SHQIPJA TERMINALE

U bënë tashmë shumë vite që punoj si përkthyes, redaktor dhe terminolog, në lëmin e telefonisë celulare.

Sfida kryesore për gjuhë të vogla si shqipja në këtë lëmë, sikurse e di çdo përkthyes, është vendosja dhe mirëmbajtja e një terminologjie të njësuar, përballë evolumit të shpejtë teknologjik.

Si rregull, terminologjia e fushës hartohet nga specialistët – zakonisht një grup pune që përfshin inxhinierë të fushës dhe gjuhëtarë leksikografë – dhe pastaj imponohet me ligj ose rregullore.

Të mos kesh fare terminologji është keq; por ta kesh terminologjinë dhe të mos e zbatosh e ta shpërfillësh për arsye të ndryshme është edhe më keq.

E pata filluar këtë punë që pa u kodifikuar terminologjia shqip e MS Windows; prandaj më pas m’u desh t’i ballafaqoj disa zgjidhje të miat personale me zgjidhjet e terminologëve të atij sistemi operativ – duke zëvendësuar fjalën time të dikurshme për file (skedë) me të renë (skedar), etj.

Megjithatë, në disa raste vendosa ta mbaj terminologjinë time – sidomos sa herë që hartuesit e MS Windows i kanë zgjedhur keq, ose në mënyrë joprofesionale, termat e tyre.

Kështu, anglishtja kompjuterike ka një familje termash të ndërtuar rreth foljes set: të tillë si setting, reset, preset etj.

Shqipja e Bill Gates-it e përkthen foljen set si “vendos”, por setting si “parametër” dhe reset si “rivendos” (përkatësisht “rivendosje”). Natyrisht, parametër nuk ka vend në këtë çetë – meqë e prish njësinë tematike të anglishtes.

Që këtej, vendosa ta mbaj zgjidhjen time dhe t’i quaj këto terma cilësoj, përkatësisht cilësim, ricilësoj, ricilësim dhe paracilësoj, paracilësim.

Nuk ka ndonjë detyrim që terminologjia e telefonisë celulare të kopjojë patjetër atë të MS Windows; aq më tepër që shteti shqiptar nuk i shtrëngon gjë operatorët e telefonisë celulare dhe koncesionarët e harduerit vetë që të përdorin një terminologji të caktuar.

Përkundrazi, kontrollin e “cilësisë” ndaj termave ua kanë besuar disa specialistëve – pas gjase inxhinierë ose programues softueri – të pajtuar nga koncesionarët ose operatorët.

Këta specialistë nuk ia kanë shumë haberin nga terminologjia, as nga mënyra si vendosen termat dhe si zbatohen ato; por për shkak të punës së përditshme, janë të detyruar të përdorin një terminologji të caktuar; e cila shpesh konsiston në huazimin tale quale të termit të anglishtes.

Kështu, specialisti që komunikon me mua, më thotë se nuk i pëlqen termi qasje për access (i marrë nga MS Windows); sepse qasje “nuk e kupton asnjeri në Shqipëri”; prandaj duhet të themi… akses.

(Kushedi edhe access, si folje, do ta themi tash e tutje aksesoj.)

Për të njëjtën arsye u rrëzua një propozim imi për tethering (as po e marr mundimin ta sjell këtu – që tani ka nisur të vijë era ngordhësirë); meqë në Shqipëri këtij marifeti i thënkan… tethering.

E kështu me radhë. Kompania që është kontraktuar për përkthimet ecën me parimin “klienti ka gjithnjë të drejtë”; parim i cili, i zbatuar në lëmin terminologjik, do të thotë që “përdorimi është mbret.”

Në fakt, çështja nuk është thjesht gjuhësore, as thjesht terminologjike, por ka të bëjë drejtpërdrejt me kulturën e standardeve.

Terminologjia, e vendosur në nivel akademik/universitar dhe pastaj e imponuar me ligj shërben si standard; dhe qytetërimi modern nuk funksionon dot pa standarde.

Gabimi i specialistit në fjalë nuk është aq se vë në dyshim zgjidhjet e një përkthyesi/terminologu (tek e fundit, edhe ky ka gjithnjë nevojë për mendimin e specialistit), por ngaqë nuk e sheh as të nevojshëm standardin.

Dy janë argumentet e sjella: (1) Terminologjia e MS Windows në shqip është “e gabuar”, prandaj nuk duhet marrë si model; dhe (2) “Ne në Shqipëri i themi kështu”.

Të dy argumentet janë politike. I pari, të sugjeron se ligji (ose standardi terminologjik, i cili duhet të funksionojë si ligj) nuk duhet zbatuar, nëse është gabim; i dyti, se ligji (ose standardi) mbështetet në përdorimin.

Kjo është demokracia, do të më thonë. OK, le ta quajmë ashtu, demokraci – ose vijë të masave në terminologji. Problemi është se përdorimi, ose usus-i, në lëmin teknologjik është gjithnjë i kushtëzuar nga vendimet e një grushti specialistësh. Nëse ti refuzon vendimet e specialistëve të shqipes, do të adoptosh dashur pa dashur dhe verbërisht vendimet e specialistëve të anglishtes, që ia kanë vendosur terminologjinë kësaj gjuhe – dhe ma merr mendja se shumë terminologë të anglishtes gjithashtu nuk janë të lumtur me tethering ose buffering ose debugging – të cilat vijnë të gjitha, në thelb, si metafora.

Se çfarë i ndodh shqipes, kur ajo detyrohet të metabolizojë fjalë të anglishtes, këtë e kemi diskutuar gjetiu; këtu duam thjesht të vërejmë se problem përbën jo vetëm natyra “e huaj” e anglicizmave për gramatikën shqip, por edhe e sidomos gatishmëria e përdoruesve, sidomos e përdoruesve të kualifikuar, për t’i shpërfillur standardet.

Kjo duke filluar nga unë vetë – pse unë e ruajta zgjedhjen time, cilësoj, cilësim, ricilësoj etj. edhe kur u njësua terminologjia e MS Windows; dhe e ruajta pse standardi në fjalë nuk më bindi; por edhe e ruajta sepse munda; ose sepse askush nuk më pengoi që ta ruaja. Morali: standardi i keq nxit defektorët, ose shkelësit – qoftë edhe ata të kualifikuarit, si unë (përndryshe, një standard i mirë dhe i konsoliduar, si ai i gramatikës – sa për të sjellë një shembull – nuk nxit defektimin; nuk më shkon kurrë mendja ta zëvendësoj termin ndajfolje me një tjetër, as ta quaj pjesën e ligjëratës në fjalë adverb).

Nga ana tjetër, zgjidhja ime ishte neologjike dhe e arsyetuar; ose e tillë që unë mund ta mbroj me thonj e me dhëmbë edhe para një komisioni akademik (fundja edhe ndër-akademik). Përkundrazi, parimi i usus-it në lëmin terminologjik dështon në mënyrën më spektakulare.

Në fakt, nëse fjalë si akses ose tethering ose roaming ose qindra simotra të tyret përdoren rëndom në mjediset teknologjike shqiptare, kjo ndodh pikërisht ngaqë përdoruesit nuk kanë në dispozicion fjalët shqipe përkatëse.

Nga kjo pikëpamje, huazimi i freskët nuk është usus, por përpjekje in extremis për të arnuar një vrimë madje zgavër madje gropë thithëse në usus.

Le ta përmbledhim: standardi terminologjik ekzistues çalon dhe, sidomos, nuk mbështetet nga ndonjë mekanizëm për ta imponuar në treg dhe në përdorim; përkthyesit, që veprojnë individualisht, shpesh improvizojnë, në bazë të intuitës dhe të dëshirës për të mbrojtur gjuhën; specialistët mbikëqyrës të paguar nga kompanitë shitëse të produkteve dhe shërbimeve rrudhin buzët para zgjidhjeve neologjike dhe duan të përdorin fjalët anglishte, pa e çuar në mendje nevojën e standardit terminologjik; shteti druhet t’i imponojë rregulla biznesit, nga frika se mos cenon katekizmin neoliberist të ekonomisë së tregut.

Fjala që sugjeron shqipja për këtë situatë është lëmsh (ose kaos, siç do ta quanin ekspertët).

Specialisti im më korrigjoi – sikurse e prisja prej muajsh – edhe zgjidhjen time aq të dashur për reset (ricilësoj, ricilësim), duke më shpjeguar se sot në Shqipëri të gjithë i thonë… resetoj, resetim.

E gjithë kjo, mu nën hundë të autoritetit MS Windows në shqip, i cili ende të rekomandon rivendos, rivendosje.

Duket si çështje teknike, pa interes për publikun; por le të mos harrojmë se brezi i ri komunikon mes vedit kryesisht përmes telefonave inteligjentë (smartfonave?), të cilët edhe i ofrojnë një metagjuhë specifike. Në mungesë të standardeve terminologjike, veç mund ta përfytyrojmë se çdo të ndodhë me shqipen pas, të themi, 30 vjetësh.

Nuk ka komente

  1. “Reset” kam pershtypjen se ka kuptimin e nje dickaje qe riperperterihet ose dicka qe shkon ne gjendjen e meperparshme ose shkoqur rikthim ne rregullin e meperparshem duke marre shkas ketu edhe nga vete kuptimin i fjales angleze set – rregull. Prandaj mendoj se fjala “riperteritje” eshte me ekuivalente me kuptimin e fjales “reset”. Mendim personal!

    1. Atehere duhet te kete thjeshte “perteritje”. Nuk ka nevoje per “ri”. Eshte perseritje e panevojshme. Apo e kam gabim?

      1. Ne shqip fjala “riperteritje” nen termin teknike shpjegohet si “ndreq dicka te perdorur me pare per ta bere perseri te vlefshme per pune”. Ne kete menyre si fjale mund te jete kandidate per te perkthyer ne shqip reset( e aplikuar ne rastin e reset the computer). Sepse mund te reset-in edhe password, etj.

        Nje nuance te tille nuk e percjell fjala perterij(te pakten referuar fjalorit te shqipes), megjithese me te drejte sic e veren Tabakhone mund te duket si redundance, perseritje e te njejtes fjale.

        Mendoj se vlen te shtohet ketu qe nje gjetje qe i thjeshtezon te gjitha kualifikimet e tjera eshte te merret shembulli se si e kane pekthyer gjuhet kryesore, ta zeme europiane(ne pergjigje te pyetjes se Relapsos):

        Italishtja – rissettare(si variant i anglishtes) ose azzerare(me e kthye ne zero)
        frengjishtja – réinitialiser
        gjermanishtja – resettaste, löschen (fshij), zurücksetzen (kthej ne zero, gjendje fillestare)
        spanjishtja – reinicializar, puesta a cero

        Ne shqip mund te perdoret thjesht folja “rifilloj” ose “rinis” (ne kuptimin e fillimit nga e para, nga zero)

  2. Nje pyetje:

    Si e kane zgjidhur problemin gjuhet e tjera? Ç’praktike kane ndjekur, i kane perkthyer keta terma apo i kane mbajtur ne anglisht?

  3. Xhaxha, unë vazhdoj ta përkthej “reset” me “ricilësim”. Më duket zgjidhja më e mirë. Variantet që jep Windows shqip ndonjëherë nuk lidhen fare me kontekstin, më dalin krejt nga duart.
    Siç e kam thënë herë tjetër, kur folëm se si po shkojmë të shkrifët drejt Europës, shoqëritë tregtare imponohen me forcë edhe në zgjedhjet gjuhësore, gjithnjë sipas logjikës “se klienti nuk e kupton”, “kështu thuhet këtu” e të tjera justifikime si këto. Disa përkthime të miat, që kishin të bënin me përmbajtjen ushqimore të disa produkteve, “ekspertët e fushës” jo vetëm i korrigjuan, por i rekomanduan prodhuesit të huaj që, nga ai çast e tutje, të jepeshin në formën e sugjeruar prej tyre, përndryshe nuk merrnin përsipër tregtimin e mallit. Kundërshtimet e mia me argumente gjuhësore – bëhej fjalë për gabime të rënda, jo për terminologji të re – nuk u morën parasysh aspak, ndërsa agjensia porositëse, edhe pse e bindur, m’u lut që të vijoja në atë mënyrë për të mos krijuar probleme.
    Sugjerimet e mia nuk patën “akses”, si rrjedhim u detyrova ta “resetoj” mendjen time, pa e “ricilësuar”…

  4. Në fakt, terminologjia e re është gjithnjë e debatueshme: e rëndësishme është të biem dakord se duhet të vijë një moment kur debati të marrë fund, të vendoset një standard dhe pastaj të imponohet zbatimi i këtij standardi.

    Ne për fat të keq, si kulturë, kemi mbetur në fazën A: ne vazhdojmë diskutimet për alfabetin e shqipes, jo më për të tjerat. Nuk ndërtojmë mbi arritjet e së shkuarës, por edhe për një llambë që duhet ta ndërrojmë në shtëpi, e fillojmë që nga ri-gërmimi i themeleve. Prandaj na shkojnë punët aq fjollë.

    Çështja është sociale – ka të bëjë me gatishmërinë për marrëveshje. Pa këtë gatishmëri, deri edhe çdo fjalë duhet shoqëruar me polic nga një tekst në tjetrin – ose shpërthen gjirizi, sikurse e shohim përditë. Ne e çajmë rrugën mes kakës me shpatë në dorë, sikurse e ka thënë edhe Njëri.

    Dhe pavarësisht shakave – problemi është kritik. Të mos njohësh një rregull të vendosur gjetiu do të thotë të mos pranosh disiplinën e qytetërimit, ose ta përjetosh qytetërimin si kërcënim. Karakteristikë e njeriut të arratisur në mal, për t’i shpëtuar zaptijes – jo e njeriut që kërkon të ndërtojë, i lirë në elementin e vet.

    Pse ndodh kështu? Sepse kushedi ne shohim shprehje agresive të pushtetit deri edhe te vijat e bardha; dhe jemi gati ta sfidojmë, sa herë që mundemi. Një standard çfarëdo, i vendosur nga një komision çfarëdo, përjetohet sikur të ishte çizmja e tjetrit në qafën tënde. Jo, nuk e duam. Ku e ke gjetur këtë. Ne nuk i themi kështu. Në fshatin tonë ne i lidhim brekushet ndryshe. Gjithsekush e ka objeksionin gati – askush nuk dëshiron të bashkëpunojë.

    Mjerim i madh.

    1. sipas shqipes se MS Windows:

      file – skedar; folder – dosje

      pra nje skedar i tere qe hyn brenda nje dosjeje 🙂

      Ketu duhet nje grup i gjere pune a komision permanent, i perbere nga gjuhetare dhe specialiste te informatikes, qe te punojne bashkërisht, te diskutojne rreth nje tryeze me jave ne mos me muaj te tere, derisa te miratojne unanimisht çdo term, nje nga nje.

      Por kjo nuk mjafton.

      Qe ata terma te gjejne perdorim te gjere ne Shqiperi, duhen perkthyer nga i njejti komision dhe sipas te njejtes terminologji te gjitha tekstet shkollore dhe manualet e informatikes per perdoruesit e sistemeve Wndows, si edhe u duhet kerkuar shperndaresve te kompjuterave ne Shqiperi qe t’i shesin ato me Windows ne versionin shqip dhe tastiera fizike (hardware) me alfabetin e shqipes. Tastierat e huaja dhe sistemi Windows ne gjuhe te tjera duhet te kene taksa doganore te tilla qe te shkurajojne blerjen.
      Vetem atehere mund te shpresohet qe brezat e rinj te mund te perdorin shqipen informatike, sepse neve te vjeterve qe tashme jemi mesuar me terma te huaj, veshtire se na nderrohet me gjuha.

      1. Relapso, hidhi një sy komenteve në linkun që kam dhënë më sipër – që të mos kthehemi në pikën zero sa herë që hapet kjo temë. Me sa duket, kjo që thua ti, ose debati në grup pune për terminologjinë, është kryer tashmë (një nga specialistet erdhi atëherë në blog dhe dha disa shpjegime për vërejtjet e mia).

        Mungon, përkundrazi, vullneti për të zbatuar terminologjinë e hartuar në shkallë shtetërore. Më kollaj e kemi të flasim të gjithë anglisht, sesa të përqafojmë një standard tonin.

        Sa për termat, këta gjithnjë duken të këqinj, në fillim. Vetë natyra e folësit e refuzon neologjizmin, sepse neologjizmi e vë në krizë sistemin. Prandaj konstatimi që termat janë të këqinj qëndron, por problemi është shumë i vogël sesa ai tjetri, shpërfillja e standardit terminologjik.

        Për shembull, mbaj mend që në vitet 1980 kishte një nomenklaturë të miratuar për komponentet kimike organike; por sot këtë nuk e gjen dot. Kur isha në Tiranë pyeta dhe më qeshën në fytyrë – por ende nuk jam i sigurt se nga erdhi ajo e qeshur: nga padija e të zotit, apo e imja.

        Tani, me ligj, kompanitë që i shesin Shqipërisë lëndë kimike, organike dhe inorganike, duhet t’i shoqërojnë këto me një MSDS (Material Safety Data Sheet) në gjuhën pritëse. Në mungesë të nomenklaturës së miratuar dhe në dispozicion, përkthyesit improvizojnë me emrat kimikë, a thua se po përkthejnë Federico Garcia-Lorca-n.

        Ironia, në këtë mes, është se të huajt janë të detyruar me ligj t’i përkthejnë këto dëftesa të sigurisë materiale-teknike në shqip, por blerësi në Shqipëri shqipen e atyre dëftesave shpesh nuk e kupton dhe nuk e përdor dot, prandaj është i detyruar – madje për të shmangur ndonjë gabim fatal me rrezik për kokën – që t’i referohet anglishtes.

        Natyrisht, të gjithë ne do ta anashkalojmë sakaq këtë shqetësim madhor, për t’u zgjatur me muaj, në mos me vite, me debatin nëse është me vend që Material Safety Data Sheet të përkthehet si Dëftesë e Sigurisë Materiale-Teknike. Gjithsekush do të ketë idenë e vet për këtë term, dhe do të ndihet i gatshëm për ta mbrojtur deri në vdekje – në mos vdektë më parë nga ndonjë kimikat i përkthyer tjetër për tjetër.

        1. faleminderit, i pashe komentet e specialistes. Nuk ma mbushi mendjen.
          Perpjekje per t’u pershendetur, por me rezultate te pakenaqshme.
          Ato verejtjet e tua m’u duken me vend. Komisioni, sipas meje, ka çaluar nga krahu i gjuhetareve ose autoriteti i informatikaneve ka pasur fjalen e fundit.
          Gjithsesi, sikurse thua ti, neologjizmat ne terminologji eshte e veshtire te nguliten.
          Koha do ta tregoje.

  5. Reset=rendě-simi(zimi)~rendě-sizimi = RUAJTJA e rjedhshmerise , VAZHDIMESIA e ecurise dhe e renditjes se ndryshimit.(rendi na jep “da,dhon,me dhan” ne thelb , RI&REI))
    Keshtu plotesojme dhe kushtin mbi te cilen realizohet mekanizmi njohjes( perceptimit dhe te menduarit) , dhe qe eshte ndryshueshmeria , diferencimi

  6. “Në fakt, terminologjia e re është gjithnjë e debatueshme: e rëndësishme është të biem dakord se duhet të vijë një moment kur debati të marrë fund, të vendoset një standard dhe pastaj të imponohet zbatimi i këtij standardi.”
    Pikerisht, jam shume dakord, vetem pyes nga kush institucion pritet vendosja e standardit, sa kohe do pritet dhe nga cili inst. do zbatohet e imponohet, sepse ndersa diskutohet, gjendja e gjuhes perkeqesohet

    1. Përdorimi i terminologjisë besoj se mund dhe duhet të rregullohet me ligj. Po nuk u bë kjo, jo vetëm që do të vuajë komunikimi, por do të lindin edhe probleme të mëdha juridike, sapo të modernizohet dhe të normalizohet gjyqësori.

  7. Dikur në Institut të Gjuhësisë hartoheshin fjalorë terminologjikë të fushave të ndryshme, për të cilët bashkëpunonin gjuhëtarë me specialistët më në zë të fushës përkatëse, në komisione të ngritura enkas. Bëheshin mbledhje e diskutime të gjata, që rezultonin më pas në botimin e fjalorit terminologjik të asaj fushe të dijes. Ka pasur p.sh. fjalor të termave të mjekësisë, mekanikës etj. etj. dhjetëra fjalorë të tillë. Sot ka jo vetëm Institut Gjuhësie, por edhe Qendër Albanologjike, e cila duhej ta kishte detyrë të përcaktuar me ligj ta bënte këtë. Por kushedi edhe e ka…

  8. Me pelqen kjo (ky?) “crowdsourcing” qe po bejme ketu. Ironike, por me pelqen.
    Perkthyesit shqiptar mund t’i hyje ne pune kjo teknike.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin