Ndoqa një episod të programit televiziv “Gjurmë shqiptare”, të drejtuar nga gazetari Marin Mema, që këtë herë eksploronte potencialin arkeologjik të brendatokës së Labërisë, veçanërisht të një zone përreth Tërbaçit. Zona besohet se është e pasur në varre të lashta dhe rrënoja të tjera që ende presin të hulumtohen nga ekspertët.
Memën duket se e ka tërhequr një toponim atje, “Varri i pellazgut”, të cilit me gjasë nuk i dihet mirë motivi dhe zanafilla – edhe pse një vizitë te vendi në fjalë nuk ndihmon shumë për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Kamera ndalet në mure me pamje të lashtë dhe gjurmë ndoshta fortifikimesh dhe rrugësh, për të cilat banorët i kanë gati shpjegimet; por gurët dhe muret ende nuk arrijnë të flasin.
Duket sikur këto mbetje të së shkuarës presin për arkeologun, që t’i “lexojë”; ka mjaft të tilla, dhe në një zonë të tërhequr, sa për të përligjur interesin e dijes. Për fat të keq, dhe ndryshe nga Veriu i Shqipërisë, brendatoka e Vlorës dhe vendbanimet atje nuk kanë tërhequr vëmendjen e “albanologëve” gjermanë dhe austriakë; dhe as kanë pasur intelektualë vendës – përfshi këtu klerikë – që t’i kenë gjurmuar shenjat e së kaluarës. Një fatalitet kulturor-gjeografik, që rëndon jo pak në atë çfarë dimë (dhe në atë çfarë kujtojmë se dimë) për lashtësinë e trojeve të Shqipërisë së sotme.
Në biseda me banorët, Mema zbulon se gërmimet e “varreve” nuk kanë munguar, por janë bërë nga amatorë – mësues dhe nxënës shkollash; dhe se disa sende që janë gjetur, si poçeri, armë, zbukurime dhe figurina, i janë dorëzuar muzeut të fshatit (Tragjas), i cili sot nuk ekziston më – kushedi ngaqë është plaçkitur gjatë viteve barbare 1990. Nëse zona ka pasur kaq shumë varre sa ç’thonë, kjo lë të kuptohet edhe se ka qenë e banuar dendur. Nëse janë zbuluar gjëkundi skelete ose mbishkrime (siç mund të pritej, për varret), për këtë nuk thuhet gjë.
Intervistat me banorët lënë të nëpërduket edhe një e vërtetë tjetër: që shumë prej rrënojave, pavarësisht nga natyra e tyre, janë “eksploruar” dhe me siguri dëmtuar nëmos shkatërruar krejt, nga kërkuesit e thesareve pas vitit 1990, ose një periudhe kur shteti e humbi kontrollin ndaj territorit.
Siç mund të pritej, banorët sjellin interpretimet, shpjegimet dhe teoritë e tyre për varret, duke përmendur rëndom “ilirët”, “mbretëreshën Teuta”, ose – më arsyeshëm – ngjarje të Mesjetës. Por përshtypja ime është se kjo lloj vetëdijeje historike i detyrohet shkollës dhe një mbishtrese pop-historike, dhe nuk ka lidhje me traditat gojore të mirëfillta, nëse të tilla ka pasur ndonjëherë. Vetë toponimi që u bë shkas për dokumentarin, “Varri i Pellazgut”, me gjasë provon më tepër përhapjen e mitit pellazgjik të Rilindjes, se ndonjë mbijetojë të “pellazgëve” në traditën gojore. Historia e mësuar, në hullitë e narrativës historike kombëtariste, përdoret kështu menjëherë për të shpjeguar të shkuarën, duke u projektuar mbi gjeografinë lokale dhe enigmat që fsheh zona.
Ky qark i shkurtër deri-diku e pengon edhe stabilizimin e statusit historik të rrënojave, të cilat ekzistojnë atje në pavarësi të plotë nga pop-historia dhe në pritje të një qasjeje diturore. Aq më tepër që bëhet fjalë për Shqipërinë e Jugut, e cila sot tërheq vëmendjen e arkeologëve nga bota më shumë në kontekstin e turizmit kulturor – siç është rasti i Butrintit.
Historianët dhe arkeologët në Shqipëri me siguri e kanë të qartë, më fort e më mirë se unë, që hinterlandi i Vlorës, dhe Labëria në përgjithësi, si zonë malore e mbrojtur, do të ketë shërbyer si rifuxhio për popullsitë lokale, në periudha trazirash të mëdha; dhe shanset që edhe atje të zbulohet dikur një “Koman” i dytë nuk duhen shpërfillur. Aq më tepër në rrethanat kur sot e kësaj dite debatohet fort për identitetin etnik të banorëve të asaj zone, nga lashtësia e këtej.
Kombëtarizmi – i cili ushqen një pjesë të madhe të interesit për programin “Gjurmë shqiptare” dhe u jep kontekst pyetjeve të shumta që shtron autori Mema – mund të ndihmojë për ta vënë fokus të arkeologëve një zonë aq pak të studiuar sa kjo, por me potencial të madh për të plotësuar dhe pasuruar atë çfarë dimë për epirotët në lashtësi dhe arbrit e Mesjetës së hershme; me kusht që të mos i ofrojë zgjidhjet të gatshme dhe as të qark-shkurtojë hipotezat përkatëse.
Nga ana tjetër, këtyre përpjekjeve – pavarësisht nëse mirëfilli diturore apo divulgative – u duhet të marrin parasysh edhe “korracimin” e vetëdijes historike lokale, falë arsimimit masiv të popullsisë dhe përhapjes së miteve kombëtariste nga humanitetet (historia, etj.). Nuk është detyrë e emisioneve si “Gjurmë shqiptare”, që t’i mbajnë të dhënat e truallit (si rrënojat) rigorozisht të ndara nga legjendat dhe interpretimet lokale, të cilat janë depërtuar tashmë krejt nga versionet romantike të narrativës kombëtare. Megjithatë, fakti që rrënojat quhen tani “ilire” dhe vendësit flasin rëndom për “mbretëreshën Teuta” thjesht dëshmon se, krahas rrënojave arkeologjike, historianëve dhe arkeologëve u duhet t’i bëjnë tani llogaritë edhe me mbishtresat moderne në vetëdijen historike lokale.
Nevojitet, kështu, një “RESET” i gjithçkaje që kujtojmë se dimë, nëse duam të mësojmë vërtet diçka, për një zonë që premton të na mësojë shumëçka për të shkuarën e lashtë dhe mesjetare të Shqipërisë së Jugut.
(c) Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Image by David Schwarzenberg from Pixabay