MUSINE KOKALARI – « SIKUR T’ISHNJA NJË LULE »

nga Ilir Yzeiri

Më 10 shkurt 1917 lindi në Adana të Turqisë, shkrimtarja, studiuesja dhe intelektualja e angazhuar Musine Kokalari. Vepra e saj letrare nuk është studiuar sa duhet dhe nuk njihet ashtu siç do të duhej. Në narrativën për të ka mbizotëruar, më së shumti, vetëm njëra anë – kundërshtimi që ajo i bëri vendosjes së diktaturës në Shqipëri dhe fotoja e saj në gjyqin politik të vitit 1946, e cila paraqitet si emblema e dhunës mbi fjalën e lirë, mbi kundërshtarët politikë dhe mbi arsyen. Ndërkaq, Musine Kokalari është femra e parë shqiptare që arriti të mbrojë një tezë doktorature në Itali. Është shkrimtarja ndër më të talentuarat e periudhës së pavarësisë dhe të luftës. Është antropologia që mblodhi, studioi dhe botoi traditën e këngëve, zakoneve dhe gjithçkaje tjetër që shënjonte jetën e shoqërisë së mbyllur primitive e patriarkale shqiptare. Në librat e saj « Siç më thoshte nënua plakë » (1939) apo « Sa u tund jeta » (1944), duke vizatuar fatin e femrës shqiptare që nga lindja e deri në martesë, ajo tregon me nota ironie, sarkazme dhe me koloritin e të folmes së qytetit të saj, Gjirokastrës, gjithë këtë festival zakonesh e kodesh që ishte sanksionuar në marrëdhëniet dhe në shkëmbimet mes familjeve shqiptare. Erdhi bashkë me familjen  e saj, si shumë të tjerë, nga Turqia dhe u vendos fillimisht në Gjirokastër e pastaj në Tiranë. Babai i saj ishte avokat i njohur. Në këtë mënyrë kishte ardhur edhe familja e një tjetri personalitet, përkthyesit, leksikografit dhe shkrimtarit Vedat Kokona. Pasi mbaron shkollën « Nana Mbretëreshë » niset për studime në Itali në universitetin « La Sapienza » për të studiuar letërsi e filozofi, duke u bërë e para femër që studion për letërsi në historinë e re të shqiptarëve. Përveç atyre që përmenda, ajo ka botuar edhe librin « Jeta ime universitare », një ditar i mrekullueshëm që tregon Romën dhe Italinë antike. Ky libër është botuar edhe në Itali. Siç e thashë, është e para femër që ka mbrojtur një disertacion në letërsi dhe teza e saj ishte për Naim Frashërin. Në kufijtë e këtij komenti është vështirë të tregosh përmasat e kësaj shkrimtareje. Unë kam zgjedhur një poezi të sajën që më duket se shënjon kredon e saj artistike. Për fat të keq, në atë poezi, ajo duket sikur ka parashkruar edhe fatin e saj tragjik. Poezia titullohet « T’isha një lule » (« Kolla e vdekjes » Vepra v. I, f. 94).

T’isha një lule…

Zbardhoi drita, lindi dielli; u bë ditë

dhe në shpirtin t’im ndjeva një gjë të re.

Ishte një pyetje që donte përgjigje.

 

Së mbrëndëshmi ndëgjova një zë që më pyeti “Ç’ësht jeta?”

Hap sytë për një cast,

vështroj rrotull dhe asgjë nuk gjej,

asnjeri nuk përgjigjet në vënd t’im.

 

Ulem dhe u përvishem librave,

kërkoj mendimin e atyre që kanë shkrojtur…

por edhe atje asgjë.

 

Pa shpresë largohem prej vëndit ku ndodhesha,

e pakënaqur hedh këmbët e mia;

rëndë rrëshqasin, diçka shkelin.

Një faqe libri të vjetër.

Ulem, e marr, e vështroj

dhe vetëm një fjalë këndoj,

moskënaqsia…

 

Mendimet më turbullojnë

dhe më së fundi m’u duk

se e gjeta të vërtetën,

se jeta ësht moskënaqësia.

 

E drejtë, e pagabuar.

Të gjithë thrresin sikur t’isha…

dhe unë gjithashtu.

Jam njeri, më krijoi natyra

duke më dhënë dhe tru.

 

Më vërviti në tokë,

më bëri më të lartë nga të gjithë shtazët dhe bimët,

me gjith atë nuk knaqem,

i kërkoj vehtes të jem kështu, të jem ashtu;

si kjo dhe si ajo dhe më së fundi e gjeta…

 

T’isha një lule-lule are, e vogël dhe me erë.

Të çelnja në prendverë

dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.

 

T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.

Të qëndroja e fshehur, e pa dukur

dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve.

 

Prej frike,

të larguar prej njerzis do t’më këputnin,

do të dhurohesha te njëri –tjetri

për shenjë kujtimi.

 

Do të ndëgjonia se ç’flitnin, fjalët e bukura

dhe plot shpresë.

 

Do t’më thurnin dhe mua

disa vargje të lehta

për hir të dashuris.

 

Një trëndafil i egër të mbinja

për mbi varrin e ndonjë të riut.

Të mirrnja pjesë në lotët

që do të derdhnin mbi atë tokë të ftohët.

 

Karafil i kuq të lulzoja

dhe me kujdes të vaditesha …

një ditë të vendosesha në jakën e palltos.

 

Do të shetitnja dhe unë rrugët e qytetit,

do të kuptonja jetën djaloshare

dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;…

që të dy qënkan të bukur do të thoshin.

 

Më së fundi le t’isha

së paku një lule e egër,

midis rrugës dhe gurëve,

pa kujdesin e të tjerëve.

 

Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,

burrë ase grua…e di, por s’ka gjë,

një lule isha dhe jo njeri….

 

Siç shihet poezia është ngritur e gjitha mbi metamorfozën. Metamorfoza në stilistikë është procesi i shndërrimit nga një gjendje në një tjetër ose nga një gjendje me shpirt në një tjetër jo me shpirt. Në poezinë romantike, por edhe në atë popullore kjo është një përftesë mjaft e përhapur. Të bëhem zog, të kem krahë apo si thotë Naimi « baltë le të bëhem të më shkelnjë këmb’ e saj ». E përdor edhe Kafka në veprën e tij të famshme « Metamorfoza » kur një mëngjes, personazhi i tij, Gregor Samsa, u gdhi i transformuar në një insekt. Mirëpo në këtë poezi frymëzimi apo nxitja e këtij transformimi është një përgjigje ndaj pyetjes se çfarë është jeta, përse jetojmë, përse vijmë e ikim në këtë botë. Dhe çfarë lëmë pas. E përfshirë në këtë atmosferë, Musine Kokalari zbulon këtu shpirtin e dëlirë të saj dhe instinktin për të qenë e dobishme për të tjerët dhe nga të gjitha sendet zgjedh lulen sepse, duke u transformuar në një lule, ajo don të jetë në shërbim të dashurisë. Jemi në fazën romantike dhe platonike të dashurisë, në atë fazë ku ndjenja realizohet përmes simbolit të lules që i dashur i dhuron të dashurës, përmes lules që në atë kohe vihej si një zbukurim në xhepin e sipërm të xhaketës apo palltos. Por Musine Kokalari shfaq edhe një anë tjetër : ajo nxit realizimin e aktit të dashurisë, erosin dhe zgjedh të jetë lule e egër që të jetë dëshmitare kur të dashuruarit puthen. Vini re, natyra është areali ku realizohet dashuria. Dhe në fund, sikur ta kishte parashikuar fatin e saj, ajo thotë se nuk ka gjë le të jem një lule dhe le të më shkelë këmba e njeriut. Për fat të keq atë e shkeli këmba e diktaturës. U arrestua në vitin 1946. Bëri mbi 20 vjet burg. Pasi doli nga burgu punoi si fshesare rrugësh në qytetin e Rrëshenit derisa vdiq e vetmuar në vitin 1983.

© 2024 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

2 Komente

  1. Nuk eshte fati tragjik I autores , i perfytyruar simbolikisht ne poezi, pra nuk eshte ky perkim fati qe percakton vlerat e poezise.
    Nuk ka asnje kredo aty. Poezia simbolizon ciklet e jetes, lulezimin ( vajzerine) si Koha e dashurise- Erosi; vjeshten( moshen e thyer) dhe fundi ciklit jetesor- vdekja ( te Isha lule mbi varrin e ushtarit) .
    Pjesa e pare eshte meditim mbi kuptimin e jetes. Ne nje faqe linbri autoria lexon se moskenaqsia eshte thelbi jetes.
    Pastaj thote:
    “Të gjithë thrresin sikur t’isha…”
    Ndoshta inspirimin e ka marre nga romani H. Stermillit ” Sikur te Isha djale”.
    Vjershe e zakonshme por biografia e autores si viktime e diktatures komuniste e sjell ne vemendje.
    Sikur te Isha une…do te shkruaja per ditarin e saj studentor- nje veper e mrekullueshme plot vezhgime, meditime dhe reflektime te nje studenteje te presuar mes dy boteve- botes kobservatore shqiptare dhe jetes libertine italiane nen glorian romane musoliniane.

  2. Poezi shumë e dobët, nuk ka pse të vecohet për analizë. Musineja është figurë e dashur por kjo nuk e bën poete. Do t’i kishin rënë në sy vargëzime të tilla juvenile autorit I. Yzeiri po të mos vinin prej Musinesë? Nuk besoj. Ka dicka shqetësuese te kjo tendencë për t’i analizuar artin “heronjve” të politikës e të historisë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin