Për shkrimtarin, të shkruash është folje jokalimtare, pat thënë një herë Roland Barthes-i.[1]
Do të duhej hartuar një libër i tërë, për ta shtjelluar këtë ide në degëzimet dhe implikimet e veta. Foljet jokalimtare, në gramatikë, janë ato folje që nuk kanë (nevojë për) objekt – p.sh. eci, lind, vdes, rri ose fle; shënjojnë një veprim që nis dhe mbaron brenda subjektit.
Barthes-i, që diku tjetër i pat ndarë shkrimtarët në autorë (écrivains) dhe shkrues (ecrivants), kur ia ndryshoi statusin foljes shkruaj kish parasysh atë revolucion në diskursin letrar, që çoi në lindjen dhe konsolidimin e konceptit modern për letërsinë.[2]
Shkruesit kanë për synim, thotë ai, ta shoqërojnë lexuesin nga teksti, te bota përtej tekstit; ndërsa autori (écrivain) e mban lexuesin brenda universit të së shkruarit. Madje jo vetëm: ai e ezauron subjektivitetin e vet, si autor, brenda tekstit: a nuk pat thënë diku edhe Hugo-i, se shkrimtari është “një botë e kapur brenda një personi”?
Shkrimtari shkruan, njëlloj sikurse piktori pikturon dhe muzikanti muzikon.
Thonë se kritiku dhe semiologu i shquar frëng pat provuar një herë të shkruante në japonishte, pa e ditur atë gjuhë; dhe kjo përpjekje, në dukje absurde, shpjegohet me idenë e tij – sado provokuese – se të shkruarit nuk përfton kuptim, por vetëm e çrregullon kuptimin.[3]
Historianët e mendimit modern kanë vënë në dukje se ky transformim i të shkruarit, nga kalimtar në jokalimtar, u pat vënë në dukje në Michel Foucault, në Les mots et les choses: Foucault e gjen zanafillën e të shkruarit jokalimtar herët në shekullin XIX, kur sipas tij gjuhës iu mohua statusi i medium-it për të njohur botën, dhe ajo u degradua në statusin e një objekti të thjeshtë të njohjes, njëlloj si qeniet e gjalla, pasuria, vlera dhe historia e ngjarjeve dhe e njerëzve.
Sipas Foucault-it, ky “deklasim” i gjuhës u kompensua nga shfaqja, gjithnjë në fillim të shekullit XIX, e një regjimi të ri të gjuhë-përdorjes, të cilin tashmë e quajmë “letërsi,” në kuptimin e një “gjuhe të veçantë, mënyra e veçantë e qenies së të cilës është letrare.”[4]
Të tjerë studiues kanë gjetur te ky koncept kaq pjellor, por megjithatë i pashtjelluar mirë, i Barthes-it ndikime të Derrida-s, Jakobson-it dhe sidomos Benveniste-it.
Kaq sa për teorinë – përndryshe do të zgjateshim tepër.
Gjithsesi çdo shkrimtar, në një mënyrë ose në një tjetër, e përjeton këtë natyrë jokalimtare të së shkruarit, në dallimin midis këtyre dy pyetjeve:
“Shkrove dot kur ishe me pushime?”
“Çfarë shkrove ndonjë gjë kur ishe me pushime?”
Pyetja e parë fokusohet tek akti i të shkruarit, ose çfarë i intereson autorit; e dyta ka të bëjë me rezultatet e këtij akti – dhe s’është për t’u habitur që shumë autorë nuk kanë dëshirë t’i përgjigjen, ose deri edhe nervozohen kur i pyet, i shmangen përgjigjes ose kërkojnë ndonjë batutë për ta çliruar tensionin.
Shkrimtari ka më shumë dëshirë të (mirë)njihet si dikush që shkruan (folje jokalimtare) se si dikush që shkruan një trilogji, ose që shkruan për erotikën e tigrave në robëri (folje kalimtare, edhe pse në rastin e dytë vetëm logjikisht).
E megjithatë, incidenti më poshtë (që i ka ndodhur shkrimtarit polak Witold Grombrowicz në Montevideo, Uruguaj; dhe ai e ka rrëfyer pastaj në Ditar) duket sikur dëshmon të kundërtën.
Shkrimtarin e kanë ftuar në një event kulturor, sa informal aq edhe ekskluziv. Teksa ai zë vend diku në sallë dhe gatitet t’u bëjë ballë gjepurave që do të thuhen atje, mikpritësja e eventit Paulina Medeiros e shquan mes të pranishmëve dhe, në një moment të përshtatshëm, i thotë publikut:
“Kam kënaqësinë të shoh që mbrëmjen tonë e ka nderuar me praninë e vet shkrimtari i shquar W.G…. Me ç’rast dua ta ftoj të na thotë dy fjalë.”
W.G. që zien përbrenda nga falsiteti dhe atmosfera super-filistine në sallë, ngrihet të “thotë dy fjalë”, por çuditërisht i drejtohet jo publikut, por vetë mikpritëses – ajo vetë poete kombëtare dhe personalitet i spikatur i kulturës.
“Më thoni, zonjë e nderuar, çfarë veprash të miat kishit parasysh, kur më quajtët të shquar?”
Mikpritësja nuk arrin të përgjigjet, meqë nuk ka lexuar asgjë nga W.G.-ja; kryesisht ngaqë ka arritur tashmë një moshë dhe një pozicion social të tillë, që e çliron nga nevoja për të lexuar.
Murmurin diçka, kërkon ndihmë nga ata që ka pranë. Askush nuk i ofron asnjë titull, asnjë këshillë, asnjë rrugëdalje nga sikleti.
W.G. ngrihet dhe largohet nga salla, i përcjellë nga një atmosferë skandali, të përzier me hilaritet.
Mirëpo le ta rilexojmë këtë incident, nën dritën e asaj çka cituam nga Barthes-i më lart: nëse W.G., si auteur i mirëfilltë, i qaset të shkruarit në mënyrë jokalimtare, atëherë pse kërkon që bashkëfolësja e tij dhe mikpritësja poete t’ia njohë veprën? A nuk mjafton që kjo ia njeh statusin prej shkrimtari jokalimtar?[5]
Ky është, tek e fundit, fati i të gjithë autorëve të njohur, për të mos thënë të mëdhenj, në një kohë si e jona, kur mediat (si shumës i medium-it) shërbejnë veç për të mbajtur në qendër të vëmendjes subjektet – tashmë të shndërruar në celebrities.
W.G. vërtet u bë i madh ngaqë pati breza lexuesish dhe kritikësh që ia vlerësuan veprën, por tani që është shkrimtar i madh, askush nuk ka nevojë më që t’ia lexojë çfarë ka shkruar: nëse të shkruarit është jokalimtar, atëherë të qenit shkrimtar do të katandiset, herët a vonë, në status.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Version i ripunuar i një shkrimi më të hershëm. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: imazhi është përpunuar me Midjourney.
[1] Barthes, Roland, Le bruissement de la langue, Essais critiques IV, Éditions du Seuil, 1984 f. 21-32. Botimi i parë frëngjisht i një kumtese të Barthes-it të mbajtur në vitin 1966.
[2] Hawkes, Terence, Structuralism & Semiotics, University of California Press, 1977, f. 112-113.
[3] Allen, Graham, Roland Barthes, Routledge 2004, f. 138.
[4] Shih për këtë The Fiction of Narrative: Essays on History, Literature and Theory, 1957-2007, nga Hayden White dhe Robert Doran, JHU Press, April 2010, f. 255-256.
[5] Shkrimtari si ai që shkruan: një emër vepruesi ose nomen agentis, me kredenciale indo-europiane; madje simetrik me lexuesin si ai që lexon, një tjetër nomen agentis, që nuk ka nevojë për kalimtarësinë, për t’u konstituuar si skaj i komunikimit letrar.
“Barthes-i, që diku tjetër i pat ndarë shkrimtarët në autorë (écrivains) dhe shkrues (ecrivants)…”
Ne nje version te perkthyer ne shqip te kesaj eseje te Barthes-it, botuar ne Tirane aty nga mesi i viteve ’90, mbaj mend qe keto dy terma perkthyesi i kishte dhene ne shqipe si ‘shkrimtare’ (écrivains) dhe ‘shkarrashkrues’ (ecrivants) 🙂
Kjo ‘shkarrashkrues’ më duket pak e tepruar; në shqipe ka konotacion negativ. Ndërsa për Barthes-in écrivant është kushdo që shkruan, por jo në formë jokalimtare. Për shembull, autori i një monografie për buburrecin e patates ose ai që ia shkruan fjalimet Kryetarit.
Ashtu eshte, sot mund te tingelloje e tepruar, por do pasur parasysh koha dhe konteksti kur u botua perkthimi shqip i esese ne fjale, si edhe synimi i perkthyesit qe jo gjithmone perkon me synimin e autorit. 🙂
“Mirëpo le ta rilexojmë këtë incident, nën dritën e asaj çka cituam nga Barthes-i më lart: nëse W.G., si auteur i mirëfilltë, i qaset të shkruarit në mënyrë jokalimtare, atëherë pse kërkon që bashkëfolësja e tij dhe mikpritësja poete t’ia njohë veprën? A nuk mjafton që kjo ia njeh statusin prej shkrimtari jokalimtar?”
Kam pershtypjen se Barthes nuk don te thote se shkrimtari jokalimtar shkruan me synimin qe te mos lexohet nga te tjeret, ndersa ai kalimtari shkruan qe te lexohet nga te tjeret. Dallimi nuk ka te beje me marredhenien e shkrimtarit me lexuesin, por me marredhenien e poetikes se autorit me boten reale. Barthes thote se shkrimtari qe ne vepren e tij krijon nje bote me vete eshte jokalimtar, ndersa ai qe ne njefare menyre imiton boten reale eshte kalimtar.
Ka një dallim – sado të hollë – midis “të lexosh një vepër” dhe “të lexosh një autor.” Unë për këtë e kam fjalën.
Unë do ta shihja edhe nga një dimension tjetër: të shkruash në jokalimtare të çliron nga prangat e autocensurës ndërkohë që të shkruash në kalimtare shoqërohet, në më të shumtën e rasteve gjithsesi, nga ngërthimet e autocensurës që gjithnjë të nëpërmend reagimin e lexuesit, pritshmëritë e këtij, etj. etj.
Pyetja “çfarë shkrove?” e detyron shkrimtarin ta paketoj punën e shumë orëve, shumë fjalëve, zgjedhjeve dhe vendimeve në një përmbledhje, prandaj është irrituese. Për Barthes veprat që përmblidhen janë écrivance, ato që s’përmblidhed, i quan écriture. Écriture është vepra e écrivain, por duke qënë se nuk përmblidhet dot nga lexuesi, bëhet edhe tekst i këtij, edhe ky e përjeton si një eksperiencë të pakomunikueshme në formë të holluar.
Megjithatë, Oscar Wilde i jep goxha përgjigje “çfarit”, pak a shumë duke thënë: “sot kam punuar gjithë ditën, paradite hoqa një presje, pasdite vura prapë.”