NEWSPEAK

Ç-spital: institucion shëndetësor ku shkohet për t’u sëmurur.

Ç-plak: njeri i moshuar, që nuk i ka mundësitë për t’u plakur.

Ç-shesh: shesh i një qyteti, në proces të pandërprerë transformimi në një shesh tjetër.

Ç-premtim: premtim që të jepet ty, por që i mbahet një të treti.

Ç-OJQ: organizatë jo-qeveritare, që i ka shumicën e anëtarëve në qeveri.

Ç-kulturë: nevojtore alla frënga, e ndërtuar mbi një nevojtore alla turka.

Ç-kullë: ndërtesë e lartë në qendër të qytetit, e papërfunduar dhe shpesh e papërfundueshme.

Ç-ashensor: ashensor që funksionon vetëm sipas forcës së rëndesës.

Ç-heroinë: personazh femër i një romani, me të cilën bën seks autori.

Ç-plazh: bregdet i xanun.

Ç-muzé: teatër kukllash me gabime drejtshkrimore.

Ç-pemë: pemë e madhe, por që e ka marrë vesh se do ta presin.

Ç-stadium: vendi ku luhet ç-futboll.

Ç-art: rrënja e fjalës për­-ç-art.

Ç-portal: porta e hyrjes në bordello.

Ç-mjek: mjek të cilit i shërbejnë shumë të sëmurë.

Ç-libër: antologji e padeklaruar.

Ç-restaurim: ekskavator i autorizuar.

Ç-mall: hashash i sekuestruar nga forcat e rendit.

Ç-fakenews: lajm i dhënë që diçka të ndodhë.

Ç-dosje: dosje për personazhe librash.

Ç-orkestër: orkestër, ku secili muzikant luan nga shtëpia e vet.

Ç-naftë: karburant për automjete që mund të punojnë edhe me ujë.

 


Shënim: mendohet se pseudo-ndajshtesa ç- në këto fjalë e ka burimin nga shprehje të tipit: Ç’spital (është ky)? Ç’shesh mund të jetë ky?, etj.

1 Koment

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: