjente dot fonde as për të botuar Fjalorin, edhe pse ndërkohë ish sëmurë për vdekje. Unë e di këtë, sepse si botues i revistës “Peizazhe të fjalës” fort i interesuar që fjalori të dilte në treg, u pata interesuar informalisht, pranë QSA-së, që të organizonim një mbledhje fondesh online, për botimin. I çuan fjalë Topallit për këtë ide, por me shumë politesë e refuzoi; pas pak, më thanë se kish arritur t’i sigurojë fondet privatisht. Nuk di të them nëse jetoi aq sa ta shihte Fjalorin të botuar; për fatin e tij të mirë, nuk jetoi që të dëgjonte shpifjet turbologjike për veprën e tij dhe personin e tij, përfshi edhe anatemat e tanishme të “Skënderbeut”.

Gjithnjë jam bërë kurioz, për mbijetesën kaq kokëfortë të gënjeshtrës se “akademikët” po e nxjerrin shqipen nga serbishtja, ose po e fryjnë artificialisht numrin e serbizmave në shqipe. Serbishtja është një gjuhë me të cilën shqipja ka pasur kontakte në Mesjetë dhe në epokën moderne, por këto kontakte kanë qenë zakonisht të nivelit horizontal dhe kanë interesuar kryesisht zona periferike të dialekteve të shqipes. Prandaj kam frikë se kjo historia e serbishtes në albanologji është sajuar nga mendje që duan kryesisht të manipulojnë publikun në Kosovë dhe në Maqedoni; dy zona të shqipes, ku marrëdhëniet me serbët dhe serbishten kanë pasur relevancë tjetër dhe ku përmendja e serbëve ende prek plagë të pambyllura.

Historianët e gjuhës shqipe janë interesuar për marrëdhëniet e shqipes me serbishten njëlloj siç janë interesuar për marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe të mesme dhe të re, me latinishten dhe gjuhët romane (rumanishten, italishten, dalmatishten), me bullgarishten, me turqishten; nëse në shqipe kanë hyrë fjalë nga serbishtja, siç ka ndodhur në dialektet veriore të gjuhës, atëherë këto fjalë duhen identifikuar, kataloguar dhe studiuar. Duhet të jetë njeriu krejt i paditur, që të shqetësohet nga ky proces fare i rëndomtë, aq sa ta damkosë si tradhti. Edhe në Fjalorin e Topallit ka fjalë shqipe të identifikuara si huazime nga serbishtja; por unë nuk di që Topalli t’u ketë dhënë këtyre përparësi, sikurse nuk di që ky autor të jetë specializuar në marrëdhëniet e shqipes me serbishten!

Aktori Xhevat Limani i ka lexuar diku, ato që thotë. I janë dukur të besueshme dhe i ka gjykuar të përshtatshme për t’ia thënë publikut edhe ai vetë, në një intervistë televizive. Nuk është puna e tij që t’u kundërvihet në mënyrë të pavarur turbologëve; por duket se ligjërimi i këtyre i ka pëlqyer. Si shumë e shumë të tjerë, figura të njohura për publikun shqiptar, pa dashje e ka bërë të vetën narrativën naive turbologjike, përfshi këtu edhe shpikjet dhe shpifjet që ajo përmban. Madje jo vetëm e ka bërë të vetën, por duke shfrytëzuar statusin e tij si aktor të njohur dhe figurë e nderuar nga shqiptarët anembanë botës, e risjell të dramatizuar, në formën e një drame, me të mirë dhe të ligj dhe Kolec Topallin në rolin e protagonistit negativ. Turbologët kanë nevojë për personazhe të tilla si aktorët, që t’ua përçojnë mesazhin në mënyrë emocionale, skenike; dhe duket se po i gjejnë.

Nëse televizionet, përfshi edhe ato private, kanë një përgjegjësi ndaj publikut, atëherë moderatorët e emisioneve të tilla do të duhej t’i korrigjonin të ftuarit e tyre, të paktën duke u kujtuar se historitë që ata rrëfejnë në ekran janë pa baza dhe përgojojnë njerëz që, me aq sa munden, janë përpjekur dhe përpiqen, në punën e tyre, që t’i shërbejnë kulturës, historisë dhe gjuhës shqipe. Nuk më duket normale që, nga një medium aq popullor si televizioni, të lëshohen sulme aq serioze – dhe njëherazi aq të pavërteta – ndaj institucioneve të dijes, si Akademia e Shkencave; mbi baza narrativash të gënjeshtërta. Edhe fakti që protagonisti i sulmit për të cilin flas, aktori përndryshe aq i respektuar Xhevat Limani, e kish parë të arsyeshme të vishej si Skënderbeu, kur e shqiptonte diatribën e tij, tregon se opinioni publik e pranon tashmë që teatri të merret për të vërtetë historike (dhe anasjelltas, që e vërteta historike të merret për teatër).

*

Monologut të shkurtër të mjeshtër Limanit po i kthehem, sepse dua t’ia qëmtoj më nga afër indin narrativ.

Amerikanët dhe të huajt po thonë që gjuha shqipe është më e vjetër, mbi gjashtë mijë vjet e tutje; vetëm akademikët e Shqipërisë dhe ca akademykë të tjerë rrinë të mbështjellë nga turpi dhe thonë “jo, gjuha shqipe ka prejardhjen prej gjuhës serbishte”, siç është Kolec Topalli. Ky është një turp dhe një mjerim, vetëm mercenarë dhe shpirtshitur mund të deklarojnë diçka të tillë. Nëse të tjerë po të pranojnë ty si gjuhë të vjetër të Zotit, atëherë më mirë hesht, nëse nuk i di gjërat. Kjo nënkupton që shumë njerëz, personalitete tonë, janë të paguar, nga agjentura të huaja; i shërbejnë djallëzisë dhe ligësisë dhe, për fat të keq, mbi ta unë si artist hedh mallkimin e Zotit, për të mirën e Shqipërisë.

Që në krye, gjen atje nga njëra anë “amerikanët”, nga ana tjetër “serbishten”, të promovuar nga mercenarët dhe shpirt-shiturit; çfarë për mua rimerr rreshtimin e palëve të huaja, gjatë konfliktit në në Kosovë; çfarë i nxjerr pastaj akademYkët e Shqipërisë si bashkëpunëtorë me armikun në kohë lufte (myku në këtë mes metaforizon trashëgiminë nga e shkuara “komuniste”). Konflikti i viteve 1990 ofron kështu kornizën – të paktën morale – për të kuptuar çfarë po ndodh me albanologjinë sot. Aq më e turpshme është, në këtë mes, që albanologët tradhtarë e sjellin serbishten në rolin e nënës, që paska pjellë shqipen, në një kohë që “të tjerët” (nënkuptohen sërish amerikanët) “po të pranojnë ty si gjuhë të vjetër të Zotit”, gjë që do ta vinte shqipen në rolin e Krishtit (“gjuhë mesianike”, thotë Petro Zheji). Këta njerëz, edhe “personalitete tonë”, “janë të paguar nga agjentura të huaja”, sepse vetëm kështu mund të shpjegohet qëndrimi i tyre (një supozim më i mbështetur se fakti); dhe ja ku hyn këtu elementi i pagesës, që e përmendin shpesh turbologët dhe ndjekësit e tyre të mefshtë, në rrjetet sociale. Nënkuptimi këtu është se puna mirëfilli kërkimore bëhet për shpirt të babait (“pr’emenit t’Atit e t’Birit e t’Spertit Senit”) dhe se vetëm ata që kërrejnë ide të mbrapshta kërkojnë pará, të cilat pará ua jep menjëherë serbi (ose greku); çfarë edhe e kthen albanologjinë në një fushë beteje, ku ndeshen për jetë a vdekje të shenjtët e letrave (ata që janë dëshmorë që pa u vrarë akoma) me “mercenarët e shpirtshiturit”, ose të gjithë ata të tjerët që, përkundrejt një pagese janë gati të dalin “kundër gjuhës shqipe”, për t’i shërbyer djallëzisë dhe ligësisë (prandaj edhe “rrinë të mbështjellë nga turpi”). Që këtej, mbi ta një artist patriot hedh mallkimin e Zotit – një shprehje që mua desh më bindi sërish që monologu ishte parodi.

Më pëlqen edhe besimi, që përcillet tërthorazi nga ky rrëfim moral, që e mira vjen vetvetiu, buron nga zemra, nuk ka nevojë për t’u përligjur; ndërsa e keqja ka nevojë për rroga, që të vijë në jetë; paraja vepron kështu si spermë e së keqes, që pjell mashtrim dhe përfton mjegull në dije. Ironikisht, ky imazh i albanologëve që pranojnë të paguhen – nga “agjenturat e huaja” – për të nxjerrë e përhapur teori të mbrapshta, risjell në vemendje realitetin konkret, të dijes së financuar keq; mungesës së fondeve për të çuar përpara projekte të vështira, që kërkojnë kohë dhe specializim të mundimshëm; të dijes së lënë në varfëri, që detyrohet të pranojë lëmoshën me helm nga armiku.

Këtu të djallëzuarit mund t’i shkojë mendja dhe të pyesë që, sa kohë që e keqja në albanologji qenka pjellë e parasë armike, atëherë pse nuk provojnë agjenturat e huaja – por mike – që të paguajnë shuma edhe më të mëdha, për t’i bërë albanologët (ata që sot “rrinë të mbështjellë me turp”) të ndërrojnë mendje dhe të fillojnë t’i besojnë, të paktën me fjalë, shqipes mesianike gjashtë-mijëvjeçare, gjuha e Zotit dhe e shpirtit të shenjtë? Tek e fundit, agjenturat serbe dhe greke nuk është se janë të vetmet që kanë në dispozicion shuma për këto gjëra! Të njëjtën gjë mund ta arrijnë madje edhe agjenturat jo të huaja! Për shembull, shërbimi sekret i Republikës së Kosovës, mund të paguajë nën dorë një akademik të Tiranës, që ky t’i hedhë poshtë etimologjitë serbe të Kolecit të shkretë…

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

28 Komente

  1. Fatkeqësisht, tashmë këto thuhen në nivelin e një të vërtete “popullore” të cilën e dinë të gjithë, megjithëse autoritetet bëjnë sikur e fshehin. Shpesh, në diskutime on dhe offline, kur them psh se greqishtja e vjetër nuk e ka prejardhjen nga shqipja e sotme, gjendem në pozicionin e atij që thotë se toka është e sheshtë. Njerëz si aktori në fjalë, “gjuhëtarët” e shumtë që merren me etimologjinë e gjuhëve të huaja, gjithçfarë astrologësh, magjistarësh, baristësh, emigrantësh në pension, inxhinierësh pa punë, ish sigurimsash që po nuhasin se po rivjen dita e tyre etj bilmesë kanë arritur me sukses të ndërtojnë një bazë të shëndetshme për një ideologji nacional-ekstremiste.
    Meqë këtu garancia e vetme që ka rendi liberal është rendi ndërkombëtar, me këto që po ndodhin në këtë të fundit, duket se erëra të këqija po fryjnë.
    Nuk do të jetë çudi që shumë shpejt t’i kemi të faktorizuar politikisht këta dhe të shikosh monumentet e Dalip Norga dhe Xhahri Farra në sheshin Skënderbej, krah për krah me Xhevat Limani në kalë.

    1. Derës sate moj Derë i janë ndryshkur çerçivet.
      Ajo që juve u dhemb tani, është se nuk mund të gënjeni më lirshëm si më parë.

      1. Ja që ja arritëm ditës që të dalësh ti dhe ca të tjerë si ti, dhe të zbuloni të vërtetat të cilat masonët si puna ime i kanë mbajtur të fshehura në xhepin e brendshëm të futës, bashkë me kodin Da Vinci, prezervativat dhe kyçet e bibliotekës së Tragjasit.

      2. Kjo puna e te rrejtmes lirshem eshte si ta marresh. Kam pershtypjen qe me lirshem mund te rrejsh tashti o Gone qe jane hap gjithe ato TV private, socials e me the te thashe, keshtuqe edhe ata qe nuuk kishin ku te rrejshin me perpara tashti e kane lirine per te rrejt me pash.

      3. Agron: “Ajo që juve u dhemb tani, është se nuk mund të gënjeni më lirshëm si më parë.”
        Genjeshtrat lirshem dhe shpifjet i beni ju Agron, me sojin dhe sorollopin tend; madje edhe para kamerave. Jeni nje sharlatan i pagdhendur dhe i pagdhendshem.

  2. Situata nuk është e mirë, kjo “shkenca alternative” është në ekspansion e sipër dhe rrezikon të bëhet “dije e përgjithshme” në popull.

  3. Është rasti t’i (stër)thuhet Limanit e të gjithë të tjerëve që i kanë hyrë “detit” të etimologjisë më këmbë: Këpucar, shih këpucën, këpucar!

  4. Ky eshte fenomen boteror .Njerezia i shperfillin faktet kur e verteta eshte dicka qe nuk kane qejf ta degjojne .Ndoshta artikujt mbi gjuhen historine etj duhen shkruar ne dy variente :e verteta si eshte dhe varianti i dyte :e verteta si kemi ne deshire te jete .

  5. Ka një lapsus deri dhe autori i shkrimit, gjuhologu i spikatur A.V. – dhe ja mu këtu dallohet vjetërsia e shqipes. Logosi i Heraklitit, që në shqip është ruajtur ende si fjalë: LOG, nuk është gjë tjetër veçse vendi ku zë gjuha vend. Ndërsa lapsusi i të palodhurit e fort të nderuarit z. Vehbiu është: nuk ka gjuhë SERBISHTE. Gjuha në fjalë quhet SERBO-KROATISHTE. Tani: unë nuk jam i fushës, por shpesh kam vënë re në shkrimet e zotërisë Vehbiu pikiata në drejtime të ndryshme të pastudiuara fort prej tij, si p.sh.: arkitektura, urbanistika, demonstrata e heshtur, ku, gjithnjë sipas zotni Vehbiut, nuk ndodhi asgjë. Pyes një nga këta djemtë që njoh që ishin atë natë aty. I them: se ç’osht njoni, shumë i zellshëm n’internet qi poho akoma se s’paska nodh asigjo atnot. Ty sikur të thyen brinjët në rajon apo…?! Si e ka emrin, më pyeti mbrapsht, t’i vete atje dhe t’ia thyej brinjët. Nuk ia tregova, se helbete nuk ishte vënë në dijeni nga Zylyftar Ramizi.

  6. Për çdo gjë ekziston e kundërta e saj. Kështu, për atë që ju e quani turbologji, duhet të ekzistojë një e kundërt që të vihet në lojë.
    Thuhet se gënjeshtra ikën kur del e vërteta. Turbologji 24 karat është albanologjia juaj zyrtare. Gjithë sa ndodh dhe i ka prishur rehatinë kastës së albanologëve me tituj, ka filluar me daljen e oponencës ndaj veprës etimologjike të Çabejit. Ai studim, që më kushtoi dy vjet nga jeta ime, doli së pari në gjashtë numura te gazeta “Republika” më 1 qershor 2012. Vijimi i shkrimit u ndalua për tri ditë në datat 3, 4 e 5 qershor për shkak të presionit zyrtar. Kuptova se studimi kishte tronditur diku dhe reagimi ishte i shpejtë. Telefonoja në redaksi dhe më thoshin se: “vijimi i botimit të shkrimit tuaj është ndërprerë për arsye teknike”. Nga burime të tjera më konfirmuan se gazeta kishte patur presion “nga lart”. U pajtova me gjendjen. Por në dt. 6 qershor gazeta botoi në vijimësi studimin tim pa e lajmëruar në faqen e parë dhe kjo kishte ndodhur për shkak të një lumi telefonatash në redaksi që kërkonin vijimësinë e botimit të studimit tim. Ai shkrim u bë shkak të njihesha me Petro Zhejin e të bëheshim miq deri në fund të jetës së tij. Nga Zheji mësova se çfarë presioni i kishin bërë atij që të hiqte dorë nga studimet rreth etimologjisë së shqipes, por për çka më ka treguar ai, nuk është rasti të flas këtu. E vetmja që mund të them është se albanologjia zyrtare e Tiranës është një strukturë e organizuar e krimit ndërkombëtar kundër kombit shqiptar. Kësaj çështje do i kushtoj një libër më vete.
    Nëse i kthehemi asaj që ndodh tani dhe që ju e quani turbologji, në fakt është një çlirim i së vërtetës së ndrydhur qysh se në Shqipëri u vendos regjimi prosllav i Hoxhës. Lista e njerëzve të persekutuar e të denigruar për shkak se u morën me të vërtetën albanologjike është e gjatë. Me një vendim të posaçëm në vitin 1948 doli dhe u botua në gazetën “Bashkimi” lista e autorëve dhe veprave që ndalonte regjimi sllav i Tiranës.
    Albanologjia juaj është bërë konform interesave sllave dhe provat për këtë janë të shumta. Janë prova krimi ndaj kombit shqiptar.
    E vërteta nuk mund të luftohet me esetë e Vehbiut. Metoda qi i ndalonit studjuesit me dhunë psikologjike e fizike, nuk pi më ujë. Për shkak të regjimit demokratik ju nuk mund të burgosni më njeriun e mendimit ndryshe. Në ASh nuk ka ndryshuar asgjë që nga koha e Hoxhës. Janë e jeni po ata. Për të fituar ndaj jush ndihmon përhapja e së vërtetës. Ju mund t’i luteni shtetit me shpresën të na ndalojë daljen në media, siç u bë me peticionin. Po t’ua lejonte ligji do na fusnit në burg. Shteti i sotëm ka frikë konventat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, përndryshe edhe ky është shteti i juaj i kuq i lyer disi me ngjyra nga Edi Rama, por që anojnë nga mavia.
    Në rrethana të përshtatshme politike në Shqipëri ne do kërkojmë rishikimin e gjithë veprave dhe autorëve shqiptarë në albanologji.
    Ju keni vrarë institucionin e debatit shkencor dhe i kini mbushur institucionet e shkencës së albanologjisë me njerëz që jo vetëm i shmangen përballjes, por vazhdojnë ende linjën sllave. Diskretitimi publik është faza e parë që u kemi përgatitur. Mandej ju do përballeni me ligjin. Serbia u shpall me rezolutë të OKB si shtet gjenocidial dhe për këtë u deshën 30 vite.
    Koha punon për të vërtetën.

    1. Në rrethana të përshtatshme politike në Shqipëri ne do kërkojmë rishikimin e gjithë veprave dhe autorëve shqiptarë në albanologji.

      Nëse jeni kaq popullor dhe serioz, sa pretendoni se jeni, pse nuk krijoni një parti, të merrni pushtetin dhe të realizoni politikat tuaja? Demokracia në veprim, liberalizmi mbërrin në qëllim (më në fund!), etj. etj. Kështu dhe politika bëhet prapë interesante, se edhe kështu, pa opozitë, sikur s’ka lezet. Apo doni ta merrni me revolucion?

    2. Marredheniet shqiptaro serbe kane drite hijet e tyre .Jo gjithmone kemi qene hasha me ta .Keto probleme te sotme me ta jane te 150 viteve te fundit .Ironikisht mund t’u atribojme atyre mbijetesen e shqipes si gjuhe pasi i shpetoi nga latinizimi ashtu si perandoria osmane e shpetoi shqipen nga serbizimi .Ndersa Greqia gjithmone ka pretenduar vorio epirin ironikisht nepermjet gjimnazit Zosimea arsimoi gjithe eliten shqiptare te Rilindjes e cila hodhi themelet e kombit .I solla keto shembuj per theksuar se nuk ka miq e armiq te perjetshem e gjerat ne histori ndryshojne ,miku shpesh te kthehet ne armik e anasjelltas dhe faktet duhen pare si jane pa paragjykime e klishe.Por keto sulmet tuaja ndaj Cabejt me kujtojne ata qe pretendojne se amerikanet nuk zbriten asnjehere ne Hene .Cabej ndoshta nuk ishte i perkryer sepse atehere nuk ekzistonte teknologjia qe ekziston sot por duhet plotesuar jo hedhur poshte .

      1. Si e shpetoi serbishtja shqipen nga latinizimi , kur serbishtja eshte krijuar ne shekujt 11-12 ?
        Tjetra, perandoria bizantine qe para dyndjeve sllave, me Justinianin e Madh beri greqishten gjuhe zyrtare; ku hyjne serbet e ndikimi latin ne shqipe ? Kur serbet u dynden Perandori Herakli nuk dinte rezik asne fjale latinisht.

        Para pushtimit turk, shqipja flitej edhe ne malesite e Raguzes, cfare lidhje ka pushtimi turk me ruajtjen e gjuhes nga serbishtja ?
        Pse me keto mend do kundershtoni Agron Dalipajn ?

        1. Nuk e them une por shume gjuhetare e historiane e mbrojne tezen se dyndjet sllave ne Ballkan e nderprene procesin e latinizimit te shqipes .Ne rast se nuk e ke vene re pothuaj gjithe toponimet ne Shqiperi jane serbe e Kosova ka qene djepi i Serbise per rreth 250 vjet derisa erdhen osmanet e i perzune .Kjo s’do te thote se iu jep te drejten te pretendojne Kosoven nga e cila kane 600 vjet qe jane larguar por faktet jane fakte .

          1. Nuk e di se kush jane keta, nqs jane miqte e tu te pakten thuaje. Ndikimi latin ne ballkan shkoi ne zero qysh para dyndjeve sllave sepse perandoria romake e lindjes vuri greqishten si gjuhe zyrtare. Prandaj, nqs keta gjuhetare e historiane nuk vijne nga ndonje cep tjeter i multiversit, nuk mund ta pohojne dot per universin tone. Po une nuk besoj qe kjo eshte ceshtje fantashkence persa kohe qe ne jemi te vetedijshem qe ne Petandorine romake te limdjes latinishtja u zevendesua nga greqishtja. Pastaj per psikopatet ( crregullim bipolar) duhet gjetur besoj nje hapesire alternative ndaj peizazheve te fjales.

            1. Shqiptaret e hershem mendohet te kene jetuar pertej vijes ndarese te latinishtes e greqishtes , diku ne veri te lumit Drin,
              ” Had Roman rule in Albania continued for another few centuries, it would have blotted out the early Albanian tongue, as it had the native languages of the rest of the Roman Empire. That is to say, the Latin language of imperial Rome would have melted it down, too, as it did the other languages. However, this ongoing process of Romanisation was interrupted by the Slavic invasion of the Balkans around 600 AD. This is what preserved the early Albanians and their language.”
              http://www.albanianhistory.net/1936_Stadtmueller/index.html

    3. Me ndjeni Agron, por mendoj se llogjika juaj ne kete koment paraqet nje mishmash te vertete. Ju perzjeni dicka te provuar qe kurre nuk duhen bere bashke, politiken me shkencen, koktejli i dale nga kjo perzierje eshte dicka vertete me shije te keqe, per te mos thene qe ta shpif dhe te shkakton ndjesine per te vjelle. Te “vertetat” politike as jane marre dhe as mund te merren per baze nga shkencetaret serioz, te vertetat politike jane prodhime artizanale, ne mase derrmuese ne sherbim te pushtetit, kur te vertetat shkencore jane rezultat i nje pune studimore sistematike. Te nisesh per te bere shkence dhe si piknisje ta ndjesh si nevoje tu tregosh atyre qe pret te lexojne, se per arsye ke konsiderata madhore patriotike, ne dobi te Kombit, kjo eshte nje shaka shume e lezetshme, zbavitese, por, mjerisht, eshte dicka qe vetem me te verteten dhe shkencen nuk mund te kete te beje.

  7. PS. Ja ku dolëm përsëri te politika, tamam atëherë kur menduam se u depolitizuam përfundimisht (Rama III, opozita imagjinare, fundi i historisë etj). Vija ndarëse = politike, tani po i shkon mespërmes gjuhësisë; e kujt (neoliberali) mund t’ia kishte marrë mendja këtë?! It’s not the economy, stupid!

  8. Aq koncentrat turbologjik përmban ky monolog, sa në krye – i ngatërruar edhe nga kostumi skënderbejan i folësit – unë kujtova se po dëgjoja një parodi.

    Videoja është surreale: i ftuari Skënderbe (dora vetë!) para moderatorëve të veshur shik, atmosfera mesjetare-hagjiografike në studion post-moderne, ngjyrat, shkëlqimi, ndriçimi… pastaj “amerikanët” që e nxorrën shqipen gjashtëmijë vjeçare, “akademykët” e paguar, atentanti në 2002, Zoti, Djalli dhe Ëngjëllina; vetëm Donald T. mungonte.

    [Mos ndoshta prandaj nuk duhet marrë dhe aq seriozisht? Thjesht një episod më tepër i telenovelës shqiptare të pas ’90-ës, edhe pse telenovela vetë, që s’ka fund, duhet marrë tepër seriozisht (nëse nuk është shumë vonë për këtë…)]

  9. Sja vlen ta lexosh shkrimin tend, kur keni konflikt interesi te hershem dhe aktual. Se kuptoj ju qe mbani veten profesioniste te fushes tuaj shkruani dhe merreni kaq gjate me “skenderbeun” virtual ? Po te harxhonit kaq shume kohe per te bere kerkime shkencore dhe publikime shkencore do ishim me ndryshe si shoqeri, por ju keni degraduar ne komunizem kapitalist.

    1. Jam marrë dhe kam shkruar për plot tema të tjera, kam bërë kërkime shkencore dhe publikime shkencore (mund t’jua dërgoj edhe listën e botimeve, po të dëshironi). Por juve ju paska rënë në dhëmb vetëm ky shkrim për “Skënderbeun” virtual – kjo flet shumë për leximet dhe interesat tuaja, jo për punët dhe arritjet e mia.

    2. Ardian Vehbiu është edhe semiolog, kështu që nëse do e lexoje shkrimin do ta kuptoje pse merret me Skënderbeun virtual. TV-ja shqiptare, interneti shqiptar, turbologët, janë thesar i paçmuar për semiologët, shkrimtarët surrealistë dhe çfarëdolljë orkestrues të psy-op-eve.

  10. Bota njerëzore është në ndryshim të pandërprerë, falë zbulimeve të reja në shkencë e teknologji. Cilido që nuk ndjek ritmin e kohës, në një moment, e kupton se ka mbetur shumë mbrapa. Në transport njohim ende edhe sot: qerren, makinën, aeroplanin…
    Këtu, në këtë blog, shumicës së komentuesve u kanë mbetur akrepat te koha e Çabejit.
    Në gjuhësi ka ndodhur ngjarja që nuk pritej: zbërthehet morfema në pjesë më të vogla të kuptimshme e që janë embriomorfemat unike të shqipes. Kjo ngjarje ndryshon rrënjësisht qasjen ndaj morfologjisë dhe revolucionarizon krejt etimologjinë.
    Është krejt e natyrshme të ketë ndjekës së gjuhësisë krahasuese e të përfaqësuesve të saj, sepse kështu ndodh çdo herë, pas të gjitha zbulimeve të mëdha. Askush nuk i detyron të prapambeturit, të ndjekin ritmin e shkencës, përpos kur i detyron sistemi ku ata janë pjesë. Kur të prapambeturit janë drejtues të një sistemi, bëjnë çmos që sistemi i tyre të ruhet, sepse e reja që vjen krijon një tjetër sistem, që nuk përshtatet me sistemin aktual. Sistemet e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe ai më përparuari, me kohë, bëhet sistemi sundues.
    Në shkencën e etimologjisë faktohet se është zbuluar embriomorfema, si njësia më minimale që mbart kuptim dhe kjo po ndryshon krejt etimologjinë e shqipes. Tashmë ka fjalorë të tërë etimologjikë të ndërtuar konform referencës tek embriomorfema dhe metoda rrjedhëse prej saj.
    Askush nuk mund të guxojë të mohojë ekzistencën e “tabelës së embriomorfemave të shqipes” dhe rolin e tyre në formimin e fjalës dhe këtë, sistemi i gjuhësisë krahasuese e ka kuptuar mirë, ndaj dhe i shmanget përballjes direkte me metodën etimologjike të mbështetur tek embriomorfemat.
    Etimologimi i fjalës me motivim nëpërmjet embriomorfeve ka thjeshtëzuar të kuptuarit e procesit etimologjik në një masë të madhe njerëzish, sa është kthyer në një fenomen mbarëkombëtar të pakrahasueshëm me asnjë tjetër vend.
    Fenomen i masivizimit të etimologjisë, në hapësirat shqipfolëse, ka ndodhur sepse metoda e etimologjizimit me anë të embriomorfeve është më e thjeshtë të kuptohet prej të gjithëve, përkundër metodës së krahasimit që “e kuptonte” vetëm Çabeji. Metoda e krahasimit nuk arriti kurrë të gjejë etimologjinë e fjalës dhe më së shumti u mjaftua të japë dokumentimin e historisë së shkrimit të fjalës.
    Nuk pati kurrë masivizim të linjës etimologjike të gjuhësisë krahasuese, sepse ajo metodë nuk bindi as ata që e përdorën, të cilët “bënin etimologji” me rrënjë fjalësh të hamendësuara, shumica e të cilave as do të kenë ekzistuar ndonjë herë.
    Në të kundërt të metodës së pakapshme të krahasimit, metoda e embriomorfeve në etimologim është lehtësisht e kuptueshme, por përdorimi i saktë i saj kërkon njohje të mirë të fonetikës. Një pjesë simpantizantësh të kësaj metode përfundojnë në rrokjezim fjalësh, njëjtë si me etimologjinë popullore dhe te kjo pjesë kapen kundërshtarët e metodës së embriomorfeve, për të bërë “identifikimin” me ta edhe të autorëve seriozë të kësaj metode. Stigmatizimi i grupit dhe “vrasja” në grup është metodë që e përdor vetëm shkenca sllavokomuniste e Tiranës. Shkenca e vërtetë merret me origjinalin e prototipin. Nuk mund të gjykohet Ajnshtajni (Einstein-i) pse një mësues fizike e interpreton jo mirë teorinë e tij dhe nuk mund të humbasë vlerat Verdi pse një trupë opere e baleti e vë dobët në skenë Traviatën.
    I vetmi akademik, që u mor seriozisht me një etimologji timen, edhe pse më çuditi, ishte Ardian Vehbiu. Pas shumë sulmeve verbale në televizion (RTSh) dhe në revistën e tij “Pezazhe të fjalës”, ai tregoi profesionalizëm dhe vuri në diskutim etimologjinë time të fjalës LAGUNA dhe kjo ishte një dëshmi se midis dy rrymave mund të ketë një debat shkencor. Vehbiu nuk është etimlog, por njeh mirë metodën e krahasimit. Më e udhës do ishte që në atë debat të hynte prof. Albert Riska, i cili është njohësi më i mirë i gjuhësisë krahasuese dhe shumë më i ngjashëm me Çabejin, për nga produkti i tij etimologjik. Por, si duket, Riska i njeh kufijt e tij.
    Do të ishte jo e udhës që në debat të futej A. Omari e B. Demiraj, pasi profesionalisht janë të dobët në gjuhësinë krahasuese, edhe pse kanë “produkt etimologjik” të botuar. Këta vlejnë vetëm për të organizuar peticione për të mbrojtur Çabejin, se nëse bie edhe zyrtarisht ai, bien edhe vetë të ngjashmit me të.
    Një shtet i së drejtës, përsa financon zyrtarisht shkencën e albanologjisë, do të duhej ndërhynte për të moderuar institucionin e debatit shkencor, midis rrymave dhe jo të bëjë sehir se si i firojnë taksat për punë pa vlerë e shpesh edhe antikombëtare. Atë që nuk po e bën shteti, qartë po e bën publiku i gjerë, i cili është pajtuar me rrymën e re etimologjike dhe distancohet përherë e më shumë nga akademizmi gjuhësor i Tiranës.
    Për albanologjinë zyrtare të Tiranës punët ishin “në rregull”, derisa u bënë publike idetë e Petro Zhejit. Gjërat ndryshuan skajshëm kur u anatemua publikisht vepra etimologjike e Çabejit. Publiku shqiptar ishte dëshmitar, se për 10 vjet asnjë akademik nuk guxoi të mbrojë etimologjitë e Çabejit dhe e vetmja “mbrojtje” e tij ishte përpjekja për të burgosur autorin e oponencës shkencore ndaj veprës etimologjike të Çabejit.
    Albanologjia zyrtare e Tiranës, që nga momenti kur me anën e një peticioni u kërkoi instancave më të larta të shtetit t’u mbyllej goja njerëzve me mendim ndryshe në albanologji, konfirmoi botërisht se nuk është institucion shkencor dhe nuk ka lidhje me shkencën. Shteti është fuqi e madhe dhe kërkesa që ai të sillet dhunshëm ndaj palës që mendon ndryshe, tregon se albanologjia e Tiranës ka patur historikisht në ndihmë shtetin, për të denigruar albanologët e pavarur. Censura, burgu, dhuna fizike e psiqike (me ndihmën e shtetit) kanë qenë “parimet” në të cilat kjo albanologji ka siguruar vazhdimësinë e saj. Në krye të kësaj albanologjie janë të njëjtët njerëz që kanë drejtuar në diktaturë e që drejtojnë edhe sot. As edhe qimen nuk e kanë ndërruar, e jo më zakonet.
    E vetmja gjë pozitive, që është duke u rritur, është neveria gjithëpopullore ndaj kësaj albanologjie, që produkt albanologjik ka vetëm konfirmimin shkencor të tezave sllave, për identitetin e kombit shqiptar.

    1. Hej Gone, si u bo ajo puna e Kaspikut? Ka ku me ik, apo s’ka ku me ik?

    2. Ja disa teori dhe perspektiva që kanë kundërshtuar ose sfiduar konceptin tradicional të morfemave në gjuhësi:

      1. Morfologjia e Fjalës dhe Paradigmës:
      – Mbështetësit e kësaj qasjeje, të tillë si Robert Stump, argumentojnë se fjalët duhet të jenë njësia kryesore e analizës, dhe jo morfemat.
      – Ata kritikojnë qasjen e bazuar në morfemë për të qenë shumë reduksioniste dhe për të dështuar në kapjen e modeleve dhe marrëdhënieve të ndërlikuara brenda leksikut.

      2. Morfologjia e Shpërndarë:
      – E zhvilluar nga gjuhëtarët si Morris Halle dhe Alec Marantz, kjo teori kundërshton pikëpamjen tradicionale të morfemës si njësia më e vogël me kuptim.
      – Morfologjia e Shpërndarë propozon që morfema tradicionale nuk është një njësi primitive, por në fakt është rezultat i ndërveprimit midis komponentëve të ndryshëm të gramatikës, si sintaksa dhe leksiku.

      3. Teoria e Optimizimit:
      – Disa hulumtues brenda kuadrit të Teorisë së Optimizimit, të tillë si John McCarthy, kanë vënë në pikëpyetje qendërsimin e morfemës në analizën gjuhësore.
      – Ata argumentojnë se qasja tradicionale e bazuar në morfemë dështon të kapë në mënyrë adekuate ndërveprimin e ndërlikuar midis kufizimeve dhe proceseve të ndryshme gjuhësore.

      4. Gjuhësia Njohëse:
      – Gjuhëtarët njohës, si Ronald Langacker, kanë propozuar pikëpamje alternative të strukturës gjuhësore që deçentrojnë rolin e morfemës.
      – Ata argumentojnë se gjuha kuptohet më mirë si një rrjet i asociacioneve simbolike dhe ndërtimeve, dhe jo si një grumbull i morfemave të veçanta.

      5. Gramatika e Ndërtimit:
      – Mbështetësit e Gramatikës së Ndërtimit, si Adele Goldberg, kanë kritikuar qasjen tradicionale të bazuar në morfemë për pamundësinë e saj për të kapur modelet e pasura dhe idiomatike të gjuhës.
      – Ata propozojnë një pikëpamje më holistike, të bazuar në ndërtimin, ku fokusi është te ndërtimet e ndryshme (modelet e formës dhe kuptimit) që përbëjnë një gjuhë.

      Këto teori dhe perspektiva alternative kanë sfiduar dominimin e qasjes tradicionale të bazuar në morfemë dhe i kanë shtyrë gjuhëtarët të marrin parasysh mënyra më të niansuar dhe gjithëpërfshirëse për të kuptuar strukturën dhe organizimin e gjuhës. Ndërsa koncepti i morfemës mbetet i fuqishëm, këto pikëpamje alternative kanë kontribuar në një kuptim më të larmishëm dhe dinamik të dukurive gjuhësore.

    3. Hedh nje i marre nje gur ne lume e duhen 100 te mencur per ta nxjerre. Mirepo ky yni, qe hedh guret ne faqet e PTF-se, tani eshte bere edhe namuzqar. Ndersa deri dje kerkonte oponence per pacavuret qe nxjerr nga goja e lapsi – kishte deklaruar madje se do dilte ne greve urie para ASHSH-se, mirepo vetem trashet dita me dite -, tani ka edhe preferenca si detyrim me percaktim, se kush duhet t’ia beje ate. Ende nuk ha pyke, se njohurite e tij per shqipen, e lere pastaj per gjuhe te tjera, nuk e kapercejne nivelin e nxenesit te klases se gjashte.

  11. Shqipja edhe mund te jete gjuha me e vjeter e botes, (pas sanskritishtes kuptohet qe eshte rrenja e gjithe gjuheve indo-europiane) por ajo qe eshte me e rendesishmja dhe qe gjithmone harrohet eshte pyetja se cfare i ka dhene kjo gjuhe dhe gjuhefolesit e kesaj gjuhe kultures boterore. Dhe nuk po dua ta krahasoj me greqishten apo latinishten, po le te themi edhe me anglishten, gjermanishten, rusishten apo edhe kinezcen qe eshte nje gjuhe ku e ku me re krahasuar me tonen. Sepse kontributi i gjuhes ne nje qyteterim tregon fuqine e saj shprehese dhe ndricuese. Me sa di une, kontributi i shqipes mund te permblidhet ne batuten e atij shqipos se vogel ne youtube qe kur e pyeten se cfare do behej kur te rritej tha: Nje Mut i Madh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin