BËMË BABA TË TË NGJAJ: ROLI I BABAIT NË LËVRIMIN E GJUHËS

nga Enkeleida Kapia
Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë & Universiteti Ludwig Maximilian, Mynih

Kur isha fëmijë mbaj mend që babai ia kish lënë mamasë të gjitha përgjegjësitë e shkollimit tonë. Në shkollë na shpinin të dy në mëngjes, kapur dorë për dore, por ishte mamaja ajo që na rrinte mbi kokë me durim kur bënim detyrat, kur mësonim vjersha përmendësh apo edhe në ‘takim me prindërit’, ishte ajo që praktikisht përfaqësonte ata të dy. Ata të dy diskutonin plot rreth nesh, por ajo kishte pushtetin e edukimit tonë. Herë pas here shfaqej babai aty mbi kokat tona të përkulura mbi tavolinë, në aneksin e vogël, dhe miratonte me sy të butë e me buzë në gaz. Mbaj mend disa nga fjalët që na thoshte mamaja asokohe për të na motivuar për punët e shkollës, por më kujtohen gjithmonë veçanërisht recitimet e babait, sidomos netëve të ftohta të dimrit, kur piqnim gështenja mbi sobë e mblidheshim të gjithë në dhomën e ndenjjes e luanim letra. Mes gëzimit të lojës e të të qenit bashkë, herë herë na këndonte labçe ose herë herë na recitonte shumëçka mbante mend nga leximet e tij. Një botë e tërë magjike tingujsh e fjalësh. O ba, na e recito edhe një herë Naimin. Ai fillonte dhe unë e përfytyroja babain në Gurgjonaj duke mbushur ujë me Naimin në fshat, kodrave mbi Vjosë. Pastaj Dritëroin. Pastaj Saadiun.

E di ç’është gjuha në gojë, o njeri,
një kyç për thesarin e çdo mjeshtërie,
kur dera rri mbyllur asnjeri s’e di,
në je shitës rruazash a shitës inxhie.

Sot e gjithë ditën i mbaj mend të gjitha ç’na tregonte a recitonte babai kur ishin të vegjël. Nuk di nga e trashëgoi babai dashurinë e tij për fjalën. I ati, gjyshi im, nuk ishte dhe aq tregimtar, përkundrazi, tepër fjalëpak, por këndonte kaq bukur saqë në gojën e tij e gjithë bota qe një këngë polifonike. Mbaj mend përpara se të ndërronte jetë, I dergjur në shtrat nga sëmundja, i thirri fëmijët dhe u kërkoi të këndonin me të, këngë polifonike të cilat mua dhe sot e kësaj dite më ndjellin gëzim dhe mall. Por për babain, sakaq që për të fjala dhe arratisja nëpër këto udhëtime fjalësh mbrëmësore, mes tingujve e rrëfimeve, qenë një mjet lundrues e shpëtimtar larg asaj që regjimi komunist i pat taksur, fjala e libri, për ne, për aq sa i takonte atij, qenë një domosdoshmëri. Në një nga kujtimet e mia më të hershme të fëmijërisë, ai materializohet i ulur në divan – nuk di pse nuk ka drita, është komplet errësirë –  dhe reciton kumbueshëm vargje nga Asdreni. Në një botë që nuk e njihte egërsinë e regjimit komunist, e imagjinoja babanë një aktor (por edhe surf-ist, por për këtë mbase ju tregoj një herë tjetër) që rrëmbente zemrat e dëgjuesve të tij, gjithmonë me tinguj recitimesh e fjalësh të lakuara. Në këtë imagjinatë është endur me siguri fillesa e punës sime me fjalën e gjuhën.

M’u kujtuan të gjitha këto jo rastësisht. Në Akademinë e Studimeve Albanologjike, bashkë me disa studentët e mi, kemi disa vite që rrekemi të kuptojmë rolin e familjes në zhvillimin gjuhësor të bebeve, nga 1 e deri në 3 vjeç. Siç dihet, në këto tri vite të para të jetës ndodhin çudirat trunore. Shumë nga praktikat gjuhësore, kulturore, sociale, etj lënë gjurmë të pashlyeshme në trurin e njomë të të vegjëlve. Në fakt, këto praktika janë kaq të plotfuqishme sa çelin ose ngushtojnë ndjeshëm shtigjet e zhvillimit të mëtejshëm të fëmijëve më vonë, në shkollë, në punë, në shoqëri e kudo. Megjithëse është e vështirë të përmbledhësh thukët debatin shumëdimensional për rolin e familjes dhe, më konkretisht, të prindërve në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve të porsalindur, studimet syzojnë, ndër të tjerë syresh, nivelin arsimor të prindërve si një nga faktorët orientues që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e gjuhës tek fëmijët.

Këto kohët e fundit, kemi pasur rastin të njohim pak më mirë këtë dukuri në familjen shqiptare me anë të një hulumtimi në një kuadër kërkimi shkencor ndërkombëtar të krijimit të një instrumenti depistues/matës të zhvillimit të gjuhës tek foshnjat për qëllime klinike, kërkimore dhe edukative[1]. Ngërthyer në këtë kontekst, kemi zbuluar që për bebet shqipfolëse nga fshati apo qyteti, nga jugu ose nga veriu, nga familje me shumë ose pak të ardhura, faktori orientues që korrespondon përputhtazi me zhvillimin gjuhësor të fëmijëve është niveli arsimor i babait (por jo i nënës). Dhe pse në fillesat e veta, studimi ynë nuk mund të thuhet me siguri që përcjell një të vërtetë absolute për të gjithë shoqërinë shqiptare, por përcjell një të vërtetë të rëndësishme (përpos disa të tjerave të cilat nuk do i cekim fare këtu) për të gjithë materialin e shqyrtuar, i cili është marrë nga 130 familje dhe fëmijë anembanë vendit: sa më i lartë niveli arsimor i babait, aq më i përparuar dhe zhvillimi gjuhësor i fëmijëve të vegjël. Rezultatet e përftuara nga analizat e materialeve gjuhësore të fëmijëve janë më se domethënëse: fëmijët dinë më shumë fjalë, përdorin nocione më të sofistikuara gramatikore dhe konstrukte sintaksore më komplekse, nëse babai ka diplomë universitare ose pasuniversitare. Sakaq që shumë studime i kanë gjetur rrënjët e  zhvillimit gjuhësor tek fëmijët tek e padyshueshmja nënë, studimi ynë është ndër të paktët në të cilin babai gëzon një vend krejt të veçantë, misioni i tyre i thurur në mënyrë të pavetëdijshme në procesin e ruajtjes dhe lëvrimit të gjuhës në shoqëri.

Po pse luan babai një rol kaq të rëndësishëm? Për këtë vështirë se dikush mund të vërë dorën në zjarr për ndonjë përgjigje të saktë, dhe një përgjigje e tillë nuk mund të jepej pa u konsultuar gjerësisht me materiale e të dhëna të dokumentuara e analizuara posaçërisht për këtë çështje, por mund të japim disa mendime fillestare patëkeq, duke u mbështetur në një krehje sistematike të materialit nga areale të tjera gjuhësore. Siç rezulton nga disa studime, verifikimi i të dhënave të dokumentuara, kryesisht nga vende me shoqëri më shumë lindore se sa perëndimore (shoqëri me natyrë kolektive si e jona), përcjell rolin e babait bindshëm si rol parësor, meqenëse, kur babai arrin të sigurojë më tepër të ardhura për familjen, fëmijës i shtohen më shumë mundësitë për aktivitete ndërvepruese pozitive, brenda, por sidomos, jashtë familjes. Duke qenë me arsim më të lartë, gjasat janë që baballarët kanë punësime më fitimprurëse, të cilat lejojnë dhe mundësojnë angazhime sociale dhe mësimore të hershme që janë shumë më tepër domethënëse për zhvillimin kognitiv dhe gjuhësor[2]. Kjo tablo, pra, na vjen krejt e pavarur nga status quo-ja e nënës dhe nuk ka kurrfarë lidhje me të. Një arsye tjetër që rreket të shpjegojë fuqinë e rolit të babait në mbrujtjen e mirë gjuhësore të fëmijëve të vegjël lidhet me ndërveprimet më harmonike dhe sistematike që mund të kenë baballarët me arsim më të lartë me fëmijët e tyre[3]. Sa më të arsimuar janë, aq më shumë i vlerësojnë ndërveprimet me fëmijët e tyre të vegjël baballarët e rinj dhe aq më shumë kohë kalojnë me ta. Nëse këto shpjegime bartin po kaq rëndësi në kontekstin shqiptar, kjo mbetet për t’u parë më tej, por janë të paktën disa shpjegime të ofruara bujarisht për shoqëri të ngjashme si kjo e jona.

Parë nga perspektiva e albanologjisë si shkencë gjuhësore jo vetëm teorike, por edhe e zbatuar, e cila është e interesuar në njohjen dhe hulumtimin e larmive të varianteve që përjeton shqipja, kudo dhe kurdo, në jetën e individit pikësëpari, por edhe në atë të shoqërisë si një bashkësi individësh, shqyrtime dhe përsiatje me karakter mirëfilli sociolinguistik, si njohja e rolit të familjes (nënës a babait) dhe e faktorëve të tjerë demografikë, mundësojnë pikërisht gjëllimin e gjuhës, si dhe shpjegojnë deri diku dhe ndryshimet që ka përjetuar dhe përjeton gjuha në diskursin e zakonshëm gojor e shkrimor në kohët që jetojmë. Vështirë se vetëm babai është kyçi i një shqipeje të panjollë, por një gjë mund të thuhet me siguri: kërshërinë tonë fillestare e shton kumti i këtij studimi, i cili fiton më shumë kuptim meqë vjen tek ne në një kohë kur si shoqëri ndërmarrim një lëvizje krejt të hapur për shkëputje nga patriarkalizmi që e ka karakterizuar jetën dhe traditën zakonore familjare shqiptare.

(c) 2022 Enkeleida Kapia. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Kelli McClintock on Unsplash


[1] https://mb-cdi.stanford.edu/adaptations.html

[2] Cabrera NJ, Shannon JD, Tamis-LeMonda C. Fathers influence on their children’s cognitive and emotional development: From toddler to pre-K. Applied Developmental Science. 2007;11:208–213.

[3] Duursma E, Pan BA, Raikes H. Predictors and outcomes of low-income fathers reading with their toddlers. Early Childhood Research Quarterly. 2008;23:351–365.

About the Author

Enkeleida Kapia është kërkuese shkencore për çështjet e gjuhës pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe Universitetit Ludwig Maximilians në Mynih. Puna e saj kërkimore përqendrohet në aspektet psikolinguistike dhe sociolinguistike të gjuhës si dukuri njerëzore tek individët një- ose disa- gjuhësh. Është autore e disa librave, ndër të cilat edhe Psikolinguistika, i cili trajton anën konjitive dhe fiziologjike të gjuhës, me të dhëna dhe ilustrime edhe nga shqipja. Përpara kthimit të saj në Evropë, ajo ka punuar në Universitetin e Bostonit, ku ka kryer dhe studimet e saj doktorale. Pasioni i saj është hulumtimi i faktorëve që ndikojnë në përvetësimin e gjuhës nga fëmijët e vegjël si premisë kryesore jo vetëm në debatin “nature vs nurture”, por edhe në zbërthimin e natyrës modulare dhe evolucionare të gjuhës. Afërmendsh që dashuria e saj është shqipja.

Author Archive Page