MOS E KEMI KEQKUPTUAR BIBLËN DERI TANI?

 Nga Kaon Serjani

Në një ceremoni të drejtuar nga dy “pastorë” britanikë në datën 19 Maj 2024 në tarracën e Bashkisë së Tiranës dy femra shqiptare që identifikohen si lesbike, Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara, kurorëzuan me “martesë” lidhjen e tyre.[1] “Nga Anglia sepse në Shqipëri nuk kemi gjetur askënd që të jetë i hapur për të transmetuar fjalën e [Z]otit ashtu siç është. Jemi të detyruara ta gjejmë mirëkuptimin jashtë Shqipërisë”, është shprehur njëra prej tyre, Alba.[2] Nga kjo deklaratë nënkuptohet se pastorët në Shqipëri – që refuzojnë të kurorëzojnë një martesë të tillë – janë nga ata që, sipas Albës, e shtrembërojnë Fjalën e Zotit.

Në dekadat e fundit, martesat mes personave me të njëjtën gjini dhe shugurimi i homoseksualëve si shërbestarë, priftërinj apo pastorë janë shndërruar ndër sfidat më të vështira për Kishën e krishterë dhe po shkaktojnë vazhdimisht përçarjen e disa denominacioneve kryesore, sidomos në vendet e Perëndimit.[3] Si mund të shkaktojë një temë e tillë ndarje në Kishë, ndërkohë që për dy mijëvjeçarë është treguar një qëndrim i unifikuar, duke e konsideruar veprim kundër vullnetit të Zotit për seksualitetin njerëzor? A nuk është shkrimi biblik i qartë për këtë temë apo mos ndoshta e kemi keqkuptuar Biblën deri tani?

Kohët e fundit disa studiues (të cilët konsiderohen teologë liberalë) kanë dalë me një pretendim të guximshëm që deri tani ne e kemi keqinterpretuar Biblën në këtë çështje, veçanërisht apostullin Pal. Meqenëse Pali ka shkruar një pjesë të madhe të Dhiatës së Re, nëse dikush mund të provonte se ai nuk i kundërshtoi marrëdhëniet homoseksuale, pjesa tjetër e Dhiatës së Re nuk do të kishte shumë peshë në këtë çështje. Duke pasur parasysh këto fakte, një analizë biblike mbi këtë temë nuk mund të jetë kurrë e tepërt, ndërsa një shqyrtim i kujdesshëm i mësimeve të Palit bëhet edhe më i rëndësishëm.

Teza kryesore e këtij shkrimi është kjo: kritikat e kohëve të fundit që pretendojnë ta ri-interpretojnë pikëpamjen e Palit mbi homoseksualitetin nuk ia arrijnë dot kësaj, sepse ato: (1) injorojnë kontekstin judaik në të cilin shkruan Pali, (2) nuk marrin parasysh se si i kanë përdorur shkrimtarët e lashtë disa fjalë apo fraza kur përshkruajnë marrëdhëniet seksuale, dhe (3) i bashkangjisin tekstit të Palit koncepte të kohës së sotme (bien në anakronizëm).

Në pjesën e parë të shkrimit do të fokusohem në zbulimin e kuptimit të Palit në lidhje me fjalën greke arsenokoitai të përdorur te 1 Korintasve 6:9 dhe 1 Timoteut 1:10 dhe të përkthyer homoseksualitet (përk. i “ALBB 1994”),  ndërsa në pjesën e dytë do të analizoj fjalët e natyrshme dhe kundër natyrës (e panatyrshme) të përdorur te Romakëve 1.

Homoseksualiteti te 1 Korintasve 6:9 dhe 1 Timoteut 1:10

Te 1 Korintasve 6:9 na jepet një listë emrash që i referohet njerëzve të cilët Pali i paralajmëron që nuk do të trashëgojnë “mbretërinë e Perëndisë.”[4] Lista përfshin edhe “vjedhësit,” “lakmuesit,” “pijanecët,” “shpifësit,” dhe “mashtruesit” (1 Kor. 6:9-10). Termi arsenokoitai në këtë tekst gjendet midis tri fjalëve të tjera që kanë të bëjnë me devijime seksuale. Fjala e parë i referohet një personi që është “seksualisht imoral,” që është përkthimi i fjalës greke pornoi. Sipas studiueses Linda Belleville, “Rrënja greke porn, origjinalisht kishte të bënte me prostitucionin,” por “në kohën e Palit, pornoi kishte marrë një kuptim më të gjerë të veseve heteroseksuale, duke përfshirë edhe kurorëshkeljen (p.sh., 1 Kor. 6:9), seksin e rastësishëm (1 Kor. 7:1-2, 1 Thes. 4:3), prostitucionin e rrugës (1 Kor. 6:15-18), prostitucionin fetar (Zbu. 2:14, 20), dhe incestin (1 Kor. 5:1).[5] Fjala e dytë e listuar këtu nga Pali është përkthyer si “idhujtarët” por, siç vëren Belleville, “meqenëse gjendet në mes të mëkateve seksuale, mund të kuptohet lehtë si prostituta fetare.”[6] Fjala e tretë, “kurorëshkelësit,” është përkthimi i fjalës greke moicheia, që shpesh përshkruan “mosbesnikërinë [e një personi] në marrëdhëniet martesore.”[7]

Fjala arsenokoitai, që po marim në shqyrtim, është një fjalë e përbërë nga dy terma grekë arsenos (burrë ose mashkull) dhe koiten (shtrat), që, kur vendosen së bashku, paraqesin idenë “burra që shkojnë në shtrat me burra;” një eufemizëm për marrëdhëniet seksuale.[8]

Te 1 Korintasve 6:9 kjo fjalë (arsenokoitai) në shqip tradicionalisht është përkthyer “ata që venë prapa meshkujsh” (përk. Kristoforidhi 1879”)[9]homoseksualitet” (përk. “ALBB 1994”) ose “ata që shkojnë me meshkuj”  (përk. “Së Bashku 2020” dhe “Bibla Pro”). Edhe te 1 Timoteut 1:10 arsenokoitai është përkthyer në shqip “për ata që bjenë me meshkuj” (përk. Kristoforidhi 1879)[10]homoseksualitet” (ALBB 1994) ose “ata që shkojnë me meshkuj” (Së Bashku 2020).

Konteksti i vargut 1 Timoteut 1:10 ka të bëjë me përgjigjen e Palit ndaj mësuesve të rremë që kanë qenë duke folur keq dhe kanë hamendësuar në lidhje me Ligjin e Perëndisë. Pali bën komentin që Ligji  është i mirë, sepse i udhëzon njerëzit në lidhje me sjelljet e ndaluara që rebelët dhe shkelësit e ligjit i bëjnë. Në këtë tekst fjala arsenokoitai shfaqet pranë fjalës pornoi (përkthyer si “seksualisht imoral”), dhe praktika të tjera si “tregtarë skllevërisht dhe gënjeshtarë dhe ata që bëjnë betime të rreme, dhe për çfarëdo tjetër që është në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë” (1 Tim. 1:10). Studiuesit bien dakord që të dyja fjalët (pornoi dhe arsenokoitai) përçojnë të njëjtin kuptim si te 1 Korintasve 6:9. Në këtë aspekt, një studiues tjetër, Robert Gagnon, ka vënë re që “1 Timoteut 1:10 e përforcon kuptimin, në vend që të sigurojë një të kuptuar shtesë apo alternativ ndaj 1 Kor. 6:9.”[11] Bazuar te ky arsyetim, po i trajtojmë të dy pasazhet së bashku.

Përkthimi i fjalës arsenokoitai si “homoseksual” është sfiduar kohët e fundit në disa botime studimore. Polemika nuk ka të bëjë aq shumë me kuptimin e fjalëve individuale (arsenos dhe koiten), por me interpretimin e fjalës së përbërë. Pjesa më e madhe e studiuesve bien dakord që arsyeja pse arsenokoitai paraqet problem në përkthim është që, siç vëren studiuesi Richard Hays, fjalanuk gjendet në ndonjë tekst grek ekzistues më të hershëm se 1 Korintasve.”[12] Janë propozuar disa shpjegime alternative si përkthime më të mira të arsenokoitai që sfidojnë intepretimin tradicional. Këto do të shqyrtohen më poshtë.

Shpjegime alternative

Një shpjegim alternativ eshte se arsenokoitai nënkupton dashnorë djemsh. Me këtë sugjerim përkthimi pretendohet se Pali nuk po ndalon marrëdhëniet homoseksuale në këto pasazhe (1 Kor. 6:9 dhe 1 Tim. 1: 10), por ekuivalentin e asaj që sot e quajmë pederasti.[13] Për shembull, David Frederickson ka sugjeruar që termi i referohet “dikujt që ka një djalë si ἐρώμενος [eromenos]” (një djalë adoleshent që është në një marrëdhënie erotike me një burrë më të rritur).[14] Kështu, argumenton ai, në të dy pasazhet Pali po kundërshton pederastinë si një akt të padrejtë “për shkak të humbjes së kontrollit nga ana e dashnorit,” dhe për shkak të “turpërimit të mashkullit më të ri në moshë,” por jo sepse marrëdhënia homoseksuale është moralisht e gabuar në vetvete.[15] Një kundërshtim i ngjashëm vjen nga Marti Nissinen, që pretendon se ne nuk duhet të supozojmë se Pali po i dënon të gjitha marrëdhëniet homoseksuale “në të gjitha kohërat dhe vendet dhe mënyrat . . . Fjalët [e tij] nuk duhen përdorur për përgjithësime që shkojnë përtej përvojës dhe botës së tij . . . Pavarësisht nga lloji i seksualitetit që presupozohet te 1 Korintasve 6:9 dhe 1 Timoteut 1:10, në kontekstin e tyre të menjëhershëm ata janë shembuj të shfrytëzimit të personave . . . Ajo që Pali kundërshton kryesisht është padrejtësia që njerëzit u bëjnë të tjerëve.”[16]

Belleville i është përgjigjur kundërshtimit të Frederickson, duke thëne se, nëse do të ishte që Pali po dënonte pederastinë, ai “do të kishte përdorur termin e njohur grek paiderastiai—“dashnorë djemsh.”[17] Kjo sugjeron, argumenton Belleville, se Pali nuk ka në mendje thjesht një marrëdhënie homoseksuale specifike, por homoseksualitetin në një kuptim më të përgjithshëm. Belleville gjithashtu ka vërejtur se ky interpretim “nuk përshtatet me grupimin seksual të 1 Korintasve 6:9, sepse supozon që nuk është i gabuar akti, por teprimi i tij. Kjo do t’i bënte ‘imoralitetin seksual,’ ‘idhujtarinë,’ dhe ‘kurorëshkeljen’ njësoj të pranueshme për sa kohë dikush nuk e tepron me to.”[18] Siç e vë në dukje Belleville, ky do të ishte një kuptim absurd për këtë pasazh si të tërë. Në kontekstin më të madh të pasazhit Pali nuk po u bën thirrje korintasve thjesht t’i përshtatin sjelljet e tyre, por t’i ndalojnë ato.

Studiues të tjerë si Gagnon argumentojnë që nuk mund të nxjerrim si kuptim që Pali po ndalon vetëm shfrytëzimin në një marrëdhënie homoseksuale (dhe jo homoseksualitetin vetë), sepse, në raste të tjera kur Pali kundërshton mëkatin seksual, ai nuk nënkupton ndonjë kusht, por i konsideron ata akte mëkatare në vetvete.[19] Për shembull, argumenton Gagnon, kur Pali ndalon incestin te 1 Korintasve 5, dhe seksin me prostituta te 1 Korintasve 6:12-20, nuk ka asgjë në ato tekste që të sugjerojë se ai mund të ketë në mendje sjelljen abuzive të subjektit që motivon kundërshtimin e tij. Me fjalë të tjera, nuk ka tregues që incesti apo seksi me prostituta duhet të jetë i pranueshëm në disa rrethana. Nën dritën e kësaj nuk mund të supozojmë që, kur Pali ndaloi marrëdhëniet homoseksuale, ai duhet të ketë patur në mendje një lloj të caktuar dhe jo të gjitha marrëdhëniet homoseksuale. Prandaj është ndoshta më e saktë të themi që Pali po kundërshton praktikën e homoseksualitetit, pa klasifikime si humbja e kontrollit të dashnorit apo sjellje të tjera të padrejta.

Një tjetër shpjegim alternativ i arsenokoitai është që Pali e përdor atë për të qortuar prostitucionin mashkullor por jo “homoseksualitetin.” John Boswell i Universitit të Jellit (Yale) ka mbrojtur këtë pikëpamje, për shembull. Ai shkruan që mënyra si e përdor Pali termin, nuk do të thotë “homoseksual,” por “prostituta aktivë meshkuj, që ishin të zakonshëm në të gjithë botën helenike në kohën e Palit.”[20] Në mbështetje të këtij pozicioni, Boswell argumenton që, nëse të krishterët e hershëm do të kishin kuptuar që Pali ishte kundër homoseksualitetit në këta pasazhe, ata do t’u ishin drejtuar teksteve të Dhiatës së Vjetër, si Levitiku 18:22 dhe Levitiku 20:13, që janë qartësisht kundër homoseksualitetit.[21] Arsyeja pse ata nuk i përdorën ato tekste, vazhdon Boswell, është që ata (si edhe Pali) mendonin se ato pasazhe zbatoheshin vetëm për Izraelitët, dhe jo për të krishterët. Prandaj, vazhdon argumenti, nëse krishtërimi i hershëm nuk e kundërshtoi homoseksualitetin duke iu drejtuar ndalimeve specifike të Levitikut, rrjedh që ata duhet ta kenë kuptuar që Pali nuk po kundërshtonte homoseksualitetin.

David Wright i është përgjigjur Boswell duke argumentuar që, në fakt, të krishterët e hershëm iu drejtuan teksteve të Dhiatës së Vjetër për të kundërshtuar homoseksualitetin. Wright e ndërton argumentin e tij duke cituar shkrimtarë si historiani i kishës Eusebi i Cezaresë. Për shembull, thotë Wright, Eusebi e përdori fjalën arsenokoitaiDemonstrimi i Ungjillit, dhe konteksti i saj sugjeron qartë që ai kishte në mendje Levitikun 18:22.[22] Për më tepër, meqenëse Eusebi citon edhe Levitikun 18:22 dhe 20:13 në librin tjetër të tij Përgatitja për Ungjillin, ky është një konfirmim i mëtejshëm që ai e konsideronte Ligjin moral të Dhiatës së Vjetër “si ende të detyrueshëm për popullin e Perëndisë [të krishterët].”[23]

Wright vazhdon me sugjerimin që Pali vetë ka shumë mundësi të ketë në mendje Levitikun 18:22 dhe 20:13 kur përdor fjalën arsenokoitai në 1 Korintasve dhe 1 Timoteut; duke iu referuar ndoshta përkthimit në greqisht të Dhiatës së Vjetër, të njohur si Septuaginta (LXX). Sipas Wright, “Paraleli midis frazës së LXX-ës αρσενος ου κοιμηθήση κοίτην [të shtrihesh me një burrë—Lev. 18:22] dhe për më tepër κοιμηθη μετά αρσενος κοίτην [kushdo që shtrihet me një burrë—Lev. 20:13] dhe asaj të Palit άρσενοκοΐται [arsenokoitai] nuk mund të mos vihet re.”[24]

Studiues të tjerë si Gagnon dhe James DeYoung bien dakord me vlerësimin e Wright. Sipas Gagnon, “që arsenokoitai ka në mendje ndalimet e gjera te Levitiku kundër të gjitha formave të marrëdhënieve intime mashkull me mashkull është edhe më e qartë te 1 Timoteut 1:10 sesa 1 Korintasve 6:9, meqenëse lista e veseve përshkruhet si listë që vjen nga ‘ligji’ te 1:8-9.”[25] (“Ligji” këtu i referohet ligjit të Dhiatës së Vjetër). Për më tepër, për të treguar varësinë e Palit ndaj Septuagintës (LXX), DeYoung ka vërejtur që “Ai zakonisht citonte nga LXX sesa nga DHV në hebraisht kur citonte DHV.”[26] De Young vazhdon, “Kur Pali aludon për [Lev.] 19:19 te 2 Kor. 6:14 për të ilustruar ndalimin e vënies në një zgjedhë në mënyrë të pabarabartë, ai krijon një fjalë έτεροζνγοννπς (heterozygountes, ‘të jesh në një zgjedhë në mënyrë të pabarabartë’) që nuk gjendet asgjëkundi përpara tij. Megjithatë, forma mbiemërore έτεροζύγω (. . . “i vënë në zgjedhë në mënyrë të pabarabartë”) gjendet te [Lev.] 19:19.[27] Kjo sugjeron, argumenton DeYoung, që në mënyrë të ngjashme me heterozygountes, termi arsenokoitai nuk del në shkrime të tjera para Palit, sepse është krijuar nga ai bazuar në Septuagintën.

Për ta përmbledhur, siç e kanë treguar Wright, Gagnon, dhe DeYoung, lidhja është e qartë: Pali përdor fjalën e përbërë arsenokoitai duke pasur në mendje Levitikun 18 dhe 20 të cilat i kundërshtojnë hapur marrëdhëniet mes të njëjtës gjini.

Këtu duhen bërë dy saqrime. Së pari, duhet vënë re se arsenokoitai në të dy pasazhet (1 Kor. 6:9 dhe 1 Tim. 1:10) nuk iu referohet atyre që luftojnë me tërheqjen ndaj personave të së njëjtës gjini, por atyre që e praktikojnë atë. Dhe së dyti, meqenëse njëra nga rrënjët është arsenos, që i referohet burrit ose mashkullit, një përkthim i saktë i fjalës së përbërë duhet ta specifikojë që ajo bën fjalë për marrëdhëniet seksuale midis burrave, dhe jo për “marrëdhëniet mes personave të së njëjtës gjini” (që do të nënkuptonte edhe gratë).[28] Kjo e fundit nuk do të ishte një përkthim i saktë në këtë rast. Me fjalë të tjera, ndalimi i arsenokoitai është kundër marrëdhënieve seksuale me një mashkull tjetër. Duhet të shkojmë te Romakëve 1 për të gjetur një urdhërim të qartë kundër marrëdhënieve lesbiane.

Marrëdhëniet mes personave të të njëjtës gjini te Romakëve 1:26-27

“Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës [të panatyrshme]. Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre.” Romakëve 1:26-27

Meqenëse te Romakëve 1 dënimi i marrëdhënieve homoseksuale bëhet përmes një konteksti teologjik më të qartë, dhe meqenëse vetëm këtu apostulli Pal ndalon marrëdhëniet mes femrave, pasazhi bëhet kështu, siç e thotë Hays, “Teksti më kyç për etikën e krishterë në lidhje me homoseksualitetin.”[29] Robert Jewett vëren se ky “shënim shumë barazues” në trajtimin nga ana e Palit të marrëdhënieve mes personave të së njëjtës gjini i mban “gratë në të njëjtin nivel llogaridhënieje si burrat.”[30] Megjithatë, ky tekst ka qenë shumë i debatuar në disa vepra studimore kohët e fundit. Tre kundërshtime kryesore janë hedhur kundër të kuptuarit tradicional që ky pasazh dënon të gjitha llojet e marrëdhënieve homoseksuale.

Një kundërshtim i parë (i ngjashëm me argumentin për 1 Korintasve 6:9) është ideja që në këtë pasazh Pali po kundërshton humbjen e vetë-kontrollit në një marrëdhënie homoseksuale dhe jo vetë sjelljen homoseksuale. Për shembull, sipas Frederickson, ky tekst “thekson problemin e pasionit dhe pasojat e tij dhe jo shkeljen e një norme hyjnore për marrëdhëniet intime të meshkujve dhe femrave.”[31] Ai argumenton që fraza “u ndezën nga epshi për njëri-tjetrin” (Rom. 1:27) është një metaforë e huazuar për dashurinë seksuale nga zhanre të tjera të letërsisë së lashtë për të theksuar “mjerimin e dashnorit, gjendjen e tij vazhdimisht të pakënaqur dhe humbjen e vetë-kontrollit.”[32]

Në lidhje me fjalët e natyrshme dhe kundër natyrës (e panatyrshme) (Rom. 1:27), Frederickson pretendon që duhen shpjeguar në kontekstin e asaj që shkrimtarë të tjerë të lashtë kuptonin me këto koncepte. Për të argumentuar qëndrimin e tij ai u drejtohet shkrimeve të filozofëve grekë si Platoni dhe Aristoteli. Për shembull, ai i referohet konceptit të Platonit të përdorimit të duhur (correct use) të pronës, që në kontekstin e lashtë përfshinte fëmijët dhe gratë.[33] Ai ndërthur edhe mendimin e Aristotelit kur bëri dallimin midis llojeve të burrave, “Tani është e qartë se burrat janë të vetëpërmbajtur dhe të qëndrueshëm, të papërmbajtur dhe të butë, në lidhje me Kënaqësitë dhe Dhimbjet”[34] Më tej, ai pretendon që Epikteti konsideronte të panatyrshme “Dëshirën për objekte që mund të mos vijnë në zotërimin e subjektit dhe t’i japin kënaqësi.”[35] Gjithashtu, sipas tij, mësuesi i famshëm i retorikës, Seneka, e quajti gabim “kur dëshira natyrale tejkalohet dhe hyn pasioni në mënyrën si zotërohen gjërat.”[36] Duke patur parasysh këto të dhëna, thotë Frederickson, konteksti i filozofëve dhe shkrimtarëve të mësipërm sugjeron që fjalët e natyrshme dhe e panatyrshme kanë “më pak të bëjnë me gjininë e personit që kryen marrëdhënie seksuale dhe më tepër të bëjnë me humbjen e vetë-kontrollit që përjetohet nga përdoruesi i trupit të një tjetri.”[37] Kështu, konkludon ai, Pali nuk po dënon homoseksualitetin, por kundërshton pasionet e papërmbajtura.[38]

Në përgjigje, duhet vërejtur që pretendimi i Frederickson që konceptet e mendimtarëve të mësipërm janë të lidhura me kontekstin e Palit, nuk ka mbështetje ekzegjetike. Ai nuk tregon se si lidhet përdorimi i duhur i pronës i Platonit me atë që është qendrore në mendimin e Palit tek Romakëve 1. Për më tepër, është e vërtetë që Aristoteli i nxiti lexuesit e tij të kultivonin përkoren, përmbajtjen dhe vetë-kontrollin, por nuk rrjedh patjetër që ai kishte në mendje edhe marrëdhëniet mes personave të së njëjtës gjini kur shkroi për ato virtyte. Për më tepër, kur vjen puna te seksualiteti njerëzor, Frederickson nuk i merr parasysh pikëpamjet e qarta të Platonit dhe Aristotelit mbi marrëdhëniet mes personave të së njëjtës gjini, që nuk mund të keqkuptohen. Platoni shkroi, “Kur mashkulli bashkohet me femrën për lindjen e pasardhësve, kënaqësia që përjetohet është e natyrshme. Por mashkulli me mashkull, ose femra me femër është kundër natyrës dhe një neveri e dorës së parë.[39] Siç duket, Platoni i konsideronte marrëdhëniet heteroseksuale të natyrshme dhe bashkimet mes të njëjtës gjini të panatyrshme.

Ashtu si Platoni, edhe Aristoteli lartësonte marrëdhëniet heteroseksuale dhe kundërshtonte bashkimet mes të njëjtës gjini, për shembull, kur shkroi, “Në rradhë të parë duhet të ketë një bashkim të atyre që nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin, e thënë thjesht, të mashkullit dhe femrës, që të vazhdojë raca (dhe ky është një bashkim i formuar, jo nga zgjedhja, por sepse . . . [qeniet njerëzore] kanë [një] dëshirë të natyrshme për të lënë pas tyre një imazh të vetes).”[40] Në kundërshtim me pretendimin e Frederickson, siç tregohet këtu, përdorimi i fjalës e natyrshme nga Aristoteli përputhet shumë mirë me atë që kuptojmë të jetë përdorimi i saj nga ana e Palit si marrëdhënie heteroseksuale.

Jo vetëm filozofët, por edhe historianët e lashtë e kanë përdorur gjuhën e të natyrshmes për t’iu referuar marrëdhënieve heteroseksuale, dhe të panatyrshmes për t’iu referuar bashkimeve mes personave të së njëjtës gjini. Për shembull, Plutarku i konsideronte marrëdhëniet mes të njëjtës gjini si diçka “të turpshme.”[41] Gjithashtu, Jozefi, historiani hebre i shekullit të parë shkroi, “Ligjet tona [në lidhje me martesën] nuk pranojnë asnjë përzierje tjetër të gjinive përveç asaj që ka caktuar natyra, të një burri me gruan e tij.”[42] Në përmbledhje, mënyra si i kanë përdorur shkrimtarët, filozofët dhe historianët e lashtë fjalët e natyrshme dhe e panatyrshme në lidhje me çështjet seksuale është më në përputhje me idenë që Pali e kundërshtoi homoseksualitetin dhe e konsideroi atë të panatyrshëm.

Një mbështetje shtesë në lidhje me të kuptuarit tradicionale të pikëpamjes së Palit mbi marrëdhëniet seksuale vjen nga tradita e Kishës së Hershme, që në mënyrë unanime i ka kundërshtuar marrëdhëniet homoseksuale. Për shembull, Polikarpi, që ka shkruar në shekullin e dytë, thotë, “Është një gjë e mirë të përmbahesh nga epshet e botës . . . as prostitutat meshkuj, as burrat që e ndotin veten me burra nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.”[43] Gjithashtu, teologu i shekullit të tretë, Hipoliti, flet për burra që, “duke e lënë marrëdhënien e natyrshme me gruan, u dogjën në epsh ndaj njëri-tjetrit; burra me burra duke bërë atë që është e turpshme.”[44] Për më tepër, Eusebi shkruan, “Mos e ndotni veten me ndonjë nga këto gjëra,” si “bashkimi i grave me gra dhe i burrave me burra.”[45] Dhe Gjon Krisostomi (Joan Gojarti) deklaron, “O ju prishës të çdo morali, që përdorni burrat sikur të ishin gra.”[46] Siç tregohet në këto citime, shkrimet e të krishterëve të hershëm tregojnë se ata kanë kuptuar që apostulli Pali ishte kundër marrëdhënieve homoseksuale. Është gati e pamundur që të gjithë ta kenë keqinterpretuar atë.

Një kundërshtim i dytë është ideja që Pali nuk po dënon këtu marrëdhënien homoseksuale në vetvete, por sjelljen e atyre që janë nga natyra heteroseksualë, por marrin pjesë në marrëdhënie me persona të së njëjtës gjini, dhe sjelljen e atyre që janë nga natyra homoseksualë, por marrin pjesë në marrëdhënie me persona të gjinisë së kundërt.[47] Me fjalë të tjera, siç e thotë studiuesi Craig Blomberg, “për homoseksualin, ‘marrëdhënie të natyrshme’ do të përfshinte partnerë të së njëjtës gjini,” kurse “sjellja heteroseksuale do të ishte e panatyrshme,” për ta.[48] Kështu, vazhdon argumenti, shton Hays, ky ndalim “nuk zbatohet për ata persona që janë ‘natyrshëm’ me orientim homoseksual,”[49] por vetëm ndaj atyre orientimi i të cilëve nuk është homoseksual.

Mund të argumentohet që ky interpretim nuk është i saktë, sepse presupozon që Pali kishte në mendje konceptin e sotëm të orientimit seksual.[50] Sipas Blomberg, ky koncept nuk mund të importohet “në fjalorin e lashtë.”[51] Hays bie dakord që “as Pali, as ndonjë tjetër në lashtësi” nuk e kishte konceptin e orientimit seksual. “Të futësh këtë koncept në pasazh . . . është të biesh në anakronizëm.”[52]

Një kundërshtim i tretë është që te Romakëve 1 Pali dënon idhujtarinë, jo homoseksualitetin. Sipas kësaj pikëpamjeje, homoseksualiteti ekspozohet si një sjellje e ndyrë që është rrjedhojë e idhujtarisë së njerëzve. Në këtë aspekt, marrëdhënia homoseksuale është e panatyrshme në kuptimin që është e papastër; domethënë, jo siç duhej të ishte, por nuk do të thotë që është moralisht e gabuar.[53] Me fjalë të tjera, marrëdhëniet seksuale mes personave të së njëjtës gjini janë sjellje e ndyrë, por jo mëkat.

A qëndron ky interpretim? Së pari, është e vërtetë që homoseksualiteti te Romakëve 1:26-27 është pasojë që rezulton nga idhujtaria. Teksti thotë që për shkak të sjelljes idhujtare, “Perëndia i dorëzoi në epshe të turpshme” (Rom. 1:26). Kështu, siç vëren Belleville, “Idhujtaria është në zemër të këtij perversiteti.”[54] Megjithatë, duhet vënë re këtu që teksti nuk thotë që Perëndia iu dha atyre dëshira epshore, por që Ai i la të ndiqnin dëshirat e tyre. Në këtë aspekt, rënia në “epshe të turpshme” është një shprehje e zemërimit të Perëndisë për idhujtarinë e njerëzve, por kjo nuk do të thotë që ato akte janë të pamëkat. Ajo thjesht tregon që qëndrimi i papenduar pas mëkatit të idhujtarisë po i çon ata në një mëkat tjetër, homoseksualitetin. Së dyti, ky interpretim duket se kontradikton atë që duket të jetë qëllimi i këtij seksioni. Në këtë pasazh Pali po parashtron idenë që njerëzit kanë nevojë për Lajmin e Mirë (Ungjillin) sepse janë të shthurur. Dhe nuk është e gabuar vetëm sjellja e tyre idhujtare, por të gjitha sjelljet e listuara atje, duke përfshirë edhe homoseksualitetin.

Për më tepër, ne duhet të vëmë re edhe përdorimin e gjuhës këtu. Nëse nuk është moralisht e gabuar, atëherë pse Pali përdor fjalën “e turpshme” (vv. 26-27)? Sipas William Loader, këto sjellje janë “të turpshme sepse bien ndesh me [rendin e] krijimit të Perëndisë.”[55] Në lidhje me përdorimin e fjalës e natyrshme, Blomberg vëren që “pothuaj pa përjashtim te Pali kjo do të thotë ‘mënyra si i krijoi Perëndia gjërat,’ sipas sfondit të tij hebre, ndërsa Dhiata e Vjetër dhe letërsia hebreje midis Dhiatave në mënyrë uniforme bie dakord që homoseksualiteti shkel rendin e krijimit.” [56] Kështu, vazhdon Blomberg, “Ekzegjeza e përgjegjshme nuk ka zgjidhje tjetër veçse të konkludojë që marrëdhëniet seksuale gei dhe lesbiane gjithmonë i kundërvihen vullnetit të Perëndisë.”[57] Siç duket, fjalët e natyrshme dhe e panatyrshme në këtë pasazh (1:26) sugjerojnë që Pali nuk merakoset thjesht që të jetë në një linjë me përshkrimet e shkrimtarëve të lashtë në lidhje me marrëdhëniet heteroseksuale dhe homoseksuale. Përkundrazi, më thelbësore, ai duket se merakoset që t’i paraqesë marrëdhëniet heteroseksuale si një shprehje të rendit të krijimit dhe marrëdhëniet mes të njëjtës gjini si një prapësim të rendit të krijimit.

Së treti, Pali po kundërshton këtu homoseksualitetin dhe jo thjesht idhujtarinë, sepse për të marrëdhëniet mes të njëjtës gjini janë kundër natyrës ose të panatyrshme në të njëjtën mënyrë që edhe idhujtaria është e tillë. Pra, si të thuash, edhe idhujtaria, edhe homoseksualiteti janë praktika të çnatyralizuara; ato nuk janë ashtu siç kishte synim Perëndia që të ishin adhurimi dhe marrëdhëniet seksuale. Njerëzit u krijuan për të adhuruar Perëndinë, dhe jo krijimin e Tij, dhe gjithashtu të bashkohen në marrëdhënie seksuale me gjininë e kundërt (në martesë) dhe jo me njerëz të së njëjtës gjini.

Së fundi, t’i quash marrëdhëniet heteroseksuale të natyrshme dhe marrëdhëniet mes të njëjtës gjini të panatyrshme përputhet mirë me tregimin biblik më të gjerë. Kjo mbështetet nga Zanafilla 2:24 që shkruan, “Prandaj një burrë lë babanë e tij dhe nënën e tij dhe bashkohet me gruan e tij, dhe ata bëhen një mish.” Edhe Jezusi iu referua marrëdhënies mashkull-femër në martesë si një bashkim të caktuar hyjnisht kur tha, “atë që Perëndia ka bashkuar, askush të mos e ndajë” (Mat. 19:6; Marku 10:9). Pali vetë pohon të njëjtën teologji të seksualitetit dhe nuk lë vend për marrëdhënie të së njëjtës gjini kur u shkroi besimtarëve në Korint: “çdo burrë duhet të ketë marrëdhënie seksuale me gruan e tij dhe çdo grua me burrin e saj” (1 Kor. 7:2).

Konkluzion

Siç u bë e ditur më lart, ka patur disa përpjekje për të riinterpretuar mendimin e apostullit Pal në Dhiatën e Re me qëllimin që, nëse deri tani e kemi keqkuptuar mësimin e tij, atëherë krishterimi nuk duhet t’i kundërshtojë më lidhjet mes të njëjtës gjini dhe shugurimin e shërbestarëve homoseksualë në kisha. A e kemi keqkuptuar vërtet Palin? Ky shqyrtim shpreson të ketë treguar që shpjegimet alternative të fjalëve arsenokoitai, e natyrshme dhe kundër natyrës (e panatyrshme) nuk arrijnë të japin mbështetje të mjaftueshme që do të na bënte ta rishqyrtonim kuptimin e tyre tradicional. Mendoj se shpjegimet alternative dështojnë për tre arsye kryesore. Së pari, ato nuk marrin parasysh kontekstin e ndalimit hebre në të cilin shkruan Pali. Gabimisht presupozohet që Pali e braktis kodin moral të Dhiatës së Vjetër mbi homoseksualitetin siç ekspozohet te Levitiku 18 dhe 20. Në të vërtetë, nuk ka bazë biblike për të menduar që kodi moral i Dhiatës së Vjetër nuk aplikohet për të krishterët. Ka më tepër vazhdimësi midis dy Dhiatave sesa kanë sugjeruar disa.

Së dyti, shpjegimet alternative nuk marrin parasysh kontekstin e përdorimit të fjalëve “e natyrshme” dhe “e panatyrshme” nga shkrimtarët e lashtë. Në të kundërt me mendimet e kritikëve, mendimtarët e lashtë përpara Palit si Platoni dhe Aristoteli, si edhe shkrimtarë dhe historianë të tjerë të lashtë, e kanë konsideruar bashkimin mes të njëjtës gjini si të panatyrshëm. Përshkrimet e tyre përputhen mirë me interpretimin që Pali i konsideroi marrëdhëniet mes të njëjtës gjini në kundërshtim me rendin e krijimit.

Dhe së treti, shpjegimet alternative duket se e lexojnë tekstin e Palit përmes lenteve të koncepteve të sotme të homoseksualitetit, siç është koncepti i orientimit seksual, për shembull, që njerëzit e lashtë nuk do ta kishin kuptuar. Në këtë aspekt, kritikët bëjnë gabimin e anakronizmit. Në të kundërt të asaj që janë përpjekur të tregojnë kritikët e mësimit tradicional të krishterë, një lexim i kujdesshëm i teksteve të Palit tregon qartë se: (1) homoseksualiteti është një prishje e rendit natyror të krijuar nga Perëndia (Rom. 1:26-27); (2) ata që praktikojnë marrëdhënie seksuale mes së njëjtës gjini dalin kundër kodit etik të Ungjillit (1 Tim. 1:10); dhe (3) nëse nuk kthehen nga rrugët e tyre, “nuk do të trashëgojnë Mbretërinë” (1 Kor. 6:9). Kundërshtimi i Palit ndaj marrëdhënieve seksuale mes të njëjtës gjini nuk mund të ishte më i qartë se kaq.

Si përfundim, nga ky studim dalin gjithashtu edhe dy zbatime negative të qarta: (1) nuk ka vend që shërbestarët e krishterë të bekojnë martesa mes të njëjtës gjini, qoftë brenda kishës apo qoftë në tarracat e bashkive, siç ishte rasti i dy pastorëve britanikë që lidhën në “martesë” Albën dhe Edlirën, dhe (2) nuk ka vend në shërbesën e krishterë për shërbestarë të shuguruar homoseksualë. Një martesë mes personave të së njëjtës gjini nuk mund ta ketë bekimin hyjnor, sepse bie ndesh me synimin e Perëndisë për seksualitetin njerëzor. Në mënyrë të ngjashme, një shërbestar i krishterë homoseksual është një kontradiktë në vetvete.

© 2024 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] “Ceremonia tek tarraca e Bashkisë/ Martesa e parë “GAY” në Shqipëri, ‘fortunë’ reagimesh në rrjet” Zeri (19 Maj 2024),

https://zeri.ai/aktualitet/ceremonia-tek-tarraca-e-bashkise-martesa-e-pare-gay-ne-shqiperi-fortu-i201558 , Aksesaur ne 20 Maj 2024. “14 vite dashuri, dasma e parë në shqipëri mes 2 vajzave! Të dielën, dasmë në tarracën e bashkisë” në Report Tv (18 Maj 2024).  https://www.youtube.com/watch?v=0Zsim3ocCbM. Aksesaur ne 19 Maj 2024.

Në vitin 2015 u celebrua në Ambasadën Britanike në Tiranë martesa e parë mes dy personave të të njëjtës gjini (Donald Holder dhe Michael Keane), të cilët ishin shtetas britanikë, dhe si të tillë, ligji i tyre ua njeh martesën për sa kohë që ajo zhvillohet në ambientet e një misioni diplomatik britanik. Shih “Martesë e parë homoseksuale në Tiranë”,

(29 Maj, 2015).

https://www.balkanweb.com/martese-e-pare-homoseksuale-ne-tirane/#gsc.tab=0. Aksesuar në 19 Maj 2024.

[2] “Edlira e Alba, çifti i së njëjtës gjini kurorëzohen pas 14 vitesh të dashuruara! Sot ceremonia në tarracën e bashkisë së Tiranës!”, (19 Maj 2024), https://liberale.al/shqiperi/aktualitet/edlira-e-alba-cifti-i-se-njejtes-gjini-kurorezohen-pas-14-vi-i99499. Aksesuar në 19 Maj 2024.

[3] Shih Sharon Otterman, “Kapur në ndarjen e Metodizmit mbi martesat mes të njëjtës gjini,” New York Times, 5 maj 2013, https://www.nytimes.com/2013/05/06/nyregion/caught-in-methodisms-split-over-same-sex-marriage.html; Michael Gryboski, “Kisha presbiteriane (USA) lufton mbi martesat gei ndërsa denominacioni voton nëse duhet ta ripërkufizojnë martesën për të përfshirë çifte të të njëjtës gjini,” Christian Post, February 17, 2015, https://www.christianpost.com/news/presbyterian-church-usa-battles-over-gay-marriage-as-denomination-votes-on-whether-to-redefine-marriage-to-include-same-sex-couples.html; Harry Farley, “Kisha e Edinburgut voton për t’u ndarë nga Kisha Episkopale Skoceze në një shenjë të hershme skizme për vendimin për të mbështetur martesat gei,” Telegraph, 4 gusht 2018, https://www.telegraph.co.uk/news/2018/08/04/edinburgh-church-votes-split-scottish-episcopal-church-early/.

[4] Të gjitha vargjet biblike në të gjithë disertacionin janë marrë nga versioni në anglisht New International Version (2011).

[5] Linda L. Belleville, Sex, Lies, and the Truth: Developing a Christian Ethic in a Post-Christian Society (Eugene: Wipf & Stock, 2010), 88.

[6] Po aty, 88.

[7] Po aty, 336.

[8] Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 91.

[9] “DHIATA E RE, 1879, K. Kristoforidhi – Toskërisht”, 1 Timoteu 1:10, https://albanianorthodox.com/wp-content/uploads/Korinthianet-I.pdf.

[10] “DHIATA E RE, 1879, K. Kristoforidhi – Toskërisht”, 1 Timoteu 1:10, https://albanianorthodox.com/wp-content/uploads/Timotheu-I.pdf.

[11] Robert A. J. Gagnon, The Bible and Homosexual Practice: Texts and Hermeneutics (Nashville: Abingdon, 2001), 332.

[12] Richard B. Hays, “Awaiting the Redemption of Our Bodies: The Witness of the Scripture Concerning homosexuality,” in Homosexuality in the Church: Both Sides of the Debate, ed. Jeffrey S. Siker (Louisville: Westminster/J. Knox Press, 1994), 7. Shih edhe David E. Frederickson, “Natural and Unnatural Use in Romans 1:24-27: Paul and the Philosophic Critique of Eros,” in Homosexuality, Science, and the “Plain Sense” of Scripture, ed. David L. Balch (Grand Rapids: Eerdmans, 2000), 220.

[13] Për një shpjegim të këtij propozimi shih Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 91.

[14] Frederickson, “Natural and Unnatural Use,” 220.

[15]                                                       Po aty, 221. Theksimi i shtuar.

[16] Martti Nissinen, Homoeroticism in the Biblical World: A Historical Perspective (Minneapolis, MN: Fortress Press, 1998). 118. Cituar në Gagnon, The Bible and Homosexual Practice, 324-25.

[17] Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 91. Duhet vënë re këtu që edhe të krishterët e hershëm e kundërshtonin praktikën e paiderastes (dashnor i djemve/fëmijëve) dhe për t’i hequr konotacionin e tij që dukej si pozitiv, ata nxorën një tjetër fjalë, paidophthorēo, që do të thotë “të abuzosh seksualisht me/të korruptosh fëmijë.” Shih Larry W. Hurtado, Destroyer of the Gods: Early Christian Distinctiveness in the Roman World (Waco, TX: Baylor University Press, 2016), 167.

[18] Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 92.

[19] Gagnon, The Bible and Homosexual Practice, 325.

[20] John Boswell, Christianity, Social Tolerance, and Homosexuality (Chicago and London 1980), Shtojca 1, 341-353, cituar në David F. Wright, “Homosexuals or Prostitutes: The Meaning of Arsenokoitai (1 Kor 6:9; 1 Tim 1:10),” Vigiliae Christianae 38, no. 2 (June 1984): 125.

[21] Boswell, Christianity, Social Tolerance, and Homosexuality, 104, cituar në Wright, “Homosexuals or Prostitutes,” 128; Hays, “Awaiting the Redemption of Our Bodies,” 7. Hays ka vërejtur se “Fjala tjetër, arsenokoitai . . . është një përkthim i fjalës hebraike mishkav zakur (‘të shtrihesh me një mashkull’), marrë direkt nga Lev. 18:22 dhe 20:13 dhe përdorur në tekstet rabinike për t’iu referuar marrëdhënies homoseksuale.”

[22] Wright, “Homosexuals or Prostitutes,” 127.

[23] Po aty., 127.

[24] David F. Wright, “Homosexuals or Prostitutes: The Meaning of Arsenokoitai (1 Kor 6:9; 1 Tim 1:10),” Vigiliae Christianae 38, no. 2 (June 1984): 129.

[25] Gagnon, The Bible and Homosexual Practice, 334. Shih edhe DeYoung, “The Source and NT Meaning of Arsenokoitai,” 207.

[26] James B. DeYoung, “The Source and NT Meaning of Arsenokoitai,” 212.

[27] Po aty., 212-13. DeYoung vazhdon, “Më specifikisht, DHR shpesh e përdor pjesën e Levitikut 18-20. Struktura dhe përmbajtja e këtyre kapitujve i shënojnë ata si të veçantë. Këta kapituj, shpesh të identifikuar si ‘kodi i shenjtërisë,’ (ndryshe nga pjesa tjetër e Levitikut) janë universalë në shtrirjen e tyre, njësoj si Dhjetë Urdhërimet e Eksodit 20 dhe Ligji i Përtërirë 5. Për hebrenjtë Levitiku 19 ishte një lloj përmbledhjeje e Toras, një kapitull qendror në Pentatuk. Ky qëndrim u përcoll edhe te shkrimtarët e DHR kur kapitujt 18-20 janë përdorur gjerësisht. Ata janë cituar nga Krishti, Pali, Pjetri dhe Jakobi.41 “Ti do ta duash të afërmin tënd si veten tënde’ është nga Lev 19:18.” Po aty.

[28] Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 98-99.

[29] Hays, “Awaiting the Redemption of Our Bodies,” 7.

[30] Robert Jewett, “The Social Context and Implications of Homoerotic Reference in Romans 1:24-27,” në Homosexuality, Science, and the “Plain Sense” of Scripture, ed. David L. Balch (Grand Rapids: Eerdmans, 2000), 233.

[31] Frederickson, “Natural and Unnatural Use,” 207.

[32] Frederickson, “Natural and Unnatural Use,” 208. Theksimi është i imi.

[33] Po aty., 202-203.

[34] Aristotle, Nichomachean Ethics 7.4.2. Cf. 7.4.4, cituar në Frederickson, “Natural and Unnatural Use”, 220.  Shih edhe këtu https://www.perseus.tufts.edu/hopper/text?doc=Perseus%3Atext%3A1999.01.0054%3Abook%3D7. Aksesaur në 20 maj 2024.

[35] Frederickson, “Natural and Unnatural Use”, 214.

[36] Po aty., 215.

[37] Po aty., 207.

[38] Po aty., 215.

[39] Plato, Laws, 636c. Shih https://www.perseus.tufts.edu/hopper/text?doc=urn:cts:greekLit:tlg0059.tlg034.perseus-eng1:1.636c. aksesuar ne 20 Maj 2024. Gjithashtu, i cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 87. Theksimi është i imi.

[40] Aristotle, Politics 1252a, në Classics of Philosophy, 3rd ed., ed. Luis P. Pojman dhe Lewis Vaughn (New York: Oxford University Press, 2011), 309.  Shih onlin këtu Aristotle, Politics, 1252a1-1253a40.

[41] Plutarch, Dialogue on the Love 751D-752B, cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 104.

[42] Josephus, Ag. AP. 2. 25, cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 104-05. Theksimi i shtuar. Jozefi vazhdon, “Por e urren përzierjen e meshkujve me meshkuj, dhe nëse dikush e bën këtë, vdekja është ndëshkimi i tij” Ag. AP. 2. 25, cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 104-05. Për më tepër për si e përdornin shkrimtarët e lashtë fjalën e natyrshme në lidhje me seksualitetin, shih edhe DeYoung, “The Source and NT Meaning of Arsenokoitai,” 206-207.

[43] Polycarp, To the Philippians 5.1, cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 74. Theksimi i shtuar.

[44] Hippolytus, Refutation of All Heresies 5.2.18, cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 74. Theksimi i shtuar.

[45] Eusebius, Demonstration of the Gospel 4.10.6, cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 74.

[46] John Chrysostom, Homily on Titus 5, cituar në Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 74.

[47] See Hays, “Awaiting the Redemption of Our Bodies,” 9.

[48] Craig L. Blomberg, Jesus and the Gospels: An Introduction and Survey, 2nd ed. (New York: BandH Academic, 2009), 239.

[49] Hays, “Awaiting the Redemption of Our Bodies,” 9.

[50] Sipas The Dictionary of Psychology orientimi seksual është “Modeli dominant i sjelljes seksuale të një individi; specifikisht, një preferencë për veprimtari seksuale me persona të së njëjtës gjini, apo të gjinisë së kundërt, ose të dyja, ose një lloj parafilie [“deviacioni seksual” ose “një grup çrregullimesh psikoseksuale].” Raymond J. Corsini, The Dictionary of Psychology (Philadelphia, PA: Brunner/Mazel, 1999), 895. Për parafili shih faqen 691.

[51] Blomberg, Jesus and the Gospels, 239.

[52] Hays, “Awaiting the Redemption of Our Bodies,” 9.

[53] Një propagandues i këtij kundërshtimi është L. William Countryman. Për një tjetër trajtim, shih William R. G. Loader, “Reading Romans 1 on Homosexuality in the Light of Biblical/Jewish and Greco-Roman Perspectives of Its Time,” Zeitschrift Für Die Neutestamentliche Wissenschaft Und Die Kunde Der Älteren Kirche 108 (1) 2017): 119–49, doi:10.1515/znw-2017-0004.

[54] Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 102.

[55] Loader, “Reading Romans 1 on Homosexuality,” 136.

[56] Blomberg, Jesus and the Gospels, 239-40. Për marrëdhëniet mes të njëjtës gjini si kundër “natyrës” në judaizmin e hershëm, shih edhe Gagnon, The Bible dhe homoseksual Practice, 159-184.

[57] Blomberg, Jesus and the Gospels, 239-40. Shih edhe Jewett, “The Social Context and Implications of Homoerotic Reference in Romans 1:24-27,” 235-236; Belleville, Sex, Lies, and the Truth, 100; dhe Gagnon, The Bible and Homosexual Practice, 291.

2 Komente

  1. Në dekadat e fundit, martesat mes personave me të njëjtën gjini dhe shugurimi i homoseksualëve si shërbestarë, priftërinj apo pastorë janë shndërruar ndër sfidat më të vështira për Kishën e krishterë dhe po shkaktojnë vazhdimisht përçarjen e disa denominacioneve kryesore, sidomos në vendet e Perëndimit.

    Fenomen tipik protestant.

    Bibla nuk është woke. Sidomos Dhjata e Re, e cila është burimi i doktrinës së Kishës është shkruar në një gjuhë të thjeshtë, krejt popullore, nga njerëz të thjeshtë (peshkatarë, marangozë, tagrambledhës etj), për njerëz të thjeshtë, me kuptim sa më të qartë dhe të thjeshtë.

    αρσενοκοίτης i Palit ka kuptimin sodomit, pederastin ndaj çunave dhe homoseksualin aktiv (jo pasiv, e thënë me një batutë nga Sopranos, “pitcher, not catcher”). Homoseksuali pasiv, që nuk e shikoj ta kesh përmendur në tekst quhet μαλακός malakos dhe e ke po ashtu tek 1 Kor 6:9. Po ashtu nuk shikoj të përmenden termat νικολαΐτες nikolaitai dhe κύνες qen. Jashtë qentë thotë për homoseksualët Gjoni tek Zbulesa, 22:15. A thua duhet riinterpretim edhe kjo?

    Këto, me një njohuri të greqishtes, të para edhe në kontekstin e pasazheve të tjera, nuk paraqesin ndonjë vështirësi as përkthimi, as interpretimi. Nëse vështirësohet komuniteti 2SLGBTQ+, Kisha Pentikostale e kodit postar 82643 të Wyoming, ose teologë postmodernë, ky është problemi i tyre.

  2. Jezusi vete ishte kunder marteses sepse besonte ne ardhjen e mbreterise se perendise prandaj martesa si cdo gje tokesore ishte e pakuptimte .Edhe vete kisha ishte kunder marteses deri aty nga shekulli i 13te kur u pa se Jezusi s’kishte ndermend me ardhe anytime soon .Bibla dhjata e re u kanonizua rreth 4 shekuj pas Jezu Krishtit e veshtire te thihet nese ishin mesimet burimore te tij apo ato qe murgjit shkruan ne emer te tij .Jezusi vete ishte woke liberal i cili i perkiste sektit apokaliptik sipas te cilit kjo dynja ishte kaq se prapthi sa duhej shkaterruar komplet e ne vend te saj do te vendosej mbreteria e perendise ku te vuajturit do rronin te lumtur e te gezuar e te poshtmit do digjeshin ne ferr .Bibla vete ndersa ka mencuri njerezore e cila eshte ende relevant pasi natyra njerezore nuk ndryshon ne fund eshte refleksion i nje shoqerie agrare ne te cilen familja paternaliste ishte institucioni kryesor i shoqerise .Sot ne boten industriale roli i saj ka ndryshuar .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin