RECENSION PËR NJË LIBËR BOTUAR ME GAJTAN TË ZI

Dhori Stratobërdha Etimologji fatale, studim (botuar nën kujdesin e Kepler Hasanit)

E dini anekdotën e këndshme për Samuel Johnson-in, autor i Dictionary of the English Language, botuar në Londër më 1755? Me pesëdhjetë mijë fjalë, mund të quhet “i vogël” po të kemi parasysh monumentalitetin e sa e sa fjalorëve të tjerë të kësaj gjuhe aq të pasur, por edhe sot e gjithë ditën ai lexohet e shijohet për praninë e katërçiptë të asaj që anglezët quajnë wit, diçka mes mençurisë dhe humorit, tipike për mendjen e hollë të këtij autori. Shpjegimet e fjalëve janë shpesh ekscentrike, ndonëse lapidare: të afta të ta çelin fytyrën me një buzëqeshje. Ja, për shembull, përkufizimi për: Tërshërë: OATS. n.s. [aten, Saxon.] A grain, which in England is generally given to horses, but in Scotland supports the people. Anekdota rrëfen si, pas botimit të Fjalorit, i ftuar në një party të aristokracisë, zonja të shoqërisë së lartë e rrethuan Johnson-in dhe, me të qeshura të shkurtra e shami poshtë hundës, i thanë që ndiheshin të skandalizuara sesi në fjalorin e tij ai kishte futur edhe “fjalët e pista”. Vërejtje së cilës Dr. Johnson-i, me një qetësi olimpike, iu përgjigj: Oh, I see, you have been looking for them!

E pra, atë që bënë atëbotë zonjat e nderuara bëri edhe Dhori Stratobërdha, me fjalorët e ndryshëm (shtuar vu kësodore) etimologjikë të shqipes: kërkoi aty “fjalët e pista”. Arsyetimi ishte: këto fjalë shëmbëllejnë organet dhe veprimet më intime të qenies njerëzore, përdorimi i tyre psikikën më të thellë e të pashpallshme. Sa të rrimë e të vrasim mendjen për ndërveprimet e shqipes – e ashtuquajtura “gjuhë Perëndish” – në dhënie e marrje fjalësh të një universi qytetar, blegtoral apo ideal-abstrakt, mjaft të përqendrohemi në intimitet: aty po që çdo gjuhë është “e sinqertë”, e shpreh vetveten me mjete të brendshme e pa i lypur dorën kujt. Mirëpo kërkimet e tij të hollësishme zgafelleve të gjuhës nuk arritën në përfundime bash “të shkëlqyera”, duke pasur parasysh pritshmëritë. Ama, Dhori Stratobërdha ishte një intelektual i ndershëm – në këto kohë të vështira – përveç që një shkrimtar i talentuar dhe puna e tij e gjatë dhe e lodhshme, e latuar dhe e mirëpeshuar – ky libër pra – e pa më në fund dritën e botimit pavarësisht përfundimeve të nxjerra dhe fatit tragjik të autorit.

E nisëm këtë recension për veprën postume të studiuesit (dhe shkrimtarit) Stratobërdha me një notë të hareshme (mbështjellë me vellon e melankolisë), që ta jep anekdota, sepse i tillë ishte autori ynë: ironik, buzagaz. Mjerisht, një jetesë e vështirë dhe, ndoshta, zhgënjimi që pësoi tek mblidhte materialin dhe mbrunte librin e mbramë (mbetur i papërfunduar dhe plotësuar plot sqimë filologjike dhe dashuri birërore nga dishepulli i tij më i talentuar, z. Kepler Hasani) ia thelluan personalitetin bipolar, duke e çuar kah një fund aq i errët: vetëvrasje (pa dashje) me një plumb revolveri në organet gjenitale, në një orvatje të fundit autolezioniste për purifikim, që arteria femorale e gjendur aty pranë e shndërroi në rrugëtim fatal.

Pjesa e parë e librit merret me etimologjinë – në gjithë thellësinë e vet – të fjalës shqipe që i referohet “organit gjenital femëror” dhe rezultati është brilant: pothuajse krejt burimet pranojnë që kemi të bëjmë me një fjalë autoktone të shqipes, e lidhur me rrënjë të qëndrueshme indoeuropiane. Autori ynë, bile, me gjithë background-in e tij prej inxhinieri mekanik, orvatet të gjejë derivate të kësaj fjale shqipe në gjuhë të tjera indoeuropiane ku, sipas tij, spikat fjala angleze pith (pith), êm. palcë, thalb, thelb; (fig) bërthamë (MANN, E-AD, 282); që ka marrë, pra, në gjuhën e Albionit, një kuptim poetik/metaforik. Bile, meqë jemi në temë, aq e kulluar është terminologjia shqipe për këtë “organ” (shqiptarët paskëshin qenë vërtet feministë ante litteram, arsyeton autori), saqë edhe apelativët e saj metaforikë si, për shembull, fjala lemzë, është shqipe e pastër, e lidhur pa ndërdyshje nga të gjithë shkencëtarët me një rrënjë të largët indoeuropiane.

“Problemet” filluan me foljen që jep “aktin seksual”, e cila qenkësh, në rastin më të mirë, me prejardhje nga latinishtja coīre, pa përmendur etimologët që e japin me derivacion edhe më të vonë dhe nga gjuhë më armike, për të ardhur pastaj te çasti që vuri në krizë krejt ekzistencën e një personaliteti aq të qëruar si ai i Stratobërdhës: fjala shqipe që përdoret për “organin gjenital mashkullor”, e huazuar, as më shumë e as më pak, por nga gjuha rome! Dyshimet e para i filluan tek shfletonte “Studimet etimologjike” të Çabejt, i cili, njeri i një shekulli më parë, i rritur me edukatë dhe fisnikëri të pashoq, nuk merrej me të këtilla fjalë lapërdhare, por diku, mes rreshtash e si duke tundur kokën me pikëllim vetëm sa shkruan: “këto fjalë udhëtojnë shumë”. Të vërtetën tragjike e mësoi pastaj nga etimologët e rinj, vërtet të pacipë. U rrek me këmbëngulje të kapej në ndonjë vjegë, duke qëmtuar fjalë të gjuhës që i referoheshin këtij “organi” (që në sytë e autorit tonë po binte gjithnjë e më poshtë duke u bërë i palavdishëm) krejt periferike e dialektore, që vetëm nga librat mësoi ç’deshin të thonin vërtet, me shpresën, ama, të ishin burimore: çunë, kaçul, koç: hiç. Të gjitha të prejardhura nga fqinjët (përkatësisht nga italishtja, sllavishtja, bullgarishtja).

Bëri atëherë edhe një tjetër orvatje: duke pasur parasysh kënaqësinë që i pat dhënë (në të shkruar) kapitulli mbi “organin gjenital femëror” u rikthye në atë strofull të ngrohtë dhe analizoi fjalët shqipe për “prostitutë” (kurvë, horre, putërë, gjuvenkë…) të gjitha të huajtura, teksa për fjalën lavire tentohej shpjegimi tejet i spërdredhur e i çuditshëm i rrjedhjes nga folja: var, sikurse ishte kryer ca më lart orvatja e dëshpëruar e prejardhjes së fjalës loqe nga një formë e protoshqipes që lidhej me rrënjën latinishte leuk: e bardhë, por edhe shkëlqej; teksa dukej shumë më imediate lidhja me formën lokatši, nga gjuha e romëve (prapë ata!) të Bullgarisë! Ky ishte çasti kur shkatërrimi nervor i autorit u përshkallëzua fatalisht dhe një krismë revolveri i dha fund hulumtimeve. E përkujtojmë sot me nderim për dhuratën që na ka lënë: këtë libër që rrëfen si, tekefundit, gjuhët, ndonëse të ndryshme, janë prapë të kapura paqësisht për dore.

Një “recension” i marrë nga libri i fundit i autorit, Biblioteka futuriste, botuar në nëntor 2022 nga Pika pa sipërfaqe.

Kopertina: Photo by Pineapple Supply Co. on Unsplash

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin