DOGMA E LEKSIKUT TË KULLUAR

Ka një rritje të interesit – në nivelin folk-linguistik – për përpjesëtimin e “huazimeve” në leksikun e shqipes së sotme, në kontekstin edhe të akuzave ndaj etimologëve, si Çabej dhe Topalli, që kanë preferuar rregullisht t’i shpjegojnë fjalët shqipe si të ardhura nga gjuhë të tjera. Këto akuza nuk kanë bazë logjike, madje artikulohen në kontekstin e një ideologjie kombëtariste relativisht primitive, që themelohet mbi purizmin dhe hipotezat fanta-linguistike për historinë e gjuhës shqipe; por kjo nuk i ka penguar të përhapen falë edhe mbështetjes së papërgjegjshme nga mass mediat.

Ndodh rëndom që interesi i publikut për çështje të historisë së shqipes të jetë në përpjesëtim të zhdrejtë me aftësinë për të kuptuar mënyrën si evoluon gjuha në shekuj – dhe zakonisht janë personat me njohuri më të përcipta që reagojnë të indinjuar, kur mësojnë se disa historianë të gjuhës identifikojnë “një numër të madh huazimesh” në leksikun e shqipes. Për fat të keq, këta persona me njohuri të përcipta, ndonjëherë fanatikë, vijnë duke u shtuar, siç vjen duke u forcuar prania e tyre në forumet ku përpunohet opinioni publik – çfarë tërthorazi po ia dëmton prestigjin dhe reputacionin albanologjisë klasike dhe përfaqësuesve të saj.

Në thelb të zemëratës popullore qëndron bindja se shqipja duhet të jetë vetvetiu “e pastër”, dhe se huazimet – qoftë leksikore qoftë të llojeve të tjera – e korruptojnë gjuhën, si elemente të huaja. Mbi këtë bindje ngrihet edhe përpjekja për ta pastruar shqipen nga huazimet, të paktën nga ato që konsiderohen “të panevojshme”, e cila zakonisht prek nivelin leksikor (por jo atë kuptimor, paçka se ky është edhe më i prekur nga huazimi); dhe kjo përpjekje shihet si një mënyrë për t’ia restauruar gjuhës gjendjen e saj “të natyrshme”.

Por këtu ka një rrejshmëri (fallacy), sa kohë që çdo gjuhë, përfshi këtu edhe shqipen, nuk është veçse rezultat i ndryshimeve që kanë ndodhur atje në rrjedhë të kohës, përfshi edhe huazimet. Në kuptimin që vija që e bashkon shqipen e sotme me gjuhën fillestare (“mëmë”) të familjes indo-europiane mund të përfytyrohet si njëpasnjëshmëri ndryshimesh të gjithfarshme – në fonetikë, në gramatikë dhe në leksik. Madje janë pikërisht këto ndryshime, që sjellin diversitetin e gjuhëve, në kuptimin që gjuhët indo-europiane, teorikisht të rrjedhura nga një gjuhë e vetme, sot janë me dhjetëra.

Në qoftë se konstatojmë se shqipja dhe anglishtja sot janë mjaft të ndryshme mes tyre, edhe pse i përkasin të dyja familjes indo-europiane, dhe në qoftë se e pranojmë vetë hipotezën indo-europiane të prejardhjes së shqipes, atëherë do të na duhet të pranojmë edhe se shqipja është bërë shqipe nëpërmjet ndryshimeve, njëlloj siç është bërë anglishtja anglishte nëpërmjet ndryshimeve.

Shkaqet e ndryshimit në gjuhë janë komplekse dhe të papërcaktuara mirë – por në përgjithësi gjuhëtarët flasin për shkaqe të brendshme (p.sh. dobësimi i një zanoreje të patheksuar ose analogjia) dhe për shkaqe të jashtme (p.sh. huazimi). Dhe kohët e fundit, historianët e gjuhës po u japin gjithnjë e më shumë vëmendje metodave dhe përfundimeve të çfarë njihet si contact linguistics (“gjuhësi e kontaktit”), sipas të cilave një pjesë e përfillshme e ndryshimeve në gjuhë u detyrohen kontakteve të folësve të një gjuhe, me folës gjuhësh të tjera. Gjatë kontakteve të tilla – ku gjithnjë synohet optimizimi i komunikimit – ndodh që elemente të njërës prej gjuhëve të replikohen prej folësve të gjuhës tjetër, mu për shkak të nevojës për optimizim. Dhe shembull klasik i këtij efekti të kontaktit është huazimi leksikor.

Por, në qoftë se shqipja është bërë shqipe falë mënyrës si ka ndryshuar (ose si ka inovuar) në shekuj, duke u diferencuar prej gjuhëve të tjera indo-europiane, atëherë një nga proceset themelore, që kanë përftuar këtë identitet prej gjuhe të mëvetësishme, i detyrohet kontaktit të shqipes me gjuhë të tjera, që nga lashtësia e kryehershme deri më sot – kontakt gjatë të cilit shqipja ka huazuar, nëpërmjet replikimit, kopjimit a imitimit, gjithfarë elementesh fonetike, gramatikore, leksikore dhe kuptimore nga gjuhë të tjera (sikurse u ka “dhënë” atyre elemente të vetat).

Kësisoj huazimi nuk është aksident, as efekt i inferioritetit ose i shpërbërjes sociale ose i krizës, por dukuri e natyrshme dhe njëkohësisht nga motorët kryesorë të inovimit gjuhësor, i cili edhe është në bazë të identitetit të çdo gjuhe, pa bërë përjashtim shqipja.

Si lëvizje kulturore, me implikime të rëndësishme në gjuhë, purizmi ka gjithnjë natyrë eksperimentale dhe revolucionare, sepse kërkon të instaurojë, në gjuhë, një lloj pastërtie që gjuha vetë nuk e ka pasur kurrë. Politikat puriste, sidomos në lëmin leksikor të zëvendësimit të fjalëve “të huaja” me fjalë “vendëse” (të mbledhura në popull ose të sajuara si neologjizma) çojnë gjithnjë në krijimin e gjuhëve artificiale, që janë më larg se kurrë gjuhës “ideale” që synojnë puristët.

Të gjitha strukturat e gjuhës, por veçanërisht leksiku, bartin me vete gjurmët e historisë së saj; dhe siç e thamë tashmë, kontaktet e folësve të shqipes me folës gjuhësh të tjera, pavarësisht nga rrethanat kur kanë ndodhur, janë faktor themelor i ndryshimit gjuhësor dhe, në analizë të fundit, i identitetit gjuhësor të shqipes. Veçanërisht metodat e contact linguistics, duke marrë këtu parasysh edhe konceptin aq të rëndësishëm të lidhjes gjuhësore (Sprachbund), i cili – ironikisht – është përpunuar në kontekstin e gjuhësisë ballkanike, dëshmojnë se shkëmbimet gjuhësore të folësve që duan të komunikojnë mes tyre, sepse jetojnë në afërsi ose së bashku, janë një nga shkaqet kryesore pse gjuhët ndryshojnë në rrjedhë të kohës.[1]

Prania e huazimeve të larmishme në leksikun e shqipes dëshmon, mes të tjerash, që folësit e kësaj gjuhe kanë qenë në kontakt intensiv me folësit e gjuhëve të tjera, madje ndonjëherë kanë bashkëjetuar me ta, duke shkëmbyer jo vetëm fjalë dhe mallra dhe këngë dhe plagë lufte, por edhe nuse (ekzogamia vjen këtu në vështrim si vektor i ndryshimit). Disa nga këto huazime, edhe pse regjistrohen nga historianët e gjuhës dhe etimologët, dalin nga përdorimi sepse nuk vlejnë më – siç ka ndodhur me një numër të madh termash administrativë (por jo vetëm) nga turqishtja osmane. Por ndikimi i një gjuhe tjetër, nëpërmjet kontaktit, vështirë se mund të shlyhet nëpërmjet operacioneve të pastrimit të planëzuar, sepse këto operacione nuk restaurojnë asgjë.

Vetë purizmi si një lloj ideologjie i ka rrënjët në periudhën romantike të gjuhësisë historike-krahasuese, e cila periudhë përkoi me lëvizjet kombëtariste anembanë Europës; kur elementi i huaj në gjuhë u pa si “korruptues” dhe krijimi i “gjuhëve kombëtare” u synua edhe nëpërmjet pastrimit. Mllefi i sotëm kundër albanologëve si Çabej dhe Topalli, që paskan lejuar e nxitur në mos sajuar identifikimin e huazimeve të shumta në leksikun e shqipes është edhe ai produkt i një përfytyrimi arkaik, madje shqetësueshëm racist për gjuhën shqipe dhe popullin që e flet atë (dhe ashtu edhe përftohet) – historia ka treguar se shumë pak e ndan purizmin linguistik nga përpjekjet për pastrim të racës, nëpëmjet edhe denigrimit dhe pastaj përndjekjes së “të huajve”. Indiferenca e publikut ndaj këtij racizmi, sado primitiv (apo aq më keq, i padëmshëm) që të duket ky, është dëshmi e mangësive të mëdha që kemi në emancipim, dhe e hendekut që ende na ndan nga ajo shoqëri e hapur, pluraliste dhe demokratike që synojmë të jemi.

Kopertina: Photo by Jacopo Maia on Unsplash

(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Mutatis mutandis, kjo do të vlente edhe për lindjen dhe evoluimin e dialekteve dhe të folmeve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin