ZOTI G.

nga Alban Dano

Zoti G. është një burrë i virtyteve të shumta. Ai beson në shikimin e punëve të tij dhe dorështrëngim. Sipas tij, këto janë cilësitë që e bëjnë një burrë modern, një burrë të vërtetë. Këtë filozofi Zoti G. e zbaton me përpikmëri në çdo fushë të jetës së tij. Nëse dikush i kërkon para borxh, ai e dërgon pa një pa dy në bankë. Nëse shikon lypës në rrugë, ai nxiton hapin me sytë e ngulur në tokë, duke lënë duart e tyre të zgjatura në kërkim të lëmoshës, boshe siç duhet të jenë. Nëse në punë këshilltarët mundohen ta bindin që të hedhë më shumë para për ndërtimin e rrugës, të cilën firma e tij ka marrë përsipër, ai harxhon shumë kohë që t’i bindë për të kundërtën. “E çfarë duan në fund të fundit këta njerëz?”, mendon vazhdimisht Zoti G. Paratë e tij ai i ka fituar me djersën e ballit, kështu që pse duhet t’i falë ato. Çdokush duhet të shohë punën e tij. Njeriu i vetëm lind dhe i vetëm do vdesë, ose të paktën kështu kishte dëgjuar dikë të rëndësishëm të fliste dikur. Megjithatë, sado të vetëm ta besojë veten, Zoti G. nuk është i tillë. Në fakt, ai ka një grua që e do shumë dhe dy djem për të cilët do të jepte vërtet gjithçka. Sigurisht që i vrenjtet fytyra kur fëmijët i kërkojnë para dhe në shumicën e rasteve mundohet t’u flasë me arsye nëse vërtet i duan për diçka të rëndësishme. Prapëseprapë, si fëmijë që janë, arsyeja u gjendet larg dhe me anë të lutjes fëmijërore ia bëjnë të vështirë Zotit G. të thotë jo. Kështu që ai shkon, me hapin e tij të rëndë e të ngadaltë, ndonjëherë edhe me buzëqeshje, drejt vendit ku i ka fshehur. Megjithëse burrë modern, Zoti G. mbështetet në mënyrat tradicionale të ruajtjes së parasë. Shumëkush do të hamendësonte se ai i fsheh poshtë dyshekut, siç ndodh rëndom me shqiptarët të mbetur në kohë, por në të vërtetë vendi i tij i fshehtë ndodhet në bibliotekën vetjake, midis faqeve të librave që nuk shfletohen kurrë, përveçse për të bërë këmbimin e radhës. Për banka nuk bëhet fjalë. Janë shumë pak të besueshme dhe mjafton një grabitje ose falimentim që t’i humbasë paratë. Sigurisht që mund të argumentohet se depozitimi të jep mundësinë e fitimit të parave në formën e interesit, mirëpo kjo do të binte ndesh me besimin e Zotit G. se paratë mund të fitohen vetëm me punë. Për më tepër, paratë që ndodhen në bankë nuk mund të merren kur të duash. Kjo është e rëndësishme sepse pasditet që Zoti G. i kalon duke soditur paratë e fshehura, janë një nga pjesët më të bukura të ditës së tij. Nuk mbahet mend se sa herë e kanë këshilluar e i janë lutur që mos t’i mbajë paratë më kot në shtëpi, bashkëshortja më shumë nga të gjithë. Ajo është një grua shtëpiake sa e arsyeshme aq edhe rastare[1], me pak fjalë, një nikoqire e vërtetë. Ishte pikërisht ajo që e shtyu Zotin G. drejt biznesit të ndërtimit të rrugëve. Kishte dëgjuar që bëheshin para të mëdha dhe tamam-tamam nuk e kishte gabim. Çdo fundjavë Zonja G. provon fatin me lotari. Megjithëse ka disa vite që e bën, përveç biletave falas të rastit, nuk ka mundur të fitojë dot as edhe një qindarkë. Mbi këtë Zoti G. e qorton vazhdimisht, por, afërmendsh, më kot. Natyra e saj e bën të pamundur mospërfilljen ndaj mundësisë së fitimit të parave lehtë. Kjo është pikërisht ndarja në mendësinë e Zotit G. me Zonjën G. Megjithëkëtë, Familja G. qëndron e bashkuar dhe ka mundur të bëjë mjaft para gjatë jetëgjatësisë së saj. Jo aq sa për t’u quajtur të pasur, sigurisht, por mjaftueshëm. Ëndrra e kryefamiljarëve është që t’u sigurojnë fëmijëve të ardhmen si dhe mungesën e asnjë gjëje; diçka që, sipas tyre, ende kanë për ta arritur. Për këtë qëllim Zoti G. punon me zell, gati përditë, ndoshta duke anashkaluar detyrat prej prindi më shumë herë nga sa do të donte. Paçka kësaj moskujdesjeje, duhet pranuar se Zoti G. ka shumë përgjegjësi mbi kryet e veta në punën e tij. Ai është një person që i pëlqen të merret vetë me të gjitha. Është ai që kërkon projekte të reja; është ai që i prezanton; është ai që i miraton; është ai që punëson punëtorët; është ai që tregton për materialet. Është bërë kaq i zoti në këtë punë, sa nuk ka nevojë për njerëz të tjerë, megjithëse i ka të punësuar për të bërë, siç i quan ai, gjërat teknike. Krejt i vetëm gjithashtu, ai punon në sa më shumë projekte që të jetë e mundur njëkohësisht. Numri i këtyre, kohët e fundit, nuk ka qenë kurrë më i vogël se katër. Kjo sepse vendi ka hyrë në një epokë ndërtimi rrugësh të padëshmuar më parë. Autostrada, superstrada, rrugë të mëdha, rrugë të vogla, rrugë rrugicash; çfarëdo që të jetë, duhet ndërtuar. Për shkak të një vëllimi të tillë, konkurrencë nuk ka; përkundrazi, firmat ndajnë rrugë të caktuara ndërmjet tyre, për t’i punuar së bashku pjesë-pjesë. E vetmja gjë për të pyetur në këtë mes, është se ku janë gjetur paratë për të bërë gjithë këto rrugë, për një vend që rrugë më përpara nuk ka pasur, mirëpo njerëzve aq u bën. Për gjithë këtë situatë Zoti G. ndihet shumë me fat. Megjithatë, aq me fat sa u ndje kur mundi të siguronte ndërtimin e rrugës që të çonte në liqenet e Lurës, nuk ishte ndjerë asnjëherë, sidomos po të marrësh parasysh se nuk i duhej ta ndante me kënd tjetër. Për të, ishte projekti i pestë njëherazi. Për qeverinë, ishte ndoshta projekti më i rëndësishëm dhe për këtë arsye ishin të gatshëm të paguanin një mal me para. Një rrugë që lidhte ato liqene me pjesën tjetër të vendit, do të nxirrte të ardhura të jashtëzakonshme nga turizmi për një vend të vogël. Ishte një vend turistik i tillë saqë, megjithëse pa rrugë, vizituesit ishin të numërt dhe, kur ata ktheheshin, ia këshillonin kujtdo kalimin e pushimeve atje, madje duke shtuar se rruga e vështirë nuk duhet të ishte aspak pengesë, për shkak se ajo që do të gjenin atje ishte më se e vlefshme për të duruar një vështirësi të tillë. Sigurisht që shumica e njerëzve nuk e merrnin mundimin, e aq më pak të huajt. Për këtë arsye, ndërtimi i një rruge ishte i domosdoshëm dhe qe kuvenduar me vite me radhë për rëndësinë e saj. Tashmë shpresa ishte që kjo rrugë të mund më në fund t’i jepte atyre liqeneve numrin e turistëve që meritonin. Ata do të mund tanimë të shijonin natyrën e paprekur; të shikonin zambakët e çelur mbi sipërfaqen e liqeneve; të thithnin ajrin e pastër të zonës malore; të kalonin një natë brenda Hotel Turizmi-t, pas një dite të gjatë gjuetie; të dashuronin, ndoshta, nën hijen e pemëve. Misticizmi i virgjërisë së vet e bënte atë një vend ku dashuri të reja mund të lindnin, e të vjetra lulëzonin. Por ndryshe nga  bukuritë e Lurës, mënyra se si Zoti G. siguroi ndërtimin e rrugës nuk ishte edhe aq për t’u lavdëruar. Afërmendsh nuk ishte i vetmi që kishte kandiduar, por plot shtatëmbëdhjetë firma të ndryshme nga Shqipëria dhe jo vetëm. Secila kishte mënyrat e veta, me teknologjinë, sasinë e punëtorëve, buxhetin dhe përvojat e mëparshme, të cilat iu prezantuan përfaqësuesve të qeverisë për t’i bindur mbi përshtatshmërinë e projektit të tyre. Pika e fortë e Zotit G. ishte se nuk kërkonte një shpenzim tepër të madh dhe kjo e ndihmoi që të ishte një prej tre finalistëve, prej të cilëve do të zgjidhej ndërtuesi i rrugës. Kjo, si dhe fakti që, fatmirësisht, njihte kryetarin e zgjedhësve të projektit fitues. Ai ishte një shok i vjetër fakulteti i një kohe sa të kaluar, aq edhe të ngulitur në mendjen e tyre. Kur u takuan pas prezantimit jashtë në korridor, kujtuan rininë e tyre dhe mallëngjyen mbi atë epokë që u kishte dhënë kaq të mira, por që nuk ishte më. Gjatë bisedës, Zotit G. iu parashtrua me shaka dhe me shkelje syri bindja se projekti i tij ishte më i miri dhe se padyshim do të ishte fitues. Aq iu desh që dy ditë më vonë t’i dërgonte një pako me postë shokut të tij të vjetër. Ishte një zarf që mbante brenda një premtim për një përqindje të papërfillshme të projektit ndërtues, por që mjaftoi ta bindte mbi përsosmërinë e firmës së Zotit G. për këtë rrugë. Fitorja ishte minimale me kryetarin që kishte mjaftueshëm ndikim për t’i zhvendosur votat e nevojshme në drejtimin e duhur. Në ketë mënyrë Zoti G. mori përsipër ndërtimin e rrugës së Lurës. Për të nuk ishte sigurisht hera e parë dhe s’do të ishte as e fundit. Madje, po për këtë rrugë, iu desh të bënte diçka tjetër të pahijshme. Megjithë mundin që u derdh gjatë ndërtimit, fondet e parashikuara dolën të pamjaftueshme për përfundimin e plotë të tij. Zoti G. u detyrua të mbështetej në aftësitë e tij shtrënguese për ta çuar deri në fund projektin e nisur. Si pasojë e kësaj, disa gjëra të vogla u deshën të liheshin pas dore. Ndonjë pjesë e shkurtër rruge e lënë me një korsi, gjoja ende në ndërtim; përdorimi i karburantit më të lirë të mundshëm për makineritë punuese; përzierja e sa më pak zifti me gurët natyror për shtrirjen e asfaltit; si dhe mosvendosja e disa tabelave të gjykuara jo dhe aq të rëndësishme; ishin disa nga shtigjet që talenti i tij i mundësoi për përfundimin e punës. Normalisht që nuk kishte asnjë mundësi që t’ia hidhte paq, po të mos njihte dikë tjetër në drejtorinë e inspektimit të rrugëve. Edhe kësaj here, e vetmja gjë që i duhej të bënte ishte shkuarja në zyrën e tij, shtrëngimi i duarve, hedhja e ndonjë fjalie me dy kuptime, si dhe lënia e një zarfi mbi tavolinë, i cili menjëherë u mor dhe u fut në sirtarin me çelës aty pari. Brenda javës u firmos deklarata që tregonte përshtatshmërinë dhe cilësinë e kënaqshme të rrugës së përfunduar. Me pothuajse çdo gjë në rregull, Zoti G. dha pëlqimin e tij për shpalljen e përfundimit të punimeve. Pavarësisht pjesëve ende në ndërtim, ishte zakon që rrugët të hapeshin pa qenë krejtësisht të mbaruara, për shkak të kërkesës së madhe për përdorim. Vetë shteti kësaj here kërkonte që rruga të ishte gati përpara fillimit të sezonit turistik, kështu që nuk u bë shumë zhurmë që disa gjëra nuk ishin plotësisht sipas planit. Me prerjen e shiritit të përurimit, projekti mund më në fund të quhej një sukses. Makinat e para morën udhën për në Lurë, kurse Zoti G. u lumturua kur tërhoqi një pjesë të mirë të parave nga banka ku ishin hedhur, për t’i vendosur më vonë në disa nga librat e tij të parapëlqyer në shtëpi.

***

Zoti G. u zgjua atë mëngjes të premteje duke menduar për paratë e tij dhe çfarë do të bënte me to. Gjëja e parë që i shkoi ndërmend ishte t’i kthente në më shumë para. Se si do ta bënte këtë ende nuk e kishte gjetur, kështu që shkoi në punë duke bluar mënyrat dhe vendet e ndryshme ku mund t’i investonte ato para. E parkoi makinën familjare në vendin e ruajtur posaçërisht për të dhe iu ngjit shkallëve të ndërtesës ku kishte vendosur zyrën në katin e dytë. Ndërtesa ishte e vjetër, vetëm disakatëshe dhe, ashtu si mendësia e Zotit G., ishte përkujtimore e një kohe të kaluar. Hapi derën me çelës, kaloi korridorin e ngushtë dhe u fut në zyrën e tij që ndodhej në një kthinë të veçantë. I ulur në tryezë, Zoti G. shfletoi humbshëm disa shkresa pune, pa i parë vërtet ato. Kaloi disa minuta në atë gjendje përsiatjeje, derisa u hap dera pas nja dy trokitjeve të lehta. Ishte inxhinieri i zyrës që, me sa duket, po priste çastin e ardhjes së Zotit G.. U ul në një karrige përballë tavolinës dhe e nisi bisedën duke ngacmuar bashkëfolësin për vonesën e pazakontë. Zoti G. nuk i kishte qejf ngacmimet, ndonëse përballë kishte dikë që e mbante për të barabartë, kështu që ia preu shkurt dhe inxhinieri u fut në çështje. Me përfundimin e shumëpritur të rrugës ishte e pashmangshme që nga kureshtja t’i drejtohej një pyetje rreth llogarive të fundit. Inxhinieri kishte shumë ëndje të dëgjonte për shpërblimet që Zoti G. po mendonte të jepte, sepse kishte menduar të çonte familjen për pushime së shpejti. Sigurisht që jashtë vendit dhe për këtë arsye kishte nevojë për para shtesë. Zoti G. e kuptonte nevojën e vartësve të tij në këtë periudhë të vitit dhe kishte menduar për diçka të tillë. Madje, kur inxhinieri filloi të përshkruante planet e tij verore me familjen, e kapi papritur një mallëngjim i çuditshëm. Kishte katër vjet që nuk merrte pushime. Çdo ditë për të, duke përjashtuar ndonjë rast të veçantë ku ishte i ftuar, ishte e njëjtë: shtëpi, punë, shtëpi. Edhe të dielave Zoti G. nuk mund të mos rrinte pa shkuar në zyrë për nja dy orë. Kur vinte koha e verës, atëherë kur të gjithë mendojnë cilat vende të reja të shikojnë, ai thjesht dërgonte gruan me fëmijët në ndonjë plazh, mundësisht ku ndodheshin edhe të afërm, kurse vetë vazhdonte punën si përherë. Për Zotin G. pushim ishte vetëm një ditë e vitit: dita e parë e saj. Prej fjalimit të inxhinierit, ai nuk mund të mos ndjente një lakmi shpirtërore kur i përshkruhej lidhja dhe kënaqësia që shpresohej të përjetohej me fëmijët në një vend jashtë të zakonshmes. Përfytyronte gëzimin e djemve dhe e shikonte si të vetin. Kuptonte se lumturia e tij varej nga lumturia e të tjerëve dhe se nuk kishte kuptim të mos ndodhej aty ta përjetonte atë lumturi. I përveshur siç ishte në synimet e veta, Zoti G. kishte harruar njerëzit për të cilët jetonte. Kishte harruar të shijonte të qeshurat e tyre pa shqetësime, kishte harruar të kundronte fytyrat e tyre gjatë gjumit, kishte harruar ndjesinë e përkëdheljes së kokave të tyre. Me të mbaruar fjalimin e tij, inxhinieri doli nga zyra duke lënë Zotin G. në mendime të thella. Tashmë koka e tij nuk mbushej më me llogari numrash e parash, por me ndjenja malli e dashurie. Kishte dëshirë të merrte gruan me fëmijët dhe të nisej pa një vendmbërritje të veçantë, thjesht të ishte me ta në një rrugë pa mbarim. I kapur nga kjo dëshirë e çiltër, Zoti G. parashikoi të gjitha përgatitjet përpara se të ndërmerrte udhëtimin. Në fund të ditës bëri të ditur vendimin dhe la për vartësit e tij udhëzimet e nevojshme, ndau përgjegjësitë, si dhe njoftoi financierin për shpërblimet që duhej të kryheshin për të gjithë punonjësit. Menjëherë pas këtyre, mori makinën duke u drejtuar për në shtëpi. Atje fëmijët po luanin me mënyrën e parapëlqyer të moshës, kurse Zonja G. ishte duke larë enët. Zoti G. dha përshëndetjen e tij të zakonshme në një përpjekje të përkohshme të ruajtjes së përditshmërisë, përpara se t’i zbulonte gruas planin e tij të papritur. Pasi mundi të thithë të gjithë lajmin, me një lumturi të dukshme në fytyrë, ajo la menjëherë punët përgjysmë dhe u turr drejt dhomës të përgatiste të nevojshmet e udhëtimit. E lanë të niseshin të nesërmen në mëngjes, sa më herët të ishte e mundur. Dita ende nuk kishte zbardhur kur Zoti dhe Zonja G. u zgjuan. Agu i zbehtë ndriçonte sadopak dritaret e shtëpisë. Me fëmijët përdore apo në krahë, të cilët mbanin sytë gjysmëmbyllur, u futën në makinë së bashku me plaçkat që kishin përgatitur. Drejtimi ishte sigurisht Lura dhe rruga nuk mund të mos ishte pikërisht ajo që Zoti G. kishte ndërtuar. Dolën në udhë pasi kaluan zonën urbane të qytetit dhe Zonja G. vërejti lehtësinë që ndjente nga pamja bujqësore e natyrës nga të dyja anët e rrugës. Herë pas here ajo kthente kokën drejt ndenjësve të pasme, aty ku dy djemtë ishin ende të përgjumur. Zoti G. nuk bënte zë, por thjesht drejtonte makinën dhe pohonte ose mohonte sa herë që Zonja G. bënte një pyetje të rastit. Mjaft shpejtë njëtrajtshmëria e udhëtimit zuri vendin e saj dhe e vetmja gjë që dëgjohej ishte zhurma shurdhuese e motorit të makinës. Zoti G. vinte re gjatë ngarjes tabelat që mungonin dhe vriste mendjen se kur do të mund t’i riktheheshin përsëri për t’i vendosur. Jo së shpejti, mendonte, kishte plane të tjera. Teksa po i afroheshin mesit të rrugëtimit, djemtë u zgjuan dhe filluan të luanin me njeri-tjetrin. Zonja G. kishte përgatitur disa sanduiçë të vegjël për ta, duke qenë se nuk mund ta hanin dot mëngjesin kur ishin të përgjumur. Ajo i nxori ato nga qesja që kishte futur në çantën e saj dhe ua dha fëmijëve, të cilët filluan t’i përtypnin me uri. Megjithëse me gojën plot, ata nuk ndalonin së foluri e ngacmuari njeri-tjetrin. Zonja G. ndihej kaq e lumtur sa nuk e mori mundimin t’i qortonte për diçka të tillë, por thjesht buzëqeshte dhe kthente kokën që të sigurohej se djemtë nuk po e tepronin. Me të mbaruar ushqimin, ata dalëngadalë u qetësuan dhe njëlloj si prindërit e tyre shikonin natyrën jashtë dritares së makinës. Tashmë ishin duke iu ngjitur maleve me një të përpjetë të theksuar, por që përsëri mund ta përshkonin me një shpejtësi të lartë për shkak të rrugës së saposhtruar. Nga të dyja anët e rrugës ngriheshin dy shpate malesh të pjerrëta dhe të mbuluara me pyje. Brenda këtyre pyjeve jetonin mjaft kafshë të ndryshme, ndërmjet tyre edhe disa grupe kaprojsh e drerësh që shpesh zhvendoseshin nga një zonë në tjetrën. Mirëpo Zoti G. nuk e dinte këtë gjë. Në fakt, një tabelë që paralajmëronte se kafshët e zonës mund të kalonin në rrugë kishte qenë në plan për t’u vendosur aty pari, përpara se të mendohej e tepërt. Ta kishte ditur, ndoshta do ta kishte ulur shpejtësinë. Nuk do ta kishte marrë me aq ngut. Por nga ana tjetër ajo tabelë mund të dilte krejt e pavlefshme. Zoti G. mund fare lehtë mos ta kishte marrë aspak parasysh dhe të vazhdonte me të njëjtin ritëm, i paditur drejt diçkaje të pashmangshme. Sepse pikërisht në çastin që ai ktheu kokën për të parë djemtë e për t’u folur ngaqë përsëri kishin filluar të shtyheshin me njeri-tjetrin, një dre i rritur me brirë madhështorë kërceu nga fundi i pyllit në korsinë ngjitur vetëm njëzetë e pesë metra larg. Në çastin tjetër dreri kapërceu dhe një herë e i ndodhur ashtu në ajër e kuptonte që nuk mund ta shmangte atë gjë të shpejtë që po vinte nga e majta, kështu që e vetmja gjë që mund të bënte ishte të drejtonte brirët përpara për t’i rënë me shpresën se do të mbrohej. Zoti G. sapo kishte kthyer kokën përsëri nga rruga kur ato brirë hynë dhunshëm ndërmjet dy dritareve të anës së djathtë të makinës, duke zënë me një fuqi të kobshme gruan dhe dy djemtë që ishin zhvendosur në lojë e sipër nga ajo anë, e duke u ndalur vetëm kur koka e drerit u përplas me ndarjen e çeliktë të atyre dy dritareve. Shformimi i çelikut solli gjithashtu shkatërrimin e kafkës së kafshës, teksa përmasat e brirëve të saj bënë që të kapnin edhe shoferin, i cili reagoi ndaj goditjes duke kthyer timonin nga e majta e duke bërë kështu që makina të përplasej me ndarësen betonike të korsisë së kundërt; ndërsa tërhiqte zvarrë atë kafshë meqë brirët e saj nuk dilnin dot nga makina të kapur pas pjesës së poshtme të dyerve, duke u ndalur më në fund prej përplasjes me ndarësen. Të gjitha qeniet e gjalla të përfshira gjendeshin tashmë të pajeta ose të pandjenja me një hemorragji që do t’u shuante jetën së shpejti. Zoti G. ishte ai që mbylli sytë i fundit. Mbase kishte mjaft shpirt të mbetur sa të qëndronte gjallë derisa të vinte ndonjë ndihmë, por vendosi aty për aty, me njerëzit më të dashur me shumë mundësi në një gjendje më të rëndë sesa vetja, t’i lëshohej pa luftuar asgjësë që do ta pushtonte. Kishte gjykuar me të drejtë se jeta, pas kësaj ngjarjeje, nuk do të kishte vlerë; e se ndoshta ky përfundim i menjëhershëm, në çaste lumi, ishte i mirëpritur, ndonëse i padëshirueshëm. Ëndrrat e të gjallëve zaptohen nga vdekje të lumtura ose të qeta, e Zoti G., duke qenë se e qeta për të nuk ishte e mundur, e përfytyronte atë të lumtur. Të parët që do të kalonin në atë vend do të priteshin nga një pamje e gjakshme: një dre i sakatuar kapur pas dyerve të një makine me pasagjerë të shfytyruar. Një kontroll i shpejtë solli një vendim të prerë. Asnjë i gjallë. U mor policia në vend të ambulancës dhe rreth një orë më vonë ia behën automjetet që do të pastronin vendngjarjen. Kush i kishte lajmëruar zgjodhi të mos rrinte aty dhe kishte vazhduar rrugën pa prekur asgjë; teksa autoritetet nuk e kishin ngacmuar, duke parë natyrën e aksidentit. Në fund nuk kishte ngelur asnjë shenjë e ndodhisë, përveç vragës në betonin ku ishte përplasur makina, por që sidoqoftë tepër e pavërejtshme për ata që do të kalonin aty me shpejtësi. U fol disa ditë për të, si një fatkeqësi e çuditshme, me mundësi shumë të ulët ndodhjeje, një rast i rrallë; derisa u harrua me ngjarje të tjera më të rrokshme nga arsyeja, që përfundimisht lejonin mendimin se bota nuk kishte ndryshuar e rrotullohej në po të njëjtën mënyrë.

[1] Mbiemër: rast+ar+e. Njeri që ndjek rastin ose rastet; oportunist. Mund të përdoren edhe rastak, rastor.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin