– Mbresë leximi dhe dy letra të shkurtra me Artan Kafexhiun –
nga Visar Zhiti
Sjellja e librave është si e njerëzve, po mendoja, ndodh t’i kemi ndër duar jo kur duam ne, në kohë të pacaktuar, por shpesh kur duan ata. Vërtet ka një si mister, ku rastësia nuk është dhe aq rastësi…
Dhe ne bëjmë gabimin dhe vendosim në raft atë që do të duhej të lexonim dhe merremi me një tjetër, atë që s’duhej, se vjen një moshë, kur nuk lexon dot çdo gjë.…
Kur më erdhi libri me poezi “Pa moshë” i Artan Kafexhiut, kisha të tjera shqetësime, më duhej me doemos të bëja të tjera gjëra, por gjithsesi librin e prisja dhe s’kisha kohën e duhur per poezi, por e hapa menjëherë, pashë të parën: “Prej dritares së avionit”, – po, kjo do të më duhet, – thashë me vete:
Re e vetëm re… pezull të ngrira si në një zgavër… blu…
– Mos ështē gjoksi i njeriut? – dhe vazhdova leximin:
Një copë qiellore është… Me butësinë e tyre indiferente meditojnë prej lartësive…
– Retë apo gjysmë-perënditë, sundimtarët? – pyeta sërish veten.
– Se poezia, edhe pse ka preokupime të tjera sipërane, prapë merret dhe me to … – thashë prapë me një si qortim të papërcaktuar, mbase ndaj vetes.
Nē fund tē asaj poezie, fleta e librit kishte dhe pak vend tē bardhē dhe s’m’u durua pa shkruar me dorē aty, me stilolaps: peizazh universal i ndjesive nē njē dritare nē qiell… vazhdova shfletimin… dhe nxora celularin t’i shkruaja autorit në messenger, s’kisha adresë tjetër, ja, ashtu shpejt e shpejt:
I dashur Artan,
…kam lexuar poezi nga libri juaj, edhe duke qenë i shpërqendruar këto ditë si në prag të një udhëtimi të gjatë, kur të duket që nuk bëhesh dot gati, nisem për në Tiranë dhe ndiej se do të harroj patjetër diçka, por poezia juaj jepte një qetësi olimpike, me peizazhet plot mendim, ndërsa mendimi ka peizazhin e vet, ngjyrat, ato shëtitjet që të çojnë diku, më shumë tek vetja, ku gjen edhe Shkodër, edhe Tiranë, bregoqeanin amerikan… Ndërkaq poezia juaj shpalos kulturë, antike dhe biblike, legjendat kombëtare, një kujtesë poetike që ka krijuar një prajshmëri dhe heshtje meditative, që dëgjohet, etj, etj…
Me dëshirën që t’u rikthehem poezive, kur të kthehem…
Përzemërsisht…
Kështu e mbyllja atë pak tekst që i dërgoja. Dhe po mendoja se pikërisht poezia ndihmon udhëtimet duke qenë dhe vetë një udhëtim. Mbase i ngjan asaj dritares qiellore për të parë… botën? Nga lart? Jo, por pafundësinë tronditëse, për të kuptuar nga bota…
Poeti më përgjigjej me dashamirësi dhe më uronte udhëtim të mbarë, që unë e ndjeva dhe si një dëshirë “ndjellamirë” – epitet nga përgjigjja – për rrugëtimin tjetër, atë të leximit.
Nuk po shtoj rreshta më shumë nga letra e tij për të ruajtur privatësinë, por do të thosha se vetë poezitë shpesh janë përgjigje të heshtura, me gjendjet q;e na krijojnë.
Dhe më kaloi ca kohë, por dhe ca atdhe… takime me të shkuarën që bëhet dhe e ardhme… retrospektivë futuriste a ka si kujtimet nga e ardhmja? Dhimbje pa kohë e poezi pa moshë?…
Poezia e Artan Kafexhiut më vinte nga pas, e ndjeja si një ngulmim, por nuk përzjehej me të përditëshmen. E tillë është ajo, duket se rri larg, e përmbajtur, por bëhet shkak i një shtjellë të re brenda teje, pa zhurmë.
Kthimi im do të ishte dhe kthim te ai libër. Dhe do t’i shkruaja sẽrish autorit:
I dashur Artan,
kisha premtuar, juve a vetes, s’ka rëndësi, duhet të jetë e njëjta gjë, se do t’u kthehesha poezive tuaja. Është si kthimi i dallgëve të tyre në bregun e një shpirti gjithë rërë, ku s’kuptohen kufijtë ndarës. (Po i shkruaja në stilin e poezisë së tij, sipas meje.) Po lexoj më ngadalë e ato janë më të shpejta, dhe si imazhe pezull. Kanë lëvizje dhe në ndalesën e tyre, ndalin dhe në ikje…. ndoshta nga që janë poezi e brendësisë e pasqyruar në jashtësi, do të thoshte Lasgushi, por edhe dhe e ndërsjellta, – shtoj.
Keni duruar me atë që s’duron edhe aq: me poezinë, duke e sjellë “Pa moshë”, pa data e kohë, por:
– Të gjithkohëshme,
– Data: sot
– Dhe mosha: e atij që po i lexon…
Kjo ju bën të veçantë si pakkush… Faleminderit. Do vazhdoj leximin, ndoshta më ngadalë sa ç’duhet, por s’është në dorën time e gjithë.
Ditë të bukur ndanë një oqeani… poezish, ku mjaftohemi me stërkalat e turbullkaltra… të çastit.
Përzemërsisht.
Unë përsëri. Ç’ishte ky letër-këmbim kështu, serioz dhe i këndshëm me një që s’isha takuar ndonjëherë? Ai më përgjigjej po me atë përzemërsi, ndër të tjera shkruante: …një lexim i mirë i poezisë bëhet ‘al tuo agio’…
Pëlqimi yt, ngazëllimi yt, komoditeti yt. Siç duket, po mendoja, çdo autor, madje çdo libër kërkon mënyrën e vet të leximit. Desha ta shijoj ashtu siç shijohet ngadalë një verë e mirë. Të lexoja nga pak, herë pas here, duke ndërprerë një tjetẽr lexim.
Ditës kuptim doja me i dhanë, – nënvizova një varg.
…së bashku me shpresën
dielli do të çohet – nënvizova një tjetër.
…i lirë, përtej kufijve të realitetit.
Ndala në metafizikën e tyre. Isha i irrituar me kufijtë, me ata që i vinin… postoblloqe, tela me gjëmba, dogana, rregullore, edukatë… dhe me ata që mburreshin se i kishin thyer… kufij shtetesh? Po paragjykimesh? Të vetvetes? Dhe nga që s’kuptojnë thellësinë e mungesës së kufijve, keqkuptojnë dhe kufijtë, i përplasin ku nuk duhen…
Poezia e Artan Kafexhiut është një mirëkuptim i kujdesshëm, estetik. Dhe desha të shoh “përkufizimet” e librit, “Pa moshë”, kopertinën e tij, ilustrimet brenda. Ishin si vazhdime, punë të vetë autorit të poezive, skica që shoqëronin nëntitujt e nënndarjeve në cikle, gjë që më pëlqen. E verdhëllemta në ballinë nga cila poezi ishte marrë, ashtu van-gogiane sikur kishte vezullimet e agimit apo të perëndimit të një dite a jete a të dyja bashkë, kaq në harmoni me ndjesinë që përftoje. Dhe dy silueta të zeza, gjithë lirizëm, një burrë dhe një fëmijë që ikin, u shihnim shpinat, jo se na i kishin kthyer, por po iknin dhe nga pas linin gjurmët… epitetet, metaforat, – thashë.
Të jenë ati dhe biri? Apo dy miq, që s’duan t’ja dinë për moshën.
Dhe dua të kujtoj ç’tha im bir i vogël, kur pamë një tablo të madhe, një pikturë të mrekullueshme të një miku piktor, Valeri Tarasov, një urë si ëndërr, ku po ecnin dy vetë, një i rritur dhe një fëmijë… Eshtë i njëjti njeri, – foli im bir, – në kohë të ndryshme…
Jo vetëm unë, por edhe piktori shtangëm. Ajo ishte. Edhe pa e ditur… Ky është dhe arti, po thoshim, Ati dhe biri dhe shpirti… i poezisë. Aq fort drithëruese. E kisha përdorur dikur…
Dhe kështu po e shikoja të gjithë librin e Artan Kafexhiut, me këtë dyzim meditativ, ku gjeja pafajësinë dhe vëzhgimin shkencor, një bashkësi të dritës me hijen, qiell dhe tokë, trishtimgëzimin dhe heshtjerropamën, kujtim pa lamtumirë dhe të tashmen-vegim që ikën sikur s’ka qenë dhe është përgjithmonë… sërish me poezinë.
Është nji vetmi e madhe,
vetmia e madhështores.
Më kishte mbetur në mendje. Dhe doja të dija për poetin. Në kopertinën e pasme diçka paraqitej:
“Artan Kafexhiu, i lindur në Tiranë, jeton dhe punon prej gati tridhjetë vjetësh në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara. Krahas jetës profesionale si mësimdhënës i shkencave ekzakte, ai ka ruajtur dëshirën e hershme për leximet dhe shkrimet… pasioni i tij mbetet lëvrimi i poezisë…’
Atëbotë, nata e dita prekin
njana-tjetrën në një puthje.
Vërtet poezia e tij ka diçka nga saktësia, se ndjehem i mësuar me saktësinë e të pasaktës dhe me pasaktësinë e së saktës, Kafexhiu mbart nga ai fjalor dhe një ftohtësi sublime, tërheqëse, pa marramendth, një ngrirje të bukur si statujat në akull, me një lëvizje të brendshme, ngrohtësi të rrezikshme shkrirjeje. Po që gjej gjeopoezi, meteoropoezi, gjëndje kozmike me korrektesën e fjalës urbane, e qëmtuar, por dhe e rikrijuar… pa nënkuptime, por me imazhin që dëshiron të sjellë, të përrethshëm deri te oqeani a majëmali me erë, sikur s’ka të përditshme, me të cilën jemi mësuar, as kohë, e demokracisë, e diktaturës dhe tmerre kësisoj, as punë, ndërtime e shembje, ura, përveç ndonjë ylber apo tunel, përveç ndonjë dhimbje a ankthi të adresuar, ndërsa vendet janë si vagulli, por jo se nuk përçiket realiteti i fantazmët me të shkuarën dhe të tashmen vetanake të autorit, kohën dhe hapësirën e përgjithshme, koha është e dashurisë njerëzore dhe vendi trupi i njeriut, – po thosha me vete, – i shndërruar dhe në truall. Po shpirti? Re dhe qiell dhe horizont… pritjeje.
Se kurrën e kurrës
s’do të ndalësh së jetuari.
Përsëri gjej një vend të bardhë në fund të poezisë që lexova dhe shkruaj: koha ikën shpejt? Asgjë s’la viti si të ishte një minutë? Apo jemi ne që s’morëm dot asgjë prej tij? Duarzbrazur s’ditëm të kujtojmë apo s’mbajtëm asnjë kujtim, është e sëmurë lëkura e s’mban asnjë tatuazh. Ngjarje s’ka…
Jashtë andrre, sa pak njiheshim! – Një varg që më godet. Na duhet një ëndẽrr, – shtoj, – aty ku s’ka kufij dhe krenari jemi më të vërtetë, mbase edhe më të dashur. Po duhet kërkuar, jo përtej mjegullnajave, por dhe nëpër mjegull dhe humbje. Dhe në shplodhje:
Një stol në anë të rrugẽs
fsheh në heshtjen e vet
shumë ngjarje e njerëz.
Xheloz do tẽ bënte
edhe shkrimtarin e mirë.
Po unë që kam njohur po aq shumë dhe shkrimtarin e keq? Penguesin, xhelozin, atë që do të donte ta shkulte atë stol…
Dhe poezia më e bukur mund të jetë dhe tek ai që nuk e dinim poet.
Poezitë e librit “Pa moshë” janë shkruar ndër vite dhe të shpërndara andej-këndej, që autori vendosi t’i mbledhë në një botim modest, – lexoj në rreshtat e mëpastajmë në kopertinën e pasme.
Dhe nuk më duket si libër i parë dhe as i fundmë, pa fillim e mbarim dhe nëse do më duhet ta përcaktoj, ngjan me atë që kritikët quanin “poezia e pastër”, pra, e papërlyer me të keqen, as me të afërtën e konkreten, por me eteriken, atë të gjithmontë që mbase ka përbuzje për të përditshmen e zakonshme, për të mos thënë banale si në vargun: Bunkerët e kthyer në WC publike. Kaq dhe nuk thotë “në atdhe”, por ama duket sikur ngutet të ikë, po ku? – Në një shëtitje në Jones Beach, p.sh., ku klithjet e parreshtuna t’pulbardhave/ si t’jenë alarme zgjimesh apo më lart, te “retë, këto depresione ajrore, që përkohësinë e jetës t’kujtojnë.
Kështu ka zgjedhur të jetë poezia e Artan Kafexhiut, që më duket dhe si… muzika konkrete, me zhurmëtirën e objekteve, me onomatopenë e hapave, me ritmin e parregullt, por dhe më tej, të rrymave nënujore, oqeanike, por dhe më sipër, ato qiellore, njëlloj, të erërave, të përmbledhura pastaj, në metoniminë si të një radiografie të gjoksit njerëzor.
Durim poet, durim!
Qytetërimi pa shpirt,
njerẽzimi nën një barrë shkencë,
i shpërfytyruar, i zbehtë
në portën tënde do të kthehet.
Jo më kot libri ka nẽ vend të parathënies një koncept të Rainer Maria Rilke-s për poezinë, sigurisht të përkthyer me pak “gegnishte të ambël” si gjithë poezitë nga vetë autori i librit, që shpjegon shumëçka, ndërsa kreu i fundit apo cikli përmbyllës pẽrmban poezitë e autorit, të shkruara nẽ anglisht, nën titullin “Unfinished Journey”.
You’re always typing.
What is it, a daily journal?
Well, let’s see how long
You’ll ignore my presence.
Shoh që poezitë në anglisht nuk janë dhe në shqip në libër, pra ato nuk janë përkthime të poezisë së tij nga ai vetë, që ndoshta do të ishte gabim dyzimi. Artan Kafexhiu e nxjerr poezinë nga brenda vetes në gjuhën që ajo do…
Po a i ka të gjitha për çfarë u rreka të thosha, ato ndjesi e mendime? Më pak se aq apo më shumë? Në fund të fundit nuk do të desha të isha si ata kritikët me narcizizëm të tepruar që gati u duket hapur slogani i tyre: “lum ti që të lexova unë… ” apo “vuajtja jote është gëzim për ne…”, kur mund të kenë qenë me ata që i shkaktuan ato vuajtje, thjesht desha të them modestisht: mirë që të lexova dhe ty, edhe unë vuaj ashtu…
Ndoshta poezia më e mirë është ajo që t’i shkakton ato që nuk duket se i ka, se sa ajo që i duken dhe nuk t’i shkakton dhe brenda teje. Ndodh shpesh. Poezia është gjendja e poetit apo e lexuesit? Apo trashendencë e tyre…?
© 2024 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Ndoshta menyra e analizimit të poezise qe vlen eshte nepermjet poezise qe ajo të ngjall. Dhe leximet e poezive jane ky varg i gjate i reagimeve poetike të pashkeputura
Të falenderoj Visar për këtë shkrim, – vërtetë një surprizë kur e lexon; një bisedë mes vedit, poezive të mija, poetikës së mendimit dhe përqasjes krejt të veçantë. Falenderoj edhe Ardianin, për dashamirësinë, e gatishmërinë e treguar, për të botuar shkrimin në revistën e tij, Peizazhe të Fjalës.
Nje poezi me vete ky shkrim per poezine !