RIKRIJIMI I MITIT MODERN NË POETIKËN E BAJRAM KOSUMIT

nga Alisa Velaj             

Rreth vëllimit me poezi “Fjalor i barbarëve”

Njeriu modern, në kërkim të njohjes së vetvetes, u rikthehet miteve të lashta dhe i shfrytëzon ato për krijimin e miteve moderne, ashtu si një maja që e bën brumin të vijë[1]. Ndërkohë, nuk janë të pakta rastet, kur miti modern, shërben si ngjizje për krijimin e miteve të tjera moderne. Kështu, miti kavafian i ardhjes së barbarëve,[2] merret vetëm si strukturë nga poeti Bajram Kosumi, ndërsa thelbi i mitit të rikrijuar, është kryekëput i ndryshëm. Miti i poetit grek gjakon t’i shohë barbarët si qenie përtej nesh, me plogështinë dhe jolirinë e qenies, të shkaktuara prej rrethanash krejtësisht të jashtme, ndërsa  miti i Kosumit, i gjen barbarët të jetësuar në mishin dhe gjakun tonë. Këta barbarë janë ende njerëz te Kavafisi (Po tani çdo të bëhet me ne pa barbarët? Ata njerëz ishin një lloj zgjidhjeje). Te poeti ynë, ata janë antinjerëzit, ose Antinjeriu, një paraqitje artistike e përkryer për zvetënimin, shpirtëror, ideor dhe moral[3] të kohëve moderne në atdheun tonë, dhe nëpër gjithë atdhetë e tjerë njëkohshëm.

Në ciklin e parë pas prologut, shpërfaqet nëndheshëm miti biblik i viçit të artë. Kuptimi për jetën merr tjetër perceptim. Përvijohet dis-harmonia, sikurse në Dhiatën e Vjetër, kur njerëzit fillojnë e adhurojnë të tjera perëndi, duke iu bindur papritur e papandehur jo fjalës së Zotit, por pasioneve pa fre, përfaqësuar në vargjet e këtij vëllimi nga simboli i mëzatit. Është e njëjta analogji, mes të zgjedhurit të të qenët tjetër në mitin biblik dhe pranimit të të qenët tjetër në poezinë “Ardhja e barbarëve”. Shpirti, jo vetëm që nuk është i shqetësuar, por natyrshëm ka filluar të kuptojë një gjuhë të re. Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia e dënon babëzinë e madhështisë, duke bërë që njerëzit të mos kuptohen mes tyre. Ata ndërtojnë Kullën e Babelit dhe ndëshkohen duke u larguar nga gjuha-mëmë, apo gjuha universale. Një lloj barbarie kjo, që merr të njëjtin dënim hyjnor në poetikën e B. Kosumit. Ne të dyja rastet, shpirti është i pashqetësuar, sepse ka mbërritur caqet e delirit, duke mohuar të mirën absolute. Me përdhosjen e mendjekthjelltësisë jemi në aktin e parë të zvetënimit.

Pushtimi i kujtesës fillon e ngjizet larg kuptimit të humbjeve, fitoreve dhe të panjohurave. Krejt cikli i parë i vëllimit poetik “Fjalor i barbarëve” pranëvë katër përmasa të vetëdijes së qenies. Së pari, vetëdijen në fazat e fundit të mundësisë për të kuptuar që ndodhet në zgrip të humnerës. Qenia ka parandier fatalitetin dhe s’ka më kthim mbrapa. Dëgjohet mes vargjesh, klithma e heshtur e heroit tragjik, për shkak të vetërënies në fatalitet. Ai çast kur kupton se po bie, por s’mund të ngrihet, për arsyen e thjeshtë se përndritja i vjen kur është në rënie e sipër dhe ardhmëria është veçse në dorën e magnetit humnerë. Pushtimi prej instinktit të kopesë, në rënien e lirë drejt humnerës është gjithëpërfshirës dhe nuk lejon shkëputje për asnjë të penduar. Vetëdija e parë pulson në poezi, si: Monolog, Pushimi, Çasti i vdekur, Një pikë shiu pranveror, Ejani brejtës të uritur, Kur takova jehun tim, Çasti i humbjes, Një çast etj. Parandjenja e kobit ndihet si fillim në një poezi jo dhe aq dramatike në pamje të parë. 

I frikësohem çastit të pushimit
Çastit kur do ta ndez cigaren
Do ta ngre gotën
Dhe do t’ia marr një barkaroleje
E t’i fus gishtërinjtë në flokët e vashës

I frikësohem çastit të pushimit
Më shumë se vdekjes vetë!

(
Pushimi)

 Në poezinë Kastruesit, procesi i barbarizmit të qenies përshkruhet me fjalët:“- Ngadalë, bir, o bir/ Të dhemb thellë po shpejt harron”. Këto vargje reflektojnë procesin e skalitjes së vetëdijes barbare, një tjetër përmasë që formësohet që në ciklin e parë të këtij vëllimi. Vetëdija e formatuar, pas humbjes së kujtesës primare, ose vetëdija e barbarizuar, shfaqet sërish në poezi në trajtë monologësh, si për të krijuar binomin shpirt në grahma – pashpirtshmëri. Pjesa e dytë e binomit pluskon në poezi të tilla, si: Kungulli, ah…, Barbarët më ftojnë në darkë, Sa shpejt e mësuam Barbarishten, Zbutësit e demonit,  Në gjumin e pasdrekes, Fat etj. Më pas, vijnë dy vetëdije të tjera që krijojnë binomin vetëdije e shenjtë – vetëdije demoniake. Secila vetëdije prezantohet në ciklin e parë prej narracioneve poetike, ku kumbojnë dhe bërtasin zërat e Perëndisë dhe të Demonëve. Zëri i Hyjit jehon në poezitë Toreador, Shpërfytyrimi, Zbraztësia, Baladë trimi, Koncept për një histori cinike, Humbja etj. Në jehonën ndjellakeqe të zërit të barbarëve hyjnë poezitë: Ardhja e barbarëve, Çdo ditë e lindim nga një barbar, Vdekja komike, Shkatërrimi i Atlantidës etj. Në zërin demoniak, gjejmë heroin lirik demoniak, zotat demoniakë dhe bëma heronjsh demoniakë, ndërsa dimensioni hyjnor mbart në ashtin e tij kundrimin, dashurinë dhe paralajmërimet për shtazërimin e qenies. Cikli i parë kryen zvetënimin shpirtëror, duke i hapur udhën zvetënimit ideor. Në një operacion më të kujdesshëm ndërtekstual, shohim se konceptin djall, Kosumi e ka përdorur deri diku në kuptimin faustian. Pra, “shpirti-djall” është simbol i kundërshtimit të një rendi të caktuar, i mospranimit të fakteve ashtu si janë, simbol i kundërshtimit të procesit të barbarizimit. Zoti, në shumë vende, është kujdestari i rendit ekzistues, të gjithë thirren tek Ai. Madje, madje, edhe barbarët kanë “zotat e tyre”.

Cikli i dytë Bibla barbare (Meskoha e Parë) fillon me një himn të dijetarëve barbarë në poezinë Nën hijen e veshtullave. Himni predikon vegjetimin, vdekjen e ngadaltë të idealeve dhe largimin nga udha, e vërteta dhe jeta. Pak më sipër, theksuam se një nga teknikat e poezisë së Kosumit, për të shpënë mesazhet universale te lexuesi, është çmitizimi i miteve biblike. Këto mite ruajnë të paprekur thelbin e tyre, në transmetimin e koncepteve të së mirës dhe të së keqes, duke përmbysur strukturën biblike, për të marrë një tjetër strukturë transformuese prej poetit. Procedimi i fundit kryhet në funksion të ironisë ndërtekstuale, e përkapur në këtë lloj poezie, vetëm nga një lexues tepër elitar. Ironia ndërtekstuale hamendëson një imantetizëm absolut, parashikon zbulime për ata që kanë humbur kuptimin e transhendencës”[4] Përcaktimi i Ekos për gjininë e prozës, mund të përdoret edhe për këtë lloj poezie, që për nga struktura solide, është një roman në vargje i metamorfozave shpërfytyruese të barbarisë. Cikli Bibla barbare përmban një përjashtim të thekur që në emërtim. Bibla na mëson se Perëndia është vetëm një dhe se Zoti është dashuri. Një nga urdhëresat e saj është që të mos i bësh kurrë tjetrit, atë që nuk do të doje të ta bënin ty. Bibla barbare pranon shume zotër dhe projekton dehumanizimin. Zbeh shpirtin pa pra dhe i ngre kult pashpirtshmërisë. Por, le ta shohim më konkretisht me anë shembujsh nga poezitë, se si krijohet e gjithë kjo antistrukturë përmes çmitizimit. Në këtë rrëfim poetik, koncepti Bibël është përdorur edhe në kuptimin e një tërësie rregullash e vlerash shpirtërore, mendore e praktike, të cilat i ndjek me përpikëri një shoqëri. Me një fjalë: rendi ekzistues. Ne kemi pasur biblën tonë, por me pushtimin barbar, ata kanë sjellë biblën e tyre. Kanë sjellë gjuhën, fjalët, mitet e tyre, letërsinë  dhe kulturën e tyre.[5]

Miti i përmbysur:                                                                                 

“Do ta presim lisin më të mirë/ Mos na thonë druvarë të këqinj.
Do ta therim demin më të mirë/ Mos na thonë kasapë të këqinj.
Do ta vrasim djalin më të mirë/ Mos na thonë gjakmarrës të këqinj.
Do ta vrasim në lule të ballit/ Mos na shahet pushka”. (Gjakmarrësit)

Vargje nga Shkrimet e Shenjta:

“Shumë të dashur, le të duam njëri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri”. (1 Gjonit 4. 7.8)

Cikli i parë përfundon me poezinë Humbja, cikli i dytë më poezinë Letër historisë. Të dyja poezitë lidhen ngushtë me njëra-tjetrën, si dy akte të së njëjtës dramë. Mesazhi i  dramës  gjendet në poezinë Fusnotë për barbarët, ku shfaqet vizioni se çka bëjnë ata në Tharkun e shpirtit tonë.[9] Përmasa kombëtare, del te Kosumi, jo në kontekstin e fajësimit të tjetrit, po në kuadrin e fajësimi të vetes. Historia është ajo që është dhe nëse shpesh nuk kemi forcë ta ndryshojmë, atëherë le të mundohemi të ndryshojmë atë çka mundemi në historinë tonë. Poezia e Kosumit nuk mbërrin si akuzë për barbarinë e të tjerëve ndaj nesh, por si një klithmë qiellgërvishtëse, për barbarët që dalin nga tharku i shpirtrave tanë. Si mund t’i gjykojmë veprimet e kurvëritë e historisë, kur ende nuk kemi shporrur prej shpirtit barbaritë tona? Kur je humbës me veten, si mund të dalësh fitimtar me tjetrin? Është pikërisht ky mesazhi më i fuqishëm që përcjell ky vëllim poetik. Ja disa nga vargjet ku pulson me forcë kjo filozofi: “Humbja nuk erdhi në Betejën e Kosovës/ Erdhi më pastaj/ Është kur barbarët dolën nga shpirti ynë/ Dhe përhapën fenë e tyre të shenjtë”.

Cikli i tretë Mbretëria e shenjtë barbare vjen pasi barbaria ka kryer zvetënimin ideor, shpirtëror dhe moral në ekzistencën e qenieve dhe jetëve të tyre. Poezitë e këtij cikli shprehin gjendjen shpirtërore të heroit të vërtetë, atij që nuk mund të thyhet nga asnjë lloj robërie dhe që liria është manifesti vërtetë i tij. Cikli poetik ngjiz trajtat e Prometeut që do të duhej të lindte herë pas here në zemrën e çdo kombi, në gjirin e cilitdo atdhe. Referentët kohorë dhe historikë, nuk duhet kurrsesi të shërbejnë, për t’i kategorizuar poezitë e këtij cikli, apo edhe ciklit të katërt Ikja nga barbarët, si poezi të mirëfillta atdhetare. Dy ciklet e fundit duhen interpretuar në të njëjtën suazë, ashtu si dhe në dy ciklet e para të vëllimit. Përgjigjen më të mirë për të kuptuarit dhe të interpretuarit e këtyre cikleve poetike, e jep vetë teksti poetik i Bajram Kosumit me poezinë Atdheu, që bën pjesë në ciklin e trete të vëllimit Fjalor i barbarëve.

“Njëqind vjet rrugë larg.
Gjithnjë e më tepër po mendoj
Për atdheun tjetër-
Atdheun e vetvetes”.

(c) 2016-2021 Alisa Velaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Valbona Avdullaj. Miti i Mesisë në një lexim të ri të poezisë “Shkëndija” të Migjenit. Haemus Revistë (bot. online)f. 85.

[2] I referohemi poezisë Duke pritur barbarët të poetit grek Kostantinos Kavafis. Në gjuhën shqipe gjendet e botuar në disa variante përkthimore.

[3] Pasthënie nga Ismail Syla në Fjalori i Barbarëve,  fq.159.

[4] Umberto Eko. Për letërsinë. Donika Omari. Dituria,Tiranë 2007. f.39.

[5] Një kulturë, ku Homerit i thuhet karagjoz!

[6] Kur dihet se këtë të drejtë e ka vetëm Krijonjësi, që këtu shpërfillet krejt.

[7] Gjumi si simbol i vdekjes.

[8] Perifrazohet vargu ndezje cigareje, vera, dashuria dhe muzika në poezinë “I frikësohem çastit të pushimit”.

[9] Le ta quajmë më marrëveshje poezi shpjeguese apo poezi ku del hapur zëri autorial.

Rreth Autorit

Alisa Velaj është poete dhe studiuese e letërsisë. Autore e tri përmbledhjeve me poezi: “Përanash Flakës”, “Tej kthellës së epërme” dhe “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, mban titullin shkencor “Doktore e Shkencave Filologjike”.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin