PSE CASTIGAT (III)

Si projekt letrar, CASTIGAT u kristalizua tek unë si përpjekje për ta sunduar prozën e shkurtër, e cila përfshin tregimin por edhe shumë forma të tjera, që gjithë duke ruajtur natyrën narrative, respektojnë edhe një kufi imagjinar të gjatësisë së tekstit. Por gjatësia vjen në letërsi si kriter i çuditshëm – meqë nuk lidhet menjëherë me estetikën. Një tekst mund ta masësh me numrin e faqeve, sikurse mund ta masësh me orët që duhen për ta lexuar ose rrëfyer (për ta dëgjuar të rrëfyer); në thelb, me masën e impenjimit tonë për ta “përvetësuar” estetikisht. Edhe pse nuk ka, sepse nuk mund të ketë, masa të sakta për këtë punë, të gjithë do të biem dakord se Lufta dhe paqja e Tolstoit është prozë e gjatë, ndërsa Dy mbretër dhe dy labirinte e Borges-it është prozë e shkurtër. Tregimi, si formë përfaqësuese e prozës së shkurtër, ka traditë të mirë në letërsinë shqipe; kjo edhe ngaqë një tregim mund ta botosh në faqet e një reviste a gazete letrare, ndërsa një roman jo – përveçse po të nxjerrësh pjesë-pjesë. Për të njëjtën arsye, botuesit i botojnë romanet si libra të veçantë dhe i përmbledhin disa tregime në një vëllim të vetëm, paçka se një tregim mund të qëndrojë më vete, artistikisht, po aq sa romani; dhe nuk ka nevojë për solidaritet tregimesh të tjera dhe as për t’u kombinuar dhe kontekstualizuar me sivëllezërit. Edhe në këtë kontekst, është nevoja praktike – ose ekonomike – që shpesh i detyron botuesit t’ia japin lexuesit tregimet në grup. Një arsyetim i ngjashëm mund të bëhet me tregun tradicional të muzikës së lehtë, ku – me masivizimin e teknologjisë LP – u mundësua që publikut t’i shitej një pllakë gramafoni që përmbante disa këngë, të cilat pastaj do të luanin njëra pas tjetrës. Kjo u përdor pastaj, nga artistët, si suport material për të nxjerrë në treg të ashtuquajturit concept albums, ku këngët janë të lidhura mes tyre dhe efekti estetik i dëgjimit të tyre në sekuencë nuk është i njëjtë me shumën e dëgjimeve të këngëve individuale. Një concept album, p.sh. “The Dark Side of the Moon” i Pink Floyd mund të krahasohet me një vëllim poetik ku poezitë individuale i bashkon një koncept lirik, ose me një vëllim me tregime që i bashkon diçka më tepër se autori, dhe që nuk duhet të jetë doemos tema. Ka pastaj vepra, si Le città invisibili ose Se una notte d’inverno un viaggiatore të Calvino-s që përbëhen nga një seri prozash – tregimesh, përshkrimesh, rrëfimesh – që të gjitha së bashku japin efekt më të fortë edhe se ai i concept album, duke iu afruar, por nga një anë tjetër, romanit. Kjo teknikë – le ta quajmë serializëm – më ka tërhequr veçanërisht; që nga romani BOLERO, i cili është ndërtuar si një sekuencë variacionesh narratologjike rreth një teme relativisht banale (koncepti im këtu i detyrohet shumë “temës dhe variacioneve” si formë muzikore), dhe më pas te Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit, ku pjesët në sekuencë i mban bashkë jo vetëm tema, por edhe prania në prapaskenë e rrëfimtarit Maks; dhe më në fund te Ndërhyrjet dhe pastaj Kusuret e Zotit Shyti, të cilat kanë një natyrë seriale që i afron me atë të një sit-com-i televiziv, gjithë duke ruajtur konceptin e një vargu situatash të ndërtuara rreth ligjërimit të personazhit qendror. Librat e Shytit madje e pata të vështirë t’i identifikoj: disa kritikë do të ngrysnin vetullat, po t’i quaja romane; por edhe përmbledhje tregimesh nuk i quaja dot. Dhe fakti që nuk po e formuloja dot një emër, më sugjeronte se kisha gjetur, te forma që përdorja, një mundësi shprehëse të re.

Serializmi tek unë e ka edhe një arsye fare praktike – kushtet në të cilat i kam shkruar dhe botuar veprat e mia në prozë. Ndryshe nga ata gjigandët e realizmit socialist në Shqipëri, të cilët mbaheshin me rrogë nga shteti për të krijuar vepra qindra-faqëshe, romane shumë-planëshe dhe tablo të gjëra sociale, unë sot – si shumë të tjerë me dëshirë për të shkruar – nuk mund të shpresoj se dikush do të më paguajë thjesht për të krijuar; ky është çmimi i lirisë artistike dhe besoj shumë prej nesh e kanë paguar pa ngurrim. Maks Gjerazi erdhi në ekzistencë dora-dorës, duke u botuar pjesët e librit në Peizazhe të fjalës; dhe në një periudhë kur unë, autori, kisha vetëm një koncept abstrakt se çfarë doja të bëja, por jo ndonjë ide të detajuar se si do ta realizoja këtë koncept. Gjatësinë e pjesëve të këtij romani – po e quaj kështu – e diktonte edhe mediumi, edhe përdoruesit e mediumit; në Internet vëmendja e lexuesit është e mirë e çmuar, me të cilën është gabim të abuzohet. Ti vërtet e ofron krijimin tënd falas, por ashtu bëjnë edhe mijëra të tjerë si ti; dhe kjo nevojë, për ta mbajtur lexuesin të interesuar, ndikon pastaj drejtpërdrejt edhe në formën e krijimit letrar, përfshi këtu edhe atë që proza e botuar duhet të jetë e shkurtër. Serializmi, si formë narrative, i detyrohet shumë edhe Internetit, përfshi këtu rrjetet sociale. Copëzat e zotit Shyti u botuan gjerësisht në Facebook, duke e përdorur rrjetin social si të ishte kanal televiziv me Shytin si sit-com në palimpsest. Dhe kështu, në rrjedhë të viteve, i “shtrënguar” siç kam qenë që t’i falem formës së shkurtër, u mësova që të shprehem letrarisht në mënyrë koncize, duke u larguar shkallë-shkallë nga proza tradicionale e formës së gjatë, atje ku përshkrimi i një peizazhi a i një rruge zgjat ndonjëherë disa faqe. Ironikisht, obsesioni me serializmin – që ndihet në të gjitha veprat e mia fiction – më solli te tregimi formë lakuriqe, i librit të tanishëm CASTIGAT; ku vendin serializmit ia ka zëvendësuar eksperimentimi me narrativitetin dhe intertekstualitetin. Edhe prozat e CASTIGAT-it i janë përshtatur mirë botimit online, gjithë duke iu larguar tregimit klasik dhe duke iu afruar rrëfimit pseudo-oral; apologut dhe fabulës, por pa efektin moral; aventurës narrative të një koncepti, jo të një personazhi. Nëse në fiksionet e mia të mëhershme, si te BOLERO ose Maks Gjerazi dhe z. Shyti sekuencialiteti nuk ka pasur ndonjë rëndësi dhe pjesët mund të lexohen në mënyrë tabulare, ose sipas sekuencave të rastit, aq më e vërtetë është kjo te CASTIGAT, që në fund të fundit mbetet një përmbledhje. Ka një renditje të prozave, sepse nuk mund të mos e ketë; por lexuesi mund ta zhbëjë sipas dëshirës. Natyrisht, duke qenë letërsia e mishëruar në ligjërim, autori nuk heq dot dorë nga sekuencialiteti sikurse nuk heq dot dorë nga lineariteti; tek e fundit, mund t’ua ngatërrosh vendet kapitujve në një roman, por jo aq lehtë sekuencave në një rrëfim linear, duke e treguar një ngjarje së prapthi, siç bën Martin Amis te Time’s Arrow. Autori vetë nuk ka rrugë tjetër veçse ta kuptojë që lineariteti – ose progresioni i leximit – është sa pengesë ose vargua i gjakimit të vet krijues, aq edhe vegël e artit letrar.

© 2021 Peizazhe të fjalës™.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin