PARADOKSI DYLAN

Debati për Nobelin e Bob Dylan-it do të vazhdojë edhe ca, së paku derisa të dëgjojmë fjalimin e tij në ceremoni; se pastaj kushedi do të kapen njerëzit me ndonjë provokim të ri dhe nuk do ta lënë veten të mërziten.

E megjithatë, këto ditë, duke shfletuar gjithfarë pro-sh dhe kundra-sh për këtë çmim, kam vënë re një paradoks.

U tha dhe u përsërit, se Çmimi iu dha Dylan-it “për krijimin e shprehjeve të reja poetike, brenda traditës së madhe të këngës amerikane”; dhe këtu disa vërejtën, bindshëm për mua, peshën që duhet të ketë, dhe që në fakt ka, përmasa gojore në artin e gjuhës.

Shumë e kanë quajtur Dylan-in bard, të tjerë ndoshta rapsod e kështu me radhë; ideja këtu është e një artisti që magjeps me çfarë thotë, jo me çfarë shkruan; dhe në rastin tonë, me çfarë këndon; meqë kënga, ose mveshja e ligjërimit me melodi, nuk është ornament as shoqërim i fjalës, por njëlloj pjesë e veprës sa edhe rima, metri ose metafora; madje edhe sa narrativa.

U përmend Demodoku, u përmend Homeri. Mua, nel mio piccolo, më erdhën në mendje edhe kantautorët e mëdhenj italianë të viteve 1970-1980, fjalët e kënduara të së cilëve më kanë mësuar, mes tekstesh të tjera, si ta vështroj botën.

Nuk them dot se edhe Dylan-i ka pasur ndonjë efekt të ngjashëm me mua; edhe pse këngët ia kam dëgjuar që në vitet 1970, sërish tekstet nuk kam arritur t’ia kuptoj, ndonjëherë fare dhe ndonjëherë mirë; me përjashtim të ndonjë “the answer my friend, is blowing in the wind”, që është pak si tepër pak. Deri edhe “knock, knock, knockin’ on heaven’s door” nuk e kisha marrë vesh se ç’ishte tamam, deri nga mesi i viteve 1980 (vargun e parë të kësaj të fundit, “Mama, take this badge off of me” nuk jam as sot i sigurt se e kuptoj deri në fund).

Ndoshta prandaj edhe kurrë s’e kam konsideruar Dylan-in si të rëndësishëm për mua.

Por tani lexoj, gjithnjë e më shpesh, që deri edhe amerikanë safi, njerëz që nuk kanë aplikuar ndonjëherë për pasaportë e që kanë përjetuar deri edhe tallazet e viteve 1960 dhe jo më 50 vjetët e tjera që kanë pasuar; i lexoj pra këta të thonë se kur shkojnë të dëgjojnë Dylan-in në koncert, muzikën edhe ia shijojnë, por tekstet nuk i kuptojnë.

Ndoshta ngaqë në koncertet e Dylan-it bëhet zhurmë e madhe, ndoshta ngaqë Dylan-i vetë nuk është se ka ndonjë diksion të pastër, ndoshta ngaqë i shtrembëron fjalët… ose për ndonjë arsye tjetër të panjohur për mua.

Çfarë do të thotë se, praktikisht, shumë nga ndjekësit e tij nuk ia kuptojnë tekstet e këngëve në formën e tyre natyrale, ose të kënduar; por duhet t’i shohin më parë të shkruara, p.sh. në kapakun e diskut ose në Internet ose gjëkundi tjetër.

Për ta shijuar Dylan-in si bard, duhet më parë ta lexojnë si të ishte një poet çfarëdo – të shkruar në letër.

Mua më ndodh shpesh kjo me tekste këngësh në anglishte, sidomos të atyre grupeve dhe këngëtarëve që kam pasë ndjekur me pasion – që nga Beatles-at te Pink Floyd dhe Dire Straits dhe Mark Knopfler dhe Paul Simon (me Garfunkel-in dhe më vete). Por mua më ndodh sepse anglishten e folur unë kam filluar ta kuptoj mirë relativisht vonë. (Përndryshe, s’e kam pasur këtë problem me kantautorët italianë.)

Por në qoftë se tani dalin edhe këta që gjuhën e Dylan-it e kanë amtare dhe e pranojnë se nuk ia marrin vesh fjalët, atëherë statusi i laureatit Nobel si bard vihet disi në pikëpyetje – sepse thjesht si poet mes poetësh, Dylan-i nuk shkëlqen, ose të paktën nuk shkëlqen aq sa të meritojë Nobel-in; ndërsa si bard, për çfarë Nobelin mbase e meriton, Dylan-i nuk po funksionon më në skenë.

Mundet – thjesht mundet, sepse nuk di të ketë bërë kush statistika – që shumë nga ata që këndojnë me zë në koncertet e nobelistit dhe që ia dinë tekstet përmendësh, t’i kenë mësuar këto jo nëpërmjet veshit, por duke i parë të shkruara në letër dhe në ekran.

Çfarë edhe do t’ia hiqte Dylan-it titullin simbolik të bardit; sepse bardi është ai që komunikon me ty gojarisht, jo dikush që ti nuk do ta kuptoje, pa ia lexuar paraprakisht tekstet.

Bardi është ai që komunikon art me ty sikur fjala e shkruar të mos ekzistonte.

Një dashamirës i baladave pop, në një koment diku në ueb, e kish formuluar këtë më mirë: deri më sot, shkruante, isha mësuar që çmimi Nobel t’u jepej atyre që unë përpiqesha t’i lexoj, por nuk i kuptoja. Dhe ja, tani, shkuan dhe ia dhanë Dylan-it, të cilin unë përpiqem ta marr vesh se ç’thotë kur këndon, por sërish nuk arrij.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin