MUZIKË PA KUFI

Pika e kalimit kufitar mes Kanadasë franceze (Québec-ut) dhe ShBA duket sikur mezi arrin ta përballojë currilin e mekur të udhëtarëve në mesnatë. Kufitarët e anës amerikane djersiten me çdo vizitor a qytetar qoftë, duke i lëshuar një batare pyetjesh gjithfarësh, ose duke i marrë shenjat e gishtave, në rastet fatkeqe kur i pandehuri qëllon të jetë noncitizen (ç’term orwellian!).

Këtu e përplasëm kokën, tek ktheheshim nga një fundjavë kaluar në Montréal për të ndjekur Festivalin Ndërkombëtar të Jazz-it: tre ditë me muzikë, kitsch turistik, shëtitje brown-iane, krahasime antropologjike fytyrash rrugëve.

Ironikisht, na u desh të kalonim nga një atmosferë karnevali të diversitetit, që ishte Montréali i festës muzikore, në një komedi të radhës nga teatri i sigurisë së kufijve, thuase nuk ishim në pikëkalimin mes dy vendeve që s’i ndan më pothuajse asgjë veç mbretëreshës, por në ndonjë postëbllok izraelit në të dalë të Rripit të Gazës.

Çfarë na kishte tërhequr në Montréal ishte mundësia për ta parë më në fund artistin tonë të preferuar, tunizianin Anouar Brahem, që luajti të enjten mbrëma më 30 qershor, në teatrin Jean Duceppe, albumin e vet ndoshta më të njohur për publikun, Thimar, i shoqëruar nga Dave Holland në bass dhe John Surman në saksofon/ klarinetë.

Nuk kam ç’të them për Brahem-in; po të mos keni gjerbur gjë prej tij, Thimar është albumi nga duhet nisur dëgjimi – janë të rrallë ata vdekëtarë të cilëve nuk do t’u pëlqejë. Trioja e muzikantëve ia bëri magjinë sallës siç pritej; me Brahem-in impresionist dhe të përmalluar, Surman-in intelektual pothuajse gjeometrik dhe Holland-in si ligjvënës ose demiurg të efektit muzikor total.

Thimar është edhe triumf i një koncepti që bashkon ndjeshmëritë arabe të Brahem-it me traditën e jazz-it europian të Surman-it (diçka si një Garbarek më pak flamboyant) dhe traditën tjetër, po aq pjellore, të hard bop-it nostalgjik dhe orientalizant të Holland-it. Nëse ka një vend ku ky fusion global duhet të marrë jetë, është pikërisht Montréal-i.

Të soditësh turmën multi-etnike dhe multi-raciale të rrugëve dhe të shesheve të festivalit është eksperiencë më vete. Për kë vjen nga New York-u, multi-etniciteti mund të përjetohet edhe si bezdi, por në Montréal njerëzit me prejardhje të larmishme i bashkonte, njëfarësoj, pikësynimi i njëjtë – muzika. Vendasit vetë, franko-kanadezët, e përmbajnë diversitetin që në emërtim; ndoshta prandaj edhe e kërkojnë prej artistëve të ftuar.

Natyrisht, një festival jazz-i që mbahet në këmbë me energjinë e turmave shumëngjyrëshe nuk e ka sofistikimin e skenës së New York-ut, ku jazz-i shpesh nuk kuptohet dot pa avant-gardën dhe snobizmin përkatës; njerëzit vijnë për jazz, por shpesh duan veç të zbaviten – dhe jazz-i nuk garanton zbavitje të menjëhershme.

Entuziazmin e natës së parë sikur na e preu në mes koncerti i hapur, në shesh, natën e dytë, nga një Mario Calliari; mjaftoi një gotë verë për të gjykuar fuçinë – ky kishte sjellë në skenë një ansambël mercenar me violina dhe trumbeta dhe tuba, për të interpretuar diçka që tingëllonte si muzikë italiane imagjinuar nga badigardë të mafias ruse; ose një potpurri klishesh prej restoranti italian në Bronx, ku salcën e makaronave duhet ta hash me lugë.

Italo-kanadezi Calliari paskësh qenë produkt lokal dhe i dashur për publikun, që hidhej dhe kërcente me ritmet e tij pseudo; më pas lexova se ky e kish nisur karrierën si këngëtar i zhanrit thrash metal, çka i shpjegonte njëfarësoj energjinë në skenë. Nuk na shpëtoi, megjithatë, elementi ose më mirë përmasa etnike e këtij operacioni, më shumë komercial sesa muzikor.

Ndërkombëtare ishte edhe aventura, ndonjëherë e zgjatur deri në torturë, për të gjetur një restorant “të hajrit” në qytet – as shumë të shtrenjtë as shumë të lirë, as shumë të mbushur as shumë të zbrazët, as shumë larg qendrës as shumë afër… in medio stat virtus ka thënë i vjetri. Edhe këtu New York-u na kish përgatitur për parkun tematik të restoranteve kineze, meksikane, italiane, japoneze, indiane… të rreshtuara anës trotuareve njëlloj si fytyrat në rrugë.

Natën e tretë gjetëm një livadh për t’u ulur dhe pritëm, me guximin e atij që luan lotarinë, për shfaqjen e radhës: një Guy Bélanger, të cilit vetëm emrin ia deshifronim dot si vendës.

Na ndihmoi fati: Guy paskësh qenë virtuoz i muzikës së gojës (harmonikës) – instrument diabolik por gjithnjë sugjestiv. Me grupin e vet pikant si salmon i tymosur, i dhuroi publikut një udhëtim pastoral nëpër Amerikë, nga një americana në tjetrën, me theksin herë në blues herë në folk herë në country. Ndryshe nga pagliacciata e Calliari-t një natë më parë (të cilit duhej t’ia kishim marrë vesh falsitetin që te mënyra si e kish drejtshkruar mbiemrin e vet), muzika e Guy-së dhe miqve të vet ishte autentike dhe jopretencioze; por edhe këtu publikut iu shërbye një Amerikë e nxjerrë, ose më mirë e deduktuar nga western-ët e epokës së artë të kinemasë dhe nga kujtime udhëtimesh ose më mirë pelegrinazhesh të dikurshme në New Orleans. Vetëm Marc Knopfler-i mungonte për t’ia vënë vulën e dyllit shishes me efekte farfuritëse.

Kultura komerciale globale vërtet e trajton multi-etnicitetin si çështje aromash, nuancash ose erëzash; versione më tepër estetike të të njëjtit homo planetarius. Publiku është mësuar me këtë, madje është formuar si publik me këtë; artistët ndonjëherë janë të detyruar të binden. Lidhjet e shumta me çfarë ndodhte me artet europiane në shekujt XVII-XIX nuk duhen shpërfillur: edhe aty, përmasat italiane, spanjolle, ruse, turke, arabe, kineze përthyheshin si manierizma stili ose ndonjëherë deri edhe zhanre. Pak shembuj do të mjaftonin: koncertet “italiane” të Bach-ut, “rondoja alla turca” e Mozart-it, vallet e alternuara italiane, spanjolle, kineze, arabe te Arrëthyesja i Çajkovskit; ose Haïde-ja te Montécristo-ja i Dumas-it; ose Gjauri i Byron-it. Çfarë ka ndryshuar, është publiku, i cili i shoqëron tani këto aroma me praninë e vet shumëngjyrëshe.

Vetë Montréal-i metropol pluralitetin e vet nuk e përjeton gjithnjë në mënyrë muzikore; diversiteti anglo-francez ndonjëherë manifestohet si tension dhe dramë; dhe larmia multi-etnike ndonjëherë vlen edhe për të mbuluar plagët e konflikteve të brendshme. Ndoshta bash për këtë arsye ekranet plazmë në lokalet nuk lodheshin së transmetuari pamje pas pamjesh të vizitës që po ia bënte Québec-ut princi William me të shoqen Kate. Tek e fundit, Commonwealth-i është edhe ai një farë multi-etniciteti, por nga lart; në një kohë që festivali i jazz-it garanton të njëjtin efekt, vetëm se nga poshtë. Çështje kahesh.

Kujtonim se koncerti i Brahem-it do të shërbente mirë si emblemë edhe për këtë karakteristikë të festivalit; por pastaj pamë një familje tre-brezash bangladeshas-it, që i kërkuan një kalimtareje kineze t’u bënte fotografi, me në sfond një kishë gotike të Montréal-it; ethnic fusion i mirëfilltë, i transpozuar në kontekstin urban – përfshi këtu edhe vetë ne soditësit, shqiptarë nga New York-u.

Gjithsesi, muzika mund t’i kalojë kufijtë ndër-shtetërorë pa problem; ndryshe nga njerëzit dhe mollëzat e tyre të gishtave. Kontrollet kufitare, ndoshta për shkak të orës së natës dhe lodhjes, erdhën e morën trajtat e një shfaqjeje të teatrit absurd, ku e tërë salla (stalla) e pritjes mbante frymën dhe dëgjonte menaxherin e një banke në Sri Lanka t’i shpjegonte oficerit amerikan, me një anglishte që i kundërmonte curry, se si e kishte bërë në plan ta kalonte kohën në ShBA.

Mua kufitari më pyeti nëse më kish pëlqyer festivali; u ndodha bosh dhe i thashë se nuk më kish pëlqyer dhe aq. M’u kujtua Calliari dhe qasja e tij muzikore prej kaldajisti; m’u kujtua një restorant kinse meksikan në Rue Saint Dénis ku na servirën taco me mish kutie; m’u kujtua që dollari kanadez ishte vlerësuar shumë, në krahasim me herën e fundit që kisha qenë në Kanada; m’u kujtua edhe që, Qendra e Shkencës në Montréal po e reklamonte arkeologjinë duke përdorur emrin e Indiana Jones-it, anti-arkeologut antonomastik. Ashtu m’u duk vetja, por vetëm për një çast, sikur po ecja në litar; dhe se kontrolli poshtërues në kufi ishte e shtyra që kanosej të më rrëzonte. Vetëm për një çast.

Çka nuk do të na pengojë të kthehemi në Montréal, ndoshta që vitin tjetër. Jazz-i ofron kaq shumë, sa të rropatesh vetëm duke u munduar të zgjedhësh; poshtërimi abstrakt në kufi do interpretuar si pjesë e ritualit të përgjithshëm. Tek e fundit, karnevali është karneval edhe për këtë arsye.

Nuk ka komente

  1. Gjeta dhe i degjova albumin Astracan Café. Nje mrekulli. Kisha menduar se muzika arabo andaluze eshte martesa me e arrire e muzikes se dy kontinenteve. Natyrisht pa degjuar ende A. Brahem me oud-in (me shume buzuk se mandole) e tij, por edhe pa i shtuar instrumentet e akoliteve te tij (Thimar), me te cilet ajo merrte nje dimension tjeter..

    1. Meqë flasim për fusion të jazz-it tradicional me muzikën andaluze, ndoshta të intereson një album tani së fundi, Hands, bashkëpunim i Dave Holland me Pepe Habichuela.

  2. Ne me lejohet mund te postoj disa pasazhe nga nje leter e imja shkruar disa vite me pare qe flet rreth muzikes se Brahem-it dhe kryesisht rreth albumit te tij Le Pas Du Chat Noir (albumi me i mire sipas mendimit tim).

    …Nuk e di pse me pelqen pjesa qe po ju dergoj. Besoj se pervec te tjerave eshte nje lloj muzike qe nuk te perplaset ne fytyre, nuk te godet ne menyre qe ta kuptosh se ajo ekziston. Eshte shembulli i muzikes deri diku amorfe qe nuk dhunon. Ajo nuk vjen te ty por perkundrazi te le qe ti te shtosh dicka tek ajo.

    Psikologjia ka perdorur figura per teste projektive. Kjo lloj muzike me ka bere te mendoj se edhe muzika mund te perdoret per te njejten gje. Kjo nuk eshte muzika qe ESHTE dhe te imponon. Kjo eshte muzika qe BEHET dhe qe te fton ta besh dhe te behesh pjese e saj. Te ndryshosh dicka, te marresh ate qe do, e te lesh ate qe s’do…. dhe behet thjesht me tre vegla (oud, piano, firzamonike). Me pelqen ta mendoj si ai qilimi fluturues ne 1001 netet e perrallave muzikore qe per mua erdhi pikerisht atehere kur mendoja se perrallat kishin marre fund. Ne fakt qe krejt e kunderta, ato sapo kishin filluar… sepse kjo eshte muzika qe degjohet fillimisht vetem me veten dhe qe me pas rrjedh natyrshem te te tjeret

    …Jo se nuk ka eksperimentime te tjera ne kete fushe por mesa di asnje qe ka arritur te shkele te njejtat vise te muzikes nuk ka reflektuar nje ngrohtesi dhe nje natyrshmeri te tille interpretimi si Brahem-i. Ndoshta alkimia e tij tingullore thjesht ka arritur formulen e duhur duke nderkallur ngrohtesine e shkretetires me flladin mesdhetar dhe elegancen franceze dhe evropiane. Por besoj se pertej kesaj qendron qasja e tij teper njerezore ndaj muzikes, nje qasje kjo qe ai e ka persosur me kalimin e kohes…

    1. Shumë e qëlluar, kjo analizë. Neve që jemi mësuar me modalitetet e jazz-it perëndimor, na duhet ta bëjmë një përpjekje ekstra, për t’u hapur ndaj mënyrës si qaset muzikës Brahem-i. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me muzikën klasike arabe, e cila mbetet praktikisht e panjohur nga anët tona.

      Muzika klasike perëndimore edhe kur është hapur ndaj Orientit, e ka bërë këtë në mënyrë orientalizuese, duke paraqitur më shumë imazhin e vet ekzotik të Orientit, sesa duke u orvatur të komunikojë me të. Këtë e sheh jo vetëm në aspektet karnevaleske të operas europiane, por edhe në zhanre të tjera. Madje edhe rusët, që muzikën orientale e njihnin më mirë, i mëshojnë ngjyrës ose atmosferës: p.sh. Balakirev, Mussorgski dhe, më tepër se të tjerët, Rimski-Korsakov. Çajkovski, që estetikisht nuk i përket këtij grupi, edhe ai ia shkel syrit publikut, sa herë që i lejon vetes momente arabe ose turke (për të mos folur për kinezet); por këtë e kanë bërë, në Rusi dhe gjetiu, edhe me italianët e sidomos spanjollët, prandaj nuk duhet marrë vetëm si shprehje e orientalizmit.

      Tani, për t’u kthyer te Brahem-i, unë duhet ta pranoj se Thimar më ka prezantuar me të dhe mbetet albumi im i preferuar; ndoshta ngaqë, ndryshe nga albumet e tjera të Brahem-it, pjesët në Thimar kanë groove, të cilën ia siguron më tepër Holland, me figurat e veta në bass. Kompozimet e Brahem-it në albumet e tjera, të cilat ia kam të gjitha, nuk është se janë doemos valle – por gjithnjë e kanë një aspekt meditativ, si të ishin valle të mendimit. Më pëlqejnë, u kthehem, i shijoj – por Thimar më prek tela të tjerë.

      Këto vite, krahas me Brahem-in, kam zbuluar edhe një kompozitor barok, Sylvius Leopold Weiss, ndoshta më i madhi kompozitor dhe instrumentist i llautës (angl. lute). Naxos ka nxjerrë një seri të sonatave të tij për llautë (10 CD deri më tash) interpretuar nga Robert Barto, të cilat në shumë anë i afrohen muzikës së Bach-ut, për nga thellësia dhe nga efektet dhe nga krijueshmëria intelektuale. Llauta i ka disa ngjashmëri me oud-in; sidomos për nga qasja që ia bëjnë muzikës, ose filozofia e interpretimit; dhe këtu Brahem-i dhe Weiss i përkasin të njëjtit mendim artistik për mua.

      1. “…por këtë e kanë bërë, në Rusi dhe gjetiu, edhe me italianët e sidomos spanjollët, prandaj nuk duhet marrë vetëm si shprehje e orientalizmit.” _Xha Xhai

        E drejte.Mendoj se ka te beje me teper me konceptin e ekzotikes.

        Diskutimi se cili album i Brahem-it eshte me i mire ngelet gjithnje subjektiv por edhe i diktuar nga fakti se cilin album degjon te parin. Kjo eshte vecanti e artisteve qe karakterizohen nga e njejta estetike fund e krye ne te gjithe veprat e tyre. Mua me pelqen Le Pas Du Chat Noir per arsyen se ka nje natyre me teper reflektuese sesa shfaqese. Ne te duket sikur muzika deshiron te lihet ne “pune te vet”, sikur gati gati nuk do te shqetesohet. Dhe pikerisht ne kulmin e epokes se ekzibicionizmit, Brahem-i i dhuron botes nje grumbull intimitetesh. Eshte pikerisht kjo perqasje ndaj muzikes dhe artit qe e vleresoj vecanerisht tek ky album. Te them te drejten mua me duket se deri diku ka edhe nje thyerje me albumet e meparshme. Dy vite me pare, pas nje koncerti ne Berlin munda ta takoje Brahem-in dhe t’ia bej kete pyetje. Ne fakt e priti disi i habitur dhe me miresjellje sqaroi se ai nuk kishte perjetuar ndonje ndryshim stilistikor por e gjitha ishte rezultat i punes graduale. Me shume gjasa Brahem-i leviz natyrshem si nje rryme e avashte nga albumi ne albumi duke eksploruar gjithnje ngjyra te tjera muzike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin