Kur bisedoja me Ilir Yzeirin në emisionin e tij në ADN, ra muhabeti te fjalorët etimologjikë, veçanërisht ato të shqipes, dhe analiza statistikore që thuhet se u është bërë atyre fjalorëve nga turbologët. Këtyre ua kam vënë re prej kohësh, se nuk dinë as edhe si t’i qasen këtij lloj fjalori, nuk e kuptojnë mirë se çfarë është, madje i japin një lloj misioni kombëtarist epik që ai nuk e ka. Dhe një nga gjërat elementare që këta nuk e rrokin dot, është se fjalori etimologjik i një gjuhe nuk merret me fjalëformimin; një fjalë e fondit themelor të shqipes, si punë, zë vetëm një vend në fjalës (me fjalës kam parasysh listën e fjalëve zëra që përmban fjalori), ndërsa derivatet e saj, si punoj, punim, ripunoj, përpunoj, përpunim, i punuar, i përpunuar, i punueshëm, i papunë, punësim, papunësi, punëtor etj., të cilat në një fjalor normal të shqipes dalin më vete dhe që kanë indeks të lartë përdorimi në ligjërimin shqip të së gjitha llojeve, ose nuk merren fare në vështrim, ose shtohen si poshtë-shënim, në fund të trajtimit të fjalës punë (kështu vepron, p.sh. Topalli). Dhe kjo ndodh jo sepse këto fjalë nuk ngrenë peshë në leksik, por sepse prejardhja e tyre është e tejdukshme, nuk ka nevojë për ekspertin etimologjik që ta shkoqitë. Dhe, në të vërtetë, fjalësi i shqipes së sotme është shumë i pasur me fjalë të tilla të prejardhura, me strukturë morfo-leksikore të tejdukshme, nga të cilat një pjesë janë krijuar këto 200 vjetët e fundit, krahas me lëvrimin e ligjërimit të shkruar. Etimologu nuk ka nevojë të shpjegojë, për shembull, që një kompozitë si fatbardhë vjen nga fat + bardhë; me këtë merret leksikologjia. Dhe kjo përzgjedhje e fjalësit bëhet me qëllim që fjalori të fokusohet në ato fjalë shqipe, për të cilat prejardhja ka nevojë që të ndiqet nga specialisti, shpesh edhe pavarësisht nga statusi i tyre në leksikun e shqipes së sotme.
Për ta ilustruar këtë veçori të fjalorit etimologjik, kisha zgjedhur një sllavizëm çfarëdo të shqipes, fjalën vedër, të cilën FGJSSH e shpjegon si Enë zakonisht prej druri, me grykë të gjerë e me një vesh a me një dorezë, që përdoret për të mbajtur qumështin kur mjelim bagëtinë ose për të ruajtur bulmetin; mjelcë; dhe e kisha zgjedhur thjesht ngaqë ajo më doli përpara, rastësisht, në rusishte – si ведро; edhe pse fjala vetë, sipas etimologëve që janë marrë me të, ka hyrë në shqipe nga një gjuhë sllave e jugut, me gjasë bullgarishtja, sa kohë që besohet që fjala është e gegërishtes jugore dhe e toskërishtes. E zgjodha këtë vedër edhe ngaqë ajo ka mbetur pak e izoluar në shqipe, nuk përdoret më gjërësisht, nuk është produktive, në kuptimin që nuk ka dhënë fjalë të prejardhura me ndajshtesa (ajo vedërtar po më duket si artifakt leksikografik) dhe as merr pjesë në kompozita; por që, megjithatë, në një fjalor etimologjik zë po aq vend – numerikisht, statistikisht – sa edhe fjalë si punë, diell dhe hedh, të cilat i përkasin fondit themelor të gjuhës. E gjithë kjo, për të përcjellë idenë se struktura e fjalësit të një fjalori etimologjik nuk i ngjan strukturës së fjalësit të një fjalori të zakonshëm.
Kur u botua në YouTube emisioni ADN ia behën “arapët e Polenës” në komente dhe njëri prej tyre ligjëroi kështu:
Kaq pak rreshta mjaftojnë për profilin kompleks të trollit turbologjik, që trazon ujërat dikur të qeta të etimologjisë shqipe…
Duke filluar nga agresiviteti verbal – “o grek dhelpër”, “more qen”, “qena”, i cili i jep tonin komentit, sa kohë që prezanton një folës nga tabani, të indinjuar prej tradhtive që i dalin përpara në çdo hap; paçka se kjo “grek dhelpër” hidhet në akt-akuzë pa arsye, meqë për dikë që përmend huazimet sllave në shqipe më shumë do të shkonte akuza “serb ujk”, etj.; një grek dhelpër mbase do të kish vënë në dukje huazimet e shqipes nga greqishtja…
Dhe më tej, ideja se “ata” i kanë marrë këto fjalë nga ne, dhe pastaj ne i kemi marrë prapë mbrapsht; ide jo pa meritë, sepse shkëmbime të tilla me dy kahe kanë ndodhur. Por edhe konstatimi tashmë i lodhur, se albanologët tanë janë “tradhtarë”, mes të tjerash edhe ngaqë “kanë zhdukur gegnishten”; teksa toskërishtja “është komplet e huazuar dhe e ndikuar nga fjalë të huaja.” Në dy rreshta krejt programi i marrëzisë etnocentrike – mos duhet të them gegocentrike – i akademisë turbologjike!
Por ky koment spikat edhe me etimologjinë që jepet aty për vedër: “JA VEJ DERËN”, duke qenë dera asgjë më shumë se “kapaku i drurit” që duket “si derë e vockël”; dhe ja ku ia hoqëm edhe një sllavizëm shqipes… Unë nuk di të ketë kapak vedra, por mbase kapakun (natyrisht me emër tjetër) e përdornin pellazgët, kur milnin dhitë legjendare të bjeshkës; gjithsesi, etimologjia e sjellë, dhe kalimi nga “vë derën” në “vedër” është tipike, turbologjike, e shkollës që i sheh fjalët shqipe si fjali në miniaturë; këtë shkollë dihet se kush po e popullarizon tani së voni, dhe qartazi mundi i këtij zelltari po jep rezultate, sa kohë që farët e mendimit të hedhur po i mbijnë edhe në komente trollësh në YouTube.
Edhe një gjë tjetër, që më duket me rëndësi: unë, që e solla shembullin e fjalës vedër në emision, edhe pse e dija që ishte huazim nga sllavishtja, vajta ta kontrolloj në fjalorët etimologjikë të shqipes – nga Oreli te Topalli; duke qenë etimologjia sport i vështirë, nuk më shkon mendja të kuturisem unë vetë në aventura të tilla dhe aq më tepër që ka sot ekspertë të fushës, si Xhelal Ylli, të cilët janë marrë me huazimet sllave të shqipes, duke çuar më tej punën e etimologëve të gjysmë shekulli më parë; paçka se vedër nuk ka nevojë për specialistin, që të lajmërohet si sllavizëm. Përkundrazi, autori i komentit – që nuk e vë emrin për të mos u ekspozuar ndaj shërbimeve të fshehta greke dhe serbe – e sheh të udhës që ta improvizojë ai vetë etimologjinë sipas parimit “bëje mirë bëje vetë”, duke qenë thjesht në zotërim të metodës së pagabueshme të zbërthimit të fjalëve në fjali; çfarë më konfirmon se tanimë është krijuar një mëhallë “dijetarësh” folklorikë, që i etimologjizojnë fjalët on the spot, meqë teknika që kanë përvetësuar i lejon të shpërfillin fjalorët etimologjikë. Kjo më bën të mendoj edhe që metoda në fjalë është kaq e fuqishme, saqë lejon këdo – madje edhe një specie mendërisht të penguar, si komentuesi në fjalë – që të kontribuojë në mënyrë demokratike në zhvillimin e etimologjisë shqipe; cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha mund të shkruajë tani, të bardhë mbi të zezë, atë që mendon për… etimologjinë e çdo fjale shqipe që i del përpara. Ka gjë më të natyrshme se kalimi nga “vë derë” në “vedër”?
Edhe një herë, pështyma, sharja, akuza për tradhti, përmendja e grekut (përkatësisht serbit), komploti akademik për të zhdukur gegnishten, toskërishtja e shitur në gjuhë të tjera dhe e infektuar me element “të huaj” dhe etimologjia e improvizuar nëpërmjet ngjitjes së fjalive të vogla me pështymë – ose krejt esenca e programit turbologjik, gjen shprehje në një monadë të vetme në YouTube. Material për antropologët dhe sociologët, mbase edhe më urgjent për t’u trajtuar, edhe se vetë arti tashmë i harruar i përdorimit të vedrës.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: imazhi i kopertinës është trajtuar me Midjourney.
…dhe, në fakt, në dialektin e Venetos “monada” do të thotë ” budallallëk”, “gomarllëk” ose më rëndë
Përvijohet në këtë mënyrë edhe një dukuri tjetër, që do ta gjykoja shqetësuese. (Diku, nuk e mbaj mend saktë, Vehbiu e ka trajtuar, por s’është asnjëherë e tepruar të rikthehet në vëmendje.) Kjo, po e quaj, zbërthimo-mani e fjalëve po i jep shkas një qasjeje ngushtuese, reduktuese, mbi gjuhën (dhe natyrisht gjuhësinë).
Një gjuhë që gjykohet vetëm mbi prejardhjen e supozuar të fjalëve të saj, që është origjinale vetëm nëse aksh fjalë e gjen kuptimin apo jo në një origjinë të caktuar; një gjuhë që nuk ka rëndësi sesi është zhvilluar më vonë, mjafton të mos jetë gjakprishur – kjo duket se paska vlerë. Gjithë elementët e tjerë të një gjuhe nuk merren më në shqyrtim: gramatika që e rregullon atë së brendshmi, sintaksa që i jep rend fjalëve, vetë historia e zhvillimit të saj, nuk kanë më rëndësi. Gjuha gjykohet vetëm nga zbërthimi i fjalëve – e këto vetëm nëse janë “origjinale”. Gjuha, kësisoj, merr vlerë vetëm për rrënjën që ka – primordializmin e vet të supozuar – e çfarëdo historie ta ndjekë atë çast fillestar ngjizjeje nuk ka më rëndësi pasi t’i jetë përcaktuar “origjinaliteti” i rrënjëve.
Gjuha kthehet kësisoj në një grumbull fjalësh ku nuk kanë më rëndësi marrëdhëniet mes tyre, por vetëm akti i tyre i lindjes. Ndërsa gjuhësia është vetëm etimologji (në kuptimin që i japin kësaj disipline ata që e kanë kthyer në një lloj palestre të kombëtarizmit).
Jashtëzakonisht e trishtë, si dhe e varfër, ajo gjuhë që nuk ka ç’të japë tjetër përveç faktit se thuhet që flitej, me ç’duket, kur njerëzit ende nuk flisnin.
Një lloj rrafshimi mendor i panjohur deri më tash, në sferën publike. Të paktën në kohët e Rilindjes Kombëtare e adhuronin shqipen si e bukur, jo thjesht si e vjetër.
Përndryshe, kjo e reja është katandisur në një lloj feje që Librin e shenjtë e ka “work in progress”, në kuptimin që ia shkruajnë vetë besimtarët.
Pikërisht pra!
Mëndje varfërit që bëjnë shpikje jashtë fushës së tyre të dijes,prandaj i quajmë sharlatanë,e ngushtojnë shpjegimin e tyre për gjuhën aq sa e kanë ata çapin
Pastaj me kaq sa kuptojnë dalin në konkluzione bomba si ai që” shqipja është nëna e çdo gjuhe të botës”!
Këta individë ,po i kundërshtove me argumenta, të hakërrohen,ashtu si një tufë qensh duke pretenduar se janë më shqiptarë nga ti….
Fjala VEDËR, më të njejtin kuptim, është përdorur edhe në dialektin gegë, p.sh. në Kosoven perëndimore (rrafshin e Dukagjinit).
Mua me shkoi ne mend nje “etimologji” tjeter per fjalen “vedër” ->ve-dër ->ver – der ->vërr der, qe me gjase eshte perdorur ne fillim per mjeljen e derrave, kur lopet nuk ishin shpikur akoma.
Veder si almise shtepiake ne zanafille nuk ka qene patjeter me material druri; Buzuku, shembullin e dhene nga Topalli, dallon qarte …gjashte veder enguri…. Keshtu qe sipas mendjes se atij trimit i bie qe edhe dera te kete qene prej guri. Kjo na con lehte te Neandertali i Europes (Sazsn Guri), si i pazhvilluar qe ishte.
Si thote Martin Luther King Jr. :”Nothing in all the world is more dangerous than sincere ignorance and conscientious stupidity”
Keta tipa sot jane per t’u gajasur por ne kohe te merhumit mund tu benin gjemen profesionisteve te vertete nese me marrezite e tyre ia mbushnin mendjen ndonje prokurori i cili ishte mbrapa me planin e arrestimeve e zbulimin e veprimtarise armiqesore.
Gjeni ku është etimologjia e fjalës VEDËR te paraqitja më poshtë e shkruar nga Topalli në FEGS 1552:
“”VEDËR f. “enë druri që përdoret për të mbajtur qumështin kur mjelim bagëtinë”. Fjalë e të dy dialekteve, më e përhapur në tosk. e në geg. jug. Huazim prej sll. (serb., bullg.) vedro “kovë”. Dëshmohet së pari te Buzuku: “e ishnë aty gjashtë vedrë en guri”. Rrjedhoja: vedërtar “ai që bën e ndreq vedra””.
Vetëm kaq sa shihet më lartë shkruan Topalli, por nuk na tregon se si e qysh u ndërtua fjala vedër në serb. e bullg. dhe kur nuk ka asnjë motivim etimologjik në serbisht e bullgarisht, si qenka fjalë serbe e bullgare?! Si?! Për të njëjtën arsye (që nuk ka motivim etimologjik në ato gjuhë) pse nuk është një fjalë shqipe që e huazoi serbishtja e bullgarishtja?! Apo “nëma se s’ma ke”? Kjo nuk mund të quhet as etimologji e as mendim logjik. Thjesht kotologët si Meyer, Weigand Wört, Seliščev, Desnickaja, Hamp, Skok, Svane, Ylli Orel, Omari e Topalli kanë pranuar e pasuar mendimin joetimologjik e abuziv të Miklosich AF I 372.
A ka fjala vedër një etimologji prej autorëve të mësipërm? Absolutisht jo! Asnjëri prej tyre nuk tregohet serioz.
A mund të ketë një etimologji për fjalën vedër? Sigurisht se duhet të ketë, porse etimologjia fshihet brenda vetë fjalës dhe jo në “vendimet gjyqësore” të padrejta për përkatësinë e etnicitetit gjuhësor të fjalës të bëra nga autorët kotologë që përmendëm më sipër.
Po jap dy mendime të mia për etimologjinë e fjalës vedër nisur prej parimit të “karakteristikës kryesore në emërtim”:
Përsa vedra është një enë që duhet të jetë më e ulët se lartësia e gjirëve të bagëtisë që do milet dhe praktikisht duhet të VEndoset NDËN lartësinë e gjirëve, shqipja pozon:
VË NDËN gjirë =
VE NDËN gjirë =
VE DËN gjirë = VEDËN =
VEDËR (n:r).
Rënia e fonemës /N/ te VË (N)DËN përligjet si në shumë raste të tjera: “i ka nda flokët më dysh” : “i ka da flokët më dysh”.
Një pozim i dytë etimologjik do ish ai që tregon se vedra vendoset midis dy mjelësve (barinjve) që mjelin në dalje të shtrungës (ku shtërngohen bagëtitë të dalin një e nga një e ndaj quhet edhe shtrungë) dhe përsa mjelin dy bagëti në të njëjtën enë, kemi:
VEDËR < VEnDËR < VË nDËR dy mjelsa. Që d.m.th. se e njëjta enë është VËnë NDËR (midis) dy mjelësve dhe VË NDËR dha VE-DËR.
Ky më lartë quhet motivim etimologjik dhe edhe mund të mos jetë i duhuri, por gjithsesi sjell një logjikë të ndërtimit të fjalës brenda gjuhës shqipe dhe mund të rrëzohet prej një tjetër etimologjie.
Çështja është: ndërsa nuk ka një logjikë se si u ndërtua fjala në serbisht a bullgarisht, pse duhet të pranojmë për etimologji verdiktin pa logjikë të Miklosich?! Apo në vend të një përgjigjeje shkencore do më riquani turboetimolog dhe me kaq e zgjidhni enigmën e etimologjisë së fjalës vedër?!
Nëse vërtetë revista juaj e pranon debatin shkencor, jeni të lutur ta postoni këtë koment timin dhe le ta përmbysë dikush me një logjikë shkencore tjetër.
Ju falemnderit!
Agron, këto që shkruan ti nuk kanë as kokë as bisht. Revista e pranon “debatin shkencor”, por ti nuk e njeh metodën shkencore, siç nuk njeh përdorimin e burimeve. Etimologjia është histori e fjalës dhe historia e fjalës nuk ndahet dot nga historia e një populli dhe e një kulture.
Më tej, ata që ti i quan “kotologë”, janë studiues seriozë në fushat e tyre, me arritje të njohura nga institucionet certifikuese të dijes – të njëjtat institucione në dyert e të cilave ti ke vite që troket dhe ku nuk të qasin. U përkasin qarqeve ku edhe ti dëshiron me afsh që të përfshihesh.
Ti ke sjellë edhe herë tjetër “produkte” të tuat këtu – dhe ke marrë kritika dhe reagime. Të cilat i ke injoruar, ose je përpjekur të përgjigjesh me “produkte” të tjera të së njëjtit kallëp. Por kjo hapësirë e komenteve në PTF nuk mirëmbahet që ti ta përdorësh si gazetë muri. Prandaj mos sill më nga këto gjëra këtu – sepse ke vend ku t’i nxjerrësh gjetiu.
As mos shpreso që një profesionist i fushës do të hyjë dikur në debat me ty dhe aq më pak në “Peizazhe të fjalës”. Debati kërkon, të paktën, një bazë të përbashkët, një numër premisash të pranuara nga të dy palët, të cilat premisa këtu mungojnë.
Z. Vehbiu e kuptoj qëndrimin tuaj, ku në pamundësi të jepni një agument etimologjik e “transferoni debatin” nga etimologjia e fjalës te një konflikt shterpë me personin tim e që nuk sjell asgjë.
Për fjalën vedër metoda juaj nuk jep asnjë zgjidhje etimologjike. Metoda ime jep dy pozime etimologjike, që për shkak se nuk vinë sipas metodës suaj, nuk pranohen si etimologji e jeni duke ma thënë këtë në mënyrën tuaj.
Shkencë e vërtetë quhet ajo që i jep zgjidhje problemit. Të gjithë etimologët tuaj “të mëdhenj” e “të përndritur” në 150 vjet nuk e kanë qullosur dot një zgjidhje etimologjike për fjalën vedër dhe për gjithë fjalët e tjera.
Ju keni edhe “specialistë etimologjie” antarë të revistës suaj, por ata heshtin kur flet metoda e vërtetë shkencore. Heshtin “në emër të klasit” të tyre e që në fakt nuk kan shanc të japin një etimologji bindëse. Nëse do mund ta kundërshtonin etimologjinë time për fjalën vedër, do ta bënin si triumfatorë. Në shkencë të jep kënaqësi mposhtësh me argument rivalin.
Ju u futët në debat me atë turbologun dhe sollët sharjet e tij dhe “etimologjinë e tij” sikur fjala “vedër vinte nga fjala derë”. Me sa ju mund ta kuptoni edhe Çabej fjalën DARDANI e sjell prej fjalës DARDHË dhe “eureka!”, por kur u mor me etimologjinë e DARDHës, deklaroi se është me burim të errët.
Dua të them se ju hyni në debat me çdo anonim e amator vetëm kur mendoni se mund ta përtallni e me anë të tij të më fusni dhe mua në një grupim me të e kjo më sjell ndërmend atë esenë tuaj për përzgjedhjen e qershive…
Ju z. Vehbiu u keni bërë thirrje “specialistëve” të braktisin median vizive ku ftohen turbologë si unë. Specialistët tuaj duhet të jenë me fat, që bosi i revistës “peizazhe të fjalës” ua përligj frikën për t’u përballur me “armikun”.
Të paktën unë jam koshient se “specialistët” tuaj i meritojnë edhe më shumë titujt e gradat shkencore që posedojnë kur fshihen pas teje e të luten të më bësh lanet nga revista.
Më e mira do ishte t’i kërkonit prof. Riskës a prof. Demirajt të japin një etimologji për vedrën dhe le ta postojë dikush me profil të panjohur. Le ta bëjnë një etimologji dhe ta postojnë si apokrife.
Të besoj sikur jam doktor profesor në gjuhësi e etimologji dhe të mos mundem të përballoj një turbolog, do më dukej vetja si Qeramudini i gozhdës.
E thjeshtë, ju nuk mundeni. Asnjë prej jush nuk është i aftë të më përballojë në etimologji. Paaftësia juaj konfirmon se ju e metoda juaj nuk ka lidhje me shkencën e vërtetë të etimologjisë. Të gjithë jeni në një vedër të shpuar e që nuk e mbledh dot qumështin. “Shkenca” juaj e krahasimit ka mardhur e po perëndon.
I qoftë dheu i lehtë!
Agron, lëre me kaq tani. Nuk mund ta bësh këtu këtë betejë – nuk është as vendi as kuvendi.
Vetëm kaq sa shihet më lartë shkruan Topalli, por nuk na tregon se si e qysh u ndërtua fjala vedër në serb. e bullg. dhe kur nuk ka asnjë motivim etimologjik në serbisht e bullgarisht, si qenka fjalë serbe e bullgare?! Si?!
Ja të hapim një fjalor etimologjik të sërbishtes dhe një të bullgarishtes të shikojmë nëse kanë motivim:
sërbisht:
https://ibb.co/YB5yGQ1
bullgarisht:
https://ibb.co/jkyCyNr
Tani, unë përkthim nuk të jap sepse ti mund ta zbërthesh kuptimin fare mirë me anë të shqipes, si thua?
E nxore knock-out, se ky ndofta nuk e di qe pergjithesisht ngjuhet sllave ujit i thone “voda” prej nga eshte shume e zorshme te nxjerresh ndonje fjale si “vodrica”, “vedrica”.