Këto ditë m’u desh të përkthej nga anglishtja në shqip, në një kontekst përdorimi informatik, komandën delete të MS Windows.
Natyrisht, për delete fjala e parë që të vjen në mend është fshij, prandaj edhe unë si fshij e kisha përkthyer. Prandaj mbeta gojëhapur kur redaktori (anonim) ma kishte ndrequr përkthimin, duke shtuar se përkthimi zyrtar i Microsoft-it për delete është heq.
Kishte të drejtë, siç mund ta kontrollojë vetë çdo lexues, në sajtin Microsoft Language Portal.
Se kush e ka shqipëruar terminologjinë e Windows-it në shqip, unë nuk e di. Do të ketë qenë punë madhore, dhe gabimet nuk do të jenë shmangur dot.
Megjithatë, nga përdorimi që i kam bërë sajtit të mësipërm, kam arritur në përfundimin se gabimet atje rrjedhin edhe ngaqë autorët e këtij projekti gjigant dhe kaq themelor për terminologjinë shqipe thjesht nuk kanë qenë në lartësinë e punës që kanë marrë përsipër.
Tani, për t’u kthyer në përkthimin e delete si heq, arsyeja pse kjo nuk na pëlqen, është se heq ne zakonisht e shoqërojmë në mend me remove.
Shkoj të shoh si e kanë përkthyer remove, dhe më del përpara largoj; përkthim që, për ta thënë me një eufemizëm, lë shumë për të dëshiruar; p.sh. remove background = largoj sfondin etj.
Tash e tutje, të gjitha përkthimet në shqip të materialeve të bazuara në teknologjinë MS Windows janë praktikisht të detyruara të përdorin këto zgjidhje si referencë dhe të thonë heq për delete dhe largoj për remove.
Pse të ketë ndodhur kjo zhvendosje?
Kur përkthehen familje të tilla termash, është mirë që përkthimi të bëhet në sistem, jo veç e veç siç e kanë bërë specialistët e sajtit më lart.
Nëse është kështu, atëherë arsyeja pse këta specialistë nuk kanë ndjekur intuitën e çdo shqipfolësi dhe nuk e kanë përkthyer delete si fshij do të ketë qenë që fshij ka qenë e përdorur tashmë për një term tjetër.
Dhe kush do të ketë qenë ky term? Natyrisht erase.
Në anglishte, erase dhe delete janë sinonime, të cilat dallohen mes tyre më shumë nga mikro-kontekstet e përdorimit dhe fjalët e tjera me të cilat zakonisht shoqërohen.
Megjithatë, meqë në një kontekst informatik delete përdoret shumë më shpesh se erase, atëherë duket afërmendsh që fshij, ose fjalën shqipe përfaqësuese të këtij grupi sinonimesh ta ruanim për delete.
Autorët kanë përdorur fshij për erase, pastaj atyre u është dashur të gjejnë diçka për delete dhe kanë adoptuar zgjidhjen artificiale heq; çka ia ka prerë riskun remove, e cila ka përfunduar e përkthyer – shëmtuar dhe keq – si largoj.
Pse është e shëmtuar dhe e keqe largoj? Sepse remove përkufizohet zyrtarisht, gjithnjë në faqen e mësipërme, si “To take out objects from a list, database, or other item, or to uninstall a program”, çka do të thotë se një objekt që pëson veprimin remove shpesh përfundon i shkatërruar ose i asgjësuar në proces e sipër ose për pasojë – edhe pse jo doemos, çka kurrsesi nuk nënkuptohet nga largoj, e cila në shqipe nënkupton “ruajtjen” e objektit. Me fjalë të tjera, remove mund të jetë edhe delete, por largoj nuk mund të jetë fshij.
Kush më ka ndjekur deri tani, do ta ketë kuptuar se terminologët e Windows, me pedantizmin e tyre, kanë krijuar një shqipe të re: shqip-mushkën.
Problemi mund të zgjidhej (mund) duke u kthyer në origjinën, ose burimin e kataraktit të idiotësive – te përkthimi i erase si fshij, i cili praktikisht e ka privuar fshij nga përdorimi si versioni shqip i komandës themelore delete (duke komprometuar edhe hiq në rrugë e sipër).
Në fakt, erase në shqip mund të përkthehej fare mirë si shuaj. Kjo folje themelore e pranon normalisht përdorimin me kuptimin “erase” (nuk ka nevojë ta shpikim ne, duke ia mbingarkuar kuptimin).
Për fat të keq, terminologët e kanë shpërdoruar, duke e përdorur, sporadikisht, për të përkthyer, bie fjala, Fill On/Off si Mbushja Ndize/Shuaj; dhe Line On/Off si Vijën Ndize/Shuaj. Me sa kuptoj nga kërkimi në faqe, shuaj ka mbetur jashtë listës së foljeve themelore për UI të Windows, që u përgjigjen veprimeve bazë që mund të bëjë përdoruesi në mjedisin Windows (enter, print, save, add, copy, paste, draw, undo, go to…, return, send, receive, view, show, highlight, format, stop, close, open, write, cancel, move, play, sort, back up, insert, customize etj.).
Autorët e kanë shpërdoruar, duke e trajtuar si sinonimike opsionale me fik, e cila përkthen turn off, etj. dhe duke vepruar edhe këtu si amatorë.
Kështu, në vend të tabelës së mëposhtme, e cila i përgjigjet intuitivisht shqipes që flasim përditë:
erase | shuaj |
delete | fshij |
remove | heq |
turn off | fik |
Shqipe-mushka na ofron zgjidhjet e mëposhtme:
erase | fshij |
delete | heq |
remove | largoj |
turn off | fik, shuaj |
Çka konfirmon edhe një herë thënien e njohur se “mushka është një kalë i projektuar nga një komitet.”
[e parafrazuar; thënia i referohet zakonisht devesë.]Akademitë e shkencave – në Tiranë dhe në Prishtinë, mbajnë përgjegjësi të madhe, ndaj kulturës shqiptare dhe qytetarëve, që nuk kanë ngulur këmbë për t’u përfshirë si palë në përkthimin e terminologjisë së Windows. Ato akademi i kanë padyshim specialistët e nevojshëm për të shmangur katrahura të tipit largoj për remove, efektin qelbëzues të të cilave do ta ndiejmë ne, pastaj bijtë dhe nipat tanë, dhe më në fund vetë shqipja.
Të githa produket softuerike të përkthyera në shqip shumë lënë për të dëshiruar. Atë që përkthejnë shpesh herë nuk dinë as anglisht mirë e as shqip mirë. Dhe kur ti do të përdorësh një program në gjuhën tënde, thjesht nuk mundesh.
Ja p.sh. si ëshët përthyer Available Widgets në një nga përthimet e WordPress-it: Widget-e të Passhme (!!!)
Verejtje me shume vend dhe e mireargumentuar, aq sa arrin qarte kufijte e bindjes.
Replika te tilla mungojne dukshem ne “katrahuren” gjuhesore, qe po peson komunikimi dhe shprehja gjuhesore e kohe-viteve te fundit, por, une nenvizoj, qe ne kritiken tuaj, te mirestrukturuar Ju lini pa shqiperuar leksemen “sajt” = site, gje e cila Juve Ju sjell me pak te besueshem tek ne!
Faleminderit!
Kjo është arsyeja pse s’e përdor kurrë variantin shqip të Windows-it dhe paketave të tjera të tij, si Office, p.sh., edhe pse jam partizan i përdorimit të shqipes. Edhe njëherë që e provova disa vjet më parë me XP-në, m’u nakatos aq shumë nga mënyra si i kishin çoroditur komandat – pasi duhet thënë, varianti shqip është i pjesshëm (e shyqyr për këtë, mendo ç’do të ishte i plotë) – sa e çinstalova me rrënjë.
Vërtet,terminologjia shqipe në teknologjinë informative lë shumë për të dëshiruar,saqë më e lehtë është ta përdorësh gjuhën angleze.Përkthimet të lënë përshtypjen e një njeriu që shqipen e ka gjuhë të dytë…Akademitë tona duhet sa më parë që të krijojnë një fjalor termash nga fusha e IT-së,në mënyrë që përdoruesit e kompjuterit të familjarizohen me to.Në Kosovë janë bërë disa përpjekje për këtë gjë,por si duket nuk i janë nënshtruar një analize shkencore.
Tek ne në Kosovë.në shumë website në vend të fjalës”link” ose “linqe të rëndësishme”,përdoret “vegëz-a” ose “vegëza të rëndësishme”.Mbase nuk është në frymën e shqipes standard,por semantikisht më e saktë.
Ne kete fryme mire eshte qe per link apo linqe te perdoret fjala Verige, meqenese rrushi dhe bistaku i i tij perfaqeson nga pikepamja fizike mundesi te drejtperdrejta perfytyrimi per ceshtjen ne fjale.
D.m.th:
Kliko (cik) ketu per verige interesante…
Për fat të keq, të gjitha këto janë vendosur tashmë; dhe më e bukura është se nuk dihet se nga kush. Megjithatë, ma merr mendja se shpërblimi ka qenë i majmë (Microsoft paguan jashtëzakonisht mirë).
Do jete ndonje plan ndaj gjuhes shqipe se nuk heqin dore keta, kane 100 vjet kete pune bejne. Tere ajo perpjekje per A Be Ce Në, per pak identitetit dhe veteperkufizim dhe ne fund triumfojne tekste ku ne fund thuhet: Nga Populli.
Xha xha, nuk do ishte më mirë “i projektuar nga një komision”?
Jo doemos. Fjalori i shqipes e pranon, për komitet, kuptimin “grup njerëzish i zgjedhur a i caktuar për drejtimin e një veprimtarie a pune shoqërore.”
Edhe një lutje meqë ra fjala: hapësira e komenteve nuk është vendi i përshtatshëm për të sugjeruar korrigjime gjuhësore ose faktike të gabimeve, reale ose hipotetike, në tekstin kryesor.
E kam të qartë që tekstet kanë gabime gjithfarësh, por etiketa dhe mirësjellja e kërkojnë që sugjerimet për ndreqjen e tyre të më dërgohen privatisht, sikurse e bëjnë tashmë disa kolegë (të cilëve u jam mirënjohës).
Unë e shoh shumë të nevojshme,sidomos për këtë fushë,që ekspertët gjuhësorë të bëjnë një standardizim të kësaj terminologjie,sepse sinonimia në këtë fushë vetëm mund të shkaktojë pështjellim.Duhet dora institucionale dhe jo OJQ-të të vendoset në këte fushë.
Përshëndetje,
Gjatë punës për lokalizimin e Windows-it janë pasur parasysh ndër të tjera dy gjëra kryesore:
-Shpjegimi i dhënë nga Microsoft-i për një term të caktuar dhe,
-Konteksti ku përdoret.
Bazuar në këto pika, si dhe nisur nga fakti se në një terminologji të tillë duhen shmangur përdorimet e figurshme dhe të dykuptimshme, janë bërë përzgjedhjet në shqip për çdo term (dhe për ata që komentohen më sipër).
Puna është bërë në sistem dhe jo e shkëputur. Përdorimi i softuerëve përkatës për lokalizim (të Windows-it e Office-it, por dhe të softuerëve të tjerë) nuk e lejon mungesën e koherencës (ata që i kanë përdorur këto softuerë ose janë marrë me lokalizime e kuptojnë më mirë këtë gjë).
Natyrisht gjithmonë ka vend për vërejtje e sugjerime, të cilat janë të mirëpritura – prandaj janë dhe versionet e përditësuara, por nuk është normale të kalohet në përgjithësime të tilla (emocionale) negative, aq më tepër kur për shembujt e dhënë konkretisht nuk vihet re ndonjë ‘shkelje’ gjuhësore.
Uroj që arritjet e deritanishme t’ju shërbejnë në punën tuaj dhe që ju t’u shërbeni këtyre arritjeve me mendjen tuaj.
Anila, besoj e ke fjalën për përkthimin e softuerit kur thua lokalizimi. Sepse lokalizimi në është përthim nga gjuha në gjuhë. Apo jo?
Gjithashtu a mund të na shpjegosh çfarë mund të jetë një shkelje gjuhësore?
Anila, falemnderit që dole hapur në këtë forum, edhe pse do ta kesh marrë me mend, besoj, se do të të mbysin me pyetje dhe kritika.
Zgjidhjet terminologjike për MS Windows janë të rëndësishme sepse shërbejnë si pikë referimi për të gjitha përkthimet ose “lokalizimet” e fushës.
Edhe kur përkthyesi nuk e dëshiron këtë, do t’ia kërkojë klienti.
Unë e përdor shpesh këtë terminologji, për punën time; dhe për fat të keq, mbetem po aq shpesh i habitur me disa zgjidhje të atjeshme.
Këtu nuk është vetëm fjala për vlerësimin e punës suaj, por edhe për gjykimin e dëmit që kjo punë u sjell përdoruesve të Windows dhe vetë gjuhës shqipe.
Të dy herët që kam shkruar për këtë çështje, jam nisur nga shembuj konkretë, për të treguar si e keni shtrembëruar shqipen pa arsye.
Edhe këtë herë, unë nuk mund ta përligj pse një folje me kuptim të thjeshtë, madje elementar, si delete është përkthyer si heq.
Kjo jo vetëm është zgjedhje e papërshtatshme, por edhe përfaqëson një shkelje semantike.
Folja heq, në gjuhën shqipe, nuk është sinonim i foljes fshij.
Kur ti fshin diçka, ti në thelb e nxjerr (e dëbon) nga ekzistenca; kur ti heq diçka, ti e nxjerr nga një kontekst ose mjedis ose hapësirë, për ta çuar gjetiu.
Do të doja të dija se cili është ekipi që është marrë me lokalizimin e MS Windows, si e ka fituar këtë privilegj, sa është paguar për këtë projekt dhe nëse ka përdorur specialistë terminologë me përvojë, të cilët shqipes nuk i mungojnë.
Ti nuk ke asnjë detyrim që t’i përgjigjesh këtyre pyetjeve, natyrisht.
Sot në mëngjes m’u desh të këshillohesha me Microsoft Language Portal për një term tjetër: slide show.
Të gjithë e dimë se çfarë është slide show. Në sajt marr këtë përgjigje:
slide show = shfaqja e pamjes rrëshqitëse.
Tani çfarë të them unë për këtë “shfaqje të pamjes rrëshqitëse” përveçse që është shqipe mushkash?
Ti më quan emocional dhe përgjithësues, por unë nuk mund të mos jem emocional dhe përgjithësues para këtij përçudnimi që i bëhet shqipes sime dhe komunikimit.
Hap Fjalorin e Shqipes së Sotme, të vitit 1984. Atje gjej këtë fjalë:
DIAFILM – film që përmban një varg fotografish të lidhura nga ana tematike.
Ja ku e kishit fjalën për slide show: gjendje në magazinë, që në vitin 1980. Jam i bindur se diafilm funksionon më mirë sesa “shfaqje e pamjes rrëshqitëse” (khs. me frëngjishten diaporama; gjermanishten Diashow).
Nuk keni bërë punë të mirë. Dëmet që i keni shkaktuar gjuhës ndoshta nuk mund të shlyhen më.
Diskutim interesant!
Xhaxha, bie dakord me ty qe perkthimi i “slide show” si “shfaqje e pamjes rreshqitese” eshte fare i papershtatshem, madje edhe qesharak. Megjithate, perdorimi i “Diafilm” ne vend te tij, personoalisht nuk me duket gjithashtu i pershtatshem per dy arsye. E para, ngaqe “diafilm” eshte fjale qe “ka dale nga qarkullimi” me kohe. Nuk e di se kush e perdor ate fjale ende ne Shqiperi dhe as e kam degjuar ne media apo gjekundi tjeter keto 20 vitet e fundit. Nderkohe qe “slide show” eshte nje fjale e perdorur relativisht shume shpesh ne anglisht. Se dyti, “diafilm” nuk reflekton te plote kuptimin e “slide show,” e cila, ndryshe nga diafilm-i, permban ne vetvete aktin e levizjes se vazhdueshme te faqeve qe permbajne informacion (jo domosdoshmerisht foto) te paraqitura para nje audience te caktuar. Nga perkufizimi i dhene me lart, diafilm-i eshte dicka me e kufizuar dhe statike; eshte thjesht nje bashkesi fotosh qe jane te lidhura nga ana tematike. Dhe se treti, “diafilm” nuk ka rrenje ne gjuhen shqipe, eshte fjale e huazuar.
1. Përdorja e fjalës diafilm (këtu e mësova që ekziston) në përthimine slideshow do ishte një rast shumë i voltshëm për ta futur në qarkullimi e prëditshëm.
2. Përftimi i kuptimeve të reja prej një fjale është proces semantik normal.
3. Huazimet huazohet për të vetmin qëllim që të përdoren në gjuhën e cila i ka huazuar.
E keqja me përkthimin e slide show si “shfaqje e pamjes rrëshqitëse” i ka rrënjët te përkthimi i termit slide si “pamje rrëshqitëse”.
Në fakt, një përkthim i tillë lidhet – besoj unë – me një interpretim etimologjik të kuptimit të fjalës slide, të cilin ndoshta anglishtfolësit nuk e bëjnë.
Në terma të tilla si slide show dhe slide projector, slide i referohet një lloji fotografie të destinuar për t’u projektuar. Në shqip kësaj i kemi thënë gjithnjë diapozitiv. Edhe gjuhët latine kështu e quajnë.
Me këtë kuptim, fjala slide është përdorur për herë të parë, në anglishte, në vitin 1819, duke iu referuar një efekti që krijohej nëpërmjet të ashtuquajturëve fenerë magjikë (lanterna magica).
Më pas, për të projektuar slides u përdorën slide projectors – të cilët sot quhen kështu jo sepse rrëshqasin, por sepse përdorin slides.
Në fakt, projektorët e parë përdornin një lloj mekanizmi lëvizës me rrëshqitje; që më pas u zëvendësua me karuselin, ku nuk rrëshqet gjë. Unë nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë projektor diapozitivash që të mos ketë qenë me karusel.
Lidhja kuptimore e anglishtes slide, në kuptimin “diapozitiv” me konceptin e të rrëshqiturit ka humbur tashmë, të paktën në anglishte.
Tani, për atë nëse fjala diafilm “ka dalë apo jo nga qarkullimi”, mund të diskutojmë. Para se të futej në përdorim të gjerë kompjuteri, diafilmi kërkonte aparatura të kushtueshme për t’u krijuar dhe projektuar, prandaj edhe termi kishte përhapje të kufizuar. Kufizimi, në këtë rast, nuk kishte të bënte me ndonjë “cen” të fjalës vetë, por me sendin të cilit i referohej ajo fjalë. Këtë send kompjuterët e popullarizuan (sikurse popullarizuan termin slide show); dhe asgjë nuk na pengon t’i kthehemi fjalës që ekzistonte.
Tani, çfarë është pikërisht slide show? Është pikërisht një show, ose “shfaqje”, siç thonë terminologët e Microsoft-it në shqip; kuptim që e përballon më së miri pjesa –film e termit diafilm. Frëngjishtja përdor, për të njëjtin qëllim, diaporama, e cila lidhet me panorama dhe, më gjerë, me pseudoprapashtesën –rama (colorama, diorama, cinérama, etj.); shqipja nuk e lejon këtë, por diafilm e jep slide show për bukuri.
Faleminderit per shpjegimet, xhaxha! Argumentat e tua jane te sakta dhe bindese. Vec nje pyetje kisha per ju lidhur me diskutimin me lart: Cilet jane faktoret kryesore ne adoptimin e nje fjale me kuptim te caktur ne gjuhen e nje vendi?
Ilirjan, nuk mund t’i përgjigjem kaq lehtë kësaj pyetjeje, nëse dua të shkoj përtej klisheve. Fjala e re duhet të jetë e nevojshme, e përshtatshme dhe mundësisht jo e krijuar në tavolinë.
Zakonisht nevoja për fjalë “me një kuptim të caktuar” lind brenda punës terminologjike, e kushtëzuar nga zhvillimet teknologjike.
Terminologjia është edhe ajo një lloj teknologjie, kërkon specialistët e vet.
Sa i përket shqipes, terminologut i duhet të zgjedhë midis (1) përshtatjes kuptimore të një fjale shqipe ekzistuese, të zakonshme ose të rrallë; (2) huazimit të drejtpërdrejtë ose kalkut si huazim semantik (p.sh. ndërfaqe për interface); (3) përshtatja e një zgjidhjeje që ka bërë një gjuhë tjetër (p.sh. frëngjishtja, në raport me anglishten); (4) krijimit të një fjale të re.
Nuk ka ndonjë recetë për këto punë. Zgjedhja e termit të ri kushtëzohet nga faktorë sa kulturorë, aq edhe gjuhësorë. Unë vetë e shoh krijimin e fjalëve të reja si zgjidhjen më ekstreme, sepse veç i shërben izolimit, në një kohë që ligjërimi teknik ka nevojë për hapje ndaj ligjërimeve të ngjashme në gjuhë të tjera. Edhe terminologjia informatike ka për qëllim, para së gjithash, të lehtësojë përdorimin që i bëhet teknologjisë informatike.
Përgjigjet e pyetjve që bën Xhaxhai nuk janë thjesht për kureshtje por një detyë publike, besoj! Jam po aq në pritje për t’i ditur.
Përshëndetje Xha Xha,
Me të drejtë sugjeroni që për termin ‘slide’ do të ishte mirë të përdorej fjala shqipe ‘diafilm’, e cila e jep fare qartë kuptimin, por dhe është njëfjalëshe e nuk sjell vështirësi gjatë shoqërimit me fjalë të tjera.
Nëse do të kthehemi te fjala ‘delete’, po të përqendrohemi vetëm në një kontekst, do të ishte fare mire edhe varianti që sugjeroni ju ‘fshij’. Por nëse i shohim gjërat më thellë, kontekstet e ndryshme ku del kjo fjalë, mendoj se zgjedhja jonë është e përligjur.
——-
1.Printer %1 was deleted, and users will no longer be able to print to this printer … – Printeri %1 është hequr dhe përdoruesit nuk do të jenë më në gjendje të printojnë në këtë printer…
2.The system is unable to delete the requested user. – Sistemi nuk është në gjendje të heqë përdoruesin e kërkuar.
3.Are you sure you want to delete this location? – A je i sigurt se dëshiron të heqësh këtë vendndodhje?
4.Are you sure you want to delete this calling card? – A je i sigurt se dëshiron të heqësh këtë kartë thirrëse?
5.Are you sure you want to delete the folder %s and all its contents? – A je i sigurt se dëshiron të heqësh dosjen %s dhe gjithë përmbajtjen e saj?
——-
Nisur nga kontekstet e shumta ku del kjo fjalë, në të cilat jo gjithmonë mund të qëndronte fjala ‘fshijj’, por dhe ‘shuaj’, është parë e udhës të përzgjidhet fjala ‘heq’, meqë, siç shihet dhe nga shembujt e mësipërm, e jep më qartë kuptimin në të gjithë shembujt, duke shmangur përdorimin e dy fjalëve për këtë folje (Printeri nuk fshihet, por hiqet). Sa për punën e sinonimisë në fjalët e përmendura nga ju, është e qartë që ato janë sinonime në disa prej kuptimeve të tyre (mund të shihni dhe fjalorin e sinonimisë të përgatitur nga profesionistë).
Gjithashtu dua t’ju sugjeroj që kur përdorni portalin e Microsoft-it, të shihni me kujdes dhe versionet në të cilat del një term që kërkohet, pasi aty jepen termat që në versionet e XP-së e deri te Windows 7 dhe, siç është e natyrshme, çdo version del i përmirësuar jo vetëm për sa i përket anës teknologjike dhe softuerëve, por edhe anës gjuhësore. Ndaj duhen marrë për bazë termat që dalin në versionet e fundit, ku e them me bindje janë bërë përmirësime të dukshme.
Në këtë mënyrë mund të merrnim në shqyrtim dhe terma të tjerë që jepni si shembull (e sidomos ‘setup’), por ndoshta në aktivitete të ndryshme gjuhësore mund të ndodhë të takohemi dhe do të ishte mirë të flisnim gjerë e gjatë për këto probleme gjuhësore që ju shqetësojnë ju si përdorues dhe njohës i mirë i fjalës shqipe, por dhe ne që jemi marrë me lokalizimin.
P.S. Është ndërhyrja ime e fundit në këtë blog për çështjen në fjalë.
Anila, me gjithë qejf do të takohesha me grupin tuaj, kur të vij në Shqipëri në vjeshtë. Ashtu do të bënim edhe një punë të dobishme, që shkon përtej kritikave në mediat.
Të lutem, më bëni një propozim konkret dhe serioz, dhe ma dërgoni në adresën ardian_vehbiu@yahoo.com, që ta konkretizojmë këtë bashkëpunim.
Në fakt, në të gjitha rastet që sillen si shembull për përdorimin e ‘delete’, përkthimi ‘fshij’ qëndron më së miri.
Ti thua “printeri nuk fshihet por hiqet.”
Në atë kontekst nuk është fjala për të hequr printerin nga dhoma ose nga zyra, por për ta fshirë printerin nga lista e printerëve që “njeh” kompjuteri.
Në të njëjtën mënyrë, ti e fshin emrin e dikujt nga lista, por e heq (ose e nxjerr) dikë nga dhoma. Prandaj është normale të thuash ‘fshij përdoruesin e kërkuar’, sepse në fakt je thjesht duke ia fshirë emrin nga një listë (jo duke ia hequr, sepse ti atë emër nuk është se e çon diku tjetër ku të vazhdojë të ekzistojë si emër; siç e var xhaketën në kremastar, pasi e heq dhe ajo mbetet xhaketë edhe kur është në dollap).
Dallimi më duket themelor.
Edhe në rastet e tjera, ‘delete’ nuk zbatohet ndaj objektit material (printerit, kartës telefonike, vendndodhjes), por ankorimit të këtij objekti në sistemin operativ të kompjuterit ose në një program aplikativ.
Ti mund ta “fshish” kartën telefonike nga një listë, edhe pse karta mbetet e paprekur, në skrivaninë tënde ose fundja edhe në një listë tjetër, si kod ose bashkësi të dhënash numerike.
Fshirja, në këtë rast, ka të bëjë me eliminimin nga një kontekst i caktuar, jo nga “universi” në kuptimin filozofik (naiv).
E përsërit edhe një herë, edhe pse e di që për disa do të jem bërë i mërzitshëm në këtë pikë: dallimi mes fshij dhe heq, në kontekstin tonë, është se objekti mbi të cilin bie veprimi i fshij asgjësohet brenda sistemit specifik të referimit (zakonisht duke u hedhur në koshin e mbeturinave), ndërsa objekti mbi të cilin bie veprimi i heq vetëm sa ndërron vend, duke kaluar nga një hapësirë në tjetrën.
E kuptoj edhe se heq mund të funksionojë si hiperonim i fshij; tek e fundit, kur ti fshin diçka (p.sh. një emër nga një listë), edhe e ke hequr që andej; por e kundërta nuk është e vërtetë – ti mund të heqësh diçka pa e fshirë. Si veprim, fshij është më specifik se heq. Dhe delete nuk mund të përkthehet ndryshe, përveçse me një folje që e nënkupton idenë e asgjësimit – çka heq nuk e bën dot.
Veç këtyre konsideratave semantike, ka edhe një problem tjetër me përkthimin e delete si heq: ky përkthim e ka bërë të pamundur përdorimin e heq për të përkthyer remove. Që këtej, remove është dhënë si largoj, çka mua më duket gjithashtu gabim. Unë jam i sigurt se asnjë shqipfolësi nuk do t’i vijë në kokë fjala ‘largoj’, për të përkthyer anglishten remove; prandaj supozoj se ju e keni bërë këtë thjesht ngaqë heq e kishit përdorur tashmë për delete. Largoj do të ketë qenë një zgjidhje in extremis, në mungesë të alternativës default (njëlloj mund të kishit përdorur edhe dëboj ose nxjerr ose shporr).
Ja një shembull tjetër që dëshmon sesi autorët e listave terminologjike të Microsoft-it nuk kanë punuar në sistem, por më shumë me parimin “tu pa tu bo.”
Termi view, si emër, është përkthyer korrektësisht si pamje; por folja view nuk është përkthyer shoh (folja që do t’i përgjigjej emrit pamje), por paraqit.
Ndërkohë, termi preview është përkthyer si paraafishim (jo parapamje, siç mund të pritej), duke futur në lojë një temë të tretë (afishoj).
Folja afishoj, përkundrazi, përdoret për të dhënë në shqipe anglishten display; ndërsa emri display jepet si afishim (p.sh. display name – emri i afishimit).
Nëpërmjet një kapërcimi të pakuptueshëm, afishim përdoret edhe për të përkthyer në shqip emrin display në kuptimin “ekran”, p.sh. liquid crystal display del si afishim me kristal të lëngët, ndërsa auxiliary display si afishim ndihmës, etj.
Këtu gabimi është edhe gramatikor; sepse pajisja që afishon (ekrani), sipas rregullave fjalëformuese të shqipes, duhej të dilte me një emër vepruesi (p.sh. afishues).
Vazhdojmë edhe më. Viewer jepet si paraqitës (p.sh. photo viewer – paraqitësi i fotove; pan viewer – paraqitësi i zhvendosësit); ndërsa previewer si paraafishues. Më thjesht dhe, çka është më e rëndësishme, më sistematikisht, do të mund të jepeshin si pamës dhe parapamës.
Ku është shkelur sistemi? Është shkelur kur një temë terminologjike bazë, si view, është dhënë, në shqipe, me tre tema të ndryshme: shoh, paraqit dhe afishoj; të cilat pastaj janë përdorur edhe me tema të tjera (p.sh. display, e cila në thelb shenjon një veprim të kundërt me view).
Për saktësim:
Termi ‘view’ si folje nuk mund të jetë ‘shoh’ në këto përdorime. Për ilustrim shpjegimi i mëposhtëm për këtë folje: “To cause an application to display information on a computer screen.” Siç shihet dhe nga ky shpjegim, ‘display’ dhe ‘view’ nuk kanë kuptime të kundërta.
Termi ‘parapamje’ (nga ‘parashoh’) për ‘preview’ do të ishte në rregull për të ruajtur çerdhen e fjalës, por kuptimisht do të na lidhte më shumë me parashikimin, sesa me paraafishimin.
Normalisht dhe ‘viewer’ është në rregull ‘paraqitës’ (sepse lidhet me ‘view – paraqit’); po ashtu ‘previewer’ me ‘paraafishues’ (sepse vjen nga ‘preview – paraafishoj’).
Adelina, unë nuk shoh ndonjë problem me zgjedhjen e një termi tjetër për “view”, sa kohë që kjo bëhet në mënyrë konsistente dhe sistematike, siç e ka anglishtja.
Edhe shpjegimi “to cause an application to display information on a computer screen” nuk më duket se e mbështet argumentimin tënd, sepse veprimi i mësipërm (kauzativ) bëhet me qëllim të fundit që ne ta shohim informacionin.
‘Paraafishim’ është neologjizëm dhe për më tepër i panevojshëm. Unë nuk shoh si ‘parapamje’ mund të ngatërrohet me ‘parashikimin’; ndoshta ke parasysh ‘largpamje’? Megjithatë, më mirë polisemi, sesa neologjizëm – besoj; aq më tepër që neologjizmi sërish e prish sistemin, duke futur një temë të re – atë që lidhet me ‘afishoj’ dhe ‘afishim’ (të cilat mua më duken të sakta vetëm për të përkthyer ‘display’ si folje dhe si emër veprimi, por jo si emër vepruesi).
Kur thashë që ‘view’ dhe ‘display’ kanë kuptime të kundërta, nuk kisha parasysh antoniminë klasike (te tipit dritë/errësirë), por më tepër kahun e veprimit, meqë ‘view’ është diçka që e bën përdoruesi, ndërsa ‘display’ është diçka që e bën pajisja (ekrani, kompjuteri, etj.). Me fjalë të tjera, ‘view’ lidhet me perceptimin tonë vizual drejtpërdrejt dhe është diçka që e bëjmë ne me vullnet, ndërsa ‘display’ është vetëm kusht që ky perceptim të kryhet, dhe si veprim kryhet nga kompjuteri, edhe kur e urdhërojmë (komandojmë) ne. Prandaj unë sërish besoj se ‘view’ dhe ‘display’ nuk duhej të jepeshin me të njëjtin term në shqipe.
Më në fund, në anglishte ‘viewer’ dhe ‘previewer’ u referohen veglave (tools) shumë të afërta nga funksioni dhe përdorimi; duke i përkthyer me terma të ndryshëm në shqipe (‘paraqitës’ dhe ‘paraafishues’) ju i largoni duke ua cenuar kuptimin.
Nder albumet e mia te preferuar, eshte edhe “The Eraser”.
E verteta Xhaxha eshte qe megjithese une jam kryesisht dakort me verejtjet e tua, asnjehere deri me sot ne koken time nuk e kam perkthyer ate si “Shuajtesi”, por si “Fshiresi”.
Aq me teper teksa ne nje prej kengeve, e cila ka emertuar edhe albumin, pra “The eraser”, teksti thote keshtu :
The more you try to erase me
The more, the more
The more that I appear…
Dua te them, hej, nuk tingellon shume bindese qe ti te me shuash mua apo jo, ka nje konotacion me te ngarkuar sesa duhet/eshte.
Ashtu edhe fjaloret online, e perkthejne “the eraser” ne mos fshirese, gome, te cilen shpesh e bashkengjisim me kuptimin e te fshirit dhe jo te shuarit, madje edhe literalisht ; goma fshirese.
Sikur te mos mjaftojne fjaloret, me kujtohet tani nje vizite qe ja bera “Museum of Broken Relationships” ne Zagreb para disa kohesh ( per kuriozitet te kuptohemi 🙂 ), ku nder te tjera ishte nje grumbull gomash me mbishkrimin “The eraser”.
Pra dua te dal qe, ne nje tjeter kontekst, anglishtes erase i pershtatet shume me natyrshem fshij sesa shuaj.
Thene kete, ndoshta eshte pikerisht konteksti, nderthurja ne kete sistem te madh e te nderlidhur termash kompjuterik qe i ka vene ne veshtiresi zonjat ; veshtiresi qe jo detyrimisht vjen si pasoje e nje pune te keqe, por qe ndoshta eshte e pashmangshme ne perkthimet.
Në fakt edhe unë do të preferoja ta përktheja erase si fshij.
Por ti e ke kuptuar gabim çfarë kam thënë unë.
Unë kam thënë këtë: që kur vjen puna për të zgjedhur midis këtyre dy përkthimeve: shuaj për erase dhe heq për delete, unë do të kisha zgjedhur të parin.
Kjo dilemë, sado artificiale, rrjedh prej arsyetimit tim në shkrim dhe nevojës për t’iu përgjigjur segmentimit të fushës tematike të anglishtes me një segmentim të ngjashëm për shqipen (ku çdo termi anglisht t’i përgjigjet një term shqip).
Autorët e terminologjisë, duke e përkthyer erase si fshij e privuan këtë të fundit nga mundësia për të shërbyer si përkthim për delete; dhe pastaj, duke e përkthyer delete si heq, e privuan këtë të fundit për të shërbyer si përkthim për remove.
Ndonjëherë, në këto punë, duhet zgjedhur e keqja më e vogël, sepse zgjidhje optimale nuk ka. Për mua e keqja më e vogël do të ishte të pranohej shuaj për erase, sepse në krahasim me delete, erase nuk përdoret dhe aq shpesh në mjedisin Windows.